Faqet e facebook janë tashmë një mjet i mrekullueshëm i komunikimit mes njerëzve. Shpejtësia e bisedave, këmbimi i pikëpamjeve letrare, filozofike, shoqërore, muzikore, politike, etj. janë instrumente që vënë në lëvizje mendimin e miliona e miliona njerëzve në të gjithë botën.

Në facebook publikohen edhe shumë poezi. Shpesh ato ftojnë për mendim një sasi të konsiderueshëm miq, ndërsa, për fat të keq mendimi kritik rreth tyre, është thuajse inekzistent. Në letërsi, sikundër edhe në art, por edhe në shkencat ekzakte, nuk mund të ketë përsosmëri. Ndryshe autori, apo autorët nuk mund të krijonin më tej. Prandaj ditirambet e shprehura nuk i bëjnë mirë askujt, ca më pak krijuesit serioz e publikuesit.

Në facebook ka gjithashtu emra të shquara të poezisë shqipe, emra të vjetër e të rinj, të cilët, në kohën kur shtypi letrar, - sidomos në Shqipëri, - thuajse mungon,  kanë gjetur këtë faqe sociale të përshtatshme për publikimet e tyre. Emra të tillë si Sami Gjoka, Demir Gjergji, Aqif Hysa, Sabit Rustemi, Albina Idrizi, Jona Merjo, Fatime Kulli, Eva Hila, Izet Duraku,Valentina Boroja  Sahin, Faruk Buzhala, Agim Pipa, Bujar Rama, Suzana Zisi, Suzana Kuqi, Zana Pira, Uk Buçpapaj, Ymer Nurka, Ndue Lazri, Xheni Tanini Hali,Alma Papamihali, Anila Kurti.......etj, etj, etj.- përmend ata që janë edhe miq të faqes sime, - për të tjerët nuk mund të flas, - janë vlera të vërteta të së bukurës, të dashurisë, të filozofisë poetike, vargjet e të cilëve lexohen me aq etje. Natyrisht e di që nuk kam përmendur edhe shumë të tjerë të talentuar, por qëllimi i këtij shkrimi nuk synon ata që shkruajnë bukur, por ata që nuk dinë të shkruajnë. Poezia është një vlerë, sepse shpreh një mendim e ide të bukur e të fuqishme. Këto mendime e vlera nuk mund t’i shpreh kushdo, sikundër jo të gjithë mund të ndërtojmë raketa kozmike.

E drejta për të shkruar e publikuar është gjithashtu një mundësi e lirisë së shprehjes dhe këtë nuk mund ta mohoj askush, askujt. Pastaj mendoj se letërsia dhe artet duhet të konsiderohen vlera kombëtare. Një komb përcakton kulturën e tij kur ka letërsi dhe arte të nivelit të lartë, kur krijimtaria e të rinjëve, sidomos, synon drejt kërkimit të formave e strukturave të reja bashkëkohore letrare e artistike. Por, për fat të keq, shpesh e më shpesh na shfaqen në faqet e facebbok ca vargje naive, një retorikë banale naive e provinciale, ose, poezi vajtuese për dashuri të humbura pa synime të mirëfillta letrare e filozofike, patriotizëm nacionalist, etj. Duhet ditur se ka një ndryshim të madh midis realitetit, historive, ndodhive personale dhe letërsisë. Për fat të keq këta krijues të cekët nuk e njohin këtë raport. Agjë të keqe nuk do të kishin as këto publikime, nëse një kategori miqsh, të njohurish, apo meshkuj që nuk kanë haber fare nga krijimtaria, sulen të shkruajnë idiotizma në komentet e tyre, sidomos kur krijuesi është femër, me shpresë se kështu do të fitojnë simpatinë e saj. Edhe kjo “lojë” do të ishte si një gjellë e pashijshme e realitetit, sikur këto naivitete letrare të mos ishin të detyruar t’i lexonin edhe poetë e krijues, të cilët nuk kanë aq kohë të lirë sa të marrin në faqet e tyre të facebook-ut dhjetra e dhjetra poezi naive, banale, pa shije, pa kulturë, pa mend. Nuk po përmend emra mediokërish në poezi, sepse nuk dua të bëj armiq. I respektoj të gjithë ata që luajnë me vargjet. Futboll luajnë edhe kalamajtë..

