AFER & LARG

Statuja e Nënë Terezës duket sikur ndihet mirë në mes të rrëmujës mëngjesore të Vaut të Dejës, qytetit të njohur për hidrocentralin e tij që hap e mbyll portat sa herë që moti ngryset fort. Në qendër të qytetit, figura e shqiptares më të njohur duket sikur i bekon kalimtarët që marrin rrugën e tyre të përditshme. Neve na mjafton vetëm një kafe e thjeshtë për të rimarrë sërish rrugën tonë. Jemi nisur për në Gomsiqe, fshat i njohur i Pukës. Makina jonë u ngjitet disa shpateve të zhveshura, ku rriten disa gëmusha që kanë marrë të gjitha ngjyrat e mundshme të vjeshtës. Pak nga pak rruga, mbi të cilën kalon vetëm pakkush, sa nis e bëhet më e rrëpirët. Gëmushat e zverdhura ua lënë vendin ngadalë pishave të gjelbra dhe moti nis të freskohet pak. E kuptojmë se po i afrohemi malësisë. Një kalimtar që ka dalë për dru këndej pari, na thotë se nga Gomsiqja na ndajnë vetëm pak kilometra. Por shumë shpejt do të kujtohemi se në këto anë, jo fort larg njëra-tjetrës, ndodhen dy Gomsiqe. Ne po shkojmë drejt asaj që e kanë quajtur “E epërme”. Poshtë, fare afër Drinit është një tjetër Gomsiqe, ajo më e vjetra.

Gomsiqja e parë

Udhëtarë, klerikë, tregtarë, njerëz që mundoheshin t’i shpëtonin hasmit, malësorë që “binin” në Shkodër për ndonjë pazar të thjeshtë, të gjithë këta deri afër para 100 vjetësh e dinin fort mirës se ku ishte Gomsiqja e parë. Fshati ishte një pikë e rëndësishme e kalimit të Drinit, i cili, sigurisht që nuk ishte ky i sotmi, i lodhur dhe i nënshtruar nga hidrocentralet. Gomsiqja, një fshat i vjetër, thuajse i së njëjtës kohë me qytetin e zhdukur të Shurdhahut, ishte një vend deri dikur i lulëzuar. Porse me sa duket ka qenë një diçka mes qytezës dhe fshatit, gjithsesi një vend i lodhur nga gjakmarrja, uria, mëria e Drinit kryeneç.

Misionarët jezuitë të të famshmit “Mision Shëtitës”, pikërisht në këtë vend arritën të realizonin një nga sukseset e paimagjinueshme për kohën: të eliminonin qoftë edhe për pak kohë gjakmarrjen. Letrat e tyre, të ruajtura me kujdes përgjatë shumë viteve, na lejojnë të imagjinojmë një Gomsiqe që nuk është më. “Midis Dushit dhe Gomsiqes – shkruhet në njërën prej tyre – për dyzet vjet me radhë kishte pasur një vijimësi prej tridhjetetre gjaqesh. Kjo kishte nisur nga një grua që kishte mbetur e ve në shtëpinë e njërit prej parisë së Dushit. Ajo më pas u martua me një nga shtëpia Jakaj në Gomsiqe, por pak pas vrasjes u arratis. Fisi Jakaj tha se vrasja ishte këshilluar nga të bijtë, që gruaja e re kishte pasur në familjen Dushi dhe prandaj vranë një nga këta djem. Të afërmit e këtij protestuan se djaloshi ishte vrarë pa të drejtë dhe u hakmorën ndaj njërit prej familjes Jakaj dhe kështu filloi vargu i tridhjetetre vrasjeve dhe plagosjeve dhe kush e di se deri ku do të kishte shkuar nëse nuk do të ishte ndërprerë nga misioni”. Teksa makina vazhdon rrugën mes qetësisë së pishave, ne mundohemi, mbase më kot, të imagjinojmë se si mund të ketë qenë skena e faljes së gjaqeve në Gomsiqen e vjetër në shkurtin e 1893, vit në të cilin misioni shëtitës jezuit kaloi ndër këto anë. At Domenico Pasi, misionari italian, ka lënë disa përshkrime shumë interesante. Ai bën fjalë për një kishë fare të thjeshtë, fort të vogël e të vjetruar nga koha dhe për një grumbull fshatarësh të mbledhur në Gomsiqe vetëm për hir të ardhjes së priftërinjve. Duhet të ketë qenë i ftohtë i madh. Prifti shkruan se disa lagje të Gomsiqes, ato më të lartat, ishin izoluar me kohë nga dëbora e madhe.

