(Me motive nga tregimi “Problemi i parkimit” nga Dino Buxati)

E ku ta gjej një vend për të parkuar? Rradhë të gjata makinash, ashtu ngucur ndaj njëra-tjetrës a thua se do prekin parakolpet. Ne, shoferët, jemi shndërruar në ca fajkoj gjuetarë, në kërkim të një vendi të lirë për të lënë prenë tonë. Duhet të jesh i shkathët, me sy të mprehtë, gati për të sulmuar kur tjetri të hezitojë, sepse ndryshe nuk ia del dot; ke për t’u sorollatur si një gjethe e vyshkur në një pellg me ujë të turbullt.

Ja tek e shoh një vend të vockël për makinën time mikroskopike: vërsulem! Jap e marr ta fus mes dy automobilëve gjigandë. Bëj kujdes se mos çik ndonjërin prej tyre. “Të piu e zeza”, i flas vetes. Duhet të veproj me saktësinë e kirurgut gjatë një transplanti zemre. Për një çast frigohem, pastaj nxjerr kokën nga xhami, edhe pak mbrapsht, sërish përpara dhe ja ku hyra. I lehtësuar fik makinën. Prej hiçit më shfaqet një tabelë: “Vetëm për institucionin”. Ja ku afrohet një burrë i shëndoshë, ma bën me shenjë të zhdukem që aty. Sërish në rrugë, varavingo. Më dhimbset benzina: sot ishte 1850 lek litri. Kur më shfaqet një goxha vend i lirë. Vërsulem për herë të dytë. Ndez bllokazhin dhe fus “indietron”. Një hije e zezë e rëndë pllakos mbi mikroskopiken time. Nga pasqyra ndjek lëvizjet gjithë përtesë të një burri tullac, mbi bluzën e bardhë të të cilit mezi dalloj gërmat: “De puta madre”. E plandos BMW X6-ën aty. Përsëri në rrugë, sorollatje.

Nga larg, një çunak ma bën me dorë. Oh, ky zemërmirë po më ofron një vend për mikroskopiken time. Parkoj në njëzet sekonda. Po mbyll makinën kur ma thotë troç: “Njëmijë lek bën”. Nuk i kthej përgjigje, iki, mjaft benzinë dogja për sot. Ai diç llomotit nga pas. Unë jam duke ia treguar të gjitha këto një miku, kur ai çunaku bamirës me një monedhë njëmijëshe, shkruan mbi kofano: “Më laj”.

Renato Kalemi

Nga cikli "Teatri i Absurdit"

3 Komente

Bukur smiley sikleti i parkimit thone se eshte nje nga shkaqet e stresit te shoferve smiley

Gjynof,jo se nuk ke ku te parkosh,por gjynof qe ke makine.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).