Shqyrtimi i dekretit të Presidentit të Republikës për kthimin e ligjit për importon e plehrave, më shumë se një debati për reflektim i ka ngjarë një mbledhje rutinë të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese në Kuvend. Përveç debatit midis palëve dhe shpalosjes edhe njëherë të argumenteve pro dhe kundër në lidhje me lejimin apo jo të importit të mbetjeve në vend, Komisioni nuk miratoi asnjë ndryshim në ligj duke e lenë atë në formën fillestare që u miratua një muaj më parë. Me 12 vota kundër dekretit të Presidentit të Republikës dhe vetëm një pro, Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese kaloi të pa ndryshuar ligjin duke ia lenë seancës plenare ndërmarrjen ose jo të ndryshimeve. Gjasat që ato të ndodhin janë të pakta duke parë edhe votimin e djeshëm të deputetëve demokratë. Një paralajmërim se një ligj kaq i rëndësishëm do të kalojë përsëri me forcën e kartonit.

Presidenti Topi e ktheu ligjin për mbetjet me argumentin se ai bie në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. “Me qëllim që ligji dhe zgjidhjet e ofruara për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë të garantojnë sa më tepër rezultate pozitive, në bazë të nenit 85, paragrafi 1 të Kushtetutës, vendosa të mos e dekretoj, por ta kthej edhe njëherë për rishqyrtim në Kuvend, pasi gjej në të, mospërputhje dhe dispozita jashtë objektit të vetë ligjit”, – do të sqaronte ai në letrën derguar Kuvendit duke shoqëruar edhe vendimin e marrë për mos dekretimin e ligjit.

Në këtë letër, Topi e justifikoi vendimin me faktin se ligji nuk jepte garanci për mbrojtjen e mjedisit në vend. Presidenti u fokusua pikërisht në nenin 49 të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i cili është edhe shkaku kryesor i këtij debati një vjeçar, ku lejohet importi i mbetjeve në vend me qëllim riciklimin e tyre. Në këtë drejtim, Topi sqaroi se neni në fjalë del jashtë qëllimit të ligjit. “Në një kohë kur i tërë ligji i është dedikuar marrjes së masave dhe kryerjes së procedurave për menaxhimin mjedisor të mbetjeve në Shqipëri, si një problem i rëndë dhe ende i pazgjidhur i mjedisit shqiptar sot, krijimi i mundësive për import të mbetjeve të vendeve të tjera, duket se bie ndesh me qëllimin e deklaruar për “minimizimin e mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve”, apo “pakësimit të ndikimeve negative të përgjithshme nga përdorimi i burimeve”, – shpjegoi ai.

Një pikë tjetër ku Presidenti Topi vërejti mos përputhje ishte ajo ku përcaktohej origjina e mbetjeve që do të trajtoheshin. Sipas Topit, neni 2, pika 1 e ligjit përcakton menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas tij, kjo dispozitë ka parasysh se në territorin shqiptar do të menaxhohen mbetjet që vijnë nga burime brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. I pyetur në lidhje me këtë, zv/ministri i Mjedisit Taulant Bino shpjegoi se ligji nuk trajton vetëm mbetjet që kanë burim territorin shqiptar, por të gjitha ato që ndodhen në Shqipëri duke nënkuptuar edhe mbetjet që importohen.

 

Po tani?

Pas miratimit në formën që ishte nga Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese në Kuvend, ligji pritet të kalojë për votim në seancën plenare të ditës së enjte. Gjasat janë që edhe atje të mos pësojë ndonjë ndryshim. Presidentit të Republikës nuk i mbetet më gjë tjetër për të bërë pasi u shpreh më parë me një dekret. Ligji do të botohet në Fletoren Zyrtare dhe sipas procedurave normave do të hyjë në fuqi brenda 14 ditëve nga botimi në të. Më pas, dalim udhëzimit për mënyrën se si ai zbatohet, procedurë e cila nuk zgjat më shumë se dy javë deri në një muaj. Pas miratimit të udhëzimeve nga Ministria e Mjedisit, do të fillojë zbatimi i tij.

