ose Në rrugë askush s’është me të vërtetë i vetëm

“Njeri i zakonshëm” [1] e përkthen më saktë shprehjen në anglisht Man Of The Street sesa “njeri i rrugës”. Këtë të fundit, për të dhënë një përkufizim të shpejtë, e përfytyrojmë teksa çapitet për hesap të tij, i vetëm, me pardesynë gri dhe bastunin e shëtitjes, ose më mirë pa bastun fare, por me një gazetë, një çantë, një çadër, një tjetër objekt çfarëdo që përplotëson individualitetin e tij në rrugë duke e mbyllur në një rreth, duke e mbrojtur e, më në fund, duke ia ruajtur personalitetin kundruall shumë burrave dhe grave të tjera që qëndrojnë apo lëvizin, edhe ata brenda kufijve të tyre, në të njëjtin trotuar apo në atë përballë.

Porse kjo rrugë e “njeriut të rrugës”, populluar nga individë të përcaktuar kaq përpikërisht, rrugë “personash”, një e këtillë rrugë pra, s’është parë ndonjëherë këtejza. Këtu, për çdo burrë apo grua që shkojnë të vetëm, e që sillen si ata që janë vetëm – ecin, lexojnë shpalljet, soditin vitrinat, ia hipin tramit, me një fjalë jetojnë në rrugë – do të ndeshnim dhjetë a shumë më tepër që “shkojnë bashkë”: do të kishim çiftin e të dashuruarve apo karabinierëve, familjen e së dielës, “grupin” e rioshëve, morinë e shërbyeseve dhe shkollarëve, rreshtin e seminaristëve, procesionin, korteun politik, demostruesit. Njeriu i vetmuar në rrugët italiane mbetet diçka e rrallë, përfundon duke u parë me mosbesim dhe frikë.

Italiani i zakonshëm, i ashtuquajturi “njeriu i rrugës”, është më i vërtetë nëse përfytyrohet në shtëpi, me këmishë, ndërsa rruhet, ose shumë-shumë shkallëve, tek porta e pallatit duke folur me portierin për rubinetin a për çelësat. Jashtë portës së pallatit, çdo individualitet, me të cilin e pajisin për çdo herë objektet që i përkasin (shtëpia e tij, portieri i tij, furça e tij e dhëmbëve), zhduket. As edhe çanta, bastuni, a cilido objekt që mund të mbajë me vete, mjaftojnë për të bërë të mundur që ky të mos përpihet nga “bashkësia”, që të mos pushojë së ekzistuari si njeri në një rrugë ku nuk ka njerëz, por grupe dhe turma njerëzish.

Nga kjo edhe prirja e tij për t’u shoqëruar, për “të bërë një copë rrugë me dikë”, për të vrapuar tek një i afërm, tek një i njohur, tek mikesha, miku, armiku, vetëm e vetëm që të mos mbetet vetëm, që të mos e bëjë rrugën i vetëm. Qysh këtej vjen ndoshta edhe frika që të dërgojë “vetëm” gruan, vajzën, djalin. Frikë se mos grupet e tjera i përpijnë duke i larguar nga shtëpia, nga familjarët, nga të njohurit, nga grupet e themeluara prej atij vetë apo të kontrolluara prej tij (prandaj edhe bija mund të dalë vetëm nëse i vërteton që po del “me tezen”, apo me zonjën Konçeta). Frikë, edhe më e madhe biles, se mos tek ata/ato diçka lëviz, se mos zhvendoset ndonjë ingranazh, se mos bjerret kuptimi dhe udha e drejtë, se mos papritur tek ata rizgjohen, si somnambulët mbi kornizën e dritares, individët, “njerëzit e rrugës”, në një rrugë të shkretuar nga njerëzit. Jo më kot rruga, në shumë nga shprehjet idiomatike italiane, është simbol i bjerrjes morale.

Në këtë kuptim, shprehja jonë që më saktësisht përkon me Man Of The Street është “grua e rrugës”.

 

 

----------------

[1] Lucentini bën, nga ana gjuhësore dhe fenomenologjike, dallimin “e njeriut të zakonshëm” (në it. uomo comune), nga “njeriu i rrugës”  (në it. uomo della strada). Shkrimi i mësipërm u botua në janar të vitit 1945, nën titullin “Man of the street?”, në Romën tashmë nën kontrollin e forcave aleate. Pikëpyetja në titull ka qëllimin e dyfishtë që, nga njëra anë të ndreqë një përkthim të pasaktë (pra “njeri i zakonshëm” dhe jo “njeri i rrugës”), dhe nga ana tjetër të përshkruajë karakterin e “italianit të zakonshëm” të asaj epoke duke u distancuar qartë prej tij.

