Është mungesa e argumenteve dhe e dialogut ajo që e bën kryeministrin t’i qaset retorikës patriotike

 

Tri ishin temat e nxehta kësaj jave: miratimi i strategjisë pesëvjeçare antikorrupsion; ndalimi i kalimit të kufirit që ia bëri Serbia ministrit të Diasporës, Makolli; dhe reagimet që u dëgjuan gjatë gjithë javës në lidhje me nismën e “Vetëvendosjes” për bllokimin e kufijve, të paralajmëruar prej kohësh. Dhe duket se kjo e fundit shkaktoi zhurmën dhe sikletin më të madh në mesin e aktorëve të ngjarjes që do të ndodhë, duke e sjellë atë në nivelin e përkufizimit se kush është e kush nuk është patriot dhe pse kushdo që organizon protestë në toka shqiptare medoemos duhet të shpallet puçist.

Të shkojmë me rend. 

Në situatën kur duket se as edhe një copë e vetme e planit ekonomik të skive që u miratua vjet në Bullgari nuk arriti të realizohej, posaçërisht ajo pjesa për zbutjen e papunësisë, Qeveria doli me një projektstrategji pesëvjeçare për luftimin e korrupsionit. Kështu, Qeveria “i kërceu vetes në gojë” (siç do të thoshte miku im Toma), duke pranuar se në Kosovë, megjithatë, paska korrupsion, se ai nuk qenka vetëm perceptim. Fakti se në një dokument zyrtar që del nga kjo Qeveri, konstatohet se “korrupsioni politik” është shumë i theksuar, të bën të kuptosh se korrupsioni është i përhapur gjithandej, ngase në Kosovë gjithçka nis nga politika e përhapet gjithkund. 

Do të jetë ky edhe një në grumbullin e atyre letrave që do ta plotësojnë arkivin e dokumenteve të miratuara, por të pazbatuara. Fillimisht për shkak se miratohet për një periudhë pesëvjeçare, në kohën kur kësaj qeverie do të duhej t’i skadonte mandati brenda tre vjetësh, dhe më pas për realizimin e këtij synimi ka nevojë për vullnet politik. E ky mungon në formë evidente, ngase po të kishte vullnet politik, nuk do të kishte korrupsion në rend të parë.

Dhe përderisa Qeveria merret me strategji antikorrupsion, Jakup Krasniqi, si kryetar Kuvendi, thotë se do të duhej respektuar afatet kushtetuese të mandateve të institucioneve, prandaj për pasojë zgjedhjet për kryetar do të duhej mbajtur më 2016. Se a është kjo lojë e brendshme pozicionimi – kush o ma i forti në parti, për me pa se kush po bëhet “president” apo është se dikujt po i konvenon ta mbajë kryetaren aktuale edhe një copë kohë në pozitë, ngase ajo nuk ka treguar absolutisht asnjë vullnet të vetëm për të pasur së paku një qëndrim për diçka dhe ka dëshmuar se nuk ka as asnjë fuqi për të bërë çfarëdo. Shikoni se çfarë ndodhi me idenë e saj për luftimin e korrupsionit: Qeveria e miratoi strategjinë dhe i tha – “kjo nuk është punë për ty”. 

Makolli u nis për të shkuar në Luginë. Tha se do të shkonte me veturën zyrtare të Qeverisë dhe se nuk do t’i hiqte tabelat e regjistrimit. Erdhi në kufi dhe i hipi një veture me targa të Vranjës dhe... as kështu nuk e lanë që ta kalonte kufirin. “Si qytetar bën, por nuk bën si ministër i republikës fantome që nuk ekziston dhe që kurrë nuk do të pranohet nga Serbia”. Të mos e harrojmë vizitën e Tadiqit javën që shkoi me leje të Qeverisë e cila më pas kërkoi nga të huajt që ta përcillnin atë deri në Deçan. Po ata të huajt që e këshillojnë Qeverinë se Tadiqit duhet dhënë leje që të shkelë në Kosovë, që të na ofendojë në tokën tonë e të sillet si padron yni. Të huajt nuk e kuptojnë dhe nuk do ta kuptojnë kurrë hidhërimin tonë me vizitat e tij, sepse nuk i kanë përjetuar dhunën dhe tmerrin e fashizmit serb në lëkurën e vet. Se po të kishte qenë ndryshe, atëherë nuk do të këshillonin që Tadiqit t’i jepej leja pa e obliguar atë që së pari të kërkonte falje për krimet që Serbia ua shkaktoi shqiptarëve. Do të ndaleshin të mendonin se si ndihen familjarët e atyre që i humbën më të vlefshmit në luftë e besa edhe në “paqe”. Po ja që kjo është ana reale e “reciprocitetit” të proklamuar. Ne ende vazhdojmë të jemi qytetarët e rendit të dytë në sytë e atyre që na shkelën.

