Me të mbaruar dushin ndenjti për një moment para pasqyrës. Dikur rrinte më gjatë duke zbuluar shenjat e reja që linte mbi fytyrën dhe trupin e tij koha. Shqyrtësoi imtësisht buzët e plota dhe qafën ku lëkura e bardhë kish krijuar rrudhat e para aty ku ana e poshtme e nofullës bashkohet me qafën.
Pastaj kontrolloi anët e qafës, nga poshtë veshëve deri aty ku ato bashkoheshin butësisht me supet e gjera dhe akoma të drejta, e vetmja gjë që i kish mbetur kujtim që nga koha kur merrej me not. Vërtet ku ishin medaljet dhe kupat që kishte fituar kur ishte i ri? Kushedi ku i kishte mbledhur e shoqja. Sipas saj kupat dhe medaljet mblidhnin më shumë pluhur këto kohët e fundit. Shpresonte që të mos kishin të njëjtin fat me kallamat e peshkimit. Këta i kujtuan Erën, të cilën e merrte për peshkim sa herë që nuk vinte e shoqja, i kujtuan mbasditet e qeta ku me dritaret e makinës së tij gjysëm të hapura, nga sediljet e pasme dëgjonin zhurmat e lumit, duke pritur të binin kambanat e vogla që kishin vënë në majë të kallamave.
Kur e shoqja mësoi për Erën, nuk i tha asnjë fjalë. Mblodhi të gjitha kallamat e tij të peshkimit prej bambuje dhe i dogji në oborrin e pasëm. I bëri të qartë se nuk kishte për të hipur më në makinën e tij që këtej e tutje. Ai e shiti shpejt e shpejt duke patur në fakt frikën se mos e gjente ndonjë ditë shkrumb. Tani të paktën kalonte ndonjëherë nga shtëpia e blerësit dhe e shihte të parkuar poshtë neoneve që i jepnin një vezullim të akullt, të largët, si peisazhi me borë brenda rruzullit prej qelqi që kishte në tryezën e punës. Nuk gatuan peshk pothuajse dy vjet me radhë. Era iku në një qytet të madh të jugut dhe pak nga pak u harrua.
E përmendi zëri i të shoqes. U bë me parfumin stick rrëzë kofshëve, poshtë sqetullave dhe në lugun e gjoksit, ku sapo kishin filluar të thinjeshin qimet. Pastaj mori në dorë deodorantin dhe krijoi rreth vetes një mjegull aromatike, një farëlloj mburoje me dy kahe, një si aureolë magnetike me veprim të dyfishtë. Kështu jo vetëm nuk lejonte asnjë nga aromat e tij sekrete të dilnin jashtë kësaj sfere të padukshme prej arome, por githashtu nuk lejonte nuhatjen e stërvitur të të shoqes prej shitëseje parfumesh të depërtonte thellë, pothuajse poshtë lëkurës së tij. Në fund, mori shishen opake të after shave-it dhe fërkoi fytyrën dhe qafën.
E shoqja thërriti përsëri dhe ai ndërsa vishte ndërresat e pastra, me aromën prej jodi dhe kripe deti të sapunit të makinës larëse, hodhi për herë të fundit sytë nga pasqyra. Çdo gjë ishte në rregull. Veshi pantoflat dimërore dhe pushi i tyre i rrënqethi në fillim kurrizin e këmbës dhe pastaj të gjithë trupin.
Ashtu i rrënqethur doli nga banja dhe u fut në sallon. Në thellësi, tryeza ish e shtruar dhe në ajër pluskonte e vakët një aromë xhinxheri dhe kanelle.
Puthi të shoqen dhe të birin dhe u ul në tryezë. Filloi të hante pa folur me kafshata të vogla, pa oreks. E shoqja i buzëqeshi dhe i afroi sallatën. Ai i buzëqeshi, por nuk e duroi dot vështrimin e saj hetues. Mori pak sallatë. Buzëqeshi përsëri dhe uli sytë.
Sikur ndjeu në qiellëz një aromë të mprehtë piperi.
Pastaj hëngrën deri në fund pa folur, pothuajse në heshtje dhe atij iu kujtua përsëri qetësia plot pëshpërima mistike e lumit, atëherë kur rrinte atje i përqafuar me Erën, shumë kohë përpara, para se t’i digjnin kallamat e peshkimit. 

 

10 Komente

Une e dua Eren, varianti modern? smiley

Nice, pavaresisht...

Por kjo

U bë me parfumin stick rrëzë kofshëve

S'e dija qe duheshin lyer dhe kofshet me antiperspirant smiley

me kujtoi Fermina Dasen te Dashuri ne kohen e koleres,vetem se ajo e dalloi nga era njerezore e mulatkes...ves i poshter,po s`e ke ne doresmiley

Protagonisti smiley paska qene i dashuruar me Eren smiley 

Shumë frojdian, ky tregimi. 

më pëlqeu.

 

smiley

vetem nje mekatar shkrun kshu smiley

e lexoja dhe admiroja durimin ne perpunim dhe pershkrim te detajit te burrit meso pas dushit, dhe m'u be befas e qarte qe mua me mungon ai durim ne te shkruar.

Flm!

Pjeset e tua pergjithesisht kane nje seriozitet ne kryerjen e punes, qe sot nuk para e gjen. Uroj te lexojme te tjera.

smiley

Emigrant,me fal per vonesen,por nuk futem cdo dite tek Peshku,per arsye te orareve pak te ngaterruara te dites time.Besoj se edhe ty te ka ndodhur ta hapesh laptopin per nje sekonde dhe pastaj te gdhihesh.Prandaj ndonjehere kur eshte shume vone,nuk hyj fare ne internet.
Faleminderit per fjalet e mira!
Tek ky mekatari me "kallama te djegur peshkimi" meqe nuk ka nje histori,nje" subjekt" te dukshem sic jemi mesuar te shprehemi nga koha e RealizmitSoc,e vtmja gje qe mbetet per te thene "gjera" eshte detaji.
Rrofsh edhe nje here per komentin.

para se t’i digjnin kallamat e peshkimit

Më pëlqeu!

Shume bukur,te le nje trishtim te qete me shijen djegese,te tharte por me arome te vecante te xhinxherit.

Era do qaje shume nqs e lexon....

sa bukur! fatmiresisht  nuk  mund  te  na  i  lexojne  mendimet...

 

dhe atij iu kujtua përsëri qetësia plot pëshpërima mistike e lumit, atëherë kur rrinte atje i përqafuar me Erën, shumë kohë përpara, para se t’i digjnin kallamat e peshkimit. 

Ah kto aromat...shume e bukur! smiley

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).