E lexova librin e Blendi Fevziut dhe nuk mora dot inat as Enver Hoxhën, as Fevziun. Të parin e kam pasur më inat para se të lexoja këtë libër, ndërsa autorin më shumë zili për guximin që ka për të mos pasur frikë nga e vërteta.

Libri i Fevziut nuk sjell as gjëra të reja dhe as përsërit gjërat e vjetra të komunistëve për Hoxhën. Ai shkruan gjërat e njohura tashmë nga publiku për të, por me një gjuhë me neutrale se komunistët dhe antikomunistët. Megjithëse ka mbetur në sipërfaqe të problemeve dhe nuk mund të pretendojmë se ka ndriçuar ndonjë gjë të re, ka rishpjeguar nga pozitat jokomuniste një histori të njohur. Kjo vlen për ata që komunizmin shqiptar tashmë e kanë kuriozitet, por jo pasion për ta njohur.

Ka plot autorë të tjerë që kanë shkruar para tij për Hoxhën, por një pjesë kanë gënjyer duke glorifikuar jetën e tij e të tjerë kanë ndriçuar anë të panjohura, ndoshta me një gjuhë me spekulative siç është libri i Kastriot Myftarajt. Ka dhe historianë që kanë dhënë vetëm fakte, por ato janë injoruar për shkak të kontekstit politik. Disa historianë shqiptarë, sidomos Luan Malltezi dhe Ndreci Plasari kanë botuar qysh në mes të viteve ’90-të dokumente të rëndësishme për periudhën komuniste që kanë pasur të bëjnë me raportet e Enver Hoxhës me Beogradin, Moskën dhe qëndrimet e tij ndaj kundërshtarëve. Falë faktit aksidental që Luan Malltezi është krushk i Sali Berishës, libri i tij është anatemuar padrejtësisht edhe pse është i ftohtë dhe tërësisht dokumentar.

 

Një libër pozitiv për Enver Hoxhën

 

Libri në thelb është një vështrim pozitiv për Enver Hoxhën. Në tërësi ai të jep portretin e një revolucionari të vendosur në rrugën drejt pushtetit, që ka përdorur të gjitha metodat që komunistët e aftë kanë përdorur për të sunduar. Ai shfaqet i aftë, me një jetë plot larmi njerëzore, dhe revolucionar tipik që vret në emër të parimeve të tij. Nuk di çfarë do te kërkonte një komunist më shumë nga lideri i vet se sa ka përshkruar Fevziu për Enver Hoxhën. Po ashtu nuk jam i sigurt se antikomunistët apo viktimat e Enver Hoxhës binden lehtë se ky ishte xhelati i tyre. Në fund të librit një komunist mund të ndihet krenar për Enver Hoxhën, një antikomunist fatkeq, ndërsa një lexues neutral, kurioz. Është një libër që i bën nder personazhit që ka në qendër të tij dhe autorit nder për ndonjë lek më shumë të marrë nga reklama e shitjes së një historie që e dimë të gjithë, por e kemi përjetuar ndryshe.

Ky është libri më pozitiv i shkruar në liri, për Enver Hoxhën si diktator. Në këtë vend ku komunizmi ka bërë gjëma, askush nuk mund ta rehabilitonte Enver Hoxhën në këtë mënyre. Dokumentet që Fevziu ka botuar janë thuajse të botuara të gjitha në shtypin shqiptar apo në libra të autorëve të ndryshëm shqiptarë, të cilët Fevziu nuk i citon për dy arsye. E para se mund të mos i ketë lexuar, e dyta se dhe vetë dokumentet nuk është lodhur t’i gjejë vetë, por ka mobilizuar nëpunësit e shtetit në hartimin e një vepre kolektive të ngjashme me romanet kineze të revolucionit kulturor.

