Na ngjau me Ahmet Zogun siç i ka ngjarë një konti me Nastradinin gjerman Til Ulenshpigel. Ky Nastradin i Veriut kishte marrë përsipër me një shpërblim të lartë e të parapaguar të stoliste me piktura kështjellën e një konti. Këtë punë do ta mbaronte brenda në katër muaj por me konditën që në këtë periudhë asnjë njeri tjatër nuk do të hynte brenda në kështjellë që t’i prishte qetësinë.

Katër muajt me rradhë Til  Uleshpigeli ndenji në kështjellë ku hante e pinte e bënte qejf mbi kurrizin e kontit pa bërë asgjë. Kur u mbarua afati, ftoi kontin, konteshën dhe miqtë e tyre të vinin të admironin pikturat dhe dekoret e tij.  Që të shpëtojë e të ikë  para se të zbulohet lodra e tij mejtoi këtë strategjemë: Kur hynë konti dhe kontesha e miqtë e tyre në kështjellë, i paralajmëroi kështu: “Ata dhe ato prej jush që janë doçë e doçe nuk do të mundin dot t’i shohin pikturat e dekoratat që kam bërë”. Kështu hynë brenda në kështjellë dhe cilido përpiqej të lëvdonte pikturat e dekoret nga frika që mos quhej  doç. Vetëm një shërbëtore pasi u përpoq më kot të shohë piktuirat e dekoret thirri: “Ndjesë pastë nëna ime , më ka bërë doçe se unë nuk shoh asgjë”. Po gjersa të guxonin të thoshin dhe të tjerët që nuk shikonin asgjë, Nastradini gjermankishfluturuar ekishvajtur gjetkë për të dekoruar të tjera kështjella.

Kështu e mori përsipër Ahmet Zogu ta zbukuronte Shqipërinë dhe kështu ia mbushi kokën Parlamentit me profkat e tij. Pak kohë pas kësaj, puna doli fyçkë dhe shakaja u kuptua prej të gjithëve. Po më të shumtit nuk guxonin ta thonin nga frika se mos quheshin “tradhëtorë”. Vetëm një pakicë pati guximin ta thotë të vërtetën. Por nuk do të jetë larg dita, kur do t ia këndojnë Ahemt Zogut këngën në këtë formë:

Rroftë Ahmet Zogu, rroftë

Shakaxhiu i përparimit

Brez pas brezi u kujtoftë

si Stërnip i Nastradinit.

(Qeshje të zgjatura dhe duartrokitje nga ana e opozitës. Bërtitje shamate nga ana e deputetëve proqeveritarë).

Kanë të drejtë dhe ata që qeshin dhe ata që zemërohen. Se puna është për të qeshur dhe për të qarë. Nemëni leje tani të përshkruaj, me pak fjalë historinë dhe teatrin, ku Ahmet Zogu bëri dhe vazhdon shakanë e tij. Në konfuzion të përgjithshëm dhe i ndihmuar prej lajthimeve fatale të kundërshtarëve të tij, Ahmet Zogu rrëmbeu fuqinë të cilën po e mban në dorë. Kjo s’është gjë e zorshme për të bërë, po të merret ndër sy që në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive.

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e popullit.

E dytë, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku.

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë dita-ditës si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor; këtu si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet e errëta, të shtrembra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit..

Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e ketyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.
Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofakët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po edhe këmbët e trupin.

Jemi ngarkuar me barrën të vemë urdhër e rregull në mes të këtyre pesë anarkive. Hodhëm një sy mbi problemin e tmerruar që kishim përpara e na u ngjethën mishrat, po s’u trembëm e iu përveshëm punës. Qysh mund të hezitonim e të ndruheshim? A ka ideal më të lartë, se sa të nxjerrësh vendin tënd nga shpella e errësirës, ta shërosh nga plagët shekullore, ta lirosh nga thonjtë e nga gërshërët e hydrës së anarkive? A ka ideal më bujar se sa të krijosh e të vesh një racë të re, të fortë e të disiplinuar, me fenë e detyrës në zemër, me diellin e lirisë në ballë e me flamurin e sakrificat për të mirën e përgjithshme në dorë? Ja një punë për një komb ndërtonjës, për nation-buldier, ja një punë për një trim legjendar, ja një punë për një gjysmë perëndi.

Po këtë punë gjysmë perëndie dhe tiranie e rrëmbeu dhe e mban në thonjtë e tij një shakaxhi i trubull, i cili mbi të pesë anarkitë që ekzistonin shtoi dhe dy anarki të tjera: anarkinë shtetërore dhe anarkinë ekonomike dhe financiare.

Shakaxhiu vazhdon në fuqi, i ndihmuar prej këtyre anarkive dhe i përkrahur prej shokëve militantë, të cilët s’duan të njohën e të ndreqin lajthimin nistor që bënë kur e vunë në krye të punës.

Shakaxhiu, duke parë që shokët mërziten, e ndryshon nga koha në kohë shakanë, e kabineti e partizanët e tij flenë rehat gjersa shohin që shakaja bëhet më e keqe dita me ditën ( … )

Mbetet e mbetet Ahmet Zogu i rrethuar prej kolltukofagësh dhe i qarkuar në shpellën e tij prej mizërie hafiesh e dallkaukësh; mbetet ky shakaxhi që pretendon  oksidentalizëm e liberalizëm, kur ushqen  në zemër të tij idealet më të errëta të orientit; kur shkel liritë e popullit dhe shkatërron arkën e shtetit për të arrirë qëllimet e tij personale. Ne deputetët e opozitës jemi  të shtrënguar ta ndalojmë këtë shaka. Me çfarëdo mënyre. Ndryshe kjo do të jetë shakaja e fundme e Shqipërisë ( … )

 

****

*Fjalim i Fan Nolit më 27 shtator 1923 gjatë sesionit IV të Këshillit Kombëtar ku u paraqit një raport i qeverisë së atëhershme, kryesuar nga Ahmet Zogu. Në emër të opozitës, Fan Noli refuzoi kërkesën për votëbesim. I plotë mund të lexohet në librin “Ligjërime” (1906-1964).

