Nuk ka dinjitet kur targat e shtetit tënd duhet të mbulohen me targa të “përkohshme” në një shtet fqinj. Çfare do të thotë “e përkohshme”?

Vitin e kaluar rreth kësaj kohe kam shkruar për dhjetë gjera që do i kisha ndryshuar në Kosovë. Sivjet dëshiroj vetëm një ndryshim.

Presidentja jonë Jahjaga dha një intervistë në dhjetor për Washington Times. Kur e pytën Jahjagen për ardhmerinë e Kosoves, tha që kosovaret duhet të tejkalojnë të kaluarën, të mos mbesin të ngulur në të këqijat e së kaluarës por të shikojnë tek e ardhmja. Mesazhi i saj ishte qëllimisht optimist dhe frymëzues, dhe kemi nevoje për pak optimizëm dhe frymëzim. Por nuk pajtohem me prapavijën e asaj çka tha presidentja.

Nuk kemi nevojë për më pak histori. Kemi nevojë për lirimin e së kaluarës. Arsyetojmë shumë prej bishave tona sociale me “rrethana historike”. Prej këtu rrjedh adhurimi ynë për figura të plotfuqishme (të gjallë dhe të vdekur). Prej këtu rrjedh edhe besimi ynë, nganjëhere i shtirur, për të ecur “drejt së ardhmës”, drejt “Evropës”, drejt “përendimit” – duke “tejkaluar” të kaluarën, thuajse është një shkallë që mund të kapërcehet pa menduar dy herë. Nuk na nevojitët një histori e thjeshtësuar, ku Serbia dhe Kosova janë duke ecur krah për krah drejt Bashkimit Evropian si dy shoqe. Apo një histori ku PDK-ja ka fituar luftën, ku Ibrahim Rugova ka qënë Gandhi  kosovar, apo ku Kosova eshtë simpatia e botës perëndimore. Këto janë tregime që anashkalojnë thellesinë dhe shumëllojshmerinë e kontekstëve dhe njërezve. Janë të lodhshme.  

Dëshiroj një histori të ndërlikuar. Dëshiroj një diskurs publik ku nuk mbizotërojnë vetëm burra të mëdhenj apo intelektualë të pagabueshem. Nëse nuk respektojmë sa të ndërlikuar jemi ne dhe tregimet tona kolektive, jemi të denuar të jetojme në një botë tiranisht të thjeshtë. Në fund të intërvistës Jahjaga tha që jemi duke paguar çmimin e të kaluarës edhe sot. Kjo eshtë e vertëtë, por jo në kuptimin e Jahjagës. Problemi ynë nuk është që ende kemi urrejtje ndaj serbeve. Problemi është që mund të bëhëmi opresiv ndaj vetës tonë, me po ato teknika që janë përdorur për të na shtypur dikur. Kjo shihet në pamundësinë tonë për të kërkuar llogari për plagët e të kaluarës dhe në gatishmerinë tonë për të ripërseritur poshtërsitë e të kaluares. Çka janë targat “Proba” pos ripërseritja e një kohe kur shqiptarët e Kosovës janë trajtuar si problem vetëm pse ekzistonin? Si nuk eshtë kjo ripërseritja e kohës kur të qënurit shqiptar nënkuptonte mijëra turpërime të vogla dhe të përditshme? 

E di që nuk ka qënë ashtu gjithmonë dhe për të gjithë, por jam e bindur që a) ata njërez e përbejnë pakicen, dhe b) koha e “artë” e shqiptareve në Jugosllavi ka filluar me hapjen e universitetit të Prishtinës në 1970 dhe ka mbaruar me protestat e 80’ave. Pas shtypjes, deportimit, luftës e bombardimit, jemi kthyer në një marreveshje që nënkupton marrëdhenien e vjetër. Dallimi eshtë se para luftës e dinim se ajo marrëdhenie ishte ne funksion te okupimit, por tani ka filluar të legjitimohet nga brenda dhe lavdërohet si arritje në bisedime. 

Kjo duhet të na brengos. Bekimi i “Proba” nga njërez që kanë për detyrë të kujdesen për dinjitetin e kosovarëve është brengosese. Nuk ka dinjitet kur targat e shtetit tënd duhet të mbulohen me targa të “përkohshme” në një shtet fqinj. Çfare do të thotë “e përkohshme”? Që në jemi të përkohshëm, bashke me shtetin tonë. Gjërat pa histori zakonisht janë të përkohshme.

Kosovo 2.0

1 Komente

!!!!!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).