Histori të malësorëve në “ishull”

Lekë Gjergj Loshi është 87 vjeç. I rrethuar nga disa të moshuar të tjerë duket shumë herë më i ri se ç’është në të vërtetë. E takojmë diku në qendër të Lezhës, në lokalin ku mblidhen zakonisht gjuetarët e shumtë të këtyre anëve. Leka zbret nga motori i tij me një shkathtësi gati-gati të pabesueshme. “Ah, keni ardhur për historitë tona, të malësorëve – pyet duke i zvogëluar sytë sikur të dojë të kthehet mbrapsht në histori – po për ato mund t’ju flas vetëm se ç’më kanë thanë të parët e mi dhe se çfarë kam parë vetë”. Për një farë kohe plaku bëhet më i mbyllur. Për disa minuta rreth e rrotull nesh dëgjohet vetëm biseda e hareshme e disa miqve gjuetarë, që si zakonisht, shpotisin njëri-tjetrin. Pastaj Lekë Loshi na njeh me një kushëririn e tij Ndue Lekën. Ky është një mesoburrë, pasioni më i madh i të cilit është historia e zonës së tij, Ishullit të Lezhës. Kemi gjetur personin e duhur.

Nisi më shumë se 250 vjet më parë

“Kjo zona jonë më përpara ka qenë një zonë thuajse e pabanueshme – nis të tregojë Ndueja - të parët tanë nga Kelmendi bënin një jetë gjysmë nomade. Në verë qëndronin me bagëtitë e tyre në bjeshkët e larta të Veriut dhe në dimër një pjesë e tyre zbriste poshtë në fushë për të dimëruar. Këto anë, në të cilat më pas u vendosën të parët tanë, ishin pjesërisht pronë e Malësive të Lezhës ku ka qenë bajraktar i njohur Kolë Tomë Bajraktari, pjesërisht e bejlerëve të Lezhës dhe një pjesë tjetër e kishte kisha. Kjo kishte arritur të grumbullonte toka në radhë të parë nga dhuratat e besimtarëve, por edhe kishte blerë ndonjë pjesë tjetër të atyre tokave për të cilat familje të ndryshme ishin në konflikt pronësie. Dikur e gjithë zona ishte gjysmë kënetë, për të parët tanë ishte thuajse e pamundur të jetonin në këto kushte. Ata ishin mësuar me ajrin e bjeshkëve të larta, e megjithatë një pjesë e mirë e tyre u vendos këtu. Ne në Ishull Lezhë jemi afër 80 për qind nga Vukli i Kelmendit, por në vende afër ka edhe Nikshi, Shkreli e Rranzat e Malësisë së Madhe”.

Tashti plakut i janë kujtuar plot e plot histori të vjetra dhe hera-herës ia ndërpret fjalën kushëririt të tij më të ri. E megjithatë Ndueja e vazhdon fjalën e tij: “Këto anë janë bërë të njohura që në Mesjetë, kur Gjon Kastrioti, i biri i Skënderbeut, vendosi të ringrejë popullin në këmbë për të çliruar vendin e tij. Kjo ka ndodhur në vitin 1506. Unë besoj se në këto anë, dikur të veshura me pyje të pakalueshme duhet të ketë qenë një fortesë e tij e bërë e ëtar me dru nga pyjet rreth e rrotull. Shenja të kësaj sot nuk mund të gjejmë më, pasi deti me shekuj ka avancuar shumë në brendësi të tokës. Unë kam një mendim timin se përse janë vendosur të parët tanë në këto anë. Deri aty nga viti 1710 shaljanët ishin aleatët kryesorë të Pashait Bushatlli të Shkodrës, por kjo miqësi nuk vazhdoi gjatë. Është tashmë e famshme historia e ekzekutimit të shtatë shaljanëve në sarajet e vezirit. I mbetur pa mbështetje Bushatlliut i është dashur të kërkojë aleatë të tjerë. Kështu i ka kthyer sytë nga kelmendasit, të njohur për mbajtjen e fjalës së dhënë. Kështu që unë besoj se që nga koha e lidhjes së kësaj miqësie, pra andej nga viti 1750 kanë nisur të vendosen këtu kelmendasit e parë, të cilët më pas u pasuan nga të tjerë deri nga fillimi i shekullit të kaluar”.

