Në emër të jetës, historia e dhurimit të gjakut, një prej gjesteve më humane, shënon këtë mars 62 vjetorin e zanafillës së saj në Shqipëri.

Me një shtrirje në 26 rrethe, dhuruesit e gjakut kanë më shumë se 20 vjet që përbëjnë tashmë një komunitet më vete dhe numri i regjistruar i tyre arrin në 15 mijë syresh në të gjithë vendin. Por, me gjithë altruizmin që mbart në vetvete ky akt, raporti, i pashmangshëm, i tyre me zyrat e Shërbimit të Transfuzionit të Gjakut nuk gjen paqe.

Arsyet janë nga më të shumtat. Nën një emërues të përbashkët, të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë transparence. Specialistët e qendrave të Transfuzionit pretendojnë se dhuruesit me pagesë fshehin problemet që mund të kenë dhe nuk janë më një komunitet i besuar, por që e bëjnë gjithçka për një përfitim financiar, edhe pse ky është shumë i vogël. Në këtë pikë, dhuruesit revoltohen, duke argumentuar se shuma prej 3850 lekë/njësi gjak që ata marrin është thjesht dhe vetëm konvertimi në para i trajtimit ushqimor që ata duhet të marrin pas aktit të dhurimit të gjakut, në momentin që në qendrat e dhurimit nuk funksionojnë më mensat e dikurshme. Pastaj fillon kalvari i akuzave. Me gjakun abuzohet. Ai iu shitet, një Zot e di sa, që nga hallexhinjve nëpër spitale, që paguajnë taksa për ta pasur falas, e deri klinikave e spitaleve private që nuk e kanë assesi këtë të drejtë.  

QKTGJ në shullë

Në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ), e cila ndodhet në të djathtë të Spitalit Ushtarak, një mesditë e zakonshme ka një pamje gati-gati letargjike. Ndryshe nga pragu i portës së spitalit pak metra më tej që pret e përcjell psherëtima hallexhinjsh e sirena urgjencash. Të 50 njerëzit e pretenduar të personelit, s’janë as 5 syresh, përfshi sanitaren dhe rojën e përgjumur aty ku duhej të ishte porta hyrëse. Është kaq qetësi sa të ndillet gjumë. Iu drejtohemi dy infermiereve që po shullëheshin të mbështetura pas vetratës së xhamtë në verandën e jashtme. Do të ishin të vetmet përparëse të bardha që do na zinte syri deri në fund. Pa lejen e drejtoreshës s’na thonë dot asgjë, madje “e mira është të flasë vetë ajo”. Ngjisim shkallët, pastaj djathtas, pastaj drejt dhe pastaj prapë djathtas, dera dytë dhe paradhoma e Dr. Irena Qëndro. Nuk do i marrim shumë kohë. Sekretarja hyn dhe del shumë shpejt. Por doktoresha nuk ka fare kohë... As sot, as nesër, ndoshta pasnesër..., por gjithsesi, mund të dukemi njëherë nesër... Teksa presim, ka mbërritur njëra nga infermieret që ishte poshtë. Meqë asaj nuk i lejohet të flasë pa lejë të drejtoreshës, bëjmë cik muhabet: A vijnë përditë dhuruesit? Sa janë? Është në rritje numri, apo në zbritje? Çfarë moshash, çfarë target grupesh sociale?... Konfidohemi shpejt. “Numri i dhuruesve me pagesë është ulur shumë. Tani për shembull, në qendrën tonë, numërohen a s’numërohen 100 vetë. Edhe ne vetë drejt kësaj tentojmë të shkojmë. Është më mirë që të stimulojmë dhurimet vullnetare të gjakut përmes fushatave në radhët e të rinjve të shëndetshëm”. Arsyeja? “Të parët janë duke e humbur besueshmërinë, ata vijnë nga komunitete që nuk bëjnë një jetë të shëndetshme duke i fshehur sa të mundin problemet fizio-psikologjike dhe gjaku i tyre shpesh nuk iu qëndron parametrave të dëshiruar. Vuajnë nga tensioni i ulët, kequshqyerja...etj. Ata janë kryesisht anëtarë të familjeve të varfra të komunitetit rom. Por edhe këta janë duke u larguar.” Na duhet një histori njerëzore, një nga këta dhurues që kanë dhjetëra vjet që vijnë e japin gjak. Në këtë pikë, bluza jonë e bardhë tërhiqet. “Por ne nuk kemi të dhëna e as kontakte të asnjërit prej tyre... Ata vijnë, dhurojnë, ikin...”. Në fakt, nuk do ishte nevoja të shkonte deri këtu për të na çuditur. Ne e njohim shumë mirë konceptin e privatësisë, aq më tepër në një lidhje kaq delikate, në një lidhje gjaku... 

