Emerson: 25 Maj, 1803 - 27 Prill, 1882

Gjuha është fryti i tretë të cilin Natyra e vë në shërbim të njeriut. Natyra është mjeti dhe cilësia e trefishtë.

1. Fjalët janë shenja të fakteve natyrore.

2. Faktet e veçanta natyrore janë simbole të fakteve të veçanta shpirtërore.

3. Natyra është simboli i shpirtit.

1. Fjalët janë shenja të fakteve natyrore. Historia natyrore përdoret për të na dhënë ndihmë në historinë e mbinatyrshme: krijimi i jashtëm përdoret për të na dhënë gjuhën për qeniet dhe ndryshimet e krijimit të brendshëm. Çdo fjalë që përdoret për të shprehur një fakt moral ose intelektual, nëse gjurmohet deri në burim, del e huazuar nga një lloj shfaqje materiale. I drejtë (right) ka kuptimin vijë e drejtë (straight); i gabuar (wrong) ka kuptimin i shtrembëruar (twisted). Shpirt (spirit) në origjinë ka kuptimin erë (wind); shkelje (transgression) ka kuptimin kapërcim vije (line); fodull (supercilious) ka kuptimin ngritje vetulle (raising of the eyebrow). Themi zemra (heart) për të shprehur emocion, koka (head) për të treguar mendim; dhe mendim e emocion janë fjalë të huazuara nga gjëra të dukshme, dhe tani të përshtatura me natyrën shpirtërore. Pjesa më e madhe e procesit përmes të cilit kryhet ky transformim na fshihet në kohët e largëta, kur gjuha mori trajtë; por e njëjta prirje mund të vërehet përditë te fëmijët. Fëmijët dhe të egrit përdorin vetëm emra, të cilët i kthejnë në folje dhe i shfrytëzojnë për veprime të ngjashme mendore.

2. Por ky burim i çdo fjale që bart domethënie shpirtërore – një fakt kaq i dukshëm në historinë e gjuhës – është borxhi më i vogël që i kemi natyrës. Emblematike nuk janë vetëm fjalët; emblematike janë edhe gjërat. Çdo fakt natyror është simbol i një fakti shpirtëror. Çdo shfaqje në natyrë përputhet me një gjendje të caktuar mendore, dhe kjo gjendje mendore mund të përshkruhet vetëm duke e paraqitur këtë shfaqje natyrore si pasqyrimin e saj. Njeriu i tërbuar është luan, njeriu dinak është dhelpër, njeriu i palëkundur është shkëmb, njeriu i ditur është pishtar. Qengji është pafajësi; gjarpri është mëri therëse; lulet na shprehin dhembshuritë e brishta. Drita dhe terri janë shprehja jonë e zakonshme për dijen dhe paditurinë; dhe nxehtësia për dashurinë. Largësia e dukshme pas dhe para nesh është përkatësisht imazhi ynë i kujtimit dhe shpresës.

Kush shikuaka një lumë në një çast përsiatje dhe nuk sjellka ndërmend vërshimin e të gjitha gjërave? Hidhni një gur në ujë, dhe rrathët që shumohen vetvetiu janë modeli i bukur i çdo ndikimi. Njeriu është i vetëdijshëm për një shpirt universal brenda ose pas jetës së tij vetjake, ku, si në qiell, lindin dhe shkëlqejnë natyrat e Drejtësisë, të së Vërtetës, të Dashurisë, të Lirisë. Këtë shpirt universal ai e quan Arsye: nuk është imi, as yti, as i tjetrit, por ne jemi të tijtë; ne jemi prona dhe njerëzit e tij. Dhe qielli i kaltër ku varroset bota vetjake, qielli me qetësinë e përjetshme dhe plot me orbita të përhershme, është modeli i Arsyes. Atë që nga pikëpamja intelektuale e quamë Arsye, kur e shohim në lidhje me natyrën, e quajmë Shpirt. Shpirti është Krijuesi. Dhe njeriu i çdo epoke dhe vendi e mishëron atë në gjuhën e vet, si ATI.

