Kundër poetëve

Vijim

Poetët ndërkohë? A mund të mbijetojë vjersha e një poeti, nëse bie në duart e një poeti – jo dashamir, po kur bie në duart e armikut, jo-poet? Sikurse cdo lloj tjetër shprehjeje, vjersha duhet të lindë e të realizohet pa i sjellë turp vetë krijuesit, as kur nuk i pëlqen askujt. Jo vetëm kaq, vjersha, nuk duhet t’i sjellë turp krijuesit, edhe në rastin, kur nuk i pëlqen vetë atij, krijuesit. Pasi, asnjë poet nuk është vetëm poet, dhe tek cdo poet jeton dhe një jo-poet, i cili nuk këndon, ose nuk i pëlqen të këndojë... dhe njeriu është dicka më shumë se poet. Sakaq, stili i lindur brenda besimtarëve të të njëjtës fe, vdes në përplasje me turmën e jobesimtarëve; ai nuk ka aftësinë të mbrohet, as të luftojë, është i pazotë të jetojë një jetë të vërtetë; ky është stili i cektë.

Më lejoni t’ju tregoj skenën e mëposhtëme: le të përfytyrojmë se në rrethin e disa dhjetëra njerëzve, një prej tyre ngrihet dhe nis të këndojë. Kënga e mërzit shumicën e dëgjuesve, por këngëtari nuk mundohet ta kuptojë këtë; jo, ai sillet sikur të tjerët të ishin të mahnitur prej tij, kërkon që ata të bien në gjunjë përpara kësaj Bukurie, kërkon vlerësim të padiskutueshëm për rolin e vet prej Poeti; dhe pse askush nuk i kushton kësaj kënge, ndonjë rëndësi kushedi cfarë, ai ka marrë një pozë, a thua, se fjala e tij do të ketë rëndësi vendimtare për botën, i mbushur me besim për Misionin e vet Poetik, lëshon vetëtima, bubullin, gjëmon, marroset në boshllëk; dhe jo vetëm kaq, nuk dëgjon të pranojë as para njerëzve dhe as para vetes, se kjo këngë dhe atë vetë e bezdis, e pezmaton, e mundon – meqenëse ai e di që nuk po shprehet as lirisht dhe as natyrshëm, dhe as në mënyrë të drejtpërdrejtë, por përmes një forme që e ka trashëguar nga poetët e tjerë, që ka humbur prej kohësh pikëtakimin me ndjeshmërinë e drejtpërdrejtë njerëzore; dhe ndërkaq, ai jo vetëm që shpall Poezinë, por edhe mahnitet pas Poezisë; duke qenë Poet, adhuron lartësinë e Poetit; kërkon jo vetëm që të tjerët t’i përkulen, por madje dhe vetë bie para vetes në gjunjë. A nuk mund të thuhet për një person të tillë, që ka marrë përsipër një barrë shumë të rëndë për shpatullat e veta? Pasi, jo vetëm që beson në fuqinë e poezisë, por e detyron veten të besojë kështu, jo vetëm i ofron veten të tjerëve, por i detyron dhe të tjerët, që të ngopen me këtë dhuratë hyjnore, duke e përtypur si naforë mistike. A mund të ketë në këtë gjendje shpirtërore ndonjë ngushticë, prej nga ku mund të rrjedhë jeta e jashtme? Dhe ndërkohë, këtu nuk është fjala vetëm për ndonjë poet të rangut të fundit, por dhe për poetë më të famshëm, dhe për ata më të mirët.

Sikur poeti të mund të trajtonte këngën e vet, si një mani, apo një rit, sikur këta të mund të këndonin si ata këngëtarët, që u duhet të këndojnë edhe pse e dinë se këndojnë në boshllëk. Sikur në vend të “unë Poeti” të shqiptuar me krenari, të mund të ishin të aftë t’i shqiptonin këto fjalë me turp, apo me frikë... ose madje me neveri... Por, jo! Poeti duhet të adhurojë Poetin!