Është “reciprociteti” ai që është shndërruar në fjalën magjike. Pra, kemi një mocion të miratuar nga institucioni më i rëndësishëm që përfaqëson vullnetin e popullit që e obligon ekzekutivin ta zbatojë e ta respektojë. Kemi një ekzekutiv që refuzon ta zbatojë vendimin e organit që e mbikëqyr; e kemi një Përfaqësues Civil Ndërkombëtar që për tre vjet kryesisht nuk ka bërë ASGJË, pos që e ka shtyrë Ligjin për Prizrenin me aq ngulm, thuajse jeta i varej nga kjo – e që zakonisht del për të thënë se s’është mirë të protestohet për ASGJË; dhe e kemi një Quint, i cili thotë se të protestosh është demokratike, mirëpo.... nuk është mirë të protestohet sepse po prishet bilanci rajonal. Aty ku gjithsesi pajtohemi që të gjithë është se protesta nuk duhet të jetë e dhunshme, sepse përfundimisht, dhuna nuk na shpie askund.

Zbatimin e mocionit po e kërkon “Vetëvendosja” dhe vetë paralajmërimi dhe ideja se në protestë mund të mblidhen shumë njerëz duket se e bën nervoz shefin e Qeverisë. Në mbledhjen që e mbajti gjatë javës e që zgjati 23 minuta, 12 minuta foli vetëm ai. Me një fjalim patetik, kjo është çka dëgjuam, tekstualisht, nëpërmjet ekraneve (gabimet gjuhësore janë të folësit):

 

“Rreziki më i madh për Kosovën sot është me pretendu dikush me ba një paralelizëm me veriun... nuk është mirë me u marrë model thjesht... askush në Kosovë nuk don me pa një formacion politik me punu me mentalitetin e Zvonko Veselinoviqit... edhe vetë Serbia u distancu prej tij... 

(...) nuk përkojnë as me traditën e popullit të Kosovës, e lene ma me traditën kuqezi... e nuk përkojnë as me traditën e formulimit vetëvendosje, por të formulimit vetëfundosje definitivisht, e as kuqezi, apo ta përsëriti kryeministrin Berisha, faqezi. 

(...) Mund të ketë patriot të rrejshëm që i ka mbet marak për me e dho kontributin e tyre kur kanë pasë mundësi, por që s’e kanë dho atë kontribut atëherë kur duhej japur... nuk kthehet më ajo gjendje, nuk ka më Serbi në Kosovë... apo ta them të drejtën e kanë refuzu uniformën e UÇK-së dhe tash dojnë me dalë te Dheu i Bardhë apo në Merdar... që kanë refuzu uniformën e UÇK-së me veshë ... ndërsa tash janë të gatshëm të ushtrojnë dhunë kundër uniformës së policit të shtetit të Kosovës”. 
 

Dhe menjëherë pas këtij monologu patetik, i dha intervistë Evropës së Lirë dhe e tha edhe këtë: “Nuk do të lejojmë gjithashtu qëllimin e këtyre krerëve të kësaj partie që janarin e vitit të kaluar të Tiranës ta sjellin këtë janar në Prishtinë”.