Pastaj herë-herë historitë që rrëfehen bëhen thjesht rrëqethëse. “…Dita e fundit – shkruan misionari – ishte dita më mallëngjyese, kur një e ve e gjorë me dy djem në moshë të njomë, të cilëve u ishte vrarë i ati nga tetë familje, erdhën në kishë, për të falur në prani të të gjithëve këto familje që kishin rënë në ujdi për të kryer këtë krim të llahtarshëm. ‘Më kanë lënë në rrugë me gjithë fëmijët, thotë gruaja gjatë aktit të faljes, por nuk ka rëndësi, po fal për hir të Jezu Krishtit, dhe u afrua të puthte kryqin e Jezu Krishtit, por edhe të tetë vrasësit gjithsesi premtuan në prani të të gjithëve se do t’i paguanin çmimin e gjakut kësaj familjeje të mjerë… Dikush nga paria e vendit tha të nesërmen në një bisedë se ‘ju siguroj se dje kam përqafuar njerëz, të cilët prej shumë vitesh nuk i përshëndesja dhe besoja se tashmë nuk do t’u flisja më kurrë’…”. Gomsiqja e vjetër në anë të Drinit tani është një fshat i qetë e paqësor, i harruar nga shumica e njerëzve. Tashmë askush nuk e kalon më Drinin aty. Dhe historitë e vjetra kanë nisur të flenë ndër librat e vjetër të misionarëve apo udhëtarëve.

Ndërkaq ne kemi vazhduar udhëtimin. Brenda pak minutash, sapo kalojmë disa kthesa në formë tete, kemi përballë qendrën e Gomsiqes së Epërme, apo më mirë me thënë Gomsiqen e dytë.

Gomsiqja e dytë

Gomsiqja e dytë është më shumë një qendër administrative se sa një fshat në gjithë kuptimin e fjalës. Shtëpitë e saj janë rreshtuar më shumë në krah të shkollës dhe kishës e disi më në fushë në anë të lumit Gomsiqe, që shkon e derdhet në Drin. Jeta këtu është gjallëruar pasi në këtë vend u ndërtua postkomanda e parë e xhandarmërisë, një si han, ndonjë dyqan që shiste gjithçka. Kjo ndodhte në kohën e Zogut, i cili ishte i pari që hapi një rrugë të ngushtë këtyre anëve.

Ndalesën e parë e bëjmë në shkollën 9-vjeçare, e cila mban një emër të njohur të këtyre anëve. Ajo quhet shkolla “Shtjefën Gjeçovi”. Në fillim kujtojmë, në mënyrë të gabuar sigurisht, se shkolla është e mbyllur. Një qetësi e thellë e ka rrethuar godinën e thjeshtë në anë të rrugës. Pastaj dallojmë disa figura nxënësish që lëvizin pas xhamave dhe kështu guxojmë të hyjmë brenda. I pari që “takojmë” është vetë Gjeçovi. Figura e tij me mustaqet e njohura dhe me shikimin e mprehtë duket sikur na uron mirëseardhjen. Pastaj ndalojmë një copë herë në një kënd fort të këndshëm, ku shohim lloj-lloj gjërash të zonës duke filluar që nga kostumet tradicionale, e deri te një radio e vjetër, mbase e para që ka “kënduar” në këto anë. Pastaj takojmë drejtoreshën, Marta Dodajn, e cila gjen kohën të na ndihmojë në udhëtimin tonë në krahinën e saj.

Te njeriu i urës

Fare afër shkollës jeton familja e Zef Frrok Prendit. Axha Frrok sapo i ka mbushur të 80-at. Është plak i fortë. Megjithëse ka kaluar dy fatkeqësi të rënda, humbjen e dy djemve të tij, gjen kohë të na buzëqeshë. “Mirëse ju ka pru Zoti”, na pret ai në pragun e shtëpisë së tij të re. E vjetra, që ndodhej fare ngjitur, nuk është tashmë veçse një gërmadhë. Para më shumë se një viti, një zjarr i përpiu gjithçka që kishte. Plaku nuk ankohet: “Kështu ka dashtë Zoti, more djem. Ai i din të gjitha sa ndodhin në këto troje…”.

