Në fund të dhjetorit ishte përvjetori i vdekjes së Gjergj Fishtës; i 71-jti përvjetor. Me këtë rast, Brikena Çabej më ka dërguar një shkrim të të atit, Eqrem Çabejt, të publikuar në kohën që Fishta u nda nga jeta. Është një shkrim që nuk është ripublikuar ndonjëherë. Dhe në veprën e  përmbledhur të botuar në Prishtinë ky shkrim është përjashtuar. Ah po, ka dhe një publikim të dytë, por në gjermanisht me titull "Der Albanische Dichter Gjergj Fishta (1871-1940). Nachruf" në "Südostforschungen"  të Mynihut (nr. 6, viti 1941, f. 635-647). E falenderoj Brikenën, që ma dërgoi këtë shkrim interesant të shkruar nga njëri prej eksponentëve më të rëndësishëm të kulturës shqiptare në nderim të një sivëllai të vet.(M. Nano.)

I rrënjosur thellë në vendin e tij, të cilin e linte vetëm për pak, për t’u kthyer gjithmonë rishtas atje, Fishta fuqitë e tij njerëzore e poetike i thithi prej kësaj toke. Atje te godinë e dytë e Kuvendit, që ndodhet jashtë qytetit të Shkodrës, ku pemë të lashta japin një qetësi të ëmbël, atje jetoi jetën e tij dhe përgjoi frymëzimet e qeta të zânavet. Ai nuk qe asish shkrimtarësh jo aq të rrallë në Ballkan, të cilët më të shumtën e jetës së tyre e kalojnë nëpër qytete të mëdha të viseve të huaja. Ai qe një nga ato natyra të cilat ngrihen e rriten dalngadal prej qarkut të tyre. Në këtë qe një bir i vërtetë i polemit (popullit) të tij dhe bash nga kjo rrënjosje te trualli i vet ai u bë, në një tjetër kuptim sesa Naim Frashëri, poeti kombëtar i Shqipërisë.

Këtij themeli të përbrendshëm të qenies së tij er­dhën e iu shtuan elemente të jashtme që e ndikuan (influencuan) edhe këto drejtimin e veprës së tij. Sëpari dega e fratit qe ajo e cila e bëri, për sa rrojti, predikues në kuptimin më të mirë të fjalës. Sikurse burri e frati dinte e tërhiqte me fjalime frymëplotë, ashtu poeti me fjalën e tij plot besë i dëftoi kombit të vet vlerat etike të tij dhe ndjenjën kombëtare që po lindte. Por dega kishtare pati ndikim edhe mbi punën e tij letrare, në zgjedhjen e lëndës së veprave.

Përveç kësaj duhet përmendur këtu një shtytje e jashtme letrare. Kjo është poezia sllave jugore e sheku­llit të 19-të të vonë e sidomos vepra e françeskanit boshnjak Grga Martić (1822-1905), të cilën poeti e njohu në vend vetë; kjo i shërbeu si një farë modeli. Sikurse ata shkrimtarë po këndonin jetën e fiseve sllave jugore, që janë shpesh herë gjiní me fiset shqiptare të Veriut dhe që kanë shumë herë po të njëjtën mënyrë jetese me këto fise, kështu deshi dhe poeti ynë të bëjë diçka të njëjtë në vend të vet. Themelin e përbashkët poetik e jepte ndjenja epike e jetës, ndjenjë e cila në pjesën dinarike të Sllavëvet jugorë dhe në Shqipëri, posaçërisht në veri të saj, është aq e gjallë sa në pak vise të Europës; kështu poeti, i shtyrë edhe prej temperamentit të tij, u drejtua medoemos nga poezia epike. Në lidhje me këto nuk është ndofta një hasje e kotë që kryevepra e tij quhet Lahuta e Malcís sikurse vepra e Njegošit Gorski vijenac (Kurora e Malit), duke theksuar që të dyja këto vepra në titullin e tyre elementin mal. Nuk duhet atëherë të çuditemi kur te poeti shqiptar dhe te poetët sllavë gjejmë motive, figura e  situata që ngjajnë ndërmjet tyre: si këtu dhe atje në të njëjtin situacion poetik poeti thërret “vashën e malit”, më njerën anë zânën, më tjetrën vilen. Njerëzit ecin shpesh mbi të njëjtën fushë shpirtërore, trimëria është gjëja më e madhe e kësaj bote, dera rri gjithmonë e hapur mikut dhe jeta patriarkale sundon gjithkund në familjen e madhe. Po, edhe nëpër gryka e male dalin po të njëjtat hire. Gjithë këta rrjedh nga që kemi të bëjmë me të njëjtën racë dinarike, e cila rron te ne endé shqiptarisht e atje në trajtë të sllavizuar. Shohim pra se dhe në literaturë na del përpara poajo që ndodh me poezinë popullore sllave jugore e shqiptare, të cilat kanë lidhje të brendshme të ngushtë ndërmjet tyre. Kjo botë nuk mund të jetë krejt sllave, sepse u mungon për një pjesë të madhe Sllavëve të tjerë; e kanë së bashku Shqipëria Veriore e Jugosllavia dinarike (Bosnja, Hercegovina, Mali i Zi.) Do të ketë dalë nga një simbiozë e lashtë sllavo-shqiptare. Mund të kemi të bëjmë këtu me nënshtresën ilire, që mjerisht nuk njihet mirë e që me rekonstrukcione mbrijmë ta depërtojmë vetëm copa-copa, nënshtresë që vazhdon të jetojë me një veshje shpeshherë të sllavizuar. Një term si “Njeriu mala­zias” i Gerhard Gesemannit nuk ka të drejtë të ekzistojë më vete e i izoluar, po qe se e vrejmë, siç është edhe e drejta, në një lidhje të tillë më të gjerë. Kur fise malazeze tipike, si Kuçi e Vasojeviqt, është treguar se para jo shumë brezave kanë qenë Shqiptarë, atëhere per analogiam na dalin pikëpamje të reja përmbi gjenezën e fiseve sllave jugore, lidhje historike interesante me fiset shqiptare dhe përfundime me rëndësi për lindjen e të dy poezive popullore. Nuk mundemi të hyjmë këtu më thellë në këtë çështje. Vetëm nxjerrim këtë, se te reminishencat sllave të Fishtës kemi të bëjmë më fort me një model, me një zgjim, me një shtytje, me një të hequr të vrejtjes drejt pasurive të njëjta te vatra e vet sesa me një ndikim poetik të thellë. Një herë i zoti i vetvetes, poeti rrahu me fuqit’ e veta e gjer në fund atë rrugë që pat filluar sëpari.