Enver Hoxha del një personazh pozitiv pasi Fevziu duke e treguar historinë e tij nga pozita të depolitizuara si komunist tregon çdo dokument që Enver Hoxha e ka ruajtur vetë në arkiva për të treguar vlerat e revolucionit të tij në Shqipëri. Në gazetën Tema të vitit 2006- 2007, ku Fevziu ka qenë gazetar, janë botuar të gjitha ato që Fevziu i quan dokumente për herë të parë siç janë urdhrat për vrasje apo qërim hesapesh për kundërshtarët e tij. Janë botuar se ishin në arkiva dhe të luteshin të gjithë për t’i botuar. Po ashtu Malltezi dhe Plasari kanë botuar dokumentet e Plenumit të Beratit apo raporteve me jugosllavët. Po të ishte gjallë sot Enver Hoxha dhe të jetonte me gruan e tij në Laprakë, me siguri nga inati dhe mllefi ndaj atyre që e kishin çuar atje, do t’i botonte vetë këto gjëra për të treguar me sa mundim dhe sa gjak ia kish arritur të merrte pushtetin. Ai kishte nevojë për një biografi të vërtetë revolucionari dhe Fevziu e ka ndihmuar në këtë pikë. Edhe vetë familja e Hoxhës nuk ka kundërshtuar asgjë themelore në libër përveç thashethemeve që dhe Fevziu i citon si të tilla mbi vese private të Hoxhës apo mbi skena private në familje, për të cilat ai as nuk është dëshmitar dhe as ka dëshmi me të besueshme se ato që mund të kenë familjarët. Askush më shumë se Nexhmija s’mund të flasë për huqet seksuale të tij dhe askush më shumë se nuset dhe djemtë e tij s’mund të flasin për sjelljet në familje të tij.

Por ata nuk kanë hedhur poshtë asgjë historike nga ato që janë botuar për arsyen e thjeshtë se të gjitha janë të botuara dhe ata ndihen krenarë me ato që ka bërë Enveri. Fevziu thjesht ndihet i çuditur kur i ka lexuar vetë në librin e tij.

 

Një libër pa gjini dhe pa strukturë 

 

Libri fillon mirë. Bile duket se nga mënyra si fillon, sipas stilit të gazetarëve perëndimorë që shkruajnë biografi, të krijohet ideja se do kemi një libër publicistikë për biografinë e Hoxhës. Ka investigime bindëse për mënyrën si Hoxha i mbijetoi luftërave të brendshme në vitet 1943- 1944, megjithëse disa flluska ajri që s’takojnë herë pas here rrjedhën e ngjarjeve, të cilën unë si nxënës i mirë që kam qenë në histori e kam të fiksuar dhe ngelem pa përgjigje. Por thuajse pas kapitujve të parë dhe kthimeve të herëpashershme tek vitet ‘43- ‘44 libri e humbet karakterin publicistik dhe matet të bëhet historik duke ngelur në klasë të dy gjinitë. Vetë Enver Hoxha ka qenë një farë shkrimtari, bile një shkrimtar mesatar siç e ka konsideruar dhe Ismail Kadare. Në librat e tij të detajuar për historinë e vet dhe komunizmin shqiptar ai na ka sjellë shumë më tepër të dhëna se sa sjell libri i Fevziut. Fevziu ka stërmunduar kot ekipin që i ka mbledhur dokumentet, pa sjellë ndonjë gjë të re, as historike dhe as publicistike. Ai mund të fokusohej si publicist tek veprat e shkruara të Enver Hoxhës nga vetë autori dhe të ndriçonte pjesët e errëta të tyre, ato që ai nuk kishte treguar apo deformuar. Ky do ishte një kontribut real dhe një libër i vërtetë publicistik. Në formën që është ai, nuk është as publicistik dhe as historik, pasi tenton të nisë si një libër historie dhe përfundon si një libër perceptimi mbi Enver Hoxhën.