Njëri ndër të katërtit e fillores

Gjuetarët e hareshëm janë larguar. Tashti kemi mbetur vetëm ne, Gjegji i moshuar dhe Ndueja. Si është menduar ca gjatë Leka nis të tregojë: “Ato punt e historisë po jua thot boll mirë Ndueja – flet ai në dialektin e njohur të malësorëve – unë vetë kam le ktu, por mbaj mend që këto anë kanë qenë një gja krejt tjetër. Di prej t’parëve se toka ktu asht ble me çmimin nji dynym baraz me nji pendë qe. Tokat e para i kanë hapë prindërit tanë. Ktu ka qenë një përzimje mes pyllit, ferrave, kënetës, dreqi e merrte vesh. Sidomos gjatë verës s’ka qenë shumë e vështirë me jetu, dhe malarja bante namin. Edhe të vdekmit i kena pasë varrosë në vendet tona, në Kelmend. E di fort mirë se ku asht varri i parë i kelmendasve në ishull. Ishte nji familje që nuk pat mundësi me e çu të ndjerin e vet në fshatin e origjinës. Por pak nga pak, sidomos ma vonë me bonifikimin e krejt fushës, andej nga 1967, kto toka u banë nji pasuni e madhe. Deri në 1963, ku ka ndodhë një përmbytje e madhe, i kemi vuajtur shumë edhe përmbytjet nga deti e lumenjtë. Por shtëpitë tona të para kanë qenë ksolla druni. Pak nga pak, me durim e tu punu fort t’part tanë ndërtuan shtëpitë e para prej guri. Nuk ishin krejt si kullat e malsisë, por u ngjasojshin shumë atyne. Unë i kam si të ngulituna kujtimet e fëminisë. Shkollën fillore e kam ba n’Lezhë. Prej të gjithë atyne që ishim në klasë të parë tashti kanë mbetë gjallë vetëm katër vetë. Të tjerët… Mbaj mend edhe një vizitë të Zogut ktu në Lezhë, mbaj mend edhe lindjen e Lekës, trashëgimtarit të fronit. Pastaj erdhi lufta kte e maj mend fare mir, sepse isha ma i rritun. Ju keni dëgju për Heronjt e Vigut. Ata i kam taku vetë në Lezhë. Kam folë me ta njisoj sikur po flas me ju sot. Në Lezhë ka pasë disa shtëpi tregtarësh, që prisnin njisoj si partizanët ashtu edhe kundërshtarët e tyne. Ishin shtëpi të hapuna për këdo që kërkonte bukë e strehim. Miku nuk lihet në rrugë të madhe, ku ka qenë zakoni i athershëm. Kshtu ka vazhdu historia jonë. Sot jena afër 42 familje nga i njëjti fis i shpërngulun kush e di se kur nga Vukli i Kelmendit”.

Deti gëlltit tokë e histori

Këto anë janë të mbushura edhe me histori të trishta. Ndueja ka marrë pjesë në 1985 në kërkimin pa rezultat të eshtrave të tri anglezëve të vrarë në anë të detit. “Në 1985 – na thotë – kam marrë pjesë së bashku me ekspertë shqiptarë dhe anglezë në kërkimin e eshtrave të të ushtarakëve anglezë të vrarë në një pyll afër detit. Sipas të dhënave që kishim, këta ishin gjetur të vrarë në anë të detit nga peshkatarët, të cilët i nxorën nga deti dhe i varrosën në një pyll aty pranë. Në grupin e peshkatarëve bënte pjesë edhe xhaxhai im. Pak kohë më vonë, është dukur në këto anë një tjetër ushtarak anglez, i cili ka shënuar me saktësi vendin e varrimit në një hartë, duke bërë matje që orientoheshin nga mali mbi Lezhë. Shumë vjet më vonë, në 1985, një grup anglezësh u lejua nga qeveria e asaj kohe që të kërkonte eshtrat e tre fatkëqijve. Nuk arritëm t’i gjenim. Sipas matjeve të anglezëve, varret e vjetra të luftës kishin kohë që ishin përpirë nga deti. Në periudhën 1943-1985, ai kishte depërtuar jo pak, por 185 metra në tokë”.

