Deputetët pretendojnë se Shqipëria momentalisht ndodhet pa kufij, por kufijtë e Shqipërisë, detarë dhe tokësorë, janë përcaktuar vite më parë dhe janë të shënuar në arkivat ndërkombëtare dhe ligjet e shteteve fqinje

Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në botë që nuk ka një ndarje të qartë të ujërave territoriale. Ligjet e vjetra u shfuqizuan në vitin 2008 për t’i hapur rrugë famëkeqit “Pakt Detar me Greqinë” dhe Kuvendit do i duhet që të shqyrtojë gjatë muajit mars projektligjin që do të rivendosë kufijtë shtetërorë të Shqipërisë. Deputetët pretendojnë se Shqipëria momentalisht ndodhet pa kufij, por kufijtë e Shqipërisë, detarë dhe tokësorë, janë përcaktuar vite më parë dhe janë të shënuar në arkivat ndërkombëtare dhe ligjet e shteteve fqinje.

Ligjet e hartuara në kohën e komunizmit për kufijtë, përkatësisht në vitet 1970, 1976 dhe 1980 janë shfuqizuar në vitin 2001 duke bërë një ligj të ri që përcaktonte kufijtë tokësorë dhe detarë të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë në vitin 2008 parlamenti, me propozim te qeverisë, ka miratuar një ligj tjetër për menaxhimin e kufijve duke shfuqizuar të gjitha ligjet paraardhëse.
Në seancën e fundit plenare, nënkryetari i Kuvendit, Ardian Turku deklaroi se është dorëzuar një nismë për rivendosjen e kufijve detarë. Burime nga Kuvendi bëjnë të ditur se nisma është dorëzuar nga Partia Socialiste javën e shkuar dhe synon të rregullojë gabimin e realizuar nga qeveria në 2008, e cila i hoqi Shqipërisë kufijtë zyrtarë.

Drafti “Për një ndryshim në ligjin 9861, datë 24.01.2008 “Për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit shtetëror” është firmosur nga kryetari i grupit socialist Gramoz Ruçi, dhe i kërkon kryetares së Kuvendit që të përfshijë shqyrtimin e këtij ligji në komisionet parlamentare. Drafti përcakton se “kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i vendosur dhe rregullohet mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar si dhe të traktateve dypalëshë ose shumëpalëshe të lidhura me shtetet e tjera dhe të ratifikuara nga Kuvendi. Ndryshe nga ligji i 2008-ës që e la vendin pa kufij, nisma e re përcakton qartë kufijtë detarë jugorë dhe veriorë duke vendosur dhe koordinatat e sakta.

Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë, thuhet në draft, shtrihen gjatë gjithë bregut të saj në një gjerësi prej 12 miljesh detare duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit ( Kalasë së Turrës) derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjirit të Gramës dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke, deri përmes Kanalit të Korfuzit. Ndërsa gjatësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det, deri te Kepi i Rodonit, shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi). Nisma e paraqitur në Kuvend nga grupi parlamentar socialist përcakton dhe kufijtë e brendshëm të vendit tonë. “Ujërat e brendshëm territorialë të Republikës së Shqipërisë janë ujërat e detit Adriatik dhe të detit Jon, që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e lumit të Bunës, kepat e përmendur më sipër, dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjirit të Gramës, Kepin e Gjirit të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve e lumenjve kufitarë”, përfundon propozimi. Në këtë mënyrë ligji i ri i mbyll derën pretendimeve të shteteve fqinjë dhe marrëveshjeve që dalin jashtë kësaj kornize ligjore.

Paqartësitë e ligjit të vjetër

Në relacionin që shoqëron projektligjin e dorëzuar në Parlament nga Partia Socialiste thuhet se ndryshe nga ligjet e shfuqizuara, Ligji nr 9861 date 24.1.2008 “ për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror”, i propozuar nga Qeveria dhe i miratuar në Kuvend, nuk ka asnjë nen që të lidhet me ujërat territoriale. Ndërsa lidhur me kufirin në përgjithësi, ka vetëm një nen sipas të cilit “Kufiri shtetëror i RSH është i vendosur dhe rregullohet në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi si dhe traktateve dypalëshe apo shumëpalëshe të lidhura me vendet e tjera”. Sipas propozuesit, ligji aktual shtron disa pyetje si: a)deri në momentin që nuk kemi nënshkruar dhe për rrjedhojë nuk kemi ratifikuar marrëveshje me Greqinë dhe Malin e Zi, a ka kufij detarë Republika e Shqipërisë me këto vende? b) Për sa kohë me Greqinë ende nuk kemi nënshkruar ndonjë marrëveshje dypalëshe për kufirin tokësor (pasi pala greke gjithnjë ka refuzuar një gjë të tillë), ligjvënësi shtron pyetjen nëse është i vlefshëm( në bazë të Ligjit të 2008) Protokolli i Firences për sa kohë që neni 3 i ligjit të 2008 kërkon traktat dypalësh apo shumëpalësh dhe jo Protokoll. Sipas nismëtarëve, çështja bëhet tepër serioze po të mbahet parasysh se të pyetur në Gjykatën Kushtetuese me rastin e shqyrtimit nga kjo e fundit të marrëveshjes për Detin me Greqinë, përfaqësues të Kuvendit, kryeministrisë, Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes pohuan se “nuk kanë ekzistuar më parë kufij detarë me Greqinë.

