Shërbimi zjarrfikës shqiptar tradicionalisht ka funksionuar si shërbim shtetëror dhe shtrihet gati në të gjitha qytetet e Shqipërisë me stacionet e tij zjarrfikëse të gatishmërisë së përhershme. Ne si vend nuk kemi pasur ndonjë traditë, ku ky shërbim t’i përkiste pushtetit vendor, siç janë masivisht në vendet evropiane, por edhe në disa vende ballkanike.

Ky shërbim pati zhvillimin i tij dhe u vu mbi baza moderne, me norma, standarde, rregulla, në vitet 1955-56, meritë kjo e 5 oficerëve shqiptarë, të cilët kryen shkollat përkatëse, në Bashkimin Sovjetik, duke sjellë që andej metodikat, normat, rregullat, rregulloret, si duhet të funksiononte ky shërbim, për atë kohë. Po këta oficerë hapën gjithashtu shkollën e parë teknike 2-vjeçare për zjarrfikësit në Patos, në vitet 1975, e cila nxori 21 oficerët e parë dhe të fundit zjarrfikës.

Pjesën më të madhe të kohës, shërbimi zjarrfikës ka funksionuar me një urdhëresë Nr. 2 të Këshillit të Ministrave të vitit 1964 me gjithsej 11 nene. Në këtë periudhë shërbimi zjarrfikës shqiptar kishte një personel prej 1400 zjarrfikës në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Në vitin 1991 u miratua një ligj, i cili për kohën solli efektet e tij pozitive.

Në vitin 2001 ishin normale ndryshimet dhe miratohet një ligj tjetër, me të cilin sot punon shërbimi zjarrfikës shqiptar. Gjatë kësaj kohe, çuditërisht numri i personelit zjarrfikës shkurtohet sistematikisht dhe nga 1400, aktualisht kemi rreth 700 -750 zjarrfikës, për gjithë territorin e Shqipërisë.

Standardi evropian, për personelin zjarrfikës është për 1000 banorë duhet të ketë 1 zjarrfikës.

Shqipëria ka afërsisht 2.800.000 banorë?? (sipas qeverisë) dhe ka aktualisht rreth 700-750 zjarrfikës, në gjithë stacionet zjarrfikëse të vendit, pra ky raport është 1 zjarrfikës në 4000 banorë, që do të thotë 4 herë larg standardit evropian.

Ndryshimet e vitit 2001, vitit 2005 dhe më tej

Në vitin 2001, me miratimin e ligjit diçka u vlerësua, por jo siç vlerësohet ky shërbim nga vendet evropiane, megjithatë konkretisht u kryen: Ndërtimi i dy stacioneve totalisht të reja, në Shkodër dhe Gjirokastër, investimi në rikonstruksionin e stacioneve ekzistuese, u kompletua me akte n/ligjore, VKM, urdhra, udhëzime, rregulla, rregullore, u kompletuan stacionet me automjete, autoshkalla, pajisje uniforma zjarrfikëse, duke zëvendësuar totalisht në të gjitha stacionet e Shqipërisë makinat zjarrfikëse “Skoda” me automjete “Man”, “Benz” etj. Por përsëri pak u investua në kompletimin me personel zjarrfikës sipas standardit evropian.

Në vitin 2005, me ardhjen e Qeverisë së Shërbimit dhe Shërbesave u mendua dhe u shpresua se kjo qeveri në radhë të parë do të investonte tek shërbimet dhe pse jo te shërbimi zjarrfikës që është direkt në shërbimin ndaj komunitetit.

Haberi i parë shumë pozitiv, i Qeverisë së Shërbimit dhe Shërbesave ishte pa diskutim inaugurimi i stacionit të ri zjarrfikës tek porti i Durrësit nga vetë Kryeministri, z. Berisha.

Por shumë shpejt u zhgënjyem të habitur, sepse nga dita e inaugurimit e deri më sot ky shërbim mbeti në vend numëro, bile duke shkuar poshtë dhe më poshtë.

