Ideologjia e dedikimit ndaj BE, si shuarje e mohim i subjektit plural (popullit politik)

Ideologjia perëndimoro-europianiste, dominimi i opinionit publik e politik prej premtimeve të pambarimta të politikanëve të të gjitha palëve, në Shqipëri ka marrë përmasa të stërmëdha. Disidenca e kritika ndaj kësaj ideologjie nuk pritet mirë, përkundrazi, përbuzet e kundërshtohet haptazi, duke të kujtuar në një farë mënyre, hegjemoninë e një tjetër ideologjie, asaj para ’91. Por nëse totalitarizmi i shkuar u shfaq si një tragjedi, ky i dyti – për të kujtuar parashikimin e Hegelit – shfaqet si farsë. Duket komike të shohësh se si në pluralizmin e shumëpritur palët kritikojnë njëra-tjetrën se kush është më në përputhje me udhëzimet e BE-së apo të miqve tanë perëndimorë. Politikanët garojnë me dekorata që shpallen në progres-raporte, dhe kritikojnë njëri-tjetrin po me ato progres-raporte. Ministrat mburren për kontribute konstruktive kombëtare në strukturat ndërkombëtare. Me pak fjalë, janë të gjithë në të njëjtën rrugë, ecin në të njëjtin drejtim, i shërbejnë qëllimit të njëjtë, dhe akuzojnë njëri-tjetrin për sabotazh apo për ngadalësim të procesit. Dhe, këtë e quajnë pluralizëm… Gjithçka merr formën e melodramës dhe anon nga komikja, nëse mban parasysh p.sh., diskutimin që zhvillohet aktualisht në BE apo rëndësinë që paraqet Shqipëria për vetë BE-në. Situata të bie ndër mend një këngë nga ato që s’i harron dot, pse janë tepër kitsch, “Livin’ on a prayer”, të Bon Jovi-t (Bon Jovi rastësisht përfaqëson, bashkë me një sërë pop-rockerash të tjerë, ardhjen e muzikës pluraliste-demokratike ndër ne). Refreni i këngës së shkruar gjatë periudhës reagan-iste në SHBA shkon kështu: Duhet të vazhdojmë me atë çka kemi / nuk ka rëndësi në ia dalim a jo… jemi në gjysmë të rrugës / jetojmë në një lutje… kapemi përdore se një ditë do t’ia dalim / jetojmë në një lutje!

Që prej fillimit, projekti europianist pati kritika edhe në vendet që sot e drejtojnë e janë qendrore për të, e duhet thënë se u desh shumë që ky projekt – fillimisht margjinal e i implementuar në terrene të ngushta të bashkëpunimit sektorial ekonomik – të bëhej hegjemonik e sundues. Gjatë gjithë dinamikës zhvillimore ky projekt u kritikua e u kundërshtua, natyrisht jo në mënyrë monolineare, e jo për të njëjtat arsye apo interesa, si prej të djathtëve, ashtu edhe prej të majtëve. Kritika populiste, kritika intelektuale, po edhe kritika shkencore, të cilat edhe pse kurrë s’pushuan – e njohën momentin e tyre të margjinalizimit, sidomos menjëherë para e pas rënies së komunizmit dhe gjatë viteve ’90 (the happy nineties). E me ardhjen e depresionit të madh të shekullit të ri, kritikat duket se po dalin prej zgripeve e po përqafohen edhe më gjerësisht në politikën institucionale e në atë qytetare, si në vendet e BE, ashtu edhe në vendet që presin të hyjnë (integrohen) në BE. Kriza duket se ka sjellë argumente e ka ekspozuar fakte mbi rrënjët ideologjike të këtij Bashkimi, të cilit nëse ia sheh me imtësi të dhënat ekonomike, ia dallon qartë pabarazinë mbi të cilën është ndërtuar, në formatin qendër – gjysmë-periferi–periferi, pabarazi të cilat e bëjnë të pamundshme lirinë (këqyr fjala vjen, marrjen nën administrim të vendeve që nuk shlyejnë dot borxhet, duke e anuluar kështu demokracinë qua lirinë). Në të njëjtën kohë, këto pabarazi bëjnë të pamundshme vëllazërinë. A mund të jenë grekët – që po etiketohen si dembelë e si mashtrues – vëllezër të gjermanëve, punëtorëve shembullorë? E pamundur të konsiderohen si vëllezër grekët – tash që është hedhur në diskutim në tryeza tepër serioze përzënia e tyre – ndërsa po rishfaqen edhe stereotipizimet e popujve të tjerë (PIIGS – jugorët që nuk e paskan atë “etikën” e veriperëndimorëve, që mashtruakan, që njohin vetëm qejfin e ahengun… ndryshe nga ata që po punojnë sa po u bie bretku në Gjermani). Ky fenomen s’është as i ri, e as i paanalizuar – e rishfaqja e tij gjithashtu luan rol në zbehjen e entuziazmit europianist brenda e jashtë BE-së. Na del se ky bashkim, i krijuar për të mposhtur nacionalizmat, në rrekjen e tij për të krijuar një tjetër nacion, më të madh e më të qëndrueshëm, nuk paska prurë as barazi, as liri, e as vëllazëri. Gjithçka që rreket të sjellë na qenka më shumë siguri për kapitalin e për tregjet, stabilitet për investimet e garanci për lëvizjen e lirë të mallrave e të krahut të punës…

Këto kritika, si dhe shumë të tjera që vijnë prej këndvështrimeve të ndryshme, gëlojnë në ambientet akademike e publike të vendeve të ndryshme europiane, por jo në Shqipëri. Te ne kritikat ndaj “idesë europiane” janë të rralla, tingëllojnë disi të çuditshme, e nëse dikush i ngre, nuk ia përtojnë shumë për t’i ngjitur etiketa: “anti-europian”, “anti-perëndimor”, “anti-integrues”, pra kundër të ardhmes së shndritshme, e në mënyrë implicite, pro të shkuarës së errët. Ndërkohë, opinionin ndërkombëtar e përfytyrojmë njësoj si këtë tonin, monolitik, monolinear e tërësisht pro-perëndimor. Që këndej rrjedhin akuzat e tipit “këtë mendim apo projekt nuk ta pranon Europa”, duke pretenduar që ekziston vetëm një Europë (moniste, ku palët janë dakord të gjitha), pikërisht meqenëse ne na imponohet vetëm një Shqipëri, e tillë.

Themelet

Pyetja thelbësore për t’u shtruar është se, pse pikërisht në Shqipëri, por edhe më gjerë ndër shqiptarë, europianizmi është një projekt politik dominant, i pakritikueshëm, një vlerë tek e cila (sipas sondazheve) e gjen veten një shumicë dërrmuese e popullsisë, pakrahasimisht me vende të tjera, qofshin ato në Europë, qofshin jashtë?

Përgjigjet më të thjeshta janë përgjithësisht të paplota, edhe deri diku e ekspozojnë arsyen vetëm në nivel partikular, duke pjellë të tjera pyetje. Dihet që Shqipëria nuk ka ndonjë kapitalizëm të sofistikuar, as ndonjë treg domethënës, as ndonjë përqendrim të shqueshëm të kapitalit vendas, kështu që një pjesë e arsyeve politike që nisin prej një këndvështrimi politik të shtresës së sipërme, bien. Po ashtu, bien arsyetime të nisura prej shtresave që ndodhen më poshtë, pasi Europa qartësisht nuk është ndonjë parajsë sociale, parë në dritën e zhvillimeve të fundit. Ç’i bën pra, të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, të dëshirojnë kaq shumë këtë “diell që lind nga perëndon”?

