Replika e fundit e Milosz (Pjesa I)

Vijim

Numri i poetëve rritet çdo vit dhe sot, gjysmë shekulli më vonë nga sulmi i Gombroviçit, mësymja e tij është më aktuale se kurrë, edhe pse rezultoi pak e suksesshme. Çfarë ka ndodhur? Turma, një turmë e papërmbajtshme e njerëzve, që shtohen dita-ditës pa asnjë kufi, të veshur njësoj, të ndikuar nga të njëjtat efekte praktike, të shpikjeve dhe arteve, të edukuar gati në mënyrë uniforme nga filmat dhe televizioni, kanë përzgjedhur si objekt të admirimit të tyre të kaluarën (mitike) të njerëzimit, si shenjë e fuqisë së tij krijuese duke ngritur në nderim të saj, tempullin e artit. Miliona njerëz vizitojnë Luvrin, Metropolitan Museum, Prado, Uffizi, miliona udhëtojnë drejt vendeve-muze, emrat e piktorëve të shquar të epokave të shkuara janë kaq të famshëm, sa dhe emrat e yjeve të kinemasë, veprat e penelit shiten për shuma të pabesueshme. Të rrëmbyera nga dallga e nevojës kolektive për t’u bindur në adhurimin e vet, miniaturat njerëzore duan dhe ato të lënë gjurmën e tyre, dhe kështu, në çdo dy prej tyre, njëri, apo njëra, nis të shkruajë vjersha, ndërkohë që ndërmjet pasagjerëve të çdo tramvaji, apo autobusi ka aradhë të tëra ëndërrimtarësh që janë duke shkruar romanin e tyre të parë.

Një prej shërbesave të shenjta që ende na kanë mbetur – shkruante Gombroviç. Por, le të shtojmë se një shërbesë tepër e çuditshme, me gjasë kolektive, por ku, kushdo mund të bëhet prift. Ajo që vërente Gombroviç, “këto shifra ultra-demokratike, po e rrëzojnë nga brenda atë kështjellë poetike krenare e sqimatare dhe, se është mjaft zbavitëse t’i shohësh të gjithë bashkë, në ndonjë kongres: çfarë turme, e përbërë nga qenie të jashtëzakonshme!” Poezia, proza, si dhe çdo veprimtari tjetër artistike kremtojnë gjithnjë e më tepër, veçantinë e secilit prej kremtuesve, nga fjala “unë” nisin vjershat, tregimet dhe novelat, ashtu si dhe ngjyrat e format në cohën e telajos, në vend që të qëndisin pemët, kodrat dhe shkëmbinjtë janë shprehje e të ashtuquajturit “uni i brendshëm”.

Më vjen ndër mend anekdota e treguar për një ballo me maska, në të cilën kishte hyrë Shkëlqesia e tij Napoleoni. Dyert hapen sërish, dhe për çudi hyn një Napoleon i dytë. Edhe një i tretë. Dhe përsëri një tjetër. Derisa hyn dikush i veshur me maskim të ndryshëm, dhe të tjerët e nxjerrin përjashta, duke i thënë: “këtu kemi ballo vetëm për Napoleonë!: Çfarë bën përballë këtij triumfi të numrave Gombroviçi – a është diagnoza e tij, paralajmërim për ndonjë baticë të madhe, apo përkundrazi, qëmton ai ndonjë fazë të fikjes. Do të mund të mendohej, se është kjo e dyta, përderisa pritja entuziaste e sulmit të tij, nga ana e njerëzve të thjeshtë, parathotë një shndërrim rrënjësor. “Dhe dridhuni poetë! Pasi kjo rrënqethje lumturie që ka shkundur mijëra njerëz nuk provon asgjë tjetër, përpos faktit që gishti i bashkëkohësisë do të shkruajë “MANE TEKEL FARES” në tempullin tuaj të mërzitshëm! Humbëtira po ju përqafon me krahët e saj të ftohta. Asgjëja, zbrazëtia, hiçi krejtësisht bosh, po i afrohet me hap të zhdërvjellët fabrikës tuaj të metaforave për të ngrënë si macja, djathin, gjithë ngrehinën e mendimeve tuaja!”.