Nga viti 2005 e këtej nuk është bërë, për shërbimin zjarrfikës, asnjë ndryshim në ligj, megjithëse nga 2005 nuk kemi më Ministri të Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, ky shërbim me ligj vazhdon të jetë të kjo Ministri, pavarësisht se jemi në 2012, asnjë akt nënligjor, rregullore, apo aplikime e zbatim të standardeve evropiane, asnjë investim për ngritje të stacioneve të reja zjarrfikëse apo investim për mirëmbajtjen dhe rikonstruksionin e stacioneve ekzistuese të cilat po bien e po kthehen në kasolle të pabanueshme. Duke shkelur ligjin me të dy këmbët i hiqet buxheti zjarrfikëses si zë më vete, që i shërben direkt asaj, sipas nenit 17 dhe i kalon Drejtorisë së Emergjencave, e cila vetëm për zjarrfikësen nuk i përdor, së për çfarë e di ajo.

Largohen nga detyra gati të gjithë zjarrfikësit, oficerët zjarrfikës, të trajnuar dhe certifikuar në Qendrën e Trajnimit Zjarrfikës në Tiranë dhe në qendra të ndryshme trajnimi jashtë shtetit, nga 63 oficerë që ka gjithsej organika e PMNZSH, largohen nga detyra 61 oficerë brenda vitit 2007, pa asnjë kriter normal. Rreth 56% numrit të përgjithshëm e policëve zjarrfikës largohen në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Absurditete që ndodhin vetëm në Shqipëri.

Largimi nga funksioni i të vetmes shkollë, Qendra e Trajnimit, për të trajnuar zjarrfikësit dhe duke e kthyer atë në një vegël qorre, për largimet padrejtësisht të zjarrfikësve nga puna, me gjoja “testime”. Këto gjoja “testime” për zjarrfikësit kryhen nga njerëz, që vetëm në shërbimin zjarrfikës nuk kanë punuar ndonjëherë dhe për këtë profesion as që e kanë idenë, kuptohet janë militantë (ushtarë) partie.

Me çfarë merret sot Drejtoria e Emergjencave?

Ka një ngjashmëri shumë interesante, po qe se do ta krahasojmë kohën kur shërbimi zjarrfikës varej nga policia e shtetit para viteve 2001. Të njëjtat fenomene ndodhin edhe sot në këtë kohë. Nuk i jepet mbështetje, nuk i jepet buxhet, nuk i jepet investime në godina, në automjete, në pajisje, në uniforma, para 2001 ishte Drejtoria e Përgjithshme Policisë, nga ku varej ky shërbim, sot doli një drejtori tjetër që s’ka punë fare me zjarrfikësen, shumë “më e panevojshme” nga e para, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave.

Kjo drejtori, në vend që të bëjë detyrat e saj që i ngarkon ligji (fatkeqësi natyrore, përmbytje, bllokime rrugësh nga dëborë, tërmete etj.), dhe të thithë 10 Milion $, që i ka dhënë Banka Botërore qysh në 2008, merret e shkurton organikën dhe strukturën e zjarrfikësve, menaxhon padrejtësisht buxhetin e saj, emëron e liron oficerë zjarrfikës, jashtë çdo lloji kriteri, etj, etj., sepse ligji nr. 8766, dt 05.4.2001 nuk ja jep këtë të drejtë, në një kohë që ka një Drejtori të PMNZSH e cila ngarkohet dhe janë detyrat e saj, sipas ligjit.

Megjithatë, ta lemë Drejtorinë e Emergjencave në hallet e saj, deri sa të gjejë veten, deri sa Qeveria t’i gjejë vendin e duhur, ku ka më shumë efektivitet, në atë ministri ku e kanë shumë vende evropiane, por të paktën deri atëherë të mos lejohet të prishë punët e shërbimit zjarrfikës me ndërhyrjet e paligjshme të saj.

