Shkollat, më shumë se vende mësimi po shërbejnë si streha “magazinimi” të adoleshentëve.

Personalisht i përkas atij brezi, që rininë e përjetoi në dy epoka, atë të fundit të komunizmit dhe fillimit të demokracisë. Për këtë arsye shumë prej nesh mendojnë se kemi qenë brezi më i pafat, pasi e kaluam këtë periudhë të jetës në agoninë e një sistemi dhe në përpëlitjet e lindjes së një sistemi tjetër. Por duhet të jemi gabuar në këtë konstatim.

Gjatë muajve të fundit, më është dashur të udhëtoj në disa qytete dhe zona rurale, për t’u konsultuar me mësues e prindër, lidhur me disa sugjerime që lëvizja Alternativa Civile po përgatit për projektligjin e ri të arsimit parauniversitar. Jam tërësisht i bindur tashmë se nuk kemi qenë ne brezi më i pafat, por ata që lindën në vitet e fundit të komunizmit dhe vitet e para të tranzicionit. Pra ata që sot janë nga 17-24-vjeçarë.

Shumë prej këtyre të rinjve sot janë analfabetë, ose kanë mbaruar vetëm ciklin 9-vjeçar të shkollës dhe atë sa për procedurë. Ata nuk kanë sot një arsimim të mjaftueshëm për t’u orientuar në jetë. Ata nuk kanë një profesion për të punuar në një fushë të caktuar. Ata janë rritur me prindër që punonin e punojnë në Greqi e Itali e që ktheheshin në shtëpi një herë në vit, për të përmbushur qëllimin e vetëm të jetës, ndërtimin e një shtëpie të re për fëmijët e tyre. Por ata jetojnë në një epokë “moderne”, e cila i ka bërë ta përbuzin punën e rëndomtë, më të cilën përballeshin bashkëmoshatarët e tyre në kohën e komunizmit. Ata jetojnë në epokën kur u duhet t’u përshtaten të tjera rregullave jetese. Të kenë një telefon celular, të futen në internet kafe, të frekuentojnë kafenetë, të tymosin duhan e shpesh edhe cannabis…. Ata jetojnë në një kohë kur është “fyese” të punosh në arë krah prindërve, është “fyese” të shesësh në treg vetëm ose krah prindërve, është “fyese” të punosh në ndërtim apo në ndërmarrjen e shërbimeve të qytetit. Ata janë pa arsimin dhe pa formim profesional dhe nuk kanë asnjë shans për t’u përthithur nga tregu kapitalist i punës. Po ku do t’i gjejnë paratë ata për të bërë jetën “moderne” të kohës? Ku do t’i gjejnë telefonat e rinj, cigaret, drogën, dhuratat për vajzat, të paktën në 14 shkurt? A do të ndihmohen ata pafundësisht nga prindërit e tyre?

Këtu e merr shpjegimin një dukuri tronditëse e viteve të fundit. Pjesa dërrmuese e vjedhjeve që shënohen sot në qytete dhe zona rurale kanë për autorë djem të moshës nga 17 deri në 23 vjeç. Ata vjedhin çdo gjë, rroba të ndera në tel e nëse nuk ka rroba edhe vetëm telin, biçikleta, çanta, kuleta, kabllo elektrikë, hekurishte, sinjalistikën nëpër rrugë e autostrada, bullonat e shinave dhe traversave të hekurudhës, telat e tendës së hardhive nëpër pjergulla, bagëti nëpër stane dhe pula nëpër kotece. Ata vjedhin dhe dërgojnë në treg për vetëm 2 mijë lekë të vjetra çdo gjë që mund t’u zërë syri dhe mund të shitet. Dhe, pasi u kanë mbaruar ato të të tjerëve, vjedhin edhe elektropompën me të cilën babai i tyre vadit të mbjellat e tokës së tij e pse jo edhe veglat e tij të punës për t’i shitur për skrap. Dhe, nëse edhe këto nuk ecin siç duhet, ata mund të shtinë edhe me armë ndaj prindërve.

Shumë prej këtyre ngjarjeve, policia nuk i regjistron më. Por në realitet kjo është një epidemi.

