Ndjenja e turpit ka karakter të fortë social, mbasi kushtëzon pjesmarrjen e njerzve në shoqni. Gjithsesi, ajo mund të jetë e pabazë, atëherë kur njeriu ndien turp për diçka jo të turpshme...

Ndërsa lexoja kohët e fundit në shtyp do shkrime të diskutueshme rreth konfliktit, tashma disavjeçar, mes përfaqsuesve të ekzekutivit dhe atyne të organit të akuzës, më erdhi me mendue se ndjenja pararendëse (primordiale) e turpit po zhduket krejtsisht ndër ne.

Ndjenja e turpit ka rranjë të vjetra në natyrën njerzore, e ato nuk mund të reduktohen në nivelin e marrdhanjeve shoqnore, por shkojnë përtej tyne, tue prekë diçka ma të thellë që ka të bajnë me vetë strukturën tonë antropologjike. Ndjenja e turpit nuk i bashkon njerzit tek objekti për të cilin ata turpnohen (ka popuj që jetojnë lakuriq), por tek fakti që për të gjithë ka diçka për të cilën mund të turpnohen. Në Bibël lexojmë sesi Adami dhe Eva mbas mëkatit e shohin veten lakuriq dhe, kur ndiejnë praninë e Zotit, kërkojnë me u mbulue tue thurë nji brez me gjeth fikut.

Deri para pak vitesh në shoqninë e mbyllun shqiptare trajtohej si turp zbulimi i disa centimentrave lëkurë, nxjerrja e ndonji fjale palaví apo ndonji gjest i pabukur, sot mjerisht ndjenja fisnike e turpit e cila na dallon prej shumicës së kafshëve asht në zhdukje e sipër.

Ndjenja e turpit ka karakter të fortë social, mbasi kushtëzon pjesmarrjen e njerzve në shoqni. Gjithsesi, ajo mund të jetë e pabazë, atëherë kur njeriu ndien turp për diçka jo të turpshme; mund të jetë e bazueme në diçka objektive, për shembull me pasë turp për nji rrenë; por edhe mund të çrranjoset krejt: kur nji njeri nuk ka turp që asht rrencak, i pabesë, hajdut, kriminel.

Deri në shekullin XIX në Europë përdorej si dënim turpnimi publik i fajtorëve, për shembull hajdutat, shpifësat, besëthyesit etj., dënoheshin me mbajtë në qafë nji tabelë ku shkruhej faji i kryem, dhe ashtu, të shoqnuem prej rojeve, shetitnin rrugëve të qytetit, apo lidheshin tek shtylla e turpit dhe aty i kundronte për séri e gjithë njerzia.

Ndjenja e turpit ec paralel me ndjenjen e nderit. Në qoftë se nji njeri nuk ka asnji lloj perceptimit për nderin, ai me shumë gjasa nuk asht i ndërgjegjshëm për ato akte për të cilat duhet të kishte turp.

Me ketë gja asht marrë thellësisht filozofi John Rawls tek vepra e tij “A Theory of Justice” (1971), ku dallon mes turpit si ndjenjë natyrale dhe morale, dhe përcakton ketë të fundit si ndjenja që provon njeriu që ka pësue nji fyemje ndaj respektit që ai ka për vetveten apo ka pësue diçka që i ka trondit autostimën. Turpi asht nji ndjenjë e dhimbshme, mbasi ka të bajnë me humbjen e diçkaje që ne e vlerësojmë shumë. Turpi, vijon Rawls, asht emocioni që na shkakton nji shock që na e ka trondit thellësisht respektin që kemi për vetveten. Për shembull ndjenja morale e turpit lind, në persona që nuk e kanë fshi mbrenda vetes sensin moral, kur përballen me shock-un që provojnë kur për fajin e tyne dënohet nji person i pafajshëm, ose për tronditjen që pësojnë nga përvetsimi i diçkaje që s’u përket.

Megjithatë ndjenja e turpit nuk i përgjegjet rregullave të nji mekanizmi të verbët, prandaj ajo mund të mos shfaqet aspak tek nji person, sidomos kur ky i fundit ka shkue, siç shprehet Nietzsche, “përtej së mirës dhe së keqes”, pra kur ka zhgulë mbrenda vetes farën e së mirës apo shembëlltyrën e Zotit, për ata që besojnë.

Kemi pasë fatin e keq me pa sesi kohët e fundit njerëz të korruptuem, hajduta, shpërdorues të detyrës, kanë pasë guximin me dalë haptas tue sfidue jo vetëm drejtësinë por edhe sensin primordial të turpit apo të marres, si thonë gegët.

Ai që ka humb nderin dhe s’e ndien ketë humbje, s’mund të dijë se çka asht turpi e marrja.

