A do të jetë ai i besueshëm në këtë performancë të radhës me libra, cicërima pas zërit të protestave dhe të bojkotit që e ka shoqëruar deri më tash?

Mjedisi mediatik shqiptar ka njohur së fundi një zhvillim të ri, shfaqjen e politikanit-media. Nuk është rastësi që ky zhvillim lidhet me emrin e Edi Ramës, që ka mishëruar në Shqipëri edhe prototipin invers, atë të politikanit produkt të mediave, i cili nuk doli në politikë nga mjedisi partiak, por nga “oxhaku” i mediave. Mirëpo, risinë e përbën lindja e një specieje tjetër nën lëkurën e tij, e cila përkon me një prototip të ri komunikuesi politik, atë të politikanit që bëhet media. Edhe pse kjo nuk është tentativa e tij e parë si politikan për të marrë funksione mediatike, për herë të parë kemi daljen e tij me një media të institucionalizuar si e tillë, siç është faqja në internet www.edirama.al. Nuk është fjala, pra, për një faqe të thjeshtë në një rrjet social apo për shfrytëzim të faqes së institucionit ku është titullar, por për një media të mirëfilltë online me adresë personale.

Në kushtet kur nuk ka ende një “berisha.al”, “basha.al” apo “blushi.al” dhe as ndonjë politikan tjetër shqiptar.al, Rama është i pari politikan-media i këtij formati në qarkullim dhe nuk ka se si të mos dallohet për atë që po bën. Është bërë paralelisht edhe politikani i parë shqiptar që e integron median “Twitter”, “Facebook” dhe opsionin “RSS feed” për mesazhet e tij në blog, në faqen e tij pritëse në internet. Një politikan-media i mirëfilltë, që rifreskon rregullisht informacionet që nxjerr, që publikon me vijim pjesë ekskluzive nga libri i tij ende i padalë në treg, që u përgjigjet herë pas here qytetarëve që i shkruajnë, që replikon aty për aty me cicërima në “Twitter” Berishën e shumicën, që interpreton sipas ëndjes së vet programin e partisë së vet, takimet me të vetët dhe madje edhe mediat tradicionale, si shtypin e shkruar e televizionin, për mënyrën se si i paraqesin ngjarjet dhe aktualitetin.
Për kreativitetin me të cilin po e menaxhon vetveten online dhe për formën e zgjedhur, që është ajo e përdorur fillimisht nga industria hollivudiane për të menaxhuar imazhet e yjeve të saj që po dilnin jashtë kontrollit, ky riformatim mediatik i Ramës duket sikur i rikthen atij shkëlqimin e humbur prej artisti dhe ylli mediatik, si dhe hap shtigjet e dëshiruara prej tij në mënyrën se si të tjerët do ta referojnë, në përpjekje për të disiplinuar ose përmbajtur klimën kritike ndaj tij. Ndoshta mund të konsiderohet edhe si një shans i rikapur për të marrë fjalë të mira prej gazetarëve e opinionistëve, gjë që aq shumë i ka munguar vitet e fundit, kur e ka karakterizuar një komunikim publik nevrastenik dhe fals si politikan. Media-Rama mund të konsiderohet gjithashtu edhe si instrument efikas në duart e opozicionit në Shqipëri, për sa kohë vetëm Rama dhe disa socialistë rreth tij përdorin në një logjikë të ngjashme mediat online. Mund të numërohen edhe efekte të tjera pozitive të daljes së riformatuar të Ramës si një media në hapësirën publike, ndër të cilat, pa dyshim, edhe mbështjellja që i ofron faqja e tij programit të Partisë Socialiste, gjithë duke mëtuar se një i tillë i mirëseardhur ekzistuaka!