I kam lexuar me kënaqësi këto fjalë, sepse kanë qenë verdikt i dhënë për rivalët e mi, ritet vetëadhuruese të të cilëve më kanë bërë gjithnjë të qesh. Kur ata i thurnin himne Poezisë, unë turpërohesha nga fati im, i cili më detyroi të bëhesha poet, dhe krejtësisht të drejtë ka Gombrovic, kur më paraqet si dikë, që nuk do të jetë vetvetja, dhe tamam për këtë, është edhe më shumë i tillë, pra vetëvetja. Porse, ajo kështjellë me mure të plasaritura, me fatndjellësen e shkruar mbi të, ka qenë vetëm një prej ndërtesave të mundshme, të ngritura nga shërbyesit e artit. Duke përmendur emrat e Stefan Mallarme dhe Paul Valery, Gombroviçi ka goditur vetë patronët e modernizmit, pasardhësit e të cilëve do të bëheshin avangardistët, që, në hapësirën polake, janë trajtuar prej Gombroviçit si shartim i barinjve të fshatit, me mësonjësit hebrenj të shkollave fetare. Por, që nga koha, kur Gombrovici ka ndërmarrë sulmin e tij, Numri i Madh, që edhe atëherë habiste, tashmë është shumëfishuar në atë shkallë, saqë është kthyer në tregues të një epoke (që nis, apo që përfundon?). Po, vazhdon të jetë e vërtetë, që pothuajse askush nuk e pëlqen poezinë, dhe se cdo qesëndisje e atyre sharadave të pakuptimta, mund të shpresojë se do të pritet ngrohtë, e madje me kënaqësinë, që dikush më në fund guxoi. Por, si mund të shpjegohet ndryshe bollëku i vëllimthave poetikë, ajo këmbëngulje për t’i njoftuar botës përvojat tona intime, apo zhgënjimin tonë me ekzistencën? Kërkojmë arsyet, dhe vetëm në një rast bërtasim: “Ngrohtë! Ngrohtë!” - atëherë kur “uni” manifestohet në dëm ‘të unëve’ të tjerë. Pasi mospëlqimi kthehet drejt poezisë së tjetrit, jo drejt poezisë tonë, asaj që qëndron në sirtarin e skrivanisë, apo drejt asaj, që ndjejmë se mund ta kishim shkruar vetë. Nëse të gjithë ata që e quajnë veten mendje krijuese, do të blinin libra, eskperimentet me poezinë dhe prozën do të kishin qenë në shifra marramendëse. Por, nuk është kështu, pasi duhet ta zbulojmë, më në fund, këtë sekret të turpshëm, gjithnjë e më shumë njerëz duan të shkruajnë, por jo të lexojnë. Të hedhur në kthetrat e numrit të frikshëm, me alfabet të mësuar, dhe të aftë të përdorin një penë, apo një kompjuter, kërkojnë që ta përtheksojnë disi Ekzistencën Individuale. Bashkohen, ashtu si e përshkruan dhe Gombroviç, në një eksitim reciprok, që vjen nga kjo veprimtari e posaçme: “ha, tashmë, ata nuk këndojnë më për turmën, por njëri këndon për tjetrin, dhe ndërmjet tyre, përmes një rivaliteti të pandërprerë, përsosjes së vazhdueshme, hedh shtat ajo piramidë, kulmi i së cilës prek qiejt, dhe të cilin e kundrojmë nga toka, duke fërkuar sytë”.

Kështu ka ndodhur që në kohën e Gombrovicit dhe asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim, me përjashtim të faktit, që nderimi që i bëhet artit ka marrë forma më dredharake dhe të shumëfishta, ashtu siç dhe pritet prej kohës tonë, kur lejohet tashmë që të ushqehesh nga të gjitha stilet e epokave të shkuara, duke imituar dhe parodizuar, ndërsa moda na këshillon si pa dashje, këtë ‘kinse shkujdesje’, apo akrobaci. Sipas Gombroviçit eksitimi reciprok në ngritjen e kësaj piramide të Formës, na lejon të harrojmë se Forma merr prej nesh, dhe nuk duhet ajo të na kontrollojë, por, jemi ne, që duhet të ruajmë sovranitetin tonë, karshi saj. Këtu Vitoldi është veçanërisht i pasur me këshilla të rëndësishme për artistët dhe hedh sentencën, që rishtarët e sotëm të penës dhe penelit, e pranojnë të mrekulluar, por që kërkon sidoqoftë një komentar shumë më të gjerë, se çdo pohim tjetër, i artikullit të tij, të ngarkuar me përmbajtje. Kjo tezë është: “nuk mund të ketë ndoshta detyrë më të rëndësishme, në art, sesa të shprehësh vetëveten. Pushteti i kulturës, që do të thotë, ajo “ndërmjet”, që njerëzit e krijojnë vazhdimisht, do të akuzohet për shurdhimin e zërit individual, për fshirje “të lidhjes me qenien njerëzore”.