Më 1905 dolën pesë këngët e para (bleu i I) të kryeveprës së Fishtës Lahuta e Malcís, vitin tjetër bleu i II me katër këngë. Ai vazhdoi e punoi përhera më te dhe e botoi më 1937 në formë të plotë me 30 këngë. Qe her’ e parë që një poet po përpunonte jo më epopenë kombëtare tradicionale të Skënderbeut, por ngjarje nga historia më e re e Shqipërisë. Ajo kohë e ndritur e historisë shqiptare pat frymëzuar para tij dy shkrimtarë. Jeronim de Rada (1814-1903), i dalë nga kolonitë shqiptare të Kalabrisë, e pat madhëruar atë kohë me mallin e të mërguarvet e në frymë romantike, me stil baladesk e në disa pamje epike të konceptuara nganjëherë madhërisht e që kanë pak lidhje midis tyre. Te këto Skënderbeu vetë del vërtet rrallëherë në shesh, por ze me gjithë këtë vendin qendror, rreth të cilit grumbullohen figurat e tjera. De Rada duke u mbë­shtetur në këngët e moçme historike të Shqiptarëve t’Italisë që patën ikur nga rreziku i Turkut, pat dashur të rindërtojë një epos të Skënderbeut dhe ta mbushte me fytyra historike e të trilluara burrash e grash, të ngjallte kështu sërish një kohë heroike. – Njëkohësisht me de Radën në Itali, në Shqipëri një tjetër romantik u përpoq të përbluajë këtë lëndë: Naim Frashëri. Mungesa e pikave kulmore epike, përpjekja për një fill historik të paprerë të kallzimit e bëjnë veprën e tij, e cila mban titullin karakteristik Istori e Skënderbeut, më shumë një histori në vjershë sesa një epos. Naimi nuk qe lindur për poet epik dhe ndikimi i poezisë perse qe bash i përshtatur për ta bërë veprën e tij disi të gjatë. Përveç kësaj, qëllimi i këtij idealisti të madh, në një kohë kur Shqiptaria jashtë Atdheut po luftonte për çlirimin e Kombit prej zgjedhës turke, nuk ka qenë krijimi vetëm i një vepre arti. Arti u merrte për diçka më shumë, për një vepër etike-kombëtare, për lartësimin e zgjimin e shpirtrave me anën e shembëllit të naltë të trimit të kombit. E këtij qëllimi poeti ia mbriti më së ploti. – Përveç kësaj një epos i Skënderbeut duhesh a priori të dështonte, sepse një largësi e madhe, plasa e çarë nga sundimi i gjatë turk, e ndante tashmë shtatin e heroit dhe kohën e tij prej ndjenjës së re të polemit, dhe vetëm në kohët e fundit ai është ringjallur mirë te kjo ndjenjë. Këtu do të qëndrojë midis së tjerash edhe një shkak i brendshëm, që edhe veprat epike me një ethos aq të lartë të de Radës e të Naim Frashërit u desh të thyheshin më së fundi te natyra e kompleksit të lëndës.