Mirëpo kjo dalje e politikanit Rama me një paketë mediatike të veten, që shkon nga mesazhet e shkurtra në Twitter, te shkëmbimet e natyrës dialoguese në blog, e deri te rrëfimet e gjata monologuese në një libër, përmban edhe rreziqet e preokupimet e veta për mjedisin mediatik dhe atë politik në Shqipëri, pa përjashtuar efektet kundërthënëse për vetë Ramën. Duke i vendosur në kontekstin e zhvillimeve shqiptare në lidhje me mediat, politikën dhe së fundi rrugëtimin politik të Edi Ramës, këto taktika dhe axhustime komunikative të një protagonisti të politikës dhe të mediave, paraqesin në radhë të parë vështirësi dhe sfida të reja për mediat në Shqipëri.

Është e qartë se media-Rama nuk përbën thjesht një media më shumë, në shërbim të pluralitetit të zërave mediatikë në këtë vend. Madje do të ishte qesharake po të shihej thjesht nga kjo perspektivë, pasi zëri i tij është ai i pothuajse gjysmës së shqiptarëve dhe dëgjohet ngado lirisht në këtë vend, sipas cilësisë së performancës së tij, sigurisht. Pra, në mos qoftë e tepërt si media, është së paku jo domosdoshmëri për demokracinë, fjalën e lirë dhe komunikimin politik në Shqipëri. Një arsye tjetër për ta konsideruar me shqetësim median-Rama është anashkalimi dhe sfida e qëllimshme që u bën mediave tradicionale si shtypit të shkruar dhe televizionit tani që nuk arrin t’i përballojë më ato me optikat e tyre të lira. Gjetja për t’i penetruar gazetat dhe ekranin e vogël në mënyrë indirekte, përmes joshjes virtuale, cicërimave në Twitter dhe fragmenteve të nxjerra nga libri i vet, është një hile ose taktikë që aktualisht po funksionon, por që duhet lexuar qartë si një përpjekje për të nxjerrë jashtë loje aparatin përzgjedhës dhe interpretues të vetë mediave, duke marrë vetë rolin e tyre si “gate-keep-ers”, si dhe duke e përcaktuar vetë axhendën e tyre.

Edhe pse mund të duket e dëshiruar si formë e komunikimit politik nga vetë politikanët, një media virtuale si ajo e Edi Ramës nuk ka asnjë lidhje me pjesën dërrmuese të elektoratit të një subjekti partiak në Shqipëri dhe, si e tillë, është një ushtrim snobizmi dhe ekstravagance politike. Është gjithashtu një ushtrim personalizimi i skajshëm, që përbën një sfidë të hapur ndaj partisë politike si forum dhe kolektivitet. Është fiks në stilin e yjeve të Hollivudit dhe nuk është çudi që edhe politikanët botërorë që e përdorin më me zell, kanë ose statusin e yjeve nacionalë, ose atë të ekstremistëve politikë, duke filluar që nga Obama, të cilit nuk i mungon një www.barackobama.com e deri tek Hugo Çavez me www.chavez.org.ve. Mirëpo, në Shqipëri Rama është ende politikani i vetëm që e merr seriozisht veten si media online, edhe pse brenda opozitës disa politikanë përdorin me një lloj efikasiteti facebook-in si media për të komunikuar mesazhet e tyre. Si e tillë, dalja e politikanit Rama si media krijon pabarazi brenda llojit të vet, ashtu si edhe në raport me kundërshtarët politikë, që duket qartë se i ka lënë pak mbrapa në përdorimin më të ri teknologjik. Efekti më afatgjatë i medias-Rama do të jetë, sigurisht, edhe përfshirja e politikanëve të tjerë në garën virtuale me “Twitter” e blogje, gjë që nuk mund të themi se do ta bëjë politikën më të mirë, në mos e bëftë më të keqe.

