Skenës politike shqiptare i është shtuar edhe një element tjetër, i cili po kthehet në modë. Ai i të akuzuarit për shpifje nga deputetët e mazhorancës, të kolegëve të tyre socialistë.

Në 'top listën' e ngritjeve të padive, qëndron deputetja Albana Vokshi, e cila i është drejtuar gjykatës, pasi  deputetët e opozitës në parlament për partnerin, që ajo jeton duhet ta cilësonin atë 'bashkëjetues' dhe jo  'bashkëshort'.Zonja Vokshi i është drejtuar gjykatës me padi ndaj deputetëve Saimir Tahiri, Eduart Shalsi, Artan Gaçi, Vasilika Hysi, Mimi Kodheli, Erjon Brace dhe Taulant Balla.

Deputeti Balla ka edhe një tjetër cështje në gjykatë i paditur për shpifje nga Agron Kulicaj, zëvëndësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë, të cilin Balla në një deklaratë për shtyp tha se “Kulicaj ishte një kontrabandist nafte”. Gjykata e Faktit e shpalli fajtor deputetin Balla,  i cili thotë se e ka apeluar këtë vendim.

"Ankimimi në shkallën e dytë, pra në Gjykatën e Apelit bazohet pikësëpari mbi shkelje proceduriale, sepse në gjykimin e kësaj cështjeje, gjykata ka dhunuar parimet kushtetuese për një proces të rregullt ligjor. Për shkak të një mungesë të respektimit të gjitha procedurave nga gjykata është prishur i gjithë procesi gjyqsor. Asnjëri prej nesh nuk është kundër një gjykimi të këtyre cështjeve në të gjitha instancat e shkallëve gjyqsore, por dua të theksoj se në këto procese gjyqtarët në fjalë, janë vendosur në mënyrë të njeanshme në mbështetje të palëve paditëse dhe në dëm të palës së paditur", thotë Balla.

Të gjitha këto padi, deputeti Balla thotë se janë të motivuara poltikisht me qëllimin e vetëm, frikësimin dhe mbylljen e gojës së opozitës.

"Asnjë lloj keqpërdorimi dhe asnjë lloj motivimi ndaj fjalës së lirë, nuk mund të ndalë dhe nuk mund të heshttë zërin tonë për të vazhduar akuzat publike, lidhur me ekzistencën e korrupsionit të kthyer në sistem nga kjo qeveri, nga kjo mazhorancë", thekson Balla.

Ndërsa në 'top listën' e deputetëve socialistë, me më shumë padi ndaj tij, qëndron kryetari i komanduar i PS-së për Tiranën, Sajmir Tahiri, me pesë të tilla dy prej të cilave nga Shkëlzen dhe Argita Berisha fëmijët e kryemistrit Berisha, të cilët i kërkojnë një dëmshpërblim prej 4,000,000 lekë.

"E vetmja e re për mua ishte, që rreshtit të padive ndaj meje nga të gjithë ata anëtarë të oborrit dhe të familjes së kryeministrit, iu shtua edhe djali dhe vajza. Jam njohur nëpërmjet medias me këtë padi dhe mezi pres të njihem edhe me brendinë e kësaj padie dhe të jap përgjigjet e mia, për të cilat kam besim të plotë që nuk dallojnë nga e vërteta. Kjo nuk është padia ime e parë, pas Genc Rulit, pas Albana Vokshit, pas Agron Kulicajt, tani shtohet edhe Argita dhe Shkëlzen Berisha. Jam i bindur, që ajo që kemi bërë unë dhe kolegët në PS nuk ka të bëjë me inate personale, por ka të bëjë thjesht me cështje që kanë të bëjnë më cështje të korrupsionit qeveritar dhe të familjarvë te kryeministrit", thote Tahiri.

Për Saimir Tahirin, kjo situatë e krijuar përkthehet si vënia në lëvizje e një mekanizmi represiv.

"Këtu kemi të bëjmë me ngritjen e një mekanizmi politik represiv, pra është një lloj kamzhiku institucional që kryeministri po e përdor ndaj opozitës. Nëse kemi një raport me të vertetën dhe ne duam ta ndajmë diku dhe kjo e vërtetë i dhemb kryeministrit, të nesërmen e gjejmë veten me një padi në gjykatë, me gjyqtarë të korruptuar, qe djegin fazat dhe dënohemi. Sot gjendja është tërësisht një cështje dystandardesh. Nëse gjyqi i Gërdecit nuk është mbyllur ende, pse unë dola dhe deklarova se Albana Vokshi se nuk kishte deklaruar pasurinë e bashkëshortit, sipas meje, (e bashkëjetuesit sipas Albana Vokshit), u dënova në kohë rekord me 33 milionë lekë të vjetra dhe u dënova në të njëjtën ditë, kur Ministria e Ekonomisë, pse u vra një minator një Bulqizë dhe u plagosën tetë të tjerë, dënoi kompaninë ACR me 500 mijë lekë të vjetra gjobë", thotë Tahiri.

Për cështje të ngjashme ku politikanët akuzojnë publikisht njëri tjetrin nuk mungojnë rastet kur gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka marrë në shqyrtim të tilla raste sic ishte ai i Lingens kundër Austrisë, ku gjykata vendosi se “Kritika publike është kusht themelor i një demokracie të efektshme politike. Një kontroll të tillë në shoqërinë demokratike e siguron jo vetëm opozita politike per edhe opinioni publik”.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).