Po ashtu flagrante është mungesa e një kriteri mbi të cilën ka ndërtuar biografinë që ai pretendon për Hoxhën. E ka nisur mirë me rininë e tij dhe mbijetesën në krye të PKSH deri në vitin 1944 dhe pastaj libri është hapur si një dyllë që shkrihet mbi zjarr pa formë, pa përmbajtje dhe pa kriter vlerësimi. Nëse do t’i mbetej besnik historisë, ai duhet të analizonte gjithë zhvillimet e Partisë së Punës që ka diktuar Enver Hoxha siç ishin prishjet me jugosllavët, rusët, Konferencën e Tiranës, Letrën e Hapur, luftën ndaj klerit, betejën kundër liberalizmit, izolimin, afrimin me Greqinë, afrimin me vendet myslimane dhe në fund dorëzimin e tij ne izolacion. Libri pas vitit 1944 është një amalgamë faktesh rastësore dhe parciale dhe mbushur me detaje interesante, por të parëndësishme për të shpjeguar historinë. Janë gjëra që mund të çudisin ata që nuk e njohin historinë e komunizmit në Shqipëri, por kurrsesi nuk janë serioze jo më për historianët, por as për amatorët e historisë së komunizmit.

Si publicist ai mund të kapte plot tema interesante për biografinë e Enver Hoxhës, mund të prekte në një strukturë libri shkollën e eliminimit politik në komunizëm, mund të përshkruante mbijetesën ekonomike të komunizmit dhe ritmet e zhvillimit të një vendi gjysmëfeudal nga komunizmi, mund të ilustronte, ndoshta më mirë se kushdo tjetër nga ne gazetarët, dhe me historinë e familjes së tij, e cila është dashtë të kalojë në ilegalitet duke ndërruar emra e mbiemra, duke bërë adoptime dhe lojëra politike për t’i mbijetuar persekutimit. Vetë biografia e autorit është dëshmi shumë me e rëndë se çfarë u ka bërë komunizmi shqiptarëve, se sa libri që ai ka shkruar për Enver Hoxhën. I lindur nga një baba me origjine nga Starova e Pogradecit me mbiemrin Starova, kushërinjtë e tij të parë e kanë bërë mbiemrin Hysenbegasi, babi i tij e ka bërë Bregasi, nëna e tij ka qenë Toptani, vetë autori e ka bërë Fevziu duke u adoptuar nga daja i nënës që ka pasur nënën e tij nga dera e Refik Bej Toptanit. Vetë autorit i është dashur të ndërrojë jo vetëm mbiemrin, por dhe vendlindjen për tu shkëputur nga historia e persekutimit të komunizmit. Dhe një njeri që ka drojë të pranojë persekutimin e tij në komunizëm, ose është një adhurues i fshehtë i komunizmit dhe mallkon fatin e vet, ose ka sëmundjen e adhurimit të çdo njeriu të pushtetshëm dhe do që të mos ketë me të raportet mes xhelatit dhe viktimës, por mes gjykatësit dhe të gjykuarit që adhuron. Nga ana publicistike kjo është një histori shumë më e bukur dhe me ilustruese për të shpjeguar komunizmin e Enver Hoxhës se kjo masë amorfe, me një kopertinë të inspiruar nga një libër për Stalinin, i cili në të vërtetë ka botuar faktet e panjohura për Stalinin dhe jo ribotim faktesh  pa asnjë strukturë dhe stil.

 

Një libër ku autori nuk “dëgjon” as vetveten

 