Së fundi, ky riformatim ekstravagant dhe virtual i Ramës e konfirmon edhe një herë atë si takticien të aftë, por nuk flet për ndonjë vijueshmëri strategjike të tij si politikan as në pikën e tij më të fortë, atë të komunikimit. Aftësia e tij për t’u përshtatur e ribërë vazhdimisht është e admirueshme, por e ka rritur dozën e mosbesimit ndaj performancave të tij. A do të jetë ai i besueshëm në këtë performancë të radhës me libra, cicërima pas zërit të protestave dhe të bojkotit që e ka shoqëruar deri më tash? Çfarë ka ndodhur ndërkaq që të justifikojë kthimin e faqes prej tij? Mos kemi nevojë për më tepër arsyetime, sesa cicërima prej tij? Le të shpresojmë se nga Asambleja e sotme do të dalin më tepër arsyetime për mediat tradicionale, sesa cicërima për faqen e tij në web.

14 Komente

Te vertetes, nuk i pelqejne  pandehmat dhe  sidomos  kerkimi i ...lukseve.Ne fakt  Rama, po mundohet te zbertheje brendine e gjerave, ne nje sfond te qarte  te realiteteve, si pasoje edhe e njohjes se thelle te psikologjise popullore. Dhe kjo nuk eshte pake.Mirepo...

  Ka shume qe ecin sipas thenies "gjersa te mendohet i mençuri, budallai e sidomos... i marri,  ka mbaruar pune...."

Ne kete sfond duket se rrahim. 

Kjo Belinda e bukur, siç duket, pas masterit qe mori me profilin e Rames, po perpiqet qe te haje buke edhe me bemat e tij.....Siç duket, nuk di te beje gje tjeter....... PO a e ka lexu Naim Cilin kjo......?????

 

 

Pse na zileps komunikimi online i Edi Ramës 

Henri Cili

 

Një koleg gazetar më konfidoi pardje se gjëja e parë që bënte sapo shkonte në zyrë ishte hapja e faqes zyrtare të Edi Ramës në internet apo aksesi në Twitter i kryetarit të opozitës. Dhe, vërtet Rama në dekadën e re ka arritur të bëjë një befasi në komunikim: duke përdorur që prej verës së këtij viti komunikimin online. Është padyshim një befasi dhe novacion, ashtu sikurse ai arriti të bëjë befasi dhe novacion në fillim të viteve ‘90 nëpërmjet fjalës së shkruar, në fillim të viteve 2000 nëpërmjet ngjyrave, kurse tani në përputhje me frymën e dekadës sonë, nëpërmjet komunikimit online. Një analizë e thjeshtë, në të cilën kanë rënë shumë prej kolegëve analistë këto ditë me shkrime të tipit “a përmbyset Berisha me editorial?”, mund të thoshte se, kjo është një mënyrë impotente e të bërit politikë, e një lideri politik të opozitës së mundur dhe të rraskapitur, me beteja politike të dështuara, të paktën pas 2007 dhe me asgjë të qartë në horizont për 2013. Por është e gabuar. Me komunikimin online në këtë fazë të jetës së tij politike dhe të opozitës Edi Rama është në avantazh për tri arsye.

Arsyeja e parë është fakti se Edi Rama ka arritur që të bëhet i referueshëm nëpërmjet komunikimit online për të gjithë dhe të prodhojë lajm sapo lëshon një “ciu- ciu” në Twitter apo në Facebook. Të gjitha mediat i referohen, e bëjnë lajm, i marrin batutën apo sloganin që ka hedhur online kryetari i opozitës në krahasim me komunikimin e mërzitshëm para disa kamerave apo disa reporterëve që përfundojnë me një pyetje të “sikletshme” të KLAN-it dhe përgjigjen e mërzitshme “të fala Sandrit”.