Si u shfuqizuan ligjet e vjetra për kufijtë e Shqipërisë

Procedura e shfuqizimit të ligjeve që i hapi rrugë faljes së detit shqiptar tek fqinjët grekë ka nisur shumë vite më parë. Hapi i parë është kryer në vitin 2001 me pretendimin se po hartohet një ligj më i mirë. Me të njëjtin pretendim, në vitin 2008, u hartua ligji tjetër, i cili e la vendin në dorën e disa ekspertëve që negocionin me fqinjët.

Ligji i vitit 2001

Në prill të vitit 2001 parlamenti shqiptar ka miratuar ligjin për “Kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, në të cilin sanksionohet se kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë përcaktohet në aktet ndërkombëtare. “Kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i paprekshëm. Ai tregohet me anë të shenjave të veçanta artificiale ose natyrore të vendosura mbi sipërfaqen tokësore dhe ujore. Vijat e hequra perpendikularisht (lart e poshtë) mbi vijën e kufirit në sipërfaqen tokësore dhe ujore përbëjnë përkatësisht, kufijtë e hapësirës ajrore, të nëntokës dhe të shtratit e të nëntokës së ujërave të brendshme dhe ujërave territoriale të Republikës së Shqipërisë”,- thuhet në ligj. Për sa i takon kufijve detarë, ligji i vitit 2001 sanksionon: Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj, në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjiut të Gramës, dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes Kanalit të Korfuzit. Gjerësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi). Janë ujëra të brendshme të Republikës së Shqipërisë ujërat e Detit Adriatik dhe të Detit Jon që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e Lumit të Bunës, kepat e përmendur më lartë dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjiut të Gramës, Kepin e Gjiut të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës, si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve dhe lumenjve kufitarë.

Kjo i jep të drejtë Shqipërisë të ushtrojë sovranitet e saj mbi ujërat territoriale dhe të brendshme si dhe në hapësirën ajrore. “Republika e Shqipërisë ushtron sovranitetin e saj mbi rrafshnaltën (shelfin) kontinental për qëllime kërkimi dhe shfrytëzimi të burimeve të saj natyrore”,- thuhet në ligjin e vitit 2001. Sipas tij, Dekreti nr. 4650 datë 9.3.1970 “Për kufirin shtetëror të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, ndryshuar me dekretet nr.5384, datë 23.2.1976 dhe nr. 6181, datë 26.4.1980, shfuqizohet.

Ligji i vitit 2008

Ndërkohë shtatë vite më pas Kuvendi ndryshon ligjin për “Kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”. Në nenin e parë të këtij ligji thuhet: “Me këtë ligj rregullohen kontrolli dhe mbikëqyrja e kufirit shtetëror, misioni i Policisë Kufitare dhe të Migracionit, bashkëpunimi policor ndërkufitar, bashkëpunimi brenda strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe bashkëpunimi me agjenci të tjera, të cilat kanë detyrime ligjore për sigurinë në kufi”. Në tërësi ligji i vitit 2008 rregullon mënyrën e funksionimit të pikave të kalimit kufitar, mënyrën se si do të ruhet kufiri nga policia, sistemin e hyrje daljes së shtetasve me viza etj. Por në këtë ligj nuk bëhet asnjë ndarje e kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 53 të shfuqizohet ligji i vjetër i kufijve. “Ligjet nr.8771, datë 19.4.2001 “Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, nr.8772, datë 19.4.2001 “Për ruajtjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë” dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen”,- thuhet në ligjin e vitit 2008, i cili është ende në fuqi. Luis Tanushi

Ku shtrihen ujërat territoriale shqiptare

Ujërat territoriale shqiptare fillojnë nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjiut të Gramës, dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes Kanalit të Korfuzit. Gjerësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi). Ujëra të brendshme janë ato të Detit Adriatik dhe të Detit Jon që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e Lumit të Bunës, kepat e përmendur më lartë dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjiut të Gramës, Kepin e Gjiut të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës, si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve dhe lumenjve kufitarë