Për t’iu përgjigjur pyetjes, ndoshta do duhet të kthejmë vështrimin shumë më pas, në çastet kur u themelua shteti ynë, me institucionet e tij dhe me ideologjinë që e mban më këmbë, kështu siç ajo shfaqet në diskutimin publik, po edhe në imtësitë private të saj.

Walter Beniamin shkruan tek “Kritika e Dhunës”, se në rrënjë të cilitdo proces institucionalizimi, qëndron një akt i dhunshëm, e premisa ime është se instituimi i shtetit modern shqiptar themelohet në kolapsin shoqëror që përfaqësohet prej eksodit të ’90 – ’91. Themelet e këtij sistemi, përfshi edhe weltanschauung-ët e aktorëve të ndryshëm që e mbajnë gjallë në dialektikën e tyre konstruktive e konservatore, fillojnë pikërisht aty, para rrëzimit formal të sistemit, para rrëzimit simbolik të bustit, te qindra-mijërat që vareshin nëpër kavo të anijeve në portin e Durrësit, duke shkelur njëri-tjetrin në një garë të dhimbshme për të ikur prej vetes publike. Ky spastrim etnik gjigant, ndoshta zhvendosja e grupit më të madh të popullsisë – brenda kohës më të shkurtër – që ky vend kish njohur në kohët moderne, u bë gur themeli për pushtetin që pasoi. Ky vullnet kolektiv për të ikur prej kolektives u mitizua, së bashku me individin kurbetqar, heroin e kohës që erdhi. Ikja e tyre shënoi lindjen e ideologjisë së re nga hiri i së vjetrës përmes një dhune pa pararendës. Dikush mundet të mbrojë idenë e zakonshme, se ata njerëz zgjodhën lirinë – lirisht, dhe e gjetën këtë duke shkuar e duke u arratisur prej një kampi përqendrimi. Mirëpo, ky shpjegim është i cekët. Dhuna qëndron pikërisht në faktin se ata qindra-mijëra patën vetëm dy zgjidhje; ose të rrinin në vendin e tyre të mjerë, ose të merrnin rrugën e mjerë të kurbetit. Dhuna jetësohet në formën e një shantazhi, në formën e kinse-zgjedhjes së lirë midis vetes tonë publike, shtetit tonë represiv, ose dhunimin tjetërsues që ngjet kur i bashkëngjitesh publikut të tjetrit – duke u bërë më pak se hiçi. Dhuna është mungesa e një alternative të paqtë, ofrimi i mundësive për të zhvilluar vetveten moralisht, shpirtërisht, intelektualisht e materialisht në vendin tënd. Kjo dhunë themelore instituoi këtë shtet që e kemi edhe sot, i cili vijon t’i vendosë shqiptarët masivisht përballë të njëjtit shantazh të dyfishtë. 22 vjet më vonë, shumica “zgjedhin lirisht” të njëjtën alternativë që zgjodhën refugjatët në ’90-’91.

Kjo suazë ideologjike u vu shpejt në provë, Fondi Monetar Ndërkombëtar pruri të ashtuquajturat “Structural Adjustment Programs”, reforma të parapara në famëkeqen “Terapi të Shock-ut”. Jo vetëm që kjo doktrinë u mirëprit e nuk u kritikua, por shoqëria ndihmoi për shumëfishimin e efektit të saj, duke prerë me ndërgjegje të plotë degën mbi të cilën rrinte. Nuk qenë kriminelë ata që vidhnin pronën publike, por popull. Jo rrallë, ata që prisnin pemët frutore e agrumet qenë vetë agronomët, dhe ata që zhvishnin fabrikat prej makinerive të metalta që shkonin për skrap qenë vetë inxhinierët, ashtu si sot, që dija po dëbiret nga vetë universitarët. E gjithë kjo festë e shkatërrimit rezultonte në më shumë arratisje, e vetë ekzili merrte forma të ndryshme. Një pjesë vetë-ekziloheshin maleve me borë, drejt Greqisë që nuk i priste krahëhapur. Një pjesë nxirrnin dokumente false, ndryshonin emra, fe, profesion për të shkuar. Një pjesë ekziloheshin në terren të imagjinatës, duke iu dedikuar besimit te fitimi i shpejtë (duhet lexuar mirë përqafimi i fortë që shqiptarët i bënë skemave Ponzi krahasimisht me vende të tjera të Europës Lindore).

Qeveritë shqiptare që pasuan njëra-tjetrën, fillimisht dhunshëm e tash gjithnjë e më paqësisht, s’e vunë kurrë në pyetje këtë dhunë fillestare (e si do të mundeshin, a vihet në pyetje themeli i pushtetit…). Premtimi që përsëritej më shpesh ka qenë integrimi euro-atlantik, një farë vaniteti simbolik që e ka kryer funksionin e vet më të mirë kur është shqiptuar nga gojë të përbindshme e prapë ka qenë në gjendje të paqtojë mllefet legjitime që i lindte një realitet i egër e tragjik në përditshmërinë e vet që zhvillohet jashtë dritave të spektaklit televiziv, jashtë kafeneve e restoranteve të ish-Bllokut, apo jashtë lagjeve rezidenciale që janë Blloku aktual.

Livin’ on a prayer

Hegjemonia, në një analizë gramsciane, zhvillohet në tre territore të pushtetit; në atë ekonomik, në atë politik, e së fundmi (dhe ndoshta më brutalisht) në atë të kulturës së përbashkët (common sense, që i thotë anglezi). Institucionet që e garantojnë janë ato që Hegeli ia përshkruan publikut; familja, shoqëria civile dhe shteti. Kështu, edhe në rastin tonë, ideologjia europianiste, kjo ide e largimit prej publikut ku jemi bashkëpjesëtarë (në krim/krijim) te publiku ku jemi të huaj (se krimin fillestar e ka bërë tjetri), mund të analizohet si e shtrirë në këto terrene.

Pra, kemi shtetin europianist, forcat e armatosura ndërkombëtare që forcojnë prezencën e tyre, ndërkohë që zbehen ato kombëtaret. Shteti ofron institucionet që imponojnë stabilitetin. Policia dhe politika janë legjitimueset e këtij stabiliteti. Brutaliteti në fjalë, ndryshe nga situatat tipike, nuk përfshin vetëm përdorimin e forcave të armatosura vendase, për të instaluar tretjen e subjektit shqiptar në Perëndim, shuarjen e tij dhe stabilizimin e situatës së re. Brutaliteti mbështetet edhe nga pushtetet e jashtme, perëndimorët, që si keyword për këtë anë të botës kanë stabilitetin. Ruajtjen e status quo-së. Siç thotë dhe kënga e sipërpërmendur, we gotta hold on to what we got

Ekonomikisht, Shqipëria është shndërruar në një periferi tipike perandorake, në një vend që shërben vetëm për të prodhuar trupa (se mendimi, ai që prodhon zhvillim edhe rregull vjen nga importi), qofshin këta trupa krahë të lirë pune, apo mish për top, apo femra për trotuare të qendrës. Publikisht kjo është quajtur liberalizim i tregut, edhe pse në fakt ka qenë asgjësim i prodhimit dhe shndërrim në një ekonomi tërësisht tregtare, pra tërësisht të varur prej së jashtmi, me një bilanc që shkon prej shiut në breshër. Privatizimi i industrisë ekzistuese, në fakt, ka qenë vetëm shitje e tokës, pasi ka rezultuar jo në zhvillim të industrisë, por në vdekjen e saj. Qendra e ekonomisë qëndron gjithnjë e më jashtë, te investimet e huaja (a janë e ku janë?), te remitancat, te ndihmat (nëse kujtojmë pakot me lëmoshë që shoqëronin reformat strukturore). Mirëpo, në të njëjtën kohë ekonomia përfaqëson një prej aktiviteteve të rëndësishme të shoqërisë, e kur ajo është ekscentrike (qendërjashtësuar), shoqëria fillon të sillet çuditshëm. Duke kuptuar se pakogjë ka mbetur në duart e saj, shoqëria civile shndërrohet në një kor eumenidesh, shoqëria nis të lutet që gjithçka do të shkojë mirë, që dikush prej së jashtmi do ta zgjasë dorën, shoqëria nis të jetojë brenda lutjes së saj. Si në këngën e Bon Jovi-t, (shpeshherë këngët e shëmtuara ekspozojnë të vërtetat e një realiteti mjeran). Living on a prayer.