Unë e njoh autorin prej më shumë se 20 vitesh dhe kjo është një lehtësi e madhe për të kuptuar se ai në këtë libër është vetvetja. Të gjithë ata që e njohin sa unë, ose me pak se unë autorin e këtij libri, kanë vërejtur tek ai një cilësi të rrallë që pak kush e ka, cilësinë që ky njeri nuk të dëgjon kur bisedon me të. Nuk të dëgjon as në tavolinë, as në emision, as në bisedë dhe kam frikë se nuk dëgjon as në jetën e tij private askënd. Ai është një njeri i fiksuar pas ideve të çastit dhe gjithkënd rreth vetes nga ai moment e kthen në sfond të idesë së vet. Ai i ka emisionet një sfond për të përcjellë një porosi, i ka librat një arsye për të bërë promovim dhe darka protokollare ashtu siç ka jetën e vet një sfond, të cilës i ndërron vazhdimisht historinë sipas rrethanave që i nevojiten. Në këtë libër ai ka arritur kulmin, pasi nuk dëgjon as vetveten. Ka dhjetëra fakte në këtë libër për të cilat nuk dua të lodh lexuesin që s’e ka lexuar, ku autori Blendi Fevziu nuk e dëgjon Blendi Fevziun që citon. Fjala vjen ai ka marrë një citim apo një dokument që ia ka ofruar ekipi i tij, bën sikur e citon atë, dhe pasi e citon, thotë me fjalët e tij krejt të kundërtën e asaj që ka cituar. Ky është rasti më ekstrem i mosdëgjimit të vetvetes dhe i falsitetit dhe ndjenjës sipërfaqësore që përshkruan librin. Po u sjell vetëm disa detaje. Flet për mjekun e shquar francez Pol Miliez si mjek personal të Enver Hoxhës. Më lart citon mjekun realisht personal të Enver Hoxhës, Isuf Kalo, që thotë se Miliezi asnjëherë nuk e ka vizituar Enver Hoxhën. “Ai asnjëherë nuk ka vënë stetoskopin për ta vizituar. Ai asnjëherë nuk e ka vizituar Enver Hoxhën. E ka takuar sigurisht, por nuk e ka vizituar.” (Faqe 277). Më poshtë vazhdon Fevziu: “Profesor Miliezi ishte jo vetëm mjeku personal i Hoxhës dhe i disa….”

Qartazi Fevziu nuk ka “dëgjuar” dhe as ka parë çfarë ka thënë dëshmitari Isuf Kalo. E kam parasysh sjelljen e tij me dokumentet si me pjesët filmike kur monton dokumentar që thotë tekstin e tij shpejt e shpejt dhe u thotë asistenteve ‘tani ilustrojini’. Ashtu duket se ka bërë dhe me këtë libër. Ka hedhur në tekst idenë e vet dhe është përpjekur ta ilustrojë me gjëra nuk kanë lidhje me ato që thotë se citon.

Më së shumti këto mangësi në fakt i vërejta në citimet që i ka bërë Hëna Këlcyrës, vajzës së Ali Këlcyrës, një mike e imja, të cilën e kam shoqëruar vetë në studio të Fevziut në fund të dhjetorit 2007, kur ajo shkeli për herë të parë në Shqipëri pas 63 vitesh. Së pari Fevziu e citon intervistën në nëntor 2007, nga lehtësia për të mos e shfletuar as muajin kur ia ka marrë. Në fakt ajo ka shkelur për herë të parë në Shqipëri në dhjetor të vitit 2007. Citon intervistën e saj në një vend ku argumenton pse Enver Hoxha si komunist ishte më i aftë se nacionalistët për të marrë pushtetin në Shqipëri dhe si e nxorën nga loja nacionalistët e Ballit Kombëtar, që nuk u përzien me pushtuesit siç ishte Këlcyra.

Ja se çfarë thotë Fevziu për këtë: “Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe: Protagonistë të një politike ndryshe, të vjetër, shumë kaotike dhe pa disiplinën e duhur, “ballistët” dhe nacionalistët në përgjithësi kanë qenë të destinuar të humbisnin, siç pranon dhe Hëna Këlcyra, vajza e Ali Këlcyrës, njërit…”.

Ja se çfarë citon nga Hëna Këlcyra: “Unë jam e bindur që babi kishte ide shumë të mira, por nuk do kishte sukses, sepse nuk kishte kurajë të merrte këto vendime që mori Enver Hoxha. Deri aty sa vrau dhe kunatin” (Faqe 112.)

A di kush të më thotë se ku bashkohet ajo që thotë Fevziu dhe ajo që thotë zonja Këlcyra? Zonja Këlcyra ka thënë me takt dhe moderacion se nacionalistet e tipit si babai i saj ishin idealistë dhe nuk e bazonin karrierën tek vrasjet, ndërsa tipa si Hoxha ishin të qartë se duhej vrarë për të marrë pushtetin. Kaq. Fevziu paaftësinë këtij tipi nacionalisti të papërzier me gjermanët dhe italianët siç ishin Këlcyra, Kupi, Kryeziu, Bajraktari etj, për të vrarë e quan sipas asaj që ka shkruar “një politikë ndryshe, të vjetër, shumë kaotike, dhe pa disiplinën e duhur”.