Leka kujtohet menjëherë: “Një histori të ngjashme e di edhe vetë! Nuk e mbaj mend mirë nëse ishte 1943, apo 1944, por më kujtohet se gjermanët ishin në Shëngjin dhe prej andej mitralonin çdo shenjë të dyshimtë që shikonin në tokë, në ajër, apo në det. Në këto anët tona asokohe kishin ardhur edhe disa partizanë. Bashkë me ta ishte edhe një malazez. Unë isha me ta. Kemi pa nji aeroplan që erdhi dhe lëshoi dy persona. Kemi vrapu në pyll me u taku me ta. Njanin e kemi gjetun të vdekun. E mbaj mend si tash. Kishte flokë të verdhë dhe kishte veshur nji uniform që nuk kuptohej mirë se cilit shtet i përkiste. Malazezi na tha, pasi kontrolli ndër xhepat e tij, se ishte anglez. E kemi varrosë në një pyll shkurresh afër detit. Vite ma vonë jemi kujtu edhe për këtë varr. Edhe kte e kishte përla deti”.

Biseda jonë për punë të vjetra zhvillohet jo fort larg detit. Moti është i kthjellët, por në heshtjen disi të përzishme që krijohet, ne mund ta imagjinojmë se si edhe në mot të mirë dallgët e tij vazhdojnë të përpijnë, tokë, histori, kujtime… centimetër pas centimetri.

Po ishulli ku është?

Miqtë tanë vënë buzën në gaz kur ne i pyesim se përse kjo zonë quhet Ishull-Lezhë. Po ku është ishulli xhanëm?, nuk duron dot njëri prej nesh. Na thonë se në kohë të qëmotshme vendi kënetë u quajt ishull sepse kufizoj nga të gjitha anët me ujë: nga Drini i vjetër, nga deti, dhe nga një përrua që vinte nga Mali i Lezhës, por që tashti nuk është më. Bonifikimi që nisi më 1967, i ruajti kufijtë e vjetër prej uji, por nuk mundi të ndryshojë emrin e vjetër. Kështu e gjithë fusha në mes të Lezhës e detit është tashmë një ishull që në fakt nuk është më ishull. “Me këtë emër ma shumë na kanë quajtur të ardhurit në fakt – thotë Leka – sepse ne ma parë përdorshim emra të tjerë që lidheshin me vetë banorët e këtushëm”.

“Meqë e nisët me këtë punën e emrit. A e dini se nga vjen emri Vain?”, hap një lloj “konkursi” Ndueja. Ne, sigurisht që ngremë supet përpjetë. “Sigurisht që nuk ju shkon mendja, sepse ju me siguri që mendoni ndonjë emër të vjetër”, thotë me të drejtë miku ynë. Vain është emri i një lagune të gjerë fort të pasur me peshk e shpezë që është formuar mes derdhjes së Drinit dhe detit. Prej kohësh është një rezervat i mbrojtur natyror. “Kënetës më përpara i thoshin me emra të tjerë. Jo këneta e Marbregut, apo Cekaj e kështu me radhë. Ky emër iu vu aty nga vitet ’50. Kohë gjatë së cilës një repart llokacioni sovjetik, shumë i fuqishëm për kohën, u vendos pikërisht mes kënetës dhe detit. Shkurtimi në rusisht i kësaj pike ishte V.A.I.N. Kështu brenda pak kohësh emrat e vjetër të malësorëve u zëvendësuan nga inicialet që kishin ardhur nga rusët”.

Në të vetmen kullë

Bashkë me Gjergjin ecim një copë herë nëpër rrugët e mbajtura mirë të Ishull-Lezhës. Vetëm tek-tuk ndonjë e moshuar e ruan ende atë veshjen tradicionale të malësorëve. Sikur të mos ishin ato as që do ta kuptonim se po ecnim në një copë të Kelmendit që është shkëputur me kohë drejt detit. Ndokujt prej nesh i bën përshtypje toka e punuar me durim dhe pemët frutore në anë të shtëpive. Hera-herës era e njohur e detit përzihet me aromën e frutave dhe luleve që nuk mungojnë në asnjë shtëpi. Shumica prej tyre janë të reja, të ndërtuara sipas stilit që kanë sjellë në këto anë emigrantët e shumtë. Por Leka këmbëngul: prisni edhe pak dhe do të shihni një shtëpi të vërtetë malësori. Dhe nuk ka gabuar aspak, sepse brenda pak minutash shkelim pragun e një shtëpie të gurtë që është ndërtuar në 1920. Kjo është shtëpia-kullë e Fran Zefit. Mbi harkun e saj dallojmë datën dhe emrin e ustait gollobordas që e ka ndërtuar: Murat Velia. Mbiemri është shkruar me dy i. Askush nuk di ta thotë më fatin e këtij ustai që bridhte nëpër Shqipëri duke e kthyer gurin në shtëpi, vetëm emri i tij është përjetësuar mbi harkun e kullës së vjetër. “Keni ardhur me një mik, se unë nuk i pres ata të Monumenteve”, thotë i zoti i shtëpisë teksa na fton përzemërsisht brenda “barkut të gurtë”. Kush e di sepse ndokush prej nesh i është dikur si i Monumenteve. Dielli ka nisur të bjerë poshtë dhe hija e kullës na përcjell deri te porta e oborrit të mbushur me portokaj. “Po si nuk ndalët pak – përsërit i zoti i shtëpisë – të paktën ta kishit pirë një kafe”.