Betimi i shkelur i Hipokratit

“Ato, të gjitha, me Irenën në krye, e kanë kthyer atë vend në një kafene grash që rrinë kot!”. Deklarata e kryetarit të Komunitetit të Dhuruesve të Gjakut, Z. Skënder Hekuri, është ca e ashpër. Megjithatë ai nuk e mbyll me kaq. Nuk përpiqet fare ta fshehë revoltën dhe artikulon pastër. “Pas vitit ’90 e këtej, shërbimi spitalor nuk është më human dhe Betimi i Hipokratit është shkelur me të dyja këmbët! Shërbimi spitalor është kthyer në një biznes të mirëfilltë që këtë ka të parin dhe të vetmin qëllim. Gjithçka filloi t’i ngjante çdo ditë e më shumë një tregu, sidomos pas lulëzimit të klinikave e spitaleve private. Kudo të kërkojnë para dhe po s’fute dorën në xhep nuk të zë njeri me dorë”. - Por kjo nuk është një histori e padëgjuar dhe spitalet e klinikat private funksionojnë më së miri në të gjithë botën, pa i hyrë në hakë humanizmit apo vetë betimit të Hipokratit. Në këtë pikë të bisedës, Skënder Hekuri nuk ngurron të ndalet e të japë argumentet e veta. Në fakt këtë do të bëjë deri në fund të bisedës tonë. Ka marr me vete një dorë shkresurinash e copash ligjesh dhe duket qartazi se pasioni me të cilin flet nuk është thjesht formal. Në fakt, ai vetë ka qenë për shumë vjet anëtar i këtij komuniteti dhe në vitin 2004 është zgjedhur prej tyre si kryetar. Ai vetë ka dhuruar gjak për shumë vite, ashtu siç ka dhuruar e motra e tij, e ca më parë edhe e ëma. Do të ishte perfekt historia njerëzore që po kërkonim që prej fillimit, por ai këtë radhë nuk do të ndalet në një rrëfim të tillë. Është zëri që përfaqëson 15 mijë dhuruesit e gjakut në të gjithë vendin dhe gjithë nervin e ka me mungesën e transparencës nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, me pazaret që bëhen me gjakun, me qendrat e dhurimit, me fshehjen e të dhënave, me mungesën e vëmendjes ndaj tyre, me mungesat ligjore, mospenalitetet ndaj personelit mjekësor. Sepse kur diçka nuk shkon siç duhet, apo edhe më keq se aq, këta të fundit dënohen vetëm me 10 mijë lekë gjobë. Po aq u dënuan edhe në rastin e para katër vjetëve me 4 fëmijët talasemikë të cilët u infektuan nga HIV Aids gjatë transfuzionit të gjakut. 

