K-ja, 27 vjeçar i sapokthyer nga jashtë shtetit, ndali hapat përballë ndërtesës katër katëshe. Nën sqetull mban një dosje ngjyrë bojëqielli, ku atë mëngjes kish radhitur gjithë kujdes CV-në, diplomën e universitetit, listën e notave dhe dy letra reference. Njoftimi në gazetë kishte qenë i thjeshtë, tamam për të, u ndje me fat në çastin kur e lexoi.

Në hyrje të ndërtesës iu desh t’ia shpjegonte me dy fjalë rojes arsyen e paraqitjes së tij, teksa burri e vështronte me dyshim nga koka tek këmbët. “Me kë je?”, e pyeti më në fund. K-ja ngriti supet në shenjë se nuk po e kuptonte përse ishte fjala. “Lëre, e mora vesh”, ia ktheu roja, “tani ta pashë dosjen. Tek ky korridori, ec drejt në fund, pastaj majtas, dera e parë”. Korridori i ngushtë, me muret pak të zverdhura, nën oshëtimin e qetësisë, kundërmonte çuditshëm. Trokiti në derë, një burrë ngriti sytë nga kompjuteri: “Bekimi të ka dërguar?”. K-ja i tregoi për njoftimin në gazetë, dosjen, vendin e... “Hm, ngjitu në katin e dytë. Këtu është veç për PDIU-në”, ia preu shkurt burri. K-ja mori shkallët dhe trokiti në derën e parë të katit të dytë. “Jo, jo, s’ke punë këtu, jemi PR-ja, s’ka vende. Shiko në të tretin”. Në katin e tretë kishte më shumë dritë, në mure mbizotëronte e kuqja dhe kundërmonte një aromë e lehtë vanilje. Të gjitha dyert ishin të mbyllura. Diku lexoi gërmat LSI. Shpresat e njoftimit në gazetë nisën t’i shuhen pas çdo shkalle që e ngjiste në katin e katërt. U gjend përpara një ambienti blu, si ngjyra e dosjes së tij.

Trokiti në njërën nga dyert ku dëgjoi zëra, e shtyu lehtë dhe u ndodh para tre fytyrave të qeshura. K-ja belbëzoi për të katërtën herë arsyen e ardhjes së tij. “Ah, më vjen keq. Ky vend pune nuk është më i lirë”, buzëqeshi ai që kishte hijen e drejtorit. Djaloshi bëri të largohej. Burri u mendua gjithaq dhe shtoi: “Mos të ka dërguar gjë, Bekimi?”. K-ja u step për një çast, para se të përgjigjej me gjysmë zëri: “Po”. “Epo, eja ulu, ti je i yni”, u kënaq burri që duhej të ishte drejtori.

 

Nga cikli "Teatri i Absurdit"

9 Komente

Bukur, shkurt e plot domethenie. Psikollogjia e administrates shqiptare. 

Epo edhe emrat keni kopjuar???? Vari lesht!

 

Renato eshte gjithmone i kendshem me keto shkrimet e shkurtra real-letersiste smiley

Xhib, cfare eshte real-letersizmi?

jps, pse merzitesh ti xhan? K-ja perpiqet.

Nuk ka shume rendesi se cfare (konkretisht) eshte, po qe eshte, dmth me pelqen pershkrimi i realitetit shqipotartartar qe ai ben me nje ekonomi llafesh, po dhe thurja e tyre me stil letrar, gje qi e ben me te rjedhshem dhe kendshem shkrimin.

Sidomos dhe per faktin qe keto problemet 'ordinere' nuk para i prek njeri shume ne media.

Pertej kesaj, dhe brenda te qenit shqipospeptik per kedo dhe cdo gje, kush e financon revisten Klan dhe nga kush varet a s'varet? Teksa i hedh ndonje sy kohet e fundit me pelqen, ndaj pyes. smiley

s'merzitem - po do sygjeroja qe autori te behej me shume autentik dhe mos kopjonte personazhet dhe stilin e dikujt tjeter. 

Duket si riprodhim bollywoodian i filmave amerikane.

Kam degjuar se shume shkrimtare keshtu fillojne, duke kopjuar stilet e dashura, them kam degjuar se vete nuk shkruaj, ndoshta edhe prej ketij problemi bollivudian. Sa per K-ne, eshte fatkeqesi per autorin qe mbiemri i tij fillon me ate germe, koincidence e cila rrezik do ta mbaje te lidhur pas xhaketes se Kafkes edhe per ca kohe. Sa per revisten "Klan", fatkeqesite e ketij organi pa komplekse per identitetin tone fisnor ndoshta i trajton K-ja ne nje tjeter skice te bekuar.

Tani me te degjuara, nuk e di, s'mund te them. Per mua kur lexoj keto tregime, kopjimi me del si elefant para syve gjith kohen dhe s'perqendrohem dot. 

Stili i atij tjetrit, formohet duke rrjedhur nga burime te thella ne konceptimin e ekzistences se vet. Si rrjedhim eshte nje perspektive shume unike. Ta kopjosh do te thote se nuk arrijme te shohim autencitetin e ketij kopjaxhiut. 

Te pakten u perftua nje elefant. Sa here te te marre malli per elefantin, R eshte tek K.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).