Nga videoskandali “Meta-Prifti” te paqëtimi i politikës, si u pasqyruan në “Shqip”: Një vit i nisur me “luftë” dhe i mbyllur me paqe.

Duke e rilexuar në ditën e fundit të vitit çdo titull të gazetës “Shqip”, kupton se i është mëshuar më shumë opsionit të paqes. Në këtë numër të fundit për vitin 2011, po ju risjellim në vëmendje ngjarjet më të rëndësishme të vitit, ashtu siç i kemi vlerësuar e pasqyruar nëpërmjet “Shqip”-it.

Janar

Viti 2011 nisi me krizën e mahisur politike që po i shkaktonte dëme synimit të shqiptarëve për integrim europian. “Shqipëria jashtë axhende” ishte titulli i 5 janarit. Ditët që pasuan, vëmendja ishte e përqendruar te kriza e fletëve të votimit të 2009-s dhe te debati për zgjedhjet e ardhshme të majit, deri sa më 11 janar, “Fiks Fare” transmetoi videoskandalin Meta-Prifti, që u zbardh i plotë në gazetë, nën titullin “Korrupsion në krye të shtetit”. Në ditët që pasuan publikimin e skandalit, gazeta “Shqip” publikoi profilet dhe rrëfimet ekskluzive të disa prej personave të përmendur në bisedën mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit. Dëshmitë hodhën dritë edhe mbi përmasat reale të aferës që diskutohej në atë bisedë. Krahas thellimit të investigimit mbi çështjen, në titujt e gazetës u pasqyruan planet e opozitës për të protestuar fort dhe masat e qeverisë, që duket se ishte e përgatitur për çfarë do të ndodhte. 21 janari, dita kur në mes të kryeqytetit u derdh gjak njerëzish të pafajshëm, u pasqyrua nga gazeta “Shqip” si një tragjedi kombëtare. Gazeta pasqyroi me paanshmëri ngjarjet e asaj dite dhe më pas ballafaqoi qëndrimet e palëve pas tragjedisë, duke u fokusuar te presioni që bëhej mbi prokurorinë, median, madje edhe mbi Presidentin e Republikës. Brenda pak ditësh, të njëjtin fokus patën edhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në qëndrimet e tyre publike dhe gazeta “Shqip” i shërbeu ç’tensionimit të situatës, duke theksuar çdo thirrje për pajtim, ngado që vinte ajo.

Shkurt

Ngjarjet e 21 janarit janë ende të freskëta. Titujt kryesorë të ditëve të para të shkurtit janë natyrshëm të fokusuara te hetimet e 21 janarit, te përplasjet mes prokurorisë dhe qeverisë, por edhe te përpjekjet për të rivendosur paqen mes palëve dhe për të qetësuar situatën. 
Kështu, gazeta i dha hapësirë që në fillimet e tij misionit diplomatik të zotit Lajçak, të mandatarit nga BE-ja si ndërmjetës për krizën shqiptare. Hapësirë në titujt kryesorë gjetën edhe deklaratat e shpeshta të diplomatëve amerikanë dhe çdo zë tjetër që tentonte të shuante zjarrin.
Një çështje tjetër e trajtuar gjerësisht në muajin shkurt ishte regjistrimi i popullsisë mbi bazën e vetëdeklarimit të kombësisë dhe fesë. 
Në ditët e fundit të muajit shkurt, 21 janari dhe kriza që pasoi “humbën” monopolin e titujve kryesorë, pasi në qendër të vëmendjes u vunë zgjedhjet lokale që po afronin dhe nuk ishte ende e vendosur nëse opozita do të merrte pjesë në to.

Mars

Zgjedhjet e majit eklipsuan çdo debat tjetër politik gjatë muajit të tretë të këtij viti. Gazeta “Shqip” publikoi e para konfirmimin e kandidimit të Edi Ramës në Tiranë, ndërsa u publikuan edhe listat me kandidatët potencialë për qytetet kryesore. Kontrabanda e naftës e denoncuar nga Dritan Prifti ishte një tjetër temë e trajtuar gjerësisht nga gazeta, që nxori detaje të mënyrës së abuzimit, përpara se prokuroria të firmoste urdhër-arrestet për 11 persona. Diplomacia europiane dhe mesazhet e saj për Shqipërinë vazhduan të ishin në fokus.