Rruga e gjakut

Situata nuk u bë e frikshme dje, në fakt. Sipas Skënder Hekurit, asgjë nuk është e sigurt, po të kesh parasysh kushtet skandaloze në të cilat bëhet dhurimi i gjakut, mungesa e kontrollit, mosmarrja parasysh e periudhës ‘dritare’ 3-6 javore gjatë së cilës bëhet i perceptueshëm në laborator virusi i SIDA-s. “Mos harroni që rrethet nuk janë Tirana. Në qendrat e dhurimit mungojnë mjekët, gjithçka bëhet në praninë e infermierëve dhe sanitareve dhe gjaku peshohet me peshore zarzavatesh. Kontrollet e analizave herë kryen e herë jo. Ndërsa laboratori për kontrollin ndaj HIV Aids gjendet vetëm në Tiranë. Prej andej duhet të vijë për çdo dhurim kampioni e të verifikohet, pastaj të aprovohet përdorimi. Një histori e gjatë që lë pa fund vend për abuzime e neglizhime”, tregon kryetari i dhuruesve. Kjo histori ka pak a shumë moshën e përpjekjes sonë për demokraci. Sipas tij, “në Shqipëri nuk ka dhurues vullnetarë, ka vetëm heronj të kronikave televizive. Ligjërisht, për tu quajtur dhurues vullnetar gjaku duhet të japësh gjak të paktën 3 herë në vit”. Sa iu takon shifrave gjithmonë e në rritje që tregojnë numrin e dhuruesve vullnetarë, Z. Hekuri shpjegon duke akuzuar QGJKT se në këtë tavë ata fusin edhe dhuruesit familjarë, gjithë të afërmit e hallexhinjve që kur paraqiten në dyert e spitaleve i detyrojnë të japin gjak, sepse spitali nuk ka rezerva. Edhe nëse nuk i përkasin grupit të duhur, ata gjithsesi duhet të japin gjak për spitalin, e pastaj ky këmbehet me grupin përkatës. 

Urdhri ‘Top sekret’

Po kur të zë halli, nuk të dhimbsen as lekët e as gjaku. Sigurisht që nuk të dhimbsen, por jo kur, megjithë hallin, gjaku që dhe shitet, pale sa, diku aty shumë pranë lëngatës tënde. Ja, kjo është pikërisht pika tjetër për të cilën zotëria që kemi përballë nuk rri dot pa folur. Në fakt nuk ka shumë për të thënë. Jo se s’do, po se s’di. “E gjithë procedura e dhurimit e deri tek transfuzioni që i bëhet pacientit është mirëfilli një transplant. Ashtu siç me organet çdo veprim është i hapur dhe i mbrojtur nga ligji, këtë pretendojmë edhe ne”. Pretendimi në fjalë lidhet së fundmi me një urdhër të firmosur nga ministri i shëndetësisë z. Petrit Vasili, i dt. 17/11/2011. “Për miratimin e tarifave të gjakut dhe komponentëve të tij”. Ç’bëhet me gjakun e tyre, ku shkon ai dhe sa shitet? Sipas z. Skënder Hekuri, shtojca e këtij urdhri e cila duhet të paraqesë tarifat e çmimeve të shitjes së gjakut, mbahet nga Min. Shëndetësisë dhe institucionet e saj si ‘top sekret’.

1 Komente

3850 lek ushqim per te kompensuar dhurimin e gjakut? Une jap gjak ne Angli (falas) cdo 3-4 muaj, dhe edhe pse pas pune shkoj te nje klinike gjaku ne qender te londres, une nuk pi gje aty se pi uje dhe ha ndonje gje para se te ulem te jap gjak - rreth 500ml me provezat, dhe trupi e zevendeson kete gjak per 3-5 ore.
Doja te dhuroja gjak ne Tr vjet, por me thane se japin gabelt me leke dhe se nuk duhet te jap gjak ne Tr se mund te marr ndonje semundje me than njerezit.
Keto ne Shqiperi duhet te kene shume me shume njerez, qe te perzgjedhin njerezit me menyre jetese te rregullt, dhe te paster.
Une cuditem se pse nuk e bejne te rregullt dhe te sigurte dhenien e gjakut, falas, jo me leke, qe te zgjerojne rrethin e njerezve qe dhurojne gjak.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).