Sikur të mos e njohësh vendin, atëherë do të duket si rekuizita e filmit “Armiku te porta” me Jude Law. E njëjta qetësi e frikshme nëse në këtë ‘fushë lufte’ befas s’do dalë nga ndonjë trashe koka e dikujt, i cili po kërkon për skrap

Këta ‘kundravajtës’, megjithëse rrezikojnë jetën, kanë të vetmen mënyrë për të mbijetuar duke gërmuar thellë e më thellë mbeturinave të Metalurgjikut...

Nëse ndonjëherë ndonjë njeri arti do të dojë të bëjë një skulpturë parku në qytetin e Elbasanit ose një simbolikë artistike e ka një motiv gati. Dhjetëra ose qindra familjet që erdhën nga gjithë Shqipëria pas viteve ’90 në hapësirën e Metalurgjikut, sot, rrëmojnë e rrëmojnë pafund nën dhè derisa të mund të gjejnë ndonjë copë hekuri, mbetur aty për skrap. Madje edhe epigramin e kam në kokë dhe si për ironi të vjen ajo e “Torch of Freedom” në Nju Jork: Ejani ju o të pastrehë, o të mjerë...Vërtetë dikur u quajt çlirimi i dytë i Shqipërisë, dhe më vonë u ironizua sak gjatë, por tash ajo i ushqen vërtetë njerëzit me rropullitë e saj të hekurta. Këtë kronikë të përditshme të dhjetëra familjeve të Katundit të Ri në ditët tona e kam në kokë, ndërsa makina na lë pak larg Uzinës së 12, ish-Uzinës me emrin e frikshëm të kobaltit. Një djalë me një makinë të tipit britanik, desh mi ka nxjerrë rropullitë njerëzore me kthesat dhe ecjen me kolpo këtë ditë dimri, kur grija e errët rivalizon me gërmadhat e Kombinatit. Meandrojmë në komunën e Bradasheshit dhe Turi, një djalë elbasanas, na përcjell në Uzinën 12. “Edhe unë vetë s’kam qenë ndonjëherë. Çfarë m...do doja!” e mbyll. Pranë është oxhaku i madh, të cilin mund ta shikosh nga kudo, kurse një masë e stërmadhe balte, që tashmë është formësuar me tumba na del përpara.

Kombinati, në një pjesë të madhe, është privatizuar dhe nëse do të duash të bësh foto, duhet të kesh kujdes të mos përzihesh me privatët. Këtë më mirë se ne e dinë ushtria e padukshme e njerëzve, që aty pari çdo mëngjes fillojnë e eksplorojnë në trasetë dhe pirgjet e dheut kudo nëpër kombinat. Përreth, një qendër komune e zakonshme, kryqëzon dhjetëra njerëz më kot. Që kur makina na lëshon, ne jemi sak disa nga ata. Hapësirën e Metalurgjikut ka vite që e kanë okupuar njerëz nga e gjithë Shqipëria, që kanë lënë të pandryshuar mënyrat e jetesës në kushtet e reja, por edhe mënyrat e veshjes, të folurit ca më shumë në kushtet e reja. Shumë syresh kanë arritur dhe kanë privatizuar godina të vjetra administrate, ndërsa të gjithë jetojnë thjesht me skrapin që rrëmojnë në pirgjet e pafundme në Kombinat. Do t’i emëroj me iniciale personazhet sepse nuk dua tu prishë punë qyqarëve, që i takoj vetëm njëherë në jetë. A. B. ka ardhur nga një fshat i Gramshit, bashkë me shumë bashkëfshatarë të tjerë. Ka mjedisin e një godine të njërës prej administratave së kombinatit dhe aty jeton. Përbri ka marrë banesë dikush tjetër që ende se ka rregulluar. I afrohem pa folur. Ai lë karrocën e dorës dhe më këqyr në ankth...I huaji është vërtetë i rrezikshëm, për ta. Shikohemi.

