Dy shkrimtarë polakë, Czeslaw Milosz & Witold Gombrowicz zhvillojnë një dialog interesant rreth poezisë, vijojne fragmente te tjera

Witold Gombrowicz: Kundër poetëve

Do të ishte më delikate nga ana ime, nëse nuk do të turbulloja një prej gjërave të shenjta, që ende na kanë mbetur. Edhe pse kemi nisur të dyshojmë thuajse në gjithçka, ende ushtrojmë kultin e Poezisë dhe të Poetëve dhe kjo është ndoshta Perëndia e vetme, që nuk kemi turp ende ta adhurojmë në mënyrë pompoze, me nderim të thellë, me zërin e ngritur.... Ah, ah, Shelley, ah, ah Slowacki, etj. Ah, fjala e Poetit, misioni i Poetit, shpirti i Poetit! Ndërkaq, më vjen të hakërrehem ndaj këtyre përgjërimeve, dhe të turbulloj, brenda mundësive të mia, këtë ritual, në emër... në emër thjesht të një inati elementar, që na shkakton çdo lloj gabimi në stil, çdo notë false, çdo arrati nga realiteti. Por, duke qenë, se kam marrë armët për të luftuar në një terren shumë të fortifikuar, gati-gati qiellor, duhet të kem shumë kujdes, që vetë të mos fluturoj si balonë dhe të mos më shkasë terreni i fortë nga këmbët. Teza e skicës time është si më poshtë: pothuajse askush nuk i pëlqen vjershat, dhe se bota e poezisë në formë vjershe është botë e sajuar dhe e falsifikuar. Kjo tezë ndoshta do t’ju duket po aq e guximshme, sa jo serioze. Por, këtu qëndroj para jush dhe po ju them, se nuk kam pikë pëlqimi për vjershat, e madje ato më bezdisin. Mund të thoni, që ndoshta jam një injorant ngatërrestar.

Por, ndërkohë, punoj prej kohësh në art, dhe gjuha nuk është krejtësisht fushë e panjohur për mua. Gjithaq, nuk mund të përdorni argumentin tuaj të pëlqyer kundër meje, se nuk e zotërokam ndjeshmërinë poetike, pasi e zotëroj dhe në përmasa të mëdha madje – pasi, kur poezia më shfaqet në vjersha, por e përzier me elementë të tjerë, shumë më prozaikë, për shembull, në dramat e Shekspirit, në prozën e Dostojevskit, apo të Paskalit, apo qoftë dhe gjatë një perëndimi të zakonshëm dielli, dridhem njësoj si dhe vdektarët e tjerë. Po përse vallë, më mërzit dhe më lodh ai ekstrakt farmaceutik, i quajtur “poezi e pastër”, veçanërisht kur shfaqet në formë vjershe? Përse nuk arrij të duroj atë këngë monotone, vazhdimisht të dalldisur, përse më përgjum ritmi, pas ritmit, përse gjuha e poetëve më duket më pak interesantja nga të gjitha gjuhët e tjera të mundshme, përse kjo Bukuri është kaq pak ndjellëse për mua dhe pse nuk njoh asgjë më të keqe, në stil, sesa mënyra se si Poetët flasin për vete dhe për Poezinë e tyre? Nuk më mungon prirja që t’i njoh vetes ndonjë të metë në këtë drejtim... sikur të mos kisha njëfarë përvoje... njëfarë përvoje shkencore.... i mallkuar, në art, Bacon! Ju këshilloj që kurrë të mos përpiqeni që t’i shpërngulni përvojat tuaja në lëmin e artit, pasi kjo fushë nuk e duron këtë – dhe të gjitha deklamimet që bëhen në këtë fushë do të mund të qëndrojnë, për aq kohë, sa dikush të mos tregohet aq i pasjellshëm e të kërkojë të zbulojë sa përputhen ato me realitetin.