“Në dallim nga njeriu i zakonshëm, Lucentini ishte një anarkist që respektonte rregullat, në publik dhe privatisht”, thotë D. Scarpa në monografinë e tij Uno. Doppio ritratto di Franco Lucentini (due punti edizioni di Palermo, 2011). “Nuk besonte në fe, por pa u bërë moralisht cinik. I kishte tmerr strukturat e pushtetit sepse ua kish njohur dhunën, marrëzinë dhe arbitraritetin: për të njëjtën arsye urrente paaftësinë për autonomi të popullit të tij, familizmin, përçmimin ndaj grave, arrogancën e grupit”.

 

Përktheu: Ilirjana Stringa

Marrë nga Mehr Licht

Ilustrimi: "Qefini i Krishtit", Gazmend Leka

4 Komente

Përkthimi është më shumë se shumë i mirë e kjo nuk është e vetëkuptueshme. Falemnderit!

Fantastike! por te kaloje e premtja nje here smiley

Tema grand, trajtimi OK, perkthimi dinjitoz fare. Me vone me kismet kthehemi prape ketu, por processi i mesatarizimit sapo del perjashta, eshte nje kapje e hatashme, sidomos kur mendon vitin qe eshte shkruar. Pa frike gjithe dekadat qe erdhen me pas mund edhe te pershkruhen si mokra gjigande qe bluan gjithe thepat e individualitet, dite pas dite, pa munguar asnjehere.

por sic thashe, e premtja s'na ndihmon. Pershendes me

Street fighting man

qe ishte edhe konderpergjigjia e Dartfordit ndaj revolucionit te liverpulsave.

Ave!

Shkoi vone dhe nuk kam as fuqi me te shkruaj gjate, por dua te ve ne dukje qe perpjekja per te na limuar thepat e individualitetit atje perjashta eshte ne thelb te mekanizmit te shoqerise se konsumit. Kjo shoqeri e ka te pamundur mbarevajtjen e vet pa arritur zvogelimin e permasve (dimension reduction) jo te domosdoshme, "te teperta", te objekteve dhe subjekteve. Kjo behet per arsye sistemike dhe te lineares se volitshme. Nuk se niset nga ndonje stance e caktuar - porse nga volia e normes, voli ne realizim dhe rendiment. Konflikti midis deshires se vetjeve per individualitet dhe konkurrences qe sjell me domosdo krijimtarine nga njera ane, dhe shtyses per thjeshtim nga ama tjeter zhvillohet cdo dite para syve tane. Ne fakt triumfi i thjeshtimit eshte triumf i diktatoriales (ne te gjitha format qe kjo shprehet, nga polpotizem ne billgejtizem monopolist) - vini veshin tek nje shfaqje e kesaj, shihni nje ngjyrshen ne uniformat e diktatoreve reale apo personazhe (Dr Evil, kim il jong, mao ce dun, kadafi etj).

Jashtë portës së pallatit, çdo individualitet, me të cilin e pajisin për çdo herë objektet që i përkasin (shtëpia e tij, portieri i tij, furça e tij e dhëmbëve), zhduket. As edhe çanta, bastuni, a cilido objekt që mund të mbajë me vete, mjaftojnë për të bërë të mundur që ky të mos përpihet nga “bashkësia”, që të mos pushojë së ekzistuari si njeri në një rrugë ku nuk ka njerëz, por grupe dhe turma njerëzish.

Sepse atje perjashta njeriu behet objekt i observimit, dhe me pas, pas "matrices" e cila qe nga filmi ka marre attribute edhe artistike, ndodh ai qe quhet "tranicion" i individit ne baze algoritmesh te miremenduara (te famshmet matrica tranzicioni qe shnderrojne cdo subjekt qe futet ne to duke e nxjerre objekt si me magji), eshte e tmerrshme kur e mendon, por ne fakt, ne thelb, ti perceptohesh si nje funksion utiliteti dhe nje pritshmeri gjasore. Ashtu trajtohesh. Agoraja triumfoi, u be marketplace, dhe nderroi paradigma, nuk ben njeriu agorane, por ben marketplace-i njeriun, me "mall"-in amerikan si triumfin fundor te zvetenimit konsumerist.

Kujtoj personazhin e migjenit - s'po me vika emri, i ati i Lulit - qe varte fytyren e rruges tek dera kur hynte ne shtepi! shtepia mbetet bastioni i fundit i individualitetit, por c'bastion se... i marre fund! sepse po behet gjithnje e me shume nje fjetore, mbushur ding me konsumerizem, informacion njedrejtimsh dhe si nje vend ku nuk ftohen miq.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).