Thonë: “heshtja flet më shumë se fjala”... ose “më mirë hesht se fjala vret”.

Në fakt po bëhet rreth një javë që 50 vitet e këngës shqiptare sapo i mbyllën perdet e performancës live, por askush nuk hapi një dritare debati mediatik, ashtu siç po ndodh gjatë këtyre ditëve nëpër të gjitha blogjet dhe rrjetet virtuale sociale rreth këngës fituese “Su-us”.

I shoh teksa grupohen një pjesë e mirë e tyre rreth tmerrit që u ngjallin fjalët “më lini të qaj” e duket që është e vetmja arsye që i bën ata ta urrejnë këtë këngë... sepse nuk shoh të kenë ndonjë argument tjetër. Su-us (personalja) e Rona Nishliut nuk merr përsipër të flasë për historitë e të tjerëve, por të na prekë të gjithëve me një dhimbje të sajën, një revoltë shpirtërore, me anë të një metafore shumë të ndjerë...

Nuk kish sesi kjo këngë të mos diferenconte klasën e mediokërve dhe të krijonte një hendek të dukshëm social, sepse mori përsipër (ndoshta në subkoshiencë të krijuesve-dhe jo si qëllim final) që të revolucionarizojë shijet e deformuara muzikore të shqiptarëve, të krijojë një model të ri, duke riskuar të humbasë terrenin e suksesit aq shumë të dëshiruar nga çdo krijues apo interpretues në festivalin e fundvitit. Po, po tashmë jam e bindur që ky model kënge fituese, e cila u vlerësua unanimisht nga juria e festivalit, do të ndikojë në krijimtarinë e mëpastajshme. Risi që i dha dinjitet këtij evenimenti. Besoj se ata “skeptikët” që mendonin se nuk kishin vend në festivalin e RTSH do të rikthehen me bindjen se tashmë dera e profesionalizmit dhe e profesionistëve të vërtetë u hap.

E mbaj mend Rona Nishliun të evidentohej në një konkurs të para disa viteve, “Ethet”, ku bashkë me koleget e saj nga Kosova sollën vokale shumë të veçantë, të punuar, e të një tjetër stili (jazz&blues). Dua të theksoj që gjatë këtyre viteve Kosova ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në emancipimin artistik, jo vetëm në krijimtarinë dhe interpretimin e këngës, por edhe në muzikën serioze krijuesit kanë treguar se janë mendjehapur dhe shijehapur për të rrokur tendencat e fundit muzikore dhe kjo për shume arsye... Rona që nga prezantimi i saj i parë për ne, tek “Ethet” dhe deri më sot ka treguar se kishte një imunitet të fortë, një shije të sofistikuar muzikore, që nuk mund të infektohej nga viruset e komercializmit dhe sëmundjet e rënda të “shundit”, apo “tallavasë”...

Ajo jo vetëm që nuk u infektua, po punoi fort vokalisht, vazhdoi me këmbëngulje të perfeksionojë rrymën muzikore (kryesisht jazz) të të kënduarit dhe vjen ne Festivalin e 50-të të Këngës (dhe personalisht mendoj që për këtë jubile ardhja e Ronës duhet të konsiderohet fat) me një këngë të padiskutueshme profesionale, aq të arrirë vokalisht, saqë gati-gati mendoj që, për nga vështirësitë e të kënduarit, Su-us nuk do të gjejë dot interpretim nga një tjetër këngëtar. Me një shtrirje të tille vokale sa të bën lehtësisht ta ngatërrosh me një tingëllim të notave të sipërme të një violine, Rona të hyn në deje me dhimbjen e saj, me realitetin e trishtë, e cila qan se nuk di të revoltohet ndryshe në 3-minutëshin që ia lejon kënga për të na treguar gjendjen e saj emocionale. Interpretim i shkëlqyer, ku çdo detaj, çdo gjestikulacion flet bashkë me tingullin e fjalën, të cilat nuk kanë sesi të mos bëhen njësh me tekstin e krijuar nga vete ajo.

Nuk ka sesi të mos qajë Rona kur ndien se në këtë botë dashuria s’jeton më..., kur koha më për ne s’ka kohë..., kur aeroplani i saj ulet në pistën pa drita të shpirtit të atyre që me bërryla ngjiten, e atyre që dje s’jetonin dot, por që të djeshmet s’kanë rëndësi, të atyre që nga detëra të trazuar u përpinë... e nuk ka sesi të mos qajë Rona kur të nesërmet s’të sjellin gjë, veç shpresë pa shpresë e marrëzi...

