A mundet një njeri i vetëm të shpëtojë Shqipërinë. Nuk ka pikëpyetje në fund të fjalisë më sipër, sepse këtë askush nuk e shtron më si pyetje.

E shumta, mund të shqiptohet si “pyetje me përgjigjen brenda”. Krejt jeta jonë ekonomike-politike është ndërtuar mbi filozofinë e njëshit që zgjidh çdo gjë. Më kujtohen dy episode që hedhin dritë e hije mbi parimin e njëshit.

1

I pari ka të bëjë me një grup udhëtarësh të bllokuar nga bora në Qafë Mali, duke ardhur nga Kukësi.

Të presësh borëpastruesen në mes të thëllimit, është më keq se të jesh somalez që pret ushqim në mes të urisë. Në Somali, dikush edhe kalon ndonjëherë me një thes ushqime, qoftë një shoqatë, një karvan ushtarak, apo “Mjekët pa kufij”. Ndërsa në qafë mali nuk kalon kurrë një borëpastruese, thjesht sepse na paska filluar bora!

Personat e bllokuar me furgon në mes të natës në mëshirë të motit të keq e në majë të malit pasi kishin tentuar të njoftonin policinë, mediat, këdo që mund të kishte aq pushtet sa të dërgonte një borëpastruese, vendosën të kryejnë një akt të fundit dëshpërimi: ti dërgojnë sms Kryeministrit. Të gjendur në mes mjegullës mediatike ne kemi krijuar për Kryeministrin një shëmbëlltyrë të dikujt që nuk ka asgjë njerëzore. Për çudinë e udhëtarëve, për 20 minuta u duk borëpastruesja dhe menjëherë mori në telefon ministri i borës. Me një sms në veshin e duhur, krejt ngrehina apatike e shtetit u vu në lëvizje. Udhëtarët shpëtuan. Kryeministri, paska formë humane!

1/1

Rasti i dytë është akoma më i rëndomtë. Një student që për faj të sekretarisë i kanë shkruar një germë gabim në diplomë. Meqë e ka të pamundur të bindë punëdhënësit, detyrohet ta ribëjë kartonin, këtë radhë pa gabime. Me muaj të tërë e përplasin në zyrat e shtetit, të Ministrisë, të Drejtorisë e Rektoratit. Refuzojnë t’i japin një karton të ri, edhe pse gabimin e kishte bërë vetë administrata. Paradoksalisht i thanë, eja fillo shkollën nga e para, që të marrësh diplomë tjetër, po deshe!!

Dinosauri i burokracisë nuk ka në plan ta prishë gjumin për të ndrequr gabimin e vet e për të kryer detyrën për të cilën ushqehet.

Në një akt tjetër dëshpërimi, studenti detyrohet ti dërgojë sms kryeministrit. Pas pak ditësh burokracia vihet në punë e plotëson shkresat sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Kartoni me shkrimin e saktë) për të cilën e sorollatën për muaj të tërë duke e hedhur si ping-pong nga një zyrë në tjetrën. Nuk përjashtohet mundësia e në mrekullie, por, gjasat janë që përsëri sms-ja është lexuar nga Kryeministri (ose nga dikush që hiqet si Kryeministri). Edhe në këtë rast, Kryeministri merr një trajtë njerëzore.

A kemi arsye për të dyshuar në njerëzillëkun e Kryeministrit?

1 javë si Zot

Unë jam i bindur që Kryeministri ka ndërhyrë për të zgjidhur të paktën njërin nga hallet e mësipërme të shtetasve. Sikurse, jam i prirur të besoj që vërtet është shqetësuar për njerëzit e mbetur në mes të dëborës. Fakti që nuk e kam parë të dalë në media kjo ngjarje, më bën të mendoj që nuk është shfrytëzuar as si P.R., me publikun.

Por, ajo çfarë më duket tepër shqetësuese në këto dy raste, nuk është prova (sado e vogël) që Kryeministri (të paktën në këto dy raste) nuk është mostër, por fakti, që për të zgjidhur një hall në këtë vend, e vetmja shpresë është të presësh që të ta lexojë sms-në Kryeministri. Përqendrimi në një njeri të vetëm i fatit të njerëzve dhe i zgjidhjes së halleve të tyre, më duket problem kyç i shoqërisë dhe shtetformimit tonë.

