Dialog për poezinë III

Vijim

Zoti Gombrowicz, Ke guxuar zotëri që të sulmosh në mënyrë brutale poezinë dhe poetët. Ju keni fyer ndjenjat e mijëra njerëzve që shkruajnë vjersha dhe me dridhje në zemër, presin për përgjigjen e redaksisë. Zotëri keni gërvishtur themelet e qenies së veprimtarëve të kulturës, të cilët vjelin të ardhura nga kulti i poetëve. Zotëri, ju më keni shkatërruar edhe mua, që kam folur ngaherë, me shqiptim të lidhur. Do të mund t’ua kishim falur këto gjëra, nëse Ju, nuk do të kishit të drejtë. Por, kur Juve thoni: “thuajse askush nuk i pëlqen vjershat dhe se bota e poezisë vjershëtore është botë e sajuar dhe e falsifikuar” keni absolutisht të drejtë. Për më tepër, kur ju lexojme Juve, arrijmë në përfundimin e gëzueshëm, që njeriu dhe në rrethana të pafavorshme, është në gjendje të ruajë shëndetin mendor dhe nderimin për të vërtetën. Nëse kjo është diçka që Ju intereson, mund t’ju them po ashtu, se jeni pjesë e atij grupi jashtëzakonisht të ngushtë autorësh polakë, që edhe pse me banim jashtë vendit, ende lexohen dhe heshturazi e vlerësohen në Poloni.

Si do të mund të mos pajtohesha me Juve, kur mendimet tuaja janë të mençura, dhe të shkruara bukur?

Pra, pajtohem, por me disa kushte:

Kushti i parë: Ajo që është mbrojtje e poezisë, para falsitetit dhe gjepurave, nuk do të paraqitet si sulm ndaj saj. Pasi, në thelb, ky sulm, është protestë e Witold Gombrowicit kundër botës kallpe, ku asnjë mendim dhe asnjë ndjenjë nuk është e guximshme dhe therëse, ku gjithçka shfytyrohet në gjeste dhe lojëra të pakuptueshme, ku nuk ka se për çka të flasim. Dhe vjershat e shkruara nga këta njerëz, që kanë përmbytur faqet e revistave argjentinase, apo franceze, polake, apo angleze, janë njësoj të palexueshme, dhe që nuk përbëjnë interes për kërkënd, përveçse për autorët e tyre.

Kushti i dytë: që do të bëjmë dallimin ndërmjet “poezisë së pastër” dhe “poezisë në vjershë”. Jo çdo poezi në vjershë, është poezi e pastër, në kuptimin që i ka dhënë fjalës pastërti, shekulli i njëzetë, që do të thotë, kuptimin e gjellëve të gatuara vetëm me sheqer, apo me pak mjaltë sipër sheqerit. “Poezia e pastër” është një prej aberracioneve të mendjes. As “Zoti Tadeush”, as Fausti dhe as dramat e Shekspirit nuk janë “poezi e pastër”, dhe pse janë dhënë në formë vjershe. Komplet gjë tjetër është pastërtia e tonit, që e ngre një rast të zakonshëm, madje, do të thosha, të rëndomtë, në përmasa të qëndrueshme, por sipas meje, për një rast të tillë bëhet shkas, interesimi i përbashkët i autorit dhe i lexuesve, dhe jo thjesht dhe vetëm toni. Pra, “magjia e vërtetë” është vetëm atëherë, kur nuk kuptohet, kur lexuesi e ndjen se autori i ka përdorur ritmin dhe imazhet si mjet për të thënë diçka, dhe jo si një qëllim në vetvete. Ka krijime të tilla, nga të cilat nuk do të mbetej asgjë, nëse autori do të hiqte ritmin, përsëritjen e fjalëve të caktuara, në fund të vargjeve të vjershës, dhe simetrinë e dialogëve. Nëse do të bënim këtë, nuk do të mbetej gjë tjetër, veçse një episod nga kronikat kriminale të mesjetës. Dhe duhet pak magjepsje për t’i dhënë një ngjarjeje të tillë, forcën që të na prekë. Dëgjuesit, duke i dëgjuar këto këngë, të kënduar nga brezi në brez, derisa më në fund u shkruan, nuk kanë qenë të shqetësuar për “magjinë” e tyre, dhe nuk e kanë ndarë atë nga ngjarja, e cila ka vepruar tek ata në të njëjtën mënyrë, siç kanë vepruar tek dëgjuesit varshavianë, ngjarjet në baladën e zonjës Vishnjevska.