Këtu fillon Fishta me instinktin e drejtë të poetit. Ai mjaft të zhytej në histori të kombit për të mbushur plot të dy duart. Këtu po luftonte një popull vërtet ndryshe simbas fiseve e krahinave, por duke dëshmuar gjithkund e gjithmonë mblacën e njënjëjtë etnike. Në qoftë se nuk ka ndodhur më kot që burri më i madh i historisë së këtij kombi është një luftar, këtij kombi iu desh të tregohej edhe në sjelljen historike më të vonë të tij i denjë për atë burrë. Por atëhere do t’u çfaqte përhera dhe anonim poai shpirt që pat frymëzuar dikur Kastriotin për veprat e tij. Ky shpirt vlente atëherë të këndohej prej një poeti kombëtar: ky poet doli me Gjergj Fishtën. – Andej detit, në Siqeli, një tjetër krijoi një vepër kësodore. Zef Skirói (1865-1927) ka kënduar te poemi Te dheu i huaj jetën epike shqiptare qysh prej kohëve të lashta të ngurimit te ndërtimi i Kalasë së Shkodrës, nëpër kohën ilire e nëpër kohën e Skënderbeut gjer te mërgimi i Shqiptarëvet për në Itali e duke zbritun gjer te Ali Pashë Tepelena.

Fishta zgjodhi për lëndë luftat drejtpërdrejt të gjalla të çlirimit nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe nga fillimi i këtij shekulli gjer te lufta e Ballkanit dhe te konferenca e Londonit, në të cilën u njoh pavarësia e Shqipërisë (1913): shkurt pra kohën para dhe pas kongresit të Berlinit, i cili në mospërfillje të plotë të së vërtetës i bëri të padrejtë këtij kombi të vogël. Simbas vendimit të këtij kongresi këndi veriperëndimor shqiptar duhej t’i jepej Malit të Zi. Mirëpo për atë që mësëfundi e pranoi Perandoria Osmane, nuk deshën të dinë gjë një grusht malsorësh dinarikë; këta deshën më mirë të kundërshtojnë. Këto ngjarje dhe të tjera kësodore të një natyre më shumë lokale përbëjnë bazën historike për veprën epike të Fishtës. Merita e tij artistike është sesi ai bëri prej kësaj një epope kombëtare. Kjo epope nganjëherë i kalon kufitë e shqiptarisë, duke qenë njëkohësisht në një farë kuptimi edhe një epos ballkanik: përbri Shqiptarëvet dalin Malazestë, të cilët poeti i bën të rrojnë e të lëvizin krejt si Shqiptarë, Osmanët luftojnë, për të ruajtur Gadishullin e Ballkanit, me Rusë, me Sllavë të Ballkanit e me Shqiptarë, gjersa pas luftës ballkanike dëbohen nga ky truall. Gjeneralët e mëdhenj të ushtrisë turke të asaj kohe na dalin përpara. Historikisht drejt dhe me ndjenjë psikologjike të hollë na përshkruhen edhe intrigat e diplomacisë europiane. E gjithë këto të shikuara nga pikëpamja naive e Malsorit, çka i jep veprës tërheqjen e veçantë të një primitiviteti jo të kërkuar. Kështu mbretërit europianë janë, simbas besimit të Malsorëve, “të shtatë krajlat”: ata mbajnë mbledhjet e tyre sikurse Malsorët në kuvend, dhe flasin në gjuhën e thjeshtë të këtyre.

Përsa i përket arkitekturës se jashtme të saj, Lahuta e Malcís, e cila përshkruan luftat e dy brezave, nuk është një vepër krejt e njënjënjtë me një veprim të vetëm të madh që ta përshkonte nga kreu e gjer në fund. Ajo është më fort një varg këngësh epike, prej të cilave çdo grup përshkruan një ngjarje historike. Ndërmjet është ndërlikuar nga ndonjë këngë e vetme, e cila përshkruan një episod të vetëm që qëndron më vete, ose na largon e na shpie në botën e larme të përrallave, kështu që te ky poet bota e vërtetë dhe bota mbitokësore përzihen lirisht me njera-tjetrën. Po të krahasojmë formën e parë, shumë më të shkurtër, të veprës me trajtën definitive të vitit 1937, shohim përpjekjen e poetit për të shtrënguar disi lidhjen e dobët ndërmjet këngë e këngë, herë duke ndruar rendin e parë të këngëve, herë duke shtuar këngë të reja të krijuara më vonë, për të mbushur kështu plasat e para e për të dhënë një pamje më të plotë. Vepra ka fituar kështu mjaft në rend historik dhe në njësi veprimi. Të kishte rrojtur Fishta më shumë, do të kish shtuar ndofta, në këtë kuptim, edhe këngë të tjera. Por në themel nuk ka qenë qëllimi i tij të krijojë një poem me një veprim kryesor të vetëm dhe me një hero kryesor. Sepse përbri heroit të këngëve të para Oso Kukës, në këngët e vona spikatin trima të tjerë: Ali Pashë Gucija, bajraktari i Hotit Dedë Gjo’ Luli, patrioti i Jugut Abdyl Frashëri, sokolesha Tringa dhe të tjerë trima – trimi plak Marash Uci i këngëve së para na del rishtas në mbarim të veprës – sëfundi gjithë polemi i Malsisë është heroi anonim i veprimit epik.