 

Wolfarth : Kthimi i ligjit të mbetjeve, proces demokratik

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wolfarth  ka shfrytëzuar një vizitë landfilldin e Bushatit në Shkodër për t’u shprehur edhe një herë në favor të politikave në mbrojtje të ambientit në Shqipëri. Duke u shprehur në lidhje me dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin e ligjit të mbetjeve, ai theksoi se në këtë rast kemi të bëjmë me një proces demokratik dhe ajo që është më rendësi ka të bëjë me faktin që Shqipëria të ketë një ligj të mirë për mbrojtjen e ambjentit, sepse ka pasuri të mrekullueshme natyrore. “Është një proçes demokratik dhe këto hapa janë pjesë e këtij procesi,dhe kjo është një mundësi për të rimenduar, rishqyrtuar, në mënyrë që të përmirësohen gjërat më tej. Por Shqipëria, veçanarisht ajo veriore ka bukuri natyrore dhe hapa të tillë si ky landfild është e rëndësishme që të merren. Ne afrojmë asistencë dhe padyshin që gjithçka duhet bërë në përputhje me shtetin e së drejtës dhe në këtë rast kjo ka më shumë rëndisë pasi lidhet me shëndetin e popullsisë dhe zhvillimin ekologjik”,-tha ai.

 

Ja pse ligji është anti-kushtetues

E drejta për të jetuar është një ndër të drejtat themelore të njeriut, e cila parashikohet edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Neni 59, kreu i pestë i kushtetutës, sqaron objektivat socialë që ka shteti ndaj qytetarëve. “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”,- thuhet mes të tjerave në të. Sipas juristëve, këtu është përplasja e ligjit me kushtetutën. Kjo, pasi ligji që lejon importin e plehrave nga jashtë dhe kjo nuk do të sjellë një ambient të pastër ku të jetojnë qytetarët shqiptarë.

Problemi i mbetjeve është një shqetësim i konstatuar nga të gjithë shqiptarët dhe në parim ligji synon të rregullojë çështjen. Në thelb ligji nuk paraqet asnjë problem, por ka dy nene tejet problematik. Është ai 49 që lejon importin me plehrave për qëllim riciklimi dhe ai 22 që lejon edhe për qëllime të tjera, por me vendim të Këshillit të Ministrave. Në lidhje me këtë, gazeta kontaktoi disa ditë më parë një grup juristësh, për të shpjeguar qasjen ligjit në raport me Kushtetutën. “Ky nen (neni 49) është totalisht jashtë ligjit. Ne jemi pro zgjidhjet së çështjes së plehrave pasi të gjithë e ndjejmë si problem, por zgjidhja duhet të vijë duke menaxhuar plehrat që ndodhen në Shqipëri, jo duke sjellë plehra nga jashtë. Nëse duhet bërë një ligj për importin e plehrave, le të bëhet, por jo të integrohet si pa dashje në ligjin për menaxhimin e mbetjeve. Pa mbaruar punë me plehrat tona që po na zënë rrugët çdo ditë, ne duam të marrim përsipër edhe plehrat e botës. Mendojmë se këtë arsyetim ka bërë edhe Presidentit Topi ku vendosi kthimin e ligjit”,- shpjeguan ata.

 

Argumentet pse e ktheu Presidenti ligjin

1 –I tërë ligji përshkohet nga rregullat dhe procedurat për kryerjen e këtij procesi menaxhimi; por, parashikimi i nenit 49, për importin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë, vlerësoj se del jashtë qëllimit të ligjit. Në një kohë kur i tërë ligji i është dedikuar marrjes së masave dhe kryerjes së procedurave për menaxhimin mjedisor të mbetjeve në Shqipëri, si një problem i rëndë dhe ende i pazgjidhur i mjedisit shqiptar sot, krijimi i mundësive për import të mbetjeve të vendeve të tjera, duket se bie ndesh me qëllimin e deklaruar për “minimizimin e mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve”, apo “pakësimit të ndikimeve negative të përgjithshme nga përdorimi i burimeve”.