Prill

Fushata elektorale filloi përpara datës 8 prill, siç e parashikon ligji dhe bashkë me fushatën nisën edhe incidentet e para. Ishin kryesisht përplasjet mes PS-së dhe LSI-së më të dhunshmet, por nuk munguan edhe incidente brenda kampit të djathtë, siç ishte rasti i drejtorit të forcave speciale me ministrin e Brendshëm të komanduar. Krahas incidenteve, fushata elektorale nxori në pah edhe një sërë problemesh të rënda në përgatitjen e zgjedhjeve, ku kryesore ishin listat, që në Tiranë u shtuan me njerëz të ardhur që figuronin banorë të magazinave, të garazheve, madje edhe të ndonjë universiteti. Gjatë fushatës, gazeta kreu edhe dy investigime. Për financimet e partive u zbulua se autoritetet shtetërore nuk kishin asnjë mekanizëm për të kontrolluar fondet, ndërsa investigimi tjetër tregoi se sa shumë persona me precedentë penalë ishin përfshirë në shtabet elektorale.

Maj

Gjithçka e përqendruar te zgjedhjet. Pas problemeve të fushatës dhe paralajmërimeve për manipulime, 9 maji u gdhi me një bilanc pozitiv. Shqiptarët votuan pasivisht dhe paqësisht. Vetëm shtatë incidente u raportuan në bashkinë më të madhe të vendit. Gazeta “Shqip” përcolli te lexuesi profilet dhe intervistat e fituesve të parë, atyre më të spikaturve, të cilët bënë përmbysje. Por entuziazmi ra shpejt. Numërimi i votave, sidomos në Tiranë nisi të shfaqte probleme shumë shpejt, duke përfshirë në incidente edhe zyrtarë të shtetit. Gazeta monitoroi veçanërisht rolin e policisë në proces. Kur numërimi mbaroi dhe KQZ nuk shpallte rezultatin për Tiranën, gazeta publikoi procesverbalet origjinale të 11 KZAZ-ve, që nxirrnin fitues me 10 vota Edi Ramën. Beteja e Tiranës u ndoq ditë pas dite, bashkë me deklaratat e palëve dhe mesazhet e ndërkombëtarëve.

Qershor

Muaji nisi me një denoncim që tronditi të madh e të vogël. Gruaja e kryebashkiakut të sapozgjedhur të Kavajës, të cilën të gjithë e dinin shtatzënë në muajin e nëntë, u paraqit e tronditur në shtëpinë e burrit dhe tregoi se dikush e kishte rrëmbyer, e kishte detyruar të lindte dhe e kishte lënë në rrugë, në Kavajë. Deri në mesditën e 3 qershorit, policia dhe prokuroria nuk thanë asnjë fjalë për ngjarjen. Më pas u zbulua se gjithçka kishte qenë sajesë dhe gruaja kishte probleme mendore.
Kjo ngjarje i dha vetëm dy-tri ditë “pushim” politikës që mbeti në qendër të vëmendjes me proceset e njëpasnjëshme në Kolegjin Zgjedhor për rezultatin e Tiranës. Në fund të muajit, gazeta ngriti zërin për rrezikun që i kanosej ekonomisë. Më pas edhe guvernatori Fullani dha një paralajmërim të tillë.

Korrik

Zgjedhjet mbaruan më 8 korrik. Tani kriza ekonomike u shfaq me përmasat e saj reale. Gazeta u fokusua në vendimet publike dhe të fshehta të qeverisë që parashikonin masa shtrënguese për punonjësit e administratës shtetërore. Ndërkohë, u zbuluan pasuritë marramendëse të anëtarëve të KLD-së dhe të ministrave. Këtë muaj, Kuvendi i PD-së dhe LSI-së miratoi shembjen e Piramidës për të ndërtuar aty Parlamentin e ri. Gazeta u dha zë nismave qytetare në mbrojtje të Piramidës dhe këshillave të miqve ndërkombëtarë, që e konsideronin këtë vendim si presion mbi median e lirë. Një ngjarje tjetër që shënoi muajin korrik ishte greva e minatorëve të Bulqizës.