Hëm. Mund të duket e drejtë, por nuk është deri në fund e drejtë. Gombroviçi, siç ka vepruar përherë, kërkon verifikimin e jetës, të realitetit. Marrëdhënia fetare, gati e përshpirtshme, që njerëzit kanë me veprën, si në poezi, por edhe në prozë, është e dëmshme, pasi disa vepra, - përmend “Vdekja e Virgjilit” të Broch, “Uliksi” i Joyce, dhe madje vetë Kafkën janë shkruar në gjunjë, duke menduar, jo për lexuesin, por për Artin, apo për ndonjë abstraksion tjetër”.

Receta për të fituar realitetin nuk mund të quhet aspak e lehtë, dhe ajo përmban kundërshti, të cilat dhe vetë Gombrovicin e lodhnin, sidomos kur punonte mbi Ferdydurke-n. Kundër poetëve është në fakt shtjellim i mëtejshëm i artikujve të tij prej recenzenti, apo faqeve që i kushtohen procesit të krijimit, nëpër librat e tij. Duke bërë thirrje për t’u çliruar nga të gjitha abstraksionet, pavarësisht nëse mbajnë ato emrin e Artit, Atdheut, apo të Moralitetit, autori u kundërvinte atyre, njeriun, sensualitetin e tij të veçantë, mrekullimin, pasionin, apo trazimin e tij që duhet zbuluar, duhet nxjerrë jashtë. Por, meqenëse njeriu, shpërfaqet gjithnjë në lidhje organike me të tjerët, dija jonë, thërret, bërtet, paralajmëron nga arratia në rajone tepër larta të shpirtit, që nuk janë gjë tjetër, veçse krijesë e ndërveprimeve tona.

Kështu, autori nuk duhet t’i afrohet artit i gjunjëzuar. Është keq, kur ai kërkon që jo vetëm të tjerët t’i bien në gjunjë (pasi përfaqëson veprën), por dhe vetë bie në gjunjë para vetes së tij. Duhet të dijë të shprehë veten, por duke ruajtur njëherësh, të qenët i drejtpërdrejtë, normal, konkret, që vlerësohet nga vdektarët e thjeshtë.

Recetë e vështirë. A nuk është “shprehja e vetvetes” të biesh në gjunjë para vetes, dhe a nuk ka vepruar kështu vetë Gombroviçi, teksa lartohej nga mrekullimi i krijuesit (sikundër ka përmendur, ka qarë ndërkohë që shkruante dramën “Martesa”) dhe i nënshtrohej me bindje veprës së vet? Ka qenë profet dhe prekursor i një shndërrimi të madh, edhe pse nuk dihet ende me siguri, që ky shndërrim do t’i çlirojë njerëzit, pasi është po aq e mundur, që ai t’i burgosë në një izolim të ri. Kur emrat fisnikë të humbasin shkëlqimin dhe në vend se të rrotullohen përqark nesh, pothuaj si planetë ndriçues, të shfaqen thjesht si projektime filmash, apo figurash të zbehta në tavanin e kishës tonë ndërnjerëzore, atëherë do të shtrohet pyetja, kujt do t’i drejtohet nevoja jonë për të adhuruar dhe bërë homazhe? Me siguri drejt atij që të gjithë këtë krahinë të lartë e ëndërron prej vetes, dhe duke qenë se, kjo është: unë dhe të tjerët, “unë” kthehet në qëllim, mburojë e kolonë mbajtëse. Në Poloni, Gombroviçi është pa dyshimi çliruesi nga tirania e Atdheut, por do të kenë kohë të binden se sa e dyshimtë është kjo bamirësi: “e martë – unë, e mërkurë – unë, e enjte – unë”. Por, profecia e tij shtrihet dhe më gjerë, dhe parathotë një shndërrim global, baticën e Numrit, kuptohet dhe të numrit të poetëve, nga të cilët, asnjë nuk lëvdon perënditë, heronjtë, qiellin, ferrin, por veten.

