E kam ndjekur me mjaft interesim debatin mbi çështje të gjuhës që Respublica dhe Shekulli kanë përçuar në faqet e tyre, kryesisht rreth shkrimesh të Ardian Vehbiut e në mënyrë të veçantë pas artikullit të tij të para disa javëve „Pastrim apo pasurim“. I jap plotësisht të drejtë që kujdesi për mosndotjen e gjuhës nga fjalë të huaja, dashurpadashur kthehet në njëfarë policie të gjuhës, që gjuetia ndaj këtyre fjalëve është edhe mënyra më e thjeshtë për të marrë pozitën e kritizerit dhe pastruesit.

E drejtë është gjithashtu që shqetësimet që kemi për përdorimin e gjuhës sonë të bëhen objekte diskutimi në shtypin ose blogët tanë; pasi gjuha është çështje e të gjithë shqiptarëve dhe gabimi më i madh është kur ajo lihet në dorën e ekspertëve, dmth. gjuhëtarëve. Gjuhëtarët, sikurse e thekson edhe Vehbiu, mund të jenë vetëm konsulentë, por ata nuk munden të përcaktojnë zhvillimin e gjuhës. E bënë njëherë këtë gjë, më 1972-shin, por ato ishin kushte krejt të tjera, kushte diktature, që nuk kthehen më. Diktati i një udhëheqjeje i zbërthyer në rregulla drejtshkrimi, vendosi për gjuhën tonë letrare të ngritur mbi dialektin tosk. Është fakt historik që nuk mund të ndryshohet më: gjuha letrare shqipe u vulos nga një kongres gjuhëtarësh – ndërkohë që gjuhë të tjera letrare, sikurse italishtja ose gjermanishtja, janë përcaktuar nga vepra shkrimtarësh të jashtëzakonshëm – mirëpo kjo nuk do të thotë se edhe në të ardhmen ne do ta reformojmë ose nuk do ta reformojmë gjuhën tonë të shkruar përsëri me kongrese gjuhëtarësh, një gabim ky ku bie rëndom sidomos brezi më i vjetër i gjuhëtarëve shqiptarë.

Por që të kthehem te shkrimi i Vehbiut. Më bëri përshtypje një paragraf i tij, e konkretisht ai ku thotë: “Për shkak të lëvrimit të pakët dhe të njëanshëm, shqipja ka mbetur shumë prapa gjuhëve madhore europiane, sidomos në nivelin e komunikimit abstrakt dhe diturak, në çështje të etikës dhe të filozofisë dhe të besimit, të mendimit politik dhe historik, të sociologjisë dhe të psikologjisë. Ata që thonë se shqipja “është gjuhë shumë e pasur”, ose “i ka të gjitha mjetet…” etj., gënjejnë haptazi.”

Kjo tezë mbështetet me fakte si shkrimi i vonë i gjuhës sonë, ngritja e vonë e sistemit arsimor, universiteti i parë më 1957 etj. Të gjitha të vërteta, megjithatë nuk po e bluaja dot lehtë si paragraf. Më erdhi parasysh fusha mbi të cilën punoj rëndom, që është edhe e Vehbiut, konkretisht gjuhësia, më ngushtë gjuha shqipe. Nuk kisha aspak bindjen që kjo degë e dijes, që është dhe ajo bukur fort pjesë e komunikimit abstrakt dhe diturak, është e prapambetur ose dallon nga varfëria e gjuhës.

Për t’u siguruar iu ktheva shkrimeve të dy dijetarëve që mund të quhen autoritete përcaktuese të kësaj fushe: Aleksandër Xhuvani dhe Eqrem Çabej. Ndonëse me një diferencë mbi çerekshekulli në moshë, janë përfaqësues të një shkolle apo të një fryme, që aq shumë ndikoi mbi krijimin e sistemit tonë arsimor, teksteve shkollore dhe atyre diturake, pos që kanë shkruar së bashku edhe disa vepra, sikurse janë Parashtesat dhe Prapashtesat e gjuhës shqipe.