Kjo ekonomi është thelbësisht e politizuar, jo vetëm për shkak se prodhon pushtetin për ata që (tashmë tradicionalisht) sundojnë në këto 20 e ca vjet, po edhe për shkak se si parim kryesor ka konformimin me tregjet globale – siç po quhen zyrtarisht ekonomitë e zhvilluara në mënyrë të pabarabartë, që riprodhojnë dominim e që ngurtësojnë shtresëzimin. Pikërisht përmes riprodhimit dhe zgjerimit të diferencave imponohet fundamentalizmi i tregut si e vetmja rrugë, e cila paketohet bukur, herë prej njërës palë e herë prej tjetrës, kur vjen puna te fushatat elektorale apo lokale. Kultura e mirëpranuar që prej familjes patriarkale e gjer te ish-çunat e ish-gocat trendy të shoqërisë civile, apo opinionistëve nëpër gazeta, që ripërtypin të njëjtin bar të vjetër duke mos pranuar të shkelin parime të reja. PD-ja e PS-ja (edhe me programin e ri të fundit) i blatohen garës, ndërsa meritokracia shfaqet si vlera kyç për një mentalitet që synon të luftojë korrupsionin, sepse mendon se vetëm kjo është e keqja e kësaj që po ndodh. Qëndrim tipik borgjez, përmes një morali sipërfaqësor fshihet pranimi i shtypjes, dominimit dhe pabarazisë si inherente, ndërkohë që ngre shqetësimin e cenimit, të prekjes së pronës private nga të korruptuarit. Retorika anti-korruptive është shtylla përbashkuese e palëve politike, sidomos kur ato janë në opozitë, duke mohuar kritikën esenciale e duke u ndalur te ajo moralizuese e moraliste. Të përbashkuar kundër vjedhjes, pa analizuar arsyet se pse ndodh ajo, të përbashkuar kundër atyre që nuk e meritojnë pasurinë e shkëlqimin – që rezervohet veç për më të mirët. Jo për kushërinjtë e dajallarët, po për më të mirët. E mira vjen në pushtet, take my hand and we make it someday…

Ndërkohë, individi që i hyn kësaj gare barazohet me pionierin e filmave western. Ai që prej njëzet e kusur viteve dëshiron të shkojë drejt një horizonti perëndimor që përditë ndryshon (parafrazimi nga Paul Virilio). Sa më shumë përparon pionieri, aq më shumë largohet horizonti. Kjo është veti tipike e horizonteve virtuale, ato të përcjella mes mediave (që në momentin ngjizës kanë qenë italiane, e sot Hollywood-i botëror), mes rrjeteve sociale, mes informacionit të marrë në universitetet private, prej profesorësh të arsimuar në Google apo prej thashethemit të përgjithshëm. E megjithatë, politika, shteti, institucionet e shoqërisë civile a tregtare, me qindra syresh vijojnë të përsërisin se rruga e nisur në ’90 – ’91 duhet vazhduar cause it doesn’t make a difference if we make it or not. Të gjithë vazhdojnë të tundin para syve të ndonjë të hutuari gogolët e dordolecët e ish-komunizmit apo ish-fashizmit, Sadamin, Ghaddaff-in, Kim Jong-Un apo Chavez-in e të tjerë. Besnikëria ndaj shantazhit fillestar mbetet maksimale, vërejtjet që nuk konformohen, reduktohen ad-enverum.

Qendra e këtij pushteti gjendet në Europën e Bashkuar. Ajo është parajsa e premtuar për këtë purgator, edhe pse me mesazhet që jep konfirmon se gjithnjë jemi half-way there. Telosi religjioz, e pambërritshmja në këtë botë, konfirmon procesin e sakrificës dhe flijimeve, të pabarazive, të vëllazërive që ta mohojnë subjektivitetin (grekët mund të ishin shumë mirë sot, po të ishin si gjermanë, madje pse jo gjermanë), të jo-lirive që dalin në sipërfaqe p.sh., si austerity measures, si masa shtrënguese. Ca e shohin këtë punë si një gotë gjysmë plot, e ca si një gotë gjysmë bosh. Mirëpo, kjo punë duhet parë ndryshe. Nuk ka kuptim sot të jesh euroskeptik apo euroentuziast. Sot është e domosdoshme të ndryshohen termat, pikërisht prej konceptit fillestar revolucionar publik, të flitet me terma të lirisë, barazisë e vëllazërisë, si kondita që duhen plotësuar jo veç mes individëve, po edhe mes subjekteve publike, kombeve e popujve. Vetë internacionalizmi (në thelb, ndërsubjektiv) duhet shkëputur e duhet shpëtuar prej mbivendosjes së globalizmit (asimilues e shtypës). Në linja të tilla duhet të mendohet një tjetër Europë, pa qendra e periferi, pa zhvillim të diferencuar, e mbi të gjitha pa mohim të subjektivitetit nacional. Çdo projekt tjetër do të vazhdojë të pjellë dhunë për ne, që edhe pse ende s’jemi pjesë e BE-së, tashmë jemi pararojë e dedikimit popullor europianist, e në fakt rezultojmë si kombi më europianist brenda e jashtë Europe.

 

(Teksti i mësipërm përmban, ndoshta më shumë sesa duhet, fjalë anglisht. Mirëpo, kjo është lingua franca e perandorisë së re, qytetar i së cilës nuk mund të jesh pa zotëruar aftësitë komunikative në këtë gjuhë. Madje, as punë nuk gjen dot. Me sa duket, këtë e ka kuptuar mirë qeveria shqiptare, që po kujdeset të imponojë provimin në anglisht për secilin të diplomuar universitar).

20 Komente

Cdo gje e sakte edhe e drejte Arber,

po me duket sikur ke anashkaluar Pyetjen kryesore, domethene, " Cilat jane te mirat e cilat jane te keqijat qe do i vinin atdheut nga hyrja ne BE?"

Standartizimi, mbrojtja e konsumatorit, levizja e lire e punetoreve, mallrave, rritja e konkurrences, monedha e perbashket, te drejtat e njeriut.

Te mirat keto. Te keqiat ndonje tjeter.

analiza me duket e sakte, dhe sintetizuar mire.

Para ca kohesh po degjoja disa intervista te bera nder kroate me rastin e referendumit per hyrjen ne Be. Nder te tjere ishte nje i ri kroat qe rendiste gjithe disavantazhet e hyrjes ne Be, qe pak a shume i dine te gjithe, arsye euroskeptike. Por ne fund te intervistes tha se megjithate do te votonte pro hyrjes.

Me nje fjale kjo puna e integrimit duket se i shpeton cdo lloj kritike, qofte dhe asaj te artikuluar, me ane te kesaj prralles se ushqyer prej kohesh te europeizmit. 

Ne 90 perqind te tyre shqiptaret as nuk e kane haberin se cdo te thote Be, cfare implikon, e jo me te kene idene se cfare fshihet pas kesaj hajmalie te bukur.