Banorët

Ata që nuk shikojmë ende C. D. dhe E. F. kanë dalë për të kërkuar  nga herët në mëngjes. Nën gërmadhat e Uzinës së 12, që dikur njihej si një nga objektet më të rëndësishme të Metalurgjikut, kanë zënë një vend nga ku nuk duken dhe gërrmojnë. Kanë hapur një trase të vërtetë dhe armiku i tyre është thjeshtë ai që kanë përballë: Dhèu i pafundmë i kuq. “Snajperi” që e interpreton Jude Law te filmi “Armiku te porta” do t’ia kishte zili sesi kanë hapur aq shpejt një trase mes pirgjeve të pafundme me dhè. Mbi vete, Uzina 12 është edhe vetë rekuizita e gjallë e një filmi horror. Ku ta dish mbase edhe për këtë do mund të hyjë në punë ndonjëherë. Godina të stërmëdha deri 6-7-8 kate, ndërthurur me njëra-tjetrën, ku pjesa më e madhe e tubave dhe tullave, që i bashkojnë, janë të hequra. Nga zgafellet ciklopike të krijuara mund të shikosh deri në thellësi nga ku njerëz të padukshëm në çdo orë përpiqen të nxjerrin rropullinjtë e mbetura të Metalurgjikut. Zëri njerëzor mungon.

Të mendosh ka 20 vjet që gërmohet e gërmohet për një copë të vetme hekuri. E kuqërremta e tullave është irnosur disi me pluhurin, kurse ti duhet të vendosh këmbët me kujdes se mund të përpihesh në ndonjë nga grumbujt e dheut, që pak javë më parë ‘i gëlltitën’ tre njerëz. Po. Vërtetë. Kur ishte ky lajm, C. D., tashmë  45 vjeç dhe miku i tij 35 vjeç, që i rri pranë, s’ishin. Njëri ishte në Greqi, kurse tjetri kërkonte punë gjetiu. C. D. ka një vajzë madje në shkollë të lartë, që e mban falë ndihmës së një miku të tij, ndërsa Greqia i qëlloi jo fatlume. E. F. ka dhe ai familje, por druhet të flasë. Kjo, edhe për të, është e vetmja mënyrë për të jetuar. Hera herës ndërrojnë ndonjë muhabet. Askush përreth. Gjithçka e prish ndonjë ardhje e beftë. Vinë fëmijët e të dyve dhe i ngacmojnë pak. Ky është momenti i vetëm i gëzimit dhe ajo pak kohë, kur kanë kënaqësinë më të madhe nëse ndonjë hekur, ka nxjerr kokën deri më atëherë mes pirgut. Sot, kanë kapur një hekur bajagi të madh, por se nxjerrin dot. Plani është për ta fshehur. Ku? Kushedi, natën, ka të tjerë që gjurmojnë. Diku edhe ata vigjilojnë. Se edhe këtu ka spiunazh, instinkt dhe si kafsha ndjesi natyrore.  Zërat e fëmijëve janë të vetmit që kalojnë pirgjet e mëdha dhe që tregojnë se kjo gërmadhë gjigande ruan ende ndonjë zë njerëzor…

Harta e skrapit në Metalurgjik

Edhe pa zëra njerëzorë ose këshilluar, dhe sigurisht, që nuk ka ndonjë hartë, C. D. dhe E. F. si edhe të tjerë, e dinë se ku do jenë dhe ku do mund të kërkojnë. Nëse arrijnë e zbulojnë diçka, si të jenë arkeologë të mirë që punojnë në një zonë rreziku të lartë, preferojnë thjesht ta fshehin. Vinë në një kohë më të mirë dhe gërmojnë sërish. Në një plan të imagjinuar dita e tyre dihet. Nëse nuk gjen ndonjë punë në mëngjes në Elbasan, atëherë kthehu këtu dhe fillo e puno. Kanë kooperativën e tyre, që ka dy anëtarë dhe ku çdo gjë ndahet. Varfëria dhe fitesa e mbijetesës. Kombinati ka në fakt hartën e tij të skrapit ku gërmohet dhe banorët e dinë falë dhe kujtimeve të shumë njerëzve se ku janë, se ku mund të gërmohet dhe ku jo. Ndërkohë, jemi të paafruar ende, ndërsa kjo histori në advancë, e sendërtoj kur do jem aty, minuta më pas. Mundohem të bëj foto të ndërmarrjes nga jashtë. Mundohem, them sepse për shkak të mungesës së njerëzve duhet të përshtas objekte nga ku mund të jap përmasa për syrin që nuk i sheh. I ruhem disa rojeve që më këqyrin nga larg. Kur humb mes gërmadhave edhe unë jam thjesht objekt për ta. Fotoja kiç-i me orën e dorës nuk funksionon ndërsa fotot e tjera i bëj spontanisht...”Jemi shumë të ardhur,- më ka thënë A.B.  Është e vështirë të jetosh dhe mundohem të bëj çfarë mund të bëj. Sot po heq këto gjërat me karrocë dhe do mundohem të mos bëj diçka” . Pastaj skrap, kushedi.  

