Ish-dhjetoristi: Shteti, i sunduar nga një oligarki

“Kemi humbur 20 vjet, por kurrë nuk është vonë për një fillim të ri, sepse gjithnjë duhet punuar për vete, por edhe për jetën e fëmijëve e për të ardhmen. Nuk është gabim mos me ndrrue rrugë, gabim është mos me ndrrue rrugë kur shihet qartë se rruga ku po të drejtojnë është rruga e krimit, e zvetënimit...”. Një nga protagonistët e lëvizjes së Dhjetorit, Shinasi Rama, i larguar shumë shpejt nga PD, me akuzën se lidershipi ka plagjiatuar sistemin komunist, tashmë ka një shpresë në vetvete. Një nga intelektualët më të njohur shqiptarë jashtë vendit, aktiv në katedrat e dy prej universiteteve më të mira në SHBA, në një intervistë për “Shqip” analizon thellë zhvillimet aktuale, por jep edhe një prognozë të ndryshimit, duke dhënë këshilla për forcën e re politike të së djathtës në vend...

Profesor Rama, ju keni qenë një nga protagonistët e Lëvizjes Studentore dhe ndër themeluesit e PD-së. Ju vazhdimisht keni qenë kritik ndaj lidershipit aktual të PD-së. Cila është arsyeja?

Unë kam qenë e jam kritik ndaj të gjithë shtresës oligarkike që sundon shtetin, që kontrollon ekonominë dhe që manipulon vlerat shoqërore përmes sistemit të fuqishëm të propagandës nën kontrollin e saj. Këtë shtresë, një grup të lidhur ngushtë me njëmijë fije të pazgjidhshme dhe të ndërtuar në bazë të parimeve klanore mafioze, së cilës i përkasin të gjithë prijatarët politikë dhe oligarkët e vërtetë të klaneve mafioze-politike, unë e kam quajtur paria e Tiranës dhe e kam bërë objekt të studimeve dhe analizave të mia. Ky grup, dhe trustet e kartelet e tij kriminale të drejtuara nga individë si Sali Berisha, Gramoz Ruçi apo Ilir Meta apo mëkëmbësit e tyre, janë kanceri i shoqërisë shqiptare. Me këtë shtresë dhe me problemin e tranzicionit merrem edhe në librin tim, “Përrallat e Tranzicionit”, që del në fillim të marsit.

Është dukur se kam qenë më kritik ndaj PD-së, sepse i kam kushtuar pak më shumë vëmendje. PD është partia që e kam nisur unë, partia në të cilën kam dhënë një kontribut vendimtar dhe të spikatur, dhe që ka qenë shpresa e madhe në fillimet e tranzicionit. Sot më dhëmb fort që ta shoh PD-në të transformuar në një Trust Gështenjash, në një kartel kriminal mafioz-klanor, të dalë nga dramat e Brehtit. Sot PD është një strukturë politike oligarkike, e kalbëzuar përbrenda, pa vlera, pa shpresë, pa ideologji, pa të ardhme. Udhëheqja e PD-së ka tradhtuar masën e madhe të militantëve të vet, të idealistëve të vërtetë, dhe të të gjithë njerëzve që donin një të ardhme ndryshe. Ajo është kthyer në një parti klienteliste, me bazë krahinore-katundare, që ka vetëm funksionin e mbajtjes në pushtet të Sali Berishës dhe të mbrojtjes së familjes së tij. PD është shndërruar në një instrument të pastër të vullnetit politik të një individi uzurpator, një enveristi militant, persekutori të stërvitur, komunisti të pandreqshëm me mendësi kooperativiste, njeri që i ka larë duart me gjakun e me nderin e shqiptarëve, njeriut që ka shitur tokën shqiptare, njeriut që nuk ndalet para asgjëje për të mbrojtur interesat e veta, njeriut që manipulon militantët e vërtetë, patriotët dhe njerëzit e ndershëm që kanë besuar në misionin e vërtetë të PD-së dhe kanë dashur të mirën e të gjithë shqiptarëve. Si themelues i saj, më vjen keq për zhgënjimin e jashtëzakonshëm që kanë pësuar e që po pësojnë të gjithë ata që e konsideruan atë parti si shpresën e të ardhmes së tyre. Mbi të gjitha më vjen keq për miqtë e mi të shumtë të Lëvizjes Studentore, që për një kohë e lidhën fatin e tyre politik me PD-në dhe u zhgënjyen e po zhgënjehen keqas.

Kur kam folur për PD-në, kam folur për këtë masë kritike njerëzish të ndershëm, për studentët, punëtorët, të vuajturit, të persekutuarit, për ata që kërkonin një rrugë shprese dhe të ardhme më të mirë. Ajo që kam dashur të them mund të përmblidhet në dy fjali. PD dhe Sali Berisha kanë qenë një zhgënjim i madh për të gjithë ju, por ka shpresë për të ardhmen, ka zgjidhje për të ardhmen, dhe ka rrugë që ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme, pse janë të mbështetura në vlera të përbashkëta, pse mbajnë parasysh të mirën e përbashkët të të gjithëve dhe pse ka njerëz që mendojnë e punojnë për të mirën e shqiptarëve. Kemi humbur 20 vjet, por kurrë nuk është vonë për një fillim të ri, sepse gjithnjë duhet punuar për vete, por edhe për jetën e fëmijëve e për të ardhmen. Nuk është gabim mos me ndrrue rrugë, gabim është mos me ndrrue rrugë kur shihet qartë se rruga ku po të drejtojnë është rruga e krimit, e zvetënimit, e degjenerimit, e poshtërsisë dhe e humbjes së nderit e të shpresës.

Në një analizë tuajën, si vjen shteti shqiptar në 100-vjetorin e krijimit të tij?

Shteti shqiptar është një shtet në një gjendje shumë kritike në të gjithë drejtimet e mundshme. Në nivelin politik nuk janë zgjidhur problemet themelore të identitetit dhe të formimit të shtetit-komb. Shteti nuk ka sovranitet, territori dhe pasuria kombëtare falen nga politikanët dhe shteti drejtohet si kooperative bujqësore, me metoda enveriste dhe sipas interesave të klaneve. Politikanët vetë janë të zvetënuar dhe të kriminalizuar, pa vlera morale dhe pa kurrfarë ndjenje shërbimi publik. Aty ku duhet të ketë dashuri për kombin e shtetin, ka besnikëri të shpallur e të pakufizuar për tarafin, bandën, katundin e klanin. Aty ku duhet të gjenden e të dallohen manipulatorët e sofistikuar të ligjeve që janë formuluar për të gjithë e në interes të të gjithëve, brohoriten ata që e bëjnë ligjin aty për aty, veç për interesat e tyre, dhe e ndërrojnë ligjin sa të kryejnë punën e vet, që mund të jetë, as më shumë e as më pak, nevoja e ndërtimit të një pallati në tokën e vjehrrës. Aty ku duhet të ketë shtet, të paktën aq sa për të mbrojtur interesat e parisë, ka një strukturë të pastër mafioze që e mban edhe parinë si peng të sajin. Aty ku duhet të ketë sofistikim intelektual e argumentim ligjor, luhet fall për natë në emisionet televizive. Politikanët të thonë sot atë që nuk do ta thonë nesër, e që është e kundërta e asaj që kanë thënë dje e që nuk ka asgjë të përbashkët me atë që ia thonë vetes së tyre. Ai që duhej të ishte Pari dikund tjetër, në Tiranë shet drogë në qoshe të rrugës, e ai që din se si mund të rrihet në qoshe të rrugës bëhet deputet, ministër, kryetar, prijatar i parisë dhe konsiderohet si e ardhmja e kombit. Në nivelin shoqëror, shoqëria është e thërrmuar, e paqartë dhe e zvetënuar. Shteti shqiptar është i sunduar nga një oligarki e pastër politike, një shtet në të cilin hajdutët e thesarit të shtetit dhe të pasurisë kombëtare janë pasanikët më të mëdhenj, por edhe drejtuesit e partive politike. Pushteti dhe fuqia e vërtetë ekonomike është e përqendruar në një grusht familjesh mafioze. Nuk ka ekonomi të mirëfilltë prodhuese. Humbjet njerëzore dhe të kapitalit njerëzor kanë qenë katastrofike. 1.5 milionë shqiptarë kanë lënë vendin, janë hedhur me rrugë me qindra mijëra jetë, janë shpërdoruar mbi 120 miliardë dollarë para të pastra e të papastra që kanë hyrë në shtetin shqiptar. Tranzicioni nuk është mbyllur, por edhe nuk mund të mbyllet, sepse nuk është ndërtuar sistemi që duhet. Ka ardhur koha për reflektime shumë serioze dhe zgjidhjet nuk vijnë nga paria, ato vijnë nga masat dhe nga intelektualët që do të dalin nga gjiri i popullit. Shteti shqiptar kërkon zgjidhje, por zgjidhjet nuk mund të vijnë nga paria që e sjell vendin në këtë gjendje.