Po lexoja para ca kohësh një libër të P.Milos për BE-në botuar pas viteve 2002. Në fakt ky është libri i dytë i profesor Milos, pas librit "Bashkimi Europian, projekte dhe dështime" të botuar para viteve '90.

Nejse, tek ky libri i dytë pro-europianist, flet për dy rryma brenda BE. Krahu "ndërqeveritar" dhe krahu "mbiqeveritar". Psh, De Gol dhe Adenauer mendonin një Europë ku institucione ndërqeveritare (si Këshilli i Ministrave) të ishin themeli i Europës. Ky mendim ka qenë shumë i fortë në Francë.          Kurse krahu 'mbiqeveritar' donte që institucionet e BE të ishin mbi qeveritë vendore (siç po del tani Komisioni Europian).

Kështuqë ky projekti i Europës "pa qendra e periferi" dhe "pa zhvillim të diferencuar" ka vdekur me De Golin e Adenauerin, ndjesë paçin (këta dhe projekti). Europa do jetë kjo që është. Do ketë pabarazi, do ketë kriza, do ketë varfëri e trazira sociale e ku di unë, e kujt i plasi?  Përsa kohë kjo sjell fitime për grupin e vendimmarrësve...

Shume shkrim naiv.

Hegel, PIIGS, Bon Jovi, Shock Therapy, FMN...

Keto me zuri syte ne ate pjese qe u mundova te lexoj.

Kur lexoj (pjeserisht) z. Arber Zajmi, s'di pse me vjen nder mend receta per pergatitjet e gulash hungarez nga libri "Tre shoke ne nje barke" i Jerome Jerome. Dhe me vjen nder mend pjesa e fundit e pergatitjes te gulashit, kur qeni duke dashur te kontribuoje sjell nje mi te kapur nga bishti.

Koment i hidhur por nga ana artistike i arrire. 

- Do e therr derrin - bertiste njani me te madhe. Komshinjte ferkonin duar.

- Do hame mish derri me laker per tre muaj ! *

* Ne ca vende kjo eshte si gjeli i detit me pershesh. smiley

A morrmadh a morrmadh !

 

Ide interesante ajo e zanafillës së narrativës për integrimin evropian. Megjithatë mua nuk më duket e plotë. As më e rëndësishmja. 

Në Shqipëri mungojnë të dhënat me shifra dhe treguesit cilësorë të rritjes ekonomike, mirëqënies sociale etj... Kjo është një arsye tjetër pse "integrimi" mbetet si qëllim primar. Greqia nuk është si Gjermania, natyrisht. Mirëpo në Greqi protestohet si në çdo vend të Evropës, sepse politika psh kërkon që t'i ulë pagat, në të ardhmen. Pra ata protestojnë sot, për të nesërmen. Në Shqipëri është i panjohur ky koncept. Madje unë jam habitur me minatorët e Bulqizës, kur këta protestonin se rezervat do të mbaroheshin për pak kohë. 

Oranje ulja e pagave quhet mohim i nje te drejte te fituar. Sikunder e ka verejtur Kejnesi me duket, paga nominale vleresohet si e paprekshme, nderkaq tek paga reale te gjithe mund te bejne kompomise.

Pra problemi eshte se ne mungese te zhvleresimit te monedhes, keta nuk mund te ulin dot pagen reale (rritja e inflacionit) por direkt tek paga nominale. Ketu pastaj njerezia nuk fal qindin dhe ngrihet ne proteste.

Askush nuk ngrihet se eshte rritur inflacioni (hiq rastet e hiperinflacioni) ta zeme me 15 %, pavaresisht se humbjen reale robi e ka njesoj si t'i shkurtojne rrogen me 15%.

Eh te ishte dhrahmia do kishin bere spektakel me inflacionin dhe s'do kishte fare protesta.

Persa i perket artikullit, ne teresi interesant, gjera te diskutueshme aty-ketu.

Veçse europianizmi tek shqiptaret eshte nje zgjedhje e detyruar prej 150 vjetesh, u ndalua per 45 vjet, rifilloi pas 1990.

Nuk kemi takat te ndertojme nje qyteterim shqiptar, duam-s'duam do t'i bashkangjitemi nje qyteterimi. Aty normal do vuajme ndarjen qender-periferi si te gjithe emigrantet. Ne jemi 'qyteterim emigrant' ne qyteterimin perendimor, sa do arrijme te kthehemi ne subkulture perendimore eshte per t'u pare.

Gjithsesi te jesh kunder BE-se , nuk do te thote te jesh kunder qyteterimit perendimor, ka disa shtete europiane qe jane jashte BE-se e brenda qyteterimit perendimor.

Padituria e shqiptareve pastaj barazon te qenit kunder BE-se si te jesh kunder qyteterimit perendimor.

Mund te jemi europianiste, pa qene detyrimisht dashnore te BE-se, kete besoj se ka kuptuar pjesa me e madhe e atij 20% i shqiptareve qe nuk eshte per hyrje ne BE.

Gjithsesi hyrja ne BE eshte imperativ kategorik, po na grabisin ekonomikisht njesoj, te pakten po te jemi brenda do na i rikthejne nepermjet programeve per zonat e pazhvilluara.

Arber, jam dakort me premisat e shkrimit.  Por besoj se duhet shtyre me tej.  

Marrim referendumin e Kroacise: pjesemarrja 43-44%, votuan pro anetaresimit ne BE 66%.  Shumica e popullesise "u anetaresua" ne heshtje.  Deri tani eshte referendumi me pjesemarrjen me te ulet, me gjithe porosine nga burgu te Ante Gotovines per te votuar pro. (Kjo e fundit thjesht per anekdote.)  Permendja e Kroacise eshte sa per reference.

Ekonomikisht, Shqipëria është shndërruar në një periferi tipike perandorake

Kur nuk ka qene Shqiperia periferi?  Per me tej duke pasur parasysh realitetin e periferive te BE-s cilat jane rrjedhojat ne rastin me te mire te anetaresimit, e ne rastin me te keq?     

Në linja të tilla duhet të mendohet një tjetër Europë, pa qendra e periferi, pa zhvillim të diferencuar, e mbi të gjitha pa mohim të subjektivitetit nacional.

S'duhet fare.  S'ka pse te mendohet e as s'ka pse te inkurajohet ky hamendesim.  

Duket kjarte se ky shkrim nuk i asht drejtu t'gjithe shqiptarve, por vetem nje numri teper te kufizuar njerzish, qe mund te kene shku ne shkolle apo pa CSI/Sex-and-the-City me vemendje e qi mund te perbajne ndoshta 1-3% te shqiptarve. Kshuqe, duke u ndiku nga shifra kaq qesharake, pyes veten, what's the point? - ne g'juhen e perandorise, Arberit.

M'bahet qejfi qe ti, Arber, je duke vu ne dyshim diçka, mbas t'ciles, po vrapojne t'gjithe pa u ndale me mendu per nji moment se per çka e per ku po vrapojne. 

Duke dale dhe nje here tek 1-3%-shi, po te spjegoj se si e mendoj une. Per t'ba me u ndi i sigurt po e rrumbullakosi tek 3%-shi, e per mos t'pase hatermbetje, po e ndaj per 3 - 1 Edi, 1 Sala, dhe 1 Une (nga sa kam pa, te tre ne e pertypim g'juhen e perandorise). Tashi, nuk e di pse, te dy, une dhe ti e dime se Edi e Sala kane per te marre te dy te njajtin qendrim - kunder atyne qe dyshojne ne gjithe kte. Ndersa une... une t'pergzoj! Por mos u gzo. Fakti qe une nuk njoh kend tjeter perveç vedit, ndoshta dhe Arber Zaimit, qe dyshojne, nuk besojne, por dhe e dine se Evropa nuk asht zgjodhja, nuk lejon momente gzimi. Kshuqe, shkrimi asht i shkuem dam! Por fakti qe thashe 1% dhe jo 0.1 apo 0.01, te jep shprese, sepse e dime me siguri qe 1%-shi i shqiptarve, nuk jemi vetem une dhe ti. 