Një kronikë e gjashtë muajve më parë ishte e tmerrshme, pasi një 18 vjeçar banor i fshatit Katund i Ri nga komuna e Bradasheshit, humbi jetën teksa punonte në uzinën 12-të ose në ambientet e ish Uzinës së kobaltit të Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit. Një sasi e madhe skrapi e përplasi në tokë dhe dëmtimet në kokë e gjymtyrë ia shkurtuan jetën. Nuk është se bëri aq përshtypje?! Puna vazhdoi sepse barku s’pyet. Prej 20 vjetësh edhe njerëz në mosha deri në 70 vjeç, detyrohen te hapin çdo dite gropa te thella për te gjetur skrap, nga shitja e te cilit mbajnë familjen. Duke gjetur e shitur hekurishte. Kjo është arsyeja që gjen në çdo kohë njerëz këtu. Te rinj e te moshuar në çdo orë sipas një plani individual që kanë dhe me kujdes të mos marri vesh shoku-shokun, kërkojnë në gropa, ku dikur hidheshin skoriet. Nuk mund të pretendojnë se fitesa shkon më shumë se një mijë Lekë, por kaq mjafton. Të gjithë e dinë mirë ku punon njëri dhe tjetri. A. B. më tregon se sot ka vendosur të bëjë punë shtëpie. Kur e shikon fizikisht të vjen nëpërmend se është një personazh krejtësisht i ndonjë kampi përqendrimi. Kam pasur frikë t’i japë dorën se do e dëmtoj, ndërkohë tre fëmijë shikojnë si ndërrojmë muhabet. Pse ike nga Gramshi? “Me çfarë të merresha”, më përgjigjet po me pyetje. Nuk është nga ata që janë dëmtuar prej hidrocentralit që u planifikua dhe nuk u bë dot, por thjesht se nuk mund të punonte atje. Si ai syresh, janë nga Gramshi, Korça, Durrësi, Mirdita, Gjirokastra, Vlora, Fieri dhe kudo. Ish-Kombinati ngjan me një shtëpi të madhe njerëzish fantazmagorikë që kërkojnë fatin e tyre...Ujin e blen dhe mua në kokë më rri vetëm pyetja po si jeton vallë. Sikur të më kuptoj, ma kthen: “Jetoj dhe më duket se jetoj mirë, po atje ku isha unë ishte skëterrë”, më thotë. Di se nën vuajtje njeriu i bën të gjitha për të mbijetuar dhe e gjen mundësinë, por dobësia e tij më bën të mendoj, sesi mund të jetojë një personazh i tillë. Në një nga vendet më të ndotura, pa ndihmë dhe pa të ardhme...Ky është mekanizmi. Mbijetesa.

Retrospektivë

Për të ardhmen e Kombinatit, Enver Hoxhës dikur i foli ish- sekretari i parë i Partisë së Elbasanit, Thoma Deliana. I shpjegon Enverit se kombinati s’duhet të bëhet këtu, por s’ia dalin. Një plan ishte të ndërtohej në buzën e Shkumbinit, pikërisht përballë uzinës së naftës në Cërrik. I thonë Enverit edhe për në fushën e Domosdovës: “Në atë vend e kemi problem se kemi afër jugosllavin dhe se andej ekziston mundësia që të na bombardohet metalurgjiku që do të  ndërtojmë. Jo vetëm kaq, por ekziston dhe një rrezik tjetër akoma më i madh, që andej të na përmbytet edhe metalurgjiku fare”, ia kthen Hoxha. Deliana, që do përfundojë në internime pastaj e pyet: “Si mundet që jugosllavët të na i përmbytin metalurgjikun në fushën e Domosdovës shoku Enver!? “Ata mund të ngrënë nivelin e liqenit të Ohrit mbi nivelin e fushës, - tha ai, -  dhe kështu përmbytet edhe vepra jonë që do të bëhet me sakrificat e popullit”, ia kthen.