Pikërisht kjo pafuqi ndaj realitetit, e karakterizon në mënyrë dërrmuese stilin dhe qëndrimin e poetit. Por, njeriu, i cili arratiset nga realiteti, nuk gjen askund mbështetje... ai është një ashkël në mes të forcave të natyrës. Në çastin, që poetët humbën nga sytë njeriun konkret, dhe vështrimin e ngulën tek Poezia abstrakte, askush nuk ishte në gjendje të mbante rrokullimën e tyre në të tatëpjetë, që çonte drejt humnerës së absurdit. Gjithçka nisi t’u dilte atyre nga kontrolli. Metafora e çliruar nga çdo lloj gojëze, mori një shpengim të pafre, u marros deri në atë pikë, saqë sot, nuk ka asgjë tjetër në vjershë, përveç metaforës. Gjuha u kthye në ritual, - ato “trëndafila”, ato “perëndime”, “ato malle”, apo ato “dhembje” që dikur kishin njëfarë freskie, u kthyen në tinguj të zbrazët, për shkak të abuzimit. Dhe kjo i referohet dhe ‘semaforave” të sotme, apo “spiraleve” të tjera. Ngushtimi i gjuhës u bashkëshoqërua me ngushtimin e stilit, saqë sot vjershat nuk tregojnë asgjë tjetër, me përjashtim të një dyzine përjetimesh “të shenjta”, që i nënshtrohen kombinimeve të ngulëta të një fjalori koprac. Sa më shumë që Ngushtohej Ngushtica, Bukuria e papenguar nga asgjë, bëhej gjithnjë e më e Bukur, Thellësia, gjithnjë e më e Thellë, Fisnikëria, gjithnjë e më Fisnike, Pastërtia gjithnjë e më e Pastër. Kur në njërën anë, vjersha e lëshuar nga frerët, kuturisi të kalojë kufijtë e të kthehet në një poemë gjigande (e ngjashme vetëm me ato pyjet e stërmëdha, që i njeh vetëm një grusht eksploruesish), në anën tjetër, u shtrua duke përvetësuar disa masa tashmë tepër sintetike dhe homeopate. Nisi gjithashtu udhën e disa eksperimenteve apo shpikjeve, me nënqeshjen e dikujt që di një të fshehtë të madhe, dhe e përsëris, askush nuk është në gjendje të frenojë këtë orgji bajate. Pasi, këtu nuk është më fjala për krijimtarinë e njeriut për njeriun, por thjesht për një rit që kryhet para një altari. Dhe në dhjetë vjersha, të paktën një do t’i kushtohet adhurimit të Fjalës së Fuqishme të Poetit, apo glorifikimit të misionit të Poetit.

Por, le ta pranojmë se këto raste klinike nuk i takojnë vetëm poetëve. Në prozë, ky qëndrim prej besimtari ka kryer dëme të shumta dhe nëse marrim për shembull, Uliksin, Vdekjen e Virgjilit të Broch, apo disa vepra të Kafkës, do të përjetojmë të njëjtën ndjenjë – ajo “madhështi”, ai “shkëlqim” i tyre realizohet në boshllëk, se këto vepra radhiten tashmë ndërmjet atyre librave, që të gjithë e dinë që janë të shkëlqyer, porse, për ndonjë arsye, janë të largët, të paafrueshem dhe të ftohte... kjo, sepse janë shkruar jo duke pasur në mendje lexuesin, por Artin, apo ndonjë abstraksion tjetër, të këtij lloji. Kjo prozë ka lindur nën të njëjtin yll, si ai që u ndricon poetëve, pasi pa dyshim, ajo është në thelb “prozë poetike”.