Në linja të tilla duhet të mendohet një tjetër Europë, pa qendra e periferi, pa zhvillim të diferencuar, e mbi të gjitha pa mohim të subjektivitetit nacional.

S'duhet fare.  S'ka pse te mendohet e as s'ka pse te inkurajohet ky hamendesim.

E dashur Monda, ty nga maja e qiellgervishtesit amerikan, nuk ka ç'te duhet subjektiviteti kombetar, se i ke pshurrur me te prej kohesh, po si i thone ka nja 6 milion shqiptare ende ne Ballkan, si thua ti s'kane te drejta kombetare ata, t'u mohohen te drejtat kombetare meqe ti personalisht ke hequr dore nga to ?

 

Ncncncn, prape "assuming" ti?  (Rrokjezimin me deshire ta kam thene.)

Tek fjalia qe ke cituar kam dashur te them qe Europa kjo eshte, me qendra e periferi. E s'ka pse te mendohet ndryshe se as qe mund te ndryshohet, te pakten he per he.

Per te tjerat, rrokjezim te mbare.

Te kam thene qe nuk spik inglish.

Europa eshte kjo qe eshte sepse kjo praktikja (jo ajo imagjinarja qe sherben si imazh) ka dale nga zyrat e ministrise se jashtme frenge per t'i dhene Frances prestigjin e therrmuar prej kapercimit gjerman te Ardeneve. Domosdo Anglia s'ka qene asnjehere entuziaste, ndersa Italia dhe Gjermania e kane pare si mundesi. E thene ndryshe Europa eshte produkt i vendeve te mundura ne L2B me ne krye Francen qe kishte ca imazh (se force kishte zero).

Qe duhet konceptuar nje e re, as qe do mend, po hajde mbushu mendjen Frances e Gjermanise qe Europa nuk eshte prone e tyre, por bashkim vullnetar. Shko thuaji Merkelit e cila e ka mendjen tek eksportet dhe financat gjermane, qe eshte me e rendesishme 'vellazeria' europiane. Thuaju franko-gjermaneve qe nuk mund te pretendojne qe gjithe burokracia europiane te shugurohet prej tyre.

E ke parasysh ti ate to make the world safe for american business, ketu kemi te bejme europen te sigurte per bizneset franko-gjermane.

Prandaj duhet rikonceptuar Europa se eshte konceptuar ne terma imperializmi.

Europa? E pse na duhet?!

Nga Skender Minxhozi

A ka vend për të dyshuar për procesin e integrimit tonë në BE? Ja si përgjigjen katër euroskeptikë

Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa! Ky ka qenë ndoshta slogani i parë politik që është hedhur mbi rrënojat e sistemit 45 vjeçar komunist, në dhjetor të vitit të largët 1990. Kjo frazë ka shënuar rregullisht këto 20 vjet, një kult të ri të paprekshëm dhe të gjithëfuqishëm; kultin e Europës së Bashkuar. Në dy dekada, ky vend ka pasur pak ose aspak njerëz që e shihnin me dyshim turravrapin tonë drejt Bashkimit Europian. Europa ndryshonte, zgjerohej, perfeksionohej, dilte e hynte në kriza ciklike, kurse ne qëndronim të palëvizur në kursin tonë romantik. Euroskeptikët, kaq popullorë në vendet rreth nesh, këtu kanë qenë rregullisht një “specie në zhdukje”. 

Megjithatë nën sipërfaqen e qetë të ujit ka gjithmonë lëvizje. Një sondazh i vitit 2010 i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, tregonte se 89% e qytetarëve të anketuar janë pro integrimit në Europë. Një shifër padyshim e lartë, por diçka më e ulët se thuajse 100%-shi i zakonshëm me të cilin jemi mësuar ta përqafojmë një ideologji a një projekt të caktuar. 

Në këto ditë kur kryeministri i vendit ndodhet në Azerbajxhan dhe kur zëvendësi i tij viziton brenda pak javësh Emiratet e Bashkuara, Libinë e ndoshta së afërmi edhe Katarin, tema e pikëpyetjeve europiane, nëse mund të quhen kështu, duket e gjetur, qoftë edhe si provokacion. Në fakt ajo nuk është e tillë. Sepse si çdo projekt i madh (dhe Europa është një projekt i madh), edhe integrimi europian ka brenda një pafundësi aspektesh, sfidash e detajesh, të cilat jo gjithmonë përputhen me interesat momentale të Shqipërisë, me problematikat e saj të mëdha, me të tashmen e të ardhmen e afërt.

A vlen udhëtimi drejt Europës? A ka një zgjidhje më të mirë se kjo rrugë? Në vetvete këto pyetje, për mendjen e një shqiptari të mesëm, nuk kanë kuptim. Por edhe logjika më standarte sërish çon në të njëjtin përfundim me pasionin e verbër. Europa është destinacioni ynë më i afërt dhe më i dobishëm për interesat tona si shtet dhe si komb. E megjithatë dilemat nuk zhduken, sepse ato janë pjesë e jetës njerëzore. Katër intelektualë të rinj, politologë, pedagogë, juristë e aktivistë të njohur, kanë zbërthyer për revistën Java disa nga dilemat e tyre ndaj sfidës europiane të Shqipërisë. Blendi Kajsiu, Arlind Qori, Andi Kananaj dhe Leart Kola kanë më shumë se një rezervë për mënyrën sesi po afrohemi me Europën e Bashkuar. Ata nuk kontestojnë vetë projektin, por ritmet e afrimit, cilësinë e procesit dhe anët e tij të paqarta për interesat tona aktuale. “Afrimi me Europën s’po na bën një demokraci të mirë”, “Europa përbën një sistem të koklavitur e problematik edhe për vetë europianët”, “Edhe Anders Breivik ishte europian, i kulluar madje”, “BE po na dëmton prodhimet kombëtare” – këto janë disa nga dyshimet që hedhin intelektualët e rinj, të cilët megjithatë i bashkon një pikë e përbashkët: BE është gjithsesi një destinacion i parashkruar dhe i pashmangshëm për shqiptarët. Pra, një skepticizëm i shëndetshëm dhe logjik, i cili duket pjesë e filozofisë së brezi të ri, që nuk e ka më as idolatrinë e vjetëruar të viteve ’90 rreth “ëndrrës europiane”, e as ndjenjën e inferioritetin të panegociueshëm ndaj gjithçkaje të huaj. Një qëndrim që ja vlen të dëgjohet me qetësi dhe pa pasion. 

Blendi Kajsiu - politolog dhe analist: “Afrimi më Europën s’po na bën më perfektë”

Si e gjykoni projektin europian të Shqipërisë, dy dekada pas rënies së komunizmit?

Deri tani projekti europian i Shqipërisë ka dështuar në dy nga dimensionet e tij bazë, atë ekonomik dhe politik. Ekonomikisht projekti i integrimit Europian të Shqipërisë presupozohej që do prodhonte një konvergjencë ekonomike mes Shqipërisë dhe Europës, gjë që nuk ka ndodhur. Pas njëzet vitesh është e qartë se Shqipëria nuk ka ndërtuar një ekonomi konkurruese që mund të prodhojë zhvillim të qëndrueshëm. Deficiti i vazhdueshëm tregtar mes Shqipërisë dhe partnerëve të saj europianë tregon se nga tregtia e lirë ka përfituar më shumë BE-ja sesa Shqipëria. Ndërkohë që rritja ekonomike ka ardhur kryesisht nga aktivitete si emigracioni, që janë zhvilluar në mënyrë klandestine, kundër pothuajse të gjitha direktivave të BE-së. 