Gjykatësit, edhe ata ma të korruptuemit, munden me të sigurue lirinë, por jo nderin e humbun si pasojë e nji akti të randë siç asht vjedhja, korruptimi i vazhdueshëm dhe i randë për shkak të cilësive të veçanta, rrena, mashtrimi, mitmarrja, zhvatja, abuzimi me detyrën… Këto jana gjana që edhe në mos u shkrofshin kurrë në skedën penale të policisë, nuk shlyhen lehtë.

Hajduti mbetet hajdut në çdo regjim dhe në çdo sistem, pse nuk ka asnji rend shoqnor që mund të himnizojë hajninë dhe korrupsionin. Nji njollë e pashlyeshme ka me e ndjekë edhe mbas vdekjes, e cila siç dihet – ndryshe prej drejtësisë (sidomos asaj shqiptare) – nji ditë i ven fre edhe karrierës së hajdutit ma të suksesshëm.

Sot s’mund të kthehena mbrapa me kërkue që hajdutat të shetisin me tabela në qafë nepër rrugët e qyteteve tona, pse jam i bindun se do të shihnim vetëm hajna pulash, por jo ata që kanë futë në xhepa miliona euro.

Atëherë çka me ba? T’u dhurojmë nga nji gjeth fikut për me i ba me kuptue se janë lakuriq dhe se janë të neveritshëm! Mendoj se tash për tash mjafton përbuzja jonë e thellë, e cila edhe pse s’mundet me ngjall ndjenjen e turpit në zgavrat e ndërgjegjes së tyne, edhe pse s’mundet me u dhanë dënimin që meritojnë, të paktën mundet me i ba me kuptue se çka asht humbja e nderit.

Toska thotë: nga njeriu pa turp hiq dorë! E mue kjo më duket nji fjalë me të vërtetë e urtë, prandaj urimi për gjithë zhganin e të paturpëve që na ka mbulue asht: turp të kesh!

 

6 Komente

 

Deri para pak vitesh në shoqninë e mbyllun shqiptare trajtohej si turp zbulimi i disa centimentrave lëkurë, nxjerrja e ndonji fjale palaví apo ndonji gjest i pabukur, sot mjerisht ndjenja fisnike e turpit e cila na dallon prej shumicës së kafshëve asht në zhdukje e sipër.

jemi kthyer ne nje shoqeri te shpelare, ku kufiri mes vesit dhe virtytit, dalengadale po zhduket.......

Ndjenja e turpit ec paralel me ndjenjen e nderit. Në qoftë se nji njeri nuk ka asnji lloj perceptimit për nderin, ai me shumë gjasa nuk asht i ndërgjegjshëm për ato akte për të cilat duhet të kishte turp

Heqja dore prej disa virtyteve qe ka pas trasheguar populli yne nder shekuj, permes nje kozmopolitizmi te pa fre, dhe dhenia e qytetarise se nje sere normash dhe sjellejesh ne emer te luftes kunder moralit komunist, ka sjelle nje bjerrje te moralit te shoqerise sone, e sidomos asaj urbane....

Ndjenja e turpit ka karakter të fortë social, mbasi kushtëzon pjesmarrjen e njerzve në shoqni. 

Harmonizimi i nje shoqerie, ka te beje edhe me nje fare njevlefshmerie te vetive dhe virtyteve qe individet perberes te saj i misherojne veçmas.... qe do te thote qe ata pranojne te jetojne ne kete shoqeri duke pranuar parasegjithash rregullat e pashkruara qe sjellin bashkejetesen ne grup te ketyyre individeve. Ne shoqerine shqiptare, ka filluar te ndjehet mungesa e kohezionit moral. Kjo duket nga treguesit e mungeses se vlerave morale e sidomos e theksuar kjo ne bashkesine e nxenesve ne sistemin tone arsimor.... ku bie lehtesisht ne sy, nje mungese e theksuar e edukates se brezit te ri, ne raport me shoket dhe shoqet, ne raport me mesuesit, apo edhe me mjedisin qe e rrethon.....

Hippopotamus, turp të kesh
nga paturpësia jote e natyrshme - dhe
njëjtë si zogjtë, si fëmijët e tu, natyra
të fal natyrshëm, falë pavetëdijes tënde
për egërsinë - natyra të do, Hippopotamus!

smiley

Nuk jam dakort. Ndjenja e turpit nuk zhduket, ajo transformohet, duke u ushqyer me parime te tjera. Meta turperohet, fjala vjen, nese ne aksh muaj nuk fiton aksh euro, apo nese prifti nuk ngrihet qe te ulet hoxha. Nje rrugemurs turperohet nese bonusi i tij eshte me i vogel se bonusi i shokut. E them fare pa ironi.

Si shpjegohet qe politikanet shqiptare, nuk kane turp nga veprimet e tyre. 

kush pret ta spjegoj Pjero?smiley   kur vjen puna per analiza e spjegime, ne na ty i mbajme syt.....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).