Do të nxirrnim sa e sa mësime, nëse do të hulumtonim se sa një person që adhuron Bach-un, ka gjasa që në përgjithësi të adhurojë Bach-un, që do të thotë, se sa i zotë është ai që të rrokë diçka nga muzika dhe nga Bach. A nuk më ka ndodhur vallë (që pavarësisht se nuk di të luaj në piano) të jap jo pa sukses dy koncerte, koncerte që nënkuptonin kryesisht që nisa t’u bie instrumentave pa asnjë rregull, duke i siguruar vetes duartrokitjet e disa njohësve, që mesa duket kishin zbërthyer intrigën time dhe pohonin se do të mund të luaja muzikë bashkëkohore? Çfarë fati, që ata që flasin për artin, me mënyrën e epërme të Valery-t, nuk bien kaq poshtë, në ballafaqime të tilla! Ai që e kqyr nga kjo anë Meshën tonë estetike, do të zbulonte me lehtësi, se kjo mbretëri e Pjekurisë në dukje, është pikërisht oborri më i papjekur i njerëzimit, ku mbretëron bllofi, mistifikimi, snobizmi, falsiteti, dhe dokrrat. Dhe do të jetë një gjimnastikë e mirë për mendimin tonë të ngurtë, nëse herë pas here, e përfytyrojmë vetë Paul Valery-n si uratën e Papjekurisë, si një prift të zbathur, në brekë të vogla. Këto janë përvojat e mia: duke kombinuar fjali, apo fragmente të ndryshme nga vjershat e një poeti të caktuar kam ndërtuar një vjershë absurde, të cilën e kam lexuar në rrethin e artdashësve të sinqertë, duke e shpallur si një krijim të ri të poetit e duke shkaktuar mahnitjen e përgjithshme të artdashësve; apo kam nisur t’i pyes në mënyra të ndryshme lidhur me këtë, apo atë poemë, dhe kam kuptuar se “artdashësit” asqë e kishin lexuar atë të tërë. Si shpjegohet kjo vallë? Kaq të mahnitur, saqë nuk e kanë lexuar të gjithin. Të përdëllyer kaq shumë nga “saktësia matematike e fjalëve” sa të mos shquanin shthurjen radikale të saktësisë? Të shprehen me kaq mençuri, kaq shumë të deklamojnë për këto tema, të shijojnë kushedi çfarë nuancash, dritëhijesh, dhe në të njëjtën kohë, të bëjnë mëkate kaq të rënda dhe elementare? Natyrshëm, pas çdo përvoje të tillë, dëgjoheshin shumë protesta dhe fyerje, ndërsa artdashësit, mallkonin të gjithë shenjtorët, se nuk ishte pikërisht ashtu... se, në të vërtetë.... por ama, një e plasaritur ravijëzohej mjaft qartë në shkëmbin e fortë të Përvojës.

U gjenda, pra, përballë dilemës së mëposhtëme: mijëra njerëz që shkruajnë vjersha; qindra mijëra të tjerë, që adhurojnë këtë Poezi; gjeni të papërsëritshëm që janë shprehur nëpërmjet vjershave; Poeti që nderohet, që prej kohëve që nuk mbahen mend; dhe përkundruall këtij mali lavdesh, qëndroj unë, me dyshimet e mia, që më thonë se mesha poetike zhvillohet në një kotësi të plotë. Oh, nëse nuk do të dija të argëtohesha me këtë situatë, do të isha patjetër i tmerruar!

Megjithëkëtë, përvojat e mia më inkurajuan që të kërkoj më tej dhe më me guxim përgjigje rreth kësaj pyetjeje të mundimshme: Përse nuk më shijon poezia e pastër? Përse? A mos vallë për të njëjtat arsye, që nuk më shijon sheqeri në gjendje të pastër? Sheqeri shërben për të ëmbëlsuar kafen, por jo që të mbushësh një pjatë dhe ta hash me lugë, siç hamë për shembull pilafin. Tek poezia e pastër, në formë vjershe, të mundon t e p r i a; tepria e poezisë, tepria e fjalëve poetike, tepria e metaforave, tepria e sublimimit; e së fundi tepria e kondensimit dhe e pastrimit nga gjithëfarë elementësh jopoetikë, që e përngjason vjershën me një produkt kimik.