Nëse edhe për faktin që nuk ka ujë çezma, që komshiu po shemb muret e brendshme pa përgjegjësi, që diku nuk të japin një firmë, apo që në dyqan shiten konserva të skaduara duhet të shpresosh që të informohet Kryeministri që ingranazhi i shtetit të urdhërohet të fillojë të bëjë punën e vet, atëherë ne jemi një vend i mbaruar.

Nuk ka njeri e as super-men në botë, sado i njerëzishëm e punëtor të jetë, që të mund ta kryejë këtë funksion. Kjo sipërmarrje më kujton filmin e Xhim Kerrit te filmi “Bruce Almighty” që italianët e kishin përkthyer “1 javë si Zot”. Brusi i filmit zuri për një javë vendin e Zotit dhe sasia e lutjeve për ndihmë nga njerëzit ishte aq e madhe, sa edhe një “Zot” nuk qe në gjendje ti lexonte e jo më ti jepte zgjidhje të tërave.

1 edhe 1, bëjnë 1

Sëmundja “e njëshit” nuk është e re. Përgjatë historisë kemi parë burra që erdhën, u bënë 1-sha e pas tyre lanë vetëm gërmadha.

Mentaliteti ynë feudal vazhdon ende të jetë parim bazë i shtetformimit dhe i shoqërisë. Shkoni në periferi dhe shikoni si sillet kryekomunari, kryetari i bashkisë, apo pronari i fabrikës. Ata janë 1-shi, gjithçka tjetër është “0”.

Mentaliteti i 1-shit ka bërë që deri edhe biznesi shqiptar funksionon si shteti. 1-shi i korporatës merret me gjithçka, edhe me shoferët. Të tërë postet janë fiktivë, si në shtet. Vendimin e merr përherë 1-shi. Edhe se sa pako A4 do të blihet. Prandaj, me ikjen e 1-shit çdo biznes thjesht shkërmoqet e zhduket. Askush nuk ndërton struktura që ti mbijetojnë 1-shit.

Pjesa më e madhe e ministrave (për delikatesë, të mos themi ‘të gjithë’), ditën e parë të punës, shumëzojnë me zero gjithçka ka bërë paraardhësi. Secili, mendon se vetë është zanafilla e jetës. Me një megalomani plebeu duan ta nisin nga e para.

Prej shumë vitesh, komplimenti më i madh mes burrave me peshë vazhdon të mbetet “ku je o njësh”. Krejt politika jonë është e ndërtuar mbi parimin “ku je o njësh”.

1 minus 1, bëjnë prapë 1

Vetë opozitarizmi i këtyre 20 viteve është bazuar mbi demonizimin e njëshit. Kjo ka bërë që konsumatorët mediatikë vërtet urrejnë 1-shin aktual, por janë aq të dhunuar psikologjikisht sa janë të paaftë të shohin më shumë se “1”.

Vendin e njëshit aktual, e zë përherë njëshi i radhës. Sepse, publiku pret gjithçka nga 1-shi. Ne kemi ndërtuar një shoqëri që pret 1 shpëtimtar. Jo 2. Larg qoftë, 3!

1! Vetëm 1! Aq duam, aq na bën punë. 1. vetëm 1!

Për sa kohë që shteti është 1-shi dhe 1-shi është shteti, nuk ka shpresë për përmirësim. Nuk ka shpresë që të ndërtojmë struktura funksionale. Nuk ka shpresë që borëpastrueset të dalin atëherë kur duhet, por vetëm kur i urdhërojnë.

11/11/11

Para dy ditësh ishte data e famshme palindromë 11/11/11., që nga mesi i Mesjetës (11 nëntor 1111) nuk kishim pasur një pushtim një-shash. Për disa, kjo datë ishte një ters i madh. Disa thanë që është fillimi i fundit të epokës sonë, siç shkruhet në kalendarin majan.

