Në limitin e afatit ligjor apo 24 orë përpara se të skadonte edhe kjo zgjatje e afateve hetimore, Prokuroria e Përgjithsme ka depozituar  në Gjykatën e Lartë kërkesën për gjykim për ish-Ministrin e  Ekonomisë, Dritan Prifti dhe ish-zëvendësin e tij, Leonard Beqiraj. 

Ata u shfaqën në një video duke ndarë një sasi parash prej 70 mijë eurosh.  Ndaj dy ish-zyrtarëve u ngrit akuza për korrupsion pasiv dhe si provë është administruar një video e regjistruar prej vetë Priftit. 

Një muaj më parë, avokati mbrojtës i  Zotit Prifti kishin kërkuar shtyrjen e dorëzimit të dosjes për gjykim me pretendimin se do të paraqisnin disa prova shtesë rreth kësaj çështjeje dhe që sipas tyre do të ndikonin në drejtimin e hetimeve. 

Dhe pas një dileme që zgjati edhe një muaj tjetër në një kohë që pritej të zbardhej edhe vendimi i Gjykatës së Lartë, për ish zv-kryeministrin, Ilir Meta ku argumentohej se Meta shpallet i pafajshëm sepse fakti nuk ekziston, dy prokurorët e çështjes, Anila Leka dhe Bujar Sheshi dërguan si të pandehur Priftin me provën e vetme që me sa duket ata kanë, materialin filmik. 

Video-regjistrimi mban datën 10 mars 2010 dhe është bërë publik në një televizion nga Spartak Braho, ish-deput i LSI-së dhe këshillitar i zotit Ilir Meta në çeshtjen gjyqësore, duke deklaruar se video është regjistruar nga vetë Dritan Prifti, 10 ditë pas filmimit të videos Meta- Prifti, me të njëjtat mjete filmimi. 

Ndërkohë, kohë më parë, vetë personazhet e videos së re kanë deklaruar se video e transmetuar është e cunguar dhe spekulative. 

Menjëherë pas publikimit të videos, vetë Prifti tha se paratë që po ndante me zëvëndesin e tij ishin pjesë e punës në një biznes privat. 

Pas vendimit ndaj Ilir Metës, të cilin e shpalli të pafajshëm, Gjykata e Lartë do të jetë përballë një tjetër procesi për akuzat për korrupsion. Prokuroria bazohet në video-përgjimet e realizuara nga ish-ministri, Dritan Prifti. 

Gjatë procesit ndaj Ilir Metës me një vendim të ndërmjetëm, gjykata e refuzoi ekspertizën amerikane për videon ndaj tij, por edhe atë Prifti-Beqiraj, duke e konsideruar të paligjshme.

Nuk dihet nëse Gjykata e Lartë do t’i qendrojë vendimit të marrë po nga kjo gjykatë në rastin Meta, për shkak të një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë në çështje Meta-Prifti, ku për nga shkelja e rregullave për dërgimin me letër-porosi të ekspertizave, Kolegji Penal urdhëroi riekspertimin. 

Po kështu, nëse Gjykata e Lartë do vendosë që pas kërkesave paraprake të palëve ta kalojë çështjen në shqyrtim gjyqësor, një pikë e debatueshme në fushën juridike do të jetë sërish një fragment i mëparshëm i vendimit të gjykatës për çështjen Meta, në të cilin shpallet pafajësia e tij me argumentin sepse fakti nuk ekziston. 

Prifti: Prokuroria s’ka prova 

Menjëherë pasi dosja e çështjes Prifti-Beqiraj u dërgua në Gjykaten e Lartë ka ardhur reagimi i deputetit dhe ish-Ministrit të Ekonomise, Dritan Prifti. 

Ai thotë se “sapo është njohur me dosjen e akuzës” dhe shton se “prova e vetme e Prokurorisë është video që kam filmuar vetë unë”. 

”Prokuroria”, tha Prifti, “pranon që ka provë vetëm këtë video. Nga 200 dëshmitarë, asnjë nuk provon akuzën e ngritur. Asnjë provë shkresore nuk ekziston që të mbështesë akuzën. Asnjë fakt nuk ekziston që provon akuzën, Akuza është dekurajim për denoncuesit e korrupsionit”. 

Vetë Prifti shtoi se do t’i “kërkojë gjykatës të mbajë një gjyq të hapur për mediat e faktorin ndërkombëtar”. 

Ish-ministri përfundoi duke thënë se kurrë nuk ka shpërdoruar detyrën shtetërore dhe ka denoncuar si askush tjetër korrupsionin në Shqipëri. 

“Jam i  qetë dhe i sigurtë për përballjen në gjykatë, si dhe i lutem Zotit që t’i japë qetësi dhe durim familjarëve e miqëve të mi”, mbyll reagimin e tij Prifti.

2 Komente

" .... Menjëherë pas publikimit të videos, vetë Prifti tha se paratë që po ndante me zëvëndesin e tij ishin pjesë e punës në një biznes privat... " 

Thuajse te gjithe ministrat, duke filluar nga kryeministri, jane te lidhur/implikuar me firma private te tyre. Disa nuk i kane drejtpersedrejti nen emrin e tyre, por kane grate apo femijet e tyre. Lind vetvehtiu nje pyetje e ndershme; Kur do zgjidhen, qeveritare, bashkiake, kryekomunare, etj, politikane ne keto fuksione shteterore, qeveritare e lokale,  njerez te pa implikuar ne biznese private, pra njerez qe nuk kane asnje aktivitet te tyre fitim-prures. Te zgjidhen thjesht njerez, politikane, qe kane veç zemren dhe mendjen per zhvillimin e Shqiperise, dhe jo parane. 

Thenia e Buall Mavrise, se; nuk do lejoje ministra, drejtore, etj, qe kane konflikt interesi, pra qe kane biznese, qenka thjesht demagogji. 

Rri se prifti eshte viktime. Gjynah i shkreti. Harroi qe thjesht nje "delete" nuk e fshin dokumentin. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).