13 Komente

Hiqni emrat e përveçëm dhe autorin dhe diskutimet do ishin pafund për kte fjalim të mrekullueshëm .

Me pak fjale :
Shqiperi e tapejete
keshtu ka qene
e keshtu do jete smiley

Sipas  kesaj Letre, ka kaluar e kalon neper memeorien tone historike .... "Rruga Zogu i Pare"....

Nuk them me shume, ne rrespekt te nje mikut tim

rrofte ahmet zogu, rrofte
shpetitmtar i memedheut,
brez pas brezi mbreterofte
permbi fron' e skenderbeut.

Mrroklle, kjo per ty daje:

Në Stamboll knon fermani
Ka lyp armët Ahmet Begj matjani
Ka lyp armët e i don sak
Se don me i nis për Kardak
Kardak për Mal të Zi
Q’aj Kurt Aga na i ka pri
Q’aj Kurt Aga një burr i kuq
A gajretni në qofshi Turq
Në qofshi turq me imane
Ta përzamë prej knej Dushmanë
Ta gëzojmë vetë t’lumin vatanë
Sahid Aga djalë livere
Fort po e lute at mauzere.

 

Une e di:
Ahmet zogu rrofte e qofte
shpetimtar i memedheut
brez pas brezi u kujtofte
si sternip i skenderbeut..
Zogu ka ca merita ne vitin 1920 thone se vendosi autoritetin e qeverise se kongresit te lushnjes ne shqiperine e mesme dhe ne krye te vullnetareve matjane se bshku me B Currin shtypi kryengritjen e kapidanit te mirdites.

Dhe i njejti autor qe ka bere hinin e mbreterise qe permende me siper,ka bere dhe kengen:

...Se mjaft ne roberi,
o e mjera Shqiperi,
O djem rrembeni pushkete
ja vdekje ja liri...

Autori eshte ministri i pare i Tregetise dhe firmetari i Deklarates se Pavaresise Thanas Floqi.

Personalisht nuk jam ndonje idhetar i monarkise,por dihet qe Noli dhe Zogu me pas u pajtuan dhe u bashkuan per te miren e Shqiperise.Bile Noli ne nje mbledhje qe pati me zyrtaret e departamentit te shtetit ne Boston, ne 1945 deshi te largohej nga mbledhja kur mori vesh se Zogu nuk do te njihej nga Amerika, sepse e konsideronte si te vetmin qe mund te siguronte teresine territoriale te Shqiperise.

Me pas pasi i thane qe Amerika do te njohe qeverin e Hoxhes ai tha OK,shqiptare dhe bij nenash jane dhe ata.Rendesi ka te mos preken kufijte.

Pra kemi te bejme me dy figura shume te medha si Noli apo Zogu qe merren neper goje apo perdoren nga liliputet per qellimet e dites.

Nuk e di por ne kohen e Zogut te pakten liria e shprehjes dhe e demonstratave ishte shume here me e madhe dhe e garantuar me ligj,ndersa ne kohen e babait shpirteror te liliputeve te sotem fjala liri ishte fjale e huaj.
Nuk dua te hiperbolizoj meritat e Zogut ,Konices apo Nolit por keta vec e vec jane ku e ku me lart se tirani qe sundoi deri ne 1990.

Enveri beri shtet serioz megjithese shtet policor.shqiptaret nuk mund te qeveriseshin ndryshe.

Edhe Hitleri,Musolini apo Stalini bene shtete serioze.
Mos duhet ti justifikojme per krimet qe bene?

Lerini keto budallallqe se si do te qeveriseshin shqiptaret.Si i qeverisen ne kohen e Zogut.Ne rre gull.Po pas Enverit?Ne rregull.

stavri1, kot me pyt, ti e ma veten per Guliver kshu?

Shakaxhiu i perparimit qenka barabar,  me kete te sotmin qe thote"jemi vendi dyt pas Gjermanis,per ritmet e zhvillimit ekonomik"!!

Zogu, enveri dhe sala jan praktikisht njofsit me te mire te popllit shqiptar.
Kuptohet nder tga enveri eshte Ati. Kta dy te tjeret bejne trinitetin e shenjt.
Sala I bi te jet "biri" kurse Zogu shpirti I shenjt.
Tosi dhe noli bojn pjese ne klubn e kaurrve qeflinj te buzuqit dhe flautit, shkurt "zurna club"

nuk besoj se mund ti afrohet ndonje shqiptar tjeter Nolit,njeri i kompletuar ne te gjitha fushat,kur lexoj fjalimet e tij kuptoj kurajon qe ka pasur ky BURR kurajo qe tragjikisht u ka munguar shqiptareve te denancojn krimet e regjimeve te pafund ,por me keq jan ngjitur si kerpusha pas regjimeve e me von na shtiren si disident,

ne saj te Nolit Shqiperia u pranua ne Ligen e Kombeve perndryshe do na kishin zhdukur nga faqja e dheut

sigurisht dhe Zogu ka meritat e tij por askush nuk mund ti afrohet Nolit dhe besoj se fati  nuk e ndihmoj  qe Nolit do ishte ber nje gjysem-perendi !

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).