Kur dëgjoj dashamirët të më këshillojnë të jem më i kujdesshëm kur “llaptoj” për pushtetarët në Prishtinë e në Tiranë, kur më tregojnë se me cilët nuk duhet të takohem në vende publike më bën të ndihem si dikur kur ëndërronim të jetonim pa frikën

Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa herë që nisesha për në Prishtinë, dashamirët më këshillonin të kisha kujdes me kë kontaktoja ngaqë “këta të këtushmit” i merrnin vesh të gjitha ende pa u kthyer unë në Shkup. 

Nuk kishte nevojë të më tregonin cilët ishin “ata këtu”. Unë kërkoja shpjegim se kush i lajmëronte “këta këtu” për atë që unë bëja “atje”. Pa hamendje më thoshin: “spiunët shqiptarë”. Unë vazhdoja të shkoja në Prishtinë, atje ku ishin ata që më përkrahnin, ata të cilëve u besoja e më besonin. Kuptohet, e dija se edhe disa miqve të mi atje u thoshin të kenë kujdes kur kontaktojnë me mua, duke u thënë se më “çonin këta” të këtushmit që t’u tregoja se çka “bënin ata atje”.

Asokohe, i sapokthyer në vendlindje, pas shumë bredhjeve nëpër botë, nëpër profesione e nëpër shtigjet e jetës, kisha ndjenjën se shqiptaria vlonte nga spiunët dhe sa nuk u binda se edhe pulat e kuqe të shqiptarëve nuk bënin vezë, por merreshin me spiunim e pulave të bardha. Mbase edhe shkaku se isha i sapoardhur në mjedisin e popullit tim, shumë shpejt e kuptova se e gjithë ajo lojë kishte për qëllim të na bënte mosbesues ndaj njëri-tjetrit, të kishim frikë nga vetvetja e të mbështeteshim te “tjetri”. Thjesht donin ta ndërprisnin komunikimin e shqiptarëve të Maqedonisë me ata të Kosovës, ta konsideronim njëri-tjetrin si “fatkeqësinë tonë”. Të jetonim me frikën se ngado që të shkoje, shikimi i kujdestarëve të përcillte. E sa i përket Shqipërisë, atë edhe ashtu e jetonim trishtueshëm, ngaqë e fshihnim nën sqetulla, në formë të ndonjë libri të ndaluar, të ardhur nga përtej kufirit e për të cilin mund të shkoje edhe në burg.

Sot, në kohën e demokracisë, në kohën kur në forma të ndryshme e jetojmë lirinë nëpër “Shqipëritë” tona, sa herë që nisem për në Prishtinë, dashamirët më këshillojnë të mos “llaptoj” shumë kundër pushtetarëve të atjeshëm, të mos takohem në vende publike me Albinin, ngaqë “SHIK-u i Hashimit” i di të gjitha e t’i nxjerr në sipërfaqe kontaktet me mikeshat e tua serbe gjatë kohës sa ke jetuar në Beograd. Edhe kur nisem për në Shqipëri, ka nga ata që më këshillojnë të mos “leh shumë” kundër diplomacisë inferiore të Tiranës zyrtare, e cila është aq “properëndimore” sa nuk e di çka është duke ndodhur në lindje të vendit të saj, ku Shqipëria kufizohet me shqiptarët. Pra, më thonë se “SHIK-u i Salës” i merr vesh të gjitha dhe pushtetarëve të atjeshëm nuk u pëlqen kur thua se antishqiptaria në Maqedoni ka edhe mbështetje institucionale, ngaqë kryqin e madh mbi Vodno nuk e ndërtuan tifozët e ekipeve sportive maqedonase, kishën në Kalanë e Shkupit nuk filluan ta ndërtonin tifozët e futbollit maqedonas, se projektin "Shkupi 2014" nuk e projektuan të rinj të frustruar maqedonas, se Enciklopedinë fyese ndaj shqiptarëve nuk e botuan tifozët e hendbollit maqedonas, se autorë të librave shkollorë ku fyhen shqiptarët nuk janë tifozët maqedonas të basketbollit..., se të gjitha këto projekte që nxisin antishqiptari i realizoi qeveria maqedonase, ku marrin pjesë edhe pushtetarë shqiptarë. Pra, dashamirët më këshillojnë të jem i matur, të mos akuzoj Tiranën pse ajo këto koncepte antishqiptare i quan “eksese” të izoluara, pse nuk thotë hapur se këta të rinj që sot kërkojnë “dhoma gazi për shqiptarët”, e që kanë lindur në vitin kur Maqedonia shpalli pavarësinë, u ushqyen me antishqiptari edhe nga institucionet shtetërore.

