AFER & LARG - Ose histori të fshehura nën dëborë: Udhëtim në Vaun e Dejës, vend me një histori të lashtë dhe të re njëkohësisht.

Drini na duket më i egër se ç’është zakonisht. I fshikulluar nga shkulmet e dëborës, që vërshojnë nga Veriu, ai duket i nxirosur dhe i inatosur nga prishja e marrëdhënieve mes tij e qiellit. Ne po udhëtojmë drejt Vaut të Dejës, vend me një histori të lashtë dhe të re njëkohësisht. Në fillim jemi të shqetësuar, edicionet e lajmeve kanë përsëritur disa herë me shqetësim lajmin për bllokimin e shumë prej rrugëve në Veri. Makinat që shohim të na vijnë përballë, që nga Shkodra, janë të mbuluara me goxha dëborë. Megjithatë vazhdojmë udhëtimin përmes grisë dhe të ftohtit. Në Mjedë do ta kuptojmë se kemi qenë me fat. Vetëm disa orë më parë, një dëborëpastruese ka hapur rrugën deri në fshatin Laç, fare afër Vaut të Dejës. Më lart, drejt Pukës nuk mund të shkohet. Dhe kështu mbërrijmë në qendrën e qytezës së rrethuar nga dëbora.

Ka vetëm pak njerëz në rrugë. Makinat e pakta ecin me mund përmes rrugës që është mbuluar nga një llohë e përzier mes baltës dhe dëborës. Që lart na vështron silueta hijerëndë e hidrocentralit të njohur. Duket si një përbindësh i madh, i rrethuar nga mjegulla. Portat e tij janë të mbyllura. Këtu presin me durim që niveli i liqenit të arrijë kuotat e duhura. Pas një periudhe të gjatë thatësire më në fund ka rënë dëborë e shi. E kemi të vështirë të ecim në këmbë përmes qytezës që u mbajt gjallë nga hidrocentrali, madje e kemi të vështirë edhe të fotografojmë. Aparatet tanë bllokohen sakaq nga i ftohti dhe lagështira. Pasi jemi lagur një copë herë, vendosim të kthejmë në një prej lokaleve të paktë që janë të hapur në qendër. Si e marrim disi veten nisim të kujtojmë historinë e gjatë të këtij vendi në va.

Vau i lakmuar

Deja mesjetare, dhe më pas fshati Vau i Dejës ia dedikojnë jetën Drinit, lumit më të madh të Shqipërisë. Për shekuj e shekuj me radhë, në mungesë të urave lumenjtë kaloheshin në va. Pikërisht këtu në këmbë të kodrës, e cila dikur quhej e Shën Markut, lumi bëhej më i cekët, pikërisht aty lumi i madh largohej nga malet dhe “përqafonte” fushën. Kështu mund të kalonin matanë, drejt Kosovës e Mirditës dhe anasjelltas, njerëz, mallra, priftërinj, ushtri, cuba, kondotierë, pashallarë, malësorë të thjeshtë, gjithçka që duhej të lëvizte.

Burimet historike thonë se fortifikimi i Dejës ka gjasë të jetë shumë i vjetër, që në kohët antike. Thuajse të gjitha burimet historike, deri vonë, deri në shekullin XX, përmendin dy gjëra të rëndësishme të qytezës mesjetare: kështjellën që i ishte blatuar Shën Markut, shenjtit mbrojtës të Venedikut dhe kisha e Shën Mërisë, një kishë që dukej se ishte ndërtuar në shekullin XIV, duket e vetmja me stil gotik në krejt Ballkanin.

