Ai ka flokë të krehur bukur, ngjyra e kostumit të tij ka një variacion bluje sqimëtare, këmishë të bardhë, verbuese, kollare ngjyrë gri si të ngrirë me niseshtè*, një cep shamize të mëndafshtë nxjerrë prej xhepit në cep, të kostumit (edhe kjo e grijtë), këpucë të shkëlqyeshme, (nëse do jetoja në vitet tridhjetë do t’i quaja “lustrina”), duar elegante, sy të shkëlqyeshëm si këpucët, ballë të rregullt…

Është duke folur gjatë gjithë kohës me tonalitetin e tij, kumbues. E që t’i bie shkurt; gjithçka është e hijshme tek ai…

Si t’i ketë kuptuar mendimet e mia, (- nuk ka sesi – qetësoj veten aty-për-aty), ai pushon një hop, dhe më drejton një pyetje.

Unë si për t’i shpëtuar “lustrinave”, niseshtesë gjithashtu, i përgjigjem me një tjetër pyetje (sa per të ndëruar temën e bisedës, e sa për ta siguruar që, sidoqoftë kam qenë duke e ndjekur vëmendshëm rrëfimin e tij… në të vërtetë, jo).

Ai i përgjigjet shpejt pyetjes sime, por unë, siç thash, nuk e kam mendjen te përgjigja. Ndjej pak nga pak se ky perfeksion i tij më jep një ndjesi pa-rehatie, gati-gati më tremb…

Ai vazhdon të flasë… të flasë… të flasë… ndërsa unë përpiqem të gjej një mënyrë për t’u mbrojtur prej këtij agresioni përsosmërish…

E ja ku kam thirrur në ndihmë udhëtimet e mia, imagjinare. Ato janë barka ime e shpëtimit me një flamur piratesh ndër krye.

Filloj të ec para e mbrapa nëpër kohë.

Ja tani, sapo kam mbrritur, me një frymë në fëmijëri. Kam ndalur hapat atje, ndërsa fryme-merrem e lehtësuar.

Gjendem ende aty, përballë Njeriut Perfekt, por tashmë ndihem e mbrojtur. Tashmë jam vetëm pesë vjeç, kam një dardhë të qëndisur në xhep të këmishës ngjyrë mente, tuta vishnje, bukle të pa-krehura që rëndojnë të egërta mbi ballë, e kanatiere që ka dalë prej tutave.

Sapo kam mbyllur brenda pëllëmbës një bubuzhel të cilin e kam kapur me aq mund mbi një lule të madhe, të bardhë, e cila.më vonë, i shndëron ato, në kokrra të kuqe, të hidhura, shijen e të cilave e kam provuar atherë kur i kam ngatëruar me manaferrat.

Në dorën tjetër kam një fije peri.

Njeriu Perfekt vazhdon të flasë… të flasë… të flasë… me tonalitetin e tij, të përsosur.

Sigurisht ai nuk arrin ta dallojë kapërcimin e kohëve të mia. Atë arrij ta dalloj vetëm unë.

Ja tani ai tregon diçka me dorë.

Thonjtë e tij janë të shkëlqyeshëm, të prerë rregullt, e të limuar. Ngjajnë sikur sapo jane bërë gati për t’u shkuar dorën e fundit; manikyrin…

I shkepus sytë prej thonjve të tij, dhe fsheh duart mbrapa kurrizit. Nuk dua që ai të shohë thonjtë e mi. Kurrsesi nuk duhet t’i shohë. Përpara disa orësh më është dashur të ndihmoj një milingonë mosmirënjohëse dhe thonjtë janë mbushur plot me baltë. E kam marre ngarkesën, e rëndë për supet e milingonës dhe e kam çuar në folezën e saj. Më pëlqen t’i ndihmoj milingonat herë pas here, më duket sikur hyj e behem njësh me personazhet e historive të Udhëtimeve të Guliverit. Se, si për dreq filmi mbaron shpejt, e mua, padrejtësisht më çojnë për të fjetur gjumë ende pa mbaruar mirë sigla.

Eh, e kur ndonjëherë një i rritur i ka zbatuar siç duhet të drejtat e fëmijëve?