Edhe më e rëndë bëhet lehtësia me të cilën Fevziu nuk lexon dokumentet që citon, në një rast tjetër të po këtij personazhi, kur ajo shpjegon takimin e Ali Këlcyrës në Paris me Enver Hoxhën.

Fevziu shkruan se “zonja Këlcyra tregon se ishte Ali Këlcyra që me lutje të Bari Omarit, i gjeti Enver Hoxhës një punë me kohë të pjesshme në periferi të Parisit…” (Faqe 44). Pak më poshtë citohet Hëna Këlcyra të ketë thënë se “përfundimisht Eqrem Libohova që ishte ministër në atë kohë i gjeti një punë në Bruksel, në Konsullatën e nderit shqiptar”. Përveçse këto dy gjëra nuk lidhen fare me njëra- tjetrën, e vërteta është se në intervistën e saj Hëna Këlcyra ka treguar se Enver Hoxha ka takuar Ali Këlcyrën në Paris, dy herë. Një herë ai u ka shkuar në shtëpi për ngushëllime kur vdiq Faik Këlcyra dhe herën e dytë me një kërkesë private. Ja intervista e Hëna Këlcyrës për Fevziun:

“Si e kujtonte babai juaj Enver Hoxhën më pas, në emigracion?

Nuk i ka bërë për një përshtypje të mirë, pasi besoj jo herën e parë, por herën e dytë, zoti Hoxha kërkoi që të futesh në Bashkimin Demokratik dhe babai nuk e pranoi, pasi tha se kjo ishte sepse zoti Hoxha humbiste bursën që i kishte dhënë Eqrem Libohova. Familja e Hoxhajve vijnë nga Gjirokastra dhe bejlerët e Libohovës kanë pasur një farë mbrojtje për disa familje nga ato anët. Kështu ishte Shqipëria atëherë, duhet të kishe këto lidhjet për të pasur një bursë. Me qartësi nuk e di, po ky nuk i kishte kaluar provimet, një vit ta falnin, vitin e dytë ta përjashtonin bursën. Kaq ishte e vërtetë sa vajtja tek babai, nuk ishte se Hoxha ishte kundër regjimit të mbretit Zog, por po humbiste bursën edhe për këtë babai nuk e pranoi. Atëherë shkoi përsëri tek Eqrem bej Libohova, i cili më ka treguar një ditë që, i gjetëm një punë dhe në fjali më ka thënë me shumë detaje, i gjetëm një punë në rrethet e Parisit…” (Intervista e regjistruar më 24 dhjetor 2007 në studio të Opinion, Tiranë).

Pra shihet qartë nga intervista  që Hoxha ka mbijetuar pas ndërprerjes së studimeve në Paris, por atë e kanë ndihmuar Libohovët, të cilët kishin një lloj afërsie me familjen e tij, dhe që Hoxha ua keqshpërbleu pas komunizmit me cinizëm duke kalbur në burg Elmaz Libohovën, djalin e Myfit Bej Libohovës, po

ashtu i shkolluar në Francë dhe duke persekutuar gjithë pinjollët e tyre në Shqipëri, por kurrsesi nuk ka thënë askush që i ka gjetur punë Ali Këlcyra.

Nuk dua të citoj gjëra të tilla të pafundme në libër, gati pas çdo citimi, që ilustrojnë qartazi faktin se autori dhe dokumentet në libër janë dy gjëra të ndryshme. Ai nuk i respekton ato, por i ka vendosur aty thjesht si stoli për tu dukur libër me dokumente të cilat kanë zërin dhe vlerën e tyre, të cilat të gjithë lexuesit janë të lutur t’i lexojnë dhe kuptojnë pasi autori as i ka parë, as i ka lexuar dhe as i ka dëgjuar.