Çano, gjuetari i pafat

Galeaco Çano ishte njëri ndër personazhet më të njohur të fashizmit deri sa ai mbaroi. Ministër i Jashtëm, bashkëshort i Eda Musolinit, vajzës së dashur të Duçes, ai ishte gjithashtu edhe njëri prej njohësve më të mirë të Shqipërisë, që para 7 prillit të 1939. Madje aq fort i kishte hyrë në zemër ky vend saqë pikërisht në Ishullin e Lezhës, vetëm pak kilometra larg qytetit, ndërtoi në 1940 një godinë gjysmë të drunjtë e gjysmë të gurtë, e cila do t’i shërbente atij për gjueti. Deri vonë ndërtesa që u quajt më pas zyrtarisht “Hoteli i Gjuetisë – Lezhë” ishte një ndër krenaritë e turizmit zyrtar shqiptar. Hrushovi, Çen Lai, të tjerë të parë të “komunizmit botëror” u sollën këtu, në vendin që Çano arriti ta shijojë fare pak. “Këtu është zhvilluar edhe një takim sekret mes Çanos dhe Ribentropit”, na thotë Leka. Ne shfletojmë më kot në shënimet që kemi marrë me vete. Por me sa duket Leka duhet të ketë të drejtë.

Në portën e ndërtesës së vjetër na pret një djalë i ri. “Mund të shihni jashtë çfarë të doni, por brenda kam ca miq”, thotë ai me zë të ulët dhe largohet shpejt. Një copë herë të mirë bredhim përmes hotelit që tashmë është kthyer në një gërmadhë pa kuptim. Marrëzia e 1997 nuk e kurseu as vendin e ëndërruar nga ministri i Jashtëm i fashizmit.

Kujtimi i Prek Calit

Prek Cali nuk ishte bajraktar. Ai ishte thjesht një udhëheqës popullor i kelmendasve, që u priju atyre në kohë të turbullta. U pushkatua në moshën 67-vjeçare pasi iu dorëzua “në besë” partizanëve në shkurtin e 1945. Për disa muaj me radhë kelmendasit u kishin bërë qëndresë të fortë partizanëve. “A e shikon atë varrin atje, ai është i Gjon Dedë Loshit, një kushëri i imi. Ky ka qenë në rrethimin e shpellës së Vuklit ku ishte strehuar Prek Cali”, Gjergji flet ultaz në varrezat e fshatit që shtrihen në krah të kishës së “Zojës së Vuklit”. “Nga fundi i 1944 ne kishim 36 partizanë me Brigadën 23. Njëri ndër ta ishte edhe ky Gjoni. Ky ishte nipi i një figure të shquar, i Nikollë Loshit, që ishte nji burrë që i shkonte fjala mjaft në krejt zonën tonë. Kishte qenë edhe i internum në Austri gjatë Luftës së Parë Botërore. Bash nipi i tij Gjoni u plagos në faqe nga një plumb që erdhi nga shpella e Prek Calit. Shenja e atij plumbi i mbeti për gjithë jetën. Thonë se pikërisht atëherë Preka paska thanë që tash duhet me u dorëzue se po vritemi vlla me vlla”. Shkrime të tjera bëjnë fjalë se Preka i maleve u dorëzua vetëm me dorëzaninë e priftit David Pici, apo të tjera edhe më “të hedhura”, se ai u detyrua të dorëzohej nga “trimëria e pashoqe e partizanëve”, por neve, nën hijen e kishës së madhe duke pasur përpara portretet e malësorëve që nuk janë më, kush e di sepse na bind historia e treguar nga plaku i vjetër që tashti flet me zë gati të shuar.