Përkufizimi i Shqipërisë në enciklopedi

Shqipëria kufizohet nga Mali i Zi në veriperëndim, Kosova në veri, nga Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë në lindje dhe Greqia në jug. Në kufirin natyror perëndimor Shqipëria ka dalje të hapur në Detin Adriatik dhe në jugperëndim në Detin Jon. Gjatësia e vijës kufitare të Republikës së Shqipërisë është 1094 km, nga të cilat 657 km vijë kufitare tokësore, 316 km vijë bregdetare, 48 km vijë ndarëse përmes lumenjve dhe 73 km përmes liqeneve. Sipërfaqja e përgjithshme është 28.748 kilometra katrorë. Gjatësia e përgjithshme e vijës kufitare është 1094 km, nga te cilat janë: 657 km (kufi tokësor), 316 km (kufi detar), 48 km (kufi lumor) dhe 73 km (kufi liqenor). Në veri e verilindje ka 529 km vijë kufitare me Malin e Zi, Kosovën dhe ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë, ndërsa në jug e juglindje me Greqinë një vijë kufitare prej 271 km. Në perëndim Shqipëria laget nga Deti Adriatik e në jug-perëndim nga Deti Jon.

Si rrëzoi Kushtetuesja Paktin Detar

Me unanimitet të plotë Gjykata Kushtetuese vendosi që të rrëzojë si të papajtueshme me Kushtetutën marrëveshjen e lidhur midis Shqipërisë dhe Greqisë, të njohur gjerësisht si Pakti Detar. Skandali u denoncua nga media dhe më pas nga shoqëria civile. Nëntë gjyqtarët vendosën pas pesë muaj shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, të pranonin kërkesën për rrëzimin e paktit detar me Greqinë. Në arsyetimin e saj, gjykata çmoi se gjatë nënshkrimit të marrëveshjes është anashkaluar institucioni i Presidentit, ka pasur mangësi në përmbajtjen e marrëveshjes, paqartësi në titullin e paktit detar. Në vijim të konkluzioneve të saj, Kushtetuesja shprehej se gjatë bisedimeve nuk janë zbatuar parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave, nuk është respektuar vija bazë e bregdetit si mosrespektim i gjirit të Sarandës apo mosmarrja si vijë ndarëse ë shkëmbit Barketa. Gjykata Kushtetuese vlerësoi se marrëveshja nuk u shoqërua me harta të plota dhe se informacioni nuk ka qenë i plotë. 

14 Komente

Monda rrofsh per kete  prurjen.Si gjithmone ..pikante.

Por kambanat bien.Eshte  ndeshja  me e madhe me grekun pas viteve 1913-14 dhe 1942. Enver Hoxha ja u vuri  kufirin ke thana grekeve.E  quajti kufi atje ku eshte e drejta jone.Nuk pyeti fare.Salihu ja shiti kufirin grekut dhe kjo u pa ne driten e diellit.E  dekoroi dhe e gradoi  greko -vllahun Gerveni e me pas e dergoi.... te  na perfaqesoje ne NATO...Eshte paguarprej grekut  shume per  ate kufi, per  zagaret e kusaret  qe qeverrisin.tani e paskane vene ne plan ta bejne me vendim parlamenti kur Gjykata Kushtetuese e ka mbyllur...Ja si funksionon  shteti  i  Salihut kusarit

Ka dy vjet ky muhabet dhe akoma une nuk e kam kuptuar. Mund te ma sqaroj pakez njeri qartazi. Dhe nga ky artikulli nuk e kuptova tamam.

Kuptoj nga artikulli qe kufiri detar i shqiperise ka gjeresi prej 12 milje nga toka. Mire e bukur.

1) Por ne zonat ku diferenca midis tokes sone dhe tokes e huaj nuk eshte 24 milje, sa zgjatej ky kufi ne kohen e Enverit?

2) A njihej nga njeri kjo zgjatja?

3) Sa zgjatet sonte, ose pretendohej nga ligji i Saliut? C'fare tamam beri ligji i Saliut, kur diference qe 10 milje, i dha 9 milje grekut dhe mbajti 1 per vete pershembull?

4) Sa zgjatet zakonisht ne bote ne raste te tilla. Llogjika me thote qe ndahet ne mes... pra ne rast se toka X and Y jane 20 milje larg njera tjeter, atehere gjeresia e kufirit te seciles eshte 10 milje, jo 12. Ne rast se toka X dhe Y jane 2 milje larg, atehere, 1 milje eshte gjeresia e seciles.