Kënga është një formë e shkëlqyer e shprehjes... e megjithatë, përgjatë shekujve, janë shumuar këngëtarët, të cilët, duke kënduar, janë të detyruar të mbajnë një qëndrim prej këngëtari. Qëndrim që me kalimin e kohës bëhet dhe më i ngurtë. E prapëseprapë, një këngëtar arrin të ekzaltojë një këngëtar tjetër, ata arrijnë të degdisin njëri-tjetrin në një përkushtim dehës për këngën, ha, ata tashmë nuk këndojnë për turmën, por për njëri-tjetrin; dhe ndërmjet tyre, përmes një rivalitetit të pandërprerë, të përsosjes së vazhdueshme të këngës, krijohet piramida, kulmi i së cilës arrin qiejtë, dhe të cilin arrijmë ta admirojmë nga poshtë, nga toka, duke fërkuar sytë. Ajo çka duhej të ishte një rrëmbim i çastit i prozës, u kthye në një sistem, program, profesion – dhe sot je Poet, njësoj siç mund të ishe inxhinier, apo mjek. Vjersha ka marrë përmasa të përbindshme dhe nuk jemi ne që e kontrollojmë tashmë atë, por ajo që na kontrollon ne. Poetët janë kthyer në skllevër, dhe do të mund ta përkufizonim poetin si një krijesë, që nuk mund të shprehë vetveten, pasi është Vjersha, ajo që kërkon të shprehet.

Ndërkohë, nuk mund të ketë në art, një detyrë më të rëndësishme nga kjo: të shprehësh vetveten. Nuk duhet të na humbasë kurrë nga sytë, e vërteta, që çdo stil, çfarëdo qëndrimi i caktuar, krijohet përmes eleminimit dhe është në thelb, varfërim. Prandaj, nuk duhet kurrë të lejojmë që një qëndrim i caktuar t’i kufizojë kaq shumë mundësitë tona, duke u kthyer në një shtupë për të na zënë gojën, dhe kur bëhet fjalë për një qëndrim kaq artificial, thuajse pretencioz të këngëtarit, aq më tepër duhet të jemi të vëmendshëm. Por, ne, deri më tash, nëse i referohemi artit, harxhojmë kaq kohë dhe mund, për të përsosur pikërisht këtë, apo atë, qëndrim, në vend që të ruanim ndaj tyre sovranitetin e brendshëm dhe autonominë, për të përpunuar një raport të drejtë, ndërmjet nesh dhe shprehjes tonë. Na duket sikur Forma është për ne, një vlerë në vetëvete, pavarësisht faktit se sa na pasuron, apo na varfëron. E kemi përsosur me një këmbëngulje të pashoqe artin dhe as që marrim mundimin të pyesim, se deri në çfarë mase, ka ai ndonjë lidhje me ne. E kultivojmë Poezinë, duke harruar njëherësh se ajo që është e bukur, jo doemos është “ajo që ka një fytyrë”. Nëse duam, pra, që kultura të mos humbasë çdo lloj lidhjeje me qenien njerëzore, duhet që kohë pas kohe, ta ndërpresim krijimtarinë tonë të palodhur, dhe të verifikojmë, nëse ajo që ne kemi krijuar, është ajo çka na shpreh.

Ekzistojnë dy lloje humanizmi: i pari, të cilin do të mund ta quanim fetar, përpiqet ta gjunjëzojë njeriun para veprave të kulturës njerëzore, na detyron që të adhurojmë e të respektojmë, për shembull, Muzikën, apo Poezinë, Shtetin, apo Ligjin, ndërkohë, që i dyti, që simbolizon një rrymë mjaft kryeneçe të shpirtit tonë, përpiqet që t’i kthejë njeriut, pikërisht sovranitetin dhe pavarësinë e tij, ndaj këtyre Perëndive dhe Muzave, të cilat, tekefundit, janë krijime të tij, të njeriut. Në këtë rastin e fundit, fjala “art” shkruhet me shkronjë të vogël. Dhe është pothuaj e padyshimtë, që stili që arrin të përfshijë të dyja tendencat është më i plotë, më autentik, dhe e pasqyron më drejt, autonominë e natyrës tonë, sesa stili, që me një ekstremizëm të verbër, shpreh vetëm njërin nga këta dy pole të ndjenjës tonë. Por, nga të gjithë artistët, poetët janë ndoshta ata, të cilët gjunjëzohen më tepër, përgjërohen më shumë, janë ata priftërinjtë par excellence, dhe ex professo, ndërsa Poezia, kthehet në këtë kontekst, në një celebrim. Është pikërisht ky ekskluzivitet që bën stilin dhe shprehjen e poetëve kaq thellësisht të pamjaftueshëm e kaq të paplotë. Por, le të flasim dhe për një cast për stilin. Kemi thënë, që artisti duhet të shprehë veten. Por, ndërsa shpreh veten, ai duhet të bëjë kujdes që mënyra e tij e shprehjes të përkojë me vendin e tij në botë, ai duhet të japë jo vetëm marrëdhënien që ai ka me botën, por dhe atë që bota ka me të. Nëse, duke qenë për shembull, frikacak, marr një ton prej heroi, bëj gabim në stil. Nëse shprehem sikur, të isha i nderuar dhe i dashur prej të gjithëve, kur në të vërtetë, njerëzit as më çmojnë dhe as më pëlqejnë, bëj gabim në stil. Nëse, nuk duam megjithatë, t’i japim rëndësi vendit që zëmë në botë, nuk mund t’i shmangemi ballafaqimit me realitete krejt të ndryshme, nga ai i yni. Njeriu që është formuar, vetëm në kontakt me njerëz të ngjashëm me atë vetë, i cili është produkt vetëm i mjedisit të vet, do të ketë stil më të cektë, më të keq, nga ai, që ka njohur mjedise e njerëz të ndryshëm. Dhe kështu, pra, tek poetët të acaron jo vetëm përdëllimi i tyre i pakompensuar nga asgjë, ai dorëzim pa kushte ndaj Poezisë, por edhe politika e tyre e strucit, në raport me realitetin: kur këta mbrohen prej realitetit, nuk duan as ta njohin e as ta kuptojnë atë, e çojnë veten qëllimisht drejt një gjendjeje ekzaltimi, që nuk është forcë, por dobësi.

