Nobert Jokli lindi më 25 shkurt 1877 në Bzenec të Moravisë Jugore, në Çekosllovakinë e sotme. Studioi së pari Drejtësi dhe shërbeu në Vjenë si praktikant juridik me shërbim gatitor për karrierën e avokaturës. Pas një kohe të shkurtër, duke ndjekur një prirje të tij të kahershme, ai iu kthye degës së gjuhësisë. Studioi indoeuropianistikë të krahasuar te P. Kreçmer, romanistikë te G. Majer-Lybke, gjermanistikë te R. Muh dhe sllavistikë te W. Vondrak e V. Jagiç. I shtyrë nga ky i fundit, Jokli që më 1907 iu përvesh studimit të shqipes. 

Ky është përfaqësuesi gjer tani i fundit në radhën Miklosiç-Gustav Majer-Pedersen-Jokl, një radhë dijetarësh, të cilët janë marrë me gjuhën shqipe drejtpërdrejt dhe vazhdimisht. Jokli në këtë lëmë arriti një mjeshtri të madhe, solli këtu një frymë të re në gjerësi e në metodë dhe zgjeroi e thelloi qenësisht (esencialisht) njohjen gjuhësore të shqipes. Metoda e tij del në shesh që me titullin e së parës vepër më të madhe albanistike “Studien zur albanesichen”, “Etymologie und Wortbidung”, (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes), me të cilën u habilitua më 1911 në Universitetin e Vjenës. Etimologjia dhe morfologjia janë qenësisht përpjekjet e gjurmimeve të tij në fushë të leksikut të shqipes. Qëllimi i kërkimeve të tij rreth historisë së fjalëve është më fort ky, që të mos mjaftohet vetëm me hetimin e burimit etimologjik të një fjale, po të japë një pamje sa më të plotë të fjalës, të formimit dhe të historisë së saj, ta ndjekë këtë fjalë në të gjitha fazat e zhvillimit të saj. Në pikëpamje stilistike kjo metodë shfaqet në këtë që Jokli një paraqitjeje sistematike të thatë i parapëlqen traktati demografik. Prandaj, vlerat vetjake të Joklit janë thellësia dhe pushtimi i objektit nga të gjitha anët. Një vend me rëndësi në veprat e tij zë dhe konsideromi i elementeve të kulturës materiale: Fjalët dhe sendet, drejtimin e gjuhësisë që shpalli për të parën herë Jakob Grimi dhe që themeloi kryesisht Rudolf Meringer, domethënë që krahas me fjalët të kihen parasysh edhe sendet përkatëse, edhe këtë drejtim e përvetësoi Jokli dhe e vuri në zbatim në lëmë të shqipes. Kjo vërehet hap më hap si në artikujt e tij, sidomos në kryeveprën e tij të vitit 1923, e cila mban titullin “Kërkime gjuhësore-kulturohistorike nga fusha e gjuhës shqipe”. Me këtë mënyrë veprat e tij kanë rëndësi edhe përtej caqeve të linguistikës, në lëmë të etnografisë shqiptare. Materialin etnografik Jokli e ka nxjerrë sidomos nga veprat e F. Nopcsas, shumë herë edhe në bisedime private me këtë njohës të shquar të kësaj disipline shkencore. 

Porsa i përket caktimit të karakterit gjuhësor të shqipes, Jokli është një pasardhës i Gustav Majerit. Ky i pat shënuar kësaj gjuhe vendin e një gjuhe satem (indoevropiane lindore) me karakter verior. Për periudhën antike të shqipes ka rëndësi fakti që Jokli pas hullisë sidomos të H. Pedersenit – e uli pjesën që i bie latinishtes në formim të leksikut të shqipes, pjesë që Gustav Majeri e bashkëkohësit e tij e kishin çmuar tepër lart. Po më anë tjetër, bash Jokli është ai që ka zbuluar huazime latine të pavëna re më parë në gjuhën shqipe, si për shembull edhe në të drejtën zakonore të Shqipërisë së Veriut, në Kanun të Lekë Dukagjinit, si edhe në fushë të toponomisë. Në çështjen e lidhjeve të afërsisë së shqipes me gjuhët indoevropiane motra, dijetari ynë e ka vërtetuar dhe thelluar rrugën që pati rrahur G. Majeri, domethënë që shqipja ka lidhje të ngushta sidomos me gjuhët baltike, dhe që të parët e shqiptarëve, duke zbritur nga vise më veriore ngulën në brigjet e Mesdheut. 