 

Disa rekomandime miqësore

 

Libri i Blendi Fevziut nuk është për tu djegur siç bëjnë disa enveristë në Ferizaj, nuk është për tu konsideruar i rëndësishëm siç thotë Sali Berisha, që ka mobilizuar shtetin të shkruajë kolektivisht një libër që i duhet për momentin, dhe nuk është për tu promovuar nga një protokoll tribal shtetëror, të cilët me injorancën e tyre i kanë bërë ceremoninë më shembullore Enver Hoxhës 20 vjet pasi shqiptarët rrëzuan regjimin e tij. Libri i Fevziut vlen si një përpjekje për të depolitizuar pjesërisht historinë e komunizmit në Shqipëri, që lidhet me Enver Hoxhën. Ai ka rishkruar disa fakte neutrale për komunizmin. Kjo vlen dhe si gjë e mangët.

Vetë Fevziu ka mbajtur një qëndrim fyes ndaj kritikave për librin. Është ngutur të fyejë ata që ia kritikojnë librin, pasi mendon se ata që nuk flasin, ia vlerësojnë. Është mirë ta lërë mënjanë këtë gjë, por të dëgjojë kritika dhe të plotësojë dhe saktësojë librin që ashtu e ka gjysmak.

Autori ka botuar disa libra, shumicën përmbledhje intervistash, dhe ndoshta nuk është mësuar me reaksionin real ndaj një libri. Ai është po ashtu autor i një libri thuajse serioz dhe publicistik, që është “Piedestalet pa statuja” që flet për Lëvizjen e Dhjetorit dhe pak vite më vonë. Ai është një libër i mirë i tij, një libër ku autori dëgjon vetveten dhe faktet që ka jetuar. Është libri i tij që ka për t’i mbetur dhe nëse nuk i shkon në pritje  Berisha, Thaçi, Topalli dhe Haxhinastoja apo Aldo Bumçi. Të njëjtin kriter ai duhet të përdorë dhe për këtë libër. Në të vërtetë libri është një akt që mbetet dhe Fevziu e ka bërë tashmë këtë akt. Është mirë që ai të dëgjojë ata që ia kritikojnë librin, ta plotësojë, të qetësohet, të saktësojë gabimet dhe mbi të gjitha të lexojë dokumentet që ka botuar se janë të ndryshme me ato

që ai mendon për librin dhe Enver Hoxhën. Ai ka një raport të keq me të vërtetën në tërësi në jetën e tij si gazetar pro-qeveritar, por nuk është kurrë vonë që të ulet qoftë dhe një herë në jetë dhe të dëgjojë çfarë i thonë ata që ka përballë. Të ulet dhe të lexojë librin e tij, jo atë që ka shkruar vetë, por atë që ka shkruar Enver Hoxha dhe dëshmitarët e tjerë që vetë i citon dhe nuk i dëgjon.

 

19 Komente

hunter, dhe mos me akuzo me pastaj, se jo vetem une e du Meron...se eshte trim dhe i paepur......

ckemi alidems? Libri i Fevziut cdo gje mund te jete pervec se apologji e Enver Hoxhes.
p.s. asaj pyetjes tende te deklarimi i pasurise tu pergjigja disi ... tung

Hunter, nuk ma ke dhone pergjigjen te plote, siç duket ata te agjitpropit te Partise, nuk jua paskan bo tamom........punen desha me thone......pergjigja jote ishte si me ta thone Gjini i portokallise.....

lol me zor nuk te mesoj smiley te tregova si e cmeyre llogariten. cilet jane shpenzime te zbritshme e tregon ndonje udhezim tjeter. po ti mos e ke problem, tund lekun e ta qendisi une ty smiley

 hunter ,Nuk eshte puna tek nje liber  se sa tek halli i halleve.Djemte e pergatitur si Ju, dua  te thom ne fushen e ekonomise, kane nje pergjegjesi te madhe  historike, para vehtes, familjes dhe ketij fakiri popull, me hshtjen ose me keq akoma, me retushimin e se keqes.Ata do te duhet te lodhen per ta  ngritur zerin ne kup te Qiellit edhe kunder bindjeve te tyre, per kete  maskarade "suksesesh" ne fushen e ekonomise,  te  "drejtuar e prire" nga modelekonomisti.Ne  fakt nga nje i marre.Ashtu nuk folen shoket e tu te krahut tjeter edhe per dramen e Piramidave.Kjo eshte edhe me e rende.