Kushti i tretë: që Witold Gombrowicz, duhet të marrë parasysh ndryshimet që ka pësuar gjatë viteve të fundit, poezia e disa kombeve, duke përfshirë dhe kombin polak. Sulmi ndaj “poezisë së pastër” është zhvilluar në qarqe të caktuara letrare të Varshavës së kohës së luftës, dhe është zhvilluar me sukses, dhe pas luftës. Ky ka qenë një sulm i drejtë dhe i nevojshëm. Porse, qeverisësit, duke i mbështetur këto tendenca, kishin në fushëpamjen e tyre “etapën e radhës”, ose që do të thotë “zënien e poezisë në grackën e shërbimit ndaj shtetit”. Sulmi i Vitold Gombrovicit ndryshon paksa nga sulme të tjera, të ngjashme, që janë kryer në vendin tonë, por siç dihet, në çështje të tilla, “paksa” është ajo që vendos për gjithçka. Piktura, poezia, apo muzika mund të vihen në shërbim të shtetit dhe madje jo rrallëherë i kanë shërbyer atij në të shkuarën, porse shtetet në të kaluarën mbështeteshin në baza fetare. Fetë e dikurshme nuk qëndronin armiqësore ndaj parimit të artit, që nuk mund të përkufizohet lehtësisht. Ato i siguronin piktorit, poetit, apo muzikantit, shtytjen ne hapesire, duke qenë se i ofronin imazhe dhe koncepte, të rrënjosura tek vetë feja. Krejtësisht gjë tjetër, feja tokësore e diamat-it (materializmi dialektik), me korrigjimet përkatëse dhe verset e veta të shenjta. Kuptohet, që ka një kundërshti që nuk mund të eliminohet ndërmjet diamatit dhe krijimtarisë së vërtetë artistike dhe për këtë kundërshti, janë krejtësisht të vetëdijshëm filozofët partiakë, që, kuptohet, nuk kanë synimin që të sakrifikojnë diamatin. Nëse, në të vërtetë, poezia do të kishte qenë një zbavitje e vogël, diçka në llojin e shahut, apo të koleksionimit të pullave të postës, nuk do të kishin bërë përpjekje të shumta, për ta zotëruar dhe mbështetur. Përkundrazi, ata e quajnë atë, një prej mjeteve më të fuqishme për sundimin e mendjeve, pasi me ndihmën e një poezie kallpe, arrijnë që të veshin atë që është e domosdoshme, me një shtrojë sentimentale. Situata në Poloni, pra, nuk ka aspak ngjashmëri me bisedat e aristokratëve, që vështrojnë çorapet e tyre. Publiku në mbrëmjet e autorëve, nis të duartrokasë, kur në fytyrën e snobit të ulur përkrah, nis të përvijohet shprehja e përgjërimit dhe kur duart e tij, marrin pozën e duartrokitjes. Duartrokitjet shpërthejnë kur çdokush i pëshpërit vetes: “aha, tani”, që do të thotë, kur përmendet aluzioni politik, apo fjala, që është vendosur më parë, nga lart, e cila bën të nisin duartrokitjet, për shkak të refleksit të kushtëzuar. (p.sh. emrat e udhëheqësve, parrullat që janë të ditës në një moment të caktuar). Është një jubile i pandërprerë.

Për të arritur këtë, është bërë në Poloninë e pasluftës, një punë e pandërprerë mbi stilin poetik, duke kthyer një strukturë të hajthme të fjalisë, duke bllokuar shtrirjen e metaforave, dhe “poetizimin” e figurave, që do të thotë se shpesh ato kanë qenë të pakuptimta, jo për shkak të teprisë, por të pamjaftueshmërisë së përmbajtjes. Mund të themi, se lindi një gjuhë e re, e cila ndryshon nga gjuha e vjetër. Kjo gjuhë e re, meqenëse nxit interesin për variante të ndryshme të metrikës është instrument veçanërisht i manipulueshëm në përshtatjen poetike. Këtu e vlen gjithashtu të përmendim se Witold Gombrowic, duke qëndruar në Argjentinë, ka realizuar një tour de force, të vërtetë, në gjuhën e prozes polake, duke rigjallëruar me sukses stilin e ditarëve dhe të kujtimeve, që i shkon kaq përshtat veshit të mësuar me gjuhën polake. Fatkeqësisht, në Poloni, kemi hedhur bashkë me ujët e ndotur dhe foshnjën, pasi kjo gjuhë e re e poezisë u përdor jo për t’u kuptuar njeriu me njeriun, por për t’u kuptuar shteti me njeriun – pra, një proces i njëanshëm njohjeje. “Sa më shumë që Ngushtohej Ngushtica, Bukuria e panënshtruar ndaj asgjëje, bëhej dhe më e Bukur, Thellësia, më e Thellë, Fisnikëria, më Fisnike, Pastërtia, me e Pastër”. Diçka e ngjashme, edhe pse në kahje të kundërt, po ndodh edhe në Poloni, ku ngushtimi është i natyrës politike. Është ndoshta e pagjasë që poetët të mund të shterrojnë nga tërheqja për të bukurën dhe fisniken, duke qenë se tek ata, kjo lidhet me njëfarë transformimi, “idealizimi” të botës, por është megjithatë e mundur, që të shmanget ngushtimi që shpie drejt mbytjes, apo drejt asaj sëmundjeje, që e quajnë peu de réalité.