Plaku i moçëm flet ngadalë: “Ne vetëm si administratë jemi tani me Pukën, sepse ne jemi mirditorë den baba den. Na i kemi pasë taku bajrakut të Dibrrit. Edhe sot, gjithçka, zakonet, veshjet, festat, krushqitë, i kemi njësoj si të Mirditës. Puna asht se menjëherë kur erdhi pushteti i ri u ba nji ndamje e re administrative. Ky vend quhej Ndërfushas dikur, njisoj si ai që asht edhe në Mirditë. Atëherë mos me pasë dy emra njësoj iu vu emri Gomsiqe, sepse lumi që kalon përmes fshatit quhet kështu. Ka edhe nji Gomsiqe tjetër, afër Drinit, por kjo e jona quhet e Epërme. Kshtu asht puna e emrit”.

Hera-herës plaku përhumbet duke parë andej nga është ura e njohur e Gomsiqes. “Deri në kohën e Zogut këndej nuk ka pasë kalu rruga – thotë – në 1935 kohë u hap nji xhade e ngushtë sa me kalu vetëm nji makinë. Aq kalojshin atëherë. Kur erdhi Italia, kjo e zgjanoi rrugën dhe vendosi nji postë karabinierësh në atë vend ku sot asht shkolla. Në atë kohë, me ardhjen e rrugës vendi u gjallnu disi. Baba jem merrej me mirëmbajtjen e asaj rruge, sepse bante dimër i fortë dhe shumë herë xhadeja bllokohej nga bora e akulli. Punën e tij mandej e kam vazhdu unë. Mbaj mend se në 23 nëntor 1944 gjermanët, që ishin duke ikur nga Shkodra, e hodhën në erë urën, sikurse edhe të tjera ma poshtë. Këtu patën mbetë disa italianë që ishin kryesisht të xhenjos. Në 1946 ura është rindërtuar nga italianët e mbetur në Shqipëri, sipas një projekti të Spiro Kolekës. I mbaj mend mirë italianët, ishin punëtorë të mëdhenj dhe mjeshtra shumë të aftë. E gjithë jeta ime më pas ka qenë e lidhur me këtë urë dhe me këtë rrugë. Ka pasur raste që urën e kemi ruajtur edhe me pushkë në dorë nga ndonjë sabotim i mundshëm”.

Plaku i urtë e harron për pak kohë urën e tij dhe zhytet në kujtime edhe më të thella. “Ngjarja që më është ngulitur më fort ndër mend është vrasja e 5 djemve të rinj në Vig të Shkodrës. Ata që më pas u quajtën Heronjtë e Vigut – thotë. – Asokohe kam qenë 13 vjeç dhe bashkë me një kushërirën time kishim shkuar te disa njerëzit tanë. Ishte gushti i 1944. Në gusht ka pasë qenë zakon me ba festën e djathit. Armët ishin sheshit. Ma keq se ne në 1997 dhe njerëzit ishin të aramatosun. Këta djemtë e rinj, partizanë, që kishin ra në besë në Vig, nuk pranuan me dorëzu armët. U prenë në besë prej disave në Kashnjet. Unë kam qenë fare afër vendit ku asht ba lufta. Plumbat më kanë kalu fare afër veshit. Isha i vogël dhe isha kurioz, kështu që i jam afru edhe ma tepër vendit ku bahej luftë. Nuk e di as vetë se si më kanë lanë ma të rriturit. Nuk do t’i harroj kurrë ato krisma”.

Axha Zef na tregon edhe rrënojat e shtëpisë së tij të djegur. Për të dalë në vendin e gërmadhave na duhet më parë të përballojmë skërmitjen e frikshme të një goxha qeni, që për fat është i lidhur me zinxhirë. “Hajt or dreq – i drejtohet Zefi qenit dhe më pas neve – mos kini frikë, kshtu ban kur sheh njerëz që nuk njeh, më pas andej nga mbramja e fut kryet vetë në zinxhir”. Për një copë herë endemi përmes gërmadhave, ku dikur gjallonte jeta e djemve të Zefit. Plaku përhumbet shpesh në mendimet e tij. “Si erdhi kjo punë – përsërit – askush nuk po beson ma as në Zot, as në Kanun e as në Ligj, të paktën të kishin rujtë njenin…”. Qeni “që fut kryet vetë në zinxhir” ka kohë që është qetësuar, madje tund bishtin hareshëm në shenjë miqësie.