Aty në të perënduar marrim rrugën e kthimit. Dimri nuk ka mbërritur ende akoma, por një erë e ftohtë fryn që nga ana e detit. Rrugës na duhet të ecim ngadalë. Makina jonë përzihet me një lumë makinash që duket sheshit se ka vërshuar drejt një funerali. Na thonë se është duke u zhvilluar ceremonia e varrimit të nënës së re fatkeqe që vdiq bashkë me vajzat e saj të vogla në përmbytjen e fundit të Gjenovas. Burrat na duken si të mpakur teksa ecin me shpatullat e lëshuara duke thithur fort cigaret me të dredhur, ndërsa siluetat e grave me të zeza kanë nisur të bëhen njësh me mjegullën që ka nisur të mbërrijë nga deti.

(Autori falënderon përzemërsisht zotin Kolec Gila për ndihmën e dhënë gjatë realizimit të këtij reportazhi.)

 

Një lindje në stan

“…Jam lindun në mjedis të rruzullit toksor në nji familje gjysë-nomadë, por jo në n’grazhd bagtishë: linda në nji pyllë.

Nuk e mbaj mend ditën që kam le se nuk jam aqi mendëshëm, e në të vërtetë nuk e dij as sot, por kam besue symbyllas shka më kan thanë të tjerët. A asht e vërtetë historike kjo? Nuk e dij.

Për si kam ndigjue, ishte fundi i verës 1924. Familja si gjithmonë kishte dalë me verue ndër bjeshkët e nalta të Shqipnisë e gjindej pranë nji liqeni alpin, aty ku kufizojshin Malsia e Madhe e Dukagjini. Vendi quhej “tërthorja e Bogës” me nji naltësi mbi 1600 metra.

Mbas mjesdite nana eme e pa se duhej gatue buke tjetër, mbasi fëmijët e kishin mbarue. Tue kjenë se kunata e saj, nana Lulë, që ishte zojë shtëpie, kishte ra me pushue, dada muer tojen e sakicen e vogel per me pre nji barre dru aty poshtë në prozhmin mbi stanet e shaljanëve. Mbasi bani nji barrë dru, ndërsa po pregatitej me e lidhë e kapën disa dhimba të forta. U kujtue mirë. Muer sakicen e vogel me vedi e hini aty mes shkurreve e kërkoi nji copë vend që të kishte sa ma shum dushk. Aty linda. Ajo me sakicen e vogel më preu kërthizën e lidhi, siç kishte ndihmue kush e di sa herë gratë tjera n’aso rastesh.

Mbasi më kishte lidhë në pështjellakun që zakonisht kanë gratë malcore, më muer e më çoi te barra e druve që kish pregatitë e, tue i u dukë tepër të vrashta për trupin e njomë, preu do rrema të hollë ahit e i shtroi sipër tyne. Mbi to më lidhi mue, vuni litarin në qafë e u ngarkue me barrën e druve në shpinë, e me sakicen në dorë filloi kadalë-kadalë shtegun përpjetë me këthye te stani.

Kur mbrrijti nalt te stanet e pështeti me kujdes barren e druve aty te praku i naltë ku lëshojshin bucelat e ujit e mbasi më shtini mbrendë kthei e mori do dru, ndezi zjarmin, vuni nji kusi me ujë me vargue e u vu me gjetë nji kopajë druni si ato që hapshin tamblin. Mandej nxori nga thasi i madh i teshave të veta ato që kishin pregatitë për lindjen teme. Muer edhe peshqirin, lëshoi ujët e vokët në kopajë e kur më shtini mue aty mbrendë thonë se fillova me bërtitë. Nanës Ulë që ishte shtri bri votrës i duel gjumi i mbasdites…”.

Njeriu që i ka shkruar këto radhë është Atë Zef Pllumi, njëri ndër ata malësorë që u vendosën në afërsi të Lezhës, më saktë në Malin e Rrencit mbi Shëngjin, jo fort larg Ishullit të Lezhës, në fillim të shekullit XX.

(Atë Zef Pllumi, Saga e Fëmijnisë, Botime Françeskane, Shkodër 2009).