Pak ditë më parë, një adoleshent vdiq e një tjetër u plagos rëndë, pasi po sharronin një tub të gazjesllësit për ta shitur për skrap. Tërë këtë veprimtari kriminale, nuk mund ta motivojmë e justifikojmë me varfërinë. Jo jo, ky është mjerimi në rritje i një brezi, i një brezi që nuk di asgjë, as të shkruajë, as të mendojë, as të punojë, por vetëm di që duhet të ketë para në dorë dhe për këtë zgjedh rrugën më të shkurtër, atë të vjedhjes dhe të krimit. Ky është brezi i tranzicionit, që lindi, u edukua dhe u shkollua në tranzicion.

Kjo krizë do të vazhdojë të thellohet. Ata do të vazhdojnë të rriten dhe kërkesat e tyre po ashtu. Atëherë, nga vjedhja e kabllove elektrikë dhe e bullonave të hekurudhës, ata do të kalojnë në vjedhje më të mëdha.

Të tërë këtë realitet ne po e injorojmë, po lëmë mënjanë dhe po mendojmë për halle edhe më të mëdha. Sot shkollave të mesme u janë dhënë udhëzime që të rinjtë të mos i përjashtojnë, pavarësisht rezultateve në mësime, pavarësisht sjelljes shpesh edhe të dhunshme. Të rinjtë duhet të qëndrojnë në klasa, me arsyetimin, “më mirë aty se në rrugë”. Shkollat, më shumë se vende mësimi po shërbejnë si streha “magazinimi” të adoleshentëve. Dhe kjo është tërësisht e vërtetë. E keqja jonë është se i referohemi vetëm Tiranës dhe harrojmë se Shqipëria është pak më e madhe se kaq. Por, e keqja më e madhe është se ne mendojmë se e keqja më e madhe në këtë vend është reforma zgjedhore dhe politika e media tërë kohën çirret vetëm për këtë, duke lënë në harresë tumore të tilla sociale. Neve nuk na shqetëson se në lajme ka çdo natë njoftime për grupe adoleshentësh që arrestohen duke vjedhur, por se çfarë kanë thënë komisionerët në Bruksel për këtë palo politikën tonë në menopauzë.

Dhe ky nuk është një problem i një qeverie, as i një Kryeministri dhe nuk zgjidhet as me largimin e një qeverie apo të një Kryeministri. Ky është një problem i madh social dhe një minë me sahat, të cilën shoqëria e ka mu para syve duke i dëgjuar tik-takun, por që nuk do ta shikojë. Por të jemi të sigurt, kjo bombë ka nisur të shpërthejë edhe pse efektin e plotë do ta japë pak më vonë.

9 Komente

"Cfare do te mbjellesh ate do t`korresh"

(Populli shqiptar)

Shkrim goxha interesant.

Pervec shtresave vertet te varfera qe portretizohen ne ket artikull edhe shtresat e tjera kane shume probleme. Kur erdha ketu ne kanada vura re qe eshte absolutisht e papranueshte qe femijet mbi 20 vjec te jetojne akoma me prinderit, aq me teper te jene pa pune. Punen e fillojne qe ne gjimnaz, pavarsisht te ardhurave te familjes. 

Ne nuk e kemi ket kulture. Prinderit per shkak te vuajtjeve te tyre nuk duan qe femijet ta provojne punen qe te vegjel. Madje jane te gatshem ti mbajne me buke deri kur te arrijne 30 vjec dhe te martohen. Kjo mbeshtetje i dembelizon te rinjte, te cilet kalojne te gjith diten neper kafene. Me cudit fakti qe sa her qe kthehem ne tr te gjith ato qe jane pa pune i gjej neper kafe gjith diten. Dhe te gjithe ankohen se nuk kane pune. Dy pyetje lindin, ku i gjejn parat per te ndenjur ne kafe gjith diten, si dhe per 1 pakete cigare cdo dite, kur nuk kan pune?! Si dhe e dyta, nese nuk ke pune, cfar dreqin bo ne kafe?! Shko kerkoje, dhe po nuk e gjete krijoje vete. Por jo, jane shume zoterinj te nderuar per ta kerkuar punen vete. Duhet punedhenesi ta kerkoje dhe ta luse te vij ne pune.

Pa ndryshuar mentaliteti, veshtire se zhvillohet vendi. Fajin me te madh per problemet e shqiperise nuk i ka as PS-ja dhe as PD-ja por i kemi vet ne. Fundja jemi ne qe i kemi vendosur ato persona aty dhe ato nuk perfaqsojne gje tjeter vec vlerat tona.

Kjo mund te vleje per rinine ne cdo vend botes.