Arsyeja e dytë pse ky komunikim është i suksesshëm është se përfaqëson frymën e kohës dhe implikon votuesin e ri, votuesin i cili në mënyrë masive e përdor “Shqipërinë dixhitale” të Sali Berishës, por tashmë kundër këtij të fundit. Ky komunikim po bëhet modë në një shoqëri të etur për zhvillim, teknologji dhe komunikim si kjo e jona. Nga ana tjetër, për pjesën e mbetur të popullsisë, ky komunikim online, sikurse e thamë në arsyen e parë, përçohet përmes komunikimit masiv, përmes mediave të mëdha që i referohen vazhdimisht. Shumë prej politikanëve bashkëkohorë perëndimorë ia kanë dalë që përmes internetetit të bëhen gjeneratorë të fuqishëm lëvizjesh politike apo mbështetjesh masive. Sepse “online” sot është një virus i epokës sonë që nuk është e mundur të mos të prekë.

Arsyeja e tretë pse komunikimi online i Edi Ramës është i suksesshëm është diçka që lidhet me atë vetë personalisht përveç avantazheve që ka në vetvete komunikimi online në epokën tonë: është maniera artistike që ai ka si artist i figurës dhe i fjalës. Një gjuhë vizuale e zgjedhur dhe po ashtu një fjalë apo batuto-logji e zgjedhur krijon një efekt shtesë reference. Dhe patjetër impakt. Në fillim të viteve ‘90, poeti Dritëro Agolli pati shkruar: “sikur të çlirohej Kosova me vjersha!”. Kështu urojnë dhe shumë socialistë sot: “Sikur opozita të vinte në pushtet me online”. Një komunikimin i një stili të ri, në kohën dhe vendin e duhur, mund të jetë një premisë e mirë për një politikë të mirë. Edhe pse ndoshta nuk mjafton pa përmbajtjen, edhe pse është një avantazh i formës. Për këdo që e ka preokupim komunikimin, komunikimi online të Ramës do ta shihte me zili në këto kohë. Unë po të paktën.

Mapo Online

...dhe pastaj.....

 

