Fusnota e ka qetësuar ndërgjegjen e administratës së Brukselit, por në terren çdo zgjidhje e qëndrueshme është po aq e largët sa edhe katër vjet më parë

Ditë historike, publik i nderuar. Më në fund u arrit njëfarë marrëveshjeje me Prishtinën në pajtim me të cilën “krahina jonë jugore” në të ardhmen do të paraqitet në tubimet ndërkombëtare me emër, Kosovë, por me këtë fusnotë: “Ky emërtim nuk e paragjykon statusin dhe është në pajtim me Rezolutën 1244 dhe mendimin e GJND-së për Deklaratën e Kosovës për Pavarësi“.

Tash po mendoj diçka: do të ketë këtu ende probleme. Sa e madhe do të duhet të jetë ajo tabela që qëndron para delegacioneve? Do të jetë e dalluar nga tabelat e tjera. Shkrimi i fusnotës me madhësi të vogël të shkronjave nuk vjen në konsiderim dhe për këtë të dyja palët do të pajtohen. Beogradi do të dojë që Rezoluta 1244 të jetë e dukshme edhe nga gjithësia, ndërsa Prishtina do të insistojë në dukshmërinë e “mendimit të GJND-së“. Belatë diplomatikë na presin.

Nuk jam ndier edhe aq mirë kur Maqedonia e pati marrë emrin “ish-Republika jugosllave”. Disi e pikëlluar dhe e palogjikshme më dukej kjo gjë. Para së gjithash – gjë e keqe për fillim. Si të presim prosperitet në një shtet që emërtohet si “ish“, pra një që më nuk ekziston? Nomen est omen, zonja dhe zotërinj. Kontesti mes Greqisë dhe Maqedonisë, edhe pse në masë të madhe është më i lehtë sesa kontesti mes Beogradit dhe Prishtinës; gjithçka aty sillej rreth emrit dhe flamurit, e megjithatë – kontesti ende vazhdon. Në rastin tonë gjithçka është shumë më e ngatërruar, edhe pse më habit se mendimtarëve tanë nuk u shkoi ndër mend të propozojnë që Kosova të quhet “ish-krahina autonome serbe”.

Dua të them se fusnota e ka qetësuar ndërgjegjen e administratës së Brukselit, porse në terren çdo zgjidhje e qëndrueshme është po aq e largët sa edhe katër vjet më parë. Natyrisht, fusnota ka qenë e barabartë me hedhje kripë syve të të ashtuquajturit bllok patriotik që e konsideron atë tradhti dhe njohje eksplicite të “republikës së rrejshme”. Paralajmërimi për fitimin e statusit të kandidatit ka shtuar mllefin e euroskeptikëve dhe i ka forcuar ata në bindjen se këtu ka ndodhur një shitje.

Për atë që kandidatura (eventuale) ka të njëjtën vlerë praktike sa edhe fusnota, nuk çan kokën askush. Unë, si mrrolan që jam, tërë punën e shikoj disi ndryshe, me çelësin për mua të preferuar konceptualisht. Sepse, nëse Maqedonia asokohe qe shpallur ish, ndërsa Kosova tani fitoi një fusnotë goxha të madhe, kjo flet mjaft për situatën e vërtetë të “vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Të gjithë ne, së bashku, publik i nderuar, jemi shtyrë në zonën e “ish”-it, të gjithë ne jemi futur në atë fusnotën e Brukselit, ani pse unë nuk do ta akuzoja për këtë as Brukselin, as Vatikanin e as Kominternën.

*Shkrimtar bashkëkohor serb. Botuar së pari në gazetën ‘Koha Ditore’.

1 Komente

Asgje nuk u zgjidh vertet, po kosova fitoi shume. Tani politikanet kosovare mund te pallohen me sherbime e me dieta neper aktivitete rajonale e mbi-rajonale ku merr pjese dhe serbia. nuk e di a i ka heq urdherarrestet serbia per thacin e te tjeret, apo prape nuk shkojne dot ne beograd keta?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).