Bie në sy një qasje absolutiste, kush nuk është me mua, është kundër meje. E kush është kundër meje, është kundër shtetit dhe kundër popullit të vet. Dhe kjo është pikërisht ajo që kuptohet nga porosia që e dha Thaçi në mbledhjen e Qeverisë, se intenca e “Vetëvendosjes” për t’i bllokuar kufijtë ishte paralele me veprimet e një krimineli të identifikuar për kontrabandë dhe për ngritjen barrikadave në veri. Problemi i kryeministrit është se derisa e thotë këtë, e harron një deklaratë tijën të mëhershme, sipas së cilës është regjimi në Beograd ai, i cili i ka ngritur këto barrikada. Paralelizmi nënkupton edhe urdhërdhënësin – pandan i të cilit këtu i bie regjimi i Prishtinës, të cilin e kontrollon ai. Përfundimisht, një paralele jo fort e qëlluar. 

Huazimi i deklaratave të Sali Berishës dhe kërcënimi se nuk do të lejohet përsëritja e janarit të Tiranës në Kosovë nuk është gjë naive. E para, kërcënon me përdorimin e forcës, ani që ministri i Brendshëm përsërit “dhunë e lejuar për intervenim”. “Dhunë e lejuar” ka qenë edhe ajo e 10 shkurtit dhe atëherë pati viktima në njerëz. Për kot. E dyta, protestat në Tiranë janë organizuar për vjedhje të votave dhe, për pasojë, marrjen e paligjshme të pushtetit. Protesta dhe bllokada këtu po organizohet për shkak se ekziston një mocion i Kuvendit (sado që Qeveria dhe të huajt duan ta injorojnë) me fuqi obliguese që kërkon zbatimin e reciprocitetit jo vetëm tregtar me Serbinë, e që është kërkesë legjitime përderisa është e padhunshme. Dhe fakti se njerëzit dalin të protestojnë, nuk do të thotë me automatizëm se kërkojnë ta rrëzojnë pushtetin, por dërgojnë porosi se duhet përmirësuar për shkak se njerëzit nuk janë të kënaqur me jetën që e jetojnë. E treta, fakti se kryeministri kosovar përpiqet që të identifikohet me atë të Shqipërisë nuk është ndonjë gjë për të cilën duhet krenuar. Në fakt, kjo intencë nuk e bën e as më shqiptar e as më patriot sesa, për shembull, cilindo anëtar të “Vetëvendosjes”.

Është mungesa e argumenteve dhe e dialogut ajo që e bën kryeministrin t’i qaset retorikës patriotike – për atë se kush është më i përkushtuar, kush e do më shumë, kush e përkrah, kush e mbron më shumë vendin e vet dhe kush i është më besnik vendit të vet. Kështu, sipas asaj që e tha, del se vetëm ata që kanë veshur uniformën e UÇK-së janë patriotë. Përderisa është e pamohueshme se ushtarët kanë treguar patriotizëm të pashoq kur kanë luftuar nëpër male, kodra e fshatra, çfarë të thuhet për të gjithë ata që u paraqitën veteranë të luftës pasi kjo përfundoi. Edhe ata e kishin të veshur uniformën e UÇK-së, pa e shkrepur asnjë plumb – pra çka janë këta, patriotë apo mashtrues?

E mbasi edhe u përmenden njerëzit që nuk veshën uniforma, mbase duhet pyetur kryeministrin se kush e mbajti UÇK-në gjallë? Nëse s’e di përgjigjen, kjo është: njerëzit pa uniforma që kanë mbledhur para për UÇK-në e që i kanë furnizuar ushtarët gjatë gjithë kohës sa kanë zgjatur luftimet. A i bën kjo pseudopatriotë?

