AFER & LARG

Është fillimi i janarit, porse mbi gjolin e Pogradecit çuditërisht bën ngrohtë. Për disa kohë i gëzohemi pamjes së paqtë të pasqyrës së madhe ujore. Vetëm në majë të Malit të Thatë dhe tutje në horizont duken disa pllanga dëbore. Nositët fluturojnë të qetë mbi liqenin që duket sikur nxjerr avull poshtë një dielli të pazakontë. Jemi në Tushemisht. Këtu sundimtari i vetëm është heshtja. Të rriturit kanë shkuar nëpër punët e tyre, fëmijët janë në shkollë, të tjerët… Vetëm ndonjë plakë e imët shihet nëpër oborret e fshatit të vjetër mes mollëve që, të mbetura pa gjethe, duken si gishtërinj të mëdhenj të shtrënguar drejt qiellit. Por edhe plakat, pasi shkundin shpejt e shpejt velenxat, mbyllen nëpër shtëpitë e tyre të mbushura plot me ikona dhe me fotografitë e nipërve dhe mbesave.

Jemi vetëm një ditë para 6 janarit, para ditës kur të krishterët festojnë pagëzimin e Krishtit në lumin Jordan. “Ujët i Bekuar”, kështu quhet kjo ditë, është një ndër më të rëndësishmet në kalendarin e krishterë së bashku me Krishtlindjet, Roshajet, Pashkët. Është dita që mbyll festimet që kanë nisur që më 25 dhjetor. Është dita, kur njerëzit pas një dimri të gjatë, nisin ta ndiejnë më në fund se pranvera është afër. Por është edhe një ditë plot këngë, hare e festë. Në pritje të kësaj dite bëjmë një shëtitje përmes Tushemishtit. Ky është një fshat që ngrihet mbi ujë. Ka shtëpi që e kanë burimin e ujit në mes të korridorit apo fare në kuzhinë. Burime të shumta që vijnë që nga Mali i Thatë e përtej derdhen në gjol. Të parët e tushemishtarëve, pikërisht mbi këto ujëra të kristalta vendosën të ngrenë shtëpitë e para. Fshati është bërë i njohur nga dy filmat e regjisorit Pirro Milkani “Zonja nga Qyteti” dhe “Shoqja nga Fshati”. Sikur të mos ishin këta filma pakkush do të ishte njohur me këtë fshat të qetë peshkatarësh e bujqish. Deri andej nga 1990 ai konsiderohej “zonë kufitare”. Drejt tij shkohej vetëm me leje të posaçme nga Dega e Punëve të Brendshme.

Fshati ka ndryshuar shumë që prej kohës së teto Ollgës. Shtëpitë e vjetra, dikur të ndërtuara me gurë, baltë e trarë tani janë mbuluar nga betoni. Sheshi i vjetër tashmë është krejt i heshtur, godinat e vjetra të kooperativës janë disa ndërtesa me sy të zgafëllyer, ndërsa në lëmin e dikurshëm disa gomarë presin të zotët me durim. Vatra e dikurshme e Kulturës që prej 1990-s është rikthyer në kishë. Mbrojtësi i fshatit është Shën Pandelejmoni, një shenjtor që mbron në radhë të parë shëndetin. Heshtje, heshtje dhe vetëm heshtje, nëse përjashtojmë gurgullimën e burimeve të Tushemishtit. Në fillim kujtojmë se fshati nuk është bërë gati për festë, por kemi gabuar.

Urata bekon shtëpitë

Papritur në mes të grisë së shtëpive na shfaqet një e kuqe e ndezur. Pastaj dallojmë një prift që bekon shtëpitë me një tufë rozmarinë të zhytur në ujë të bekuar. Kështu jemi njohur me uratën. Papa Piro Gërmenji me mjekrën e gjatë të thinjur ka marrë një hije serioze. Lexon pa pushim uratat e tij në pragjet e dyerve. I ndih një tushemishtar, Ilia Icellari, që është njëkohësisht edhe anëtar i këshillit të kishës. Bashkohemi edhe ne me ta. Në shtëpinë e Kiço Mitllarit, urata nis të thotë bekimin e tij, ndërsa tund pareshtur tufën e lagur me ujë të bekuar: Bekoje e Zot këtë shtëpi… dënoji barbarët… Pastaj Kiço dhe urata i hyjnë një bisede të gjatë ku kujtojnë me radhë tërë njerëzit që e ringritën kishën e Shën Pandeljemonit të Tushemishtit. Urata është nga Pleshishti, një fshat shumë larg prej këndej në malet e Mokrës. Ai vjen në Tushemisht vetëm në raste festash dhe çdo fillim muaji. “Kam një zonë shumë të gjerë për të mbuluar – na thotë – sapo ka mbaruar urimin për festën – por këtu në Tushemisht kam një këshill shumë të mirë”. Pastaj të dy vazhdojnë të bisedojnë për përgatitjet për festën e nesërme.