Gusht

Çështja e Piramidës mbeti në vëmendje, me deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së, që thanë troç se po sulmohej “Top Channel”. Më vonë gjatë këtij muaji, gazeta u fokusua në çështjen çame dhe në problemet me Greqinë, ku u përfshi edhe censusi. Këtë muaj, gazeta zbuloi një raport skandaloz, ku zbulohej se forcat elitë të policisë shqiptare, RENEA, mbanin jelekë antiplumb të skaduar.

Shtator

Muaji filloi me skandalet e “Wikileaks”. Kabllogramet e ambasadës amerikane zbardhën shumë skandale, që prekën direkt edhe Kryeministrin dhe familjen e tij. Por skandalet nuk jetuan gjatë. Më 9 shtator, Skerdilajd Konomi, një gjyqtar i Gjykatës së Vlorës, u vra me minë me telekomandë në qendër të qytetit të tij. Gazeta përcolli ngjarjen, bashkë me fakte që zbulonin degradimin e shtetit. Shpejt u zbuluan edhe motivet e ngjarjes: një pronë e stërmadhe në Gjirin e Lalëzit, e trashëguar nga gjyqtari. Fundi i muajit solli lajmin negativ që pritej nga Brukseli: Shqipëria nuk merr statusin e vendit kandidat.

Tetor

Ish-ambasadori Withers mbyll çdo debat për kabllogramet e ambasadës: “SHBA thotë të vërtetën” shprehej ai në një letër publike. Ilir Meta bëhet përsëri objekt përgjimesh, që kësaj radhe vijnë nga Roma dhe vënë në siklet ministrin e Jashtëm të Italisë. Në mes të muajit, pas bllokimit të dyshimtë të një anijeje me armë, në Durrës vritet dhe digjet në makinë nëndrejtori i SHISH-it, Isa Çopa. Gazeta zbulon e para ekspertizën mjekoligjore që flet për vrasje. Gjatë këtij muaji u zhvillua censusi, i shoqëruar me shumë probleme. Bamir Topi shfaq ambicien për të krijuar një parti të re. Gazeta “Shqip” zbulon emrat e bashkëthemeluesve dhe merr deklaratat e disa prej tyre.

Nëntor

Gazeta zbulon skandalin në Arkivën e Shtetit, ku kundërshtarët e Skerdilajd Konomit kishin futur dokumente të falsifikuara, me anë të të cilave pretendonin pronën. Kriza ekonomike, e shpjeguar nëpërmjet analizës së projektbuxhetit ishte në qendër të vëmendjes, bashkë me masat shtrënguese që qeveria mori kohë pas kohe me vendimet e saj. Në ditën e Pavarësisë, gazeta publikoi deklaratën e drejtoreshës së Arkivës së Shtetit, e cila tha se akti origjinal i pavarësisë, po kërkohet në disa shtete, përfshirë Serbinë.

Dhjetor

Vdekjet e Leka Zogut dhe Sabri Godos ishin ngjarjet e këtij muaji të fundit të vitit 2011, ndërsa një intervistë ekskluzive e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu sqaroi për publikun shumë pikëpyetje që kishin lindur gjatë këtij viti në lidhje me qëndrimet e diplomacisë amerikane. Gazeta analizoi gjerësisht të dhënat paraprake të censusit, që zbuloi se shqiptarët janë në arrati të vazhdueshme.

1 Komente

Ngjarjet e nje viti ne 365 tituj"  ...nga kendveshtrimi i nje gazete opozitare!

10 gazeta me secila nga 365 tituj sipas pronarit/porositesit = 3650 tituj!

Nuk me cudit fakti se emri i Edi Rames nuk permendet asnjehere ne kete artikull, a thua se nuk ka egzistuar fare.... ah padroni

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).