Vepra e Fishtës i ka rrënjët në tokën e në jetën popullore të Shqipërisë, ajo nuk do t’ishte çka është pa rrojtjen e thellë të vendit nga ana e poetit, dhe nuk mund të kuptohet pa njohur vendin dhe njerëzit e Shqipërisë. Veçse ç’i fali vendi poetit, ky ia përligji në trajtë të fisnikëruar të artit. Sepse vepra e tij u bë pasqyra besnike, fytyra e kthjellët e gjithë vërtetësisë etnike, trimërisë së ashpër, burrërisë luftarake, krenarisë raciale që ka mundur të ruajë gjer sot jeta shqiptare. Poemi i bëri për vete gjithë këto sub specie aeternitatis dhe përbën pra, përtej artit, një dokument etnografik të jetës shqiptare. Kësaj i përshtatet edhe forma e përjashtme e poemit, stili i të cilit është burr­nor e i vrazhdë, gjuha kokërr e larg çdo ëmbëlsie të tepruar. Shprehja gjuhësore është krejt e njëllojtë me të folurit e malsorit, dhe mund të merret si gjuhë e posaçme e një shtrese luftarësh. Kemi të bëjmë këtu me një gjuhë letrare të krijuar prej poetit vetë, e cila si e tillë është gjuha e naltë, por njëkohësisht gjuhë popullore, e  njëjtë me gjuhën e përditshme. Kjo është karakteristika e këtij stili epik të veçantë, krijuesi i të cilit është Fishta: te ky stil do të mbështetet medoemos, me hir a me pahir, çdo krijim a përkthim epik i paskëtajmë në gjuhë shqipe, e sidomos në gegërishte.

Si ka vepruar poeti me lëndën e tij? Fishta ia nisi njëherë nga trualli i vet më i ngushtë: nga Malsia e Veriut me qendër simbolike Shkodrën, atë qytet të lashtë të Shqipërisë që pat qenë në kohë të moçme kryeqyteti i një mbretërie ilire dhe ka formuar edhe në historinë e mëpastajme të vendit një qendër rëndimi. Për spikatjen e veprimit, një prapaskenë e tillë plot traditë ka patjetër rëndësi kryesore. Grumbullin epik të poemit e përbëjnë Dinarikët e vrazhdë të këtij vendi, nga mesi i të cilëve dalin dalngadal trimat kryesorë. Themelin shoqëror e formon fisi me jetën e përditshme të tij, siç na çfaqet te Kanuni i Lek Dukagjinit mble­dhur prej të ndjerit Atë Shtiefen Gjeçovi. Kjo është jeta e familjes së madhe të pandarë me pushtetin atëror (patria potestas), jeta e ndarjes së punës, e prerjes së flokëve të fëmijës, e mikpritjes dhe e vëllamisë (probatinisë) së shenjtë, e nderimit ndaj pleqve, jeta e besës, besë burri dhe besë fisi. Është një jetë lufte me armët përhera në brez, me t’u ruajtur përgjithherë nga armiku, me marrje të gjakut ose me gjak të blerë ose të falur bujarisht, me nderim trimash, me këngë kreshnikësh e me ligje (vajtime). Nuk na takon t’i përflasim poetit që ka marrë për lëndë të poemit të tij një trevë njerëzore gjeografikisht kaq të ngushtë; sepse te kjo botë e përshkruar prej tij njohin vetveten jo vetëm Malsorët e Veriut, por gjithë banorët e maleve shqiptare, ata të Verilindjes (Kosovë), të Lindjes (Dibër) e të Jugperëndimit (Labërí). Gjithkund këtu sundon, ku më fort ku më pak, jeta fisore dhe Kanuni i pashkruar. Atje ku kjo jetë, sikurse në fusha e në qytete, është zhdukur, ka ekzistuar dikur dhe ruhet sot e gjallë sëpaku në ndjenjë të gjindes. Është pra njësia shqiptare, shpeshherë e panjohur, e cila ndrit së poshtmi më çdo anë. Atëhere nuk duhet t’ia marrim poetit për të keq, por duhet t’ia dimë përkundrazi për të mirë, që mori e përvetësoi gjithë të thjeshtën, të moçmen, të paprishurën atje ku e gjeti të ruajtur më mirë dhe që e ngriti në sferën e poezisë. Kritika letrare fisore e Josef Nadlerit mund të zbatohet bash te Fishta shumë mirë. Sepse Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar te njësia më e madhe e kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe ia mbrin te Abdyl Frashëri në Lidhjen e Prizrenit. Duket qartas përpjekja e tij të zgjerojë dalngadal botën e ngushtë të këngëve së para duke shtuar pjesë me një brendi më fort nacionale, të ngrejë kështu veprën në sferën kombëtare. Kështu vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar. Te ky e kaluara dhe e ardhmja e këtij kombi janë pjekur fatalisht në një pikë simbolike me njera-tjetrën.