Po t’u shtosh gjithë këtyre padrejtësive, edhe milingonën… e cila, si për të më falenderuar për kortezinë, ka kryer edhe aktin final; duke më pickuar hidhtaz në kurrizin e  dorës…

Ja ku e kam edhe vulën e saj, të mosmirënjohjes, ja këtu, kam një vlagë të ngritur e të përskuqur…

Njeriu Perfekt ka pushuar së foluari tani. I ka ngulur syte në një hapësirë boshe mbrapa krahëve të mi.

Unë përfitoj nga rasti për t’u marrë me bubuzhelin. Përpiqem t’ia lidh mirë trupin me fijëzën e  perit. Bubuzhelit nuk i rrinë këmbët në një vend.  Djersitem pak, derisa në fund, gjithçka ka mbaruar me sukses, kam arritur ta lidh.. Mund ta leshoj tani. Ja kështu…

Tani bubuzheli është ngritur në fluturim.Unë mbaj fijëzën e perit me gishta, ndërsa ai fillon të fluturojë e bubrojë si aeroplan përreth meje.

- Ç’është kjo zhurmë ? – pyet Njeriu Perfekt duke parë përreth plot kureshti.

Unë ngre supet. E kotë t’ia shpjegoj. Ai nuk arrin të shquajë asgjë nga koha ku jam ndalur unë. Nuk ka se si, nuk arrin të kapërcejë kohën e tij, nuk mundet, e tija është e gjitha si e ngrirë në niseshtè.

Bubezheli vërtitet e vërtitet përreth nesh, ndërsa Njeriu Perfekt s’pushon së foluri. Pak më tej insekti  ndalon i lodhur, në fillim mbi kollaren e tij dhe pastaj mbi jakën e bardhë të këmishës.

- Oh… mos… mos…të lutem mos ! – thërras une ankthshëm.

Por bubuzheli nuk më dëgjon. S’ka se si. Ai sapo ka mbaruar së jashteshqituri mbi cohën; bardhesisht verbuese të këmishës së Njeriut Perfekt, dhe duket i tejet i çliruar.

Natyrisht, Njeriu Perfekt  nuk arrin ta dallojë bubuzhelin, por fare mirë arrin të dallojë jashteqitjen e  tij. Duket se jashtëqitjet janë lehtësisht të dallueshme e të standartizuara me të gjitha kohërat.

Njeriu Perfekt ka ulur menjëherë sytë mbi jakë dhe tani është duke share nëpër dhëmbë. Bubuzheli ka jashtëqitur një masë të vogël në ngjyrë të jeshiltë, të çelët, në një vend të dukshëm të jakës së tij, të bardhë.

- Dreqi ta marrë – thotë Njeriu Perfekt gjithë zemërim, – ajri në këtë vend qenka shumë i papastër, ndërsa fillon të merret me këmishën…

Kalojnë disa minuta. Ai vazhdon të merret me këmishën…

Kalojnë edhe disa të tjera. Ai vazhdon të merret me këmishën…

Tani ai më ka haruar mua.

Kështu unë përfitoj nga rasti të lëviz krenarisht, duart me thonjtë e mi, të nxirë me baltë, e të vazhdoj të komandoj hareshëm fluturimin e  bubuzhelit.

Pas disa përpjekjeve të dështuara për të pastruar me gjithfarë shamizash aromatike jashtëqitjen bio, të bubuzhelit, Njeriu Perfekt më thotë se i duhet të largohet. I duhet të çojë urgjentisht këmishën në pastrim kimik. Pas disa orësh ka një mbledhje shumë të rëndësishme për mjedisin. Me siguri do të diskutojë atje edhe mbi standartizimin kohor të jashtëqitjeve të bubuzhelëve.

Unë e lehtësuar i hedh atij edhe një vështrim të fundit ndërsa largohet.