Kush është ai që e përcakton se kush është patriot e kush jo? Pse kryeministri ia jep vetes të drejtën, nga pozita e pushtetit, të japë vlerësimin se kush është patriot përnjëmend e kush pseudopatriot, ta kthejë gishtin nga dikush që nuk i pëlqen e ta quajë, në mënyrë indirekte, tradhtar – ashtu siç bëjnë edhe tellallët e tij? A po e përgatit terrenin për ndjekjen e atyre që nuk pajtohen me të, sikurse kanë bërë edhe shumë e shumë revolucionarë që kishin ardhur në pushtet, për shkak se ai është më patrioti ndër të gjithë? Kjo e Kosovës nuk është diktaturë, por tendenca e liderit për një kontroll autokratik është evidente. E sa e tmerrshme do të ishte përsëritja e një Enver Hoxhe në Kosovë, do të ma kujtojë përjetë ajo që e kishte shkruar Musine Kokallari, dikur bashkëpunëtorja e afërt e Xhaxhit aq të adhuruar nga një pjesë e udhëheqjes aktuale të Kosovës, para se të vdiste: “Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve. Njoha gjyq special. Njoha 18 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me punë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them se vetë nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk di ç’domethënë familje. Ndoshta do të ishte mirë t’i kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu do të merrnin fund edhe vuajtjet me gjithë gjendjen tragjike”. 

Ajo u shpall tradhtare, sepse lideri e kishte vendosur ashtu. Ajo ishte dënuar me urdhër të liderit në ndonjërën nga mbledhjet e Komitetit Qendror, sepse lideri e kishte shpallur puçiste e pseudopatriote dhe armike të rrezikshme për shtetin... ngjashmëritë janë shumë të mëdha ani që kohët kanë ndryshuar. Puna është se mendësia ka mbetur e njëjtë.

flaka@koha.net

7 Komente

Kush është ai që e përcakton se kush është patriot e kush jo? Pse kryeministri ia jep vetes të drejtën, nga pozita e pushtetit, të japë vlerësimin se kush është patriot përnjëmend e kush pseudopatriot, ta kthejë gishtin nga dikush që nuk i pëlqen e ta quajë, në mënyrë indirekte, tradhtar – ashtu siç bëjnë edhe tellallët e tij?

Keto retorikat pseudopatriotike qe bejne politikanet ne kete fare feje jane te peshtira, jo dhe aq se ofendojne patriotizmin (nuk ka nevoje te kesh luftuar qe te duash memedhene, e do per rrjedhoje, si dhe prinderit) po se jane shume te uleta si retorika, shume ofenduese per intelektin e njerzve. Kete e bejne dhe keta te VV fatkeqsisht kur barazojne Thacin me Serbine, a thua se problemi qenka aty se valla Thaci na e dashka Serbine dhe jo Kosoven, apo anasjelltas per Albinin.

Ma shpifin kur i degjoj, me kujtojne palacopatriotizmin e rednecks & white trash ketu ne Amerike, per te cilen nese presidenti s'e mban flamurin amerikan ne xhakete do te thote qe s'eshte patriot.

'Kush është ai që e përcakton se kush është patriot e kush jo?'
me kaq e ke thene Flaka!!!

Eshte gjynah qe ky shkrim kaq i mire nuk ka me shume komente. Ne fakt nuk eshte se ka shume vend per debat ketu se Flaka i ka thene te gjitha ne menyre te pakontestueshme.Shpresoj vetem qe robt ta kene lexu te pakten.

po pikerisht se eshte shkrim i mire , ske ca thu mer plak

i ka thene te gjitha ajo, sle shume vend per gërr gërr

une per vete e kam lexu qe ne minutin e pare kur doli

cheers

jom dakort per kete. pse nuk ja vare fare asaj kshilles teme per te 'ardhmen' tate te programi i AK?

Ja lumsha...edhe kjo po shkon ne hulline e Hysamedinit.... 5*

Po, po, aq i mire eshte shkrimi sa Flaka nuk e di se Musine Kokalari nuk ka qene kurre "bashkepunetorja e ngushte e xhaxhit". Apo eshte moda e te permendurit te emrave megjithese nuk i njohim?

Flaka Surroi eshte gruaja e Veton Surroit dhe ky i fundit nuk arriti dot te vetonte ne politike deri tani, kerkon te provoje edhe njehere shancin per tu zgjedhur president, por meqe nuk ka assnje parti me peshe qe e mbeshtet i eshte afruar Vetevendosjes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).