Këto ditë në Britaninë e Madhe ka ndodhur një ngjarje interesante. Ajo e ka burimin në vitin 2003, kur ministri liberal–demokrat i Energjisë, Chris Huhne, ka bërë një tejkalim shpejtësie duke u kthyer nga një aeroport, ndërkohë që ishte në makinë me të shoqen. Kur u ka ardhur gjoba, në marrëveshje, kanë deklaruar se makinën po e ngiste ajo, meqë s’kishte pikë të hequra në patentë. Pas nëntë vjetësh, kur lidhja e çiftit ka shkuar në divorc, e shoqja e ka thënë faktin në një intervistë në Sunday Times. Kjo ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të publikut, por edhe të policisë së Essex-it, e cila u vu në kërkim të provave. Dhe, pas mbledhjes së provave, prokurori deklaroi se të dy partnerëve u është hapur çështje gjyqësore për mashtrim të drejtësisë.

Ç’bëri ministri në këtë rast? Thjesht, në një deklaratë të shkurtër deklaroi se është i pafajshëm dhe do të mbrohet në gjyq dhe se, për të shmangur çdo interferencë të postit në gjykimin e çështjes, e sheh të nevojshme të japë dorëheqjen.

Kur e dëgjojmë ne shqiptarët një lajm të tillë nuk reagojmë si anglezët. Do të thosha se jemi në regjistra krejt të ndryshëm. Ndërsa ata merren me ministrin që disa e quajnë një gënjeshtar që meriton të ndëshkohet e të tjerë shprehin respekt për aktin e tij, me lëvizjet që mund të ndodhin në kabinet apo në Partinë Liberal – Demokrate etj., ne na mbetet mendja në diçka krejt tjetër: te krahasimi i këtij fakti me gjendjen në vendin tonë, me politikanët tanë, me popullin tonë, me veten tonë. “Si ka mundësi që ministri as e akuzoi prokurorinë se po bashkëpunonte me opozitën në një konspiracion kundër tij, as hapi ndonjë fushatë politike ndaj kundërshtarëve të tij, as akuzoi ish-të shoqen madje?!” – themi ne me ironi. Na vjen të bëjmë humor më së shumti dhe fillojmë, nga marazi dhe pafuqia, sigurisht, të numërojmë skandalet tona me ministra e kryeministra. Nuk kam ndërmend t’i rreshtoj në këtë shkrim, se e di se lexuesi është i tejngopur deri në neveri me to. Por, meqë bëhet fjalë për ngjarje makine, s’mund të mos them se personalisht, për asosacion, nuk mund të mos kujtoja se një kryeministrit tonë i doli në media jo që kishte tejkaluar shpejtësinë, por se kishte shkelur e lënë në rrugë të vrarë një njeri pa i dhënë as ndihmë. Dhe jo dorëheqje që s’dha, e jo që s’hapi kush hetime ndaj tij dhe shokut që e kishte ndihmuar të hidhte tjetrin në kanal, (që e kishte bërë ndërkohë ministër), por ne e quajmë më të mirin e politikanëve që kemi pasur, e kërkojmë ta bëjmë edhe President madje. Lëre mos e nga se ç’popull jemi. Kur ia kujtova këtë histori një të njohurit tim, duke komentuar dorëheqjen e britanikut, ai më tregoi edhe një barcaletë që qarkullon për këtë ngjarje të Nanos, si për të vazhduar humorin dhe talljen që na vjen t’i bëjmë vetvetes në këto raste: Një ditë, – më tha, – i biri i atij plakut që shkeli Kryeministri shkoi te njëri nga ata “çunat” që i kishin dhënë shumën e majme të lekëve për t’i mbyllur gojën dhe i tha: “Dua të takoj shefin”. “Ç’është ky muhabet? – i tha ai, -  lekët i more dhe jo pak. S’ke më punë me shefin”. Mirëpo ai ngulmonte që ngulmonte: “Dua që dua ta takoj shefin”. Një ditë, më në fund, mori guximin e shkoi drejt e në Kryeministri. Atje i doli prapë ai tipi dhe i tha: “Ç’mutin ke? Çfarë do t’i thuash shefit, se ia them unë?”. Ai uli zërin dhe i tha: “Thuaji se kam edhe nonën”.

Jo, jo, jemi botë tjetër. Kështu mbyllet ky muhabet nga shumë shqiptarë.