2 – Neni 2, pika 1 e ligjit përcakton objektin e ligjit, duke parashikuar se dispozitat e tij zbatohen për menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjykoj se kjo dispozitë ka parasysh se në territorin e Republikës së Shqipërisë do të menaxhohen mbetjet që vijnë nga burime brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Meqenëse, neni 49 i ligjit, bën fjalë për importin e mbetjeve në Shqipëri, atëherë, vlerësoj se neni 49 vjen në kundërshtim edhe me objektin e ligjit, të shprehur në dispozitën parimore të tij, neni 2, pika 1.

3 – Neni 2, pika 2 e ligjit parashikon se “ligji përcakton rregullat e përgjithshme për menaxhimin e integruar të mbetjeve, përfshirë parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i tyre, përmes pakësimit të përdorimit të burimeve”. E konsideroj se një dispozitë e tillë është në përputhje me objektivin e krijimit të një mjedisi sa më të shëndetshëm; por, neni 49 i ligjit, duke parashikuar dhe lejuar importin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë jo vetëm që nuk ndihmon në arritjen e këtij qëllimi, pra në parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi i mbetjeve, por ai shton edhe përdorimin e burimeve të mbetjeve.

 

Diskutimet

Lavdosh Ferruni: Është hequr termi depozitim pikërisht për të lejuar depozitimin e plehrave në Shqipëri. Ligji lejon futjen e mbetjeve urbane në vend. Parimi i vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë duhet të prevalojë

 Blendi Kajsiu: Ne duhet t’i japim përparësi administrimit të mbetjeve tona. Lejimi i importit të plehrave bie ndesh me prioritetet e qeverisë në lidhje me turizmin. Ne e dimë shumë mirë që këto industri përpunuese do të vendosen në pjesën perëndimore të vendit, pjesa më e përshtatshme për t’u shfrytëzuar për turizëm dhe bujqësi

Taulant Bino: Jemi duke zbatuar direktivat e BE-së në lidhje me menaxhimin e mbetjeve. Ligji, flet për menaxhimin e mbetjeve që ndodhen në Republikën e Shqipërisë dhe jo vetëm për ato që gjenerohen këtu

Eduard Shalsi: Kohët e fundit vërehet një shtim i vizitave të përfaqësuesve të kompanive të ndryshme ricikluese në Shqipëri. Po vizitojnë tunele, miniera, e gropa. Këto kompani kanë kapacitet të madh përpunues dhe s’kanë interes vetëm për plehrat që prodhohen në Shqipëri.

Blendi Klosi: Çfarë sigurie ka që nuk do të lejohet importi për qëllime të mafies. Shihni se çfarë po bëhet në Napoli..

Jemin Gjana me ironi(pa mikrofon): Po po, ne punojmë për mafian, Ndraghetën..

Blendi Klosi: Unë jam i bindur që nëse votimi për këtë ligj do të bëhet i fshehtë ai nuk merr as 10 vota. Edhe këto nëse janë me shenjë, pasi drejtpërdrejtë merr 3 ose 4 vota. Po ju do e kaloni tani se kështu i keni direktivat

Blendi Kajsiu: Ne e dimë të gjithë që midis ligjit dhe zbatimit të tij ka një diferencë të madhe. E dimë të gjithë si funksionojnë gjërat.

Gjana: Ne duhet të heqim termin “plehra” pasi nuk bëhet fjalë për “plehra”, por për “mbetje”, të cilat përpunohen dhe përdoren si lëndë e parë. Kjo, sepse jo të gjithë njerëzit kanë informacionin që kemi ne dhe alarmohen për një gjë që nuk është.