Thuajse e njëjta gjë ndodh edhe në shtëpinë e Jordan Çulakut, vetëm se Jordanit i duhet uruar edhe emri. Ai quhet njësoj si lumi në të cilin u pagëzuar Jezusi. “Jordan, më thuaj shpejt e shpejt emrat e fëmijëve o i bekuar i Perëndisë thotë urata që në hyrje të shtëpisë, dhe pastaj vazhdon – Bekoje o Zot këtë shtëpi… dënoji barbarët”. E zonja e shtëpisë është e shqetësuar. “Përse nuk më the o uratë që do të vije. Nuk pata kohë të shtroj as velenxat!”, thotë me trishtim. “Mos e vrit mendjen moj e bekuar e perëndisë”, përgjigjet urata me mjekrën e thinjur dhe vazhdon për në shtëpitë e tjera. Tashmë e ndihin dy fëmijë të vegjël, Ernesto 6 vjeç dhe Jara, motra e tij 4 vjeçe. “Do të vish të më ndihmosh nesër more i bekuar?”, e pyet urata djalin e vogël. “Po nesër jam në shkollë more uratë, pastaj më parë duhet të më çojë babi te një ‘dyqaniste’ që të më veshë bukur”, përgjigjet djali me sytë nga ngrehina e kishës. “Pa merak, more bir, mësueses do t’i marr unë leje, sa për t’u veshur mos e vrit mendjen. Do të vesh unë me rrobet e kishës”. Djali i vogël sa nuk fluturon nga gëzimi, ndërsa urata vazhdon të lagë me ujët e bekuar portat e fshatit të heshtur.

Keli, “kampioni në fuqi”

Një copë herë qëndrojmë në oborrin e kishës. Disa burra po merren me përgatitjen e festës. Në hyrje qëndron akoma parulla e festës së fundit “Për shumë vjet Krishtlindjet”. Kisha është fare afër shkollës nga ku dëgjohen zërat e nxënësve të vegjël. Këtu ka qenë mësues prifti Dhimitër… Më 1928-n ai hyri në konflikt të hapur me kishën sllave, e cila kërkonte me çdo kusht që mbishkrimet e kishave dhe gjuha e liturgjisë të ishte sllavishtja. Vetëm pak më larg, diku afër pikës doganore të Tushemishtit ndodhet ende një kishëz e vogël, të cilën vendasit e quajnë Ajazma. Papa Dhimitri nuk pranoi që mbishkrimet e saj në shqip të rishkruheshin sllavisht. Një ditë, ndërsa shkonte në shkollën e vogël të vogëlushët e tij një plumb e la të vdekur mbi kalldrëmin e gurtë. Lapidari në nderim të tij është krejt në hyrje të kishës. Shkolla, ku ai jepte mësim, vazhdon të gumëzhijë nga zërat e fëmijëve të fshatit.

Vetëm pak metra larg kishës takojmë Mikel Çobanin, së bashku me të atin Riston. Keli - kështu e thërrasin të gjithë në fshat – është një 22-vjeçar i imët dhe i heshtur. Një vit më parë ishte ai që e kapi i pari kryqin që urata hodhi në ujin e akullt të gjolit. Për vendasit kjo është një ngjarje e shënuar dhe tani, vetëm pak orë më pas, Keli ka shansin të përsërisë suksesin e tij më të madh. Në shtëpinë e thjeshtë të familjes Çobani, me sobën e prodhuar nga uzina “Partizani” dhe me divanet e vjetër, Keli na flet për ëndrrat e tij. Pasioni i tij më i madh është të merret me kompjuterët. “Dua të hap një internet-kafe – thotë me sytë e mbërthyer nga vatra e sobës – këtu ka shumë djem që kanë qejf të merren me internetin. Besoj do ia dal”. “A të ndihmoi vjet kapja e kryqit?”, e pyet njëri prej nesh. “Besoj se po”, thotë Keli duke ngritur supet. Ka nisur të mbërrijë nata mbi gjol. Tashmë dëgjohet vetëm kërcitja e drurëve në sobë. Ne mezi arrijmë të dallojmë që matanë dritares disa mollë të mbetura ende mbi degë. Kanë nisur të tunden lehtas. Me sa duket veriu ka vendosur të fryjë për festë.

