Ish-pronarët: BB jep sugjerime absurde. AKKP dështoi

Shoqata “Pronësi me Drejtësi” kundërshton ashpër raportin e fundit të Bankës Botërore mbi çështjen e pronës, ku sugjerohen disa zgjidhje, për të cilat sekretari Agim Toro i konsideron absurde, që mbrojnë korrupsionin e deritanishëm të qeverive. Sipas ish-pronarëve, BB nuk mori në konsideratë propozimet e shoqatës, por u bazua vetëm tek informacioni i ofruar nga qeveria dhe aktorët politikë pranë saj.

Në raportin e fundit të BB ngrihen disa probleme të çështjes së pronës dhe jepen rekomandime për zgjidhjen e problemeve. Cili është qëndrimi juaj? 

Jemi njohur me raportin dhe kemi vënë re të dhëna dhe propozime të habitshme, paradoksale, që shkel haptazi të drejtat themelore të njeriut, që stimulon korrupsionin me batërdinë që është bërë me pronat. Rekomandimet e dhëna nuk kanë të bëjnë fare me interesat e pronarëve. Pa asnjë arsye, Banka Botërore i sugjeron qeverisë shqiptare të ulë masën e kompensimit dhe vlerën monetare të kompensimit në mënyrë që të realizohet procesi, duke harruar që pronarët kanë afro 60 mijë vendime të komisioneve për kthimin e pronës, sipas ligjit. Këto vendime janë tituj ekzekutivë, të barasvlershme me vendimet e gjykatave. Aktualisht, gati 560 prej tyre po gjykohen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, ku janë dhënë 30 vendime në favor të pronarëve. BB, këto vendime të Gjykatës Europiane në favorin tonë, i shikon në mënyrë paradoksale me shqetësim, pavarësisht se problemi ynë lidhet me të drejtat themelore. Ne si shoqatë e kemi informuar me kohë BB për të gjitha shqetësimet dhe shkeljet.

Dua të theksoj rastin e vitit 1998, kur banka miratoi një fond për projektin e urbanizimit të Bathores. Në atë kohë ne njoftuam BB me faktin se në këtë zonë ishin kryer ndërtime pa leje në tokë të dikujt tjetër, pra kishte shkelje, dhe në këto kushte, institucioni i huaj financiar i vuri kusht qeverisë se, fondin për projektin do ta çelte vetëm nëse kompensoheshin pronarët. Kuvendi miratoi një ligj për kompensimin e tokave të Bathores, por nuk u zbatua kurrë.

Gjatë gjithë kësaj kohe, BB është njohur me shqetësimin tonë, e kemi informuar me çdo të dhënë, me studimet e kryera posaçërisht për zgjidhjen e këtij problemit, i cili po vijon t’i shkaktojë dhimbje popullit shqiptar.

Ku konkretisht e kontestoni raportin? 

Ne kemi kryer një studim mbi vlerën e kompensimit me mjete monetare, ku na rezulton fatura 30 miliardë euro, e llogaritur mbi çmimet e tokës të miratuara nga vetë agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronës. Çuditërisht, BB kërkon ta ulë këtë vlerë kompensimi monetar, deri në mundësinë që ka qeveria shqiptare. Në takimet që kemi pasur me drejtuesit e BB, e kundërshtuam fort vlerësimin e tyre dhe iu paraqitëm historikun me të dhënat e pronës në vend, që nga koha e krijimit të shtetit shqiptar. E kemi njohur edhe me efektin e ligjeve të miratuara pas vitit 1991 dhe me situatën e konflikteve të pazgjidhura, të cilat kanë çuar në këtë krizë financiare, ku BB thotë se qeveria nuk e zgjidh dot. Ajo që nuk kuptojmë është fakti se përse Banka Botërore nuk na ka thërritur në hartimin e raportit, pse anashkaloi rekomandimet dhe shqetësimet tona. Pse, për hartimin e raportit, BB ishte konsultuar me qeverinë, me aktorët pranë saj, me politikanët, dhe jo me shoqatën e vetme “Pronësi me Drejtësi”?

Banka e pranoi se në raport mungonte transparenca dhe mungonte mendimi ynë. Kërkuam nga banka materialet e studimit ku është bazuar për përgatitjen e raportit, por ende edhe sot nuk na është ofruar me pretekstin sa janë konfidenciale.

Më absurdja është fakti se duke miratuar raportin në favor të qeverisë dhe korrupsionit që është bërë me pronat, banka është bërë pjesë e saj, duke e nxitur akoma e më tej fenomenin negativ. Të gjithë janë në dijeni me korrupsionin galopant me pronat në Shqipëri, sikurse dihet që prona është ndarë në mënyrë të paligjshme. E thënë shkurt dhe hapur, n.q.s BB duhet të luftojë korrupsionin në këtë raport, e mbron atë.

Në raport flitet edhe për legalizimet. Cili është komenti juaj?

Absurdi vijon akoma e më shumë, kur BB thotë në raport që të vijojë procesi i legalizimeve edhe për shtesat e krijuara pas afatit, që janë rreth 80 mijë. Kjo është një shkelje e hapur e ligjit, në dëm të interesave tona, si pronarë të ligjshëm.

Pra, ju thoni që BB i sugjeron qeverisë të ulë vlerën e kompensimit dhe hapësirën për kthimin e tokës?

BB jep si zgjidhje uljen e çmimit të tokës, për efekt kompensimi monetar, të miratuar nga qeveria, dhe e dyta, të ulet hapësira e tokës që duhet kompensuar. Pra, në rast se një pronari, p.sh, i takon të marrë 10 ha tokë, qeveria, sipas BB, duhet t’i kthejë vetëm 2 ha, ose në rast se një pronar duhet të marrë si kompensim monetar 5 euro, t’i jepet 1 euro, pra t’i ulet çmimi. Pra, këto propozime vijojnë me justifikimin se qeveria nuk ka mundësi financiare të kompensojë ish-pronarët.

Çfarë zgjidhje propozoni ju kur thoni se fatura e kompensimit arrin në 30 miliardë euro?

E kuptojmë që qeveria nuk ka mundësi të garantojë shuma të tilla, dhe prandaj kemi ofruar zgjidhje që nuk lidhet me faturën. Ne i kemi propozuar me ligj të veçantë Kuvendit, qeverisë që në 2003-n, që të mos kompensohemi me mjete monetare, por të na kthehet toka. Pra, në rast se qeveria nuk ka para, të na kthejë tokën. Këtu përjashtojmë objektet publike, si shkollat, apo institucionet e tjera, të ndërtuara në tokat e pronarëve të ligjshëm. Zgjidhja e ofruar deri tani nuk jep asgjë, është e dështuar, prandaj dhe pronarët i drejtohen gjykatës.

3 Komente

çeshtja e prones, ne fakt duhej te ish zgjidhur me kohe, dhe jo te lihej deri ne kete far gjendje. 

pjer smiley 100 komente te tema me president.

Ajo eshte shume me e rendesishme se pronat.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).