Burrat

Populli, sa gjëra thuhen në fakt për të. Në fakt, ajo që vë re janë dy burra. Nga larg u dëgjoj vetëm zërin, sepse janë në thellësi të Uzinës 12. Ata, që i kam quajtur që më parë C. D. dhe E. F., i takoj realisht. Dobësia e C. D. është e frikshme. Edhe ai është nga Gramshi, ndërsa vobektësia e tij dhe kafka gati e identifikueshme, flet më shumë. Ka qenë i izoluar në Tepelenë ca kohë sepse grekët e kanë kapur në tentativë për të ikur edhe tani është rikthyer në vendin e tij. E kupton, të ikësh se nuk ke as 5000 Lek për një pasaportë! Kjo që bën këtu është për të nxjerrë ditën. Një kilogram skrap është 18 lek, në mos gaboj. E lenë punën dhe më shmangen, por i fotografoj disi tinëz. Nuk është se frikohen, por nuk duan telashe.

Këta janë ndër ata që njihen si hajdutët e skrapit…Këta të mjerë të lënë në mëshirën e fatit dhe ku për të jetuar bëjnë gjithçka, mund të rrezikojnë dhe burgun!! Ata, që vjedhin miliona, janë të akuzuar si deputetë në fakt. Burri artikulon qartë dhe ka mendime sociale, që mund të turpërojë një llomotitës të zakonshëm në Tiranë që ka një pagesë ëndërruese për njeriun-kafkë dhe rri e llomotiti në kryeqytet për politikën. Më sqaron thjesht e shtruar dhe me një zë të qetë: Ka një djalë dhe dy vajza, njërën në shkollë, tjetrën të fejuar. Ai vazhdon ende këtu sepse nuk i jepet mundësia të bëjë gjë tjetër. Përndryshe me çfarë mund të jetojë?! S’keni frikë? “Ajo që do bëhet do bëhet”. Më shpjegon një sistem social si e mendojnë ata dhe sesi është e ngritur padrejtësia me syrin e tyre. Nuk keni frikë, nga ndonjë siklet? Nëse e ke vdekjen të shkruar nuk ke se çfarë të bësh, ma kthejnë. Këtu janë të ekspozuar nga rrezatimet, ndotjet por më shumë kushteve mizerabël të jetës.

Gjej një vend dhe rri gjysmëulur po pa u mbështetur. Këpucët kanë marrë një të kuqe të frikshme. Por ndyrësia e rrobave të mia është sërish hiç para vuajtjes së tyre. Jam si në një vend qoftëlargu. Edhe sikur të më zhduknin, askush s’do t’i binte ndërmend. Këto pamje janë me të vërtetë të frikshme, por për këtë s’ke me cilin të flasësh. Miqësohemi. Jam kurioz të di sesi e perceptojnë jetën. Kthjellohem. Jeta e tij dhe e tyre është thjesht e tanishmja. Vdekja u bën nder. Më tregojnë se kanë gjetur një hekur, por se nxjerrin dot. Tani po e fshehin, që të vinë sërish. Jam i tepërt. Më shumë i padobishëm. Ka ardhur koha për të ikur.  Burrat zënë sërish vend. Është ftohtë. S’ka vend për mendime arti, apo atë që më ka shkuar në fillim në mëndje për një skulpturë parku. Gjej Turin, që më ka shoqëruar dhe që s’begenis të vijë fare në mes pirgjeve të dheut. Ka të drejtë: Këtu s’ka parqe. Ka hendeqe dhe pirgje, ku kërkohet jetë.  

Janar i ftohtë 2012.

4 Komente

Bukur, tmerrsisht dhimbje per keta njerez qe u ngjajne kampeve te perqendrimit. 