Krahas me këto dy çështje: lidhjet e afërsisë që ka shqipja me gjuhët motra, djepi paraballkanik i shqiptarëve, del dhe një pyetje e tretë, shqipja nga cila gjuhë ballkanike jogreke e kohës së vjetër ka dalë? Sikundër dihet, aty ka dy teza, të cilat rrinë përkundrejt njëra-tjetrës, njëra që është e bazuar dhe historikisht e gjeografikisht në shqipen, sheh vazhdimin e ilirishtes (Tunman, Falmerajer, Nibur, Benfai, Miklosiç, G. Majer, Kreçmer, Ribeco etj.), tjetra (Hirt, Vajgand, Utmon, Bariç etj.) shqipen e ndan prej ilirishtes dhe sheh në të bijën e trakishtes, në këtë kjo tezë mbështetet midis të tjerave edhe në lidhjet e ngushta që kanë shqipja me rumanishten. Në këtë kontroversë Jokli rreh një rrugë të tretë: shqipja është e afërt si me ilirishten, si me trakishten. Një zgjidhje e drejtë e këtij problemi, i cili ka rëndësi për etnografinë e mbarë gadishullit të Ballkanit, bëhet e vështirë ngase ilirishtja me trakishten shumë pak njihen. Në themel teza e Joklit do të jetë e drejtë, sepse gjurmë trake në Adriatik kishte diktuar që më parë K. Paç; edhe Nopça kishte shprehur mendimin që ilirët ishin shtruar si mbishtresë përmbi një nënshtresë trake. Prandaj, do të kthehemi te mendimi i Tunmanit (1774), që në formimin e kombësisë shqiptare kanë pasur pjesë edhe trakët. Veçse si mund të gjykojmë sipas gjendjes historike e gjeografike që na paraqitet, fondin themelor të popullit shqiptar pas gjase e përbëjnë ilirët. 

Vepra gjuhësore e Norbert Joklit, megjithëse me zhdukjen tragjike të tij mbeti e pambaruar, paraqitet diçka tërësore në vetvete, tematika e saj është shumë më e gjerë se ajo e paraardhësve të tij. Në fushë të fonetikës, për periudhën parahistorike të shqipes, ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë, si edhe në reflekset e likuidave silabike. Në konsonantizëm ai vuri re, ndër të tjera, reflektimin e sk-së indoevropiane edhe me ç në shqipen në fjalë të tilla si çel, dhe pasqyrimin e grupit zd(h) indoevropiane me dh(th), në fjalë të tipit gjeth. Në çështjen e guturaleve ai mbrojti gjer në fund teorinë e Holger Pedersenit, sipas së cilës shqipja është e vetmja gjuhë indoevropiane që ruan tri seri guturalesh të dalluara njëra nga tjetra gjer në ditët e sotme. Nga periudha historike e gjuhës ai ndoqi diftongimin e zanores o në ua, ue në fjalë si krua krue, duar duer nga dorë, duke e gjurmuar atë në fazat e ndryshme të zhvillimit të tij (ou uo etj.) mbi dëshmitë e dialekteve të dokumenteve të vjetra të shkrimit dhe të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët fqinje të Ballkanit. Në punë të theksimit ai përcaktoi rregullimin mekanik të theksit në pajtim me parimin e theksimit të rrokjes parafundore. Në morfologji ai vërejti përdorimin e një kallëzoreje të moçme si emërore, sinkretizmin (përtjerje) e rasteve dhe ndërrimin e gjinisë së emrit, moshën mjaft të lashtë të nyjës së sprasme dhe dha sqarimin përfundimtar të disa trajtave të përemrit pronor, si juaj juaj e taj tuaj të autorëve të vjetër të Veriut e të ligjërimeve arbëreshe të Italisë. Në sistemin foljor ai gjurmoi trajtat e foljeve kauzative e denominative dhe ndër të tjera edhe historinë e përhapjes së paskajores. Vrojtime të reja i detyrohen atij edhe në lëmë të fjalëformimit, ndër të tjera në gjurmim të kolektivave e të deminutivave, në mënyrë të veçantë në hetimin e kompozitave të gjuhës popullore e letrare. Sintaksës nuk i është kushtuar ndonjë punim i veçantë, po vrojtime mbi dukuri të ndryshme të kësaj fushe gjinden gjithandej në punimet e tij. 