U dëgjuan edhe zëra që ky është një fillimi i ri për njerëzimin. Frekuenca e vibrimeve të planetit do të na bëjë ta duam më shumë jetën dhe gjithçka që na rrethon.

Në Kinë pati bum martesash. Kjo data me shumë 1-sha, ishte si rastësisht dhe festa e San Martinos – festa e atyre që u vënë gratë brirë. Nëse data me shumë 1-sha është një fillim i ri apo jo, mbetet për tu parë.

Paradoksalisht, ajo që na mungon, është 1 person. Ai që kur të jetë në majë të piramidës do të thotë i 1-ri: “boll më me njëshat! 

17 Komente

Keni  shume te drejte Cukal, kur thoni:...."  Paradoksalisht, ajo që na mungon, është 1 person..."

 I cili ka  vdekur, sepse  quhej, .... Avni  Rustemi.....

Kjo qe ke ngritur o Cukal, eshte nje e vertete uleritese.... Ne, vuajme nga njeshi dhe per njeshin....., ky eshte mentaliteti yne tribal, qe eshte ngjizur, ne psikologjine tone nder vite, dhe qe ne vazhdimisht i bejme rifresh here pas here...Ne ngreme ne qiell njeshin dhe vete i bejme aq hosanara, saqe kur vjen koha e perendimit te ketij ylli, po ne jemi ata qe te tera ja veshim po atij njeshi, sikur nuk kemi qene po ne ata qe vete e kemi ndertuar, dhe me e lezetshmja eshte qe ato qe ne vete ja kemi yshtur ketij njeshi ti beje, apo mosbeje, e terheqim zvarre dhe e perbaltim pas ikjes (jo pas rrezimit, dhe kjo eshte shume e rendesishme) dhe e dhjesim persiper, per ato qe ka bere dhe mosbere, po harrojme se ato jane perseri veçse produkti yne....ne vazhdojme te jemi njesha integrale te njeshit te MADH.....

Nje rast te ngjashem paraqiti dhe "Fiks Fare" para ca ditesh .Studentet e nje fakulteti ,digjeshin nga mundesia per mastera profesionale ,meqe ai shkencor kerkonte mesataren te cilien ata mund te mos e kishin ,vetem per mungese te ambjenteve laboratorike.Dekanet nuk merrnin mundimin te jepnin nje pergjigje sikur dhe naive gazetares,refuzonin ne menyre kategorike te pergjigjeshin a thua se gazetarja po u kekonte te flisnin per ceshtje personale.Pasi e ben problem "Fiksi", rektori Dhori Kule ,gjoja vihet ne dijeni te situates ,te cilen nuk ishte vene ne dijeni me pare dhe u jep te drejte studenteve dhe u premton qe kjo ceshtje do zgjidhet.

Nuk e di si po talllet ky shtet ,jo thjesht me ca studente,por me te ardhmen e tyre ,me sakrificat qe ka bere famija e tyre (qe shpesh jane per t'u admiruar qe me financat familjare (dhe me borxhe)arrijne te ndihmojne femijet e tyre .Shteti merr persiper t'i arsimoje ,gjoja ne emer te liberalizimit te arsimit dhe me pas i le ne mes te rruges pa u dhene nje pergjigje ,e mjafton nje emision investigativ qe ai problem aq i pakapercyeshem e i paberballueshem ,te zgjidhet sa hap e mbyll syte ?!

"Asi ",ka per te qene ne qarkullim dhe per shume vite ne Shqiperi ,persakohe qe politikanet tane do luajne ndyre ,me hile duke fshehur nene menge te verteten dhe servirur asin e reme.

Jetojme ne epoken e numrave te pare, per te dytet s'ka vend...

Nuk ka shpëtimtar të jashtëm dhe asgjë të jashtme për të shpëtuar.

I vetmi shpëtim konsiston në çlirimin e vetëdijes nga prangat e iluzionit të të qenit në rrezik anihilimi, që shkakton ndjenjën e të qenit viktimë e botës ose të tjerëve dhe ëndjen për një botë më të mirë e shpresën për ardhjen e një shpëtimtari. 