Zjarrfikësit, një shembull krahasimi mes Shqipërisë dhe Malit të Zi

Haberi i dytë mjaft pozitiv, për shërbimin zjarrfikës vjen çuditërisht ditën e fundit të vitit në 31 dhjetor 2011, ku z. Nishani, Ministër i Brendshëm, viziton shërbimin zjarrfikës të Tiranës, duke vlerësuar punën e tyre dhe duke i cilësuar edhe heronj ashtu siç ju takon vërtet të jenë dhe duke i siguruar mbështetjen e plotë të tij.

Dëshiroj të marr shkas nga vizita e kryeministrit z. Berisha në Malin e zi, në kuadrin e integrimit rajonal, ku ndër të tjera u nënvizuan nga kjo vizite investime të përbashkëta, siç ishte thellimi i lumit Buna, për një rrugë ujore të përbashkët, investimi në infrastrukturë, për Bjeshkët e Nemuna etj, etj., të cilat do t’i afronin këto dy vende fqinj natyral më afër me njeri-tjetrin, kështu;

Pse mos t’i përafrohemi këtij vendi të vogël edhe në shërbimin zjarrfikës? Një shembull të vogël krahasimi:

  • Podgorica, ka 250.000 banorë dhe ka 250 zjarrfikës me kohë të plotë, me 4 stacione dhe 30 automjete zjarrfikëse, kemi zbatimin e standardit evropian, 1 zjarrfikës në 1000 banorë.
  • Tirana, ka rreth 800.000 banorë dhe ka rreth 80 zjarrfikës, me 4 stacione dhe rreth 12 automjete zjarrfikëse, kemi pra 1 zjarrfikës në 10.000 banorë, jemi 10 herë larg Podgoricës në Malin e Zi. Nga ky numër i përgjithshëm vetëm rreth 20 zjarrfikës janë në detyra të përditshme, sepse shërbimi është me sistem 4 turnesh. A mundet rreth 20 zjarrfikës të mbulojnë gjithë qytetin e Tiranës, në rastin më të thjeshtë, kur bien 2-3 zjarre, apo kur duhet të ndërhyhet për misionin e shpëtimit në të njëjtën kohë?
  • Mal i Zi ka një Qendër Trajnimi Zjarrfikësish model për rajonin, Kosova ka një Qendër Trajnimi në Vushtri, Maqedonia ka një Qendër Trajnimi Zjarrfikësish, Greqia ka një Akademi për Zjarrfikësit. Pse mos ta kemi edhe ne një minimum, një Qendër Trajnimi Zjarrfikësish? Kaq të pamundura i ka mundësitë ky shtet? Apo kujtohet për zjarrfikësit se ka të tillë, vetëm kur bie ndonjë zjarr.
  • Aktualisht Qendra e Trajnimit është në një ndërtesë në lagjen 6 në Tiranë, por ajo është lënë në mëshirën e fatit, në gjendje të mjeruar dhe jashtë çdo lloji funksioni si shkollë zjarrfikësish. Në një kohë kur shërbimin zjarrfikës gjithë bota e qytetëruar e konsideron dhe e ka ndër shërbimet prioritare.

5 sugjerime për ndryshimin e situatës me zjarrfikësit

Duke qenë se u bënë vite që kam punuar e kontribuar për shërbimin zjarrfikës, realisht më vjen keq kur shoh këtë situatë, që nuk ndërron, nuk përmirësohet, nuk i përafrohet vendeve fqinj, por fatkeqësisht qëndron në vend dhe më keq rëndohet e përkeqësohet. Gjithashtu, me dëshirën dhe qëllimin e mirë, për të influencuar sado pak, për përmirësimin e shërbimit zjarrfikës, minimalisht do të sugjeroja:

1.     Për Tiranën, domosdoshmërisht të shtohet numri i personelit zjarrfikës, të shtohen stacionet zjarrfikëse.

2.     Të ngrihet në Tiranë një stacion i madh modern zjarrfikës, në zonën e Kinostudios, duke e kompletuar atë me automjete zjarrfikëse, automjete shpëtimi, autoshkalla dhe duke e kthyer shërbimin zjarrfikës të Tiranës model evropian, shembull për të gjithë Shqipërinë.

