Një burrë 52 vjeç - mund ta quajmë personazhi MXC, e ndjente veten krejtësisht të parëndësishëm. Jetonte krejt i vetëm, beqar, në një apartament të vogël tek Pallatet Shallvare në Tiranë. Askush nuk dinte gjë për të. Por edhe ai sdinte gjë për të tjerët. Prindërit i kishin vdekur prej kohësh. Fqinjët e pallatit e përshëndesnin dikur kur e shihnin, por ai sua kthente përshëndetjen. Ishte i heshtur si sendet 

MXC lëvizte si një siluetë, ose si Njeriu i Padukshëm. 

Mbyllej në apartamentin e zbrazët, ku nuk kishte as libra, as TV, përveç shtratit, një tryeze druri dhe një karrige po druri, ku ulej ndonjëherë, me kokën në dy duar vetëm për të menduar. Sepse çuditërisht MXC mendonte. Çdo gjë e botës së jashtme qe e huaj për të, por mendimi jo. 

Po çfarë mendonte? 

Mendimet e një njeriu sjanë të pashme dhe të lexueshme nga të tjerët. MXC kishte vizione, me përfytyrime që ndoshta formonin një kozmos enigmatik, ose disa variante të deformuara të këtij kozmosi, për tu shpërbërë në një infinit të pakuptueshëm dhe të parregjistrueshëm dot. Dikur MXC kishte punuar si inxhinier i elektronikës në një uzinë të kryeqytetit. Pas vitit 1990 uzinën e shkatërruan dhe atë e pushuan nga puna. Nuk u revoltua. Sbëri përpjekje të punësohej përsëri. Sepse çdo gjë i dukej kotësi, ditët dhe netët për të qenë një cikël steril, pa emocione, pa ambicie. Me një pension të parakohshëm qesharak mbante frymën gjallë. I mjaftonte një gotë ujë dhe një kokërr mollë në ditë. Asgjë tjetër. Nuk shoqërohej me askënd, në mesditë mund të shëtiste me kostumin e tij të hirtë dhe të vjetër, ku ta çonin këmbët. Një njeri hije. I përjashtuar nga gjithçka. E qartë: ai ishte i parëndësishëm. Larg çdo kureshtjeje. Kjo histori mitike e përzishme megjithatë e pati një befasi. Të gjitha befasitë janë kundërshti të monotonisë. Në rastin e MXC qe një katastrofë. Një natë MXC e pa një ëndërr. Në ëndërr ju shfaq fytyra e tij e rëndomtë, por me vetulla groteske me qime si fijëza prej briri. Qimet qenë të forta, të shponin po ti prekje 

Vetullat e mëparshme i qenë zhdukur. Ato ishin po aq të parëndësishme sa tërë qenia e ti 

I kishin dalë vetulla të tjera. Pse vallë? Në mëngjes kur u zgjua ndihej i dërrmuar, si mbas një udhëtimi fillikat në shkretëtirë, ose si mbas kapërcimit në kohë të disa epokave të njerëzimit njëherësh. U ngrit, u pa në pasqyrën gjysmë të thyer të banjës. Ëndrra e kishte ndryshuar fizikisht. Vetullat më të mëdha se vetullat njerëzore, me fijëza të mprehta prej briri, paksa të verdha po i rriteshin ngadalë. Kush po i rriste kështu? Një fuqi misterioze që nga ëndrra? 

Tani MXC gati u tmerrua (kishte kohë që nuk e dinte se çfarë qe tmerri.) Provoi me një gërshërë të ndryshkur ti priste fijëzat e vetullave. Qe e pamundur. Gërshëra kërciste, sikur fijëzat të ishin prej hekuri. MXC nuk doli tri ditë nga apartamenti. Ndërkohë vetullat rriteshin, fijëzat u bënë më të trasha. Dukej sikur MXC mbante mbi fytyrë afro 100 brirë të vegjël ndonëse ende të hollë dhe deri diku të përkulshëm. Vazhdonin të rriteshin. Fytyra e MXC mori një pamje të frikshme, gati shtazore. Ditën e katër, afër mesnatës MXC doli nga apartamenti. Duke u fshehur në terr nga dritat dhe reklamat verbuese (MXC e urrente dritën) eci në këmbë (ndjente se muskujt e këmbëve kishin një fuqi përtëritëse të habitshme) drejt spitalit të Kirurgjisë së Kryeqytetit. Roja i spitalit kur e pa sfoli asnjë fjalë dhe krejtësisht i çmeritur se ndaloi të hynte në mjedisin spitalor. Eci në korridoret bosh. U hap një derë nga doli kirurgu M.P., i famshëm, plot tituj shkencorë, krenar dhe autoritar. Kirurgu i kishte kaluar të gjashtëdhjetat. Sapo kishte bërë seks me një infermiere të kolme dhe budallaqe 24 vjeçare në zyrën e tij. Akti seksual qe gati i mundimshëm, por M.P. e arrinte megjithatë orgazmën. Infermierja lakuriq po vishej në zyrë, kur M.P. doli dhe u ndesh përballë me qenien më të pabesueshme: MXC-në. Donte të klithte. Por nuk mundi dot. E kaploi makthi. Fjalët i erdhën me vonesë. 