Sipas ketij kriteri analize, meqe sot krimet kryhen nga 20-23 vjecaret, fajin e ka edukimi shkollor post '90 qe eshte me i dobet. Po atehere po te marrim si shembull krimet e bashkatdhetareve tane ne Europe (droge, prostitucion, vjedhje, vrasje) pas emigracionit te viteve '90, atehere ne kete rast kush e ka fajin?

Te njejten ndjesi kam dhe une per brezin e ri aty; te konsumuar nga konsumizimi dhe me nje kulture e respekt gati zero per punen. Kane nje botkuptim jangllesh te pavaresise vetjake: bej c'te dua une, po me paret e te tjereve.

Autori ka lene dhe nje aspekt tjeter te rendesishem jashte: lojrat e fatit. Keto une i shoh me problematike se sa  drogen, sepse po u vene  minat ne mase familjeve shqiptare.

Dhe persa i perket daljes ne jete, nuk mbaron tek martesa detyrimi i prinderve. Djemte sidomos, jane bere te pafytyre ne kete drejtim. Zhvasin pa pike turpi prinderit qe kane pleqerine perpara e vetem pretendojne, pretendojne... Me cudit dhe qendrimi i prinderve shqiptare qe nuk vene dot kufirin tek thana, ndoshta me sh i tremb vetmia se sa shushunjat mbi kurriz. (e te mendosh qe keto realitete jane nga mjedise te klases se mesme tiranase!)

mungojne vlerat ,modelet pozitive te kohes se sotme.Mungon sidomos pasioni...Me tremb mungesa e tij ,bejne gjithçka pa asnje therrime gezimi o lumturie  çiftezohen madje ,nuk bejne dashuri....te mrrylet ,te papaster aspak interesante ,te merzitshem ,te pabukur.Pa identitet,parametra vetem fizike te bukurise.Sapo sheh nje vajze apo djale te bukur ,je ndare nga ata nuk te kujtohet me asnje sepse nuk emetonje asnje grime individualitet....Per mua receta nje bilete solo andata ,vetem kudo ne Evrope a Amerike ,pa askend,,

Mbase se nuk kan as edhe nje lloj mundesie per te shprehur pasionin e tyre pervecese te behen futbollist/basketbollist apo kamarier?

Ajo tjetra eshte sepse shumica nuk kan qellime ne jete ashtu jan edukuar,po prap eshte me shume specifike.

Disave u duhet heq e drejta per te shkruar me ligj, jo pergjithmone por per disa tema po. Ky shkrim eshte nje nga rastet.

Shumë prej këtyre të rinjve sot janë analfabetë, ose kanë mbaruar vetëm ciklin 9-vjeçar të shkollës dhe atë sa për procedurë. Ata nuk kanë sot një arsimim të mjaftueshëm për t’u orientuar në jetë. Ata nuk kanë një profesion për të punuar në një fushë të caktuar.

Po ku jane keto vende pune mer qe na mungoka fuqia punetore e kualifikuar? Po si mer lexoni ndonje raport OJQ-je per te zhvillu fonde dhe e sillni per te vertete e ca me keq akoma e sillni si angazhim intelektual.

Rrushko,

po supozoj qe duhen punesuar 50 000 te rinj ne vit. Duhen 50 000 x 5000 euro per ti kriju keto vende, pra 250 000 000 milione euro. Ku jane keto pare mer derdimen ? 

Po ja ta zeme se dhe u gjenden keto pare. Po si ta ha mendja qe ata qe i kane keto pare kane mente e tua dhe do marrin ne pune njeres me kualifikim dhe eksperience ZERO? Apo e di punesimin si puna e gazetareve qe merrni ne pune qe nuk dine as shkrim e kendim ne rregull? APO nuk ka rendesi sepse u duhen per te mbyll faqe dhe jo per te dhene cilesi.

Prandaj ka dale ajo fjala : ty nuk te marr as per coban me dhi. Se te jap 50 e me sjell 45.

Ah medet, medet !

Po sikur 1000 nga ata 50.000 ta krijonin vete punen?
Ps. 50.000 vende pune ne vit nevojiteshin ne vitet '90. Sot me tkurrjen e popullsise besoj numri do jete te pakten 2 here me i vogel.

mine e kaluar mines jane, por me shume po i minon nje sistem antivlerash i cili per fat te keq po kultivohet dhe po jep efekte gjeometrike ne kete shoqeri! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).