Politikisht, integrimi në BE është bazuar mbi paradigmën e kushtëzimit, sipas të cilës, afrimi me BE-në njehsohej me demokratizimin.

Sot është e lehtë të konstatohet që afrimi i Shqipërisë me BE-në nuk ka prodhuar domosdoshmërisht më shumë demokraci. Skandale vrastare korrupsioni, apo edhe vrasje publike të protestuesve kanë ndodhur në një Shqipëri të anëtarësuar në NATO dhe drejt kandidimit për në BE. Në këtë aspekt, ideja se rrugëtimi drejt BE-së prodhon më shumë demokraci është empirikisht e pabazë. 

Ndërsa nga ana konceptuale, ideja se Shqipëria do demokratizohet duke ia deleguar sovranitetin një organizmi supra nacional është paradoksale. Sovraniteti është parakusht për demokracinë që, ndër të tjera, nënkupton ‘qeverisje nga sovrani’ dhe jo delegim të sovranitetit. 

Më konkretisht, procesi legjislativ në Shqipëri, që synon kryesisht riprodhimin e legjislacionit evropian, ka humbur pothuajse çdo kontakt me realitetin tonë social. Kjo ka bërë që procesi i integrimit të prodhojë një inflacion legjislativ që thellon edhe më tej hendekun mes ligjit në letër dhe zbatimit në praktikë. 

Ne prodhojmë ‘ligje europiane’ që jo vetëm janë krejt të pazbatueshme në realitetin administrativ, buxhetor dhe social shqiptar, por që bien ndesh edhe me modelin zhvillimor neoliberal që është ndjekur në këto njëzet vite. Paradigma neoliberale bazohet mbi reduktimin e vazhdueshëm të shpenzimit publik, që shpesh nënkupton reduktimin e administratës dhe të institucioneve shtetërore. Nga ana tjetër, integrimi në BE dhe përafrimi i legjislacionit kërkojnë pikërisht të kundërtën, shtimin e administratës dhe institucioneve shtetërore që do të zbatonin një legjislacion europian. 

Sondazhet e opinionit publik që testojnë preferencën e shqiptarëve për hyrjen në BE dhe në NATO, tradicionalisht kanë treguar shifra të larta përkrahjeje të publikut. A jemi vërtet ne më filoeuropianë sesa popujt e tjerë, apo ky fenomen ka një shpjegim tjetër? A mund të jetë edhe anormalitet, një përkrahje kaq e gjerë?

Mendoj se mbështetja e shqiptarëve ndaj BE-së nuk buron thjesht nga filoeuropianizmi aq sa nga përçmimi i vetvetes. Projekti europian i Shqipërisë pas dy dekadash është transformuar nga një projekt entuziast në një projekt dëshpërues. Nëse në fillim të viteve 90-të parulla ‘E duam Shqipërinë si e gjithë Europa’ bazohej tek entuziazmi i një të ardhme Europiane, sot anëtarësimi i Shqipërisë në BE bazohet tek dëshpërimi me të tashmen shqiptare. E thënë ndryshe, ajo që na bën ta duam sot Europën është humbja e besimit tek vetja. Pikërisht për këtë arsye mbështetja e madhe për Europën është ‘anormale’. Është një mbështetje që buron nga mosbesimi tek vetvetja. Nuk mund të ketë demokraci në një vend ku qytetarët kanë më shumë besim tek institucionet e BE-së, të cilat as nuk i zgjedhin dhe as nuk u kërkojnë llogari, sesa tek institucionet për të cilat ata votojnë. Problemi është se një mbështetje e tillë stimulohet vazhdimisht nga vetë BE-ja.

Një pyetje në dukje e thjeshtë: a jemi gati për të hyrë në Europë? Apo mos ndoshta, për të shmangur rreshtimin në një klub të kategorisë B brenda BE, ia vlen më mirë të presim ditën kur do të jemi realisht gati? Sa përputhet “Europa e tabelave” dhe e rregullave, me një vend ku nuk respektohet as ligji për mospirjen e duhanit në lokalet publike?

Natyrisht që nuk jemi gati për të hyrë në BE, edhe pse duhet thënë se ne jemi në Europë, ndaj nuk ka pse të futemi aty. Problemi është se, sa më shumë do të tentojmë të futemi në BE, aq më pak do jemi gati të bëhemi pjesë e saj. E vetmja mënyrë se si Shqipëria në një të ardhme mund të bëhej anëtare e denjë e BE-së, nëse ajo do ekzistonte ende, do ishte duke hequr dorë për nja tre dekada nga integrimi në BE. Në vend të këtij prioriteti do duhej të vendoseshin prioritete më themelore lokale, që kanë të bëjnë me nxitjen e prodhimit dhe zhvillimit të industrisë vendase, me ndërtimin e një legjislacioni që i përgjigjet realiteteve lokale, me hapjen e vendeve të punës, dhe ngritjen e një shteti social. Këto janë prioritete që sot bien ndesh me shumë nga kushtet e integrimit në BE që ofrojnë një model zhvillimi tashmë të dështuar.

Arlind Qori - pedagog i filozofisë politike: “E dyshoj Europën si “ideologji”

Çfarë do të thotë të jesh euroskeptik sot në Shqipëri?

Të qenit euroskeptik ka si pikënisje skepticizmin dhe jo Evropën në vetvete. E kuptoj skepticizmin si metodë dyshimi mbi çdo pohim të vërtetë të pakushtëzuar, çka përbën bazën e të menduarit kritik. Kësisoj, historia e prodhimeve të mendjes njerëzore mund të ndahet në riprodhimin mendjekyçur të të vërtetave pushtetore dhe shqyrtimit kritik e dyshimit si premisë e konceptimeve çlirimtare të së vërtetës. Çfarë e kërcënon pavarësinë e dyshimit sot më shumë se mendimi unik i domosdoshmërisë së pakushtëzuar të integrimit evropian?! Prandaj, sot, të qenit euroskepktik lidhet pazgjidhshëm me idenë e Evropës si hegjemonizuese ideologjikisht dhe riprodhuese të formave të sundimit praktikisht.

Problemi me idenë e Evropës, më shumë sesa në vetvete me të, ka të bëjë me domethënien dhe funksionin ideologjik që luan ajo në përfytyrimet tona kolektive. Si ideologji, ajo mbështetet në ndarjen e papajtueshme midis mjerimit shqiptar dhe parajsës evropiane. Kësisoj, për ne, Evropa është gjithçka e mirë që s’po mundemi të jemi: është drejtësia përkundër padrejtësisë, mirëqenia përkundër varfërisë, e bukura përkundër të shëmtuarës...Po ashtu, ajo e shpalos karakterin ideologjik në ushqimin e shpresës se, megjithëse ende jemi larg saj, si me magji a për fat të shkruar, na takon e një ditë do të jemi brenda saj. Kjo shpresë magjiplotë shërben si melhem imagjinar për problemet reale shqiptare, e po ashtu, e squll besimin e shqiptarëve në fuqitë e ndryshimeve rrënjësore. 

Kritikët e fesë si ideologji kanë shprehur gjithnjë dyshimin se ndërgjegjja fetare gjallon aty ku shpresa për çlirim të kësajtokshëm mpaket në shpresën e shëlbimit të amshuar. Kështu, mungesa e vendit të begatisë së sotme kompensohet me shpresën e pronësimit të një vendi krah Zotit. Ngjashëm, feja jonë 20 vjeçare është besimi në idenë e Evropës, e cila shërben si dorë hyjnore e shpresës që në një të ardhme të largët, por të sigurt, do të jemi pronarë të begatisë sonë.