Në veprën e këtij dijetari vendin e parë ndërkaq, si u tha, e zë historia e fjalëve dhe etimologjia. Në kundërshtim parimor me dijen e përparme, e cila e pat trajtuar visarin leksikor të shqipes më fort nga ana e huazimeve, të marra prej gjuhësh të tjera, ai gjatë gjithë veprimtarisë shkencore të tij është përpjekur ta rrokë këtë gjuhë së brendshmi. Shihet kështu që në studimet e tij leksikut të trashëguar të kësaj gjuhe i përket një vend më i rëndësishëm se elementit të huazuar, megjithëse për hir të së vërtetës do thënë se ai edhe kësaj pjese të visarit leksikor i kushtoi vëmendjen e duhur. Në gjurmimin etimologjik të fjalëve ai zhvilloi me kohë dhe një metodë kërkimi të vetën, në pajtim me kushtet e veçanta të shqipes. Pikë së pari ai gjurmoi e solli për krahasim gjithë format e fjalës që çojnë peshë në punë të historisë së saj. Përveç kësaj, ai kreu një analizë të thelluar të strukturës morfologjike të fjalëve që studioi, një tipar metode që mund të thuhet se është karakteristik për punën e këtij dijetari. Afrimi i të dhënave etnografike dhe të kulturës materiale në gjurmimin gjuhësor, ndjekja e drejtimit shkencor., “Fjalët dhe sendet” u përmend dhe më sipër. 

Interesat shkencore të Norbert Joklit ndërkaq nuk u drejtuan vetëm nga historia e lashtë e gjuhës shqipe. Ai i kushtoi vëmendje edhe zhvillimit të mëpastajmë të saj, si gjuhë e shkrimit dhe e literaturës. Në artikullin “Një studim përreth librit të Buzukut”, të vitit 1930 ai gjurmoi rrethanat historike në të cilat u hartua vepra, nga sa dihet, e para e literaturës shqiptare, dhe elementët e alfabetit që përdori autori i saj. Në një punim të hapët të vitit 1925 ai mori e studioi veprën e Naim Frashërit kryesisht nga pikëpamja e pasurimit të gjuhës letrare nga ana e tij, më një anë duke hedhur në përdorim të shkrimit fjalë të ligjërimit popullor, më anë tjetër duke krijuar fjalë të sferës mendore e të kulturës me anë të përkthimesh, kalkesh, nga gjuhë të huaja, në radhë të parë prej frëngjishtes. Dijetari ynë pati lidhje të pandërprera edhe me shkrimtarët, arsimtarët, e të tjerë intelektualë shqiptarë të kohës së tij, jo më në fund dhe me studentët shqiptarë të asaj kohe në Austri, të cilët të gjithë pasuruan njohuritë e tij rreth visarit leksikor të gjuhës shqipe dhe të dialekteve të saj. Nga fusha dialektore do përmendur një punim i tij rreth ligjërimit të Rapshishtit në rrethet e Gostivarit, punim që me sa duket mjerisht do t’u ketë bjerrë. 

Sikundër po shihet nga skicë, Jokli është përpjekur ta pushtojë problemin e shqipes në tërësi dhe në të gjithë aspektet e tij. Prej këtij problemi ne prekëm këtu disa anë më fort të natyrës historike. E njëjta gjë duhet thënë edhe për anën gjeografike të kësaj çështje, sepse mënyra historike dhe gjeografike e vështrimit të problemit janë të thurura ngutshëm me njëra-tjetrën. Jokli historinë e gjuhës shqipe me çështjet fonetike dhe leksikore të sajat, nuk e ka studiuar në një mënyrë të njëanshme e të izoluar, duke u kufizuar brenda caqeve të shqipes, po e ka trajtuar duke pasur përhera parasysh gjendjen si na paraqitet te gjuhët që janë fqinje me shqipen. Marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjerat Ballkanit janë një anë me rëndësi në metodën jokliane, përhera në të mbahet parasysh çka marrë hua shqipja prej greqishtes (greqishtja e Vjetër, e mesmja, e reja), prej serbokroatishtes, bullgarishtes e rumanishtes, dhe më anë tjetër ç’u ka dhënë kjo atyre gjuhëve dhe dialekteve të tyre. Kështu gjurmimet e tij nuk i përkasin vetëm albanistikës, ato marrin karakterin e një vështrimi panballkanik, në kuptimin e Kristian Sandfeldit dhe në njëfarë vështrimi edhe të Gustav Majerit. 