Nuk di sesi lindi kjo këngë: ishte Rona me tekstin e saj që takoi Florent Boshnjakun (kompozitorin & orkestruesin), apo e kundërta, por di të them që ngjizja e komponentëve të kësaj kënge është tashmë e pandashme... SU-Us vjen me një strukturë jo të zakontë të këngës: strofë-refren, por strofa e cila prezantohet vetëm njëherë, pasohet nga refreni (2 herë), intermexoja instrumentale, vokaliza kulminante dhe përsëri refreni - të cilat ashtu si në një vepër të mirëfilltë muzikore do të njiheshin me termat: hyrje, temë, zhvillim, kulminacion, reprizë. Pra, kënga me një orkestracion dhe harmoni të gjetur mjeshtërisht nga Florent Boshnjaku e kryen të gjithë misionin që ka çdo vepër artistike (e çdo gjinie, e çdo zhanri), në fakt kryen ciklin normal të çdo fenomeni jetësor: Lindje, rritje, maturi, shuarje-vdekje. 

Profesionalisht e realizuar, emocionalisht e përcjellë shumë bukur, teknikisht e arritur mjaft mirë, SU-US meriton vendin e parë në festivalin e 50-të të këngës në RTSH, në këtë festival i cili vinte pas një tradite 30-vjeçare (festivale të realizuar deri në vitet ‘90), tradite ku kënga kish krijuar profilin e saj. Ku, megjithëse filtrat partiake diktuan prodhimtarinë letrare, krijimi muzikor (per forza) u profilizua me një identitet kombëtar, që edhe pse nuk mund të sillte risi, gjetje të reja, apo ndikime e rryma të ndryshme bashkëkohore botërore, bëri atë që kënga të buronte nga folklori ynë i rrallë, i pasur (ende i pashfrytëzuar shumë). Pikërisht për këtë fakt ajo periudhë vlerësohet për frymën kombëtare që i dha këngës-nga fondi i së cilës, për vlerat që ka, por edhe për nostalgji, mbushi në natën e tretë të festivalit karriget e zbrazura të dy netëve të para të festivalit jubilar.

20-vjeçari i fundit (me disa përjashtime) prishi traditën festivalore, duke e keqpërdorur bum-in e madh të informacioneve që vërshuan me hapjen e portave të izolimit, duke ngjitur në skenë të gjithë ata “këngëtarë” që gjendeshin rastësisht aty rrotull (por për fat të mirë kjo rastësi solli edhe disa emra që sot mbetën të vlerësuar), pranoi krijime naive e mediokre nën emrin “e së resë e modernes”. Jo të njëjtin fat patën orkestruesit, të cilët me eksplorimin e studiove muzikore dhe produksioneve muzikore gjeten një tokë të pashkelur dhe mbollën një e nga një bimë që sot rriten në mënyrë të natyrshme (por që sigurisht të paktë janë ata që mbollën farën e duhur). E pra, pas 50 vjetëve festival, SU-US vjen me një frymë novatore në të gjithë komponentët dhe si novitet nuk mund të mirëpritet nga ata që kanë vështirësi në përtypjen e së resë. (Në fakt SU-US më sjell ndër mend se një frymë të tillë armiqësore duhet të këtë provuar edhe festivali i 11-të i këngës, i cili ishte novacion për kohën, e që “përbuzjen” nuk e mori vetëm nga Partia, por edhe nga një masë e madhe e popullit që nuk ishin të përgatitur të pranonin të renë. Jam e lumtur se Rona Nishliu sot nuk mund të pësojë fatin e Sherif Merdanit dje, jam e lumtur sepse Rona sot i thyen tabutë thjesht duke krijuar shtresëzime sociale (të atyre që e duan, apo atyre që e urrejnë, të amatorëve dhe profesionistëve), jam e lumtur që Rona sot do të dijë të imponohet edhe në Eurovision, e le të testojmë veten (nëpërmjet Ronës), le të testojmë shijet shekullore europiane, le të sfidojë kënga SU-US me emancipimin e saj artistik dhimbjen që përcjell, për të na i kthyer ndryshe në Tiranë...

*Kompozitore - Pedagoge në Fakultetin e Muzikës, Universiteti i Arteve

19 Komente

Profesionalisht e realizuar, emocionalisht e përcjellë shumë bukur, teknikisht e arritur mjaft mirë, SU-US meriton vendin e parë në festivalin e 50-të të këngës në RTSH.....