Ja çfarë nuk duhet të bëjë Edi Rama! Nga Sokrat HABILAJ Ka plotë gjëra të cilat Edi Rama nuk duhet t’i bëjë. Ka gjëra që atij, absolutisht nuk duhet t’i shkojë në mendje se mund të merret me to. A nuk e keni vënë re se sapo i vihet një nisme të re, ndoshta edhe vet nuk e ka menduar se mund të bëhet objekt sulmesh? A nuk e keni vënë re se pas kësaj ai, krejt papritur ndodhet mes një rrebeshi gurësh që vijnë thuajse nga të gjitha drejtimet. Gurë të hedhur nga grupe militantësh, a specialistësh, intelektualë të varur, të pavarur, asnjanës, palë, nga jashtë, apo edhe nga brenda partisë së tij? Dhe e gjitha kjo ndodhë për faktin e thjeshtë se ai nuk tregohet fare i kujdesshëm kur, jo thjesht shfaqet publikisht, por edhe kur bënë ndonjë gjë për qejf të vetë. Duket se ai nuk e mendon se mund edhe të sulmohet.Nisur nga sa thamë, ka plotë gjëra me të cilat ai nuk duhet të merret më, ka plot gjëra që atë e nxjerrin në pusi, por do të mjaftoheshim duke përmendur disa prej tyre.Edi Rama nuk duhet të merret me editoriale. Në asnjë mënyrë jo! E konstatuat padyshim se sa nisi të shfaqej në pasionin e tij të dikurshëm, të parët që nisën ta godasin ishin pikërisht ata që merren me të tilla shkrime. E goditën thuajse tinëzisht, a mbase më saktë duhet thënë, e goditën siç dinë të godasin vetëm zanatçinjtë. Si njerëz që e njohin mirë zanatin e editorialeve dhe që u dhimbset fakti se Edi Rama nuk po vjen në pushtet, fillimisht thanë se nuk merret pushteti kështu me këtë profesion, nuk vjen pushteti me këtë mënyrë kaq të paqme. Edi Rama duhet të gjejë rrugë të tjera për të ardhur në pushtet, thanë ata. Më pas me gjysmë zëri, u shprehën se edhe niveli i tyre në drejtim të artit të të shkruarit, lë shumë për të dëshiruar. Një zhurmë e paparë u ndez ndaj tyre. Shkrimet e Edi Ramës u sulmuan pikërisht prej editorialistëve në aspektin e tyre politikë, sepse kjo është fushëbeteja ku balta mund të hidhet pa asnjë mundim të madh, ndërsa për mënyrën e të shkruarit të tyre, kritika ishte si mërmëritje hileqare. Ishte si një gërr-mërre e mbytur, si të donin të thoshin, eh, kjo është punë zanati, por do të flasim më vonë, a si një xhelozi që ky njeri, i cili dikur kishte ikur, tani po guxonte të hynte sërish brenda gardhit të tyre. Ndodhi kjo ndrojtje në sulmin ndaj artit të shkruarit, sepse koha kur Edi Rama shkruante editoriale nuk është e largët dhe shumë njerëzve u kujtohet stili i tij. Ai stil mund të shahet vetëm “prej kompetentëve” pra…. prej editorialistëve. Por ai guxoi të shkruajë dhe u anatemua, duke i shtuar vetes një betejë të re dhe kjo është një argument bindës se ai duhet t’i lërë mënjanë shkrimet.Edi Rama nuk duhet të merret me greva, mitingje e gjëra të tilla aspak të buta, jo thjesht se këto na largojnë nga Evropa, por nuk janë edhe metoda kaq qytetare. Dikur kur ndiqte këtë rrugë, u sulmua aq egër. E shanë ata që sot nuk lënë gjë pa thënë kundër editorialeve të tij. E shanë, thuajse iu lutën me përgjërim që ai të hiqte dorë nga ato rrugë për të mirën e Shqipërisë E shanë ata që u dhimbsej aq shumë qetësia e këtij vendi, duke lënë të kuptohej se nëse kryetari i opozitës do të gjente një rrugë tjetër, ata do të ishin në krah të tij, duke e ftuar kështu në rrugë të reja. Ai gjeti rrugë të tilla, por fati i tij është që me sa duket të mos gjej rrugën e duhur, a më saktë rrugën që duan ata që e shajnë.Edi Rama nuk duhet të pikturojë. Si mundet të pikturojë Edi Rama!? Po t’i shikosh nga afër pikturat e tij, ato të bindin se nuk kanë