Thamë më sipër se te Fishta është kapur jeta e popullit dhe se kështu vepra e tij është bërë një pasqyrë besnike e folklorit shqiptar. Kjo rrjedh nga njohja e mirë e zakoneve të vendit nga an’ e poetit. Ky element popullor e përshkon veprën e tij aq fund e krye, sa që për të vërtetuar këtë nuk ka nevojë për shembuj të veçantë dhe janë përkundrazi shumë më të rralla ato pjesë në të cilat nota popullore nuk sundon kryekëput. Vetëm kësisoj spjegohet që – siç i rrëfente njëherë i ndjeri poet shkruesit të këtyre rrjeshteve – kur iu këndua disa malsorëve një copë e veprës, këta bënin be se ç’kallëzohej atje qe e vërtetë, sado që bash ngjarjet e përshkruara në atë copë ishin të trilluara prej poetit. Kjo do të thotë se ç’këndohesh atje nuk kishte ndodhur vërtet, mirëpo qe poetikisht e vërtetë. Krejt toni që përshkon këtë poem, pasqyrimi i gjallë i jetës së përditshme të popullit, i besimit dhe i zako­neve të tij, i jep këtij poemi vlerën e një eposi të vërtetë. Për kryetrimin Oso Kuka poeti rrëfen “thonë me këmishë e bani nana”, ashtu siç beson polemi për trimat e moçëm; për trima të tjerë të fortë, shqiptarë e malazes, ai këndon sesi paskan lerë me tri, po edhe më shtatë zemra. Luftarët u besojnë ëndrrave, të cilat u lajmojnë vdekjen. Luftë e paqë e shohin në shpatull të berrit. Burrat rrinë të mbledhur rreth sofrës dhe djemtë e rinj pas darke fshijnë armët. Përnjëherë ngrihet atëhere një këngëtar dhe këndon trimëritë e kreshnikëve përrallorë, duke i nxitur dëgjuesit për vepra të reja. Një luftë mbaron keq, sepse u fillua një të premte në vend të së martës. Të pa-armët nuk vriten. Vëllamia është e shenjtë: në zjarr të luftës dy vëllamë njihen, njeri Shqiptar e tjetri Malazias, përqafohen e përtëritin miqësinë. Dasmat bëhen sipas zakonit në vjeshtë.

Si t’jenë mâjë skjept edhè deshtë,

E t’jetë pjekë rrushi në vneshtë.

Natyra e përvujtur, e shtruar e amvisës na çfaqet në ato vargje në të cilat Orët u shtrojnë trimave darkën përjashta:

Atà darkë sande s’kan ngrânë;

Para darkësh pse atŷ kan rranë,

E as s’i kan nuset e veta,

Qi atŷ bukën m’u a gatue.

Edhè tryezen me u a shtrue.

M’kâmë me u ndêjë gati me ujë.

Për të rinjtë e të rejat që vdesin të pamartuar bëhet “dasma e të vdekurit”, përhapjen e së cilës ndër popuj të Ballkanit e ka studiuar Muşlea. Kështu te Lahuta Tringën e vdekur Zânat e veshin me petkat më të bukura, e nisin nuse dhe e venë kështu në varr. Armiku vret në bjeshkë një bari të ri: sipas zakonit e qan e motra e i thotë se pat dashur ta martonte me një vashë të re dhe se tani po e martoka me dhe të zi. Veçse gratë nuk dinë vetëm të vajtojnë me ligjë: nëpër male ka nganjëherë çika të veshura si burra e me armë në brez, që dinë të luftojnë edhe të vdesin trimërisht. Një kësi tipi Fishta e ka përjetësuar te figura elegjike e Tringës.

Edhe besimi popullor na paraqitet i pasur te kjo vepër. Nëpër male e livadhe, ndër gryka e përndëndhé jetojnë Zâna, Ora, E bukura e dheut, “të Mirat”, Shtoizavallet lodruese. Dragojtë trima luftojnë me fuqi elementare, me kulshedrën me shtatë krerë, nëpër ujra po lëvizin Floçka e Kshetza, shtrigat shkojnë kaluar mbi breshka të stërmëdha, lugati jermon me bisht të zjarrtë ndër net të gjata dimri… Bota e lashtë e e zbehtë e përrallave po na ngjallet rishtas, e nxjerrë në jetë me magji prej një poeti të vërtetë.

Po shohim pra se po deshëm të zbërthejmë veprën e Fishtës me anë të disa “gurrave”, po ndeshemi më së fundi te poezia popullore. Ndikimi i saj nga kreu e gjer në fund është aq i thellë, sa Fishta na del një poet po­pullor i vërtetë dhe Lahuta e Malcís ka karakterin e një poezie popullore të thjeshtë; duket si një varg këngësh popullore më të gjata. Përkundrazi, disa këngë, në të cilat tingulli popullor është goditur veçanërisht mirë, po sillen tashmë nëpër gojë të popullit dhe janë bërë kështu, sikurse ndonjë këngë e Naim Frashërit dhe e Lasgush Poradecit, këngë popullore të vërteta. Që forma e jashtme, masa e vargut është popullore: është ai metër trokaik katërkëmbësh, tetërrokësh, i cili në këngën popullore shqiptare sundon përmbi të gjitha metret e tjera lokale. Kështu vargjet e Fishtës puthen në vesh të dëgjuesit me masa të zakonshme popullore dhe tingëllojnë, qysh në rrjedhjen ritmike të tyre, po­pullore e të njohura. Këto vargje mund edhe të këndohen me melodi popullore të Veriut ose me melodi labe të Jugut, pra janë bërë, po t’i shikojmë edhe nga kjo anë, poezi e gjallë. Frymës së poezisë po­pullore poeti i falet edhe në aliteracionet e shpeshta, të cilat në gjuhë shqipe na dalin në të thëna të moçme me çifte fjalësh. Simbas gjurmave të poezisë popullore janë edhe asonancat në vend të rimës, në të cilat rimojnë vetëm kon­sonantet e jo më vokalet. Popullore janë dhe përsëritjet e shpeshta të vargjeve ose të një rrjeshti të tërë var­gjesh, si edhe inversionet e plota ose përgjysmë si p.sh.:

Me msŷ anmikun pa u frigue,

Pa u frigue, po, me msŷ anmikun,

ose

Por at fjalë mue mos m’a thuej,

Mos m’a thuej as mue as kurrkuej.