Llogjika me thote qe ndahet ne mes... pra ne rast se toka X and Y jane 20 milje larg njera tjeter, atehere gjeresia e kufirit te seciles eshte 10 milje, jo 12. Ne rast se toka X dhe Y jane 2 milje larg, atehere, 1 milje eshte gjeresia e seciles..........

Ja kjo eshte nje pyetje 300 km katroreshe i nderuar...se ketu çedon problemi...se ketu varet se cilen kupton ti per ane...... anen e bregut te madh apo anen e nje maje shkembi mbi uje...Ka konventa nderkombetare mbi kete çeshtje, po keta tanet nuk i kane marre fare parasysh po i kane dhene Ok propozimeve greke....

muhametali , po ta them me dy fjale: kam degjuar  une dhe gjithe shqiptaret   greko rumunin Gerveni qe ishte  perfaqesuesi i  marines tone per ndarjen e kufirit me grekun.E di si tha ne fund? Greku  ka fllote  me anije me shume ndaj dhe e gjykuam se aty  do te  duhej kufiri....Dhe per kufi  u muarr Gjiri i Sarandesne, distance nga nje  maje shkembi ne det  te hapur, ne veri te  ishullit te Korfuzit.Per histori:Ne vitin 1952 SHBA i nis qeverrise se Enver  Hoxhes nje leter.Ku i  thoshte shkurt:Mjaft, aty ku e keni vendosur kufirin me Greqine! Dhe pergjigja e tij.Kufirn tone do ta mbrojme me jetet tona dhe nuk i leshojme asnje pellembe grekut.Ne fakt amerikanet me heshtjen e tyre  e lejuan qeverrine e Hoxhes, per ate kufi.Te gjitha njesitet, kushdo qe ishet  ne roje te kufirti tokesor  e ujor e dinin dhe e dine permendesh ne cilat pika ishte kufi i joni.Greket  e din po si  dhe tanet.Por nuk u ka pelqyer jo me ai me uje,  por ata e kane kerkuar  dhe e pretendojne deri ne ..Shkumbin edhe  me sterene.Ndaj  as duhej hyre ne diskutime kufiri me grekun se ja  si mbeten brenda prej leshimeve, tadhetise  shitejs.Ketu ka tradheti  dhe pike.

Per kufindares  merren parametrat kontinentale dhe jo ata  ishullore apo shenja te tjera natyrore. 

Ropt Grekeve, Saliut, dhe gjithe fanboysave te Vicidolit qe vijne ketu ke peshku....

Domethene 12 milje nga toka ose nga ndonje ishull qe ka banor. Por ne ras se ishulli nuk ka njerez atehere ai ishulli nuk ndryshon kufirin. Per shembull, ishulli i sazanit nuk ka ndonje vlere per kufirin e shqiperise? Apo jo?

Faktikisht ne rastin e ujrave territoriale esht 12 milje nautike qe do te thote 14 milje,nga vija e hequr ne kepet tokesore me te largeta te shteti.Sidoqofte,se mos nuk u sqarova referohu UNCLOS, kapitullit 2, seksionit 2 dhe per ceshtje te pergjithshme,nenit 4 dhe 15( edhe 14).Klm.

A nuk ka ndonje gazetar, qe te sensibilizoje autoritetet italiane per kete problem, sepse italianet duhet te dine me shume per çeshtjen e kufijve te detrave te Mesdheut e Ballkanit. 

Pjero, po ti si i konsideron Italianet, budallenj qe nuk marrin fare ere nga jeta....?????

Pjer  perfaqesuesit  italiane ju  ankuan qeverrise se salimbanit per paktin e njeanshem me grekun..

Kam pershtypjen se dhe ky muhabet eshte nje vrime ne uje.

Para disa kohesh kam lexuar nje lajm ne nje gazete gjermane per viziten qe bene disa biznesmene gjermane ne Korfuz.

Gjithe keto muhabete behen sepse "fuqite e medha" akoma nuk kane rene dakort me njera tjetren se si ta ndajne greqine. Muhabete te komplikuara smiley

 

Ma meson dot njeri si ngarkohen (upload-en) fotot ketu? Si shperblim qe t'ua shpjegoj me dy foto dobicllikun e marreveshjes se detit me Greqine  smiley 

 

Kush do detaje, te googlloje "North Sea Continental Shelf Case ICJ". Eshte vendim i Gjykaes Nderkombetare te Drejtesise qe shpjegon se pse nuk duhen marre ne cdo rast parasysh parimet baze ne te drejten e detit; vija e mesme, pingulja nga bregu, etj. 

Me shume detaje... me dalin disa... per rastin e Malajzise flet?

 

Gjermania kunder Danimarkes dhe Hollandes

ktu e ke

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).