- Kush je ti? 

S'mori përgjigje. Brirëzat e vetullave u luhatën si në një agoni. MXC qe gati të rrëzohej. Kirurgu M.P. e mbajti nga krahu, duke patur kujdes të mos shpohej nga brirthat Pastaj ulëriti. E dëgjuan. Erdhën disa mjekë. Sollën një shtrat me rrota. E shtrinë MXC aty. E çuan në sallën e operacioneve. MXC e kishte zënë gjumi. Fytyra e tij, tregonte një vuajtje të parrëfyeshme. 

Kirurgu M.P. dhe kolegët e tij nuk dinin çtë bënin. Pastaj M.P. urdhëroi ti afronin MXC maskën e narkozës, por me një dozë të lehtë. Pastaj me një instrument prerës i preku brirëthat. Instrumenti i këpuste menjëherë. Copat e prera M.P. i hidhte në një enë nikeli. 

Operacioni vazhdoi mbi dy orë. Të gjithë përjetonin një shqetësim të rëndë. Qe ky një rast patologjik i panjohur nga analet e shkencës mjekësore? Tani vetullat e kuçedërshme gati u prenë, por rrënjët e brirëthve, me diametër 2 deri 3 milimetra dukeshin të paeleminueshme dot. Salla e operacioneve qe moderne. Kishte edhe një kamera filmimi. Mbasi mbaroi operacioni M.P. urdhëroi ta çonin MXC në një dhomë të veçantë, krejt vetëm. U tha kolegëve të mos flisnin, të mbanin të fshehtë këtë ndodhi, derisa të mësohej sadopak e vërteta. Në orën 4 të mëngjesit me makinën e tij luksoze Benz u nis drejt vilës ku jetonte. Qe i tronditur si asnjëherë. 

Bëri një dush. 

Ndoshta është fjala për një mutacion biologjik, mendoi, ndërsa ndjente currilat e ujit të ngrohtë që i miklonin dhe lehtësonin lëkurën. A mund të ketë raste të tilla në botë? Mbase është rasti i vetëm. Mund të referonte me një kumtesë për këtë rast në Kongresin Botëror të Kirurgjisë që do të mbahej mbas 2 muajsh në Helsinki. Kishte kohë që i kishin dërguar një ftesë. Befas ndjeu një këndellje. Kur të referonte padyshim që të tjerët, tërë kasta autoritare e kirurgëve të botës, do të ndjenin një zili të fshehtë profesionale. Do të ishte në qendër të vëmendjes. Do të bëhej akoma më tepër njeri i rëndësishëm. Një star i mediave. Fama e tij do t i kapërcente kufijtë e Shqipërisë, vend i vockël, provincial. Ah! Përçudnimi i një pacienti është përherë lavdia rrezëllitëse e mjekut. Kjo dihet. Kjo ndodh rrallë. Ose nuk ndodh kurrë. Po ja që atij i ndodhi. Atë që quajmë fat nuk e shohim, por e papritura është fizikisht e perceptueshme. 

M.P. fjeti një gjumë gri, dmth pa ëndërra. Kur u zgjua pa orën e dorës. Qe ora 14 e ditës. 

Në fillim smbante mend asgjë. Pastaj u kujtua çkishte ngjarë në mesnatën e kaluar. 

Për habi ndjeu një ngazëllim.Një orë më pas qe në Spital. Po turma e pacientëve dhe mjekëve lëvizte e qetë, pa alarm, në një absurd indiference. Me sa duket, thashethemnaja për pacientin që operova nuk është shfaqur, ende, mendoi. Vërtetë i kishte porositur me rreptësi kolegët dëshmitarë të mos flisnin, por nga përvoja e dinte se nuk ndodhte që një sekret të ruhej. Qe jashtë natyrës njerëzore. Sekreti nuk fshihet as mbahet dot. Ai shpërthen si infeksionet të epidemive. Sekreti është si kulturat e rrezikshme mikrobike. Këtë se ve në dyshim askush. 