Kohët e fundit ka një zhvillim nga e djathta shqiptare, kur një grupim ish-themeluesish të PD-së kanë marrë nismën e krijimit të një force të re politike të frymëzuar nga idealet e Dhjetorit.

Për këtë parti pritet edhe zbritja në politikë e Presidentit Bamir Topi, pas lënies së mandatit. Si e shikoni ju këtë nismë dhe a mund të jetë shpresëdhënëse?

Për mua, një forcë politike do të jetë shpresëdhënëse kur iu jep shpresë të gjithë shqiptarëve dhe e nxjerr vendin nga bataku moral ku është zhytur sot. Një forcë e re politike duhet të ofrojë zgjidhje në lidhje me rrugën që duhet të ndiqet. Cilën do të ndjekin forcat e reja që hyjnë në politikën shqiptare? Gjërat janë të thjeshta. Nga kjo pikë e në vazhdim, mendimi im është se zgjidhjet janë dy. Njëri drejtim është që do të vazhdojmë që të ecim në këtë rrugë eksperimentale. Kështu, do të shkojmë në fundin e saj logjik e të frikshëm, atë të një shoqërie të kriminalizuar e jonormale, sepse edhe tashti jemi edhe shumë më keq se Gomorrah e Savianos. Kjo rrugë e lehtë për t’u ndjekur e sheh shtetin shqiptar gradualisht të kthyer në Haitin e Europës, e në rastin më të mirë, në një quartiere napoletano apo në atë që në lingua mafiosa njihet si borgata.

Drejtimi tjetër është që të ndërrohet rrugë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky ndryshim i domosdoshëm shoqëror nuk mund të bëhet nga paria sunduese apo nga kërpudhat partiake, nga shoqatat joqeveritare e nga strukturat e dyshimta të interesave të tjera të organizuara që gëlojnë në Tiranë e që janë pjesë e strukturave të parisë. Këto struktura diversive janë thjesht zgjatje të krahëve të parisë sunduese dhe janë në shërbim të saj. Kjo rrugë kërkon angazhimin e një grupimi të ri njerëzish, të papërlyer, e me përkushtim ndaj kësaj zgjidhjeje. Kjo rrugë kërkon një strukturë të qartë, ideologji e rrugëzgjidhje të mbështetura në rastet më të suksesshme të ndërtimit të shoqërive të ndryshme bashkëkohore të mbështetura në projekte modernizuese. Mendimi im është se rruga ideale ku duhet të ecim është rruga e normalizimit të shoqërisë si një bashkësi me identitet të qartë kombëtar, të vendosjes së ekuilibrave të duhura shoqërore, dhe të ndërtimit të strukturave shtetërore që i kontribuojnë ruajtjes e kultivimit të vlerave morale. Kjo arrihet përmes zbatimit të një projekti shoqëror që i zgjidh problemet e shumta që janë të dallueshme nga gjithkush. Zgjidhja vjen duke i eliminuar tepritë e deritanishme, por edhe duke krijuar mundësi të reja që do të jenë në të mirën e përgjithshme. Ky projekt duhet vënë në jetë në mënyrë metodike, duke mbajtur parasysh kushtet specifike shqiptare, dallueshmëritë kulturore të popullit tonë, mundësitë tona ekonomike, burimet njerëzore dhe interesat jetike kombëtare.....

51 Komente

Professor Shinasi asht nji nder mendjet e pakta, vertet te ndrituna, qi ka nxjerre shqipnija. Intelekti, dija "enciklopedike" dhe aftsia e tij per t'analizu e mendu n'mnyre kritike t'len pa mend. Gjynah qi shtypi e medjat shqiptare, e nepermjet tyne populli shqiptar, kane kontakte shume t'pakta me mendimet e vizionet e tij. 

Po m'bahet qejfi shum qi po e shof ket shkrim ktu.

Nuk e paske n'qejf Shinasin m'duket. Ça t'ka ba? smiley

Reagimi jot asht nji perziemje midis enverizmit dhe hitlerizmit. smiley

Pse a sje nazi ti? 

Si nuk e lexova njeher kete Shinasiun te flas gabim. Kam respekt.smiley

janë shpërdoruar mbi 120 miliardë dollarë para të pastra e të papastra që kanë hyrë në shtetin shqiptar

Po mer Shinasi, degjo, ktheje tv-ne tek Eurosporti pasi po jep nje ndeshje futbolli mes kombetareve se alieneve te galaktikes se Rruges se Qumeshtit dhe asaj te Majmunit te Zi.Goxha e forte.

Shinasi nuk ka kohe per eurosport, kohen e lire e kalon duke drejtu projekte analize rreth zhvillimeve t'fundit politike, ekonomike dhe shoqnore ne Egjipt, Siri, Libi, etj., per departentin e shtetit amerikan. smiley

Shinasiu ka tere respektin tim, po pertej nje shfryerje dufi ne teresi, qe ne aspektin personal mund te gjeje justifikim por tablose se pergjithshme nuk i shton gje, nuk ka thene tjeter. Ne tipin tim preferoj analiza konkrete, ndertuese, qofte dhe si teper spekulative mjaft te kene thelb konstruktiv sa per duf lexoj Andrea Stefanin me mire. Per sa shprehet siper ne artikull ka thene gjera te sterthena e te tejkaluara.

Edhe une, preferoj analiza konkrete te dala nga nje insitut qe e nxjerr Shqiperine ne vend te dyte ne Evrope per rritje ekonomike madje do preferoja te ishte Dritan Hoxha prezantusi i tablose, e te bente nje masturbim filozofiko-intelektual e te na shpjegonte tablone e pergjithshmesi si ka arrit ne kete konkluzion.

lere rehat Dritan Hoxhen rahmet paste, nuk behet ironi me te vdekurit

Boisa me duket se Bostonian e ka fjalen per Artan Hoxhen. Ate eruditin e Universitetit bla bla bla bla.

Nuk ka ekonomi të mirëfilltë prodhuese. Humbjet njerëzore dhe të kapitalit njerëzor kanë qenë katastrofike. 1.5 milionë shqiptarë kanë lënë vendin, janë hedhur me rrugë me qindra mijëra jetë, janë shpërdoruar mbi 120 miliardë dollarë para të pastra e të papastra që kanë hyrë në shtetin shqiptar.
A e ka idene shinasiu sa sa shume jane 120 miliarde dollare?

120 miliarde me duken pak si nivel shperdorimi. Pastaj po flet per te dy ekonomite: te bardhen dhe te zezen

Si qenka shperdoruar 120 miliarde kur borxhi i jashtem i shqiperise eshte vetem 7 miliarde.Ne firmat piramidale u humben vetem nje miliarde dhe u be hataja.

Po ku jane ata te djathtet te cilet bejne altoparlantin ketu vetem kur diskkutohet Rama, apo Berisha si persona dhe jo si ideologji? Ketu perveç boises, qe eshte i theksum, perkrah Komandantit, se vetem ai i bo vezet e arta, te tjeret ku jane???

ah me falni edhe Tef Palushi, se edhe ky do me i gja njatij Tefe....

Mos u kapni tek 120 miliardet duhet lexuar ne dy menyra:

1- Gabim shtypi per 12 miliarde duke llogaritur vetem parate e emigranteve (megjithese shuma duhet te jete me e larte si permbledhje e 20 vjeteve).

2- Shinasiu di ndonje gje qe ne nuk e dime, psh vetem defiçiti import-eksport eshte 3.5- 4 miliard ne vit, tani nga leshin gjenden keto 3,5 - 4 miliard dollare valute ne vit ? Normal kane hyre ne Shqiperi nga jashte, se ne nuk presim valute.

Po ta marrim me nje mesatare prej 2 miliard dollare ne vit( 0,5 miliard para 20 vjetesh dhe 3,5 miliard sot), ne 20 vjetet e fundit, i bie te kene dale nga Shqiperia plot 40 miliard dollare per te mos thene 50 miliard.

Tani ku Leshin i gjeti Shqiperia keto 40-50 miliarde dollare per te paguar importet ?

Prandaj te nderuar peshkista qe talleni, perpiquni te informoheni njehere, se beni figuren e m.

 

Serbia nga viti 2000 ne 2008 ka marre 5miliard euro, vetem, nga kosova. Eksport ushqimesh vetem. Pa llogarite energjine elektrike, operatoret telefonike (celulare dhe jo vetem), materialet e industrive dhe fabrikave, materiale ndertimi etj etj. Dhe kosova i ka apo si ka 2milione banore. Gjysen e 20vjetve te fundit e ka kalu ne lufte, ku populli nuk kerkon pretendime e nevoja te mdha, vecse nji batanie, buke thate, i cakmak e ndoj cigare duhan nga ushtaret e huej.

