Përktheu Miri Dhrami

 

Kalova

Shëtis dhe erret.
Marr një vendim dhe erret.
 

Jo, nuk jam e trishtuar.

Isha kurioze dhe e zellshme.
Di nga të gjitha. Pak nga të gjitha.
Emrat e luleve kur thahen
Kur jeshilohen fjalët, si dhe kur ftohen.

Sa lehtë kthehet çelësi i emocioneve,
me çfarëdo çelës harrese.

 

Jo, pra, nuk jam e hidhëruar.

 

Kalova ditë me shi,
u dhashë mbrapa këtij gardhi të ujshëm,

me durim dhe pa u ndjerë,

si dhimbja e pemëve
kur u bie gjethja e fundit,

si frika e trimave.
 

Jo, nuk jam e trishtuar.

Kalova pranë bahçeve,

u ndala ndanë shatërvanësh,

dhe pashë shumë statuja të buzëqeshin
prej shkaqesh të padukshme gëzimi.
Rioshë të dashuruar, mburracakë.

Harqet e tyre tendosur dolën gjysmëhënë

në netët e mia dhe u ngathtësova.

Pashë shumë ëndrra dhe të bukura,

Vërejta të përhumbem.

 

Jo, nuk jam e hidhëruar.

 

Shëtita shumë midis ndjenjash,
të mia dhe të të tjerëve,
dhe mbetej gjithmonë pak hapësirë ndërmjet tyre,

të kalojë viti me lehtësi.
Kalova dhe ri kalova nga posta.

Shkrova e rishkrova letra dhe mos

përgjigjes së zotit iu luta më kot.

Mora kartpostal:
një lamtumirë të përzemërt nga Patra,
dhe disa përshëndetje

nga kulla e Pizzës që anon.
 

Jo, nuk jam e trishtuar nga dita që u thye.
 

Fola shumë, njerëzve,
shtyllave me llamba, fotografive.
Dhe më tepër byzylykëve.
Mësova të lexoj shenjat e duarve.

Si dhe t’i humbas duart.
 

Jo, nuk jam e trishtuar.

Madje udhëtova.
Shkova andej, këndej.

Kudo mileti i gatshëm të plaket,
Humba edhe këndej, humba edhe andej.

Edhe nga kujdesi brenda vetes humba,

Edhe nga pakujdesia ime humba.
Shkova edhe tek deti.
më detyrohej një hapësirë.

Thuajse e morra.
Iu tremba vetmisë,
dhe imagjinova njerëzit.
I pashë duke rënë
nga dora e një pluhuri të fjetur,
që ngucte një rreze dielli

dhe të tjerë prej tingujve të ulët të një kambane.
U oshtiva prej tingëllima zilesh në shkretëtirën ortodokse.
 

Jo, nuk jam e  trishtuar.

Më kaploi flaka dhe u dogja ngadalë,
Dhe nuk më mungoi përvoja e hënave,

përhumbja e tyre mbi dete, dhe mbi sy,
e errët, më mprehu.

 

Jo, nuk jam e trishtuar.

Sa munda i rezistova këtij lumi,

kur kishte shumë ujë, të mos më merrte.
Dhe sa qe e mundur,

imagjinova ujë në shtretër lumenjsh të tharë,
Dhe u rrëmbeva.

Jo, nuk jam e trishtuar.
 

Po errëson në kohën e duhur.

____

Pasioni i shiut

Midis logjikes dhe absurdes,
filloi dhe shiu të shkrije mesnatën
me këtë tingull humbës, të përhershëm
Si.., Si.., Si...
 

Tingull rrëshqitës, arsyetues. 

I kuptueshëm.
Tingull i një shiu të vërtet.

 

Pikërisht, absurdja,
ndryshe e shkruar dhe ndryshe e  lexuar
me mësoi të fshehtën e tingujve.

 

Tani gjithë natën dëgjoj dhe lexoj shiun;

s-ja pranë i-së.

i-ja pranë  s-së.

Shenja te kristalta që përpushin

dhe mërmërijnë diç si,  Ti.., Ti..,Ti...

 

Çdo pike shiu dhe një Ti.

 

Gjithë natën

I njëjti tingull i keq kuptuar,

Tingull i pa limuar. 

Për një Ti,

të nevojshme por të pazbutur...

 

Gjuhëtrashi  shi.

Si një problem i pazgjidhshëm.

Shumë i lodhshëm të dëshmohet

Vetëm me Ti.., Ti.., Ti...

 

Nostalgji dyrrokëshe

Kallëzues një frazor

E para Ti, si kujtese e lodhur,

Tjetra Ti, si formë fatale.

 

Kaq shi për një mungesë!

Kaq pagjumësi për një fjalë!

 

Shumë më dalldisi sonte ky shi.

I pjerrët veç më një krah;

                     Ti... Ti... Ti…

Sikur gjithë te tjerat janë pa dëm,

përveç se; Ti ... Ti ... Ti ...

2 Komente

Prandaj janë Poetët.Ta c'brazin dhe ta mbushin sërish Shpirtin.Bukur !

Te bukura duken por emri i autorit Kiki me duket pak si i cuditshem.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).