Duket lehtë se në këto analogji nuk ka asgjë të rastësishme ose tekanjoze, përkundrazi, ato janë të përhershme dhe e pushtojnë natyrën. Këto nuk janë ëndrrat e pak poetëve aty-këtu, përkundrazi, njeriu, duke qenë mjeshtër i analogjisë, i studion lidhjet në çdo objekte. Ai ndodhet në qendrën e qenieve, dhe rrezja e lidhjes kalon nga çdo qenie tjetër tek ai. Dhe as njeriu nuk mund të kuptohet pa këto objekte, as këto objekte nuk mund të kuptohen pa njeriun. Të gjitha faktet në historinë natyrore, të marra më vete, nuk kanë vlerë, por janë shterpë, njëlloj si gjinia teke pa të kundërtën e vet. Por martojeni atë me historinë njerëzore, dhe ajo do të mbushet plot jetë. Tërë librat për bimësinë, çdo vepër e Linnaeus-it dhe Buffon-it janë katalogë të thatë faktesh; por edhe faktet më të parëndësishme këtu, ta zëmë, natyra e një bime, organet, ose puna, ose zhurma e një insekti, kur shfrytëzohen për ilustrimin e një fakti në filozofinë intelektuale, ose në çfarëdo drejtimi që lidhet me natyrën njerëzore, ndikon te ne në mënyrën më nxitëse dhe më të pranueshme. Fara e një bime – në ç’analogji të goditura në natyrën e njeriut përdoret ky fryt i vogël, në çdo diskurs, deri te zëri i Paul-it që e quan trupin e njeriut farë – “Mbillet si trup natyror; rritet si trup shpirtëror”. Lëvizja e tokës rreth boshtit të vet dhe diellit krijon ditën dhe vitin. Këto janë sasi të caktuara drite dhe nxehtësie shtazore. Por a nuk synohet një analogji ndërmjet jetës së njeriut dhe stinëve? Dhe a nuk marrin stinët fare madhështi dhe patos nga kjo analogji? Instinktet e milingonës janë shumë të parëndësishme, nëse merren vetëm si të sajat; mirëpo në çastin që shihet se rrezja e lidhjes shkon nga ajo te njeriu, dhe hamallja e vogël shihet si mbikëqyrëse, si trup i vogël me zemër të fuqishme, atëherë të gjitha shprehitë e saj, madje edhe ajo e thënë kohët e fundit se nuk fle kurrë, bëhen sublime.

Për shkak të kësaj përputhje ndërmjet gjërave të dukshme dhe mendimeve njerëzore, të egrit, të cilët kanë vetëm çfarë është e nevojshme, shndërrohen në shifra. Kur kthehemi në histori, gjuha bëhet më piktoreske, deri në foshnjërinë e saj, kur ajo është fund e krye poezi; ose të gjitha faktet shpirtërore përfaqësohen nga simbole natyrore. Del se të njëjtat simbole përbëjnë elementet burimore të çdo gjuhe. Për më tepër, është zbuluar se idiomat e çdo gjuhe i qasen njëri tjetrit në pasazhet me rrjedhshmërinë dhe fuqinë më të madhe. Dhe sikundër kjo është gjuha e parë, ashtu është edhe e fundit. Kjo varësi e drejtpërdrejtë e gjuhës nga natyra, ky shndërrim i një dukurie të jashtme në një lloj diçkaje në jetën njerëzore, asnjëherë nuk e humbet fuqinë e ndikimit te ne. Pikërisht kjo i jep atë lezetin joshës bisedës së një bujku me natyrë të fortë ose të një banori të prapambetur pylli, të cilën e shijon çdo njeri.

Fuqia e njeriut për ta lidhur mendimin me simbolin e saktë përkatës, dhe për ta shprehur atë si të tillë, varet nga thjeshtësia e karakterit të tij, domethënë, nga dashuria për të vërtetën dhe dëshira për ta përcjellë atë pa humbje. Prishja e njeriut shoqërohet me prishjen e gjuhës. Kur thjeshtësia e karakterit dhe sovraniteti i ideve thyhen nga sundimi i dëshirave të dyta, dëshirave për pasuri, për kënaqësi, për pushtet dhe për lëvdata – dhe hipokrizia dhe mashtrimi ua zënë vendin thjeshtësisë dhe të vërtetës, pushteti mbi natyrën si interpretuese e vullnetit humbet në një farë shkalle; ndalon krijimi i imazheve të reja, dhe fjalët e vjetra shtrembërohen kuptimisht, duke pasqyruar gjëra që nuk gjallojnë; përdoren kartëmonedha kur në kasaforta s’ka shufra ari. Ndërkohë, mbretëron mashtrimi, dhe fjalët humbasin gjithë fuqinë për të nxitur mirëkuptimin ose dhembshurinë. Qindra shkrimtarë mund të gjenden në çdo komb me qytetërim të gjatë, të cilët, për pak kohë, besojnë dhe i bëjnë të tjerët të besojnë se shohin dhe thonë të vërteta; të cilët nga vetvetja nuk veshin asnjë mendim me rrobën e tij natyrore, por ushqehen në mënyrë të pavetëdijshme me gjuhën e krijuar nga shkrimtarët kryesorë të vendit, domethënë, nga ata që kryesisht kapen pas natyrës.