Në fillim të shekullit XIV kështjella ishte seli e një princi dhe e një peshkopi Stefan Dushani, cari i njohur serb, ia dhuron kishën e Shën Mërisë së bashku me “gjindje e troje”, që vareshin prej saj manastirit ortodoks të Kryengjëllit, afër Prizrenit të sotëm, me të cilin ishte lidhur për motive personale. Pas pak kohësh Deja kaloi nën zotërimin e Balshajve, sikurse ishte asokohe edhe vetë Shkodra. Pikërisht Balshajt ndërtuan këtu një pikë shumë të rëndësishme doganore, ku kalonin mallrat më me vlerë të kohës, drithërat, kripa, lëkurët… Në vitin 1444, Boja (sipas Kristo Frashërit ajo quhej Roza), sundimtarja e kështjellës ia dorëzoi atë Venedikut. Boja kishte një djalë të vetëm, Lekë Zaharinë. Me emrin e tij të Skënderbeut dhe të Lekë Dukagjinit, lidhet një histori tjetër, ku përzihen keqas, lakmi, për territore, zilia, dhe… si kudo një femër.

Lakmi apo pasion?

Në vitin 1445 u bë dasmë e madhe. Skënderbeu martonte motrën e tij të vogël, Mamicën, me Muzakë Topinë, zotin e Petrelës. Dasma u shndërrua në mort. Lekë Zaharia, i zoti i Dejës, dhe Lekë Dukagjini, zot i maleve në shpinë të kështjellës, u përleshën keq për Jerina Dushmanin, vajzën bukuroshe të një prijësi nga Malësia. Në këtë “dasmë homerike’, sikurse e quan F.S. Noli, mbetën të vrarë 250 vetë sipas rrëfimeve të një prifti bashkëkohës. Dy të fortë vetë u plagosën keq. Në këtë përleshje mbeti i plagosur rëndë edhe Vrana Konti, krahu i djathtë i Skënderbeut. Asnjëri prej dy Lekëve nuk mundi të marrë Jerinën, porse historia vazhdon. Sërish me përgjakje. Pak kohë më vonë Lekë Dukagjini vret në pusi Lekë Zaharinë dhe i drejtohet kështjellës së Dejës (sipas Oliver Jens Schmitt vrasja e Zaharisë u krye nga Nikolla, vëllai i Lekë Dukagjinit). Por para tij kishin vrapuar atje repartet e venedikasve. Ngjarja shkaktoi një çarje të madhe mes Skënderbeut dhe Lekë Dukagjinit, për dekada me radhë ata nuk u panë më me njëri-tjetrin. Zaharia kishte qenë një nga njerëzit më të dashur të Skënderbeut. Papa e kërcënoi Lekë Dukagjinin me shkishërim. Tani Skënderbeut dhe Lidhjes së drejtuar prej tij i kishin ikur nga duart edhe një pjesë e mirë e të ardhurave që vinin nga dogana e Dejës. Ai vendosi të hyjë në luftë me Republikën e Shën Markut. Të mbështetur edhe nga Alfonsi V i Napolit, armik i betuar i Venedikut, shqiptarët dhe malazezët hynë në luftë në fund të 1447-s. Skënderbeu rrethoi Dejën. Ky rrethim vazhdoi për disa muaj, po aq sa vazhduan edhe tratativat diplomatike. Në verën e 1448-s shqiptarët i mundën venedikasit në një betejë të përgjakshme në breg të Drinit, por Deja vazhdonte të mos dorëzohej. Ndërkohë Skënderbeut iu desh të shkonte në Krujë për të pritur rrethimin që drejtohej nga vetë Sulltan Murati II. Një trupë e tij vazhdoi të mbante të gozhduar qytetin. Ajo drejtohej nga Hamza Kastrioti, renegati i mëvonshëm. Pak kohë më vonë Skënderbeu hoqi dorë nga zotërimet venedikase në Veri. Ai pranoi paqen. Në këmbim të përfundimit të luftimeve Venediku i jepte Skënderbeut dhe trashëgimtarëve të tij një pension të përvitshëm prej 1400 dukatësh. Gjergj Arianiti, vjehrri i Skënderbeut, në këmbim të paqes mori titullin “Condottiere”, një vlerësim që do të dinin ta përdornin mirë më vonë pasardhësit e tij të mërguar në Itali.

Deja vazhdoi të jetë e Venedikut deri në sulmin final të Mehmet Fatihut kundër Shkodrës. Armata e pamat osmane kaloi pikërisht në vendin më të cekët të Drinit: në Vaun e Dejës. Për Dejën, sikurse për krejt Shqipërinë kishte nisur periudha e gjatë e pushtimit osman.

