Ai ishte prokurori i duhur, nëse kjo që është në pushtet do të ishte vërtet, “qeveria e duarve të pastra” siç kishte premtuar në 2005, kur erdhi në krye të qeverisjes së shqiptarëve.

 Njëri prej përfaqësuesve më të njohur të akuzës shqiptare dha dje shpirt në një klinikë të Bergamos në Itali, pas një muaji lëngate. Xhevat Hana nga mbrëmë është një “armik” më pak në listën e tyre që nuk e donin nëpër këmbë dhe që në të gjallë të tij e kishin shtyrë deri në zgrip traumash morale, profesionale dhe shpirtërore. Por për shumë është një mik me M të madhe, që tregon se i miri prandaj qëllohet, sepse nuk mund të jetë kurrë i keq. Rasti i ish-prokurorit Xhevat Hana është një ilustrim i pastër i asaj se çfarë nëpunësi kërkon shteti aktual. Ai ishte prokurori i duhur, nëse kjo që është në pushtet do të ishte vërtet, “qeveria e duarve të pastra” siç kishte premtuar në 2005, kur erdhi në krye të qeverisjes së shqiptarëve. Sepse ai u mor me ato dosje të mëdha dhe përvëluese, hetimi dhe zbardhja e të cilave, do të kishin nderuar dhe bërë dinjitoze, çdo qeveri, nëse ajo do të ishte e duhura. Por jo.

Para se të transferohej nga Prokuroria e përgjithshme në fund të vitit 2007, i ndjeri Hana ishte përfaqësuesi i akuzës shqiptare për dosjen korruptive të rrugës Durrës-Kukës, për një korrupsion që mendohet të shkojë në të paktën 220 milionë euro. Tranferimi i tij dhe më pas mbyllja e dosjes nga Prokuroria e përgjithshme, tregoi vullnetin e munguar të organit të Akuzës për të bërë shembull zyrtarët e lartë që përfliteshin në korrupsion, atë që sot të huajt e ngrejnë me shqetësim dhe që është kthyer në modën e qeveritarëve, “kultura e mosndëshkimit”. Hana ishte përfaqësuesi edhe i dosjes tjetër përvëluese, që djeg ende falangat e vjetra të rregjimit të shkuar të Berishës, atëherë president. Rrëmbimi, torturimi dhe zhdukja pa gjurmë e Remzi Hoxhës, implikon direkt shërbimin sekret të viteve ‘90, që asokohe kishte lidhje të shkurtër me kreun e shtetit, sot kryeministër.

Se çfarë u bë më këta të akuzuar e tregon historia: dikush ka vdekur me sëmundje të rëndë, njëri është arratisur për në Kinë, tjetri është në një post të lartë të administratës shtetërore shqiptare, ndërsa mbrojtësi i paepur i apelit të familjarëve të Hoxhës, prej dje nuk është më midis nesh.Ata që nuk donin Xhevat Hanën si njerin e ligjit dhe të drejtësisë prej mbrëmë janë të qetë në krimet e tyre. Ata që e donin do të vijojnë ta duan, edhe pse në mungesë fizike. Dhe duhet ta duan më shumë, sepse ikja e këtyre njerëzve e bën edhe më të trishtueshme shoqërinë shqiptare, ku hë për hë duket se fiton më i keqi.

Shqiptarja.com

5 Komente

I qofte i lehte dheu, dhe femijet ta ndjekin kete, lajmin per nje semundje engmatike....nese eshte e vertete.......

 

Presidenti i Republikës nëpërmjet një mesazhi i ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmeve të prokurorit Xhevat Hana. Prokurori i njohur u nda dje nga jeta pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Topi e ka vlerësuar Hanën për kontributin e tij “të rrallë profesional në shërbim të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.”

 

NJEREZ, JINI VIGJILENT...ka pas shkrujt Fuçik-u...si nuk pyti njeri ketu ne peshk se si dhe pse vdiq ky njeri..... Nga sa shkruhet, vallahi, radhen me duket se na ka ardh  neve......