A nuk janë poetët ngacmim për poetët? A nuk kërkojnë ata vetëm besimtarë, që do të thotë njerëz të tillë, si vetë ata? A nuk janë ato vjersha vetëm krijim i një grupi tepër të ngushtë? A nuk janë ato hermetike? Kuptohet, ata nuk po i akuzoj se janë “të vështirë”, sepse nuk kërkoj që ata të shkruajnë në mënyrë të kuptueshme për të gjithë, dhe as që të zbresin nga qiejtë. Kjo do të ishte baraz me kërkesën për të hequr dorë vullentarisht nga vlerat më thelbësore, të tilla si ndërgjegja, arsyeja, ndjeshmëria më e lartë, dhe njohja më e thellë e jetës dhe e botës, për t’u ulur në nivel mesatar. Oh, kurrë nuk do të pajtohej për këtë asnjë art që respekton vetëveten. Ai që është i arsyeshëm, delikat, i thellë, i matur, duhet të flasë me delikatesë, me thellësi dhe maturi, kush është i rafinuar, duhet të flasë në mënyrë të rafinuar, pasi lartësia ekziston jo më kot, ajo nuk ekziston për t’u përulur. Nuk ka pra, asgjë të keqe, që vjershat e sotme nuk janë të kuptueshme për cilindo, por e keqja është që ato kanë lindur nga një takim i njëanshëm dhe i cektë i botëve identike, të njerëzve identikë. Në të vërtetë, jam vetë, një autor që e mbron me kokëfortësi nivelin e vet, por njëkohësisht (po ju kujtoj këtë, që të mos më akuzojnë se lëvroj të njëjtin lloj, që e luftoj), krijimet e mia, nuk lënë pas dore, për asnjë çast faktin se përveç botës sime të vogël, ekzistojnë dhe botë të tjera. Dhe nëse nuk shkruaj për njerëzit e thjeshtë, në fakt, shkruaj si dikush, që e ndjen veten të kërcënuar nga njerëzit e thjeshtë, apo të kushtëzuar nga këta njerëz, ose të krijuar nga këta njerëz. Asnjëherë nuk më ka shkuar në mend, që të marr pozën e “artistit”, të “shkrimtarit”, të pjekur, të njohur, por përkundrazi dal në rolin e kandidatit për artist, jam ai që vetëm sa dëshiron të jetë i pjekur – në një përplasje të pandërprerë dhe të thekshme me gjithçka që më pengon në zhvillimin tim. Dhe arti im është formësuar jo në kontakt me të ngjashmit e mi, por përkundrazi në takimin me armikun.

Vijon

Shqipëroi: Lirka

***

Replika e Milosz:

Zoti Gombrowicz,

Ke guxuar zotëri që të sulmosh në mënyrë brutale poezinë dhe poetët. Ju keni fyer ndjenjat e mijëra njerëzve që shkruajnë vjersha dhe me dridhje në zemër, presin për përgjigjen e redaksisë [...]

2 Komente

Poets have been mysteriously silent on the subject of cheese.  - (Chesterton)

smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).