Prandaj, dhe shpërthimi i Witold Gombrovicit kundër poetëve duhet të na shtyjë të mendojmë “ në c’mënyrë duhet t’i shmangim tiparet e neveritshme të “poezisë së pastër” dhe të fitojmë Zgjerimin e madh, pa përfunduar me një lloj të ri alienimi, që i diktohet poetëve të lindjes. Ata nuk duhen harruar. Me këto kushte, pajtohem me Juve, dhe jo vetëm pajtohem, por jam i mahnitur. Por, mund të ndodhë që teorizimi im të qëndrojë paksa në kundërshtim me praktikën. Dhe kjo është ose rrjedhojë e “pamundësisë së epokës” (dhe jo pamundësi e poetëve kudo dhe kurdoherë) apo e pamundesise vetjake. Por, sidoqoftë, përjashtimet nuk e cënojnë drejtësinë e arsyetimit.

_______

Vazhdim i Letërkëmbimit

(Letra e dytë e Gombrovicit)

Kryqëzata ime e pacipë ndaj poetëve më ka dhënë sa e sa ndjesi të ëmbla, të panjohura më parë. Persona të ndryshëm, të cilët deri atëherë, e kishin trajtuar letërsinë time, jo me ndonjë entuziazëm të dukshëm, të prekur, më kanë shtrënguar dorën. Për herë të parë në jetë kam zbuluar ëndjet e shkrimtarit, që ngrihet kundër tiranisë, që bëhet zëdhënës i popullit. Dhe dridhuni poetë! Pasi kjo rrënqethje lumturie që ka shkundur mijëra njerëz nuk provon asgjë tjetër, përpos faktit që gishti i bashkëkohësisë do të shkruajë “MANE TEKEL FARES” në tempullin tuaj të mërzitshëm! Humbëtira po ju përqafon me krahët e saj të ftohta. Asgjëja, zbrazëtia, hiçi krejtësisht bosh, po i afrohet me hap të zhdërvjellët fabrikës tuaj të metaforave për te ngrënë si macja, djathin, gjithë ngrehinën e mendimeve tuaja. Dhe trëndafili me ngjyrë rozë të çelët, do të tretet së bashku me perëndimin që vjen erë vdekje. Jo, nuk mund të deklaroj se të gjithë kanë qenë në anën time. Por, po ju them vetëm se ato radhë njerëzish inteligjentë, që më kanë mbështetur, janë përjashtuar nga diskutimet, dhe do të jenë të dënuar me siguri me një heshtje të përjetshme. Pse? Pasi ata që shkruajnë në shtyp janë vetëm shkrimtarët. Ndërkohë që në bankën e të akuzuarve është vënë poezia në formë vjershe, kushërira, e afërmja e muzës së tyre. A mund të mendohej që shkrimtarët t’i bashkoheshin sulmit ndaj letërsisë? Dhe nëse është fjala për poezinë në vjershë, shtypi (deklaroj) nuk është organ i opinionit publik, por thjesht, një instrument terrori, me anën e të cilit një shkollar i vdekur kohë më parë, i ngroh kokat e etura për jetë, me kufomën e ekstazave të varrosura njëherë e përgjithmonë.