  Nuk ju shkon juve te pergjigjeni me dy llafe dhe  te tregosh.... anen liberale...te  kusarmodelit, kur dominon kusaria mbi gjithçka, te shprehur ne mall e pare.Mund edhe  te mos  e beni, duke bere  ate qe po bejne shume te afte si dhe  Ju.Nuk  me thua sa mend  ka Sali Berisha  kur vete e jep mend Evropes per mposhtjen e krizes dhe pergjelos  se do mbjele 250 milione drure ..."te gjelber"?Pa mi  kthe ne dite pune/per rrenje dhe hektare per çdo 200 rrenje, sa do dali  shifra? Ku mi ka ky  keta puntore dhe kete siperfaqe te  lire te shtetit? Ne te  ....(kete llogari   e di shume mire edhe  ... normisti i fermerit te prodhimit te hunjve,... per domate, ne cilendo  Konte  te Frances , perveç Haxhi Plases tone.Dhe  keto na broçkullis ne Pariz.Mavria  Pariz, ç`po i  degjojne veshet!Mavrite ne, qe merr  vesh  dhe i tere  Parizi, qe e kemi... fshatarin tone..!

  Ju te lutem shume,zahmet e nxirr sa vite duhen vetem per ti ngulur ata drure? Dhe  ne se  ka ndonje lidhje mes drureve per hunje me modelin  e ekonomise suksesive antikrize?Hunjet  e druret u mungojne italianev e grekeve?Kane miliarda! Te  marre nuk e di sa u dalin.Plot mbase, por ne kemi vetem nje, ama...  te  afte  te çmende, ... tere ekonomistet me shkolle.

Nuk eshte fatkeqesi, per mua heshtja apo retushimi  i te  keqes nga shume te fushes ,  se sa per vete kopetentet ku une ju  fus edhe Juve.bejne tifo e isooo!Iso ne avazin e  te keqes? ♀Jo  pse  nuk e shofin,  jo pse nuk dine, por nuk duan.Jane  pale me te keqen e ketij vendi.Kjo nuk ka me dyshim dhe nuk don me kallauz.

E megjithate, mbaja holle vazin haxhiumodelit, por  mba  mend,  se ky avaz eshte motamo  si ai i  curles te... Nastradinit. Shume shpejt do" te degjohet" edhe nga  te shurdhet... me dashje

grava, me fal qe po nderhyj se me tjeterkend e kishe muhabetin. Po nuk mund te flitet per ekonomi ne nje vend ku ligjet jane vetm neper libra qe nuk i lexon njeri. Kur flitet per liri ekonomike, kihet parasysh siguria e prones, zbatimi i ligjeve dhe garancia se ligjet nuk do ndryshojne 6 muaj pasi te fillohet nje biznes. Tani perderisa ne nuk kemi as minimumin e konceptit te shtetit ligjor nuk ka kuptim te flasim per ekonomi dhe ligje ekonomike. Eshte njelloj si te duash te rritesh pyje tropikale ne shkretetire.

Po kjo 250milion nga doli? Si eshte e mundur te thuhet (e te besohet) 250milion? lol

Pergjigja me lart imja ishte per alidemsin per deklaraten e te ardhurave.

Sipas gazetes javore qe publikon KASH (keshilli agrobiznesit shqiptar) e dhe kete paragraf: "“Shqipëria ka përcaktuar si 

objektiv ambicioz mbjelljen në 8 vite të 250 milion drurëve frutorë”, kujtoi Berisha, duke theksuar se “kjo do të përbëjë shndërrimin e saj “de facto” në kopshtin shkëmbor të Evropës Juglindore”. gazeten e ke te ky link:http://www.kash.org.al/documents/newspapers/agrobiznesi188.pdf

Mendoj se ne kete rast vlen te flitet mbi saktesine e kthejtesine  e frikshme te analizes se Meros se sa per librin e dale boje tashme te Blendit. Fevziu nuk do te te dije te degjoje as kete here...se nuk mundet. 