Kto ktu harrojne eksportin e armeve qi ka ba shqipnia, ate te energjise, shitjen e tenderave per hidrocentrale e industri. Kontrabanden me serbine e jugosllavine gjate embargos; duke ja nise nga mielli e kafja, nafta, e deri tek lojnat e fmijve qi vinin nga kina e truqia, me pak fjale cdo gja per t'cilen nji shtet e nji popull ka nevoje ka kalu nga shqipnija (kte punen e embargos e them sepse e kemi jetu vete.) Ne Shegan (afer hanit te hotit), markat gjermane kalonin nga barkat (qi vishin nga mali i zi) me thase, ne fugonat e "boss"-ave te Malesise dhe Bajzez Kastratit. Vinte barka nga mali i zi e ngarueme me thase me marka, n'te kishte te montum 12.7mm'sh e 4-5 persona te armatosun, me raste te shoqnuem nga milicia serbe. Milicise kufinit te jugosllavise i kemi pas thane "Broda"; kto veprime ishin te mbeshtetuna nga qeverite e te dy vendeve, por persri u donte me u ruejt e me u kujdese per policet rruges Koplikut sepse ligji e denote kte veprimtari dhe po te donin te qitshin pune me prokurori etj etj, kshuqi ma mire me pagu mire nji polic rrugorjet sesa me pagu avokata, gjyqtare e prokurora, t'cilet kerkojne 10fishin, dhe me pase vonesa ne dorzime. Pastaj vijne ato te "ligjshmet". Kur embargoja ra, erdhen makinat luksoze te vjedhuna nga serbia, nafta (edhe pse kerkesa kishte ra) dhe prostitutat nga lindja; ma vone fillune dhe drognat. T'gjitha kto biznese u banin nepermjet liqenit.

Kto jane shume pak, se spo du me shku g'jate se bahem edhe i merzitshem, jo vetem i palexueshem. smiley

Por m'besoni se 180miliarde dollare, s'jane dhe aq shum per nji vend ne te cilin ka lulzu dhe vazhdon me lulzu krimi i organizuem.

se bahem edhe i merzitshem

shih, kot tani. Vazhdoje, pra.

ps. Te lutena!

Eh sa po me kenaq ore Shin ! Qasu se mjaft ke  ndenje larg !

Bravo Shinasi, me kenaqe. Sa per ato 120 miliard dollare te keq shperdoruara nga qeverite dhe parlamentet gjate ketyre 20 viteve je mese korekt. Po ti shtosh edhe demet qe me keqmenaxhimin e tyre i kane shkaktuar natyres dhe ne pergjithesi teritorit te Shqiperise, kjo shifer trefishohet. E nese politikanet tane tew ketyre viteve do te duheshin denuar per keto shperdorime, besoj se vendin e pare e ze sali-u dhe gjithashtu besoj se denimi i tij ne proporcion me shumen e demeve te shkaktuara duhet te jete ne infinit, pra burgim i perjetshem edhe pas vdekjes natyrale, ne menyre qe as var te mos kete kjo qelbesisre.

ja dhe nje arsyetim brilant per nje rritje çmimi, nga nje i djathte.....

 

Transporti urban, çmimi
i biletës propozohet 70 lekë
 TIRANE- Shoqata e transportit urban në qytetin e Tiranës ka propozuar që çmimi i biletës së autobusit të rritet me 2.5 herë të çmimit aktual. Nga 30 lekë të bëhet 70 lekë. Ajo do të jetë një përdorimshme, njësoj si biletat aktuale.  

Ferdinand Ibrahimi, president i shoqatës së urbanëve dhe pronari i një prej linjave më të rëndësishme të Tiranës, asaj të Unazës, shpjegon sot për gazetën “Shqiptarja.com” edhe arsyet që i detyron t'i kërkojnë bashkisë së Tiranës rritjen e çmimit të biletës deri në 70 lekë të reja.

Ai shpjegon se Investimet në transportin urban kanë kushtuar miliona euro dhe për këto kanë marrë kredi. Shto këtu dhe faktin se që nga 2009, çmimi i karburantit nga 102 lekë të reja sot është rreth 190 lekë të reja.

I pyetur nëse është I përballueshëm për qytetarët ky çmim Ibrahimi përgjigjet:“Mua më duket një çmim i arsyeshëm dhe nuk kemi fare frikë për këtë gjë. Nëse shqiptarët e pinë një kafe me 80-100 lekë, pse e paskan kaq të vështirë të paguajnë një biletë urbani 70 lekë.”
(sg/shqiptarja.com) 

hahahaha, i modh fare ky bossi i Ferlutit, ......po si nuk u ngopkan keta njerez tuj vjedh xhanem.......

Po nuk i tha gazetari ketij ,qe ne urban s'ipen njeri nga qejfi?smiley

smiley po s'ma mbajit xhepi ne lokal e pi dhe ne shtepi ,kurse autobuzin......apo te na rrojne kembetsmiley

cer koqe, ky kujto se gjithe njerzit rrine duke pi kafe te blloku gjithe diten, hajde karabush hajde.

hahahahahaahah thanks Alidems per prurjen. Kisha nevoje te qeshja pak. Ky qe thu ti ka qene kapter ushtrije, apo ndoshta edhe oficer. hahahahahahaha, ky e ka humb fare sensin e jetes ne Tirane e me gjere. Ky kujton se njerzit ne pergjithesi jane ne gjendje te mire ekonomike si vetja e vet. Ore idot po ata njerez qe i hipin urbanit, i hipin se nuk kane para per te blere veture apo per ti hipur taksise dhe sigurisht nuk kane as edhe per te pire kafe neper lokalet e shtrenjta. 

Tani seriozisht: sigurisht qe kostoja e udhetimit me urban brenda qytetit duhet te jete me e larte se 30 leke sa eshte cmimi i nje bilete, por ketu mesa di une ka nderhyre shteti/bashkija duke subvencionuar pronaret e linjave urbane. Nese kjo ndihme u eshte nderprere tani me ardhjen e kanakarit, kjo tregon se ai, kanakari pra, kerkon tju perzere. Keshtu i duhet hapur rruga malokeve te tjere se helbete me humbje ti shoku Hibrahim nuk ka aresye te punosh. 

po nuk kane faj mer lal nuk kan faj se i mesoi qeverria keq, nepermjet OSSH, pasi e rriti çmimin, ....sepse u dilte kostoja e larte...pasi nuk pagute 50% e popullsise..... edhe keta 30% te pareve ua vjedhin fatorinot dhe shoferet, e keta po thone se nuk u del.......pfff rrace e poshter.....

- O Ladi, a do na japesh nje kafe sot?

- Jo se do i hipi autobuzit.smiley

Aman e po i zhmadhoni dhe sterzmadhoni keto parate e emigranteve dhe kontributin e tyre.
Ato kane qene shume me te medha para 10 vjeteve dhe gjendja ishte me katastrofike se sot dhe para 10 vjetesh bota nuk kishte krize.

Eshte e vertete qe ka keqmenaxhime apo mungesa projektesh,por jo ne masen qe na thopte Shinasiu.

Pastaj ky Shinasiu ku ishte keto 20 vjet,kur PD-ja u vra dhe u pre ne 1997,kur bashkluftetari i tij u vra mu para zyres,kur ju vodh vota ne 2000 dhe 2001 dhe i vidheshin mandatet nga Gjykata e Fehmi Abdiut?

Te nxjerresh mllefin personal eshte gje e mire se te cliron nga streset...

Shinasiu ne ate kohe po i jepte leksione ne New York University studenteve qe paguanin te pakten nga 53.000 USD per nje vit shkolle. Tani, si thua ti, me mire te rrinte te ruante azem hajdarin apo me mire te shkollonte CEO-t e ardhshem te kompanive multimiliardere?

Nuk thashe te ruante Azemin,por nje kohe 5min sa per te dhene nje interviste dhe per te denuar aktin duhet ta kishte ky profesori apo jo?
Nuk ju kerkua me shume...

Sa per ta dit ti, Shinasiu futet te ai grup dhjetoristesh qe pasi rrezikuan koken, ju futen gishtin dhe iken jashte. te jesh i sigurte qe azemin ky e njihte shume me mire sesa e njeh ti, dhe per nje njeri qe e njeh mire ka dy rruge, ose jep nje interviste 50 minuta (jo 5 se nuk te dalin) ose i respekton vdekjen duke mos folur fare. Dhe mos u merr me llafe te peshku po ik bej detyrat.

Kristi, njeriu jep interviste, kur i afrohet dikush per ta intervistuar, keshtu qe mos e shih monedhen vetem nga nje krah (pse nuk ka dhene nje interviste athere) por shihe monedhen edhe nga krahu tjeter (a ju afrua njeri ketij per interviste) , sepse monedha ka gjithmon dy krahe/ane. Edhe une dua te jap interviste per shum gjera, biles kam edhe zgjidhje, mirpo persa kohe s'me afrohet njeri, rri e shikoj si te gjith te tjeret. Ne kete bote ka njerez qe kane bere gjera te medha, apo qe kane studiuar shume apo qe kane zgjidhje per nje problem psh, mirpo nuk i interviston kush, apo i intervistojne kur ben buje (me vonese) dhe ketu faji eshte komplet i shtypit, medias.  

Pjero, dale çik tani se spo e kuptoj kete tezen tende.. me te drejte ti kerkon te intervistohesh... po ku te te gjejne gazetaret, shtypi,media ty?  nga ta dine ata qe ti ke zgjidhje per probleme te ndryshme etj?

