Mburrje

As toka që shklet nuk âsht e jote,

vetëm lëkura e kambës âsht e jote,

njeri që din me folë me vehte.

Shmangu mendimit të tjerve

dhe éc mbi sende lehtas

pa lanë gjurmë në gúr,

pa lanë gjurmë në dhé.

Ec e mos çò prej trollit asgjâ

që të rá prej duerve njiherë.

 

Ke me lanë kështu nji trashigim

në sytë e bashkëkohorve të rij

që kanë me thanë : rruga e tij 

qe e drejtë si kallmi.

 

 

Të shumtë 1961

Vdekja mâ i thjeshti mendim.

Ndër vorre e prunë gurin e shkoqun

Prej malit dhe e bâne mbret.

 

Vdekja mâ i ngulmi mendim.

 

(Qè, për shembull: treni i sáj mbrrin.

E më përshëndet me dorë, ajò.

Në gisht i shoh unazën e besës

së lidhun me mue në lemje.)

 

Vdekja mâ i kullueti mendim.

 

Nuk hypet majë gurit të shkoqun prej malit,

po atij që e puth i çelet ndër sý

nji dete i bardhë.

 

Vdekja mâ i thjeshti mendim.

 

 

Disa herë në jetë

Disa herë në jetë e ndieva në fytyrë

erën e trupin të saj në lëvizje 

dhe s’pata frigë. – Mordja! – thashë

e duert e mija ishin të ngjituna

ngusht njana me tjetrën

dhe s’pata frigë.

Në gishat e mij kisha lidhun dhimbën

me fije të kuqe

dhe dashuninë s’e harrove.

 

Besoj se âsht larg,

por kur ajo në ndonji fatkeqsí

ngreh kambën rrëshanë nëpër pluhnin

e gëzhatshëm t’udhave, më përqethet

shtati, e s’kam frigë.

Besoj se âsht larg,

por kur era muzgut më kapet për tesha

merdhàs e parandjenja e saj m’fryn zemrën

me plasë: Ajo âsht e ftoftë!

 

Kur të vdes, më veshni me tesha të leshta

Sikurse ishte dokja ndër të parët e mij.

 

 

Lirika mes dy moteve ; Bibloteka Shqipe Nr. 5 ; Hertellung: Roma – 1981

Përzgjodhi: village-bey 

2 Komente

ohhh

rrofsh village

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).