Mundet që traktatin e Gombroviçit ta trajtojmë dhe ndryshe, si një rreng filozofik, si demagogji. Nuk është e rastit, që përgjatë gjithë shekullit, kur lindi dhe vdiq Gombrovici janë përqeshur zigzaget dhe njollat e ngjyrave nëpër piktura, të pangjashme me asgjë, ata “pikasë” të shumtë, lloj-lloj skulpturash pa lidhje me format njerëzore, dhe vjershat e pakuptueshme. Jo rrallëherë, këto përfundonin në tallje, dhe madje ndonjëherë, të thjeshtët, që përfaqësonin shijet mediokre, morën fuqinë e diktatorëve dhe për pasojë mundën t’i diktonin shijet e tyre, me shtrëngimin policor. Kështu ndodhi dhe u rrethua e u dogj “arti i degjeneruar” në Gjermani, “arti borgjez” në Bashkimin Sovjetik. “Rënqethja e lumturisë” që provokoi tek lexuesit Gombroviçi me kumtin e tij “Kundër Poetëve” nënkuptonte se ai nxori në sipërfaqe një lloj vulgariteti të pahijshëm, të cilin nuk donin ta pranonin, por gjithaq tundues, meqenëse arriti të prekë një sferë të errët të instinkteve të panjohura sadiste.

Por, Gombroviçi e dinte shumë mirë, se cilës aleance i përkiste, ai, si artist. Jo pak zonja, me titull doktor shkencash, apo kuratore arti, mrekulloheshin prej tij, pa kuptuar kurrëgjë nga krijimet e tij. Pse, pra, u bashkua me anën e armiqve, duke u dhënë atyre argumente, të cilat, vetë nuk do të ishin në gjendje t’i shqiptonin? Nuk mund të mos e kuptonte se ishte duke lidhur një pakt, një pakt tepër të thyeshëm, pasi arsyet e tij dhe të të tjerëve, nuk kishin asgjë të përbashkët. Mendoj, se shpjegimi duhet gjetur tek koncepti i tij i artit, si një lloj hierarkie, pasi “fqinjësia me artin, është një fqinjësi e lodhshme dhe e vështirë me njerëz më të pjekur, me horizonte më të gjera, me ndjeshmëri të shumëfishtë”. Duke e ditur këtë, “Kundër poetëve” duhet trajtuar, të paktën në një këndvështrim, si një shaka e të madhit me të voglin, si sprovë që dikush e ka marrë me veten: “dhe arti im ka marrë formë, jo në kontakt me njerëz të ngjashëm me mua, por, në raport me armikun, në takim me armikun”.

Kur Gombroviçi zë të tregojë për eksperimentin e tij, me ndërrimin e vendit të vargjeve, të një vjershe avangardë, apo kur nis të luajë një muzikë kinse moderne, kemi të bëjmë me demagogji, dhe madje pak të turpshme, pasi argumenti në fjalë, duket banal. E njëjta mund të thuhet dhe për tiradën e tij të famshme kundër piktorëve. Siç mund të na kujtohet, ai i ndante nevojat njerëzore, në nevoja natyrore dhe artificiale. Nëse ato nevojat natyrore (jetësore) nuk kënaqen, kjo mund të çojë drejt vdekjes, ndërsa nëse të dytat nuk përmbushen, nuk ndodh asgjë. “Mbylleni njeriun në një qeli burgu për dhjetë ditë, dhe mos i jepni asgjë për të ngrënë – i bënte thirrje piktorëve të tërbuar nga sulmi i tij – dhe do të shihni se ç’do të thonë nevoja natyrore. Mbylleni një duhanxhi të sprovuar, në qeli, e mos i jepni cigare – dhe keni për të parë, se asgjë nuk do t’i ngjasë, pasi nevoja për të pirë cigare është një nevojë artificiale. Pastaj, shtonte: “kështu është dhe me nevojën tuaj për të pikturuar”. (dhe ishte ndër ata që e njihte mirë pikturën dhe e pëlqente atë).