 

Lamtumirë Xhevat Hana!Nga: ARTAN HOXHA *Lamtumirë Xhevat Hana!Lamtumirë Xhevat Hana! Ky është lajmi më i keq në këtë fillim viti për drejtësinë shqiptare. Xhevat Hana nuk ishte një superprokuror alla Xhovani Falkone apo Paolo Borselino. Ai nuk donte të ishte një hero. Ishte thjesht një shqiptar i ndershëm që e donte vendin e vet, profesionin e vet. Kisha kohë që kërkoja një hero. Nga ata prej vërteti. Nga ata që bëhen shembull kurajo dhe frymëzimi për gjithë shoqërinë, për brezat pasardhës. Të jeni të sigurt që nuk kërkoja dikë që kishte bërë ndonjë sakrificë të veçantë. Thjesht kërkoja një hero të ditëve të tona, nga ata që e shohin botën drejt në sy. Shpesh herë kujtohemi për heronjtë tanë, jo në të gjallë, por kur nuk i kemi më mes nesh. Për këtë shkak po kërkoja një hero të gjallë. Mediat, nga mëngjesi në darkë, madje dhe 24 orë drejtpërdrejtë, na sjellin vetëm “heroizmat” e kryeministrit, kryeparlamentares, kryeopozitarit, …e deri kryedreqit të këtij vendi. Këtu vetëm qeveritarët, politikanët dhe ata që janë majmur poshtë hijes së tyre flasin për “heroizma” që bëjnë çdo çast, çdo minutë në të mirë të vendit dhe popullit të tyre. Prandaj më duhej një hero nga rruga, nga ata të thjeshtët, që bëjnë heroizma dhe nuk flasin për heroizmat që bëjnë. Xhevat Hana ishte një i tillë. Një prokuror që duke bërë detyrën e tij mori profilin e një prokurori hero, pasi guxoi të hetonte dhe çonte në gjyq disa dosje të cilat shumë kolegë të tij i refuzuan. Jo se ishin të paaftë. Jo se ishin më pak të zotë se ai. Por sepse nuk donin të kishin telashe me pushtetin. Të rrezikonin karrierën e tyre për një dosje që i dihej fundi pa nisur hetimi. E kam njohur Xhevat Hanën si prokuror të bandave famëkeqe të Vlorës më 1997-ën. I kam parë kapot e bandave kriminale ta kërcënojnë me jetë në sallën e gjyqit, faqe trupit gjykues dhe mediave. E kam parë tek hynte dhe dilte i vetëm në shkallët e gjykatës së Tiranës, ndërsa familjarët dhe të afërmit e Bandës së Çoles e ndiqnin nga pas dhe kërcënonin. Kam qenë vetëm gjysmëmetri larg tij gjatë vendimit për bandën e Zani Caushit, në sallën e tejmbushur me gjithfarë lloj njerëzish. Ndërsa gjyqtari shqiptonte dënimin për secilin nga anëtarët e bandës, i pandehuri Leonard Idrizi, i tërbuar nga dënimi që mori, e qëlloi me një çakmak nga banka e të akuzuarve drejt e në fytyrë, pasi nuk ndodheshin më shumë se 3-4 metra larg. Ai nuk bëri asnjë tentativë për tu mbrojtur. Thjeshtë qëndroi më këmbë, i palëvizur deri në fund. E kisha parë të trishtohej kur e shkarkuan nga detyra për motive që nuk e mori vesh kurrë dhe ta rikthenin serish, pasi gjykata i dha të drejtë karrierës së tij. Nuk më harrohet presioni psikologjik dhe mërzia e tij, kur e kërcënonin me largimin e vajzës nga puna, madje dhe me transferimin e tij, ndërsa kishte në duar dosjen e abuzimeve prej qindra milionë eurosh të “Rrugës së Kombit”, Durrës-Kukës. Në të vërtetë ai nuk u dorëzua, edhe pse vajzën në atë kohë ia larguan nga puna dhe atë e transferuan nga Prokuroria e Përgjithshme. Pak javë më pas, me një kurajo që askush nuk e kishte pasur deri në atë kohë, çoi për herë të parë në gjykatë dosjen e frikshme të rrëmbimit dhe më pas zhdukjes pa lënë gjurmë të shqiptarit nga Kaçaniku i Kosovës Remzi Hoxha. Të një dosje mbushur gjithë mistere, që deri tani ka marrë me vete shumë jetë njerëzish në rrethana krejtësisht të paqarta, bashkë me eshtrat e pagjetura kurrë të dëshmorit të pavarësisë së Kosovës, Remzi Hoxha. Ish-shefi i SHIK-ut në momentin e rrëmbimit të Remzi Hoxhës, Bashkim Gazidede, vdiq disa muaj para se dosja të shkonte në gjykatë. Një nga ekzekutuesit në terren të operacionit famëkeq, oficeri i lartë i SHIK-ut, Ilir Kumbaro, pas një beteje të gjatë të prokurorit Xhevat Hana me autoritetet shqiptare për ta sjellë me çdo kusht në bankën e të