Besnik Bare: 40 mijë ton është kapaciteti përpunues i letrës në Shqipëri. Janë dy fabrika kartoni dhe të dyja përpunojnë këtë sasi. Vetëm Tirana, prodhon 30 mijë ton letër, imagjinoni e gjithë Shqipëria. Pse të mos shfrytëzojmë një herë kapacitetet e vendit, të shpëtojmë edhe nga plehrat?

Taulant Bino: Fabrikat do të falimentonin nëse ndërpresim importin e mbetjeve. Nuk do t’i kemi më në momentin që do të na duhen

Besnik Bare: Nëse është e shqetësuar për këto fabrika, qeveria le të ndërmarrë subvencione, t’i mbajë në këmbë deri ne momentin kur vendi të prodhojë sasinë e nevojshme të mbetjeve që atyre iu duhen. Unë mendoj se sasia që prodhohet këtu i mjafton këtyre fabrikave

Blendi Klosi në emër të PS: E di që ju me forcën kartonit do ta kaloni përsëri këtë ligj. Në emër të PS them që ky do të jetë ligji i parë që do të rrëzojmë kur ne të vijmë në pushtet

 

Berisha: Topi me Aleancën e Plehut

Kryeministri Berisha shfrytëzoi mbledhjen e grupit parlamentar për të diskutuar në lidhje me dekretin e Presidentit Topi për kthimin e ligjit të mbetjeve. Vetëm pak minuta pas vendimit të Kuvendit për rrëzimin e këtij dekreti, Berisha e cilësoi angazhimin e shoqërisë civile dhe të medias kundër lejimit të importit si një Aleancë Plehu duke përfshirë në të edhe Presidentin e Republikës. Sipas tij, kthimi i ligjit nga Topi nuk ka të bëjë realisht me çështje tenike, por është një vendim politik i kreut të shtetit. “Qëndrimi ndaj këtij ligji është, nga alfa tek omega, qëndrim politik dhe, ata të cilët përpiqen në Aleancën e Plehut, të mashtrojnë dhe të dezinformojnë shqiptarët, do ta gjejnë veten të dëshpëruar. Kthimi i ligjit të mbetjeve në parlament nga Presidenti i Republikës është tërësisht politik. Komisioni Evropian ka një listë se cilat janë mbetjet e parrezikshme. Importi i mbetjeve urbane është një proces constant. Sipas ligjit, mbetjet nuk do të magazinohen, por do të përpunohen. Aleanca e Plehut servir vetëm mashtrime”, – tha Berisha.

 

 

Ligji lejon tinëz importin dhe djegien e plehrave

Autoritetet e kanë prezantuar në mënyrë të vazhdueshme ligjin për menaxhimin e mbetjeve si një “mbyllje porte” ndaj futjes së pakontrolluar të plehrave në vend. Madje, sipas tyre ky ligj e redukton në minimun importin e tyre dhe rrit ndjeshëm kontrollin. Të paktën kjo është ajo ç’ka është pretenduar nga Ministria e Mjedisit deri më tani, por nga një interpretim i kujdesshëm i ligjit, del se krahas importit për qëllim riciklimi, ai lejon edhe importin me qëllim djegien e tyre brenda territorit të vendit. Deri më tani nuk ishte folur një gjë e tillë dhe debati është trajtuar vetëm nëse duhet lejuar apo jo importi i mbetjeve për qëllime riciklimi, ndërkohë që është devijuar një çështje tjetër edhe më e madhe: ajo e lejimit të importit të plehrave edhe për qëllim djegie, një veprim aq shumë i kundërshtuar në vitin 2004, kur një nismë e ngjashme u ndërmor nga qeveria e atëhershme.

Importi i plehrave me qëllim djegien lejohet pikërisht nga neni 22, ku përcaktohet se Këshilli i Ministrave ndalon ose kufizon importin e mbetjeve me këtë destinacion. “Këshilli i Ministrave ndalon ose kufizon importin e mbetjeve, që destinohet për incinerim (djegie), kur ky operacion klasifikohet si rikuperim dhe vlerësohet se: Një gjë e tillë është e nevojshme për të mbrojtur rrjetin e impianteve të trajtimit të mbetjeve; importe të tilla mundësojnë trajtimin ose asgjësimin e mbetjeve të vendit me mënyra që nuk përputhen me planet përkatëse të menaxhimit të mbetjeve”, – përcaktohet në nenin 22 të ligjit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve.