 

Pastaj Fishtës sikurse dhe poezisë popullore i pëlqen pyetja retorike:

Pater Gjoni, Zot! ç’u bâ?

Fill te Pasha po kisht’ rrâ.

pastaj hiperbolat me numra të rrumbullta si bie fjala “tetqind taborre” për “shumë ushtri”. Një tjetër gjurmë të poezisë së popullit e gjejmë te ato fillimet e një kënge me një pamje të marrë nga natyra, fillime të shpeshta në poezi popullore:

Këngë gegërishte:

Lulzoj pjeshka, lulzoj thâna:

Nrecë Bardhokun kû e kaa nâna?

(V. Prênnushi. Kângë pop. gegn. 44)

 

Fishta:

Buloi molla, lulzoi thâna,

Rrustem Uken kû e ká nâna?

Një vrragë tjetër të poezisë popullore e shohim edhe në mënyrën e krahasimeve të shpeshta epike. Ndër këto, përveç atyre të zakonshmevet, që janë bërë traditë qysh prej epeve inde e homerike, nëpër poezitë epike të Perëndimit, gjejmë krahasime që janë marrë nga poezia e popullit ose që sëpaku janë mbrujtur në frymë të saj. Kështu ndeshim shpesh në krahasime të marra nga jeta baritore shqiptare, nga sfera e gjahut, nga natyra, nga bota e shtazëve t’egra dhe e shpendve rrëmbyes. Poetit ia kish ënda t’i zvargte të gjera, të ndiqte fillin e nisur të krahasimit gjer në konsekuencat më të mbrame, jo vetëm, por nganjëherë ndërlikon brenda te një krahasim një krahasim të ri. Përveç këtyre, ndikimin e poezisë popullore e shohim edhe në formën e brendshme si dhe në stilin e veprës. Kënga popullore shqiptare dallohet nga kënga e kombeve fqinj në shkurtësinë e saj pregnante, në  ndërtimin dramatik në vend të gjerësisë epike, në veprim të shpejtë në vend të përshkrimit, gjë kjo që formalisht çfaqet në dialogët e shpeshtë. Kjo këngë popullore qysh prej fillimi, përsa mund ta ndjekim historikisht – në këngët e shekullit të XV të Italo-shqiptarëvet – ka karakter baladesk. Po ta këqyrim nga kjo anë poezinë epike të Fishtës, vrejmë një puthje formale të plotë me poezinë popullore. Përshkrimet janë hedhur me vija të shpejta e të shkurtra, veprimi vjen pas veprimit, dialogët janë mjeshtërisht të shkurtra e të gjalla, përshkrimi i jashtëm i njerëzve bëhet më fort shpejtas me një metaforë popullore. Asgjëkund poeti i shkathët nuk ndalet gjatë, vepra e tij është vepër epike me një ndërtim gati dramatik. Te heronjtë ndjejmë shpirtin jo aq ëndërrimtar, të aftë më fort për veprime, të njeriut dinarik: thjesht shqiptare është edhe mungesa e çdo mundimi spekulativ mendor. – Edhe gjuha, siç e çekëm më sipër, sjell pjesën e saj në karakterin popullor të veprës. Ajo përdor në dukje pa ditur, por në të vërtetë me dije të plotë e me dorë mjeshtri, arkaizma, solecizma, fjalë e thëna popullore. Poeti zbret poshtë te populli, merr ujë te gurra e gjuhës së tij. Thonë se ai pyeste shpeshherë malsorë për fjalë të rralla e bukurkumbuese, të cilat i përdorte pastaj te Lahuta. Këndej spjegohet për një pjesë të madhe përshtypja e freskët dhe e gjallë e kësaj vepre. – Por përveç kësaj poeti ka marrë nga ndonjë varg a ndonjë strofë prej këngëve popullore, nganjëherë edhe ndonjë këngë të tërë, dhe i ka përlidhur në veprën e tij. Ai i krihte ato ku i dukej mirë dhe i sillte kështu në trajtë të fisnikëruar. Ato strofa mallkimi të Oso Kukës kundër Knjaz Nikollës të Malit të Zi, atje te kulla e Vraninës, janë marrë besnikisht nga një këngë popullore shkodrane. Një këngë e vjetër ushtarësh janë ato vargje me të cilat u falet shokëve Mican Leka i vrarë:

Këngë toske jugore [1] :

Mbeçë, moré shokë, mbeçë

Përtej urën e Qabesë.

Të m’i falei nënésë,

Të dy qetë të m’i shesë.

