Javën e fundme, me nismën e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, iu bashkua festimeve botërore për 200-vjetorin e lindjes së shkrimtarit më të shquar britanik të periudhës viktoriane, Charles Dickens.

Në këtë 200-vjetor, veprave të përkthyera e të botuara herët në gjuhën shqipe (“David Koperfild”, “Aventurat e Oliver Tuistit”, “Dombi e biri”, “Letrat e sprasme të klubit Pickuik” , nuk iu shtua ndonjë e re, megjithëse trashëgimia e tij është shumë më e gjerë. Ka shumë të ngjarë që për këtë të ketë ndikuar inatosja me realizmin socialist, pastaj dhe me realizmin social, dhe së fundmi edhe me realizmin kritik dhe me realizmin në përgjithësi. Kjo i dha një kuptim më të përligjur zgjedhjes së përfaqësisë së Britanisë së Madhe në Tiranë, për ta përkujtuar këtë ngjarje me gjuhën e filmit, përmes një jave të kinemasë së sunduar prej ekranizimeve të veprave të Dickens-it, duke filluar me “Jeta dhe aventurat e Nikolla Niklebi-t ( “The Life and Adventures of Nicholas Nickleby” ) e duke vijuar, me filma të tjerë më të njohur.

Dickens-i mund të thuhet se është shkrimtari i dytë anglez më i njohur në Shqipëri, duke u renditur menjëherë pas Shekspirit. Në dy dekadat e fundme erdhën në shqip dhe shkrimtarë të tjerë britanikë, ose më saktë anglishtshkrues, që nuk ishin përkthyer më parë, për arsye ideologjike, si “Ulisi” i J. Joyse-it, “Ferma e kafshëve” e G. Orwell-it, poezitë e Rudiard Kippling-ut etj. Por vendi i tij mund të thuhet se mbeti i pakontestuar.

Charles Dickens i dha letërsisë botërore jo thjesht kryevepra, por dhe një gjedhe të shkruari, që mund të përkufizohet ndërmjet dy termave: realizmit dhe “happy end”-it. Të dy terma të mirënjohur, që e kanë sunduar botën për dy shekuj me radhë, por njëherësh të dy terma që të bëjnë të kesh nderim për njeriun që i bashkoi i pari, që zakonisht harrohet.

Nëse do të anketohej mendimi i brezit të sotëm të shkollarëve, të cilët vazhdojnë ta lexojnë Dickens-in, për pyetjen se cila është lidhja e tij me “happy end”-in, ndoshta do të merrnim si përgjigje se në vitet 1970 në Japoni ekzistonte një bandë muzikore rock-u me këtë emër; se Brecht-i dhe miqtë e tij patën krijuar libretin e një musical-i pikërisht të titulluar “Happy end”, se kineastët polakë të periudhës totalitare gjithashtu e provuan “fundin e lumtur” si një alternativë më të butë ndaj optimizmit revolucionar; apo dhe se në kaq e aq qytete të Europës ka restorante të famshme joshëse me këtë emër. Por me Dickens-in vetë zor se do të bënin ndonjë lidhje.

Në të vërtetë, shkolla krijuese e Dickens-it paracaktoi e kushtëzoi shumë prej zhvillimeve që ndodhën në letërsi, në kinema, në teatër, jo vetëm në vendin e tij të lindjes, por në shkallë botërore. Të paktën dy prej këtyre termave janë të mirënjohur: realizmi fshikullues dhe fundi i lumtur. Për të qenë më të saktë: realizmi kritik dhe zgjidhja optimiste. Kjo ishte një përvojë krejt e re në historinë e letërsisë botërore: të bashkoje kriticizmin e rreptë të letërsisë sociale me optimizmin futurist të romantizmit ishte gati-gati e papërfytyrueshme. Por pikërisht këtë synoi dhe këtë arriti të bëjë shkrimtari britanik Charles Dickens.

“Happy end”-i është një term po aq i ngulitur në studimet letrare sa dhe “deus ex machina” apo “ars pro artis”. Në këtë kuptim, letërsia e Charles Dickens-it njëherësh është dhe një kontribuuese në fjalorin terminologjik të estetikës së letërsisë.