12 Komente

Bofsh hajer o Baxhak,i qan keto te shkreta dhe ke qejf me te lexu,besoj se kete mendim ka dhe pruresja qe e falenderoj qe e solli dhe qe avash avash po heq dhe dore nga" Kocua" smiley

Shihhhh, si tip urdher po me lezet Brado ajo e dore heqjes? smiley.    

Po joooo cne,une urdher ty.

Sidoqofte, lezetin e mirepresim, i zbatojme apo jo pastaj s'ka rendesi smiley.

Sa per saktesi dhe kuriozitet ,fjala VAIN rrjedh nga transformimi i fjales VALN(Vrojtim Ajror Lajmerim Nderlidhje) dhe jo nga ndonji fjale rusisht.Ne vitin 1947 eshte krijuar batalioni i VALN-it per vrojtimin ajror,nji pike e te cilit u vendos ne bregdetin e Ishull Lezhes e ne vitin 1950 u paisen me radiolokatore e zbulimit ajror.Kjo pike ka ekzistuar deri ne mesin e viteve 90', e pastaj ,si gjithe ushtria, u mbyll per shkak te reformes.Banoret e zones e me vone dhe vete ushtaraket e qujten VAIN.VAIN nuk ka vetem ne Lezhe por kudo ku ka pasur radare p.sh. kodra mbi Lushnje quhet VAIN.Po ashtu ne Fier,drejt plazhit te Semanit,ne Bushat etj,etj.Kam punuar per 37 vjet ne repartet e radilokacionit ne gjthe shqiperine keshtu qe kete mund ta them me siguri.Kam biseduar me shum Lezhiane per kete problem por asnje nuk e ka ditur pse i thone zones VAIN.Te pakten Ndueja e ditka qe kjo fjale ka lidhje me radiolokacionin.

Pse, ti po thu qi shqiptart i kane ba qe ne 1947 pa ndihmen e rusvet? T'tana infrastukturat apo "risite" qi jane kriju nshqipnine e atyne viteve, si fillim kane pase edhe personel rus si instruktor. Kur erdhen tanket, rust erdhen bashk me to. Erdhen avjonet (rreth 96cope), rust erdhen bashke me to. Erdhen nendetset, rust erdhen bashke me to (biles, edhe kane ba manovra dhe operacione me muej t'tane n'dete t'hapun.) Bahet fjale per instruktore qi vinin bashke me kuadrot e pare shqiptare tcilt kishin shku me studju dhe me u specializu ne bashkimin sovjetik. Kto kane kene gjana me t'cilat ske mujt me ba lojna. Ti mund t'jeshe specializu me rrezultate t'shkelqyme ne Moske, por nqs ti je nga grupi i pare qi do punojne ne nji rrepart te caktum qi sapo asht hape per here te pare n'shqipni, as qi diskutohet qi dikush qi ka dekata t'tana eksperience do vijne me te drejtu dhe ndihmu ty, tpakten per vitet e para. Asht si puna e "intern" kndej kah kto viset tona. smiley

A di njeri se ç'ka bo Preng Cali...ne te rite e tij????

Si?

Teef, kam dasht me t'pyt, a e ke lexu Zemren e E. de Amicis-it me at perkthimin e papam ne gegnisht?

Kam lexu t'zezen teme. A e shef qi s'di me i lidhe dy fjale bashke? Lol 

 

 

jo, mu kujtu fillimisht ne paralel me titullin: ka nje histori te famshme aty mren "prej apenineve te andet". Pastaj gegnishtja e mrekullueshme - nuk shof njeri ta shkruj mo aq bukur. Mbaj mend titujt e dy "kaptinave" (kshu i kon pas thon kapitullit), "Kreni" (per krenari) dhe "Shoqi i jem, Koreti".

E kam lexuar une "Zemren" ne gegnisht. Kam qene e vogel dhe e mbaj mend qe me ka pelqyer shume. E kam lexuar disa here ne fakt. Nuk di te them nese varianti gegnisht me ka pelqyer me shume se ai letrari per shkak te gjuhes apo per shkak se nuk ishte masakruar si ai letrar. Nga Apeninet ne Ande dhe Kozeten mi lexonte gjyshja kur isha e semure. Si "special treatment" dmth.

Me fal se u futs si kot ne mes te muhabetit po se c'me kujtove ca kohe qe rralle i kujtoj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).