Ata që më duan e që i shqetëson qëndrimi im ndaj disa dukurive nëpër “Shqipëritë” tona, edhe kur nuk udhëtojë as në Tiranë as në Prishtinë më japin këshilla. Dhe thuajse nga tri herë në ditë ma rikujtojnë të mos i hidhëroj së tepërmi pushtetarët e këtushëm të BDI-së, ngaqë shumica nga ata na qenkan “të lidhur me Sashon”, kështu që mund të më gjejë ndonjë e keqe, të cilën e ka “porositur Stojani, por e realizon Hasani”, apo të cilën “ta bën Hasani e i përshkruhet Stojanit”. Unë i pyes si është e mundur diçka e tillë kur pushtetarët tanë aq vrullshëm e valëvisin flamurin kombëtar, kur aq flijuam që të kemi të zgjedhurit tanë. Ata ulin krahët e unë e di që e mendojnë atë që unë e them hapur: shumë nga politikanët tanë mbulohen me flamurin kuq e zi e me shqiponjën dykrerëshe, por i përkulen vetëm ngjyrës së euros dhe asaj të dollarit.

As dikur e as tani, nuk u besoj atyre që edhe pa dashje mbjellin farën e frikës që ka për qëllim të mos i besojmë njëri-tjetrit, të mos i besojmë vetvetes. E di, edhe sot, njësoj si dikur në socializëm, dikush dëshiron që të jetojmë me frikën se fatin na e përcakton vetëm “nëna” parti, se ne nuk i takojmë shtetit, por pushtetit. Pra, atëherë e dija se këtë frikë e mbillnin “të kuqtë” që nuk duronin shumëngjyrshmërinë, e sot atë e mbjellin “demokratët” që nuk privatizuan vetëm pronën shoqërore, por edhe popullin. Andaj, edhe sot, njësoj si dikur, ndihem tmerrësisht keq pse ne shqiptarët vetvetiu e njollosim vetveten si popull që nga gjitha profesionet, më së shumti e parapëlqen atë të “spiunimit”.

Po në vitet e dy dekadat e fundit të shekullit të njëzet, sa herë që shkoja në Prishtinë, dashamirët më thoshin: Ki kujdes me kë kontakton, se policia maqedonase do i marrë vesh të gjitha para se të kthehesh në Shkup. Miqve të mi në Prishtinë, dashamirët e tyre u thoshin të kujdeseshin gjatë kontakteve me mua, ngaqë mund të kisha shkuar atje edhe me ndonjë “detyrë speciale”. Ne, rioshët e atëhershëm, jetonim me frikën se tërë kohën ishim të përgjuar, frikë të cilën e përballonim lehtë, jo pse ishim trima, por ngaqë e dinim se nuk ishim nga ata “peshqit” e mëdhenj me të cilët ushqeheshin peshkaqenët komunistë dhe pse na mbante ëndrra se një ditë, kur do të jetojmë lirinë tonë, s’do të kemi nevojë të fshihemi nga SHIK-et e “Shqipërive” tona.

Tani, kur dëgjoj dashamirët të më këshillojnë të jem më i kujdesshëm kur “llaptoj” për pushtetarët në Prishtinë e në Tiranë, kur më tregojnë se me cilët nuk duhet të takohem në vende publike për të mos e irrituar “Hashimin apo Salën”, kur më thonë se pushtetarët e këtushëm nuk më mbrojnë mua nga “sashot”, por Gruevskin e mbrojnë nga unë, shumëçka më bën të ndihem si dikur kur ëndërronim të jetonim pa frikën se jemi të përgjuar. Dhe shpesh më ndodh që njësoj si në vitet e rinisë së hershme, të kem ndjenjën se edhe pulat e shqiptarëve në pushtet nuk bëjnë gjë tjetër përpos që i përcjellin hap pas hapi pulat e shqiptarëve që kritikojnë qeveritarët. Pra, shumëçka më ngjan në jetën që bënim dikur kur jetonim frikën se UDBA e Beogradit e dinte se ç’bënim edhe në shtrat. Andaj, dashamirëve që sot më këshillojnë të jem i kujdesshëm ndaj “SHIK-ut të Thaçit e të Salës” unë ua them atë që ua thosha miqve të mi të dikurshëm që më përgjëroheshin të jem i kujdesshëm ndaj spiunëve të “kuq” shqiptarë: njeriun nuk e lë pa gjumë ajo që dinë të tjerët për të, por gjërat që i fsheh nga bota dhe jeton me frikën se ato një ditë do të mund të dalin në shesh.

3 Komente

Ore zoteri, duhet me pare te vendosim a je nipash me Konstandinin, a me Aleksandrin para se me u marr me hallin tat.  

" .... shumë nga politikanët tanë mbulohen me flamurin kuq e zi e me shqiponjën dykrerëshe, por i përkulen vetëm ngjyrës së euros dhe asaj të dollarit..."  

 smiley artikull me domethenie te madhe, ia vlen te lexohet. 

Artikull i mire. Frika per te folur akoma egziston ne Shqiperi sepse liria e fjales garantohet me ligj, por nuk garantohet me kulture, nuk garantohet me mentalitet. Ka shume pune per tu bere, por se kush do ta bej...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).