Historianët janë të bindur se e gjithë kjo zallamahi që erdhi për zotërimin e Dejës dhe të kështjellave fqinje e ka fillesën te prirja për të zotëruar territore, te rivaliteti mes Lekë Dukagjinit dhe Skënderbeut, te vlera e pamat që kishte dogana dhe kalimi i Dejës, dhe jo te pasioni për Jerinën që i çoi në gjakderdhje dy trima të Arbërisë. Ka shumë gjasë të jetë kështu, porse nganjëherë edhe ato punët “e vogla” të zemrës kanë çuar në përleshje “homerike”, sikurse do të thoshte F.S. Noli.

Një rast i pazgjidhur

Edhe shekujt e gjatë të errësirës kanë pasur turbullimet e veta. Në maj të 1610-s, Marin Bici, arkipeshkv i Tivarit, ndërmerr një udhëtim të gjatë nëpër Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë. Pikërisht në kështjellën e Dejës ai has në një ekspeditë ndëshkimore osmane kundër malësorëve dhe detyrohet të largohet me të shpejtë drejt bregdetit. Kështjella duket se që në atë kohë ka qenë e braktisur përderisa kleriku e quan “mbeturinat e qytetit të Dejës”. Dhjetë vjet më vonë, në regjistrat e kishës shënohet se famullia e Dejës, ku përfshiheshin edhe fshatrat Mjedë, Zadejë, Laç, Zharavinë dhe Kangagjel kishte 132 shtëpi me 1235 banorë.

Dëbora vazhdon të fshikullojë xhamat e veshur me avull të lokalit të heshtur ku jemi strehuar. Vetëm ndonjë kalimtar i rrallë, hyn pak minuta brenda duke shkundur dëborën nga supet e tij hera-herës dëgjohet vërshëllima e ekspresit të kafesë. Bëjmë mirë të vazhdojmë të shfletojmë këto histori, që tani na duken sikur janë strukur nën vellon e trashë të dëborës…

Këto anë u bënë dëshmitare të një misteri të pazakontë mes klerikësh. Në dimrin e 1622-shit ipeshkvi i Zapës, nga ku varej edhe Deja, i famshmi Pjetër Budi i Gurit të Bardhë të Matit, (autori i “Doktrina e kshtenë”, “Rituali roman”, “Pasqyra e t’rrfyemit”) ishte thirrur për një shërbesë matanë Drinit.

Pikërisht në va, në mes të thëllimit të dimrit mbi lundrën e vogël, hidhet një koleg i tij, Nikollë Leka, Abati i Shën Palit të Kabashit të Pukës. Pjetër Budi bie në ujë. Drini i akullt e përpin sakaq trupin e tij. Ishte 56 vjeç.

Vendin e Pjetër Budit e zuri Gjergj Bardhi, një vendas që kishte kohë që synonte t’i zinte vendin në krye të kishës së Zadrimës së pasur. Abati i Kabashit ishte një njeri i dyshimtë, të cilin Bardhi e përdorte për lloj-lloj punësh. Vetë Vatikani nisi një hetim për këtë ngjarje, porse pa arritur në asnjë rezultat.

Në 1635, Gjergj Bardhi i dyshimtë shkon në krye të kishës së Tivarit, porse pa e hequr asnjëherë mendjen nga Zadrima. Ai propozon në vend të tij nipin, Frang Bardhin, tjetër shkrimtar i vjetër i shqipes, me shpresën se ky nuk do t’i trazonte plagët e vjetra. Por ndodhi pikërisht e kundërta. Frang Bardhi akuzoi direkt të ungjin Gjergj Bardhi si porositës të vrasjes së Pjetër Budit dhe Abatin e Kabashit, Nikollë Leka, si vrasës. Në shkurt të 1642, pas shumë peripecish, në Kallmet nis gjyqi ndaj abatit të Kabashit. Ai drejtohej nga Orsini, arqipeshkvi i Lezhës. Vendimi u dha shpejt e shpejt, abati u shpall i pafajshëm. Në anën e pasme të procesverbaleve të gjyqit, vetë Frang Bardhi ka shënuar se nuk mund të jetë dakord me një proces që u zhvillua pa u bërë ende asnjë hetim. E vërteta humbi në ujërat e rrëmbyera të Drinit. Vetë Frang Bardhi i zhgënjyer nga ajo Shqipëri me të cilën nuk ishte dakord, vdiq në moshën 37-vjeçare. I ungji, Gjergj Bardhi, i mbylli sytë në Zadrimë, me gjithë peshën e mëkateve që mbante mbi shpinë. I akuzuari për vrasje, abati Nikollë Leka i Kabashit i hoqi petkat e priftit dhe përfundoi mercenar diku në Itali