Kush i përgjigjet artikullit tim? Mos vallë është dëgjuar zëri i avokatëve, mjekëve, apo inxhinierëve. Jo! Përgjigjen poetët: Milosz, Lobodovski. Letrarja Zarembina, Kritiku Vit Tarnavski. Ishte krejtësisht e parashikueshme ulërima e luanëve, të cilët qene ndjere te rrezikuar. Dhe vetëm përgjigja e Milosz, ka qenë – në pjesën kryesore të saj – e papritur për mua. I murosur, kam lexuar rrëfimin e poetit, i cili me një gjakftohtësi të llahtarshme dhe me lirshmërinë më të padroje, lëvdoi thikën e ngulur në gjoks, mbështeti atë, që ndërkohë po e vriste. Ju kujtoj fjalinë e fundit të Milosz, pra, pohimin e tij, se ka një lloj mospërputhjeje ndërmjet teorisë së tij dhe praktikës së tij. Nëse kjo paqëndrueshmëri nuk iu ka shkundur nga themelet, kjo për faktin, se Milosz, për hir të masës, e pajisi atë me disa kushte dhe vërejtje, porse, paqëndrueshmëria ekziston më e madhe se një shtëpi, dhe më imorale se një shtëpi publike. Dhe pikërisht, falë kësaj, përgjigja e Milloshit është jashtë mase e vyer dhe tejet karakteristike...

Çfarë thotë vallë ky poet, i cili në emër të Poezisë, i bashkohet korit të poetëve të tjerë, që sa nuk dërrmojnë kraharorin nga të rrahurat. Sikur Shekspiri të mund të jepte tablonë e kësaj tradhtie, do ta bënte ndoshta në formën e vjershës së mëposhtme:

Jam Milosz dhe Milosz duhet me qenë

Por dhe pse Milosz jam, Milosz nuk dua të jem

Milosz tek vetja mbys ngadalë

Që Milosz të jetojë përsëri

Nga kjo mund të kuptojmë se: thelbi i njeriut është zhvillimi dhe se zhvillimi kryhet përmes vetëvrasjes së përhershme. Duhet të arrijmë të vrasim tek vetja, atë që është, në mënyrë që të shkojmë tek ajo që do të jetë. Dhe kjo lirshmëri, me të cilën Milosz, pa asnjë moment ngurrimi, shkëputet nga bota e vet, kjo është pikërisht pjekuria e hidhur e ditëve tona – pjekuri që fitohet vetëm nga ai, qe shtypjen e historise e ka ndjere deri ne kocke. Ky poet, orvatet që të dalë nga lëkura e poetit, me qëllim që ta vërë në lëvizje poezinë, njësoj si dhe i poshtëshënuari tentoi tek “Kryqëzori i Atlantikut” t’ju nxirrte juve dhe veten nga lëkura e Kombit, me qëllim që ta vinte në lëvizje Kombin.

MANE-TEKEL-FARES: Thënie e shkruar nga një dorë misterioze në murin e pallatit të sundimtarit babilonas Balthazar, gjatë një gostie. Kjo ngjarje përshkruhet në librin e Danielit, në të cilin bëhet interepretimi i fjalëve të mistershme. Në gjuhën polake, kjo fjali është përkthyer si: "numëruar, peshuar, ndarë”, apo “numëruar peshuar, veçuar”. Thuhet se këto fjalë ishin parathënëse të rënies së Babilonit dhe të vdekjes së Balthazarit.

Ndërsa, tipari i dytë, (nëse arrij ta interpretoj siç duhet Milloshin) është hapja e tij e drejtpërdrejtë - ai duke mos iu frikësuar paqëndrueshmërisë, duke mos kërkuar të mbrohet prej saj, duke e pranuar atë si domosdoshmëri të jetës dhe të zhvillimit, mund t’ia lejojë vetes, të jetë i ndershëm në ndjenjat e veta – pra, ka mundësinë të reagojë ndaj realitetit, jo sipas parimeve, përsiatjeve, doktrinave, filozofive, dhe të tjerave të ngjashme me to, por sipas njerëzisë së thjeshtë, që të thotë, se kur një gjepure t’i vësh emrin gjepurë, kur mërzinë, ta quash mërzi. Jo, nuk është surprizë për mua, që njeriu, i cili i ka përjetuar në lëkurën e vet, lloj-lloj ketmanësh, kërkon, i vendosur deri në fund, që të shprehet lirisht.