Ka flokë të krehur bukur, ballë të rregullt, këpucë të shkëlqyeshme që nëse do  jetoja në vitet tridhjetë do t’i quaja “lustrina”, kollare si të ngrirë me niseshte… Ndërsa unë; një dardhë të qëndisur në xhep të këmishes, bukle të egërta, kanatiere të dalë mbi tuta, thonj me baltë, dhe një fije peri në duar, me të cilin, sapo kam ngritur në fluturim fëmijërinë…

*

Lexuesit të pa-familjarizur me procesin e ngrirjes në niseshtè, i sugjeroj një udhëtim brenda një sënduku të vjetër. Pikërisht atje ku hidhen rraqet e vjetra të çdo shtëpize, të cilat konsiderohen padrejtësisht si modë e sezonit të kaluar.

Një udhëtim në kohërat kur amvisat shqiptare, përveç copëzave dekorative si ; çentrove apo deri edhe perdeve, seç kishin një deshirë të çuditshme për të ngrirë atje brenda, ndoshta, edhe kohën vetë…

Jam e sigurt se pas kësaj lexuesi do familjarizohet me procesin… natyrisht… nëse ka ngritur ndonjëherë në fluturim një bubuzhel…

Korrik 2010

http://flokenaja.wordpress.com/

9 Komente

posi, edhe cinxurin me kashte ne bythe kemi ngritur

C'me kujtove nje skene te papare qe e pashe me syte e mi, ne Durres, tek plazhi, aty ke bulevardi me mejhane, qe dhe sot kur e kujtoj , vdes t'u qesh. Ky tipi ishte amerikan, dy metrosh, bodybiulding, i veshur koke e kembe me lacoste te bardha dhe rrinte krekosur. Nje e dy dhe fshinte supet me dore qe te largonte mikrobet nga vetja, e ke parasysh nga keta tipat me niseshte qe permend dhe ti. Shqiptarka qe kishte prane, i thoshte,ec te hyme brenda ne lokal, ky bente nje hap para e pastaj "no no" dy hapa prapa. Kjo zgjati disa minuta, me dilemen qe te hynte apo jo ne ate lokal te piste e me mikrobe, kur ne ate moment del nje burre rrangall nga ky lokal, i dehur tape, po tape tamam, kisha kohe pa pare njeri aq te dehur. Kur kaloi burri i dehur karshi krekos, ky e pa me neveri dhe i pastroi prape supet. sikur te pastronte ajrin qe leshoi rrangallja e dehur. Por e gjeti hataja, se i dehuri beri nje kthim prapa 180 gradesh dhe ja rrasi me nje te vjellme shatervan vuuuu mu ne kurriz. Imagjino skenen, o nene moj nene. U dh*va gazit me te madhe, amerikani bertiste "O my god, o my god" me duart te ngritura. U terbua fare. Nejse
Ja keshtu e dashur. Keta tipa shyqyr jane te paket smiley

Mirdita flo, jam dakord me ty smiley

Le qe imperfeksionet jane ato qe e bejne njeriun interesant ...

Ring the bells that still can ring
Forget your perfect offering
... There is a crack in everything
That's how the light gets in.

...thote Leo Cohen smiley

Mirmengjes Kristida, mirmengjes Mel!

Kete tregimin "e sakrifikova" ketu per hir te disa lexuesve te mi besnike, te cilet shpesh me kane shkruar: pse nuk behesh e gjalle?

dmth per tju pergjigj se kam qene duke lujt me bubuzhela smileysmiley

Dhe mire ke bere,une jam nje nga adhuruesit e tu dhe me pelqeu ajo qe ke sjelle smiley

Faleminderit Brad (se Bradi je ti apo jo? keni ndryshuar te gjithe lookun ketu smiley )

Peshku i ve n'prove adhurusit e vet dhe ti po jep prova bese, permes ksaj sakrifice...hahaha

Autorja arrin te gershetoje mjeshterisht talentin me imagjinaten duke perdorur nje stil gjuhesor te arrire,por edhe te kuptueshem.Te jep kenaqesi kur e lexon.Me pelqeu.Vetem se redaktori duhet te kishte punuar pak me shume me perdorimin e disa fjaleve.Gjithsesi pergezimet e mia.

komplimente Flo...Qarte...Me ngeli mendja çfare ngjyre ishte shamia ne xhep te xhaketes...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).