Kjo skemë paraqitet në të gjitha nivelet e vetëdijes, qoftë kjo individuale apo kolektive dhe shqiptarët si kolektiv e kanë shumë të shprehur. Paradoksi është se sa më shumë zhgënjehemi aq më pak mësojmë dhe aq më shumë kërkojmë (jashtë vetes) një shpëtim. Dhe s'është për t'u çuditur që kemi një figurë kombëtare që e idilizojmë që prej 5 shekujsh si 'shpëtimtar', një hero kombëtar. Jemi si komb fëmijë, që ndihet i pambrojtur.

Artikullin e lexova direkt nga gazeta, me pelqeu per trajtimin qe bente , dhe eshte e cuditeshme per psikollogjine qe eshte krijuar nga kjo gjendje, tamam si ne kohen e socializmit, ku te gjithe i varnin shpresat tek E.H. 

Artikull interesant. Nje konkluzion qe mund te nxirret eshte, qe nuk e ka fajin Sali Berisha per te gjitha te keqijat ne Shqiperi, sic do te na mbushe mendjen ai njeshi tjeter (me koke poshte).

Ata qenie mizore qe nuk donin t'ja dinin per disa te shkrete ne mes te debores apo ata idiote universiteti (jo me pak) qe i thane atij djalit te filloj shkollen nga e para ne se do diplome te re (ne fakt ata donin para) jane 95% e Shqiperise.

Ai popull nuk ka moral. Nuk ka asnje shtet ne Europe qe e ka kuptuar kapitalizmin si nje sistem amerikan te Wild West. Ku njerezit kane humbur vlerat me humane te dashurise per njeri tjetrin, respektin per te tjeret dhe ndjenjen fitimit te pasurise me shume pune (hard work) dhe jo me pisllek. Vendin e ideologjise marksiste - leniniste e ka zene hici. Zero. Asgjeja.

Po jooooo. Fajin e ka Saliu!!!

Koloreto bravo. E ke kapur bukur kete semundje qe na ka lene vite dhe shekuj prapa botes. Eshte mentalitet qe stimulohet nga te dyja palet, si nga njeshi qe kekon te duket zot, ashtu edhe nga turma qe ka nevoje absolute per nje njesh. Faktori kryesor ketu eshte njeshi qe duhet ti jape liri vartesve poshte vetes qe ata te veprojne ne menyre te pavarur por frika e humbjes se fuqise e perjashton kete opsion. Turma e vartesve nga ana tjeter nuk eshte e interesuar te ushtroje kompetencat e veta sepse eshte e kenaqur ne rehatllekun e varjes nga njeshi. Teme e gjate.

Shume bukur Me pelqeu
Mentaliteti yne i 1shit eshte mentaiteti yne feudal.
Fundi me pelqeu po keshtu
"....Paradoksalisht, ajo që na mungon, është 1 person. Ai që kur të jetë në majë të piramidës do të thotë i 1-ri: “boll më me njëshat...."
Mirpo mendoni si do te sillet nje popull kur ti thuhet "Boll me 1shat" Nje popull qe tere jeten eshte mesuar me 1shat.. Sa i coroditur do te jeteai, Ai popull nuk di cfare te bej, nuk di cfare te besoj, dhe menjehere do te shkoj te bej ate qe di me mire te besoj tek 1shi. Do ti kerkoj ketij 1shit te ri qe te jete 1sh, do ti lutet, do ta trajtoj si 1sh,
Por edhe sikur ai te jete prej hekuri e te mos perkulet, vartesit e tij nuk do te punojne se edhe ata jane mesuar me 1sha. E pra punet do te shkojne keq e me keq. 1shi i ri do te prese nga te tjeret dhe te tjeret do te presin nga 1shi. Ne keto kushte as njerezit e mikrobuzit te mbetur ne debore e as ai studenti i mjere nuk do tu zgjidhet puna. SMSja e tyre nuk do te lexohet nga 1shi se ai do te mendoj se te tjeret do ta kryejn ate pune qe kerkohet ne SMS
Atehere mileti do ta braktise kete 1shin e ri dhe do ti drejtohet nje 1shi tjeter i gatshem te jete 1shi i vetem
Pra problemi nuk eshte qe te dale nje 1sh qe te thote "boll me 1sha" Por te dale nje 1sh qe me force ta detyroj ate popull dhe burakrcine e tij te ndroj mendje. Si fillim patjeter qe do te kete ca njerez te ngrire nga debora apo ndonje student qe nuk do te mare diplomen por bashke me ta do te kete edhe nje minister te shkarkuar, nje drejtor drejtorie te burgosur dhe nje nenpunes te pushkatuar. Keto do ta zgjojne popullin nga gjumi, keto do ta detyrojne burakracine tone te mendoj e punoj jo sipas 1shit por sipas detyrave, ligjeve dhe rregullave te shtetit.
Eh sa te vijme deri aty ne fillim na duhet nje gjeneral qe te kete te pakten nje divizion nen komande dhe qe mendoj ne koken e tij "Boll me njeshat"
NE NA DUHET NJE GJENERAL QE TE THOTE "BOLL ME NJESHA" DHE QE TE KETE NJE DIVIZION USHTRIE NEN KOMANDE!!!!!!!!!!!!!!!!!