* * *

Por, le të flasim pak më seriozisht, të nisur nga ideja se diçka duhet bërë për ta zvogëluar këtë humnerë ndarëse, që them se duhet ta njohim se ekziston, gjithë pa e idealizuar botën përtej Adriatikut, sepse, në fakt, edhe në Itali mbajnë të njëjtin qëndrim tallës me vetveten, si ne, kur komentojnë dorëheqjen e Huhne: kujtojnë proceset skandaloze të Berlusckoni-t, që pushtetin politik e ka parë si rrugë për t’u mbrojtur edhe nga drejtësia (përveçse për të rritur pasurinë e tij) e që magjistraturën e quan vegël të komunistëve. A është e mundur, pra, të ndërtojmë një shtet ku drejtësia të ketë autoritetin që na tregon një ngjarje si ajo e ministrit Huhne dhe ministrat tanë të kenë shtrëngimin moral të dorëheqjes edhe për gjëra kaq “të vogla”? Personalisht bëj pjesë ndër ata që nuk mendojnë se kjo është e pamundur dhe, po ashtu, mendoj se nuk na duhen shekuj për të arritur këtë. Aq më pak mendoj, siç thonë disa, se seleksioni natyror (i ushtruar nga nevoja për t’i mbijetuar xhunglës së më të fortit këtu te ne dhe nevoja për të respektuar drejtësinë e ligjin atje) paska bërë që ne të jemi edhe gjenetikisht të ndryshëm me anglezët. Këto teza raciste i ka hedhur poshtë vetë historia e atyre që e aplikuan racizmin në emër të racës superiore, gjermanëve, të cilët brenda një gjenerate apo dy u kthyen nga populli që e glorifikonte luftën, në një shoqëri që ka neveri për luftën. Jo, problemi ka të bëjë me ndryshim kulturor, jo racor, midis nesh dhe anglezëve, me çka do të kuptojmë mënyrën e jetesës së njerëzve atje dhe këtu, që sigurisht, është rezultat i proceseve të gjata e të ndryshme historike, por kjo s’do të thotë se njeriu shqiptar qenka gjenetikisht i paaftë për t’i pranuar e respektuar vlera të tilla si barazia përpara ligjit, respekti për drejtësinë e shtetit të vet, dënimi i gënjeshtrës etj., që sot s’janë ashtu dhe aq të vetat. Në shekullin XVIII edhe në Angli gjykatësit merrnin ryshfet. Pastaj në shekullin XIX dikush pati idenë se këta duhen paguar shumë. U paguan shumë, shumë më tepër se kushdo tjetër në mbretëri. (Edhe sot gjykatësit e lartë atje paguhen më shumë e Kryeministri). Dhe kjo i rregulloi shumë gjërat. Deri para 60 vjetësh edhe në Britani mbetej problemi i një farë varësie të gjykatësve nga partitë e mëdha. Por edhe ky u kapërcye në sajë të vullnetit të mirë.

Dikush mund të vërë re se në Britani qenkan dashur të kalojnë minimumi dy shekuj që të arrihet në këtë gjendje që kanë ata sot. Sipas meje, kjo s’do të thotë aspak se ne duhet të presim dy shekuj. Se sa shpejt apo vonë mund të ndodhë ky ndryshim, nuk e përcakton dot asnjë shkencë: është çështje sa e rrethanave, aq dhe e vullnetit njerëzor, por s’ka dyshim se jetojmë në një kohë kur ndryshimet ndodhin shumë më shpejt se në shekullin XVIII apo XIX, sepse edhe informacioni qarkullon shumë më shpejt. Prandaj jam si kundër atyre që me një lloj fatalizmi e mbyllin këtë diskur duke thënë se ne kështu jemi e kështu do të mbetemi, ashtu edhe kundër atyre që thonë se duhet kohë e gjatë për këtë. Se, gjithsesi, kjo ditë do të vijë një herë, në mos për fëmijët tanë, për nipërit apo stërnipërit tanë. Kohën e bëjmë ne, me veprimet dhe mosveprimet tona. E përderisa jemi të ndërgjegjshëm për nevojën e këtij ndryshimi kulturor, kjo do të thotë se koha ka ardhur të veprojmë përditë me fjalë dhe me vepra. Edhe këtë shkrim e quaj pjesë e këtij veprimi.