Në pikëpamje bibliografike do përmendur këtu “Vjetari indoevropian” (Indogermanisches Jahrbuch) ku Jokli ka redaktuar vit për vit pjesën që referon përmbi botimet e reja të albanistikës, seksioni VII që nga vëllimi IV, 1917 e gjer te XXIV, 1940. Duke marrë si qëndrim me vërejtje të shkurtra e shpeshherë edhe mjaft të shtjella, ndaj tezave të ndryshme të dijetarëve të tjerë, kjo punë bibliografike mund të themi se na paraqet gjendjen e albanistikës së këtyre dhjetë vjetëve të fundit gjer në vitin 1938. 

Albanologu i madh mjerisht është zhdukur nga rrethi ynë i përndjekur nga regjimi nazist për idetë e tij demokratike, ky, siç duket, u zhduk në maj të vitit 1942 prej këtij regjimi, në Vjenë, veçse hollësitë e vdekjes së tij nuk dihen. Me këtë dijetar albanistika humbet një përfaqësues të madh, atë që e pat zgjedhur studimin e shqipes për mision të jetës së tij. Përtej caqeve të dijes, dhe populli shqiptar humbet një burrë, i cili, duke rrahur me frymë objektive ravën shkencore, u bë njëkohësisht dhe indirekt një mbrojtës i të drejtave tona nacionale. Mjerisht, si u tha, puna e këtij dijetari të shquar mbeti e pakryer. Sidomos nuk u krye dot vepra që do të kishte qenë kurorëzimi i punës së jetës së tij Fjalori etimologjik i shqipes dhe Gramatika krahasimtare e kësaj gjuhe. Në këtë vepër të madhe Jokli ka punuar vazhdimisht: nuk dimë gjer ku ka arritur sa ishte gjallë. Disa dorëshkrime të tij gjinden në Bibliotekën Nacionale të Vjenës, ndër to mbase dhe dorëshkrimi i Fjalorit etimologjik, ose ndonjë pjesë e tij a e skedave përkatëse. 

*Shkrimi është botuar më 1972 dhe titullohet “Në 30-vjetorin e vdekjes së Norbert Joklit”

___

Hebrenjtë në Shqipëri në prag të Luftës së Dytë Botërore

Nga Ben Andoni

Që shqiptarët i kanë mbrojtur hebrenjtë në ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore ky është një fakt, që ne kemi qejf shpesh të mburremi. E kemi vendosur si hajmali dhe kudo ku na duhet potenca e zërit të Izraelit, e tregojmë si talisman. Në fakt, ky flamur i takon prej kohësh, jo autoriteteve shqiptareve që e trumbetojnë, por njerëzve të thjeshtë. Një rast “i thjeshtë” në dukje, por që tregoi këtë indiferencë të burokratëve tanë është ajo që ka lidhje me Profesorin e madh hebre, Norbert Jokl. I ngrati, duke paraparë frymën e keqe në Vjenë, për sa i përket njerëzve të komunitetit të tij, i drejtohet konsullatës shqiptare për ndihmë për të marrë nënshtetësinë. Ka në dorë një vepër monumentale për sa i përket studimeve gjuhësore shqiptare dhe madje ka marrë dhe disa para për ta realizuar këtë aty nga fundi i viteve ’20 të shekullit të XX. Di mirë sesa më shumë të kalojnë kohët aq më shumë rëndohet puna. “Profesori në fjalë si izraelit parasheh që do ti bahen pengime të randa nga qarqet e këtushme në rast të shpërnguljes së tij prej Vjene në Shqipëri, si për personin e tij dhe për bibliotekën. Prandaj, që të shpëtoj nga ferri i këtushëm dhe që të niset pa vonesë në Tiranë, propozoj që ti akordohet shtetësia shqiptare sa të jetë në Vjenë tue u betua në këtë zyrë siç e parasheh Kodi Civil, sepse mbasi të figurojë si shtetas shqiptar nuk mund t’i bajnë ma vështirësina autoritetet e këtushme dhe kësodore do të muejë ma lehtas me e marrë me vete bibliotekën pa të cilën nuk mund të punojë kurrsesi...Lutem për një përfundim të shpejtë të çështjes në fjalë që të niset prof.Jokli sa ma parë për Shqipni pasi asht dëshpëruem tepër...”, shkruan konsulli ynë nga Vjena. Në fakt, historiani i njohur Artan Puto, në një shkrim të mesviteve ’90 do të tregojë se shqiptarët jo vetëm i ndihmojnë por burokratët dallkaukë nxjerrin dhe para të thata për shpëtimin e kokave të tyre. Me një përshkrim të drejtpërdrejtë, ai nxjerr këto kanale, ku bëhen këto marifete dhe si bëhej dokumentimi i tyre, kundrejt pagesave. Por, profesor Jokli s’është i aftë për këtë. Ai i është kushtuar studimeve dhe këto anale për të janë disa të largëta. Beson atë që shqiptarët i detyrohen më së shumti moralisht: respektin. Ka nxjerrë shumë studentë shqiptarë dhe shumë syresh i ka ndihmuar direkt. Mes tyre, më i afërti është vetë Profesor Çabej, ai që do t’i ngrejë në shkallën më të lartë studimet e gjuhësisë shqiptare. Burokracia s’bën asgjë. Dokumenti, që paraqet kërkesën e konsullit shqiptar, duhet të jetë harruar ndërsa ministri i kohës, Abdurrahman Dibra si zor të jetë marrë seriozisht me të. Pas kësaj, vetë Shqipëria s’do ta kishte të gjatë lirinë. Ashtu si edhe letra e autorit, që do të humbiste përfundimisht. Fati i tij do të humbiste përgjithnjë më maj të vitit 1942, kur atij, njërit prej albanologëve më të mëdhenj shqiptarë do t’i merrej jeta në njërën nga kampet më famëkeqe gjermane pranë Vjenës. Shqipëria, e pushtuar, se ndjeu aq shumë sepse vetë ishte e fshirë nga vendet e lira. Kurse për shkencën shqiptare ajo do ishte më shumë se tragjedi. 