Ketu nuk fola per veten time Belulo, por per Shinasiun qe thosh Kristi ketu. Megjithate ketu ke nje fare te drejte smiley duhen pare gjerat nga te gjitha kendveshtrimet smiley 

Kush pedeist u vra dhe u pre ne 1997 ?

O shoku ,informohu cik me shume per Azemin,se nuk e vrane peseistat  ,por demokratetsmiley

Dmth votat jane vjedh deri ne 2001 ? Tani s'ka probleme te tilla ,apo s'ka pse ankohet shinasiu per pas 2001,se lodhet?smiley

" .... Politikanët vetë janë të zvetënuar dhe të kriminalizuar, pa vlera morale dhe pa kurrfarë ndjenje shërbimi publik. Aty ku duhet të ketë dashuri për kombin e shtetin, ka besnikëri të shpallur e të pakufizuar për tarafin, bandën, katundin e klanin... " 

Artikujt e Shinasiut, me pelqejne se godasin ne shenje, thone pikerisht realitetin, ndonse realitet i hidhur. 

 

" .... Tranzicioni nuk është mbyllur, por edhe nuk mund të mbyllet, sepse nuk është ndërtuar sistemi që duhet. Ka ardhur koha për reflektime shumë serioze dhe zgjidhjet nuk vijnë nga paria, ato vijnë nga masat dhe nga intelektualët që do të dalin nga gjiri i popullit. Shteti shqiptar kërkon zgjidhje, por zgjidhjet nuk mund të vijnë nga paria që e sjell vendin në këtë gjendje... " 

E me te lumte, por a u mbushet mendja njerzeve aty, politikanve, drejtuesve te prapaskenes, qe nuk shohin me shume se hunda e tyre. 

 

" .... Ky ndryshim i domosdoshëm shoqëror nuk mund të bëhet nga paria sunduese apo nga kërpudhat partiake, nga shoqatat joqeveritare e nga strukturat e dyshimta të interesave të tjera të organizuara që gëlojnë në Tiranë e që janë pjesë e strukturave të parisë. Këto struktura diversive janë thjesht zgjatje të krahëve të parisë sunduese dhe janë në shërbim të saj. Kjo rrugë kërkon angazhimin e një grupimi të ri njerëzish, të papërlyer, e me përkushtim ndaj kësaj zgjidhjeje. Kjo rrugë kërkon një strukturë të qartë, ideologji e rrugëzgjidhje të mbështetura në rastet më të suksesshme të ndërtimit të shoqërive të ndryshme bashkëkohore të mbështetura në projekte modernizuese... " 

 Kjo rruge dhe ky ndryshim, vertet kerkon njerez te paperlyer, te ndershem e me vizione, pikerisht ate qe kam thene une me vite. 

Shinasi Rama eshte ushtari i Rames tjeter qe drejton PS-ne, Edi Rames. Vereni me kujdes se si flet per "parine" dhe permend shume politikane por Edi Ramen nuk e ze ne goje, megjithese Rama (Edi) eshte nga njerezit me te perfoluar per kurrupsion, prirje autoritare e diktatoriale qe s'duron dot edhe veten para pasqyre lere me kundershtaret. Kjo shpjegon edhe ate fjalorin prej ilegali komunist qe perdor megjithese eshte profesor doktor.

ik ere toç kuklle, se teveqel paske met edhe pse paske shku ne USA...., po gjithkush kur kritikon nuk kritikon vartesin po eprorin mer trap, nuk kritikohet opozita por pozita per keto menxyra qe jetojme...por ty te paska ik menjja per lesh bubi shoku.....

Pse Gramoz Ruci eshte ne pushtet? Edi Rama a nuk ishte ne pushtet ne 11 vitet qe kaluan? A flet Rama (Shinasiu) per parine? E pra pari jane te gjithe, pushtet dhhe opozite, me klientelen dhe biznesmenet qe i perkrahin?

Shinasi Rama, qe ka denuar njerez ne diktaturen komuniste me deshmite e tij, eshte ushtari i Rames.

Ato sharjet merri mbrapsht se shqipen e dime te gjithe, po te filloj te te shaj une ty te bej me dhimbje koke.

Ka thene plot edhe per Edi Ramen, e ka futur ne pari gjithmone, nuk e di pse kete here jo, mbase jane takuar ne Amerike, ose mbase i eshte kujtuar se si te dy ikne nga PD-ja q ene krijim se e kuptuna heret maskaradne qe po luhej.

Trusti Geshtenjes-flm per kete z.Shinasi. 

Njëri drejtim është që do të vazhdojmë që të ecim në këtë rrugë eksperimentale. Kështu, do të shkojmë në fundin e saj logjik e të frikshëm, atë të një shoqërie të kriminalizuar e jonormale, sepse edhe tashti jemi edhe shumë më keq se Gomorrah e Savianos

S'e kom lexu Gomorrah-ne, po me rob me emer Amudsendilho jam mese i sigurt qe shoqnia e Shypnis o daha me keq.

well, edhe durimi i Atij Lart eshte argas me shum nderkohe. Quhet pervoje. Dhe/ose mpirje. Pra vertet vertet eshte me keq se Gomorrah,  krahasu me Gomorrha-n, por ne raport me Zotin para shiut me sulfate dhe Atij pas shiut, kemi edhe ca rezerva per zvetenim. Quhet dinamike e benchmarkut, se e di qe ti m'kupton. Regression me koeficiente dinamik. Se Zoti vete e tha me goje, qe e Keqja nuk paska fund.

Sa bukur dhe sa aktual i madhi Petro marko: marre pa leje nga http://www.facebook.com/botimetshqip

Grindje

Nga Petro Marko
Botuar më 1937

Që të dy të mençur. Që të dy të urtë e të matur. Kanë kohë që bisedojnë mbi të mirat dhe të këqijat e qytetit dhe fshatit.
-Kush rron më mirë?
-Kush ka më tepër rëndësi?
-Kush ka më tepër detyra dhe të drejta?
-A mundet katundari të zbresë në qytet dhe të bëhet qytetar?
-A mundet qytetari të lozë me fatin e katundarit?
-Si mund të bëhet fshati më i ëmbël?
-Si mund të rritet gjendja e ulët e katundarit?
-Pse e tërheq më tepër qyteti fshatarin e këputur?
-A janë në gjendje qytetarët të ndriçojnë katundarin?
-Cila është baza e shtetit, katundi apo qyteti?
-Kujt duhet t’i jepet më tepër rëndësi?
-Kush është i ngarkuar, kujt i përket, kush mund të verë turmat e vdekura në lëvizje për drejtime përparimtare?
-Vetëm qytetari të zhvillohet dhe pastaj katundari?
-Kush është burimi i pashterur i çdo pasurie, themeli i çdo zhvillimi?
- A duhet luftuar urbanizimi?
Dhe, më së fundi, hem qytetari, hem katundari nuk i dhanë asnjë përfundim bisedës së tyre. Akoma po bisedojnë. Puna ka marrë erë grindëse…
Ti, këndonjës, a je në gjendje t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve të tyre, qoftë edhe pjesërisht?
Nëse ti merr mundimin dhe e vret pakëz kokën për problemin “katundi dhe qyteti” dërgona pikëpamjet e tua, të cilat do t’i botojmë me kënaqësi në këtë shtyllë, të shoqëruara dhe me kritikat tona.

http://a2.sphotos.ak.fbcdn.net/hphotos-ak-ash4/s320x320/395188_10150535319412210_182132672209_8849676_1293051461_n.jpg

ky shinasiu ka thone i here qe ishin studentat qe kerkuan me teper se kushtet te mira ne konvikte ...p...kali ne dere te hanit i thone kesaj

ky shinasja do ishte mire te thote se kush i futi ata fakire studenta ne greve ...kot nuk hiku direkt ne usa ky athere dmth se dicka di po nuk do me thone

Gjon duhet te jesh i ri, ose nuk e ke idene se cfare roli ka lujt Shinasiu ne Levizjen e Dhjetorit. Esht shum i gjate muhabeti, por sa per sport, ai ishte faktori kryesor i radikalizimit te qendrimit deri ne greve urije. Bashke me Arben Liken, Tefalin Malshytin, Shvarcin e vogel, dhe te tjere qe nuk po i kujtoj tani. Dhe ne at shkurt, meqe do me e dit ti, apo ai qe pyeti me lart, PD dhe Azem Hajdari kerkonin nga studentet te mbyllnin greven ne emer te "paqes sociale" dhe ne mbeshtetje te Qeverise Pajtimit (?) U arrit deri aty sa Azemi i falenderoi NE MITING studentet "se i bene (pd) te leviznin me makina." ..

Keshtu qe, ne kte sistem vlerash, plus luftes qe ju be direkt nga SB ( e kan zbrit nga makina tu shku ne miting ne Lushnje), bohen pak si shume arsye per te ik ne Amerike.