Shkoi në zyrën e tij. Pyeti për kolegët nëse kishin ardhur. U habit kur i thanë se asnjeri prej tyre nuk ishte paraqitur në punë. I njihte mirë kolegët. Qenë të rregullt e të përkushtuar. Si ka mundësi, që gati të gjithë, ata që morën pjesë në operacionin misterioz, përveçse atij vetë, mos të ishin tashmë në mesin e ditës në spital? Çfarë kishte ndodhur? U përpoq të hamendësonte diçka logjike, arsyetuese, por skishte fuqi mbushamendëse as justifikuese. Shkoi në sallën e operacioneve. E hapi derën me kyçin e tij. Ndezi dritat. Nuk ndihej era e garzave me gjak se operacioni nuk pati gjak. Në ena prej nikeli pa brirthat e prera. I pa me vëmendje. Pati ndjesinë se këto mbetje brirore qenë rritur vetvetiu gjatë natës. Mori një bisturi. Preku njërën prej tyre. Befas ajo reagoi si të ishte një gjë e gjallë. U tkurr. Si ka mundësi, klithi brenda vetes M.P. Ky mister i kishte vënë në provë psikikën. Gati po çmendej. Pastaj mendja i shkoi tek i panjohuri që kishte operuar. Shkoi tek dhoma e veçantë. Tek dera e mbyllur rrinte infermierja 24 vjeçare, e bukur dhe përherë e gatshme për flirt. Uniforma e bardhë e infermieres gati kishte një vezullim shumë më të bardhë se sa bardhësia e zakonshme. 

- E ka parë ndonjë pacientin, e pyeti M.P. Nuk e mbante mend emrin e infermieres. 

- Asnjeri. Besoj se është në gjumë akoma. 

Bardhësia e infermieres po e trulloste M.P. Dukej si një engjëll me pupla të bardha, një lloj mutacioni hyjnor. M.P. hapi derën dhe hyri në dhomë. Dhoma qe e vogël me një dritare. Nën dritare qe shtrati dhe mbi të figura lakuriqe e MXC mbuluar me një çarçaf të kaltër. Po flinte. Koka i qe fundosur në nënkrese. Fytyra i dukej si një maskë apokaliptike. M.P. u afrua. E pa këtë fytyrë fatale për një kohë shumë të gjatë dhe i përhumbur. Brirëthat e prerë po rriteshin sërish dalë nga dalë. Por po ndryshonte edhe ngjyra e tyre. M.P. ju duk se kjo ngjyrë po bëhej e artë. Po, po, e artë. Të panjohurit po i rriteshin vetulla prej ari. Ahere M.P. ndjeu se po humbiste ndjenjat. Në një të njëmijtën e sekondës i vegulloi mendimi që të shtrihej në shtrat (shtrati qe i gjerë) pranë të panjohurit, për të mos u rrëzuar në dysheme. Kur u përmend fytyra e M.P. kishte një pamje lemeritëse. U ngrit nga shtrati me disa lëvizje somnambuli. Pa vetullat me brirëthat prej ari që po dendësoheshin.Ndjeu regëtimën e lehtë të MXC në gjumin e madh. Jashtë xhamit të dritares dukeshin konturet arkitektonike normale të kryeqytetit. Çdo gjë jashtë qe normale. Dhe Dielli, ajri, pemët, pëllumbat që fluturonin. Për brenda dhomës qe një kundërbotë anormale. 

Tani vetë M.P. qe pjesë e substancës së anormales, e fshehtësisë së saj. Kuptoi se kishte një binjakëri ekzistence dhe përjetimi me pacientin. Nocionet e dukurishme, tradicionale po i mjegulloheshin. Mbase po mendonte me disa nocione të tjera të pazakonta, që vinin nga absurdi ose nga një dimension virtual i kozmosit, kaq të pakufishëm e të pamatshëm sa ëndërrat. 