Po ashtu, skepticizmi ndaj karakterit ideologjik të idesë së Evropës ngre krye kur kjo e fundit shihet si shprehëse e një identiteti të plotë, të pandashëm, sipëror e model për ne. Evropa, si çdo koncept tjetër, ndërtohet përmes heshtimit të kontradiktave të thella brenda saj. P.sh. evropian, e të kulluar madje, e quan veten edhe Anders Breivik-u, terroristi që vrau dhjetëra norvegjezë. Evropianë të kulluar e quajnë veten sa e sa fundamentalistë e racistë në Evropën e sotme, e sa e sa bartës të botëkuptimeve që synojnë sundim, hierarki e shfrytëzim. Gjithsesi, evropiane është edhe tradita e dyshimit, emancipimit e revoltave për liri e barazi. Kështu, të qenit euroskeptik nënkupton dyshim ndaj Evropës si ideologji, në emër të ideve universaliste-emancipuese, të cilat, njëlloj si antagonistet e tyre, janë pjesë e trashëgimisë evropiane.

A mendoni se pozicionimi që keni marrë publikisht, për të vënë në dyshim “leverdinë” e integrimit europian të Shqipërisë, mund t’ju bëjë jopopullorë, madje antipatikë, për ambientin e zakonshëm shqiptar?

Popullariteti merr rëndësi vetëm pasi bëhet dallimi midis popullatës dhe popullit. Ka popullatë atëherë kur ideologjia, në rastin tonë ajo e integrimit evropian, si shprehëse dhe ngjizëse e praktikave sunduese e ka shndërruar popullin në bagëti me telekomandë në dorë të cilit qëllimet, kuptimet e vlerat i jepen si të pandryshueshme prej së larti. Bagëti sepse preferenca bëhet unike (krenohemi apo jo me shifrat thuajse 100% të dashurisë euro-atlantike?!) e blegërima njëzëri; telekomanduese sepse liria reduktohet në aspekte dytësore të jetës private e jo në larmi mendimesh e projektesh politike: Mund të zgjedhësh kanalin e preferuar, por mos guxo të cenosh shenjtërinë e integrimit! 

Nga ana tjetër, populli shpreh mundësinë emancipuese të çdo shoqërie të reduktuar në stadin e popullatës. Populli themelohet përmes vullnetit të përgjithshëm, që nënkupton se gjithkush, barazisht, merr pjesë në punët e përbashkëta dhe përmes arsyes e imagjinatës çel pakufishmërinë e projekteve politike. Pjesëmarrja ndodh vetëm përmes shndërrimit në militant politik. Veçse ky i fundit nuk mishërohet në trupin e sekserit elektoral apo të dashuruarit mazokist me pushtetarin e sotëm a të nesërm, por në vullnetin dhe angazhimin për të jetuar në një shoqëri të drejtë. Prandaj populli shfaqet rrallë në histori, në kohëra rezistence e përmbysjesh emancipuese. Popull ishin përkrahësit e pakët të Martin Luther King-ut në Alabama e jo hordhitë e panumërta raciste të atyre që mendonin se zezakët janë hallka ndërmjetëse e njeriut me majmunin. Prandaj, simpatia e popullit s’mund të kalojë veçse në rrugën plot hithra të antipatisë së popullatës dhe dyshimi publik ndaj “të vërtetave” ideologjike mëton të ndihë sado pak në themelimin e popullit.

Leart Kola - aktivist: “Europa po na detyron t’i hedhim prodhimet në lumë”

A është një euroskeptik, një qytetar më i përgjegjshëm sesa të tjerët? Apo është thjesht dikush që nuk e njeh procesin, ose nuk ka besim tek ai?

Ka forma të ndryshme qasjeje politike për të qenë euroskeptik. Unë jam euroskeptik, sepse jam aq shumë pro europian sa kjo më bën kundra BE. Shpesh herë në mendjet e shqiptarëve vlerat europiane njehsohen me institucionet e saj, çka nuk është absolutisht e vërtetë, në shumë raste e kundërta është e vërteta. Për këtë arsye në shumë sheshe europiane, qytetarët protestojnë pikërisht kundra këtyre institucioneve. Të jesh euroskeptik në Shqipëri, do të thotë të dalësh përtej klisheve që propozohen nga qeveritë, e të heqësh dorë përfundimisht nga kompleksi i çekut të bardhë. Është fakt, që shumica e efekteve që ka pasur procesi në ekonominë shqiptare kanë qenë as për së largu pozitive. Bujqit në Korçë për vitin e disatë radhazi, po i hedhin prodhimet në lumë, pikërisht prej marrëveshjes së tregtisë së lirë, të propozuar si kusht për integrimin nga BE. 

E vetmja mënyrë për t’i mbijetuar hegjemonisë së institucioneve europiane është forcimi i prodhimit vendor e sovranitetit, e jo heqja dorë përfundimisht prej tyre. Në këtë aspekt, të jesh sot euroskeptik në Shqipëri, do të thotë jo vetëm të heqësh çdo iluzion që problemet do zgjidhen me shkopin magjik europian, por mbi të gjitha të jesh gati për të përveshur mëngët,duke pasur punën si pikën përbashkuese të çdo projekti emancipues, e jo negociatën, marrëveshjet, që në thelb janë vetëm një formë elegante e dallaveres politike.

Sa e keqpërdorur ka qenë karta europiane në politikën shqiptare, në dy dekadat e fundit?

Për të kuptuar, jo vetëm keqpërdorjen ekstreme të kësaj karte, por dhe efektin tragjik të saj mjafton të kujtojmë deklaratën e parë të bërë nga ministri Mediu, pas shpërthimit të Gërdecit. Në mes të atij paniku, fraza që artikuloi ministri, ishte “demontimi është kërkesë e NATO-s”. Sigurisht, kjo nuk ishte e vazhdon të mos jetë një justifikim për vrasjen e 26 shtetasve, e megjithatë është interesante që justifikimi i parë që i erdhi në mend ministrit ishte pikërisht futja në lojë e institucioneve ndërkombëtare. E njëjta gjë ndodh dhe sot, me ligjin për importin e plehrave nga jashtë, kur në mënyre spekulative lihet të kuptohet nga qeveria që kjo është një kërkesë e BE.!!! Kaq e rrezikshme po bëhet kjo sjellje, sa u desh që të dilte një zyrtar i BE-së, për ta përgënjeshtruar. 

Këto dy shembuj ilustrojnë se si politika vendore, pasi ka kontribuar për të krijuar një konsensus gjeneral, në mbështetje të institucioneve të BE, e përdor tanimë si armë kundra tyre, për të justifikuar marrëveshjet korruptive lokale.

Kjo është një politike meskine e cila e shfrytëzon dashamirësinë,dhe pse të lindur nga injoranca, por absolutisht të shëndetshme të popullit shqiptar, ndaj Europës, për të krijuar terrenin e përshtatshëm për korruptim. Sot përherë e më shumë shqiptarët po shohin që BE, në gojën e politikanëve shqiptarë, më shumë se një hapësirë gjeografiko-politike që nxit imagjinatën për një jetë më të mirë,është kthyer në një armë për të shantazhuar kundërshtarin politik,dhe publikun e gjerë.

Andi Kananaj - jurist: “BE, një sistem problematik edhe për europianët”

Kriza europiane ka sjellë jo vetëm dilema të reja brenda 27-shes, por edhe një rivënie në pikëpyetje të procesit të zgjerimit. Çfarë Europe po gjejnë vendet të cilat bëhen gati të hyjnë në të, në të ardhmen e afërt?