 

Nqs do te mesosh per Greven e Urise, lexo me poshte:

 

Greva e urise

Nga: Edvin Shvarc

20 shkurti i vitit 1991 ka hyrë në historinë shqiptare si dita kur u shkatërrua përfundimisht miti i rremë i diktatorit Enver Hoxha, si dita kur shumica e shqiptarëve të denjë morën frymë lirisht duke u çliruar nga një makth gjysëmshekullor dhe kur një pakicë përjetoi''përbaltjen'' dhe ''poshtërimin'' e ''babait të tyre shpirtëror'', rreth së cilit kishin ngritur ekzistencën dhe shijimin e privilegjeve të tyre të pamerituara. 20 shkurti ishte ora e së vërtetës, pika e ndarjes së dy epokave, çasti kur pjesa dërrmuese e mbarë popullit shqiptar festonte rrëzimin e monumenteve të diktatorit nga piedestalet ku e kishin ngritur pa të drejtë dhe kur njëkohësisht, klasa sunduese kërcëllinte dhëmbët nga inati tërësisht e shurdhuar nga këmbanat që binin fuqishëm duke paralajmëruar fundin e sundimit të tyre gjakatar. Që nga ajo ditë nuk do të kishte më në Shqipëri diktaturë proletariati, nuk do të kishte më luftë klasash dhe vëllavrasje në emër të idealeve komuniste dhe shqipja dykrenare do të valëvitej e lirë pa yllin pesëcepësh mbi kokë. Por më e rëndësishmja ishte se shqiptarët do të shkonin në zgjedhjet e para demokratike pas 46 vjetësh tërësisht të çliruar nga hija e rëndë e E. Hoxhës dhe do të vendosnin vetë për të ardhmen e tyre, pa kaluar mespërmes traumës së një lufte të mundshme civile për meritat apo krimet e regjimit hoxhist. Këto arritje të rëndësishme erdhën si pasoja të drejtpërdrejta të Grevës së Urisë së zhvilluar nga studentët e Universitetit Shtetëror të Tiranës nga 18 deri më 20 shkurt 1991. Si edhe pse u bë Greva e Urisë e shkurtit 1991? Cilat qenë synimet e saj dhe nga kush u organizua? Kush do të përfitonte dhe kush do të humbiste nga kjo Grevë? A ishin me të vërtetë studentët ''heronjt vetëflijues'' të demokracisë së brishtë shqiptare siç u quajtën nga populli i Tiranës, apo ishin ''bukëshkalët dhe vandalët'' që bashkë me ''forcat e errëta'' ishin ''gati të profanonin edhe varret e të parëve'', që cënonin stabilitetin e forcave politike dhe rrezikonin ta shpinin vendin në kaos? Këto janë disa pika të rëndësishme mbi të cilat ky shkrim do të mundohet të hedhë pakëz dritë, pa pretenduar të monopolizojë të vërtetën, pasi vetëm pjesëmarrësit kryesorë në ato ngjarje sëbashku me historianët, e kanë atë të drejtë ekskluzive. Menjëherë pas ardhjes së pluralizmit politik dhe demokracisë së dronjtur shqiptare në sajë të fillimit të Lëvizjes Studentore në dhjetor 1990, u formuan partitë e para opozitare të cilat në gjirin e tyre përfshinë edhe shumë studentë entuziastë. Me krijimin e degëve partiake në rrethe si dhe me zgjedhjen e kryesive, u vu re një mënjanim i qëllimshëm i disa studentëve të cilët kishin luajtur një rol jo të vogël gjatë protestave të dhjetorit. Ky mënjanim u justifikua me papjekurinë rinore të disave, me mungesën e përvojës politike të disa të tjerëve si dhe me pretekstin se studentët me sjelljen e pluralizmit e kishin përfunduar rolin e tyre historik. Kështu që studentët iu rikthyen detyrës së tyre kryesore - iu futën përsëri shkollës dhe dhanë provimet e sezonit të janarit duke konstatuar me habi se universiteti vazhdonte të ishte akoma i politizuar tej mase, se dispencat përmbanin kapituj të tërë me frymën marksiste-leniniste aq sa edhe libri i ''Hyrjes në Gjuhësi'' fillonte me një citat të Stalinit! Puna arriti deri aty saqë ata pedagogë dhe dekanë të cilët i kishin kërcënuar studentët me përjashtim nga shkolla gjatë protestave të dhjetorit, tani po i merrnin përsëri në provime apo vazhdonin t'u jepnin leksione mbi rolin vendimtar të Partisë së Punës në historinë e Shqipërisë dhe mbi figurën ''polihidrike'' të shokut Enver, portretet dhe bustet e të cilit vazhdonin të qëndronin hijerëndë në auditorët e akullt! Të dëshpëruar dhe të prekur në sedër, deri diku edhe të përdoruar nga të tjerët, studentët mendonin se duhej bërë gjithçka për depolitizimin e universitetit dhe se kishin akoma aftësi për të kontribuar në të mirën e Shqipërisë. Me iniciativën e një grupi studentësh midis të cilëve ishin Arben Lika dhe Shinasi Rama, u krijua Shoqata Studentore ''Fan S. Noli''. Kjo Shoqatë me një program të përcaktuar qartë synonte organizimin e të gjithë studentëve të shkollave të larta në një trup të vetëm, depolitizimin e universitetit, rritjen e nivelit edukativ, administrimin e mjediseve studentore, bashkëpunimin me studentët kosovarë dhe shkëmbimin e eksperiencës dhe të dijeve edhe me universitete të huaja për të mundësuar krijimin e një shtrese të re kuadrosh intelektualë të cilët në një të ardhme të afërt do të kontribonin jo vetëm në përparimin e begatinë e atdheut, por edhe në konsolidimin e demokracisë. Shoqata ''Fan S. Noli'' bëri disa takime dhe mbledhje në Fakultetin Filologjik, Institutin e Lartë të Arteve, Inxhinieritë Elektrike-Mekanike si dhe hyri në kontakte me Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës dhe shkollat e larta në Shkodër, Elbasan dhe Gjirokastër. Qëllimet e saj ishin fisnike dhe largpamëse, mirëpo pavarësia qoftë ideologjike, qoftë edukative apo qoftë edhe politike e studentëve nuk i interesonte të gjithë atyre që synonin t'i mbanin studentët nën fre dhe t'i përdornin me vonë si vegla politike, ose thjesht edhe si një potencial të mundshëm votues. Pikërisht për ta parandaluar këtë pavarësi si dhe shtrirjen e forcimin e Shoqatës ''Fan S. Noli'', me një shpejtësi dhe lehtësi të habitshme për kohën, u krijua dhe futi dokumentet për legalizim në Ministrinë e Drejtësisë, Shoqata Studentore Shqiptare, programi i së cilës çuditërisht përmbante jo pak pika ''të huazuara'' nga programi i ''Fan S. Nolit'' dhe drejtuesit e saj ishin të vetëshpallur. Në këtë kohë Instituti i Kamzës kishte filluar protesta me karakter kryesisht ekonomik. Në përkrahje të tyre, studentët e Universitetit të Tiranës u mblodhën në Qytetin Studenti duke bojkotuar leksionet dhe dërguan në Kamëz edhe një delegacion. Mitingjet dhe grumbullimet në sheshin para mencave sa erdhën dhe u shpeshtuan duke dhënë përshtypjen e ripërtëritjes së Lëvizjes Studentore. Përfaqësuesit dhe udhëheqësit kryesorë të Shoqatës Studentore mbanin fjalime të përditshme ku shprehnin mendimet dhe ndjenjat e tyre. Midis tyre shquheshin Blendi Gonxhe, Ridvan Peshkëpia, Arben Sula, Blendi Fevziu, Ben Blushi, Arjan Manahasa, Ilir Dizdari, Nesti Kiri dhe shumë të tjerë që provonin oratorinë e tyre. Nga Kamza erdhi dhe foli një ditë edhe Bislim Ahmetaj, njëri prej udhëheqësve studentorë të atjeshëm. Thelbi i fjalimeve të tyre ishin talljet me diktatorin Hoxha, me jetën dhe veprat e tij duke arritur deri aty sa të ironizoheshin edhe poezitë e kujtimet e ndonjë ish-bashkëluftëtari të udhëheqësit komunist. Të gjitha këto fjalime shoqëroheshin nganjëherë edhe me këngët e Xhon Lenonit dhe të Bitëllsave ku kërkohej t'i jepej ''një shans paqes'' dhe imagjinohej një botë e lirë dhe e çliruar nga çdo lloj tiranie, një botë ideale ku njerëzit do të jetonin të lumtur e në harmoni të plotë. Mirëpo dalngadalë këto mitingje po humbnin shpirtin e tyre të protestës dhe pjesëmarrja e studentëve po pakësohej. Vetëm ata më të vendosurit, një pjesë e të cilëve e quanin njëri-tjetrin me shaka ''veteranë të Lëvizjes'', pasi ishin aty në shesh që nga 8-9 dhjetori, vinin përditë duke pritur që protesta të kristalizohej dhe përpjekjet e sakrificat e tyre të arrinin njëfarë rezultati. Në një nga mitingjet e janarit, pesë studentë ku midis tyre ishin I. Panajoti, E. Lohja dhe vëllezërit R. dhe E. Kubati u arrestuan dhe u mbajtën për disa orë në Rajonin 2 të policisë vetëm sepse kishin bërtitur ''Enver-Hitler!''