Por njerëzit e mençur e kuptojnë këtë stil të kalbur të foluri dhe i lidhin sërish fjalët me gjëra të dukshme; kështu që gjuha piktoreske bëhet menjëherë vërtetimi urdhërues, i cili vërteton se ai që e përdor është njeri në aleancë me të vërtetën dhe Zotin. Në çastin që diskursi ynë ngrihet mbi kufirin tokësor të fakteve të njohura, si dhe ndizet nga gjakimi ose lartësohet nga mendimi, ai vishet me imazhe. Një njeri që bisedon me çiltërsi, po t’i shohë pasuritë e veta intelektuale, do të zbulojë se një imazh material, pak a shumë i qartë, i lind në mendje njëkohësisht me çdo mendim, duke mundësuar veshjen e mendimit. Rrjedhimisht, të shkruarit e mirë dhe të folurit e shkëlqyer janë alegori të përhershme. Kjo shëmbëlltyrë është e vetvetishme. Është përzierje e përvojës me veprimin ekzistues të mendjes. Është krijim i mirëfilltë. Është funksionimi i Shkakut Burimor përmes instrumenteve që ai tashmë ka krijuar.

Këto fakte mund të japin idenë e epërsisë që ka jeta e fshatit për një mendje të fuqishme ndaj jetës artificiale dhe të cunguar të qytetit. Nga natyra dimë më shumë sesa mund të përcjellim në mënyrë të vullnetshme. Drita e saj rrjedh në mendje gjithmonë, por ne e harrojmë praninë e saj. Poeti, oratori i formuar në pyje, shqisat e të cilit janë ushqyer nga ndryshimet e tyre të mrekullueshme dhe qetësuese vit për vit, pa plan dhe pa vëmendje – nuk do ta humbasin mësimin e vet gjithsesi në zhurmën e qyteteve, as në grindjen e politikës. Që këtej e tutje, për shumë kohë, mes trazimit dhe terrorit në këshillat kombëtare – në orën e revolucionit – këto imazhe solemne do të rishfaqen në shkëlqimin e vet mëngjesor, si simbole dhe fjalë të sakta të mendimeve që do të zgjojnë ngjarjet kalimtare. Sapo t’u thërrasin ndenja fisnike, pyjet do të valëviten sërish, pishat do të pëshpëritin, lumenjtë do të rrokullisen dhe shkëlqejnë, dhe bagëtia do të kullosë nëpër male ashtu sikundër ai i pa dhe e dëgjoi në foshnjërinë e vet. Dhe përmes këtyre formave, magjia e bindjes, domethënë, çelësi i fuqisë vendoset në duart e tij.

3. Pra, ne na ndihmojnë objektet natyrore për shprehjen e kuptimeve të caktuara. Por sa e madhërishme është gjuha për shprehjen e këtij informacioni pikant! A kishte nevojë ai për këto raca fisnike krijesash, këtë mori formash, këtë mori orbitash në qiell, për ta pajisur njeriun me fjalorin dhe gramatikën e të folurit të tij përbashkët? Ndërkohë që përdorim këtë kod të shkëlqyer për të shtyrë përpara vogëlimat tona, e ndjejmë se ende nuk e kemi vënë në punë, madje as nuk jemi në gjendje. Jemi si udhëtarët që përdorin thëngjij vullkani për t’i skuqur vezët e tyre. Ndërkohë që shohim se ajo qëndron përherë e gatshme për ta veshur atë që do të themi, nuk mund t’i shmangemi pyetjes nëse janë apo nuk janë vetitë të rëndësishme në vetvete. Malet, valët dhe qiejt nuk paskan domethënie tjetër veç asaj që ua japim ne me vetëdije kur i përdorim si emblema të mendimeve tona? Bota është emblematike. Ligjet e natyrës morale u përgjigjen atyre të materies, sikundër shëmbëlltyra fytyrës në pasqyrë. “Bota e dukshme dhe lidhja e pjesëve të saj janë targa e së padukshmes”. Aksiomat e fizikës përkthehen në ligje të etikës. Pra, “e tëra është më e madhe sesa çdo pjesë përbërëse e saj”; “reaksioni është i barabartë me aksionin”; “pesha e vogël mund të ngrejë peshën e madhe, duke qenë se dallimi në peshë kompensohet nga koha”, dhe shumë përkufizime të tjera, të cilat kanë kuptim etik dhe fizik njëherësh. Këto përkufizime kanë kuptim më të gjerë dhe më universal kur përdoren në jetën njerëzore, sesa kur kufizohen brenda fushës së përdorimit të tyre teknik.