Por, a nuk ekziston dhe përtej perdes, i njëjti hermetizëm shpirtëror, si ai që ekziston ndërmjet poetëve? Nëse poetët besojnë tek Poezia, atje besohet tek Shteti. Nëse poetët shkruajnë për Poezinë, vjersha që nuk janë në gjendje të zgjojnë interesin e njerëzve, por që mekanizmi i kulturës ia dikton njeriut të ngratë, atje praktikohet me të njëjtin sukses, e njëjta letërsi: pasi, në njërën anë, shkrimtarët detyrohen të shkruajnë jo për njeriun, por për Shtetin, kurse në anën tjetër, detyrohet lexuesi të lexojë. Kësisoj, shkrimtarët ecin nën diellin e lavdisë, duke u mburrur me tirazhin prej mijëra librash të botuar, ashtu siç mburren dhe poetët në mes nesh. Dhe i vetmi ndryshim qëndron në faktin, se ndërsa atje presioni ka karakter të jashtëm, brutal, këtu kemi të bëjmë me një presion pafundësisht më të ëmbël, pra me një presion, që është i padallueshëm për vetë viktimat. Pra, mos e gënjeni veten se Poetët janë Shpëtimtarët e Njerëzimit dhe të Njeriut – prifti nuk shqetësohet për kurrgjë tjetër, me përjashtim të Zotit.

Por, le të mos flasim më tej për paqëndrueshmërinë e Milloshit. Le të kalojmë tashmë në vlerësime të tjera, më të drejtpërdrejta.... më konsekuente.

Nuk ka asgjë më konsekuente nga fakti se Lobodovski – poet, mbrohet. Të njëjtën do të bënte dhe luani i rrethuar, apo demi i vendosur pas murit. Përgjigja e Lobodovskit është një material jashtëzakonisht i bollshëm. Çfarë nuk gjen atje? Se unë kërkoj qiqra në hell, se unë nuk njoh Shekspirin, se gjykimin tim për poezinë në formë vjershe, e kam sajuar nëpër kafenetë e Varshavës, se ai Lobodovski ka marrë dorezat e boksit për të luftuar në arenë, e megjithatë, kurrë nuk ia kanë marrë trofetë nga dora, se krahas poetëve të këqinj, ekzistojnë dhe poetë të mirë dhe se këta kanë ushtruar një ndikim jo të papërfillshëm në formën e realitetit tonë... Gjithçka e gjen atje, me përjashtim të asaj që unë kam pritur nga një poet i shkëlqyer, pra, që të shprehet jo në bazë të këtij, apo atij formati, jo me këtë, apo atë rëndësi. Nëse nuk jeni skuqur akoma nga turpi, që ju shkakton, e theksoj, një poet i shkëlqyer, që flet si boksier, si sportist, si fjalaman, apo si një lexues që i shkruan letra redaksisë, kjo, dëshmon se sa shumë jeni korruptuar nga gazetat letrare dhe nga diskutimet e vogla, që bëhen atje për letërsinë. Dhe nuk mund të ilustrohet më mirë teza ime, për “paplotësinë” e stilit të poetëve, për paaftësinë e tyre, kur u duhet të flasin për poezinë, dhe sidomos, kur u duhet ta mbrojnë nga armiku. Lobodovski nuk e ka gjetur tonin e duhur. I befasuar nga mungesa e respektit tim, është përpjekur që të më përgjigjet në mënyrë “jetësore”, “esëll”, por e teproi me sheqerin. Zëri iu thye, u bë shumë tekanjoz, - dhe prifti ynë, i detyruar që të luftojë me doreza boksi, ra përdhe, i shtrirë sa gjatë gjerë .

Në numrin e radhës të revistës “Kultura”, u dëgjuan zërat e Natalia Zarembës dhe Vit Taranvskit. Nëse u murosa, duke lexuar Milloshin, nëse më pas, boksi i shkujdesur i Lobodovskit më shkaktoi një ngurosje të dytë, rashë në ngurosje të tretë dhe të katërt, për shkak të këtyre mbrojtësve të rinj të poezisë në formë vjershe, e cila, me natën që po afronte, u thellua kaq shumë, saqë mëngjesi i ri, për një kohë të gjatë, nuk më shkundi nga ngurosja.