Teoria e mutacionit biologjik ska më asnjë kuptim, tha me vete M.P. Por duhet një shpjegim? Po si? Çfarë? Qysh? Duhet një shpjegim, duhet patjetër. Duhet një shpjegim se ndryshe nuk do të çmendem vetëm unë për të gjithë. Duhet një shpjegim. Po kush mund ta bëjë? Si do ta bëjë? Para se të ikte nga dhoma e të panjohurit M.P. pa edhe njëherë se si po rriteshin të sigurtë dhe kërcënues brirëthat e artë. Mbas ca kohësh ato do ti mbulonin fytyrën. Nën harlisjen e arit ishin sytë e mbyllur. A do të hapeshin këta sy? A mund të bisedonte me këtë njeri mbasi ai të zgjohej? Çdo ti thonte? A do të ishte ai vetë shpjeguesi i madh? Çi kishte ndodhur? Pse i kishte ndodhur? Ah. 

M.P. shkoi dhe u mbyll në zyrën e tij komode. 

Në bibliotekën e zyrës ishin disa enciklopedi të mjekësisë në disa gjuhë të huaja, madje njëra edhe në latinisht. Diku kishte fshehur një Bibël. Gjithmonë i kish lexuar në mënyrë fragmentare dhe kuturu. Sdi pse e mori Biblën. 

E hapi. Faqja 1218, Libri i Danielit (6,8). Lexoi: “Unë po i vrojtoja këto brirë, kur ja mbiu një tjetër bri i vogël mes tyre. Pashë që ky bri kishte sy si sy njeriu. Kishte edhe gojën me të cilën fliste fjalë të mëdha.” M.P. u trand. Rastësia bëri të lexonte këtë fragment profetik? Libri i Danielit ka qenë përherë një libër kriptologjik, plot vizione orakullore. Imagjinata e Danielit se përfytyronte dot njeriun me vetullat e brirëta, që u shndërruan në ar. Danieli shihte vizione, M.P. kishte parë një realitet. Danieli shfrytëzonte alegorinë ose metaforën M.P. kishte parë diçka të prekshme, konkrete, ndonëse të papërfytyrueshme. 

Profecitë ndjellin katastrofa. 

Po ky njeri në gjumë, më i epërm, më i patjetërsueshëm, më vetmitar, më ndjellakeqas se sa tërë vizionet e profetëve të Izraelit, që kishte rënë në gjumë dhe nuk po zgjohej dot çfarë përfaqësonte, çkumt, çkatastrofa të njerëzimit, apo të vetë qenies njerëzore? M.P. nuk donte tu përgjigjej këtyre pyetjeve provokuese, por edhe të sakta.Kjo histori e ngatërruar dukej pa rrugëdalje, pra pa kuptimshmëri të natyrëshme. Kolegët e M.P. që qenë në operacion, fjetën tri ditë e tri net si në koma. Përpjekjet e familjarëve për ti zgjuar nuk patën rezultat. Kur u zgjuan dhe erdhën në spital nuk mbanin mend asgjë, as faktin se kishin qenë në një operacion fantazmagorik, as njeriun ose personazhin MXC. Asgjë. Por M.P. mbante mend gjithçka. Ai përkundrazi ndenji tre ditë e tri net i pagjumë brenda zyrës së tij. Pas kësaj vendosi të shkonte tek dhoma e pacientit. E hapi derën që e kishte kyçur po vetë, që asnjeri të mos hynte. MXC qe në grahmat e fundit deri sa nuk mori më frymë. Brirëthat e artë kishin mbuluar tërë fytyrën e tij, qenë përhapur mbi trupin dhe nëpër çarçafin e kaltër si një kaçube vezulluese, llamburitëse, si kaçubja që digjej por nuk konsumohej, që ishte vetë Jahovaj, që ju shfaq Moisiut në mal. 

MXC vdiq pa i hapur sytë më. M.P. i kontrolloi pulsin. Zero. Asnjë pikë jete. Fundi. Hiçi. Asgjëja. M.P. ndjen megjithatë një lehtësim. Madje një gjendje ekstaze. Tani ishte i qetë. 

Ndenji pesë orë në këmbë përpara kufomës. Ndodhi përsëri një befasi, ndonëse në një zgjatje kohore më e ngadaltë. Kur kufoma u ftoh, ngjyra e arit u zbeh. Masa e brirëthve nisi të zvogëlohej. Vetullat groteske nisën të normalizoheshin, deri sa më në fund u kthyen në gjendjen natyrore të dikurshme. Vetulla koti me qime të holla e të rralla, pa asnjë interes. 