Se sa ka ndikuar “happy end”-i në historinë e letërsisë botërore të dy shekujve të fundmë; përkundër “tragic end”-it që kishte sunduar për një kohë të gjatë qysh prej tragjedive të Shekspirit, do të mjaftonin dy dukuri për ta shpërfaqur. Janë dy dukuri që duken shumë të largëta për njëra-tjetrën, por në të vërtetë pikërisht në këtë pikë bashkohen, edhe pse të zhvilluara në dy botë gjithashtu të papajtueshme mes tyre: njëra në Lindjen totalitare me shoqëri të kontrolluar dhe tjetra në Perëndimin e lirë me mitin e epërsisë së vetvetes.

“Happy end”-i ishte një prej kanoneve të pashpallura të letërsisë së realizmit socialist. Në studimet teorike për këtë dukuri letrare gati-gati ishte shpallur si përfundim teorik se në realitetin socialist nuk mund të ketë tragjedi, për rrjedhim nuk mund të ketë as “tragic end”. Madje dhe drama hyri në krizën e vet më të madhe pikërisht se duhej të përfundonte me triumf, me optimizëm, me probleme të zgjidhura, me fitoren e heroit pozitiv. Në fakt, kjo e largonte shumë dramën prej funksioneve të saj themelore, prej atyre funksioneve me të cilat kishte lindur në Greqinë e vjetër: kënaqu duke u tmerruar prej së keqes, katarsis-it.

“Happy end”-i i realizmit socialist e deformoi vetë letërsinë, duke mos e pasur më atë funksion estetik që kishte në letërsinë e Charles Dickens-it. Edhe një roman si “Lumi i vdekur”, që e kishte zymtësinë dhe kriticizmin të përligjur prej kornizës historike dhe qëndrimit politik ndaj saj, duhej të mbyllej me fjalën e urtë “Ditë e re, shpresë e re”. Ndërsa triumfalizmi dhe lumturia e pritshme duhej të ishin të deklaruara mundësisht qysh në titull: “Të pamposhturit”, “Pranverë e përjetshme”, “Te ne s’ka vjeshtë”. Nëse në letërsi shfaqej diku shiu, zymtësia, mjegulla, dimri, të ftohtit, kjo do të kthehej menjëherë në shqetësim ideologjik. Në një prej romanëve më të njohur humoristikë të letërsisë shqipe të realizmit socialist, komisioni bën vërejtje për dramën që po vihet në skenë: “Shumë gabim, heroi pozitiv duhet të qëndrojë lart dhe ai negativ poshtë! Kjo është lajthitje liberale dhe dekadente!”. Nëse do të shfaqeshin në vepra vizione vitesh të mbrapshtë, menjëherë dilte pyetja: mirë që rrethanat historike nuk i dhanë mundësi autorit të shohë diell përtej errësirës - po të paktën një yll në fund të horizontit nuk mund ta shihte?

“Happy end”-i nuk qe një dukuri vetëm shqiptare - ajo sundoi gjithë letërsinë e Lindjes. Punëtori i aksidentuar duhej të gjente fuqi brenda vetes dhe të ndërtonte këmbë të drunjta për t’u ringritur më këmbë e për të filluar punën. Karakteret negative duhej t’i kuptonin gabimet dhe të ndreqeshin para se të ishte vonë dhe të ktheheshin në armiq. Mbi të gjitha, perspektiva duhej të ishte e ndritur: ajo duhej të shprehej në skenografi, në veshje, në retorikë. Dielli duhej të ndriste horizontin e hapur. Në disa vende të Lindjes ish-komuniste “happy end”-i çoi në krijimin e një letërsie brohoritëse, që ishte e vështirë ta merrje seriozisht.

Por nuk është vetëm letërsia e realizmit socialist ajo që u determinua prej “happy end”-it të njohur dickens-ian. Ndonëse e përkundërt me këtë të fundit, kinemaja e Hollivudit amerikan bëri të njëjtën gjë. “Letërsia e heronjve” triumfues në Lindje dhe kinemaja e superman-it hollivudian, nëse kanë një pikë përafrimi, është pikërisht slogani: “E shihni diellin? Kjo është fitorja!”. Të dyja këto dukuri bashkëkohore të artit dhe letërsisë prodhuan mite me shumicë: njëra mitin e njeriut të ri dhe tjetra mitin e Chuck Norris-it dhe të Rocky-t; njëra mitin e heroit luftëtar që nuk dorëzohet deri në fitore në emër të idealit dhe tjetra mitin e homo americanus, i lindur për të fituar në shkretëtirë, në oqean, në akullnajë, në galaksi, kudo që të gjendet përballë kundërshtarëve.