Siç bëhet e qartë edhe nga ligji, do të jetë Këshilli i Ministrave ai që do të vendosë në rastet kur duhet lejuar ose jo importi i mbetjeve urbanë në këtë rast. Ndryshe nga mbetjet për qëllim riciklimi që është folur deri më tani, mbetjet urbane, krahas shumëllojshmërisë së tyre dhe rrezikshmërisë që paraqesin, edhe mund të digjen duke ndotur edhe më tepër ambientin. Në këtë pikë u ndal dje edhe Lavdosh Ferruni, përfaqësues i Aleancës Kundër Importit të Plehrave gjatë diskutimit të djeshëm në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese. “Ligji lejon futjen e mbetjeve urbane me qëllim djegien e tyre në Republiken e Shqipërisë. Neni 22 thotë se Këshilli i Ministrave ndalon ose kufizon importin e mbetjeve, që destinohet për incinerim kur ky operacion klasifikohet si rikuperim..”. Importi për djegje jo vetëm ndalohet por edhe kufizohet”, – tha Ferruni.

 

Ja pse kundërshtohet importi i plehrave

Gjatë shqyrtimit të dekretit të Presidentit për ligjin e plehrave, Aleanca Kundër Importit të Plehrave parashtroi dhjetë arsye se përse nuk duhet lejuar importi i plehrave në Shqipëri. Sipas shpjegimit të bërë nga përfaqësuesit e Aleancës Kundër Importit të Plehrave, nuk bëhet fjalë për kundërshtimin e ligjit në përgjithësi por vetëm të pjesëve që lejojnë futjen e plehrave në vend. Aleanca shprehet pro një industrie që të bëjë riciklimin e plehrave që ndodhen në Shqipëri. Kundërshtimet e tyre lidhen kryesisht me nenet 22, 48 dhe 49. Ja përsë nuk duhet lejuar importi i plehrave në Shqipëri sipas Aleancës Kundër Importit të Pleherave

1.       Neni 49: “Importi i mbetjeve jo të rrezikëshme” bie në kundërshtim me qëllimin e Ligjit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve. Neni 1 bën të qartë se qëllimi i ligjit është të mbrojë mjedisin dhe shëndetin e njeriut nëpërmjet: “parandalimit ose pakësimit të ndikimeve negative nga gjenerimi dhe menaxhimi i mbetjeve”. Neni 6: “Përparësitë e menaxhimit të mbetjeve” thotë se përparësi në menaxhimin e mbetjeve i jepet parandalimit të mbetjeve. Në të dyja rastet prioritet është reduktimi i mbetjeve. Ne nuk mendojmë se lejimi i importit të mbetjeve ndihmon në parandalimin apo reduktimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë

2. Nenet 48 dhe 49 lejojnë importin e mbetjeve jo të rrezikëshme për qëllim depozitimi në Republikën e Shqipërisë. Neni 48: “Ndalimi i importeve dhe kalimeve transit të mbetjeve”, pika 3 thotë se: “Ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme për qëllim ruajtjeje ose asgjësimi në Republikën e Shqipërisë.” Në këtë pikë nuk përmendet depozitimi, cka nënkupton se depozitimi i mbetjeve të importuara lejohet. Kjo bie ndesh me qëllimin e ligjit që synon parandalimin dhe reduktimin e mbetjeve.

3.       Ligji lejon futjen e mbetjeve urbane me qëllim djegjen e tyre në Republiken e Shqipërisë.Neni 22 thotë se Këshilli i Ministrave ndalon ose kufizon importin e mbetjeve, që destinohet për incinerim kur ky operacion klasifikohet si rikuperim …”. Importi për djegje jo vetëm ndalohet por edhe kufizohet. 