Europa që do të gjejmë kur/nëse do të futemi ndonjë herë brenda rrethit, do të jetë një Europë shumë më pak europiane se sa jemi mësuar ta mendojmë. Gjendemi përballë një Europe ku jo vetëm procesi i zgjerimit është vënë në pikëpyetje, por ku vetë pjesëmarrësit historikë të saj, gjenden përpara udhëkryqit të së ardhmes së tyre në hapësirën e përbashkët. Sot për sot dilemat janë të karakterit ekonomik, por premtojnë dukshëm ndikime të rëndësishme në kuadrin politik të shteteve anëtare dhe të atyre që aspirojnë anëtarësimin. Europa sot është në proces demontimi de facto të parimeve themelore që dikur e udhëhiqnin, e që po zëvendësohen me parime të improvizuara që i përgjigjen tashmë ekskluzivisht logjikës financiaro-ekonomike. Kjo përkon me degradimin e vetë demokracisë, nga koncept i pasur në vlera universale, në një me vlera të thjeshtuara numerike-ekonomike. 

Kjo trajektore e re e modus operandi-t të BE-së, ka vënë në mëdyshje sa e sa qytetarë të saj, që deri dje ishin të ashtuquajturit “të integruar”. Fjalëkalimi në rekomandimet e saj të kohëve të fundit është “fleksibiliteti”. Fleksibilitet më të madh të ndërmarrjeve, në emër të eficiencës ekonomike, që nënkupton thjeshtimin e procesit të pushimit nga puna të të punësuarve për të forcuar ndërmarrjet dhe bizneset. Europa sot po humb vizionin social të bashkimit, duke e bërë çdo ditë më të vështirë për euroskeptikët, përkrahjen e politikave që ka përqafuar. Mënyra se si po administrohet kriza në rastin grek dhe italian, janë emblematike të mënyrës se si legjitimimi financiar i është mbivendosur atij politik-elektoral, duke dëshmuar kësisoj mbivendosjen e tregut ndaj shtetasve në përcaktimin e politikës. Kriza ekonomike ka bërë që kjo situatë të jetë në favorin e “tregtarëve” të cilët në emër të një të një ekonomie më stabël po marrin gjithnjë e më shumë territor nga ai të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Pozicionimi i ri i Europës ka shmangur qytetarët, në favor të forcimit të tregut dhe të konkurrencës. Votuesi sot shprehet demokratikisht vetëm me xhepin e tij, tek shitësi i rradhës.

Cilat do të ishin elementet që e bëjnë të paqartë apo edhe të dyshimtë një projekt si ai i integrimit të Shqipërisë në Europën e Bashkuar? 

Me futjen në Europë, Shqipërisë, që ende nuk e ka kaluar traumën e tranzicionit nga sistemi totalitar, i duhet të përballet me një sistem problematik për vetë europianët, ndërkohë që institucionet europiane po pësojnë transformime hap pas hapi në varësi të zhvillimeve ekonomike. Sot faktet tregojnë se tregu është ai që po qeveris nëpërmjet institucioneve të BE-së. Interesat ekonomikë të konglomeruar në këto institucione, po përcaktojnë hapat në të cilat do të zhvillohet historia, ku supozohet të hyjnë dhe konkurrojnë edhe shqiptarët. Kushtet janë të tilla që edhe sikur të pajtoheshim me konkurrencën si parim themelor dhe ekskluziv udhërrëfyes i politikës, konkurrenca në vetvete do të ishte e pamundur parë kushtet dhe cilësinë e produktit shqiptar (kur ai ekziston), në kushtet kur ekonomia e BE është parapërcaktuar që në hapat e parë të integrimit. Ende të pa integruar me të ashtuquajturat standarde, shqiptarët e shekullit XXI, i aviten Europës si nënshtresë sociale, absolutisht të paaftë t’u përgjigjen kritereve të efikasitetit dhe konkurrencës. Ndërkohë, vetë produkti i synuar ekonomik, është tjetërsuar në thelbin e vet, duke qenë se tashmë nuk përcaktohet më spontanisht nga forcat ekonomike të pranishme në treg, e në përgjigje të nevojave ekonomike, por nga duar elitash dhe teknokratësh, që prej kohësh nuk reflektojnë më nevojat e shoqërive që supozohej të përfaqësonin. Prej nga lind problemi tjetër madhor, ai i sovranitetit shtetëror, të tjetërsuar në sovranitet maksiorganizmash financiarë, kronika e të cilëve në vende si Greqia dhe Italia nuk është aspak shpresëdhënëse.

Nëse jo në Europë, cila do të qe eventualisht zgjedhja “tjetër” e Shqipërisë? Bota islamike, vendet e Lindjes së largët, apo një “Zvicër” ballkanike? 

Shqipëria është e destinuar të drejtojë sytë nga Bashkimi Europian në kuptimin e standardit që ky i fundit ka përfaqësuar dje dhe sot për ne, dhe të tjerë të ngjashëm me ne. E vetmja pikëpyetje mbetet nëse vetë Bashkimi Europian ka një të nesërme. Na duhet të përballemi me fakin se kriza që përjetojmë sot, nuk po shkakton tronditjen e duhur tek elitat që kanë në dorë vendimmarrjen për të nesërmen. Do të shtoja se kriza ekonomike, edhe për karakterin e jashtëzakonshëm që e karakterizon me përkufizim, u ka lënë dorë të lirë elitave në administrimin e drejtpërdrejtë të ekonomive kombëtare, proces ky që në kushte të tjera do të kishte hapur më shumë debat e ndoshta do të kish qenë më gjithëpërfshirës. Zgjedhja e Shqipërisë është e orientuar drejt Europës, edhe pse drejt një Europe tashmë imagjinare, të dekadave më parë, kur themelohej e orientuar drejt lirive dhe të drejtave të njeriut. Ndoshta në mënyrë naive, por aspak të gabuar, të paktën në vizion. Përgjigjia ime do të ishte, po, Shqipëria drejt Europës, por në kohën kur kjo konceptohej me në thelb sigurinë dhe mirëqenien. Gjë që sot për sot përfaqëson një diskurs imagjinar, po aq sa pyetja juaj, e për pasojë, përgjigja ime.

Ne kohen kur po mendoja te leja nje koment per artikullin e Arber Zaimit, erdhi radha te lexoja dhe artikujt e tjere qe ishin sjelle me poshte.  

Objektivat kryesore, tregtia e lire e mallrave pa taksa, dhe levizja e perkufizuar e individit,  eshte arritur. Keshtu qe shqiptaret mund dhe duhet te perfitojne nga keto dy pika te rendesishme. 

Me vjen keq vetem per çmimet e larta te biletave, si te trageteve, qe jane 2-3 here me shtrenj se kendej, ashtu dhe te avioneve, 1-2 here me shtrenjte. Qeveria duhet tu beje presion ketyre firmave per rrjepjen e  shqiptarve. 

 

Sa ma shtrenjte bileta, aq ma shume paguhet per takse. Taksat shkojne ne arkat e shtetit, dmth asht shteti qe po rrjep shqiptaret. Companite jane te kuptueshme. smiley

Ore ja mire, ma mbushi mendjen ky shpikesi i rrotes.E lame Shqiperine jashte Europes.Se kjo e fundit s'ben e deri e veri e sdo na lejne te fusim kastravecat sepse jane jashte standartit.Po a ka mundesi autori ne fjale te na ndricoj per hapin tjeter fitimtar ne kuadrin e faktorizimit te memedheut.Vetmia polare?Une jam kurioz ta dij keta njerez e hapin ndonjehere harten e botes.E vene re "madhesine" e "rendesine"e asaj pike te vogel qe e kemi memedhe.Bo!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).