Në fakt, në letërsinë e Charles Dickens-it “happy end”-i nuk është një propozim estetik për të prodhuar heronj. Në këtë letërsi “happy end”-i është një dritë shprese për heronjtë e dobësisë, njerëzit e pafuqishëm përballë fatit dhe realitetit. Pikërisht këtu qëndron shpërdorimi i zgjidhjes estetike të Dickens-it prej këtyre dy dukurive letrare dhe kinematografike të shekullit të 20. “Happy end”-i duhej të ishte doemos zgjidhja e veprës, edhe nëse njerëzit do ta merrnin me të qeshur. “Happy end”-i prodhoi prej kinemasë hollivudiane motërzimin modern të Hirushes fatlume me filmin “Pretty Woman” - “Gruaja e bukur”, ku një “grua publike”, siç quhej shërbimi i Julia Roberts në filmin e përmendur, gjen kalorësin e vet të kaltër dhe fiton zemrën e tij.

Për hir të së vërtetës, edhe surrealistët nuk kanë qenë fort larg “happy end”-it, ndërsa futuristët, megjithëse me sy nga e ardhmja, nuk e shihnin “happy end”-in si çështje lumturie, si dukuri të shpirtit njerëzor, se sa si progres teknologjik.

Pikërisht këto mendime më zgjoi prania, në ditën e parë të hapjes së javës së filmit në kushtim të 200-vjetorit të Dickens-it. Ai i dhuroi letërsisë botërore shpresën, pasi e kishte ndëshkuar pa mëshirë realitetin. Ai ndezi një qiri besimi për konfliktet e botës me të njëjtën mendje iluministe si shumë mendimtarë e krijues të tjerë. Ai zbuti njeriun me premtimin e “happy end”-it, të cilin, të tjerë që erdhën më pas, e përdorën si zgjidhje për të lartësuar heroin e programuar dhe kanonet e ardhura nga jashtë letërsisë. 

7 Komente

realizmi kritik dhe zgjidhja optimiste, ose sadomazokizmi borgjez.

duke falenderuar autoren per sjelljen e titullit legjendar “Te ne s’ka vjeshtë”,

“Happy end”-i është një term po aq i ngulitur në studimet letrare sa dhe “deus ex machina” apo “ars pro artis”.

Yes, yes, yeeeeaaaaaahhhssss!

smiley

Nëse do të anketohej mendimi i brezit të sotëm të shkollarëve, të cilët vazhdojnë ta lexojnë Dickens-in, për pyetjen se cila është lidhja e tij me “happy end”-in, ndoshta do të merrnim si përgjigje se në vitet 1970 në Japoni ekzistonte një bandë muzikore rock-u me këtë emër; se Brecht-i dhe miqtë e tij patën krijuar libretin e një musical-i pikërisht të titulluar “Happy end”...

 

“Happy end”-i ishte një prej kanoneve të pashpallura të letërsisë së realizmit socialist. “Happy end”-i nuk qe një dukuri vetëm shqiptare

Esht e vertete. Kohet e fundit kjo shprehja happy end(ing) (e cila permendet 17 here ne kete artikull...numeroi vete po s'besove) ka filluar te perdoret dhe ne vendet anglishtfolese. smiley

c'kemi ne shpip nga dikens nuk mbaj mend gje.

 

Ian Haydn Smith: Dickens parashikoi...dhe skemat tuaja piramidale

Intervistoi Ben Andoni

Ian Haydn Smith është një kritik i njohur britanik i filmit dhe artit, i cili njihet prej kohësh me veprën e Çarls Dikens. I ftuar nga British Council ai ka marrë pjesë dhe në festimet për të në Shqipëri dhe ka pranuar të intervistohet shkurtimisht për “Milosaon”. “Është shumë bashkëkohor, thotë jo vetëm në Angli por kudo në Botë por edhe tek ju sepse arriti që të parashikonte që në shekullin e XIX, skemat piramidale”. 