Historia që zbret poshtë

Korthpula është ku e ku më e vjetër se sa Gomsiqja e Epërme. Për të shkuar atje na duhet të udhëtojmë afër 5 kilometra përmes një rruge të pashtruar. Në fillim shohim vetëm pllaja të zhveshura që kanë nisur të gërryhen nga erozioni dhe pastaj, të fshehura mes gështenjave të vjetra, shfaqen shtëpitë e fshatit. Në qendër shohim një shkollë të braktisur. Më pas do të vërejmë shumë shtëpi të mbyllura. Miqtë tanë na thonë se në fshat kanë mbetur vetëm pesë fëmijë që vazhdojnë shkollën dhe se shumë familje tashmë që prej kohësh kanë zbritur poshtë në fushë. Jeta në këto anë me pak tokë dhe me dimër të ashpër nuk është e kollajtë.

Në qetësinë e oborrit të kishës, të rrethuar nga disa kryqe të mëdhenj të drunjtë, kemi kohë t’u hedhim një sy shënimeve tona.

“Në Korthpulë – shkruan at Francesco Genovici i jezuitëve të misionit shëtitës në 1900 – ishte një tjetër ngatërresë e madhe ndërmjet një familjeje parësore të vendit dhe njërit prej kapedanëve të Mirditës. Ja çfarë ka ndodhur. Njërit nga Korthpula i vodhën tre kuaj në pazarin e Shkodrës. Kuajt ia vodhi një mysliman. Ky i Korthpulës, duke u kthyer humbës në shtëpi, pa rrugës tre kuaj të tjerë që ishin të një shkodrani. I mori kuajt dhe ndoqi rrugën për në shtëpi, duke thënë me vete: ky shkodrani do të dijë mirë se si t’i marrë kuajt e mi nga myslimani në Shkodër dhe do t’i mbajë për vete në këmbim të këtyre që i mora unë, kështu do të jemi të dy të kënaqur për mallin tonë. Por për bela, shkodrani bashkë me kuajt që ia vodhi korthpulasi ishin nën mbrojtjen e një kapedani të Mirditës, i cili duke mbetur i fyer për vjedhjen që iu bë mikut të tij, shkoi bashkë me persona të tjerë dhe arrestoi tri gra nga familja e trimit të Korthpulës. Por t’i vjedhësh gruan një malësori do të thotë ta çnderosh shumë. Korthpulasi kishte të drejtë të tërbohej fare nga zemërimi, sepse i kishin marrë jo një, por tri gra të shtëpisë së tij, dhe thoshte se nuk e mendonte fare jetën dhe nuk do të kishte paqe deri sa t’ia punonte një gjë të tillë edhe ai grave të kapidanit…”.

Kjo histori e vjetër tashmë 111-vjeçare sigurisht që është harruar. E ka harruar madje edhe vetë Dodë Ndue Nikolla, 96 vjeç. Plaku ankohet se “e kan lanë pak kamët dhe veshët”. Na pret në shtëpinë e tij që është ndërtuar në 1914 nga ustallarë gollobordas. Plaku rrëfen gjatë dhe ngadalë se si në fillim ai bashkë me të atin ishin bashkuar me njerëzit e Gjon Marka Gjonit, kapedanit të Mirditës, e më pas kishin kaluar me partizanët. “Vetë i kam çuar bukë Kadri Hazbiut e Hysni Kapos, kur partizanët kaluan këndej nga anët tona, pastaj kam luftuar në ish-Jugosllavi”, thotë sikur të rrëfejë një gjë të zakonshme. Axha Dodë më pas ka punuar druvar dhe në një minierë sipërfaqësore aty pranë. Dikush prej nesh e pyet nëse e mban mend se si u ndje në 1967, vitin e mbylljes së kishave. “Çfarë kishim me ba – përgjigjet plaku i mençur – ia mbushëm mendjen vetes se feja mbahet edhe pa prift. Dhe kështu ndodhi vërtet deri sa erdhën këto kohët e reja”. Axha Dodë na përcjell deri te pragu i shtëpisë së vjetër. “Ma bani hallall se deri ktu mundem – na thotë duke u mbajtur fort te shkopi i tij – po na urdhnoni prapë”. Plaku e ka edhe një porosi. “A mund të thoni atje në Tiranë që të mos e rrisin çmimin e miellit. Ka shku shumë nalt bre burra”. Ne i premtojmë se do ta shkruajmë porosinë e tij, por i themi edhe se nuk besojmë se do të na e verë kush veshin. Plaku vë buzën në gaz, ndërsa ne largohemi poshtë gështenjave të vjetra të Korthpulës, vendit ku historia sa vjen e shket më poshtë.