Por, nëse braktisim për një moment krijimet dhe i kthehemi personit të poetit dhe botës që ky person krijon me besimtarët e vet, aq më shumë e shohim se kemi hyrë në një mjedis të ngushtë dhe mbytës. Poetët jo vetëm që shkruajnë duke pasur në mendje poetët, por njëkohësisht lëvdohen mes njëri-tjetrit, dhe përulen para njëri-tjetrit. Kjo botë, ose më mirë, kjo botëz, nuk ndryshon shumë nga botëzat e tjera hermetike dhe të specializuara: shahistët e quajnë shahun si majën e krijimtarisë njerëzore, kanë hierarkinë e tyre, flasin për Capablance me të njëjtin përdëllim, siç flasin dhe poetët për Mallarme-n dhe binden reciprokisht për madhështinë e tyre. Por, ama, shahistët nuk pretendojnë të kenë një rol kaq universal, dhe ajo që mund t’ua falim shahistëve, është e pafalshme për poetët. Si pasojë e këtij izolimi, gjithçka këtu fryhet dhe edhe poetët mediokër, ngrihen në përmasa apokaliptike, problemet më të parëndësishme, marrin një rëndësi tronditëse. Le të kujtojmë polemikat e tmerrshme në lidhje me asonanset, toni me të cilin u diskutua kjo çështje, dukej asokohe sikur fatet e njerëzimit vareshin nga fakti nëse një kombinim fjalësh do të rimonte mjaftueshëm. Ja, pra, se cfarë ndodh kur shpirti i përgjithshëm arrin të dominojë mbi shpirtin universal.

Një fakt tjetër, jo më pak kompromentues është numri i poetëve. Teprive që vetëm sa i përmendëm, u shtohet tepria e vetë poetëve. Shifrat ultra-demokratike e rrëzojnë nga brenda kështjellën krenare dhe aristokrate të poetëve – dhe është me gjithëmend qesharake t’i shohësh të mbledhur të gjithë bashkë, në ndonjë kongres për poezinë: çfarë turme qeniesh të jashtëzakonshme! Por, a nuk është pikërisht arti që lulëzon në boshllëk, terreni ideal për ata njerëz, që janë një hiç, personaliteti i zbrazët i të cilëve, mrekullohet nga format e cunguara. Dhe fare për të qeshur janë ato kritikat, ata artikujth, aforizmat, esetë, që shfaqen në shtyp lidhur me poezinë. Ato janë mbushje me lugë të zbrazur – dhe njëherësh kjo lugë është kaq bombastike, dhe kaq naive, apo fëminore, saqë nuk do ta besosh, që njerëzit që e lëvrojnë penën, të mos e kenë ndjerë karagjozllëkun e kësaj publicistike. Recitalet, konkurset, apo manifestimet që shoqërojnë poezinë janë dhe më qesharake, por ndoshta nuk e vlen të merremi më gjatë me to.

Gjykoj, se arrita ta shpjegoj pak a shumë, se përse poezia në formë vjershe, nuk më ngjit. Dhe përse, poetët, që i janë dorëzuar pa kushte Poezisë, dhe i kanë dhënë këtij Institucioni pa asnjë kursim, thelbin e vetë qenies së tyre, duke harruar ekzistencën e njeriut konkret, dhe duke mbyllur sytë përballë realitetit, gjenden (prej shekujsh) në një situatë katastrofike. Pavarësisht, fasadës së triumfit. Pavarësisht gjithë ceremonisë dhe pompës. Por, më duhet të zmbraps dhe një akuzë tjetër.

Vetëm verbëria e vullentshme mund të shpjegojë këtë thjeshtëzim të padëgjuar, me të cilin mbrohen poetët (njerëz përgjithësisht as budallenj dhe as naivë), kur i ngacmon për artin e tyre. Shumë syresh kërkojnë shpëtim në pohimin, se i shkruajnë vjershat për kënaqësi vetjake, sikur e gjithë sjellja e tyre të mos ishte përgënjeshtrim i këtij pohimi. Ka dhe të tillë, që hijerëndë, pohojnë se shkruajnë për njerëzit e thjeshtë, dhe se sajesat e tyre elegante janë ushqim shpirtëror për popullin. Të gjithë, mandej, besojnë pa përjashtim në rezonancën shoqërore të poezisë dhe do ta kenë vështirë të kuptojnë se si mund t’i sulmosh nga kjo anë. Do të thonë – Si mundesh! Si mundesh të dyshosh? A nuk i sheh turmat zotëri, që marrin pjesë në recitalet tona? Numrin e ribotimeve të vëllimthave tanë? Studimet, artikujt, kumtesat që janë shkruar për ne? Admirimin që na rrethon ne poetëve të famshëm? Je ti zotëri, që nuk ke dëshirë të shohësh atë që është...