asgjë që të ketë lidhje me kryetarin e opozitës. Ca piktura si gjysmë moderniste, sa është e vështirë ku mund të kapesh për të gjetur një argument në zhurmën politike ndaj tij. Ai duhet ta harrojë pikturën sepse sa herë i shkrepet të pikturojë, në të njëjtën kohë ai ndezë një bateri sulmi ndaj vetes nga të gjitha anët. Mes vijave dhe imazheve të shfaqura, a nuk ka ndodhur që të gjenden aq shumë lidhje me imazhin e tij politikë? E ndërsa thotë se ju kam ftuar që t’i hidhni një sy artit tim, a nuk ka ndodhur që njerëzit, të mësuar me lloj-lloj prapaskenash, të kenë parë atje një profil të deformuar politikë? E pra, a nuk është më mirë që ai të mos vizatojë fare? Edi Rama, pa asnjë mëdyshje duhet të ndezë një luftë të ashpër brenda radhëve të partisë së tij, duke përjashtuar, denigruar, anatemuar bashkëpunëtorët e tij, që nga Kastriot Islami, Andis Harasani, e kush t’i dalë para, duke vërtitur shpatën mbi kokat e tyre. Deri tani askush nuk është përjashtuar dhe këtu qëndron gabimi Edi Ramës. Mos përjashtim, apo gjoja përjashtimi, nuk ka penguar askënd që të ngrejë një furtunë, brenda dhe jashtë vendit, me ambasadorë dhe popull të thjeshtë, në shtyp dhe televizion, për përjashtimet makabre që po bënë Edi Rama. Kjo nuk penguar që gazetat të mbushen me tituj të tillë, si “Edi Rama, ky prerës kokash”, “Edi Rama ky shkatërrues i vlerave të partisë socialiste”, “Edi Rama, ky  mbytës i lirisë së shprehjes të mendimeve…”, Edi Rama ky…..”.Si në një teatër absurd, është ngritur një realitet virtual me përjashtime dhe prerje kokash, kur në fakt askush prej tyre nuk është përjashtuar. Janë mbushur ekranet me analiza përjashtimesh dhe nëse pyet se kush është përjashtuar, natyrisht që do të thonë, nuk ka rëndësi kjo. Rëndësi ka fenomeni. Rëndësi ka gjoja përjashtimi. E pra nëse Edi Rama do të kishte bërë përjashtime, çfarë do të kishte ndodhur më shumë? Shkurt ai duhet të përjashtojë sa më shumë.Edi Rama nuk duhet të merret me shkrime librash, për një arsye fare të thjesht. Në kohën që ne mendojmë se ne e kemi në krye të punës atje në parti, paska ndodhur që ai të jetë tërhequr në një skutë dhe në vend që të merret me punët e partisë, është marrë me pasionin e tij të të shkruarit. Nuk ka rëndësi nëse ajo që shkruan ka apo jo vlerë, Nuk ka rëndësi, në fund të fundit se çfarë shkruan ai. Rëndësi ka fakti se nuk i shkon një lideri të merret me punë të tilla aspak të denja. Dhe veç kësaj, nëse do të shkruaj, libri i tij, (ashtu siç po ndodhë), do të “inaugurohet” shumë kohë para se të dalë, do të shkohet në satër shumë kohë më parë, do të bëhet “kurban” ende pa lindur. Në fund të fundit, pak sulme ka ndaj tij, por tani duhet të sulmohet edhe për artin e të bërit letërsi? Ai do të goditet, siç ndodhë, që nga dështimet e tij politike, e deri tek gabime të tij të pafalshme që kanë të bëjnë me të shkruarit, duke u futur edhe tek vogëlsi të tilla si “fjalitë e librit të tij janë shumë të gjata”, e të tjera vërejtje prej njerëzish të ngeshëm dhe që e duanë artin e Edi Ramës.E pra, si do të ishte më mirë që Edi Rama të shkruante libra, apo të mos shkruante fare!? Edi Rama nuk duhet të hyjë asnjëherë në parlament dhe kjo për një arsye konkrete. Edhe pa qenë atje, kundër logjikës se nuk duhet folur kur dikush nuk është prezencë, diskutimet fillojnë dhe mbarojnë vetëm me emrin e tij. Ai thirret prej të gjithëve, si të ishte para tyre, ndryshohet toni i të folurit, si të ishin duke parë reagimin e tij, kur janë duke folur. Ai është tmerrësisht atje