4. Nenet për importin e mbetjeve bien në kundërshtim me Ligjin Për mbrojtjen e Mjedisit. Ligji nr. 10431 datë 9.6.2011 Për Mbrojtjen e Mjedisit ka si qëllim: “mbrojtjen e mjedisit në një nivel të lartë” dhe ”sigurimin e kushteve per zhvillim të qëndrueshëm të vendit”. Në nenin 7 të këtij ligji sanksionohet “Parimi i parandalimit”. Importimi imbetjeve nuk kontribun ne parandalimin, perkundrazi e kompromenton ate.

5.  Nenet për importin e mbetjeve bien në kundërshtim me direktivën e BE-së për zbatimin e “Parimit të Vetëmjaftueshmërisë dhe Afërsisë.” Sipas direktivës 2008/98/EC (Artikulli 16) cdo vend duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta, dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit

6.  Importi i mbetjeve duhet ndaluar sepse mungon infrastruktura monitoruese, administrative dhe ligjore që duhet për implementimin e tij. Përpara sesa të lejohet importi duhen krijuar kapacitetet që garantojnë mbarëvajtjen e tij. Mjafton të përmendim këtu që ndërkohë që Ligji për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve lejon importin e tyre ende nuk është miratuar ligji për lendfillet ku duhen depozituar mbetjet aktuale. Neni 45: “Operacionet e lendfilleve” përcakton se procedurat për menaxhimin dhe operimin e lendfilleve duhen përcaktuar në të ardhme

7.  Importi i mbetjeve bie ndesh me prioritetin që duhet te ketë trajtimi i mbetjeve që prodhohen nga tregu shqiptar. Kjo do të thotë që Qeveria me politika stimuluese fiskale, sic janë eleminimi i TVSH-së, apo subvencionet, duhet që të stimulojë industrinë e riciklimit që të trajtojë mbetjet lokale. Lejimi i importit i bën të pamundura politika të tilla shtetërore, pasi shtetit shqiptar nuk mund të subvencionojë trajtimin e mbetjeve që vijnë nga jashtë. Për më tepër importimi i mbetjeve nga jashtë ul interesin për trajtimin e mbetjeve që prodhohen brenda territorit tonë.

8. Lejimi i importit të mbetjeve bie ndesh me zhvillimin e bujqësisë dhe të turizimit dy prioritete të shpallura nga Qeveria aktuale. Një industri e riciklimit të mbetjeve nga jashtë ka shumë shanse të krijohet në ultësirën bregdetare perëndimore pranë porteve kryesore të vendit ku edhe kosto e transportit të mbetjeve është më e ulët. Me ndotjen që do të prodhojë, në ajër e në tokë dhe ujrat siperfaqsore e nentoksore ne te gjithe vendin, ajo do të pengojë industrinë e turizimit si dhe zhvillimin bujqësor që nga Qeveria janë shpallur si prioritete kombëtare. Aq më tepër po të kemi parasysh territorin e kufizuar që Shqipëria ka në dispozicion si për bujqësi edhe për turizëm.

9. Në planin social-ekonomik importimi i mbetjeve për përpunim e riciklim është i pa-argumentuar.Së pari, cmimi i mbetjeve në tregjet e huaja pergjithesisht është më i madh se në Shqipëri, pa llogaritur këtu kostot e transportit. Së dyti, përpunimi i mbetjeve të importuara ka një kosto shtesë te fshehur, përsa i përket dëmit që i shkakton ambientit dhe shëndetit të qytetarëve.

10. Importi i mbetjeve duke qenë se kërkon territore për depozitim duhet të jetë pjesë e diskutimit publik për hartimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar. Ky është një detyrim ligjor sipas ligjit “Për Plaifikimin e Territorit” të vitit 2009.

 

22 Komente

Po normal! Plehrat shkojne dakord me plehrat.