Çfarë mund t’u them? Se të gjitha këto janë veçse iluzione. Është e vërtetë, se nëpër recitale, shkojnë turma, por po aq e vërtetë është, se dhe një dëgjues me edukim të përkryer, nuk është në gjendje të kuptojë vjershat që deklamohen nëpër recitale. Sa herë, më ka ndodhur të jem i pranishëm në këto seanca të pashpresa, në të cilat janë recituar vjersha pas vjershash, - dhe çdonjëra prej tyre, duhej të lexohej të paktën tre herë me vëmendje, në mënyrë që të arrije të deshifroje vetëm përciptazi përmbajtjen e saj. Sa i takon botimeve, e dimë se mijëra libra blihen për të mos u lexuar kurrë. Për poezinë shkruajnë, siç edhe e thamë, poetët. Po admirimi? A nuk na ngjallin interes edhe më të madh, kuajt e garave, por çfarë të përbashkëte ka ajo venë sportive, me të cilën shohim çfarëdo rivaliteti, dhe të gjitha ato ambicie, kombëtare, apo të tjera, që i shoqërojnë këto gara, me hirin artistik?

Por, një përgjigje e tillë, dhe pse e drejtë, nuk do të ishte e mjaftueshme. Problemi i njohjes së artit prej nesh, është shumë më i vështirë dhe më i thellë. Dhe është përtej çdo dyshimi – të paktën për mua – se nëse duam që të kuptojmë sadopak nga ai, duhet të shkëputemi njëherë e mirë nga mendimi shumë i lehtë, që “arti do të na magjepsë”, dhe se “do të na shkundë ”. Jo, arti vetëm, deri në njëfarë shkalle na magjeps, dhe sa për shkundjet, ato janë të dyshimta... Dhe a mund të ishte ndryshe, kur njohja me artin e madh, është njohje e lodhshme, e vështirë me njerëz më të pjekur, me vizion më të largët, dhe me ndjeshmëri më të fuqishme. Nuk arrijmë të këndellemi, përpiqemi të këndellemi.. dhe nuk kuptojmë... përpiqemi të kuptojmë.

Sa sipërfaqësor është mendimi që këtë proces kaq të ndërlikuar e thjeshton në formulën: arti magjeps, sepse është i bukur. – Ah, sa shumë snobë ka... por, unë nuk jam snob, unë e pranoj me ndershmëri, nëse dicka nuk më pëlqen – thotë ajo thjeshtësi e shpirtit tim dhe i duket asaj se ka zgjidhur gjithcka. Por, ndërkohë, këtu duken haptas faktorë që nuk kanë asnjë lidhje me estetikën. A nuk mendoni se, nëse nuk do të na kishin detyruar në shkollë që të mahniteshim pas artit, do të kishim të njëjtën mahnitje të gatshme në moshë më të shtyrë. A nuk mendoni se nëse i gjithë organizimi ynë kulturor nuk do te na kishte diktuar artin, do të ishim kaq të interesuar për të? A nuk është nevoja jonë për mite dhe për adhurim, ajo që e ushqen mahnitjen tonë – dhe a nuk ndodh që duke adhuruar ata që qëndrojnë më lart, lartësojmë veten tonë? Por, para së gjithash: a buron “prej nesh”, apo “midis nesh” ajo ndjenjë e admirimit dhe e magjepsjes? Nëse në një koncert përhapen duartrokitje, kjo nuk do të thotë aspak, se kushdo prej atyre që duartroket ka qenë i mahnitur. Një duartrokitje ngurruese, provokon të dytën, - ekzaltohen nga njëra-tjetra – dhe si përfundim, krijohet një situatë, ku gjithsekush duhet të përgatitet nga brenda për këtë cmenduri kolektive. Të gjithë “sillen” si të ishin vërtet të mahnitur, edhe pse askush, nuk është, të paktën në këtë pikë, i mahnitur.