 

 

Qe mund te jete profesionalisht e arrire dhe e merituar per t'u kurorezuar me vendin e pare ,e pranojme perderisa nuk jemi profesioniste ne gjykim,por nuk kuptoj pse me pare na ngjisnin keto kenget e vendeve te para ,kurse tani mezi e shtyjme dhe heren e pare?!

Tashme jeni pjekur Venus, nuk iu hyn kollaj gje ne sy....

aman. kto renkimet e femnave me merit a pa merit, me shkase a pa shkase, me gjasme a me gjase, sidoqimeqene t'fusin t'dridhmet.
Juria ta veje doren nzemer nket rast.

suriname - united states

Stroncata maxhor: "Jam e lumtur se Rona Nishliu sot nuk mund të pësojë fatin e Sherif Merdanit dje"

te isha une drejtori jot te kisha pushu nga puna per tre sekonda, jo se harxhon kohen te peshku, po se e harxhon ne menyren me mizore duke lexu te tilla shkrime smiley

Vet ligj, vet maliq smiley 

Po ti ke te drejte, duhet ti kushtoj me pak vemendje seksionit "thash e them" te peshkut.. 

Hej "swed" e di si po m'dukesh?!
Si fatorino te filmi Kapedani...

Kjo Zonja eshte pedagoge tek artet, po se çfare lende mbulon nuk i dihet......se po te mbuloje kanton, nuk flasim dot jo vetem se eshte e zanatit, por edhe se Rona nuk le shume per te diskutuar.....e ka lene gjurmen e vet vokale ne kete vend. Kurse persa i perket pjeses muzikore, ka vend per te folur, pasi te kuptuarit apo te ndijuarit e muzikes, eshte krejt personale qe ka te beje me shume faktore....dhe ne pjesen me te madhe te popullsise,kjo merret vetem nepermjet degjimit te te gjitha produksioneve, dhe secili mbetet tek ajo dega qe ka kapur, ne tere kete perrua te rrembyer......  KA shumestudente qe kane mbaruar artet per kompozicion,por nga keta shumica nuk kompozon po i bien gerrnetes apo kitares.....pra jo te gjithe kane dellin per te kompozuar,ashtu qe ka edhe te pashkolluar, te cilet nepermjet komjutereve, krijojne muzike te pelqyeshme per publikun, pa ditur asnje note e asnje mase apo pa e njohur pentagramin.....dhe keta jane sot kompozitoret me te suksesshem ne treg.......ec e fol pastaj e dashur pedagoge, dhe na jep edhe mend neve injoranteve te fushes....se ku po gabojme.

Kenge e arrire! Bravo! Kjo hyn ne vepra, nuk eshte thjesht kenge! Them keshtu se duhet marre parasysh ne c'vend jetojme, ku cfare shitet per vlere e vlera ka dale fare nga shitja...! Kengen e degjova pas festivalit se kam vite qe s'e shoh dhe sebep u bene pershtypjet shume njerezve qe thane qe kenga qe skandal, turp, ulerime..etj si keto. Kur e degjova m'u kujtua ajo kenga e treshes Ndoci-2+Nallbani qe dhe ajo morri atehere cmim te pare me duket.... I puthsha zerin RONES!

qe mos te bohet bajate kjo pune, cdo gje sipas shijeve.. Nallbani +2 Ndoc edhe sot me ngroh, kurse suus-i me la nje shije te hidhet e nje si ndjesi te keqe. Thjesh sme pelqeu per ate rast. Pse duhet luftu kaq ashper ne ket drejtim? 

Ne na Vlorrrrra me termin "ulerime" nenkuptojme dicka spektakolare, shume te bukur smiley

 

Eriona, ti thua 3 gjera

- qe ne nuk e meritojme R.Nishliu. Por s'eshte e vertet: çeshtja eshte qe nuk jemi gati. E nuk ka si te jete ndryshe: nje publik i mesuar per 20 vjet me radhe me lloj lloj xhixhelish tip Libohova e Gjebrea e ku e di une, kujton zotrote se do zberthejne kengen, tekstin e melodine e Sus?

- si tekst, thua ti, Rona eshte pak a shume Robespierre i skenes shqiptare. Edhe kjo eshte e gabuar: ato qe thote Rona i ka thene nje vajze e vogel para shume vitesh, e nuk mund te bejme sikur e kemi harruar.