Nga Artan Puto* 

Gjendja në Gjermani mori një kthesë të rrezikshme për ta si domos pas 10 nëntorit 1938, ose siç njihet ndryshe me emrin “Nata e Kristaleve”. Gjatë asaj nate, urrejtja raciste e nazistëve, shkaktoi shkatërrimin e sa e sa sinagogave dhe dyqaneve të hebrenjve. Më shumë se 30.000 vetë u dërguan në kampet e Sachnhusen, Buchenvald, Dachau dhe Oranenburg. “Nata e Kristaleve” shënoi dhe fillimin e largimit të hebrenjve nga Gjermania. Në atë kohë çdo familje izraelite përpiqej të gjente “parajsën” e saj por, siç shprehen vetë hebrenjtë në këto kujtime, në botë kishte shumë pak vende që i pranonin. 

Shumë prej tyre filluan të regjistroheshin në konsullatat e SHBA-së me qëllimin për të emigruar atje. Por vetëm një numër i caktuar lejohej të nisej për në SHBA, sepse përfaqësitë e saj kishin vendosur disa kuota pranimi. Qe pikërisht në këtë moment, që disa prej atyre që ngelën jashtë kuotave të pranimit e kthyen kokën drejt konsullatave shqiptare. 

Për ata, Shqipëria, në atë kohë, konsiderohej në mos si një “parajsë” të paktën si një strehë e përkohshme. Dhe, në fakt, pothuajse të tërë ata që vinin në Shqipëri menduan se do të rrinin këtu vetëm disa muaj, për të vazhduar më tej në Amerikë. Por ndodhi ndryshe. Me shpërthimin e Luftës së Dytë rrugët u bllokuan dhe ata u detyruan të rrinin këtu për vite të tëra. Për të ardhur në Shqipëri hebrenjtë gjermanë duhet të kalonin në Itali, ku i prisnin organizata të rinjsh student me origjinë izraelitë. Ata kishin organizuar një rrjet të tërë shoqatash që merreshin me sistemimin e përkohshëm të këtyre refugjatëve. 

Pas qëndrimit disa ditor në Italia, ata transferoheshin me anije nga Bari për në Durrës. Këtu refugjatët i prisnin hebrenj vendas, të cilët i merrnin të sapoardhurit dhe i vendosnin në banesa të caktuara. Hebrenjtë vendas që u jepnin ndihmën e parë refugjatë ishin familjet Kohen dhe Levi, tregtarë me origjinë greke, të cilët financoheshin nga komitete izraelite ndërkombëtare, siç ishte dhe “Joint” në ShBA, që paguante ushqimin dhe strehimin. 

Ndër ata hebrenj, që donin të vinin në Shqipëri në atë kohë, ka qenë edhe albanologu i famshëm austriak Norbert Jokli. Ai punoi për vite të tëra si specialist në bibliotekën e Universitetit të Vjenës duke dhënë mësime në gjuhën shqipe si pedagog i jashtëm. Duke qenë me origjinë izraelite ai po ndjente rrezikun që i kanosej prandaj bën përpjekje për të ardhur në Shqipëri. 