Eksitimi i ndërsjellë i publikut në një koncert, në një mbrëmje poetike, ekspozitë, derisa arrijnë të mrekullohen si grup, ishte mbështetja për tezën e tij themelore, që i kundërvihej studiuesve universitarë të “përvojës estetike”. Në nivelin e shkollës së mesme, kishte provuar gati me dëshpërim, që një përvojë të tillë ta zgjonte dhe polonistja Bladacka. Çfarë duhet bërë, nëse Slovacki, edhe pse duhet të mahnitë, nuk i mahnit nxënësit? Në dukje, gjithçka duket se kthehet kundër Bladackas, apo ekspertëve të ndryshëm, pasi njohja vetjake e artit, ndodh tepër rrallë, dhe prandaj, i drejtojmë sytë tek ata që janë ulur pranë nesh, për të parë, se kur këta nisin të duartrokasin dhe kur ata mrekullohen. Por, le të mos e ndjekim pas Gombroviçin, në përbuzjen e tij të hapur ndaj këtij fenomeni. Shpikja e vjetër e claque-s së teatrit (apo të manovrimit të mahnitjes, apo të dëshpërimit të publikut, nëpërmjet të ashtuquajturve klakierë) dëshmon, se ky mekanizëm është njohur prej kohësh, sikurse dhe prej kohësh është e ditur, se fama e vjershës, librit, pikturës, nis nga një qendër e vogël e conoscenti, pra, nga disa lajkatues, që mund të konfirmohet nga rastet tashmë epike të mosvlerësimit fillestar, duke përfshirë këtu dhe rrugëtimin e vetë Gombrovicit. Kapërcimet nga individualja, në kolektiven, që ndodhin kaq shpesh, bëjnë pjesë në operacionet ironike, por Ironiku e njihte mesa duket masën, përderisa thoshte se asnjë pjekuri nuk vjen nga ngacmimi reciprok i mendjeve të papjekura.

Por, të shohim meritat praktike të përcmimit të poetëve prej Mjeshtrit. Ato zbulohen disi në fragmentin, që i referohet marrëdhënies tonë me Perëndimin. Ai thotë:

"Para së gjithash, dua të keni vëmendjen tek fakti, që një kritikë e këtij lloji, thjeshtuese dhe brutale, të cilën e përmban artikulli im, na shkon më shumë ne polakëve, është më pranë realitetit tonë dhe rolit tonë në kulturë, nga çdo lloj tjetër arsyetimi model, i hollë dhe delikat, që praktikohet tek ne, a la Jean Cocteau, apo a la Paul Valery, apo a la Paul Eluard. Për arsyen, se edhe nëse si individë mund të jemi po aq të pjekur sa këta zotërinj, si komb jemi kulturalisht, fenomen i ri. Prandaj, jemi më tepër polakë, nëse “nga poshtë” godasim mbi madhështinë e kësaj pjekurie, duke iu kërkuar këtyre katedrave krenare, që të zbresin në tokë. Roli ynë nuk qëndron në recitimin dhe imitimin e arritjeve të huaja, në pjesëmarrjen pasive në këtë shkollëz të kulturës – duhet të mbrojmë të drejtën tonë, e cila është e drejta e rinisë dhe e ultësisë, duhet të jemi frena që nuk i lejojnë makinës së hazdisur të kulturës të fabrikojë objekte që nuk kanë shumë ngjashmëri me njeriun."

Këshilla të paçmueshme, të provuara nga përvoja, dhe këtu është vendi, që t’u referohem përjetimeve të mia. Pikërisht, kështu, jam sjellë edhe unë, gjatë dhjetëra viteve që kam jetuar në mes të të huajve dhe jo se kam lexuar Gombroviçin, por thjesht, situata më ka shtyrë të mendoj si ai. Një provincial, që shkruante polonisht vjedhurazi, si mund të mbijetonte në Perëndimin grabitqar, që të shtinte frikën? Le të shtojmë këtu që kisha mendim goxha të mirë për zgjuarsinë time. Por, kjo do të thoshte, se isha aq i kthjellët sa të mos të hyja fare në rivalitet në fushën e tyre, nëse ata kishin me vete Montaigne-n, dhe unë vetëm Mikolaj Rej-in, do të thoshte se isha që në nisje i vonuar, nëse do te isha bërë pjesëmarrës në garën e tyre, dhe jo timen. Vetëm, duke u kapur pas gjërave të mia, gjërave që i kisha prekur, njohur, shijuar, mund të shpëtoja veten dhe kuptohet parimi i parë ishte që të vijoja të shkruaja polonisht. Por edhe të ruaja një lloj mosbesimi ndaj piramidave që ata ngrinin, tepër të sigurtë në vete, duke mos dyshuar fare, se ishin duke u thelluar gjithnjë e më tepër në marrëzira. Por, kjo, jo se e konsideroja mendjen time më të lartë, por se isha shfaqur nga j a s h t ë, që me lejonte të mos bija pre e aureolës së tyre miqësore. Marrëzia politike e intelektualëve francezë, që bënin garë, kush e kush të tregonte më shumë admirim për perandorinë sovjetike, më ndihmoi së tepërmi, sepse më mungonte shtysa që të arrija çfarëdolloj marrëveshje me ta.

 

Vijon me Pjesën II dhe të fundit

1 Komente

Vijon me Pjesën II dhe të fundit

Good. This is good.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).