Koloreto, je njesh! smiley

İsha ne Shqiperi dhe me mundoi gjithe kohen pyetjasmileySE?
pse jemi keshtu?ne vlore bashkia i kishte shtruar rruget me nje cipe asfalti e ndriçim te lodhur,por gjithsesi pune kryen.ishte ngrene me dhembe asfalti,ne çdo 10 metra ishin vene pragje betoni atentatore,gropa,kapake te hapur pusetash(per skrap).Kur do behemi ne?
Me vjen keq qe eshte hequr opsioni i vleresimit.5 * nga une,Koloreto je njesh smiley

Nje shoku im shofer traili, m'pat than i here, t'u kthy nga Marova e maqedonise, e kishte zan bora.Anej matane s'ka asni problem,se me sekonda vijne borepastruset dhe e bajne tepsi,po kur t'hyjsh knej,ather a puna pisk.

Masanej i'a vejme fajin evropit,qi s'na ka me qef

...po kur them une se nuk e ka fajin AI 1-shi siper po ky 1-shi poshte beheni 2-ysh per te me kundershtuar... smiley

e keqja eshte kur edhe Njeshi te qellon shalqi bajat apo me keq akoma kriminel i lindur.

 

Grava, meqe jemi tek njeshi, shiko se ç'beri, kunder atij mikut tjeter..... A thua do te kete reperkusione me pas.....  Qeveria ‘rrëzon’ Pollon, i jep të drejtë Olldashit për tenderin e fibrave optike  

Bëhet fjalë për një tender të majmë, me vlerë 40 milion euro për ngritjen e rrjetit të fibrave optike. Skandali shpërtheu kur e përditshmja Panorama shkroi se Ministri i Transportit, Sokol Olldashi, kishte dhënë monopolin e rrjetit të fibrave optike tek një firmë për 40 vite. Gazeta nuk e përmendi që pas kësaj firme fshihej Bashkim Ulaj, biznesmen i familjes Berisha. Çështja u komplikua edhe më shumë për shkak se edhe Ministri i Komunikacioneve, Genc Pollo, hapi procedurat për tenderin me të njëjtin qëllim. Madje ky tender ishte thuajse gjithçka bën Ministria e Pollos. Për shkak të përplasjes, Pollo shtyu procedurat e tenderit.

Ndërkohë, siç bën të ditur e përditshmja Shqip, për të zgjidhur këtë konflikt është ngritur një komision nga Ministria e Ekonomisë, që i ka dhënë të drejtë Olldashit. Komisioni përbëhej nga: Nasip Naço, kryetar; Zef Preçi, nënkryetar dhe me anëtarë Mimoza Dhëmbi, Besjan Pesha dhe Arben Ndoci.

Gazeta Shqip shkruan se kjo është një ‘shuplakë’ për Pollon, që do detyrohet të anulojë vendimin për hapjen e tenderit.

 

Jo per  Pollon, more mik,  por per...  Taip Erdoganin.

I  dalte per  hajer.Amerikanet......

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).