Juve jeni ftuar për 200 vjetorin e lindjes së Dickens në Shqipëri. Çfarë shikoni ende bashkëkhore në veprën e tij në ditët tona? 
“Për hir të së vërtetës, dua të them se Dickens në të gjithë rrëfimet që shkroi, për kohën që u realizuan dhe dekadat që kanë kaluar, është krejtësisht aktual. Ajo që e bën më të vyer veprën e tij është fakti që temat, të cilat i kushtoi vafërisë, padrejtësisë dhe stigmën që bëri ndaj distancës së madhe ndërmjet të varfërve dhe njerëzve të pasur, i qëndrojnë dhe aktualisht kohës. Vepra e tij është e prekshme me cilësitë e shoqërisë së sotme dhe jo vetëm në Angli por kudo sepse është e prekshme. Ai vetë e përshkroi nga shembulli i tij. Për të dhënë një shembull personal nga jeta e tij, ju e dini që babai i tij, John, kur ai ishte 12 vjeç ishte në borxhe të thella dhe u dërgua në burgun e borxhlinjve Marshalsea në lumin Tamiz. Dickens e përshkroi babanë e tij në karakterin e paharruar të Ëilkins Micaëber, që është kaq i prekshëm... 

Dhe, kjo ndikoi shumë në jetën e tij, të paktën sipas biografëve të tij... 
Po, sepse atij i duhej të punonte tashmë në një fabrikë dhe kjo përvojë e ndërlikoi shumë jetën e tij, por ndërkohë dhe e bëri më të vëmendshëm gjatë jetës. Madje, shumë nga gjërat që përshkroi dhe që bënte personazhi i David Koperfildit janë të tijat. Të mendosh se kur u shkruajt botohej në revista, me pjesë dhe askush nuk e dinte, përveç tij, ku të gjitha këto kishin lënë gjurmë të thella. Ai i lka personazhet të përshkruanin vetë veten e tyre. Të gjitha do të dilnin, kur ia pohoi mikut dhe biografit të tij më të madh John Foster: “Karakteret ekzistojnë vërtetë dhe nuk dua t i përshkruaj, sepse ata kanë përshkruar vetveten”. 

Foster ishte vërtetë miku i tij dhe ne e kemi të plotë Dickens prej tij? 
“Ai, ishte vërtetë shoku i tij më i ngushtë dhe i kushtoi dy volume kujtimeve të jetës së tij. Nëse do të lexonim citatet e thëna aty me kujdes do të lexonim gati të njëjtat gjëra edhe me ato që thonë personazhet tek David Koperfild dhe gati të njëjtat në personazhe të tjera të veprës së tij. E gjithë kjo eksperiencë u përfshi në fikshënin e tij dhe ka shumë elementë të biografisë në fikshënin e tij. Por, ai diti të fuste dhe shumë gjëra në shqetësimet e vendit të tij që i kishin mbetur nga fëmijëria bashkë dhe të gjithë galerinë e njerëzve që takoi dhe të gjithë këtë përvojë e futi në librat e tij. Ai mundi të përshkruante suksesshëm të gjitha gjërat që pa në rrugë. Ai shkroi me shumë detaje për padrejtësinë dhe varfërinë dhe vërtetë arriti të shikonte shumë në kohë... Shembujt e tij, që i vendosi në episodet amerikane të Martin Chuzzleëit, tregojnë shumë gjëra për kapitalizmin, që janë aktualë dhe sot. Në një nga këto episode të kësaj kohe ai na shkruan për skemat piramidale, që edhe në Shqipëri do të ishin prezente dhe që u përshfaqën sidomos në Itali në vitet 20 të shekullit të shkuar. Çuditërisht, ai e pikasi që në kohën e tij, dhe kjo është një nga gjërat, të cilin e bëri kaq të madh dhe universal, por edhe shikimi i qënies humane dhe gjërat e tjera...Për ju, që kapitalizmin e keni hasur tani, ky është një nga bashkëkohësitë më të mëdha”. 