Tashmë, nuk ishte fjala vetëm për tonin. Përgjigja e Tarnavskit ka të gjitha tiparet e një përgjigje të peshuar, ndërsa skrupuloziteti, që e karakterizon kritikun në fjalë, si dhe tejdukshmëria e formulimeve, i bënte konsideratat e tij, të dukeshin të drejta. Ndërkaq, do të mund të mendohej, se që të dy këta, zonja Zarembina dhe zoti Tarnavski, nuk e kanë lexuar artikullin tim, se asnjë prej fjalëve të mia, nuk ka depërtuar në vetëdijen e tyre. Në një kohë, që Taranvski (ndër të tjera, duke ndjekur shembullin e Lobdovskit) konstaton se artikulli im do të kishte qenë absolutisht i pranueshëm, nëse do të ishte titulluar “Kundër poetëve të dobët”, zonja Zarembina shkruan se... “unë, sulmoj snobizmin, por në mënyrë të paqartë dhe të pakuptueshme për të. Për hir të Zotit! Zoti Tarnavski, sikur të nisesha vetëm nga dëshira për të treguar se vjershat e poetëve të këqinj janë të këqija dhe vjershat e poetëve të mirë, janë të mira, asqë do të kisha marrë mundimin ta shkruaja artikullin dhe nuk do të kisha guxuar ndonjëherë, që të zija hapësirë në shtypin polak, për të zbuluar të vërteta të tilla, në këtë kohën tonë, me probleme shumë më të rënda nga se ky. Për hir të Zotit, zonja Zarembina! Do t’ju ftoja që vetëm për një çast të mendonit, se nëse problemet e shtruara nga unë, do të mund të reduktoheshin në konceptin e rëndomtë “të snobizmit”, sikur të ishte fjala, për probleme kaq naive dhe “sempliste”, duke ditur që “Kultura” nuk është një shkresurinë për nxënësit e shkollave, një artikull me të tilla fletërrufe, nuk do të kishte gjasa, që të publikohej në të.

Sa fatale është në pasojat e saj, sa e rrënon dinjitetin tonë intelektual ajo prirje për të zvogëluar, dobësuar cdo ide, e cila ka spikatur sadopak. Dhe sa me lehtësi shprehemi për gjëra, që nuk i kemi menduar mirë! Kur unë flas, në mënyrë të përgjithshme, për formimin tek njerëzit të një forme (pra, të vjershës), e cila percakton një lloj qëndrimi (fetar), kur dal në përfundimin, se ky qëndrim fetar i poetit, i pakompensuar në mënyrën e duhur, ka çuar drejt një teprie dhe ngurtësimi të formës, ajo më përgjigjet, se... poetët e mëdhenj (siç dhe mund të kuptohet nga cilësimi) kanë qenë poetë të mëdhenj dhe duke qenë poetë të mëdhenj, e kanë pasur të pamundur të shkruajnë vjersha të këqija. Kurse, unë, nuk pohoj se vjershat e poetëve të mëdhenj, nuk janë vjersha të shkëlqyera, madje, nuk dua të them, as që nuk është art i bukur, por më interesojnë vetë themelet e këtij arti, pra, pohimi, që dhe arti më i përsosur mund të shkëputet nga njeriu dhe të kthehet në “art në vetvete”. Arsyetimi im ka kryesisht në qendër artin e madh poetik, pasi tek ky art, realizohet në mënyrën më të plotë, pikërisht, ai stil i pastruar, hermetik, i njëanshëm, dhe ai qëndrim shpirtëror specifik, që mund ta cilësojmë si qëndrim, apo shprehje “poetike”. Kur, unë përpiqem të tregoj se sa e ngatërruar është fqinjësia jonë me artin, sa naive është të besojmë, se arti do të na mahnitë, “kështu, vetiu”, se sa e vështirë është ta “kuptojmë” artin, se sa faktorë të larmishëm, nga fusha e psikologjisë kolektive, dhe të tjera, ndikojnë në reagimet tona, më vihet në dukje, dëshira ime për të luftuar snobizmin, dhe zonja Zarembina shkruan se synoj drejt asaj që “rruga që lidh artistin me artdashësin, të karakterizohet nga thjeshtësia dhe ndershmëria”.