T’i apë nigjá së resë.

Ndë pjetë nëna për mua,

T’i thoi se u martua;

Ndë thëntë, seç nuse muar,

Tre plumba ndë krahëruar,

Gjashtë ndë këmbë e ndë duar;

Ndë thëntë, seç krushq i vanë,

Sorrat e korbat e hajnë.

 

Fishta (Këngë e 18, f. 211):

Amanet, o shokë të mí,

Neper Dardhë kur të kaloni,

Armët e mija barrë t’i çoni,

N’oborr t’kullës edhe t’m’i lshoni,

Nânës as tatës mos m’u kallxoni

Pse janë t’vjetër e i verboni.

Ne pëvetët nana për mue,

Thoni: djali t’âsht martue!

Në pëvetët se ç’nuse muer:

Muer nji plume në krahnuer!

Ne u pëvetët se ç’darsmorë pat:

Pat tre korba ndêjë për ngiat!

Ne u pëvetët se ç’zoja kndojshin!…

Orrla e sorra m’tê po rmojshin!…

Këtu shohim sëpari vrragën e fortë të poezisë popullore te Fishta, sëdyti njësinë shpeshherë të injoruar të poezisë popullore shqiptare, njësi e cila na del prej identitetit të variantes së Jugut e të variantes veriore që duhet të ketë shërbyer si gurrë për trajtën që i dha kësaj kënge Fishta. – Prej poezisë popullore është marrë dhe kënga e bukur e trimit thjesht shqiptar, gati kombëtar Gjergj Elez Alija, i cili me emrin e tij shqiptar ka shtegtuar gjer në Bosnjë e në Maqedoni. Për të shpëtuar nder e vatër, ky lufton luftë të gjaktë me Harapin vigan “që kishte dalë prej detit”. Është një gjë posaçërisht tërheqëse të krahasosh – edhe në shkollë – këngën popullore me trajtën që i ka dhënë asaj poeti. Po përveç kësaj, kjo këngë madhështore e popullit, në të cilën në frymë thjesht ballkanike motra ruan të vëllanë që lëngon, ka lënë dhe një tjetër gjurmë në poemin e Fishtës, në faqet 313, 314, 317, 318 të këngës së 22 të titulluar Tringa. Situacioni te Tringa e te i vëllai i varruar për vdekje është identik me situacionin e poezisë popullore, disa vargje e disa mënyra të thëni janë marrë të pandryshuara ose me shkurtim të numrit të rrokjeve. – Por edhe figurat vetë të heronjve dhe mënyra se si sillen në luftë i përshkon poajo frymë epike që gjejmë ndër këngë kreshnikësh të Shqipërisë Veriore. Këto të fundit përbëjnë, siç dihet, atë qerthullin epik të dy vëllazërve trima Muji e Halili, visar i përbashkët i Shqiptarëve dhe i Sllavëve Jugorë. Sikurse në poezinë popullore shqiptare, këta përfaqësues të burrërisë muslimane-shqiptare luftojnë me Shqé ortodoksë, kështu poeti i bën trimat të përsëritin të njëjtën luftë me të njëjtin armik në një të tashme të përmendshme historike. Dhe sikurse kënga popullore simbas fjalës së vjetër “Trimin vrae, po mos e sha” nuk ia ha hakun trimërisë së armikut, kështu poeti përballë trimave shqiptarë nxjerr përpara po me të njëjtën vlerë trimat malazes, kundër heronjve të vet Mark Milánin e të tjerë burra sllavë të së njëjtës peshë. Shohim pra se të dhënat etnike-shoqërore kanë mbetur në themel gjatë shekujve poato, se si bota e gojëdhanave vazhdohet organikisht në histori të re e në poezi të saj. Fishta është mbase këngëtori popullor i mbramë, ndofta më i madhi, e jo më anonim, i qarkut të këngëve kreshnike të Mujit e të Halilit.

Kjo është përgjithësisht vepra epike e Fishtës. Ajo mbështetet pa dyshim mbi një themel popullor, te fryma e poezisë popullore. Veçse pjesën e kësaj nuk duhet ta çmojmë tepër lart. Lahuta e Malcís është sëfundi vepër vetiake e poetit, vepër arti e plotë, e përsosur dhe e përkryer në vetvete.

Tani poeti na la. Te të gjithë ata që e patën njohur, vdekja e poetit dhe e njeriut ka lënë një vrragë zie të thellë. Burrë me pamje madhështore, qe në të folur i dashur dhe i kthjellët, mik i kallzimeve të këndshme, aq tërheqës si njeri sa ka qenë origjinal e i madh si shkrimtar. Një dritë jete homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si në të theksuar të vlerës së individit, si në ndërlikim të hyjnisë në jetën njerëzore, si në dukje të Zânave që u përgjajnë Dianës e Atenës, si sëfundi në përshkrim të figurave heroike dhe të një bote e cila të tërheq me thjeshtësinë e saj heroike. Kjo vepër ka për të rrojtur më shumë se poeti dhe ka për të treguar përtej nëpër kohë atë frymë të veçantë të popullit që ai këndoi. Për këtë popull vetë është dhjata e shtrenjtë e poetit lënë trashëgim

… nipnís

S’kohve t’vona enè për t’lé.