Shekujt e fundit

Për sa kohë që në Shqipëri nuk kishte rrugë, Vau i Dejës do të vazhdonte të jetonte historinë e tij. Nuk ishte më aq i lavdishëm sa në kohë princërish, por gjithsesi… Në 1863, diplomati dhe studiuesi austro-hungarez Georg von Hahn kaloi në këto anë. “… Ndërkohë ne u sollëm nëpër vendet që ndodheshin përreth, duke i kushtuar një vëmendje të posaçme vargut kodrinor, që shtrihej një çerek ore në lindje të degës së lumit në drejtim të kodrës së Dejës dhe i cili përbën fundin lindor të fushës së Shkodrës – shkruan Hahn pasi është ankuar më parë për cilësinë jo fort të besueshme të lundrave mbi të cilat po lundronte - këtu, për çudinë tonë, mësuam që do ta njihnim këtë fushë edhe nga ana lindore, duke qenë se Drini përshkon përqark saj një hark të fuqishëm që drejtohet nga juglindja. Skarpatet e pjerrëta të këtij vargu kodrinor ndodhen në pjesën e tij perëndimore, mbi të cilën janë shpërndarë në mënyrë mjaft piktoreske shtëpitë e tre fshatrave Ganjollë, Gavoç dhe Juban së bashku me arat pjellore dhe pemët e mbjella aty”. Thuajse në të njëjtën kohë konsulli francez në Shkodër, Hecquard e mban mend kështu Dejën: “… Gjenden disa dyqane, një kafene dhe hane të mëdha. Është pika ku bashkohen rrugët që lidhin Shkodrën me Rumelinë; nuk është gjë e rrallë të shohësh aty, sidomos në periudha prurjesh të mëdha, karvanë me nga 500 ose 600 kuaj që presin çastin e duhur për të kaluar lumin. Kalimi i Drinit realizohet me ndihmën e dy trungjeve të gërryera, rreth pesëmbëdhjetë këmbë të gjerë, të bashkuar në skajet e tyre me një copë druri të fiksuar me litarë të fortë. Të vështira për t’u manovruar, këto varka kanë nevojë për katër burra, njëri prej të cilëve i drejton dhe tre të tjerë rremojnë. Pasi janë ngjitur lumit, duke e tërhequr përgjatë bregut sa më larg që të munden, ata lënë menjëherë t’i marrë rrjedha. Edhe pse rrymat janë të shpejta, këto varka marrin gjashtë kuaj njëherësh, ato janë shumë të sigurta dhe fort rrallë ndodhin aksidente…”. Në fund të shekullit XIX, konsulli austro-hungarez Ippen ‘vë re’ lokalitetin, i cili përbëhet nga disa hane, dyqane dhe një postë ushtarake, ndodhet në bregun e majtë të lumit nën një kodër të thepisur shkëmbore, të njohur me emrin Kodra e Shën Markut. Mbi të gjenden rrënojat e një citadel dhe të një kishe. Rreth 400 metra larg bregut ndodhet kisha e përmendur (Shën Mëria e shekullit XIV), e cila sot shërben si kishë famullie për fshatin fqinj të Laçit”. Pamja e qytezës në va me sa duket, nuk ka ndryshuar për dekada me radhë: një grumbull i trishtë hanesh e dyqanesh, me njerëz të lodhur që shkonin e vinin. Të paktën kështu e gjeti në 1930 konsulli italian në Shkodër, Armao. Dhe kështu do të ketë vazhduar deri në nëntorin e 1944-s, derisa një pjesë e ushtrisë gjermane që vinte nga malësitë e Pukës, Tropojës a Prizrenit kaloi në krah të ushtrisë së vjetër. Ishte e fundmja ushtri e huaj që kalonte në këto anë. Ende askujt nuk i shkonte ndërmend se kështjella e vjetër e Lekë Zaharisë do të shndërrohej në një ngrehinë gjigandi prej betoni, me emrin ende të panjohur “hidrocentral”.