dhe një prezencë fizike do ta zbehte këtë prani sureliste.Edi Rama kurrë nuk duhet të thotë se dëshiroj të dialogoj me dikë, qoftë edhe me drejtuesin e shumicës. Një gabim të tillë, e beri pak kohë më parë dhe pas kësaj ndodhi ajo që ndodhi. Natyrisht ishte e drejta e palës së cilës i propozohej komunikim direkt, që të pranonte ose një debat të tillë, por çudia ndodhi me të tjerët. Një aradhë e pafund analistësh, të varur dhe të pavarur, të cilët mesa duket fillimisht panë reagimin e palës që i propozohej debati, kur u bindën se nuk e donte këtë gjë, shqyen sytë me këtë propozim pa logjikë të Edi Ramës. Si mund të propozohej një debat i tillë, krejt i panevojshëm? Si mund të flitet se mund të ketë takime të tilla, kur ne kemi probleme ku e ku më madhore? Edi Rama u anatemua edhe njëherë si shkaktar të këqijash që propozonte një bisedim, një komunikim, apo “…dashuri në kohën e kolerës”.Argumentet që u hodhën në drejtim të kundërshtimit të takimit të dy liderëve, ishin mbresëlënëse dhe të denja vetëm për analistë të pavarur, të cilët tej profesionit të tyre nuk vënë asgjë tjetër. E pra, pas kësaj, nëse për një çast do të mendonim se Edi Rama do të bënte një propozim të kundërt me atë që tha, pra sikur ai të thoshte se unë nuk dua ta takoj asnjëherë drejtuesin e shumicës, nuk e di nëse mund të thoni se çdo të kishte ndodhur më shumë? Asgjë veç kritikave të njohura, të cilat natyrisht do të merreshin më me sportivitet, sepse ishin në linjën e tyre, por të kritikohesh se do të bësh një takim, kjo e prishë këtë rregullshmëri, dhe në këto kushte Edi Rama, kurrë nuk duhet të thotë se do të takojë njeri, sepse do të ketë diçka që nuk do të shkojë dhe ai do të sulmohet po njëlloj.Edi Rama nuk duhet të merret me Twitter-a dhe me blogje, sepse kështu ai është krejt jashtë natyrës sonë thuajse baritore. Si një mënyrë e sofistikuar komunikimi dhe në fund të fundit trendy, që në fillim ndoshta të krijohej ideja se Edi Rama nuk do të fajësohej, por jo. Nuk ndodhi që nuk ndodhi kështu. Sa u shfaq në këto rrugë komunikimi sociale, për të u organizuan tavolina debatesh, thjesht për të argumentuar se kjo rrugë komunikimi i ulte vlerat e liderit të socialistëve. Nuk u tha se në këtë mes nuk ka asgjë të keqe, por iu mëshua tezës se kjo ishte një gjetje krejtësisht e gabuar. Aq bindëse ishin argumentet që silleshin sa vetvetiu të krijohej ideja se ky Edi Rama, ky pra që flet nga twitter-i, në vend që të flasë andej, a nuk do të ishte më mirë që t’i hipte kalit dhe të rendte tutje udhëve gjithë pluhur për t’i takuar zgjedhësit atje.Si konkluzion mund të themi se Edi Rama nuk duhet të shkruaj editoriale, nuk duhet të bëjë mitingje, nuk duhet të jetë kaq i butë brenda partisë së tij, nuk duhet të pikturojë,  nuk duhet të hyjë në parlament, nuk duhet të komunikojë me asnjë, nuk duhet të gjejë rrugë bashkëkohore komunikimi, nuk duhet… nuk duhet të merret në fund të fundit me politikë, me art, me gazetari, me hobe të tij…! Ka plotë gjëra me të cilat nuk duhet të merret Edi Rama!Dhe meqenëse të tilla ka shumë, me sa duket unë zgjodha rrugën më të lehtë, duke thënë disa prej gjërave, të cilat Edi Rama nuk duhet t’i bëjë. Jam kurioz për ju që merreni me analiza, për ju që merreni, me përpunim mendimesh dhe alternativash, për ju që merreni me opinione, për ju që jeni krejt të pavarur, për ju që jeni profesionist në zanatin tuaj, të më thoni vetëm një gjë fare të thjeshtë: me çfarë duhet të merret Edi Rama që pas kësaj të mos jetë pre e sulmit tuaj?