. Më 22 janar 1991, Presidenti R. Alia nxorri dekretin famëkeq numër 7459 ''Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve'', dekret i cili kishte si qëllim vetëm ruajtjen e figurës së udhëheqësit komunist Enver Hoxha, pasi askush nuk kishte ndërmend të rrëzonte bustet e De Radës, vëllezërve Frashëri apo të zbriste Skëndërbeun nga kali! Pikërisht për këto arësye, drejtuesit e protestave dhe oratorët e improvizuar merrnin leje përditë në polici dhe ishin të detyruar të paraqisnin që më përpara listën e folësve. Për habi të shumë studentëve, emri i Shinasi Ramës, njërit prej udhëheqësve më të flaktë e më të besuar të dhjetorit si dhe njëri prej themeluesve të Shoqatës ''Fan S. Noli'', nuk figuronte kurrë në listat e folësve në mitingjet e Shoqatës Studentore. Në javën e parë të shkurtit, mitingjet kishin filluar të degjeneronin në litani të pafundme për të metat e E. Hoxhës, të Byrosë Politike dhe regjimit komunist dhe jo rrallë herë ishin shndërruar në gallatë apo ishin mbyllur me kërcime në grup nën tingujt e muzikës rok. Edhe pse idetë për heqjen e emrit ''Enver Hoxha'' nga Universiteti Shtetëror i Tiranës dhe shfuqizimi i dekretit për ruajtjen e monumenteve apo depolitizimi i shkollës ishin hedhur ndërkohë, dukej sikur protestave nuk po ia vinte kërkush veshin. Nga qeveria nuk vinte asnjë përgjigje pozitive, përkundrazi Alia ishte shprehur që në fillim se nuk u takonte studentëve të vendosnin për emrin e universitetit të tyre, sepse ai ishte i gjithë popullit dhe se më vonë çështja mund të zgjidhej me një referendum. Në horizont ishte shfaqur mundësia e një greve të urie, e përmendur nga Gonxheja, si e vetmja alternativë paqësore nëse kërkesat studentore nuk pranoheshin. Mirëpo si mund të hiqej emri i Hoxhës dhe të depolitizohej shkolla, si mund të shkohej drejt Grevës së Urisë duke u tallur ditë e natë me figurën e diktatorit e duke kërcyer nën tingujt e muzikës së Bitëllsave! Studentëve të thjeshtë si dhe shumicës së ''veteranëve'' iu sos durimi dhe një ditë në javën e dytë të shkurtit kërkuan me insistim që të lejohej të fliste Shinasi Rama. Ai e mori fjalën dhe me argumente bindëse e me një ton të zjarrtë parashtroi disa ide të tij ku theksoi se rruga për në demokraci do të ishte e gjatë dhe e mundimshme, se demokracia kërkonte shumë punë e djersë e sakrifica dhe se kërkesat dhe idealet studentore duhej të plotësoheshin edhe sikur mbi trupat e studentëve të kalonin tanket dhe ai shesh të lahej me gjak. Fjalimi i tij pati një efekt elektrizues dhe i pasuar nga fjalimet e disa të tjerëve, i veshi protestat me seriozitetin dhe vendosmërinë e duhur. Përfaqësues të të gjitha organizatave dhe partive politike erdhën dhe shprehën qëndrimin e tyre ndaj kërkesave studentore. I. Lleshi i Partisë së Punës u fishkëllye gjatë gjithë kohës dhe nuk u lejua të mbaronte fjalën. Po të njëjtin fat pati edhe S. Gjinushi, Ministri i Arësimit. Rr. Zgurri, përfaqësuesi i Rinisë së Punës së Shqipërisë edhe pse personalisht bashkohej me kërkesat studentore, në mënyrë zyrtare nuk mund t'i mbështeste ato. Një qëndrim të çuditshëm mbajti edhe Azem Hajdari, i cili së bashku me G. Pashkon, foli në emër të Partisë Demokratike dhe i falenderoi studentët që i kishin dhënë mundësinë të bridhte me makina! Ai pajtohej me kërkesat, mirëpo duke qenë kryetar i një partie opozitare e cila kishte firmosur paktin e stabilitetit për shmangien e grevave dhe trazirave popullore deri në zgjedhjet e ardhshme, ai nuk mund t'i bashkangjitej publikisht atyre kërkesave më se të drejta. Akoma më kurioz ishte shkëmbimi i akuzave midis tij dhe Sh. Ramës. Nën dëborën që binte flokë-flokë dhe në prani të nja 20-30 studentëve, Hajdari tha se ai që përmendte gjakun ishte provokator, ndërsa Rama iu përgjigj se ai që e quante atë provokator, ishte vetë i tillë dhe spiun. Studentët e pranishëm nuk e pritën mirë si akuzën e Hajdarit, ashtu edhe grindjen publike të dy shokëve të dhjetorit që jo vetëm kishin kaluar bashkë nëpër shumë rreziqe, por që edhe konsideroheshin si udhëheqësat më të rëndësishëm e më me influencë të Lëvizjes Studentore së bashku me Tefalin Malshytin dhe Arben Likën. Mirëpo pozitat e këtyre dy studentëve trima kishin pësuar një ndryshim rrënjësor: Hajdari fliste nga pozitat e Kryetarit të Partisë Demokratike dhe si politikan, ndërsa Rama i cili kishte më se një muaj që kishte dhënë dorëheqjen nga PD-ja, kishte mbetur një student i thjeshtë dhe besnik ndaj idealeve dhe interesave të shokëve të tij dhe mesa dukej që nga ditët e vrullshme të dhjetorit kishte rrjedhur shumë ujë… Në ditët që pasuan, vendosmëria dhe kristalizimi i kërkesave erdhën duke u rritur. Në një nga mitingjet e paligjshëm të shkurtit, Arben Lika i cili sapo ishte operuar nga apendisiti, mbajti një fjalim shumë radikal ku arriti deri aty sa që premtoi se diktatorit edhe kockat do t'ia zhvarrosnin e do t'ia pushkatonin! I parë me qetësi ai fjalim do të tingëllonte si një thirrje revanshiste dhe çnjerëzore, por në kontekstin e atyre ditëve nuk bënte gjë tjetër veçse nxirrte në pah urrejtjen ndaj së kaluarës vëllavrasëse dhe vendosmërinë për plotësimin e kërkesave të studentëve. Duke mos patur asnjë rrugë tjetër paqësore, studentët me një Komision Drejtues të përbërë nga Arben Lika, Arian Manahasa, Blendi Gonxhe, Mesila Dode, Ndue Lugja, Ilir Dizdari dhe Ridvan Peshkëpia, vendosën të bëjnë grevë urie deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Greva e Urisë që filloi më 18 shkurt u bë për të hequr emrin e E. Hoxhës nga Universiteti Shtetëror i Tiranës. Kjo grevë u bë për të çmitizuar figurën e një diktatori i cili jo vetëm e kishte çuar vendin në humnerë, por vazhdonte të sundonte akoma nëpërmjet trashëngimtarëve të tij ideologjikë Greva u bë për të depolitizuar arësimin e lartë si edhe për të anullimin e dekretit famëkeq të mbrojtjes së monumenteve. Gjithashtu studentët kërkonin edhe lirimin e të burgosurve të fundit politikë që mbaheshin akoma në burgjet e tmerrshme të Burrelit, Spaçit dhe Qafë-Barit. Synimi kryesor i pjesës më të kthjellët të studentëve grevistë ishte shmangia e luftës civile - një konflikt i paevitueshëm për kohën nëse vazhdohej akoma të ruhej status quo-ja e imponuar nga drejtuesit e shtetit dhe partitë opozitare. Llogjika e thjeshtë të çonte në përfundimin se populli shqiptar nuk do të mund të shkonte dot në zgjedhjet e para demokratike i çliruar nga ankthi i së kaluarës nëse debatit mbi figurën e E. Hoxhës nuk i jepej një zgjidhje një orë e më parë. Ky debat do të vazhdonte të vlonte derisa të plaste ndoshta edhe në një konflikt të armatosur vëllavrasës siç e treguan krijimi i Shoqatës së Vullnetarëve të Enverit dhe vringëllimi i armëve, retorika e H. Milloshit, ngjarjet në bulevard më 21 shkurt 1991 apo përleshjet në Shkollën e Bashkuar disa ditë pas rënies së monumentit të diktatorit. Propozimi i Alisë mbi mbajtjen e një referendumi nuk premtonte asgjë të mirë. Referendumi mund të ishte një pyetje e vetme: ''A ka qenë udhëheqës i madh i kombit Enver Hoxha?'' Apo '' A e meriton Universiteti Shtetëror emrin e Enve Hoxhës?'' Një përgjigje ''Po!'' ose ''Jo!'' nuk do të zgjidhte asgjë dhe i gjithë monstruoziteti komunist do të kalohej me një: ''Po edhe gabime janë bërë!'' Këto ishin në të vërtetë arësyet pse u bë Greva e Urisë. Kujt i interesonte dhe kujt nuk i shkonte për shtat kjo Grevë? Cilat ishin forcat e brendshme që e shtynë përpara kryerjen e këtij misioni historik dhe cilët ishin ata që punuan natë e ditë kundër zhvillimit dhe suksesit të ndërmarrjes studentore? Për arësyet e lartpërmendura, studentët në përgjithësi ishin të mendimit se me këtë Grevë po i bënin një shërbim të madh jo vetëm mbarë popullit shqiptar, por edhe po vazhdonin përmbushjen e misionit të tyre historik. Nga çmitizimi i figurës së E. Hoxhës përfitonin të gjithë ata shqiptarë të vërtetë të cilëve u ishte shkatërruar jeta, ëndrra, puna dhe mundi, djersa dhe gjaku nga regjimi komunist dhe lufta e klasave. Përkundrazi, një pakicë njerëzish që kishin lyer duart me gjak dhe e kishin bazuar ekzistencën dhe ngjitjen e tyre në pushtet rreth diktaturës së proletariatit, kërkonin që për të ruajtuar privilegjet dhe pozitat e tyre shoqërore, historisë të mos i bëhej asnjë revizionim. Në rradhët e studentëve kishte bij e bija sekretarësh partie dhe komunistësh, kishte edhe nga ata që ishin rritur në oborrin apo prehërin e Enver Hoxhës. Aty kishte gjithashtu edhe fëmijë intelektualësh të thjeshtë, fshatarësh, punëtorësh apo nga familje të prekura nga lufta e klasave. Nga grupi i parë, shumica qëndroi e mënjanuar duke ardhur ndonjëherë për peligrinazh dhe e shtyrë nga kureshtja deri lart në Qytetin Studenti, për t'u mos u përzier fare me Grevën dhe kërkesat e saj, duke hyrë më vonë në politikë nëpërmjet FRESSh-it nën petkun dhe legjitimitetin e ish-studentëve të Lëvizjes. Ndërsa grupimi i dytë mori pjesë në mos në Grevë, të paktën në përkrahjen e saj, edhe pse pati nga ata studentë që ishin bashkëpunëtorë të fshehtë të Sigurimit, apo që raportonin çdo darkë te eprorët e tyre a në seli partish prej nga merrnin edhe udhëzimet për sabotimin e Grevës. Pra ishin bijtë dhe bijat e pjesës dërrmuese të popullit që në njëfarë mënyre bënë të mundur zhvillimin e kësaj Greve. Nga ana tjetër as PPSh-ja, as PD-ja, as partitë e tjera më të vogla opozitare, as Organizata e Rinisë, as Ministria e Arësimit, as dekanatet dhe as rektorati nuk ishin pro kërkesave të studentëve dhe deri në minutën e fundit u përpoqën me të gjitha mjetet për parandalimin e saj duke e quajtur të paligjshme. Nga majat më të larta të pushtetit erdhën veç kundërshtime kryeneçe dhe argumenta boshe rreth kërkesave studentore. Për të shmangur përplasjen u hodh versioni i ndarjes së Universitetit në disa pjesë dhe emri do të binte vetvetiu. Funksionarët e lartë komunistë ishin të bindur që në çdo çast ata do të mund t'i shtypnin studentët me zinxhirët e tankeve, siç kishte ndodhur në Tienanmen. Nga PD-ja, e cila kishte mjaft anëtarë në rradhët studentore venin e vinin emisarë të cilët përpiqeshin të ndryshonin rrjedhën e ngjarjeve me pretendimin se duhej ruajtur paqja sociale dhe duhej shkuar në zgjedhje me qetësi duke ia lënë vetëm kutive të votimit në dorë gjykimin mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Një grup udhëheqësish PD-istë që kishin ardhur për ekspeditë në Qytetin Studenti, duke biseduar në mes tyre shprehën mendimin se meqë Greva ishte e paligjshme, ata s'kishin çfarë t'u bënin më studentëve dhe le t'i parandalonte e t'i rrihte policia! Si të majtët ashtu dhe të djathtët nuk mendonin se punët do të arrinin deri në grevë urie pasi ishin tepër të sigurtë se do të mund t'i kontrollonin studentët deri në fund me anë të veglave të tyre. Mirëpo i kishin bërë hesapet pa hanxhinë, siç e vërtetoi edhe një mbledhje urgjente midis Ramiz Alisë dhe disa përfaqësueseve të opozitës. Alia, i dëshpëruar nga rrjedha e ngjarjeve u kërkoi me insistim opozitarëve që t'i nxirrnin studentët nga Greva, ndërsa ata të pafuqishëm iu përgjigjën se nuk i kontrollonin dot studentët! Në Grevë u futën 723 djem e vajza së bashku me disa pedagogë të gatshëm për t'u vetëflijuar në emër të idealeve të tyre. Lista e plotë e këtyre 723 vetëve nuk është bërë kurrë publike edhe pse iu dorëzua në dorë dy prej anëtarëve të Komisionit Drejtues, B. Gonxhes dhe R. Peshkëpisë dhe Ardi Stefës, një student vlonjat që merrej me listat dhe peticionet. Më vonë persona të paautorizuar lëshuan vërtetime për pjesëmarrje në Grevë duke bërë që numri të fryhej në mbi një mijë. Edhe ky fakt i shtohet manipulimeve që iu bënë më vonë së vërtetës rreth Lëvizjes Studentore Shqiptare. Studentët filluan të hyjnë në Kinoteatrin e Qytetit Studenti duke puthur flamurin kuq e zi para afatit të caktuar, në një kohë kur disa anëtarë të Komisionit ishin akoma duke bërë traktativat e fundit dhe ekzistonte mundësia e kompromentimit të tyre. Në hyrje të godinës, lart në salla dhe në tarracë ishin varur flamuj kombëtarë pa yllin komunist, shenja e parë se studentët ishin ndarë me kohë nga simbolet e komunizmit.Kur u mbyll dera, atmosfera ishte e qetë dhe optimiste, ndërsa jashtë forcat policore kishin formuar një kordon që ndante grevistët nga të afërmit, nga populli i Tiranës dhe përkrahësit e tyre të zjarrtë. Gjatë natës, kur studentët u rehatuan në një fare mënyre mbi karrige, dërrasa apo batanije, në Qytetin Studenti kishte rënë një heshtje varri. Tek tuk shihej ndonjë dritë në dhomat e godinave ku konviktorët e paktë që kishin mbetur, prisnin në ankth agimin e së nesërmes, ndërsa rruginat patrulloheshin nga policë dhe ushtarë. Afër mesnatës ministrat I. Ahmeti dhe S. Gjinushi erdhën në Grevë për të zhvilluar një takim me A. Likën, B. Gonxhen, I Dizdarin, Sh. Ramën, A. Manahasën, N. Lugjën, R. Peshkëpinë dhe A. Stefën me qëllim që të parashtronin edhe njëherë versionin e ndarjes së Universitetit në pjesë. Ata morën përgjigje negative dhe u larguan fytyrëngrysur të ndjekur pas nga talljet dhe fyerjet e atyre që s'kishin gjumë akoma. Dita e dytë e Grevës gdhiu me një mori telegramesh përkrahëse ku midis të tjeravë ishte edhe një telegram solidariteti i Unionit Studentor të Prishtinës që u lexua nga B. Gonxhe i pasuar nga Edmond Bushati. Në mjediset e Kinoteatrit hynin e dilnin pak vetë që sillnin e çonin lajme si B. Fevziu dhe B. Blushi, korrispondentë të ''Rilindjes Demokratike'' dhe Tefalin Malshyti, nënkryetar i atëhershëm i PD-së dhe njëri prej udhëheqësve studentorë të Lëvizjes. Dera qëndronte e mbyllur me kyç dhe çelësin e mbante një njeri i besuar, studenti shkodran E. Bushati. Kjo gjë bëhej që të mos futeshin spiunë dhe provokatorë, edhe pse shumë dashamirës dhe studentë të vonuar kërkonin me çdo kusht të ndanin fatin me grevistët. Madje studenti vlonjat Alban Xhiku që bënte sikur kishte çelësin, nuk ia hapte derën dhe s'e linte të futej brenda as vetë Sali Berishën, sepse mund t'i hynte turma nga pas. Dikur erdhën përfaqësuesit e Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut B. Mustafaj, R. Lani, E. Ballauri dhe K. Çashku të cilët bënë disa fotografi dhe u interesuan për gjendjen e grevistëve. Në orët e para të pasdites erdhi A. Hajdari i cili dha lajmin e shumëpritur se emri ishte hequr. U bë një zallamahi e madhe sepse gëzimi ishte i papërmbajtur, por në mes të rrëmujës dhe haresë së përgjithshme dikush ruajti