- te besh çfare do lloj krahasim mes Rona/Sus e Festivalit te 11, une nuk e di s'e si nuk thahet nga inati e nga terbimi ajo tastiera qe ke perdorur: eshte idiote vajze, eshte krahasim pa vend, i padrejte per ata te 11 e i padrejte per Ronen

- te thuash qe kenga jone do shkoje  te Rona sot do të dijë të imponohet edhe në Eurovision, e le të testojmë veten (nëpërmjet Ronës), le të testojmë shijet shekullore europiane, le të sfidojë kënga SU-US me emancipimin e saj artistik dhimbjen që përcjell, për të na i kthyer ndryshe në Tiranë... eshte si Kumandanti qe niset ne Kremlin per te ndriçuar boten socialiste, aq qesharake sa...

Shpresoj, se fundmi, qe te kete ndonje gabim e te te mos jesh vertet Pedagoge në Fakultetin e Muzikës se ke thene ca gjera, sipas meje, qe jane te pafalshme.

 

 

(Në fakt SU-US më sjell ndër mend se një frymë të tillë armiqësore duhet të këtë provuar edhe festivali i 11-të i këngës, i cili ishte novacion për kohën, e që “përbuzjen” nuk e mori vetëm nga Partia, por edhe nga një masë e madhe e popullit që nuk ishin të përgatitur të pranonin të renë. Jam e lumtur se Rona Nishliu sot nuk mund të pësojë fatin e Sherif Merdanit dje, jam e lumtur sepse Rona sot i thyen tabutë thjesht duke krijuar shtresëzime sociale (të atyre që e duan, apo atyre që e urrejnë, të amatorëve dhe profesionistëve), jam e lumtur që Rona sot do të dijë të imponohet edhe në Eurovision, e le të testojmë veten (nëpërmjet Ronës), le të testojmë shijet shekullore europiane, le të sfidojë kënga SU-US me emancipimin e saj artistik dhimbjen që përcjell, për të na i kthyer ndryshe në Tiranë...

He? Come again? Or not.

... sepse Rona sot i thyen tabutë thjesht duke krijuar shtresëzime sociale

Ate qe s'e beri dot revolucioni industrialo-arror, AKZ dhe Saktivista, do ta beje sot Rona smiley

Cfare eshte SU US?

Mos e quani kenge !

Quajeni si te doni, performance, poezi , recitim, ulerime, pjese teatrale...vetem kenge jo, te pakten ne respekt te atyre qe kenduan 50 vjet kengen shqiptare. Festivali ishte i dobet, prezantimi akoma me shume, mund te them se ka vdekur pas viteve '90 edhe pse kishte disa rrahje te çuditshme zemre aty-ketu. Me kujtohet skandali i para disa viteve me kengetaret kosovare qe duhet te shkonin patjeter ne Serbi t'ja kendonin serbit. Teksti i ''Suus'' me ka mbetur pak ne mendje perveç ''Me lerni te qaj, Koha me per ne s'ka kohe(!)'' dhe disa fraza latine te futura rremujshem. Me lerni te qaj...Siç duket i qante syri Kosoves per njeçike ESC.

une pata "denimin" per te pare festivalin ket vit, dhe mund te them qe kjo kenge ishte e vetmja qe vecohej direkt nga zhurma e kengeve te tjera.

aq mediokre dhe te shplara ishin kenget e tjera sa ishte e pamundur qe pasi i degjoje, te mbaje mend qofte dhe nje tingull, fjale, apo refren.

kengetare "popullore" e te pelqyer nga publiku qe kendonin tekste shume te ngaterruara, gati te godisnin me injorancen ne zgjedhje.

kengetare qe benin vec rolin e te bukurave, pleq si Ndoci apo si ata vllezerit nga korca qe turperonin veten duke dashur te duken "adoleshente" te vonuar, si ne veshje ashtu dhe ne papjekuri.

e vetmja qe te ngelte ne mendje, qe te turbullonte, qe te ngacmonte por gjithashtu te linte me goje hapur per nga veshtiresia e kenges dhe nga talenti i kengetares ishte pikerisht suus. sapo e degjova ne gjysem e kisha te qarte qe do te fitonte. le te shpresojme qe te ngacmoje e turbulloje po kaq dhe publikun e gjere europian! jemi dhe ne kohe krize!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).