Në Arkivin e Shtetit është gjendur një letër që konsulli shqiptar në Vjenë i dërgon Ministrit të atëhershëm të Arsimit më 16 Janar 1939 ku thuhet:”...profesori në fjalë si izraelit parasheh që do ti bahen pengime të randa nga qarqet e këtushme në rast të shpërnguljes së tij prej Vjene në Shqipëri, si për personin e tij dhe për bibliotekën. Prandaj që të shpëtoj nga ferri i këtushëm dhe që të niset pa vonesë në Tiranë propozoj që ti akordohet shtetësia shqiptare sa të jetë në Vjenë tue u betua në këtë zyrë siç e parasheh Kodi Civil, sepse mbasi të figurojë si shtetas shqiptar nuk mund t’i bajnë ma vështirësina autoritetet e këtushme dhe kësodore do të muejë ma lehtas me e marrë me vete bibliotekën pa të cilën nuk mund të punojë kurrsesi...Lutem për një përfundim të shpejtë të çështjes në fjalë që të niset prof. Jokli sa ma parë për Shqipni pasi asht dëshpëruem tepër” (M.P.J., d.41, v. 1939, fl 2-3. Është interesant të vihet në dukje këtu metamorfoza që pëson gjuha e ashpër antisemite e konsullit shqiptar. Me siguri përballë famës së Joklit ai nuk e ka quajtur me vend të shprehet si e ka zakon-Shënim i autorit)...

Por Prof. Jokli nuk mund të shpëtojë. Ai u bë viktimë e barbarisë naziste dhe u masakrua më 8 Maj 1942 në një kamp përqendrimi në afërsi të Vjenës. 

*Botuar te Përpjekja 8 e vitit 1996. Fragmenti botohet me lejen e autorit

___

Norbert Jokl-i (1877 - 1942) Lindi më 25 shkurt 1877 në Bzenec të Moravisë Jugore të Çekisë së sotme. Studioi së pari drejtësi dhe shërbeu në Vjenë si praktikant juridik me shërbim gatitor për karrierën e avokaturës. Në vitin 1923 ai botoi veprën Linguistisch - kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen, (Berlin und Leipzig 1923) (Kërkime gjuhësore- kulturohistorike nga fusha e gjuhës shqipe), që me të drejtë konsiderohet kryevepra e tij. Studimet në këtë vepër i mbështet kryesisht në metodologjinë e njohur të Jakob Grimit, ku për bazë merren fjalët dhe sendet. Dhe në këtë mënyrë në vepër zënë vend edhe elementet e kulturës materiale dhe kështu ajo i tejkalon edhe caqet e linguistikës, ngase përfshihen edhe elementet e etnografisë shqiptare. Në lidhje me prejardhjen e gjuhës shqipe Jokli mendon se shqipja është e afërt si me ilirishten, po ashtu edhe me trakishten. Në themel teza e Joklit do të jetë e drejtë, sepse gjurmë trake në Adriatik kishte diktuar që më parë K. Paç. Edhe Nopça kishte shprehur mendimin se ilirët ishin shtruar si mbishtresë përmbi një shtresë trake. 

Vepra gjuhësore e Jokl-it, megjithëse me zhdukjen tragjike të tij, mbeti e pambaruar, paraqitet diçka tërësore në vetvete, tematika e saj është shumë më e gjerë se ajo e paraardhësve të tij. Në fushë të fonetikës, për periudhën parahistorike të shqipes, ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë, si dhe në reflekset e likuideve silabike. Në pikëpamje bibliografike do përmendur këtu „Vjetarin indoeuropian” (Indogermanisches Jahrbuch), ku Jokli ka redaktuar vit për vit pjesën që referon përmbi botimet e reja të albanistikës, seksioni VII që nga vëllimi IV, 1917, e gjer te XXIV, 1940. Norbert Jokl-i vdiq në maj të vitit 1942 prej regjimit nazist, në Vjenë. (Marrë me shkurtime nga Libri i Shaban Demirajt, kushtuar Profesor Çabejt).

3 Komente

Sa isha duke e lexu per ta cu tek peshku.Faleminderit Mondasmiley

Dini gje eshte ne shitje ne shqipe studimi i tij?

 

Qe shqipja eshte e afert si me ilirishten ashtu dhe me trakishten, mendoj se duhet te kete ardhur nga etruskishtja, si gjuha kryesore indoevropiane, ku ka lene gjurme si ne gjuhet dori, pashtu, farsi, ashtu edhe ne gjuhet gjermanike, kelte dhe latine. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).