[1] Hahn, Albanesische Studien II 127 e 140. Hahni thotë përmbi këtë “këngë të moçme e mjaft të përhapur mbi vdekjen e një ushtari të ri shqiptar”: “Gjithëky mendim gjindet te një këngë greke kleftësh te Fauriel, Chants populaires de la Grèce, I, Nr. 9:

Ἄν σ̕ ερωτῆσ̕ ἡ συντροφιὰ τίποτε γία ἐμένα

Να μὴν  εἰπῇς πῶς χάθηκα, πῶς πέθαν ὁ καϊμένος,

Μόνον εἰπέ, πανδρεύθηκα σ̕ τὰ ἔρημα τὰ ξένα,

Πῆρα τὴν πλάκα πενεθέραν, τὴν μαύρην γῆν γυναῖκα

Κί̛ αὐτ τὰ λιανολίθαρα ὅλα γυναικαδέλφια.”

ResPublica

5 Komente

Uau, cudi si nuk e paska komentu njeri kete studim te shkelqyer te Cabejt per Fishten. Rrofsh Monda.

Gjergj Fishta qendron ne piedestalin ma tnalt te letersis shqiptare. Asht poeti ma universal qe ka njoft shqipnia; di te bashkoje fushen me malin, malsorit me qytetarin, te krishterin me muslimanin, te lidhe te shkuaren me te tashmen, lirin me roberine, femren dhe mashkullin... 

Eshte shume e trishtueshme qe ai vazhdon te marre vend dytesore ne tekstet shkollore dhe letrat shqipe ne pergjithesi. Me ne fund ashtu sic thote Aurel Plasari, Gjuha shqipe ka me nevoje per Fishten sesa ka ai per gjuhen shqipe. 

Ndersa i madhi Faik Konica thoshte se ”Kot përpiqën grekët e sotëm të gjejnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotësuar se "Lahuta"

Une shpresoj shume qe shqiptaret, historianet dhe kritiket letrare te bejne punen e tyre per ti dhene atij vendin e merituar ne historine e kombit dhe letersise shqiptare. Ne kemi nje histori te mbushur me raste te panumerta ku i "varrosim" dy heresh herojn kombetare te tille, nje here kur vdesin dhe nje here kur i harrojme, por do ishte gabim i papranueshem nqs kjo ndodh ne rastin e Fishtes. 

‎"Ma i madhi shkrimtar i shteteve te Ballkanit asht poeti Franceskan At Gjergj Fishta. Mendjes se fuqishme te ketij njeriu Shqiperija i ka detyre poezite ma te bukura epike, lirike e dramatike." (Giovine Europa, 9 Prill 1919)

Shkrimi shume interesant. Me pelqeu shume pjesa ku tregon pershtatjen e Ures se Qabese

Këngë toske jugore [1] :

Mbeçë, moré shokë, mbeçë

Përtej urën e Qabesë.

Të m’i falei nënésë,

Të dy qetë të m’i shesë.

T’i apë nigjá së resë.

Ndë pjetë nëna për mua,

T’i thoi se u martua;

Ndë thëntë, seç nuse muar,

Tre plumba ndë krahëruar,

Gjashtë ndë këmbë e ndë duar;

Ndë thëntë, seç krushq i vanë,

Sorrat e korbat e hajnë.

Fishta (Këngë e 18, f. 211):

Amanet, o shokë të mí,

Neper Dardhë kur të kaloni,

Armët e mija barrë t’i çoni,

N’oborr t’kullës edhe t’m’i lshoni,

Nânës as tatës mos m’u kallxoni

Pse janë t’vjetër e i verboni.

Ne pëvetët nana për mue,

Thoni: djali t’âsht martue!

Në pëvetët se ç’nuse muer:

Muer nji plume në krahnuer!

Ne u pëvetët se ç’darsmorë pat:

Pat tre korba ndêjë për ngiat!

Ne u pëvetët se ç’zoja kndojshin!…

Orrla e sorra m’tê po rmojshin!…

Flm per prurjen

"Te heronjtë ndjejmë shpirtin jo aq ëndërrimtar, të aftë më fort për veprime, të njeriut dinarik: thjesht shqiptare është edhe mungesa e çdo mundimi spekulativ mendor."

Meqense artikulli s'le hapesire per koment :

Bravo Fishtes, bravo Cabejit qe e kane kuptuar, bravo polemit konservativ shqiptar qe ka ruajt traditen shume shekullore... Mungesa e mundimit spekulativ mendor, Cabej e cek terthorazi, qendron e qendis te vete gjuha shqip. I mungon trajta "what if?", ajo e sofisteve, ajo e baballareve te demokracise.

Nuk e kisha lexuar. Nje analize letraro-artistike,  sikur me vaj e kenge bashke, per poetin.Ku te le kohe marrezia e te marrit tone te kendoshe Fishten, me gjuhen dhe mendjen brilante te Çabeut.Nje permendore  e ngritur me force fjale, nga ky personalitet i larte i gjuhesise, per nje figure si e Fishtes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).