gjakftohtësinë dhe udhëzoi që askush të mos dilte nga Greva pa u konfirmuar zyrtarisht lajmi. Dhjetëra djem i vunë shpatullat derës kryesore duke mos lejuar disa studentë të ekzaltuar të dilnin jashtë e të festonin me popullin. Ishte një moment tepër delikat dhe gjithçka rrezikohej të dështonte. Shumë shpejt u bë e ditur se lajmi nuk ishte zyrtar duke dalë më vonë i rremë dhe patjetër duhet të ketë qenë një keqkuptim. Hajdari e kishte patur fjalën për propozimin e ndarjes së Universitetit në pjesë, propozim të cilin disa anëtarë të Komisionit kishin pranuiar ta hidhnin në votë para studentëve. Greva për pak sa nuk u prish dhe rrezikoi të dilte jashtë kontrollit, mirëpo në katin e dytë u bë një debat i ashpër ku disa studentë arritën deri aty sa të akuzonin disa anëtarë të Komisionit për tradhëti dhe kompromis. Situata shpëtoi në sajë të fjalimit të A. Likës i cili theksoi vendosmërinë e grevistëve për t'u ngujuar deri në rënien e emrit dhe plotësimit të plotë të kërkesave, si dhe në sajë të ndërhyrjes së disa studentëve e pedagogogëve. U vendos që Komisioni të zgjerohej duke përfshirë studentë të besuar e të sprovuar si Fred Gemi, Sh. Rama dhe disa pedagogë. Azem Hajdari i vënë në pozitë të vështirë, shprehu dëshirën të bënte edhe ai grevë urie, mirëpo pasi ndenji dhjetë minuta, u çua dhe iku. Pas dëgjimit të lajmeve në radio ku flitej se emri i Hoxhës nuk i përkiste vetëm studentëve, ku nënvizohej ''mbështetja dhe besimi i patundur'' i popullit tek PPSh-ja dhe lartësoheshin arritjet e realizimet e planeve në disa kooperativa të humbura bujqësore, studentët u revoltuan dhe të mërzitur u bënë gati për të kaluar edhe një natë tjetër barkzbrazur e mendjengritur… E nesërmja, 20 shkurti 1991 solli zhvillime të njëpasnjëshme e të rrufeshme sa që pjesëmarrësve iu deshën kohë për të kuptuar se ç'kishte ndodhur dhe rëndësinë e pasojat e asaj që ndodhi. Në mëngjes ishte paralajmëruar një greve e përgjithshme e Sindikatave të Pavarura që mund të paralizonte tërë vendin. Mijëra banorë të Tiranës ishin ngjitur tek Qyteti Studenti duke demostruar mbështetjen e tyre. Nga rrethet erdhën në këmbë kavajasit, me të gjitha mjetet e transportit mbërritën shkodranë, korçarë, fierakë, durrësakë e kështu me rradhë. Në godinën e Grevës mbizotëronte optimizmi edhe pse nervat ishin të tendosura, sidomos kur një djalosh student u dërgua me urgjencë në spital me një autoambulancë dhe u mor vendimi që për të ruajtur shëndetin dhe jetën e grevistëve, të fillonin të dilnin një nga një më të dobëtit, vajzat të parat e pastaj kush nuk e ndiente veten mirë. Një grup doktorësh dhe infermieresh filloi t'u bënte serume glukoze studentëve që ishin zbehur në fytyrë dhe atyre që po u binte të fikët. E megjithatë pjesa dërrmuese e grevistë ishte e mendimit që nga Greva nuk dilej gjallë pa rënë emri. Kjo vendosmëri e tyre përforcohej nga fakti që nga jashtë buçisnin thirrjet ''Studentët janë heronj!'',''Me studentët jemi ne!'',''Të hiqet emri!'' - që të gjitha të shoqëruara me himnin e flamurit dhe këngë patriotike. Me një qendër zëri të improvizuar një përfaqësues i Sindikatave tha se studentët janë heronj që për të dytën herë po i tregojnë popullit shqiptar se si bëhet demokracia. Në emër të PD-së së Tiranës, inxhinieri Kreshnik Ndreu vuri në dukje faktin se Partia Demokratike nuk mund të distancohet dot nga studentët, sepse ajo lindi në Qytetin Studenti. Pas tij e mori fjalën aktorja Raimonda Bulku e cila i ftoi nënat dhe motrat të demostronin përpara godinës së Presidencës. Turma u var poshtë në rrugën e Elbasanit duke u futur në krah të godinës së Radio-Televizionit ku ndeshi me qëndresën e forcave të ndërhyjes së shpejtë. Pas autobotit që e spërkati me bojë të kuqe, pas krismave në ajër dhe lëshimit të qenëve të kufirit, turma e irrituar dhe e prirë nga të rinj guximtarë me flamurin kuq e zi pa yll, të cilin s'pushonte së valëvituri inxhinieri elektrik Artur Zadrima, iu drejtua qendrës së Tiranës. Në sheshin Skëndërbej, pikërisht në zemrën e Shqipërisë, pas disa tentativash dhe përleshjesh me policinë, monumentit të diktatorit iu lidh një kavo prej çeliku dhe e rrëzuan. Rreth orës 2.08 demostruesit dhe mbarë ata shqiptarë që ndanin të njëjtat ndjenja e mendime, brohoritën të çliruar njëherë e përgjithmonë nga të qenurit skllevër dhe mbi fytyrat e njerëzve endej një buzëqeshje e shfrenuar lumturie. Më e rëndësishmja ishte që liria kishte ardhur pa u derdhur as edhe një pikë gjak shqiptari! Ndërkohë studentët e morën lajmin e mirë, por vendosën të dilnin vetëm atëherë kur të lexohej nga organet e informimit një komunikatë zyrtare. Trungu i monumentit të Hoxhës, pasi u tërhoq zvarrë rrugëve të kryeqytetit, u soll para godinës së Grevës dhe aty u zbraz mllefi shumëvjeçar që nganjëherë ca njerëz të shtypur e të poshtëruar e mbledhin si qelb brenda vetes duke i shtyrë disa të bënin edhe gjeste jo fort të hijshme për një komb të civilizuar që kish arritur të përmbyste sistemin komunist pa djegur, pa shkatërruar e pa gjak. Gjatë pasdites, kur kaloi frika e një reagimi të dhunshëm nga aparatet e diktaturës, godina e Grevës u shndërrua një një han pa porta, edhe pse dera kryesore qëndronte akoma e kyçur. Nga një dritare e thyer në katin e parë hynë studentë që sollën cigare, gazeta, sheqer, madje edhe çokollata, hynë politikanët e rinj të cilët me shall të lidhur në kokë për të imituar studentët grevistë, putheshin e përqafoheshin me servilët e tyre duke bërtitur se e kishin hequr qelbësirën. Në fakt, monumetin e hodhi populli i Tiranës, e hodhën ata të rinj që u përleshën me policinë e që më vonë u arrestuan e u torturuan, ata që dolën në gjyq më 10 prill 1991 për miting të paligjshëm dhe hedhje monumentesh, ata që gjykatësi A. Rakipi i liroi nga salla me 45 ditë burg në vend të 3 muajve deri në 3 vjet që kërkoi prokurori G. Gjokutaj, ata që morën rrugët e kurbetit për t'i shpëtuar hakmarrjes së besnikëve enveristë…As vetë studentët grevistë, të cilët dolën me kokat ulur e të thjeshtë pas lajmeve të orës 20.00 në mes thirrjeve, përqafimeve dhe puthjeve, nuk shkuan aq larg sa të pretendonin për të marrë meritat e të tjerëve.Thirrja e popullit ''Studentët janë heronj!'' ishte vlerësimi më i lartë për ata që u etiketuan ''bij plangprishës''. Haraçi që u pagua qe tepër i lartë: gjendja e jashtëzakonshme, mbyllja e Universitetit, eksodi i marsit 1991, vrasjet, lënia në harresë, mërgimi, përbaltja dhe manipulimi rreth Lëvizjes së tyre, shkatërruan shumë ëndrra dhe i ndryshuan rrjedhën e jetës qindra syresh, por dhurata që i bënë popullit të tyre, ia vlente gjithë ato sakrifica. Kanë kaluar shumë vjet që atëhere e mjaft vetë kanë marrë medalje, kanë bërë karrierë a janë ngjitur nëpër poste mbi legjitimitetin e marrë padrejtësisht gjatë Grevës apo hedhjes së monumetit, por heronjtë e vërtetë, edhe pse kanë qëndruar të heshtur, vazhdojnë t'i kenë të gjalla e para syve kujtimet e paharruara të atyre ditëve dhe mesazhin historik që Greva e Urisë u bë për të shkatërruar mitin e pamerituar të diktatorit, jo për të ngritur mite të tjerë e thurur legjenda, përkundrazi Greva u bë për t'i varrosur njëherë e përgjithmonë mitet e rremë.

(Autori i shkrimit ka qenë student i grevës së urisë, tani jeton në New York.Shkrimi u botua ne gazetën Illyria, 21 shkurt 2003)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).