Mesha dhe ankandi

Të nesërmen zgjohemi herët. Është zhurma e rrebeshit që fryn mbi xhamat. Që nga larg gjoli duket si i inatosur. Termometri shënon 4 gradë. Qielli, liqeni, fshati, njerëzit e lagur, të gjithë kanë marrë të njëjtën ngjyrë. Shiu hera-herës shndërrohet në një dëborë të imët që na fshikullon blloqet, aparatet, neve vetë… Dielli i një dite më parë nuk dihet se ku është fshehur tashmë. Lart mbi kodrat që rrethojnë fshatin kufiri i dëborës është ulur shumë. “Kështu po, kështu ka lezet Ujët e Bekuar”, i thonë fshatarët njëri-tjetrit, ndërsa shpejtojnë për në kishë. Këta njerëz janë mësuar me dimrin, me acarin, me akullin, me erën e Veriut. Një dimër pa këto, për këta nuk ka kuptim. Struken, ndezin zjarre, mblidhen rreth ndonjë sobe, por i gëzohen dimrit njësoj si një miku të vjetër që në këto vitet e fundit nuk ishte parë edhe aq shpesh.

Meshën e gjejmë të filluar. Një psalt këndon me zë të plotë vargjet e Ungjillit që bëjnë fjalë për pagëzimin e Krishtit, njëherazi edhe për të parën mrekulli të tij. Papa Piro, i veshur me uniformën që i kërkon kjo ditë, vërtitet rreth altarit duke u lutur. Ndërkohë njerëz pa pushim vijnë dhe ndezin qirinj. Të gjithë miqtë tanë të djeshëm janë këtu: Ilia, Kiço, Jordani, Keli dhe shokët, Risto dhe… Nesti i vogël. Urata e ka mbajtur fjalën. Nesti është veshur me një si fustan të gjatë, të trashë e të kuq, që i mbërrin deri në fund të këmbëve. Djali i vogël, hera-herës bezdiset nga ngatërrimi i fustanit rreth këmbëve të tij të vogla, por duket i kënaqur, i kënaqur dhe fort i rëndësishëm.

Pas meshës nis ankandi i ikonave. Sipas zakonit kisha nxjerr në ankand ikonat e veta. Fitimtarët, ata që ofrojnë çmimin më të lartë, e mbajnë ikonën për 40 ditë në shtëpi, pastaj ajo rivendoset në vendin e vet në altar. Të gjitha të ardhurat e këtij ankandi shkojnë në favor të kishës. Besimtarët janë të bindur se qëndrimi 40 ditor i ikonave mbi bufetë e tyre do t’i sjellë mbarësi deri në festën e ardhshme të paktën. Ankandi fillon me një kryq të madh të bronztë. E fiton një djalë i vogël. Ai ofron 25 mijë lekë. Pastaj vijojnë me radhë shumë shenjtorë që nga Shën Mëria deri te Shëndëlliu. Dhjetë vjet më parë kishim qenë dëshmitarë në të njëjtën kishë të të njëjtit ankand. Asokohe shenjtorët “kushtonin” më shumë. Këtë herë vendin e parë mbas Kryqit e zë një ikonë e Shën Mërisë me 20000 lekë dhe pastaj shenjtorët e tjerë nuk e kalojnë 3000 lekëshin. “I paska zënë edhe shenjtorët kriza globale sivjet”, bën shaka një djalë i ri andej nga fundi i kishës ku kemi zënë vend edhe vetë. Të tjerët e shikojnë me qortim dhe ai merr sakaq një qëndrim serioz. Nga fundi i ankandit çmimet sa shkojnë e bien, kështu që burri që drejton ankandin nis të nxjerrë ikona që merren “sipas dëshirës”. Kjo do të thotë që një ikonë, nga këto të fundit, mund ta marrësh për 40 ditë edhe me vetëm 500 lekë. Njerëzit që kanë marrë ikonat largohen për në shtëpi përmes shiut gjysmëdëborë e të acartë. “Të ndiftë, të ndiftë” i urojnë të tjerët. Ceremonisë në kishë i ka ardhur fundi. Porse një grua ka një kërkesë të fundit: Gjenani more një Shën Sofi. Organizatorët rrëmojnë në gjërat e tyre gjithandej pastaj ngrenë supet të pafuqishëm. Shën Sofia nuk gjendet, nuk ishte planifikuar për ankand.