Pra, do të ishte gabim, dhe një naivitet për të ardhur keq, nëse do të kërkonim prej vjershave, apo nga çfarëdo arti tjetër, që të ishte, burim në vetëvete i këndelljes njerëzore. Dhe nëse nga ky pikëvështrim, shohim botën e poetëve dhe të adhuruesve të tyre, të gjitha absurditetet dhe gjërat qesharake të saj, do të na duken të përligjura: kur, mesa duket kështu duhet të jetë dhe e gjithë kjo përputhet me rendin natyror të gjërave, që arti, ashtu si dhe mahnitja, që ai përçon, të jetë më tepër, vepër e shpirtit kolektiv, sesa një reagim i veçuar i individit.

Por, kjo nuk është kështu. As kjo qasje nuk është në gjendje t’i shpëtojë poetët, dhe as t’i japë realitetit të poezisë së tyre, ngjyra jete. Pasi, nëse ky është me të vërtetë realiteti, ata, prapë, nuk janë në gjendje ta kuptojnë atë. Për ata, gjithçka ndodh natyrshëm: këngëtari këndon, dëgjuesi dëgjon i mahnitur. Është e sigurtë, se nëse do të arrinin të pranonin këto të vërteta, dhe të nxirrnin prej tyre, të gjitha pasojat, do të ndërronin në mënyrë radikale, qëndrimin ndaj këngës së tyre. Por, megjithatë, flini të qetë: asnjëherë, asgjë nuk do të ndryshojë tek poetët. Dhe mos u gënjeni nga iluzionet, se përballë këtyre fuqive kolektive që dallgëzojnë ndjeshmërinë tonë individuale, do të bëjnë ata ndonjë lloj rezistence, sikur dhe vetëm për të provuar që arti nuk është vetëm ceremoni dhe sajesë, por njohje e vërtetë e njeriut nga njeriu. Jo, këta eremitë duan përfitimet.

Eremitë? Kjo nuk do të thotë se jam kundërshtar i Zotit, apo i sekteve të shumta të tij. Por, dhe feja vetë vdes, në çastin kur shndërrohet në rit. Shumë thjesht e blatojmë autenticitetin dhe rëndësinë e ekzistencës sonë tek këta altarë.

_____

Vijon me Replikën e Czelow Milosz

Zoti Gombrowicz,

Ke guxuar zotëri që të sulmosh në mënyrë brutale poezinë dhe poetët. Ju keni fyer ndjenjat e mijëra njerëzve që shkruajnë vjersha dhe me dridhje në zemër, presin për përgjigjen e redaksisë. Zotëri keni gërvishtur themelet e qenies së veprimtarëve të kulturës, të cilët vjelin të ardhura nga kulti i poetëve. Zotëri, ju më keni shkatërruar edhe mua, që kam folur ngaherë, me shqiptim të lidhur.

2 Komente

Një fakt tjetër, jo më pak kompromentues, është numri i poetëve. Teprive që vetëm sa i përmendëm, u shtohet tepria e vetë poetëve. Shifrat ultra-demokratike e rrëzojnë nga brenda kështjellën krenare dhe aristokrate të poetëve – dhe është me gjithëmend qesharake t’i shohësh të mbledhur të gjithë bashkë, në ndonjë kongres për poezinë: çfarë turme qeniesh të jashtëzakonshme! Por, a nuk është pikërisht arti që lulëzon në boshllëk, terreni ideal për ata njerëz, që janë një hiç, personaliteti i zbrazët i të cilëve, mrekullohet nga format e cunguara. Dhe fare për të qeshur janë ato kritikat, ata artikujth, aforizmat, esetë, që shfaqen në shtyp lidhur me poezinë. Ato janë mbushje me lugë të zbrazur – dhe njëherësh kjo lugë është kaq bombastike, dhe kaq naive, apo fëminore, saqë nuk do ta besosh, që njerëzit që e lëvrojnë penën, të mos e kenë ndjerë karagjozllëkun e kësaj publicistike. Recitalet, konkurset, apo manifestimet që shoqërojnë poezinë janë dhe më qesharake, por ndoshta nuk e vlen të merremi më gjatë me to.

_______________

Duket sikur eshte shkruar enkas per peisazhet e poetikes shqiptare.Ushtria e Vushtrise qe parakalon para vetes dhe duartroket veten.

Qysh u la kjo pune?
Si do ia bejme, di i grisim librat me poezi hermetike ne biblioteke apo ce?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).