 

Belinda eshte Artan Hoxha versioni femer ,me llafazane , me nje gjalleri tipike adoleshenteske  .smiley

Gjithmon e gjen "dicka" per te sulmuar ate qe s'do dhe "dicka" per te mbrojtur ate qe do..Filozofi e mire kjo ,se fundja te gjithe e kane nje gje te mire dhe nje gje te keqe.smiley

Varet ke nxjerr dhe ke fsheh.smiley

 Degjoni more miq, degjoni, kete spurdhjakun...Çili!

"...Një koleg gazetar më konfidoi pardje se gjëja e parë që bënte sapo shkonte në zyrë ishte hapja e faqes zyrtare të Edi Ramës në internet apo aksesi në Twitter i kryetarit të opozitës...."

E po he, mjafton vetem nje ? Ta çash te shkreten e  ta besh me dysh, pa nje pa dy ! Konfidohet  Henri more, degjuat ? Lajm,  jo shaka......................

Mendoj se Çili po jep mjaftueshem material per faqen e tij te klikuar ne fb 'Henri Çili, ai qe shpiku t...' . Po çe do qe e kane braktisur at dreq faqeje tejet te suksesshme. Si ç'do gje, edhe suksesi ka nje fund.

Hem...eshte ajo faqja e FB ku detyron te gjithe ata studentet e Universitet leshit ta klikojne dhe ti bejne "Like Cili"...Hej medet thuaj, ngjiten krimbat njeqelizore ne maje te plehut dhe ju duket vetja shqiponja..

smiley, ajo dora vete.

dhe une qe mendoja se mesila doda kishte te ngjashme vetem majlinda bregun ...

Ore nuk u ngopët duke sjellë gomarllëqe në peshk njëherë? 

Për 10 vjet, e shumta, të gjithë politikanët (të paktën ata që s'kanë nevojë për një bacë sponsorizues), kanë për të përdorur twitter, fb, blog, skype etj etj. Dhe atëherë këtyre IDIOTËSIVE me patentë si ky shkrimi më lart, Edi ka për tu përgjigjur: Isha unë i pari. 

 

I lexova te 3 artikujt smiley dhe nga kjo tahllavi, Edi Rama veç ngrihet smiley 

Pavarsisht seç thone autoret dhe komentatoret ketu, mua me duket se Rama me kete nisme, me keto shkrime qe ka bere, ka fituar pike, biles ne komente te meparshme kam thene se kjo koha e jo kryertallikut, kjo koha kur ai ka ngelur pa punet e Bashkise, kjo kohe e opozicionit, i ka vlejtur Edit, e ka bere ate te meditoje thelle, dhe kur njeriu mediton, nxjerr mendime te pjekura dhe e ben ate te jete me i matur ne te ardhmen. 

Shihhh, ku ishe mi thoqe kur mburreshin gjindja me fansat e Bashes ne facebook?  

Artikull pacavure.  Pena pacavure.  

Mediat sociale s'i ka shpikur Rama.  Edi Rama eshte fajtor per 1001 e gjera, por jo per keto thagma. 

Pertoj shume t'i bie gjate.  Shkurt, gazetare idiote e ne djall etika. 

hehe, shif ca thote Henri Cili ne stil jozefine. Pa shqiperine dinxhitale te Sal Berishes nuk do keshem web. ja futi vetes Sala.

*Arsyeja e dytë pse ky komunikim është i suksesshëm është se përfaqëson frymën e kohës dhe implikon votuesin e ri, votuesin i cili në mënyrë masive e përdor “Shqipërinë dixhitale” të Sali Berishës, por tashmë kundër këtij të fundit*

pupupu iu prek kryetari komentuesve smiley Une nje gje bej habi, sa mire i del koha kryepolitikanit te opozites te merret me twittera e FB e shkrime librash, ne nje kohe kur duhet te ishte ne krye te nje aksioni politik PREJ VERTETI, ky veproi si kryetar NGO-je per kaq shume vite, dhe e pame sesi e humbi davane. Tani nga kryetar ngo-je behet kryetar twitteri e FB-je, sorry guys me duket se ky po ia zgjat jeten berishes ne pushtet , te mjeret ca na gjeti. Kur kryetari i opozites, qe do te duhej te ishte duke punuar per te ituar zgjedhjet e 2013-es ka vendosur te beje opinionistin twitterist, e pse ata qe e kane zanat dhenien e opinioneve, si gjithe artikujshkruesit qe u paraqiten ketu u dashkan te qepin gojen?

Lale, ti je tamom si ata qe thote ai Abilaj ne ate koemntin....mos ketu e mos atje.....po ku.....?????

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).