Kjo dihej, tani i takon rames te provoje qe nuk eshte i shitur te exportuesit e plehrave, e ka kollaj fare, me 20 deputete kerkon referendum per ndalimin e importit te plehrave.

Ke nej dyshim ti ktu? Une them qe Rama do pergjigjet shume ashper ne Twitter, por do e lere me aq per te miren e kombit.

... smiley

LOOL... jo kaq hidhet mer... smiley

 

 

smiley

Vetem 20 deputete duhen per referendum? 

Nuk e mbaj mend mire, ose 20 ose 1/5 e numrit total te deputeteve, pra 28. gjithsesi, i ka numrat po nuk deshi ta mbylli kete histori me revolte ne twitter sic thote dajoshi

PJESA E NJËMBËDHJETË
REFERENDUMI
Neni 150
1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit
për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e
referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.
2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me
propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i
një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.
3. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij
parashikohen me ligj.

Rama e ka te qarte qe nemos ai, dikush tjeter brenda PS do ti ngreje aq kartona sa duhen per referendum...

bobobo sa e lodhin shqiptaret njoni tjetrin. Edhe thone pastaj si ka mundesi qe turku ndejti 500 vjet. Po nejti mer se e deshen shqiptaret se ran rehat nga njoni tjetri. Po lexoja "The late medieval Balkans". Qe nga 1150 vetem sherr, vetem lufta civile, Bizantinet lufte me bullgaret; bullgaret lufte me serbet, serbet lufte me shqiptaret, shqiptaret lufte me te gjithe. Lufta civile pa fund. Po lexojsha librin dhe u lodha tu mbajt men luftat. Kur erdhen turqit thash hej shyqyr. Rracat me grindavece jan mbledh ne ballkan.

Po kot s'kane thene per Ballkanin "fuci baruti".Kot thone ,qe shkak kane qene Fuqite e Medha,se ne jemi vete si shkrepse.Ato thjesht kane perfituar te na ferkojne ,qe ne te ndizemi per interesa te tyre.smiley

Po jo mer Rono, se nuk e lodhim ne hic njoni-tjetrin. Ne 2 gjona na lodhin, puna dhe e nejtmja kot (aka pushimi ose paqja). Ne po nuk u morem me njoni-tjetrin, po nuk u krujtem me njoni-tjetrin kena maru, ajo na ma gjalle si popull. Pse legena si suedezet jemi ne?!

A ka nje zgjidhje ???
Vendi eshte Demokratik dhe i hapur per Ekonomine e Tregut .Frika sipas zv Ministrit ( ne komentin qe bene ketu ) mbetet ..Pasi pranon mundesite perpunuese ne vend ...permend "Falimentimin"
Keshtu pra NUK paskemi nevoje HE per HE . Le te zgjidhet kur keto Fabrika te bejne presion per falimentim dhe le tu jepen atyre Licensat si per eksport -importin e armatimeve te kufizuara dhe Transparemte e Reptesisht te Kontrolluara mga Specialiste Shteterore e nga spacialiste te Shoqerive Civile !. Me pas ???
Sali Plehra , me plot Gojen PLEHRA me gjitth PLEHRAT rrethe qark pro plehrave ,nuk eshte babi i Shqiperise per jet e Mot . Aq me teper kur spiuni i ish sigurimit Ememin Gjana ben Ironikun e Koperatives se Blalces qe ja kalon Jo Ndrahhetes , po nuk ka Mafie ti afrohet per Korrupsion !. Nje lotari pati ne dore te ndikonte dhe ja dha" Benzin 'kujt desheronte ne Bllace ne 94 a s'me kujtohet mire viiti smiley sepse i ra "lotaria".... Pis.... qe kur hap Gojen mba ere te qelbur!
U kujtova si i miratojne dhite e babasqapit Ligjet kur dhia Ruse e Malit e bashkuar qe jep Rusmali , ne forme rrumbullaku qe te kujton nje top mishi si Bolet , nje tjeter spiun i sigurimit "me breza " , hapi nofullat dhe nxori nje ze nga gurmazi : per Shitjen e Ujrave Shqipetare ....Greqise !
" Falemenderit sqaruesve . Problemet dolen .Ligji miratohet !!!!!!! smiley

20 deputete dhe kalojme ne nje referendum..