Letërsia, si e gjithë jeta e kulturuar, njeh gjithashtu një përshkallëzim talentesh. Nuk mund të jenë të gjithë gjení qysh në vargjet e para. Ka krijuese të cilat luajnë me vargjet e tyre. Shkruajnë shumë bukur, por nuk këmbëngulin për një seriozitet më të madh në këto poezi që mund të bëhen të mrekullueshme. Ndoshta nuk ma keqkupton Alma Basha, Albana Subashi, Kristina Sarma, Alma Dedja, etj këtë frazë. Ka gjithashtu intelektualë të vërtetë e  pasionatë të letërsisë të cilët, ndonëse nuk shkruajnë për vete, dinë të vlerësojnë e të çmojnë poezinë e vërtetë e të bukur. Loja nuk mund të vazhdojë gjatë. Talenti bëhet i tillë kur ai kthehet në punë. Por kur këmbëngul edhe në moshën 50 vjeç të bëhesh poet e shkrimtar, ndonëse deri atëhere nuk ke arritur të botosh as një cikël poetik, apo një tregim me disa faqe në ndonjë gazetë serioze, kjo do të thotë se talenti yt nuk ekziston dhe nuk është ndonjë fatkeqësi e madhe ta pranosh këtë fakt e të merresh me një punë tjetër më të dobishme që të shkon për shtat. Për fat të keq krijuesit e facebook-ut, në mundësitë e shprehjes, nuk kanë shënuar një like ku të shtypet fjala “nuk e pëlqej”, sepse kështu do kishin mundësi autorë të mësonin se nuk dinë të shkruajnë..Heshtja ndaj tyre është edhe ajo e dyshimtë.

Gjithsesi, askush nuk duhet të m’i marri për fyerje këto rreshta, sepse njeriu i ndjeshëm di të mënjanojë edhe dëshira të padobishme!

7 Komente

I shkreti ky qe paska marre persiper te censuroje edhe FB....

perifrazoj sol nocturnus:

O llaqi,

    po c'i ke

               keto

                     mo aman!

Tenge e rende, e na e paska mberthyer  Mihon!

narqoti dikur fukara

sa shum' paska avancuar

dje peshkonte per sevda

sot ben kritike te shquar.................

Qi o qi Qilleri
bën kritik për poezi smiley

Ke shume te drejte Mihallaq. Poetet e Fb jane nazistet e rinj, sidomos kur te bejne tag ca e ca qe s'dine as te lidhin dy germa, qe u tagofshin trurin.

E e keqja me e madhe ama vjen nga fakti qe askush nuk i ndalon. Dikush perton, dikujt i vjen keq te kritikoje, dikush ka frike se komentet do behen terkuze.

Pata kritikuar njehere nje tip se shkruante kodra pas bregut, lajmeroi te gjithe miqte e gjimnazit qe te me thoshin se nuk merrja vesh! Helbete...

Por, ka nje problem tjeter shume me te madh : ky eshte niveli jone, e Qebaptorja e Librit e tregoi shume mire! Keshtu qe forca çuna, "miliardi di artisti e in fabbrica nessuno!"

 

 

mihallaqi pandeh se poetet e poetucet i jane fute ne ujra te vtea. dhe kerrkon nje rregull. por une do doja sikur te na thoshte fillimish, nivelin poetik te miqve te vet ne fb. fundja le ti klasifikoje si buket, p.sh.
buke e bardhe 50.
buke e bardhe 40.
buke e perzier.
e zeze,
misri,
e misri e djeshme.
etj. meqese dikur, gjithe jeten narqotet udhetonin deri ne vlore, vec per nje buke te bardhe.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).