3.     Rishikim i strukturës, duke shtuar dhe rishpërndarë numrin e zjarrfikësve, konform lëvizjes demografike të popullsisë, dendësisë së popullsisë në qytete, numrit të ndërhyrjeve e zjarreve në vitet e fundit, rrezikshmërisë nga zjarri dhe shpërndarjes së objekteve etj., etj. Aktualisht në disa qytete të vogla shërbimi zjarrfikës është katandisur në një shofer dhe një ose dy zjarrfikës. Se si mund të shuhet zjarri me këtë grup zjarrfikësish, një zot e di?!

4.     Për Qendrën Kombëtare të Trajnimit Zjarrfikës, e cila është thembra e Akilit, për krijimin e profesionit të zjarrfikësve, të investohet sado pak, për arritjen e funksionimit të së vetmes shkollë, për këtë shërbim që ka Shqipëria.

5.     Shërbimit Zjarrfikës t’i hiqen vartësitë e panevojshme, duke qenë një shërbim me strukturë vertikale, Drejtori Autonome, në vartësi direkte të Ministrit, duke hapur mundësitë që në të ardhmen stacionet e shërbimit zjarrfikës, hap pas hapi, t’i kalojnë pushtetit vendor, bashkive, siç e kanë shume vende të Ballkanit dhe Evropës.

1 Komente

Z. Kristuli ben nje pasqyrim deri diku realist te situates megjithese duhej me patjeter te prekej me hollesisht dhe sherbimi i zjarrefikesve ne lidhje me zonat pyjore. Te gjithe kemi perjetuar me keqardhje faktin qe nje zjarr i rene ne zonat pyjore behet katasfroik per zonen e kjo e fundit mbetet ne meshire te fatit pasi mjetet jane inekzistente per kete specifike. Eshte per te ardhur keq qe Ministria e brendshme harxhon disa milione euro per zevendesimin cdo 3-4 vjet te uniformave te policise dhe sherbimin zjarrefikes e le ne mishere te fatit.

Mjetet qe disponon sot sherbimi i zjarrefikesve jane ose shume te vjetra (automjetet) ose mjaft te papershtateshme per zhvillimin e territorit (automjete gjigande qe jo gjithmone u krijohet hapesira per te nderhyre ne vend). Ndoshta automjete me moderne dhe lehtesisht te manovrueshme do ndihmonin shume ne realitetin urban qe eshte krijuar.

Eshte sa komike aq dhe e dhimbshme kur shikon qe nje vend i cili pretendon qe ecen me ritme te papara te zhvillimit ekonomik te mbaje sherbimin e zjarrefikesve te veshur me uniforma te papershtateshme e qe vejne ne rrezik vete jeten e zjarrefikesit. Uniformat ne te shumten e rasteve jane me mbishkrime te huaja cka certifikon "dhuraten-lemoshe" te shteteve te tjera kundrejt nje shteti qe zhvillohet dita dites...

Tjeter problematike eshte militantizmi. Eshte e dhimbshme kur largohen specialistet dhe ne dore litaret e nje sherbimi kaq te rendesishme i marrin njerez te pakualifikuar. 

Se fundmi, po prek problematiken e zjarreve ne pyje. Eshte sa paradoksale aq dhe per te ardhur keq qe shteti lejon te shkaterrohet nje pasuri kombetare pa marre asnje mase. Cka do i kushtonte shtetit tone sikur te kishte ne zoterim 1-2 aeroplane zjarrefikes Canadair CL-415 (Kroacia ka 6 ndersa Greqia 8 cope)? Perse duhen bere shpenzime pa kriter e mos investohen parate ne menyre konstruktive dhe ne sherbim te nje ceshtje kaq te rendesishme?!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).