Ajo që gjeta ose rigjeta në shkrime të mirënjohura ose pak të njohura (bie fjala një hyrje e Xhuvanit në një tekst psikologjie të hartuar rishtar prej tij), ma vërtetoi bindjen: kisha përpara një gjuhë të pasur e të larme, për më tepër një gjuhë të zhdërvjelltë që nuk më linte pikë dyshimi se cilësia shprehëse e gjuhësisë shqiptare s’binte aspak poshtë asaj të linguistikës franceze ose gjermane etj.

Ajo që më bëri më shumë përshtypje gjatë punës me këto tekste (që m’u kthye në punë vjelëse) ishte jo aq pastërtia e gjuhës – madje policët që përmend Vehbiu do kishin gjetur aty fjalë të huaja savante për t’i shënuar me kryq – sesa struktura e saj, apo më saktë pjesë të shumta strukturore që ishin natyrshëm të gjuhës sonë. Aq sa në tërësi atë pasuri strukturore mund t’ua pranëvendos strukturave të gjuhës që përdoret sot p.sh. në publicistikën tonë ose në gjuhën e spektaklit televiziv dhe të vish në përfundimin që gjuha ka ardhur… drejt varfërimit.

Ky pohim duhet mbështetur me shembuj. Këta shembuj janë të shumtë, por ajo lëndë që tregon pasuri te Xhuvani dhe Çabej, tek e fundit mund të ndahet në këto katër grupe:

a. struktura gjuhësore ose gramatikore sot të harruara apo pak të përdorura

b. fjalë e frazeologji sot të fjetura

c. përdorime të fjetura ose të harruara fjalësh

d. përdorime metaforike.

Le të shohim shembuj nga grupi i parë. Xhuvani shkruan se diçka e gjen të rëndë, të vështirë. Ai i vjen rrotull apo i sillet një teme, një problemi; në të qortuem (në të korrigjuar) e sipër është një strukturë e veçantë e shqipes, sikurse është edhe tipi me dativ shumë syresh (para pak kohësh shihja një gazetar që shkruante: ata të cilët syresh kujtojnë se… dmth. ky gazetar “syresh” e dinte për sharje); vështirësitë i shton puna se, vazhdon Xhuvani, ndërsa Çabej pëlqen dativin tjetër të tipit njëri prej sish por edhe ndonjë sosh. Këto tipe përemrash vetorë në dhanore: syresh, sish, sosh në përdorimet e gjuhës së sotme të shkruar pothuajse kanë humbur. Te Çabej gjen shpesh edhe përdorimin e foljes do me kuptimin duhet: do parë, do kërkuar etj. Një mënyrë tjetër e zakonshme e ndërtimit të fjalive është ajo që e nxjerr fjalinë e nënrenditur në ballë: Që në krahasimin tonë…, kjo do parë.

Ja disa fjalë e frazeologji që sot mund t‘i quajmë plotësisht ose pjesërisht të fjetura: rrekem, njehen (=numërohen), fund e majë, i qit (= i nxjerr), tue drashtë (= duke patur frikë, duke u drojtur), gjithazi (në përgjithësi, tek e fundit), gërdi (= neveri), grish, pas (= sipas), njomëz (= lastar), misë (= tipar), paravendon, vobekësi (e materialit), nga… tëhu, vendon, i rysur etj.

Ja dhe disa kuptime fjalësh që sot shumë pak përdoren kështu: i pavaditur (i parrahur, i pastërvitur), trupi (më i madh i librit dmth. korpusi), gjithë (dmth. po: gjithë po kjo revistë), edhe (ende), përbri (krahas), shkon (me shumicën e gjuhëve indoeuropiane) etj.

Përdorimi i metaforave apo gjuhës së figurshme, më së shumti me shprehje të marra nga gjuha e folur, u jep shkrimeve të këtyre dy dijetarëve një gjallëri të veçantë, ato mund t’i lexosh shpesh me ëndje si të jenë pjesë në prozë. Kjo vjen ngaqë i gjen të shumta ndërtimet si: Xhuvani: shkoj te burimet (e fjalëve), zgjeroj truallin (e një dijeje), i vë kujdes, e vesh me petkun (e gjuhës shqipe), lënda e shtruar këso dorebie në shpërdorim, shtihen në veprim, vret ndjenjën e gjuhës; Çabej: i përvishem zgjidhjes së problemit, marr ndër sy (= peshoj), luftojnë me shoq-shoqin (argumentet), na shtjellohet para syve, derdh dritë mbi, kanë sy më shumë për, shënoj rrëshqimthi, fijet e përndara (të popullsisë) etj.