Nqs se Rama nuk arrin ta ktheje ligjin me nje referendum atehere te largohet dhe ti hape rruge ndonje tjetri

Nese ligji e lejon referendumin te propozuar nga depudetet (me numrat perkates, siç u permenden ketu) athere, PS-ja s'ka pse nguron per te bere hapat e nevojshme drejt ketij aksioni politik; Referendumi per plehrat. Referendum qe mund te jete nje test per zgjedhjet e ardhshme. 

Me nje fjale, (nqs. cfare thuhet ketu per referendumin, qendron) topi i mbetet prape Rames.

Le te shohim.

Kaq shpejt ia varet teneqen Aleances kunder plehrave, qe po merreni me numrin e deputeteve qe duhen. I thashe Mondes qe diten e pare, kete pune e zgjidh vetem PS-ja me referendum, ashtu sikunder shpreha dyshimin se Rama s'do referendum, se i digjen duart ( per te arritur 50% mund te duhet vota e emigranteve).

Pa asnje ndryshim qofte edhe formal eshte mesazh i Berishes per Topin, kot e ke se me ndryshimet qe bera bashke me Ramen, ti je kot fare, sa per te llapur.

Rrofte Aleanca kunder plehrave!

 

Dolen dhe bujqerit e revolucjonit industrial, te frymezuar nga bumi ekonomik i "Bririt te Afrikes"

 

Ka nje fije ngjashmerie Somalia me theks tek `a`ja me Shqiperine, persa i perket qeverise, aty nuk ka opozite,/ me sakte nuk pyetet/  populli eshte mbrapa liste, per cdo gje, vendos grupi Tribal qe ka pushtetin! Somalia eshte e kalbur nga korrupsioni! Vendi me i varfer i Afrikes!

Gjana, me ` i mencuri` minister, thote qe " mos e ngatroni popullin me termin `plere` behet fjale per importin e mbetjeve"- a thua qe populli ha bar?!! Ja pra kemi shembullin e Somalise, edhe aty flitet per te njetin term `mbetje`ne Somali me letra ashtu flitet per te njetin term`mbetje` por ne realitet nga keto `mbetje` egzistojne rezikshmeri te larta ne semundje te rrezikshme per shendetin e njeriut sic jane llojet e ndryshme te kancerve. A duhet te lejohen keto lloje mbetje te importohen?!

Me sa eshte ne gjendje te kontolloje `mbetejet  e rrezikshme` qeveria Somaleze, aq eshte ne gjendje te kontrolloje edhe qeveria Shqiptare! Une nuk kam ndonje besim se qeveria Shqiptare do te jete ne gjendje te vihet ne nivel te lart kontrolli per ndarjen e mbetjeve toxsike dhe jo toksike, sepse dihet qe korrupsioni eshte ne nivele te larte tek pushtetaret, te cilet nuk e kane per gje qe te mbyllin nje sy dhe te kalojne mbetje toksike te rrezikshme per jeten e shqiptareve.. Faktet flasin. Shqiperia nuk ka as infrastrukturen as nivelin e duhur te nje industrie qe te bej perpunimin e mbetejve ose ricklimin e tyre.,e me gjithe ate kjo lloje industrie per nej vend te vopgel si Shqiperia ka nje kosto te madhe per shendetin!

Cfare i duhet Shqiperise nje Industri e tille, nuk i mjafton shembulli i Kurumit te ELBASANIT? 

Ska cfare ti beje Rama me referendum Berishes, mos shikoni perralla me sy hapur. Kur Berisha i vjedh votat para kamerave per pushtet, nji votimi popullor plehrash, nuk e ka per gje ta nxjerri rezultatin 90% pro plehrave.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).