Në këmbë të hidrocentralit

Në mesin e viteve ‘60, punëtorë të mbledhur nga i gjithë vendi dhe nga malësitë përreth nisën ndërtimin e një dige gjigande. Kishte nisur kështu, në kulmin e revolucionit kulturor kinez, ndërtimi i hidrocentralit që për disa dekada mbajti emrin e Mao Ce Dunit. Rrënojat e vjetra, kisha e vetme romano-gotike në Shqipëri, të gjitha u përpinë nga dallgët e një liqeni të madh që ishte formuar befas pas digës gjigande. Banorët e vjetër panë me kërshëri sesi lumi, miku dhe armiku i tyre i vjetër u shndërrua në një liqen të madh. Kujtimet Vaut të vjetër mbetën vetëm ndër libra. Për shumë kohë silueta e kishës së Shën Mërisë u shtyp edhe në një edicion kartëmonedhash prej 1 mijë lekësh. Të gjithë e kishim në xhep, por vetëm pak kush ia dinte historinë.

Dëbora sikur është rralluar ca. Për do kohë shëtisim në një lagje që duket sikur është e mbushur me kapanonë vullnetarësh. Është pikërisht këtu vendi ku u vendosën punëtorët e parë të hidrocentralit, shumë prej të cilëve u bënë banorë të përhershëm të këtij vendi të stërmbushur me histori. Vau i Dejës sot është kryeqendra e një bashkie me 13 mijë banorë. Në skaj të kishës katedrale të Shën Kollit, që i kushtohet shenjtit mbrojtës të malësorëve, është ngritur një kopje më e vogël e kishës së Shën Mërisë, asaj që, pasi pa plot e plot shekuj histori, përfundoi mbi kartëmonedhat një mijë lekëshe. Teksa largohemi, vazhdojmë të kemi për shumë kohë mbi shpinë siluetën e rëndë të hidrocentralit të madh.

(Për këtë shkrim u përdorën materiale nga Ermanno Armao, Vende, kisha, lumenj, male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqipërisë Veriore, Korbi, Tiranë 2006; Theodor Ippen, Shqipëria e Vjetër, K&B, Tiranë 2002; Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shekullin XVII, Vëllimi i (1610-1634); Milan Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë, Onufri, Tiranë, 2009; Johann Georg von Hahn, Nëpër viset e Drinit, Horizont, Tiranë, 2001; Lovro Mihaçeviq, Nëpër Shqipëri (1883-1907), “Gjergj Fishta”, Shkodër, 2006; Walther Peinsipp, Populli i shqipeve të malit, Mirdita, Tiranë 2005; Hyacinthe Hecquard, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë, Plejad, Tiranë, 2008; Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, Tiranë, 1982; Fulvio Kordinjano, Shqipëria, Almera, Tiranë, 2007; Oliver Jens Schmitt, Skënderbeu, K&B, Tiranë, 2008, Kristo Frashëri, Skënderbeu, Toena, Tiranë, 2002).  

5 Komente

na ver nje harte admino te lozim i cik ku po germo Baxhaku

Artikull interesant, ku shum te dhena nuk jane pasqyruar ne historine zyrtare. 

Si po shkon bonifikimi i asaj ane apo meqe s'ka rene shi kete vit do te presin deri sa te kemi permbytje pastaj te fillojne nga puna?

po ti moj vajze..... me gjithe keto histori te bukura qe shkruhen , vete e gjen kohe te mendosh per bonifikimet..  nejse , puna jote

Bonifikimet, dy sisteme i bejne smiley Fashizmi dhe Komunizmi smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).