(Për hartimin e këtij reportazhi u përdorën materiale nga: Atë Giuseppe Valentini, “Ligji i maleve shqiptare”, përktheu Dilaver Baxhaku, “Plejad”, Tiranë 2007, Fulvio Kordinjano, “Shqipëria”, përktheu Ilirjana Angoni, “Almera”, Tiranë 2007. Autori falënderon zonjën Marta Dodaj, drejtoreshë e shkollës “Shtjefën Gjeçovi” në Gomsiqe, për ndihmën e dhënë gjatë realizimit të këtij reportazhi).

11 Komente

o emo, te cili film eshte organizuar nje aksion/atentat ne Gomsiqe,  ''Prita'' apo ''Shtigje lufte''?smiley

Kto jan domaini i bostonianit smiley

smiley

me tahmina po them "shtigje lufte" por sinqerisht s'e di.

Nga prita: "Sulmoni ne forme pyke" smiley

 

tani, qe partizanet  kane  bere nje sulm ne Gomsiqe, se luan topi.smiley.  po nuk me kujtohet tamam filmi... 

ndersa mua nga ''prita''  me kujtohet organizimi i sulmit... komandanti partizan spjegon sulmin ne detaje..  me nje shkop heq nje vize ne toke:  kjo eshte rruga nga do vijne gjermanet... vendos nje bubuzhel  atje..  eshte autokolona gjermane ... ndersa ne, tha, do tu zeme rrugen  ketu.. dhe bam i ra me pellembe bubuzhelit.smiley

ore me vertet , nga humbi ky bostoniani?smiley

ka justifikim se po merr graden shkecore

por kto do i arkivohen... se vet thot, partia nuk i leshon direktivat qe te zverdhen arkivave... smiley

per hajer se s'osht mir me qesh kaq shum.

 

dale pak, ai filmi me shoferin: mos eshte: ''Ne shtepine tone''?smiley.  ndersa kjo batuta e re eshte nga ''Vendimi''

kape cik kete:   ''Fyhreri, eshte burre kanuni, or tii....smiley

 

Po afrohesh, por akoma jo tamam; ja nje bonus me frazen qe i paraprin batutes dhe e pason:

"dashuroj... Kujtimin".

"dmth s'paske hequr dore nga shoferi..." etj etj

....

pastaj:

"baba!"

"cfare baba!..." smiley

Kjo asht "ndergjegjia".Kercitja e hapave nga funi i salles deri n'rresht t'pare,asht gjetje nga plaku i M Hakanit,ndjes paste.Ai nuk genjen,tha

smiley

YES!

*kam harru valvolen e shkarkimit t'ajrit...

roza xhuxhi e rikard ljarja... nice couple!

ps po e shof me ket rast ket filmin dhe me nxori mallin e tiranes se vjeter. ka qen nje lulishte afer kryeministrise si dhe pas komitetit qendror... ka qene vertet e bukur ajo pjese e tiranes.

Bukur Fatos Baxhaku.

“Midis Dushit dhe Gomsiqes – shkruhet në njërën prej tyre – për dyzet vjet me radhë kishte pasur një vijimësi prej tridhjetetre gjaqesh"

lol ec e pyet qe pse komunizmi zuri vend? Zona te zhytura ne mesjete e injorance.

Ne krahasim me shkrimet e tjera, ky ishte hemm ç'ka. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).