Ndodh në Ersekë, kryetari Ali Laho i ka shlyer, duke i futur në zërin e rrogave për emergjencën

E rrallë, por e vërtetë. Klubi nuk ka para që të paguajë futbollistët e tij, po ashtu edhe bashkia, që është pronarja e klubit, nuk ka një zë të veçantë në buxhetin e saj, nëpërmjet të të cilit të mund të shlyente detyrimet e prapambetura të lojtarëve të skuadrës së qytetit. Zgjidhja është gjetur nëpërmjet fondit të qeverisë për emergjencën nga moti i keq, ku futbollistët figurojnë se janë paguar për pastrues dëbore. Kjo është çudia e radhës nga kampionati shqiptar i futbollit.

Futbollistët e ekipit të Gramozit, në dokumente figurojnë se kanë pastruar rrugët e qytetit nga dëbora, në mënyrë që të justifikojnë pagesat e bashkisë për rrogat e prapambetura. Ngjarja ka ndodhur këto ditë dimri me kushte ekstreme që kishte përfshirë rajonin juglindor të Korçës, dhe qytetin e Ersekës, ku një nga shqetësimet jo vetëm të banorëve, por edhe të drejtuesve të bashkisë dhe këshillit bashkiak atje, ka qenë ai i shlyerjes së rrogave dhe detyrimeve për futbollistët. Për shkak të mungesës së fondeve të duhura për të paguar futbollistët, sidomos ata të ardhur, nga bashkia është gjetur një zgjidhje krejt e veçantë. Në zërin e shpenzimeve të bashkisë për përballimin e situatës së dimrit janë vendosur disa emra futbollistësh. Nuk është e qartë, nëse futbollistët kanë marrë në duar fshesën apo lopatën dhe kanë dalë të pastrojnë rrugët e qytetit të Ersekës, por mësohet se disa prej tyre në këtë formë kanë mundur të marrin rrogat e prapambetura dhe në këtë mënyrë kanë vazhduar të kontribuojnë për ekipin e Gramozit.

Ali Laho, kryetar i Bashkisë së Ersekës, e konfirmoi këtë fakt, duke pranuar në linjë telefonike se njësia e qeverisjes vendore që ai drejton, por edhe mundësitë e biznesit vendas janë shumë të pakta për të përballuar shpenzimet dhe pagesat e një klubi futbolli, që është në Kategorinë e Dytë të kampionatit tonë kombëtar. “Është e vërtetë, disa futbollistë janë paguar nga bashkia me një shumë deri në 30 mijë lekë, duke u përfshirë në zërin e shpenzimeve të bashkisë për pastrimin e rrugëve nga dëbora”, tha kryebashkiaku i Ersekës, Ali Laho. Sipas tij, të paktën pesë futbollistë të ekipit të Gramozit janë përfshirë në këtë pagesë, por nuk dihet nëse ata kanë qenë vendas apo të huaj. "Kam qenë i detyruar të vendos pagesën e disa prej futbollistëve në këtë mënyrë, sepse ne në qytetin e Ersekës nuk kemi asnjë mundësi mbështetje nga biznesi, në një kohë që ka shumë futbollistë që nuk janë shlyer prej kohësh", deklaroi qytetari numër një i qytetit të vogël juglindor. Ali Laho ka ardhur në këtë detyrë, duke zëvendësuar ish-kryetarin me disa mandate të bashkisë së Ersekës, Ardiatik Braçe, i njohur edhe si një nga përkrahësit më të fuqishëm të sportit të futbollit në këtë qytet. Por, duke pasur dëshirën që ekipi i Gramozit, edhe duke qenë në Kategorinë e Dytë, të jetë mundësia e argëtimit, apo edhe krenaria e qytetit në sportin e futbollit, në mungesë të sponsorëve e donatorëve, nga bashkia është gjetur zgjidhja që futbollistët të paguhen si pastrues dëbore.

9 Komente

Po dhe? Lojtaret stervitje duke bere njeri prej bore.

Paguani dhe delet qe rrisin pjellorine e tokes. smiley

qe jemi kreative ne shqipot jemi smiley dhe kur na zhduket buxheti nga shpimi i xhepave bashkiak ( kshu padashje ) i gjejm menyrat ne , hallal Ersekaaaaaaaaaa!!

Po ska mor asgje,ata nuk jane lojtare profesioniste,mund te jene hidraulike kepucar marangoze,mbarojne punen dhe shkojne bojne ndeshjen,ata te papunet Bashkija i merr ne punesim sezonal,ne kete rast per te pastruar boren.

Ore,nuk me thoni,kjo eshte skuadra qe u ndesh me Milanin e madh?Po sponsori i asaj ndeshjeje qe pagoi milanistet,bosi Taci ku eshte qe e ka lene skuadren e qytetit te vet ne kete derexhe?

Kjo pyetje me erdhi edhe mua ne mendje, ku eshte ai biznesmeni i rafinerise se naftes, Taçi, pse e ka lene sponsporizimin e ekipit te tij te zemres. Po Federata e Futbollit ku eshte, nuk ka para per kategorine e dyte. 

po mire, rradhen tjeter bashkia  le  ti fusi te buxheti i pastrimit te plerave... kush rri te presi boren deri dimrin tjeter.smiley

Te pakten ke fusha e vet t'a kishin pastru boren keta sa per me justifiku rrogen! smiley

Osht ftofet atje, nuk "baltoset" kollaj bora... si me loz futboll ne rere..

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).