 

Prape po ky muhabet,47 mije kopje,400 mije Euro per Fevziun,e ju merreni jo nuk mora inat Fevzon por mora inat Enverin,milet i cuditshem,ore keta sa me shume ti rrjepesh aq me shume te duan,se kush e ka thene kete shprehje.

Brad, pse vertet jane shitur 47 mij kopje te librit te Fevziut.

Pjer,  po  qe se behen 94.000 prej Bradit, thua se ka ndonej pergjegjesi, po dolen me ndryshe ?

  Ustai,   prite kur te thote  "u mbush ..Globi me Envere", e gjene nuk ka per ta qujt.... mburrje...

Natyrisht qe jo grava, edhe sikur 100 mij kopje te shiten, por u habita me budedallikun e popullit tone, qe terhiqet pas titullit, dhe o burra, me vjen habi se si ky lexues terhiqet nga titulli dhe jo nga permbajtja.  E lexova artikullin, dhe sikur e prisja nje gje te tille, qe libri nuk do te sillte ndonje gje te re, nga ç'kan thene gazetat, arshivat dhe autoret e tjere. 

Pjero, 1000 kopje i ka blere publiku. 46000 te tjerat i ka blere qeveriu t'ua beje dhurate punonjesve te saj ose per nevoja te tjera personale. Besoj ketu e kish fjalen Bradi.

Mua po me vjen keq, qe Grava akoma nuk e paska mbaruar ate artikullin e tij per kete qellim.......apo jo Grava...?smileysmiley

Unë mendoj, se cdo biografi e diktatorit, duhet të përqendrohet rreth pushtetit. Pushteti dhe njeriu. Pushtetin unë e konceptoj si mundësi për të vendosur për fatin e njeriut. Enver Hoxha ka qenë pa diskutim njeriu më i pushtetshëm në Shqipërinë e viteve të pasluftës. Duhet të biem dakord për këtë parakusht. Nëse do të duam të bëjmë biografinë e këtij njeriu, që ka pasur kaq shumë pushtet, saqë të vendoste për jetën e për vdekjen e kaq e kaq njerëzve, për cilësinë e jetës e për cilësinë e vdekjes së shqiptarëve, duhet të evidentojmë mjaft mirë, mekanizmin që e ngriti/solli në pushtet. Sipas meje, pushteti është kur dikush vendos për vdekjen e tjetrit. Ky është pushteti absolut. Ky pushtet absolut mund të ndihmohet, ose pengohet nga rregullat. Por, pushteti absolut është ai që të jep ‘të drejtën’ të vendosësh për vdekjen e tjetrit. Në këtë kuptim, unë mendoj se diktatori herët, ose vonë, është ndihmuar në rrugën e tij drejt pushtetit nga vdekja. Ai e ka kuptuar që pushteti ka aleat vdekjen. Vdekja ndonjëherë ka qenë natyrale, e ndonjëherë, ka qenë e qëllimshme/e porositur. Por, gjithnjë ka një cast, kur vdekja ndërhyn si aleat i pushtetit. Nëse pushteti ngjizet në këtë aleancë, ai është i destinuar të përfundojë në diktaturë. Njeriu, që ngjitet në pushtet në këtë mënyrë, do ta përsërisë atë mizanskenë, derisa ta shndërrojë në një skenë gjigande, ku vdekja do të jetë zgjidhja e përsosur. Unë, do të dëshiroja të dija, cila vdekje ka qenë aleate e Enver Hoxhës. Cila ka qenë ajo vdekje, që ka ngjizur aleancën e tij me pushtetin. Biografia që do të më sqarojë këtë do të jetë biografia e tij. Libri që nuk sqaron këtë detaj, nuk e meriton të quhet biografi.

i, e pushtetit...pushtetiii...

Personazhi pozitiv.... Personazhi negativ. Pa te tille mendesia jone nuk i jep vlere veprave.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).