Ajo që më intereson të komentoj në këtë kontekst në lidhje me ngjarjen në fjalë, është roli i individit për këtë proces ndryshimi kulturor dhe, më ngushtësisht, do të fokusohesha te roli i politikanit apo edhe i gjyqtarëve (por duke nënkuptuar edhe gjithë ata që futen tek e ashtuquajtura “elitë”), sepse më duket se rruga më e shpejtë për të kryer ndryshimin kulturor për të cilin bëj fjalë është, paradoksalisht, roli aktiv i këtyre në këtë proces. Them “paradoksalisht” pasi ky proces bie ndesh me pushtetin e tyre të sotëm, që është bazuar në të kundërtat e vlerave që përmenda më sipër: të respektit të barazisë përpara ligjit, të pavarësisë së drejtësisë, të moskorruptimit etj. E këtu më duhet t’i referohem një ideje të Havelit, që kujtoj ta kem përmendur edhe herë tjetër, por që më duket se ia vlen ta përmendsh përditë, veçanërisht për veshët e politikanëve tanë apo edhe të gjyqtarëve tanë. Kur shtron çështje nëse pushtetarët janë pasqyrë e popullit të tyre apo jo, Haveli thotë se edhe populli mund të jetë pasqyrë e pushtetarëve të vet. Në ç’kuptim? Në kuptimin se pushtetarët, me sjelljen e tyre publike, janë edhe një shembull i rëndësishëm për popullin që drejtojnë. Nëse aktet e tyre rrezatojnë ndershmëri, drejtësi, respekt për ligjin, ata ndikojnë që edhe populli i tyre t’i kultivojë këto virtyte. Nëse ata zgjedhin si bashkëpunëtorë njerëz të ndershëm, të virtytshëm dhe jo kriminelë, edhe populli do të jetë më në gjendje të mbajë afër të ndershmit dhe larg kriminelët. Nëse ata nxjerrin në pah anët e tyre pozitive si qenie njerëzore, edhe njerëzit do të bëjnë kështu. Në këtë kuptim, populli bëhet edhe pasqyrë e pushtetarit të vet në të mirë apo në të keq. Pra, nëse ministri Huhne jep dorëheqjen në respekt të drejtësisë, (çka sipas ligjin në Britani edhe mund të mos e bënte), ky është një shembull që ai i jep çdo qytetari për të kultivuar respektin për drejtësinë. Nëse ai do të bënte tërë makinacionet e mundshme për ta akuzuar drejtësinë si vegël të armikut, duke përdorur edhe fuqinë politike edhe atë korruptive etj., siç bëjnë këta tanët, kjo do të kultivojë edhe në popull kulturën e pushtetarit që e nëpërkëmb drejtësinë apo e sheh si vegël të pushtetit të tij.

Dikush do të kundërargumentonte duke më thënë se një njeri i drejtë me virtyte nuk do ta kishte të mundur të ngjitej aq lart në shkallën politike apo gjyqësore sa t’u jepte shembullin njerëzve te ne, sepse do ta kishin ngrënë me kohë të këqijtë. E vërtetë, por jo tërësisht. Ka mjaft argumente edhe për ta kundërshtuar këtë. Për shembull, unë do të rendisja disa: Së pari, sepse çdo njeri nuk është ose i mirë ose i keq, por ka anët e tij të mira dhe të këqija. Së dyti, sepse sot ka shumë më tepër mundësinë që ta vë në veprim anën e tij të mirë. Së treti, sepse konteksti ndërkombëtar ku jetojnë shqiptarët sot ua imponon në një farë mënyre ndërtimin e shtetit të së drejtës. Së katërti, sepse e gjithë shoqëria ndien më shumë se kurrë nevojën e drejtësisë së pavarur dhe të fortë. Ka edhe argumente të tjera pro, ashtu sikurse ka edhe shumë të tjera kundërt, ku hyjnë edhe ato të të dëshpëruarve, që thonë se “ky vend s’bëhet”. Por unë po e mbyll këtu me pak optimizëm “të tepruar”, i bindur se i ngacmuar shqiptarisht nga dorëheqja e ministrit britanik, ripreka një çështje të ngritur prej kohësh në ndërgjegjen e shqiptarëve. Nuk pretendoj kurrsesi se po jap ndonjë zgjidhje, por ngulmoj se sjellja në vëmendjen e publikut dhe të protagonistëve kryesorë të politikës apo Gjyqësorit të informacionit mbi këto ngjarje dhe mënyrës se si komentohen ato në Shqipëri, i shërben hopit kulturor që duhet të kryejmë në emër të ndërtimit të një shoqërie më të mirë e më të drejtë për fëmijët tanë.

1 Komente

Bukur, me pelqeu. 

" .... Në kuptimin se pushtetarët, me sjelljen e tyre publike, janë edhe një shembull i rëndësishëm për popullin që drejtojnë. Nëse aktet e tyre rrezatojnë ndershmëri, drejtësi, respekt për ligjin, ata ndikojnë që edhe populli i tyre t’i kultivojë këto virtyte. Nëse ata zgjedhin si bashkëpunëtorë njerëz të ndershëm, të virtytshëm dhe jo kriminelë, edhe populli do të jetë më në gjendje të mbajë afër të ndershmit dhe larg kriminelët. Nëse ata nxjerrin në pah anët e tyre pozitive si qenie njerëzore, edhe njerëzit do të bëjnë kështu. Në këtë kuptim, populli bëhet edhe pasqyrë e pushtetarit të vet në të mirë apo në të keq... " 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).