Meqë jemi në fushën e gjuhësisë, mund të shënojmë se në një kohë relativisht të shkurtër që fillon me Sami Frashërin dhe përfundon me Xhuvanin, u krijua për këtë degë të dijes një terminologji që mund të quhet sot e konsoliduar. Vetëm Xhuvani ka krijuar emërtime që sot mund të na duken të vjetra e të konsoliduara prej kohësh: zanore, bashkëtingëllore, parafjalë, lidhëz, gjini, pasthirrmë, rrjedhore, pësore, pjesore, kryefjalë, kallzues etj. Po kështu për psikologjinë ka krijuar e ka futur nga gjuha e popullit fjalë sindijim, hetim, ngacmim, parafytyrim, mbresë, hulumtim, përvojë etj.

Lind pyetja: Si ka mundësi që për gjuhësinë, pjesërisht edhe në psikologji e pedagogji, terminologjia zuri vend kaq shpejt, kurse në dije të tjera si filozofi, sociologji, komunikim etj., kjo nuk ndodhi e nuk po ndodh? – duke i dhënë të drejtë pjesërisht Vehbiut në pohimin e tij?

Mendoj se kjo ka të bëjë me periudhën diktatoriale që jetuam dhe me këtë periudhë gjysmë-anarkike që po jetojmë. Ndërsa nën sistemin socialist u bënë përpjekje për të rrënjosur terminologji në fusha si filozofia, ekonomia politike, deri dhe anatomia, përgjithësisht pa sukses, ngaqë vinin të diktuara nga lart poshtë, me kufizime e përjashtime të shumta, me sajesa  pa shije, si rrjedhim i izolimit të Shqipërisë, sot jetojmë një kohë kur, edhe nëse propozimet e dikujt për terminologji nga fushat e ndryshme të dijes mund të jenë të mira, ato nuk respektohen e nuk zënë vend, pasi sot askush nuk ka respekt për askënd, aq më pak për ndonjë institucion. Në kohën e Sami Frashërit, Konicës, Xhuvanit, kishte shumë më tepër patriotizëm, shumë më tepër besim te kultura dhe te kombi shqiptar sesa ka sot, në atë kohë njerëzit me dije respektoheshin dhe ky respekt kthehej në autoritet produktiv dhe kodifikues për kulturën.

Me sa kuptohet, shkaku kryesor që po bën të humbasë dalëngadalë edhe ajo pasuri diturake që e kishim – me botime të shumta, përpara, gjatë dhe pas Luftës – janë në radhë të parë dembelia dhe padija. Dembelia për t’u kthyer te veprat që ekzistojnë të shtypura, padija, që na bën të kënaqemi me veten dhe në valën e mosrespektit të harrojmë se gjuha jonë mund të shkruhet dhe flitet shumë më mirë se ç’bëhet sot. 

 

4 Komente

Zyra e Dritëshkrojës "Marubi"

http://img690.imageshack.us/img690/9180/69407970.jpg

Do e lexoj me nge, por ne lexim te pare me pelqeu bukur mire.

Do ta lexoj me vone... me behet qefi qe ka marre veten iher per iher..

Ja disa fjalë e frazeologji që sot mund t‘i quajmë plotësisht ose pjesërisht të fjetura: rrekem, njehen (=numërohen), fund e majë, i qit (= i nxjerr), tue drashtë (= duke patur frikë, duke u drojtur), gjithazi (në përgjithësi, tek e fundit), gërdi (= neveri), grish, pas (= sipas), njomëz (= lastar), misë (= tipar), paravendon, vobekësi (e materialit), nga… tëhu, vendon, i rysur etj

 

Fjala gërdi përdoret dhe sot, bile pjesa veriore dhe Kosova përdor këtë fjalë dhe rrallëherë fjalën neveri. 

Jo vetem qe disa fjale harrohen, por zevendesohen pa nevoje nga fjale te huaja. Shembull eshte Adi Krasta. Prezantuesit e programeve televizive duhet te bejne nje kurs gjuhe shqipe.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).