Pjer, fillova ta lexoj, por pata frike. Pata frike se me ze trishtimi, me hypen tensioni dhe perfundoj pastaj duke u zene me gruan. Sinqerisht me vjen keq se jeta na qelloi ters. Gjysma e pare nen nje regjim totalitar dhe te eger dhe gjysma e dyte pa shtet ne mes te ujqerve.

po pse lodheni more lumemedhenj...shkoni ore dhe hiqni shinat e trenit, apo krahet metalike te urave neper Shqiperi...........

 

“Ura e Zogut” shkon për skrap…

 Mbledhësit e hekurishteve për skrap nuk po kursejnë as edhe një monument kulture sicc është Ura e Zogut mbi lumin Mat. Pjesët metalike të parmakut në segmente të caktuara të gjatësisë së saj janë vjedhur. Ndonëse ky shqetësim është ngritur edhe muaj më parë, grabitësit kanë vazhduar sërish misionin e tyre shkatërrues duke prerë pjesët metalike të urës nga ana e Milotit por edhe nga rruga e vjetër nacionale Lezhë-Rrubik, duke rrezikuar ccdo ditë e më tepër këtë objekt të trashëgimisë kulturore. Konstatohet se  kanë ndodhur grabitje të parmakut në gjatësinë e urës. Me këtë ritëm grabitjesh po rrezikon të shkojë e tëra për skrap. Ura e Zogut, e ndërtuar në kohën e mbretit me fondet italiane, ruhet nga ligji “Për trashëgiminë kulturore”. Instituti i Monumenteve të Kulturës si edhe Drejtoria Rajonale Lezhës janë përgjegjës për mirëmbajtjen e saj, po përpara një fakti të tillë duket se janë të pafuqishëm për të vepruar.

Ura e Zogut është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve i jep asaj vlerë muzeore. Ura gjendet në të djathtë të rrugës që të çon në Mirditë, në të dyja ekstremet e lumit Mat, që nga viti 1927. E quajtur për shumë vite Ura e Zogut, vetë mbreti ishte ideatori i ndërtimit të kësaj ure shumë funksionale, sidomos për kohën. Në ato vite ajo ishte një portë e domosdoshme për të hyrë në Shqipërinë e epërme që përfshin Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Tropojën, Kukësin, Pukën, etj.

Ura është projektuar nga një inxhinier italian Martini dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga italianët. Zbatimi i projektit u bë nga një inxhinier shqiptar, Gjovalin Gjadri, inxhinier që ka projektuar rrugën automobilistike Milot-Burrel, që kalon nga livadhi i Turkut nëpër Mirditë. Sipas shtypit të kohës, ura është ndërtuar brenda një viti dhe dallohej për madhështinë e saj. Në të është ndaluar qarkullimi i makinave dhe funksionon vetëm për këmbësorët.

Më parë ka ekzistuar një rrjet kujdestarësh të monumenteve, të cilët arrinin të kontrollonin të gjithë territorin e Shqipërisë. Që prej vitit 2006 ata u pezulluan, dhe tashmë këto objekte kulture janë në mëshirë të fatit.

Ura e Zogut qëndron si vepër e mrekullueshme e kësaj fushe krahas urave në Gomsiqe, Prenkova, Mbrostar, të Rrogozhinës apo Urën te Bulevardi Dëshmorët e Kombit në Tiranë.

Por grabitës hekurishtesh që joshen pas çdo hekuri i kanë grabitur asaj hekurat mbajtëse anësore, duke i shkulur një e nga një në mes të ditës. Një nga banorët e kësaj zone, rrëfen me trishtim atë që ka ndodhur me këtë urë dhe faktin se askush nuk është shqetësuar për këtë fakt. I shoh thuajse çdo ditë thotë Pali, banori 70-vjeçar i Pllanës. Akoma nuk janë bërë as 5 vite kur në këtë urë janë tenderuar dhe zbatuar afro 1 milion dollarë për rikonstruksion, por që po degradon me heqjen e hekurave mbrojtës.

Lindita Kokaj

 

E lexova kete artikull.  Mund te postohej edhe te tema e AK, edhe ketu, edhe gjitheku ...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).