Në mënyrë të ngjashme, fjalët e paharrueshme të historisë dhe proverbat e kombeve zakonisht përbëhen nga një fakt natyror, të përzgjedhur si pikturë ose parabolë e së vërtetës morale. Pra, Guri që rrokulliset nuk zë lëmyshk; Më mirë një vezë sot, se një pulë mot; Uloku që ndodhet në rrugën e drejtë e mund garuesin që ka zgjedhur rrugën e shtrembër; Është e vështirë të mos e derdhësh kupën e mbushur; Uthulla është e bija e verës; Grami i fundit i theu kurrizin devesë; Pemët jetëgjata në fillim hedhin rrënjët – e të tjera. Në kuptimin e parmë, këto janë fakte të parëndësishme, por ne i përsërisim për shkak të vlerës së kuptimit të tyre analogjik. Ajo çka është e vërtet për proverbat, është e vërtetë për të gjitha fabulat, parabolat dhe analogjitë.

Lidhja ndërmjet mendjes dhe materies nuk është shpikje e ndonjë poeti, por qëndron në vullnetin e Zotit, dhe prandaj është e lirë të njihet nga të gjithë njerëzit. Ajo u shfaqet ose nuk u shfaqet njerëzve. Kur në orët fatlume mendon thellë për këtë mrekulli, njeriu i mençur dyshon, nëse herët e tjera nuk ka qenë i verbër dhe shurdh.

_______“A mund të jenë këto gjëra,

Dhe të na pushtojnë si reja e verës,

Pa shkaktuar te ne habi të veçantë?”

Sepse universi bëhet i tejdukshëm dhe drita e ligjeve më të larta sesa tonat shkëlqen nëpër të. Pikërisht ky problem i përhershëm ka shkaktuar habinë dhe studimin e çdo gjeniu të vërtetë që kur u krijua bota, nga epoka e egjiptianëve dhe Brahmin-ëve, deri tek ajo e Pitagorës, e Platonit, e Bacon-it, e Leibnitz-it, e Swedenborg-ut. Buzë rrugës qëndron Sfinksi dhe, nga epoka në epokë, me t’u shfaqur profeti i radhës, përpiqet të lexojë gjëegjëzën e tij. Duket se në shpirt gëlon nevoja për ta shprehur veten në forma materiale, dhe dita e nata, lumi dhe stuhia, bisha dhe shpendi, acidi dhe alkali, paraekzistojnë në Ide të nevojshme në mendjen e Zotit dhe janë ato që janë për shkak të dhembshurive pararendëse në botën e shpirtit. Krijimi i dukshëm është qëllimi përfundimtar ose perimetri i botës së padukshme. “Objektet natyrore”, ka thënë një filozof francez, “janë lloje me domosdo të skorieve të mendimeve substanciale të Krijuesit, të cilat gjithnjë duhet ta ruajnë një lidhje të saktë me burimin e tyre të parë; me fjalë të tjera, natyra e dukshme duhet të ketë anë shpirtërore dhe morale”.

Kjo doktrinë është e pakuptueshme dhe, megjithëse imazhet e “rrobës”, “skorieve”, “pasqyrës”, etj., mund ta nxisin fantazinë, ne na duhet të thërrasim për ndihmë shpjegues më të imët dhe më jetikë, për ta bërë atë të qartë. “Çdo shkrim i shenjtë duhet interpretuar përmes të njëjtit shpirt që e lindi: është ligji themelor i kritikës. Jeta në harmoni me natyrën, me dashurinë për të vërtetën dhe virtytin, do t’i pastroj sytë për të kuptuar tekstin e saj. Pak nga pak, mund të arrijmë ta njohim kuptimin primitiv të objekteve të natyrës, kështu që bota do të jetë për ne një libër i hapur dhe çdo formë me domethënie për jetën e saj të fshehur dhe shkakun përfundimtar.

Ndërkohë që sjellim ndërmend shtrirjen dhe morinë e frikshme të objekteve, sipas pikëpamjes tashmë të propozuar, na befason një interes i ri, sepse “çdo objekt i parë drejtë zbulon një aftësi të re të shpirtit”. Ajo çka ishte e vërtetë e pavetëdijshme, kur shpjegohet dhe përcaktohet në një objekt, bëhet pjesë e lëmit të dijes – armë e re në depon e fuqisë.

Shqipëroi: Ukë Zenel Buçpapaj

Marrë nga Mehr Licht

3 Komente

gentlemen, the world is all opportunities. congratulate yourselves if you have broken the monotony of a conventional age.

We are so presumptuous as to wish to be known by all the world and even by those who will arrive when we are no more. And we are so vain that the esteem of five or six people who surround us amuses us and renders us content.
Pascali mo..

E mprehtë, e butë, e brishtë, e ashpër,
E besueshme, e rrallë, e fëlliqur, e pastër,
Çfarë thotë i urti, i marri ç'nxjerr:
Gjithçka nga këto e kam përher'
S'jam veç pëllumb, gjarpër jam, derr!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).