Përse persona inteligjentë, të ndritur, dhe të respektuar si Zarembina, Lobodovski, Tarnavski si dhe shumë përkrahës të tjerë, të poezisë në vjershë, nuk ishin në gjendje të kuptonin këto aspekte thelbësore të artikullit tim? Fajin për këtë e ka njëfarë droje, një lloj e shprehure e tërthortë, që është kaq karakteristike për të gjitha kulturat që nuk janë përpunuar në përpjekje me realitetin dhe jetën, që e ndjejnë botën përmes kulturave të tjera, më të pjekura. Ne polakët nuk është se duam, që të kemi një poezi jonë (në kuptimin themelor, të përgjithshëm, në kuptimin e një qëndrimi poetik ndaj botës), ajo cka duam, është që "poezia jonë të mos jetë më e keqe, nga poezia franceze”... ose që të jemi “të jemi njësoj të kulturuar me anglezët”. Zbavitja jonë me natyrën nuk ndodh drejtpërsëdrejti – ne gjithnjë duam që të barazohemi me dikë, dikush na e ka kaluar dhe mendimi ynë i shtëmënget çështjeve thelbësore, ndërkohë që përsos hollësitë, grimcat, gjithçka, që është dekorimi i ngrehinës së nisur nga të tjerët. Kombe të tilla, kanë përgjithësisht aktorë të shkëlqyer, këngëtarë, dhe balete, si dhe virtuozë që janë të denjë për nderim, ndërkohë, që më keq është me filozofët, mendimtarët, kompozitorët. Pikërisht, për shkak të shprehjes së tërthortë, kemi siguruar një gjuhë tejet aristokrate, për t’u shprehur me thellësi për cështje të tilla si “Norvidi dhe Claudel” apo për “Evolucionin e bashkëtingëllores së trembëdhjetë”, ndërsa mendimi mbytet, zverdhet nga tmerri, kur bëjmë pyetjen: sa janë të rëndësishme, vetë poezia, apo vetë muzika? Jetojmë në një botë që na e kanë ngritur të tjerët, dhe kurrë nuk na shkon nëpër mend, që të bëhemi dhe vetë ndërtonjës të saj. Mjaft karakteristike për këtë masën tonë, kujdesin tonë, është vërejtja e Tarnavskit: “vështirë të mendohet se të gjithë poetët e mëdhenj të të gjitha kohërave dhe të të gjithë kombeve – kanë qenë snobë, apo injorantë në zanatin e vet – dhe se vetëm Gombrovici, arriti ta kuptojë këtë”.

Por, nëse do të çliroheni nga pak nga kjo thjeshtësi mëse e arsyeshme, dhe nëse do të mundoheni të kuptoni luftën time me poetët në shkallë pak më të gjerë, do t’i shihni gjërat në tjetër dritë. Para së gjithash, dua të keni vëmendjen tek fakti, që një kritikë e këtij lloji, thjeshtuese dhe brutale, të cilën e përmban artikulli im, na shkon më shumë per shtat ne polakëve, është më pranë realitetit tonë dhe rolit tonë në kulturë, nga çdo lloj tjetër arsyetimi model, i hollë dhe delikat, që praktikohet tek ne, à la Jean Cocteau, apo à la Paul Valery, apo à la Paul Eluard. Për arsyen, se edhe nëse si individë mund të jemi po aq të pjekur sa këta zotërinj, si komb jemi kulturalisht, fenomen i ri. Prandaj, jemi më tepër polakë, nëse “nga poshtë” godasim mbi madhështinë e kësaj pjekurie, duke iu kërkuar këtyre katedrave krenare, që të zbresin në tokë. Roli ynë nuk qëndron në recitimin dhe imitimin e arritjeve të huaja, në pjesëmarrjen pasive në këtë shkollëz të kulturës – duhet të mbrojmë të drejtën tonë, e cila është e drejta e rinisë dhe e ultësisë, duhet të jemi frena që nuk i lejojnë makinës së hazdisur të kulturës të fabrikojë objekte që nuk kanë shumë ngjashmëri me njeriun. Pyetja, që duhet të bëjmë, nuk duhet të jetë: a është e bukur, apo jo, një vjershë e dhënë, por, a është ajo e bukur për njeriun, për njeriun, si ne, të papërkryer, për njeriun me mish dhe gjak. Çfarë të mire mund të kemi nga gjashtëdhjetë mijë metaforat që përdor Miltoni, kur ato kërkojnë një potencial të tillë përqendrimi që i tejkalon mundësitë njerëzore. Dhe prandaj, duke goditur me forcë shkatërrimtare nga fundi, me gjuhë të freskët, të drejtpërdrejtë, çdo lloj skleroze, në mekanizmin pamprehtë të lartësisë, jemi më shumë vetëvetja – në këtë çast mund të quhemi autentikë, të ligës së parë.

Dhe tani: nëse prezantimi im përkon me ndjeshmërinë polake të kulturës, nga ana tjetër, ai është thjesht një zgjatim i zhvillimit tim letrar të deritanishëm, dhe mbetet enigmë për mua, se si një kritik si zoti Tarnavski, arriti të veçojë këtë fragment nga të gjitha kontekstet e tij. Apo, nuk e dini se jam ai që kërkoj t’i kthej njeriut sovranitetin karshi vetë produkteve të tij? I sulmoj vjershat në të njëjtën mënyrë, që kam sulmuar Kombin, sikurse në Ferdydurke kam sulmuar sajesën e Pjekurisë – gjithmonë në emër të ndjeshmërisë së drejtpërdrejtë njerëzore, në emër të njerëzimit të zhveshur lakuriq. Sulmoj çdo lloj Forme, e cila ndal së qeni një veshje komode për njeriun, duke u kthyer në një korracë të ngurtë e të lodhshme. Sulmoj gjithçka, që na lind nga vetja, për të na zënë më pas frymën.