Festa në thëllim

Temperatura ka rënë edhe 2 gradë dhe tani dëbora e shtyrë nga era e Veriut na rreh nga të katër anët. Keli dhe shokët kanë kohë që presin të zhveshur në anë të gjolit. Kanë ndezur një zjarr të madh dhe mezi po presin që urata të lëshojë kryqin në ujin akull të ftohtë të gjolit. Më në fund procesioni, i nisur nga kisha me flamurin kuq e zi në ballë, mbërrin në anë të gjolit. Djemtë bëhen edhe më të paduruar. Hidhe uratë se ngrimë…, thërret njëri prej tyre, porse urata ka rregullat dhe formulat e veta. Më në fund pas një pritjeje të shkurtër, por që djemve u duket si orë, kryqi hidhet mbi liqen. Në fillim dallojmë një grumbull trupash të përzier mes shkulmave të dallgëve dhe pastaj shohim Kelin të thërrasë i gëzuar. Kampioni i vjetshëm ka fituar sërish? Kemi gabuar. Vetëm pak çaste më vonë shohim Francin, vëllain binjak të Kelit, të ngrejë lart në shenjë triumfi kryqin e bekuar. Prindërit vrapojnë të thajnë djemtë e tyre, ndërsa te “Dallga”, te lokali nga ku u hodh kryqi, bëhet gati festa. Petriti, i zoti i “Dallgës”, një djalë i fshatit, ofron çdo vit për këtë festë të ngrënë e të pirë falas për të gjithë pjesëmarrësit. Bashkë me uratën rrimë një copë herë afër sobës që të thahemi teksa dëbora përplaset me furi mbi xhama. Franci dhe Keli i kanë hyrë tashmë punës. Me tabaka në dorë kanë nisur të shkojnë derë më derë. Zakoni e do që fitimtari të dorovitet me ndonjë lek dhe djemtë, nëpër dëborë, vazhdojnë të këndojnë një liturgji të vjetër.

Po gabove, s’ke dhuratë

Si shumë prej festave të tjera fetare edhe “Ujët e Bekuar” është përzier me besime të vjetra pagane. Në disa vende europiane, por më së shumti në Itali, ekziston një traditë, sipas së cilës natën mes datës 5 dhe 6 janar, pra 12 net pas Krishtlindjeve, një plakë e moçme (në italisht befana) do të shfaqej në derën e fëmijëve që flenë ndërkohë duke ua mbushur çorapet me lloj-lloj gjërash. Këto janë edhe dhuratat e fundit që fëmijët marrin gjatë festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Para se të flenë fëmijët duhet të lënë te pragu i portës së shtëpisë ndonjë gjë të vogël, zakonisht portokall apo ndonjë biskotë, me qëllim që plaka, që fluturon zakonisht mbi një fshesë, të ushqehet përderisa ka për të bërë gjithë atë udhë. E njëjta traditë thotë se nëse je sjellë mirë gjatë vitit, atëherë do të marrësh dhuratat e duhura, në rast të kundërt çorapet e tua do të mbushen me… qymyr. Tradita është ende shumë e përhapur, aq sa ndonjë tregtar ka menduar të marrë ndonjë përfitim prej saj. Për prindërit e pakënaqur nga fëmijët e tyre janë në shitje disa karamele me ngjyrë të zezë që imitojnë qymyrin e vërtetë. Janë shumë të forta për t’u përtypur dhe kanë një ngjyrë sterrë të zezë, megjithatë edhe sivjet, shumë çapkënë të pandreqshëm nuk e vranë fort mendjen duke i përtypur edhe karamelet e forta.

Kjo traditë ka rrënjë të thella. Romakët antikë besonin se 12 ditë pas solsticit dimëror, pra kur pranvera ishte gjithnjë e më pranë, disa femra fluturonin në qiej duke u sjellë mbarësi njerëzve në Tokë. Kjo traditë u bashkua më pas me festimet e pagëzimit të Krishtit nga Shën Gjon Pagëzori në lumin Jordan. Sipas Ungjillit të Mateut, Maria dhe Jozefi e çuan Jezusin që të pagëzohej bashkë me të gjithë njerëzit e tjerë, por kur Shën Gjon pagëzori po e bekonte me ujin e lumit, befas u shfaq një dritë e fortë, një pëllumb fluturoi në ajër dhe u bashkua me Krishtin. Më pas u dëgjua zëri i Perëndisë: Ti je biri im! Më kot u lut Shën Gjoni që të pagëzohej edhe ai në këtë mënyrë. Vendi i Krishtit ishte vetëm një.

3 Komente

Gjithmone eshte kenaqesi ta lexosh Baxhakun. Tushemishti eshte nje nga fshatrat qe ne femijeri e vizitoja me me shume kenaqesi se te tjeret, ca per gjolin, per shkak te filmit smiley e ca sepse shtepia e miqve tane atje kishte nje nga oborret me te bukur e me me shume lule qe kam pare atehere ne Shqiperi. Ka pasur edhe nje rezervat peshku aty afer; kam pershtypjen se korani aty rritej posacerisht per konsum ne Drilon. smiley

Fshat shume i paster e me njerez te mire. 

Kur kemi qene me kursin nje here ne Tushemisht ,na foli pronari kur po u hidhnim copa te vogla buke peshqve koran  me pretekstin se ai u jepte ushqim special ,apostofat per peshqit. Nejse nuk kaloi as gjysem ore ,kur t'u hedh peshqve ai nje tepsi me buke .......smiley

Eshte e vertet per lulet ,dhe mua me kane bere shume pershtypje oborret me lule,kryesisht trendafilasmiley

 

Interesante, por me shum ekonomi brenda Fatosss

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).