MXC ishte tani një i vdekur i zakonshëm. Si miliona të tjerë. Baltë e Hadit. E mineralizuar në hiç.M.P. ju rikthye vullneti dhe autoriteti. Urdhëroi të bënin procesverbalin e kufomës të një njeriu që vdiq nga shkaqe natyrale. Në kostumin e MXC qe pasaporta. Kjo e ndihmoi për identifikimin. Kufomën e çuan në morg. Po nuk u interesua askush për të. MXC qe i vetëm. Dhe për më tepër qe më shumë se duhet i parëndësishëm. Askush nuk u hidhërua për vdekjen e tij. Një vdekje e kotë e një jete po aq të kotë. Kufoma u varros me shpenzimet e Bashkisë. 

Po diçka kishte lënë gjurmë tek M.P. 

Shihte ëndërra që vijonin me cikle. Në to i shfaqej infermierja si engjëll dhe i thonte me zë burri të trashë se kishte operuar një profet të botëve të përtejme dhe jo thjesht MXC. Në vazot e luleve të zyrës së tij rriteshin brirëtha të artë që arrinin deri në tavan. M.P. e shihte veten (në ëndërr, kuptohet) të lidhur këmbë e duar mes këtyre brirëthve të artë. Kur shihej në pasqyrë (po në ëndërr) nuk shihte fytyrën e tij, por fytyrën e përçudnuar të MXC. Pastaj brirëthat e artë i rriteshin në çdo qime të trupit e ai shndërrohej në një katrahurë ari gjarpërues në formë vorbulli. Zhdukej gjithçka përveç një brirëthi i cili kishte dy sy dhe një gojë të vogël. Goja thonte fjalë të një gjuhe të pakuptueshme. Fjalët ishin për të M.P. Si kuptonte, por M.P. besonte se fjalët qenë një apologji për të. Fjalë për rëndësinë dhe namin e tij në krejt botën. Ai ishte i rëndësishëm. Për gjithçka. Për asgjë. I rëndësishëm. Por i vdekshëm. Përfytyronte funeralin e vet madhështor. Fjalime të thekshme. Media. Lajme të bujshme. Lot. Ndoshta edhe brohoritma. Pllaka prej bronzi me epitafin lakonik. Statuja e tij (këtu ëndërra deformohej, vetullat e tij të statujës i dilnin befas brirëtha ari etj. etj.)..Zgjohej i mbytur në djersë. U bë i heshtur. Dyshimtar. Dyshonte për çdo gjë. Dyshonte nëse Dielli ishte vërtet Dielli, dhe se kryeqyteti Tiranë nuk ishte Tirana, por një kryeqytet prej ëndrre diku në Tibetin e largët. Shkonte në punë në spital. Bënte operacione. Si në një ritual të zbrazët. E kishte ende instinktin primitiv të seksit. E thërriste fshehurazi infermieren në zyrën e tij, e zhvishte, por se arrinte më orgazmën. I sfilitur i shihte qimet e pubisit dhe luste Zotin (M.P. ishte ateist), që këto qime ti shndërroheshin në brirëtha të artë. Tani realiteti i dukej bishë pa brirëthat e artë. U thellua në leximin e Biblës. Në librat e Ezekielit, Isaisë, Jeremias. Në librin e Apokalipsit. Mundohej të kuptonte të pakuptueshmen. U stërvit me metaforat. Zhbiroi kuptimet e fshehura kriptologjike. Kështu vazhdoi tre vjet. I ndryshuar. Me personalitet të dyfishtë. Papritur i shkrepi një ide. Njeriu i parëndësishëm MXC mbase kishte qenë vetë Jezu Krishti. Ai kishte ardhur tek M.P. jo rastësisht.I përbuzur, i parëndësishëm por me trillin hyjnor të vetullave prej ari ai qe bërë i dukshëm nër përjetësi. Vetullat ishin kumti. Tek M.P. i famshëm kishte ardhur më i harruari dhe ndoshta më i përbuzuri i botës (ose i botërave). Nuk foli asnjë fjalë. Dha provën e tij mistike.Trupi i tij në varrezat e Tiranës nuk ekziston. Qe thjesht një shëmbëlltyrë e përkohshme njeriu. Ai i takonte qiejve. Infinitit. I vonuar, i dërrmuar nga ky zbulim M.P. kuptoi më në fund se jo vetëm përtej famës, por edhe brenda famës, ai ishte i parëndësishëm. Absolutisht i parëndësishëm. Ah. 

1999

1 Komente

Bukur smiley bukur, sa triller aq dhe me nenkuptime smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).