Si e shikoni në Angli dhe si kanë qenë kremtimet për të? 
“Është vërtetë shumë i madh ndikimi dhe duke filluar prej gjashtë muajsh ka ngjarje në televizione dhe ka dhe shumë transmetime të specializuara për të. Ka shumë ekranizime që janë adaptuar në televizion dhe shumë aktivitete që lidhen me figurën e tij. Unë dua të them se vazhdon ende të studiohet ende në shkollë dhe si kritik shoh se po pritet shumë dhe në të gjithë vendet. Personalisht, jam tmerruar kur isha i vogël kur më lexonin ndonjë nga pjesët por nga ana tjetër i thosha sime mëje, vazhdo... Dua të them se kjo është një gjë e rëndësishme sepse Charlie është i studiuar që nga akademikët por sështë vetëm për ata, por edhe për njerëzit e thjeshtë dhe për mënërën sesi ata mund të ndërronin jetën e tyre të ndryshonin atë dhe e vetmja mënyrë për të bërë këtë ishte të bëjë që historitë e atyre të ishin për njerëzit. 

Në cilën gjë shikoni forcën e tij? 
“Forca e tij është cilësimi i karakteristikave që i përshkruan me një imtësi të tillë saqë është e pavështirë nga njerëzit që e vendosin në skenë të gabojnë me personazhet e tij. Ne njohim me detaje dhe nga përshkrimet gjithçka të tijën dhe me një saktësi kaq të madhe, saqë mund të imagjinojmë sesi janë, cilët janë dhe pritjet e mëdha. Është e pabesueshme por te Martin Chuzleëit ju e dini me saktësi si është, si e ka fytyrën, si lëviz dhe çdo element tjetër të veprës. Personazhet e tij janë të imagjinueshëm lehtë. Ebenezer Scrooge, Tiny Tim, Jacob Marley, Bob Cratchit, Oliver Tëist, Bill Sikes, Pip, Miss Havisham, Charles Darnay, David Copperfield, Mr. Micaëber, Abel Magëitch, Daniel Quilp, Samuel Pickëick, Ëackford Squeers, Uriah Heep janë si të gjallë”. 

Si e gjykoni më realisht këtë bashkëkohësi të tij? Ka një lloj Deus ex machina në veprën e tij? 
“Është fakti se ai është real me përshkrimin e varfërisë dhe në të njëjtën kohë ai donte që lexuesit të ishin pjesë e veprës së tij dhe humanizmi, kudo, është shumë pjesë e veprës së tij. Ai besonte se gjërat do ndryshonin dhe se gjërat e bukura ndodhin ashtu si edhe gjërat e këqia. Ngandonjëherë në disa libra ka një sens që Deus ex machina nuk ecën por ai i do gjithmonë karakteret e e tij të përfundojnë mirë. Të mos harrojmë dhe diçka: Ne e dimë se ato botoheshin për çdo muaj dhe qartësisht ai e kishte të vështirë të manovronte aq lehtë. I duhej të paguhej dhe nuk ndryshonte dot kaq lehtë. Nga ana tjetër, ai ishte gjeni sepse e dinte mirë audiencën e tij dhe fati i keq qëndronte në faktin se nuk mund të ndryshonte kaq lehtë si sot, kur ti shkruan romane. Atij i duhej të shkruante për revista mujore dhe duhej ti fiksonte mirë personazhet e tij”. 
 

Si po të duken festimet e Shqipërisë në nder të tij? 
“Ajo që po ndodh këtu është e mrekullueshme dhe është nder për mua që jam i përfshirë për përvjetorin e tij këtu. Ajo që më mahnit më shumë është të shikoj sesa popullor është ende dhe sesa shumë njohuri kanë shqiptarët për të”. 
 

Mbase prej kohës së Socializmit, kur ai ishte i detyruar në shkollë? 
“Unë e di që në kohën e Enverit ishte i lexuar dhe është e rëndësishme të mendosh se Dickens e donin edhe pse ai në thelb e donte rregjimin kapitalist, por nga ana tjetër donte që ky sistem të ishte human. Mbase, kjo është arsyeja sepse ne e duam sot: prej gjendjes ekonomike në botë dhe prej të gjithë gjërave të tjera. Ai shkruante që në kohën e tij për një diferencë shumë të pamenduar mes të pasurve dhe të varfërve. Dhe të mendosh se kishte një urrejtje për bankierët që i quante kudo si fajtor për gjërat e këqija që i kishin ndodhur në jetë. Dhe, jo më kot, ai do ishte zëri i vërtetë që i shikonte sesi njerëzit po merrnin urrejtje për këtë...”.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).