Atëherë, si ka mundësi që një pohim kaq i pritshëm prej meje, kaq në harmoni me mua, mund t’iu duket kaq i papritur, saqë të zini kokën me duar dhe të bërtisni: është çmendur! Nëse do të doni ta trajtoni me seriozitet artikullin tim, atëherë para së gjithash, duhet të caktoni në mënyrë objektive dhe faktike, se sa është i vërtetë pohimi im: “thuajse askush nuk i pëlqen vjershat”. Dhe do t’iu këshilloja që për këtë qëllim t’i drejtoheshit fakulteteve filologjiko-estetike të universitetve, me thirrjen, që në vend se të merren me ngjizjen e monografive të mërzitshme, apo broçkullitjeve të tjera, pa lidhje, të ngrinin komisione, që do të merrnin përvojat e njerëzve, për të parë se cilat janë reagimet e tyre bazë, në kuptimin psikologjik, në lidhje me vjershat, dhe sa larg shkon asimilimi i vjershave prej tyre. Pastaj, mund të verifikoni vërtetësinë e tezës tjetër, kur them, se njerëzit sillen “sikur të ishin mahnitur nga vjershat”, ndërkohë, që në realitet nuk e ndjejnë asfare mahnitjen, kjo pasi ndërmjet njerëzve krjohet një tension kolektiv, që e detyron njeriun të mrekullohet, dhe në çfarë shkalle, kjo përdhunë, ky shtrëngim, që ushtron kolektivi mbi individin, ndër-njerëzorja, tek njerëzorja, është i argumentuar, sa është ky fakt prej ne njerëzve i pranueshëm. E madje, dhe pa këto studime e përvoja, do të kisha pranuar dhe kritikën më të ashpër, sikur të mos e kishin denigruar diskutimin me mua, duke e sheshuar dhe banalizuar, deri në diskutimin e një niveli shkollor. Ah, turp të keni miq.

Dhe duke ndjekur heroin e Ferdydurke-s, jam i detyruar të thërras: “shkurtim i mallkuar i emrit, prapë m'i ngriti nervat!” Por, e kuptoj: bota, në të cilën funksiononi sot, edhe pse larg nga idealja ësthë përsëri e kënaqshme. Në këtë botë, Lobovski shkruan vjershat e tij, Tarnavski recenzat e veta, zonja Zarembina dëgjon Bach-un e saj dhe mijëra njerëz të tjerë marrin pjesë në recitale, koncerte, të cilët përballë gjenive të mëdhenj, zënë të meditojnë pak a shumë në mënyrë inteligjente mbi artin dhe shijojne në maksimum kulturën e tyre. Sigurisht, të gjithë, tejet të thjeshtë, të sinqertë, të natyrshëm, - apo nuk është kështu? Kështu, e kuptoj unë. Kjo botë, ka të paktën një meritë: qëndrueshmërinë dhe pandryshueshmërinë. Por, çfarë do të bëni me Galileon? Po Galileo? A mos mendoni vërtet se do të arrini të mbroheni para tij? Të shmangni Galileon? Çfarë do të ndodhë kur ai t’iu pëshpërisë në vesh:

- E megjithatë ajo lëviz!

_______

Vijon me Replikën e Milosz:

Numri i poetëve rritet çdo vit dhe sot, gjysmë shekulli më vonë nga sulmi i Gombroviçit, mësymja e tij është më aktuale se kurrë, edhe pse rezultoi pak e suksesshme. Çfarë ka ndodhur? Turma, një turmë e papërmbajtshme e njerëzve, që shtohen dita-ditës pa asnjë kufi, të veshur njësoj, të ndikuar nga të njëjtat efekte praktike, të shpikjeve dhe arteve, të edukuar gati në mënyrë uniforme nga filmat dhe televizioni, kanë përzgjedhur si objekt të admirimit të tyre të kaluarën (mitike) të njerëzimit, si shenjë e fuqisë së tij krijuese duke ngritur në nderim të saj, tempullin e artit.

1 Komente

Jane qe te dy shkrimtare shume-shume interesante. Ndonjehere eshte me mire qe gjerave t'u shikohet perfundimi dhe jo rruga, pallati i mbaruar dhe jo skela apo ideja e projektit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).