Për vite me rradhë ishin motorë të rritjes globale, tani edhe ato tregojnë shënja lodhjeje. Sa do ta ndjejë këtë ekonomia botërore?

Ishte një financier amerikan, që i emërtoi me shkurtimin BRIC ekonomitë në zhvillim, Brazilin, Rusinë, Indinë dhe Kinën. Ndërsa Brazili dhe Rusia tërhoqën vemendjen e investitorëve me pasuritë e lëndëve të para, India dhe Kina me popullsinë e tyre miliardëshe premtonin fuqi të lirë punëtore dhe kosto të ulëta të prodhimit.

Vetëm pesë vjet më vonë këto vende në zhvillim dhanë një kontribut më të madh për zhvillimin e ekonomisë botërore se sa vendet e vjetra industriale. Por në kohët e fundit ky zhvillim po pengohet. Për herë të parë Kina duhet të përballojë deficitet tregtare, edhe shtetet e tjera të BRIC-ut luftojnë me probleme. Rendimenti i tyre ekonomik po tkurret.

Kina dhe India vazhdojnë të kryesojnë

Maria Laura Lanzeni, eksperte e bankës gjermane Deutsche Bank për tregjet në zhvillim, i relativizon këto zhvillime në bisedë me DW. Shifrat e fundit janë të vitit të kaluar. "Në gjysmën e dytë të vitit 2012 do të përjetojmë një përshpejtim të rritjes ekonomike", thotë Manzeni. Nuk duhet të krahasoni vitet e veçanta me njëri-tjetrin, por më shumë periudhat "pas krizës" dhe "para krizës". Atëherë mund të shihni që vendet në zhvillim, në rradhë të parë Kina dhe India, vazhdojnë të rriten në mënyrë dinamike.

Në Kinë dhe në Indi objektivat e zhvillimit për vitin 2012 ranë në shtatë e gjysëm, apo shtatë përqind. Kjo edhe e krahasuar me vendet e industrializuara është shumë, ndërsa në krahasim me mesataren e rritjeve të viteve të fundit përbën një rënie të fortë. Shkak për frenimin janë rritja e çmimeve për lëndët e para, që duhet të importohen në sasi të mëdha nga të dy vendet.

Brazili dhe Rusia me probleme

Brazili vuan nga rritja drastike e kostove të punës, inflacioni dhe vlerësimi i monedhës nga rritja e vazhdueshme e fluksit të kapitalit nga jashtë. Investitorët perëndimorë investojnë atje, sepse në vendet e tyre të origjinës për shkak të luftimit të krizës me para të lirë dhe me norma të ulëta interesi nuk mund të nxjerrin shumë fitime.

Në Rusi varësia e njëanshme nga nafta e saj e pengon zhvillimin. Vendi duhet të modernizojë urgjentisht ekonominë e tij dhe ta zgjerojë atë. Por korrupsioni dhe ndërhyrja e shtetit në jetën e biznesit frikësojnë investorët. Kush ka para, i dërgon ato jashtë shteti. Vlerësohet se vetëm në vitin 2011 afro 85 milliardë dollarë kanë dalë jashtë vendi.

Exporti bie

Kësaj i shtohet edhe fakti se ekonomitë në zhvillim nuk kanë mbetur të paprekura as nga kriza e borxhit të perëndimit. Eksportet në shtetet e industrializuara ngecin dhe kërkesa brenda vendit nuk mund të zevëndësojë humbjet.

Maria Laura Manzeni beson megjithatë se nga vendet në zhvillim edhe në të ardhmen do të vijnë impulse të rëndësishme për ekonominë botërore. "Një tjetër pyetje është, nëse këto vende mund të jenë me të vertetë lokomotivë e zhvillimit", thotë Lanzeni. Këtë rol mund ta merrnin pastaj vetëm Kina dhe India.

Ekonomi në zhvillim nga rradha e dytë

Shtetet e BRIC-ut po dobësohen. Por ndërkohë ekonomi të tjera në zhvillim hyjnë në qendër të vëmendjes. Sipas vlerësimeve të ekspertëve këto ekonomi në zhvillim në rreshtin e dytë kontribuojnë me një të katërtën e rritjes globale, ndërsa në vitin 2050 sipas vlerësimeve do të kontribuojnë me 40 përqind.

Ekspertja Maria Laura Mazeni e Deutsche Bank e sheh potencialin përkatës në vendet si Indonezia, Meksika dhe Korea. Natyrisht ritmet e rritjes së këtyre vendeve janë të ndryshme. "Ky është një grup heterogjen. Por unë besoj se këto vende mund të jenë shumë tërheqës për investitorët dhe kompanitë", thotë Mazeni.

Shpresë dhe zhgënjim

Ndër vendet me perspektivë të mirë afagjatë zhvillimi banka amerikane e investimeve Goldman Sachs numëron shtetet aziatike si Vietnamin, Filipinet, Pakistanin dhe Bangladeshin. Edhe pse në këto vende pasiguria politike mund të bëhej pengesë për zhvillimin. E njëjta gjë vlen të thuhet edhe për shtetet me popullsi të dëndur si për Egjiptin dhe Iranin në Lindjen e Mesme dhe për Nigerinë.

Nga ana tjetër Afrika e Jugut pas një faze të rritjes zhgënjen me rënien e ritmeve të zhvillimit. Edhe në vendin dikur model Turqi rritja është ngadalësuar në mënyrë dramatike. Pas rritjeve prej  tetë përqind brenda dy vitesh rradhazi Turqia vitin e kaluar ka shënuar një rritje prej më pak se tre përqind.

2 Komente

Keta ekonomistat jane bere shakatore te medhenj. Vietnami, Bangladeshi. Ka harruar Zimbabven.

Keto pompimet e flluskave Brazil, Pakistan etj jane si dikur Dragonjte e Azise. Ashtu si Brazili apo Turqia sot dikur zhvilloheshin me vrull Malajzia, Indonezia, Singapori etj. Erdhi pastaj `97 dhe vajten per lesh 20-30 vjet "zhvillim i papare".

Vende si Brazili nuk kane shans te kene ekonomi te qendrueshme sepse kane ekonomi te varur nga te tjeret, ashtu si dikur Indonezia apo Singapori. Edhe India megjithese ka burime dhe potenciale shume te medha per t`u bere ekonomi e zhvilluar perseri nuk ka per t`u bere dot nje ekonomi e pavarur. Nuk lejon Kina konkurrence ne rajon. India dhe Pakistani (nese do futet ne radhe me Indine) edhe nqs do zhvillohen do jene te varur nga Kina.

Eshte pak a shume e njejta situate me "mrekulline shqiptare" qe ne vitet `70 arriti kulmin. Dhe kur u nderprene ndihmat kineze perfundoi te tolloni i mishit dhe radha e qumeshtit.

Eshte e vertete qe renia e rritjes pritej nga keto vende, biles edhe vete qeverite e ketyre vendeve e kane pranuar kete gje disa muaj me pare, para se analistet perendimore ta thonin. Nuk do kete rritje prej 8-10-12% por prap do kete rritje prej 3-5-7% , diçka me shume se vendet perendimore, qe mendohet ta kene rritjen jo me shume se 1-2% , dhe kjo thjesht artificialisht nga rritja e çmimeve qe fryn pakez teresine e Brutos. Disa analiste te tjere mendojne se do kete tkurrje te ekonomise. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).