akuzuarve, është zhdukur pa lënë gjurmë nga Anglia. Gazetari i “Gazeta Shqiptare”, Ali Ukaj, që po hetonte lidhur me rrëmbimin e Remzi Hoxhës, u vra në rrethana të paqarta, dhe vrasësi i tij jeton i lirë në Zvicër. Oficeri i lartë i SHIK-ut, Pirro Visari që kishte nisur të punonte me dosjen e Remzi Hoxhës, në fundin e viteve ’90, vdiq në rrethana jo shumë të qarta. Xhelal Elezi, njëri nga gjyqtarët më të spikatur të Gjykatës së Krimeve të Rënda qysh nga krijimi i saj, ndërsa po gjykonte dosjen e Remzi Hoxhës , pësoi një infarkt në sallën e gjyqit dhe gjeti vdekjen e menjëhershme. Ish-mjeku i SHIK-ut Ylli Xhaxhika, njeriu që mjekoi plagët e Remzi Hoxhës ende pa dhënë shpirt në qelitë e SHIK-ut. Xhaxhika vdiq në rrethana të paqarta vetëm dy javë para se të paraqitej si dëshmitar në procesin për Remzi Hoxhën. Në rrethana krejtësisht të çuditshme, u zhduk në Tiranë dhe nuk dihet më fati i tij, kosovari Ismet Kryeziu, vetëm 3 javë pasi kishte dhënë një intervistë për emisionin “Xhungël” në lidhje me personat e dyshuar për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Remzi Hoxhës. “Çuditërisht” të gjithë njerëzit që janë marrë me këtë dosje dhe kanë dashur të hulumtojnë të vërtetën e saj, ose janë vrarë, ose janë zhdukur pa lënë gjurmë, ose kanë vdekur në rrethana të paqarta nga sëmundje të menjëhershme, ose janë torturuar dhe kanë mbetur me pasoja të rënda, ose në rastin më të mirë kanë humbur ekuilibrin mendor. E kundërta ka ndodhur më ata që kanë organizuar dhe zbatuar operacionin sekret për rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Remzi Hoxhës. Ata janë graduar në detyra shumë të rëndësishme, nga drejtori strategjike në Ministrinë e Financave deri në sektorë të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë. Madje vazhdojnë të gëzojnë ofiqet më të larta të administratës shtetërore, nën mbrojtjen direkte të njeriut më të fuqishëm të vendit gjatë 20 viteve të fundit, pavarësisht përpjekjeve stoike të prokurorit hero Xhevat Hana. Dita sot do të jetë më e trishtë, më e errët, më e ftohtë, pa Xhevat Hanën. Nga memoria e celularit tim më është dashur të fshij dhe një numër tjetër, atë të një prokurori të ndershëm dhe me zemër të madhe. Të një prokurori që edhe pse kishte një jetë të tërë, plot 35 vite në detyrë, jetonte në një apartament të thjeshtë parafabrikat pranë spitalit “Nënë Tereza”. Shkonte në punë më këmbë dhe kthehej po këmbë. Një prokuror që çdo mëngjes kur shkonte në punë duhej të përballej me të pandehurin e vet, i cili në vend që të ishte në bankën e të akuzuarit për zhdukjen e Remzi Hoxhës, drejton një sektor shumë të rëndësishëm në Ministrinë e Drejtësisë në të njëjtën godinë me zyrën e Hanës. Për të gjitha këto Xhevat Hana u bë një hero, një shembull që duhet ndjekur nga kolegët e tij më të rinj, për të mos e lënë në mes rrugën e nisur prej tij. Shqipëria ka shumë heronj të vdekur, dhe fare pak heronj të gjallë dhe Xhevati duhet të ishte mes këtyre të fundit për të përmbushur misionin që kishte nisur. Sot do jem mes njerëzve për t’i dhënë lamtumirën e fundit një heroi. Por, më vjen të vjell kur mendoj se në ceremoninë e lamtumirës së tij, do të jenë soji i atyre gjyqtarëve e prokurorëve që certifikuan vjedhjen e votës së shqiptarëve, që duhej të kishin dënuar me kohë vrasësit e Gërdecit e 21 janarit, atyre që do të vijnë në funeral me fuoristrada dhe vetura luksoze me targa Z…. Ohhhh ç’kob, çfarë padrejtësie. 

*Drejtues i emisionit “Xhungël”

 

Tani si i bie me kete shtet mafioz :me mire prokuror i korruptuar apo i vdekur ?smiley

PS:  Po pse te ka zene frika ty alidems?smiley

epo sikur po marojne keta te miret me puzite, na ka ardhe "ne te mireve" te papuzite.......smiley se ajo oshte si nje makine qe nuk rri pa honger ......loool

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).