Një udhëtim në vendin e tmerrit, ku mbaheshin dikur disa nga kategoritë “më të rrezikshme” njerëzore për regjimin komunist.

Spaçi i sotëm është një strukturë gërmadhë gjigande tullash me hone galerish të braktisura dhe me shumë ngrehina ‘zhytur’ mes të përpjetave të maleve. Nëpër mure janë ende parullat e pa fshira, ku keqbërësit dhe armiqtë e sistemit identifikoheshin shkruar me të zezë ndërsa pushteti dhe socializmi me të kuqe, rroba të mbetura nga shtegtarë-miniere të mëvonshëm, hekura të ndryshkur të asaj kohe, ngrehina të bjerra dhe erë, erë dhe male, e male, male pafund...ku edhe dielli duket se ka frikë të qëndrojë më shumë se 2-3 orë. Po muzeu, pretenduar nga Berisha? O Zot, çfarë përralle cinike...

Në gjysmë të rrugës Mercedesi, nuk mundet. Rrëshqet dhe gulçon, ndërsa shoferi na thotë i ndrojtur se nuk mundet më. Nuk ka marrë zinxhirë, ndërsa ngrica dhe bora e bën rrugën drejt Spaçit krejt të papërshkueshme. Askund s’ka këmbë njeriu, ndërsa valët e telefonit nuk kapin. Befas aparati lëviz, cingërrin i ndrojtur, për të ikur sërish. Nuk dimë ku të gjejmë një vend të përshtatshëm. Ngado male, male, male dhe sërish male dhe poshtë tyre përrenj të vegjël, që i japin një ngjyrë metalixatë kohës dhe vetë diellit, i cili duket se frikësohet të shfaqet një grimë më shumë. Të duket si një Tibet i vogël mes malesh të grihnuar Shqipërie...

Për në Spaç

Në këtë Tibet të vogël, nga Tirana tashmë mund të jesh brenda katër orëve në dimër. Kuptohet, nëse gjërat do shkojnë mirë, makina do jetë e lartë dhe mbi të gjitha do të dish udhën. Me autostradën e re të Kombit, gjithçka është zgjidhur më së miri. Pra, sapo kalon Repsin, një byepass të fut në një rrugë të ngushtë lokale, e cila fillimisht dredhon poshtë një ure të madhe të Udhës së Kombit dhe drejt e në vend. Bash këtu takojmë spaçianin e parë. “Do futesh këtu, ani majtas, vetëm majtas”. Ke qenë ndonjëherë e pyesim? ‘Kam punu me t’burgosurit gati 8 vjet’, na thotë krenar 50 vjeçari. “Kena nda koh’t’vështira. Ehhh”. Kjo eh, që i del nga shpirti, nuk e di është për udhën që do përshkruajmë apo atë kohë. Atë kohë e dimë mirë se njerëzit, e ashtuquajtur të lirë, as nuk flisnin ose nuk lejoheshin të kontaktonin me qyqarët. Ani, e besojmë. Na duhet si drejtim. Falënderojmë. Sapo udha ka marrë drejtim, vetëm 20 minuta më vonë, ke ndjesinë se ngjitesh drejt maleve, që pikturon në kanavacën epike Bashkim Ahmeti. Sak, në një si vend qëndrimi, një burrë po vendos himet mbi gomar. E ka ngarkuar bajagi. Mundohem ta ndihmoj, por se kuptoj në udhëzimet që më jep. Ka, veç dialektit të zonës, dhe një të ngrënë të vogël natyrore të gjuhës që e bën prej aksentit... “Është e vetmja gja me jetu. E kam ngarku me e shit”, më thotë. Unë e pyes për Spaçin, ndërsa ai ma kthen nëse njoh njeri në Spaç fshat. Jo, i them. Njëfarë kohe hahemi më kot, por s’marr dot përgjigje për jetesën as për udhën veçse një drejtim, që s’duhet ti ndahem majtas. “Mbjellim do gjona por jo shumë”. E lemë.  

Si vinin njerëzit që t’ju vizitonin...

Në udhë më kujtohen pyetjet që i kam bërë Visar Zhitit, i cili ditët e fundit ka nxjerrë vërtetë një libër të mrekullueshëm dhe të ndjerë. Visari, madje, është i pari që na tregon rrugën e re nga Tirana. “Vërtet do shkosh? Nuk e di shkoni dot apo jo?” Ka të drejtë. Mbesim në udhë. Rruga ngjitet e ngjitet dhe merr kthesa pafund, ku ngrica është forcuar prej strukjes së diellit. Një i ftohtë acar na e bën udhën dhe më të vështirë. Nga të gjithë anët male, humnera dhe shpate krejt të zhveshura. Një ngjyrë e hidhët, që është mes kafes dhe hirit...mbizotëron. Ose një blerim i masakruar dhe qielli i fare-paktë, që duket s’ka vend as për retë. Çfarë përcakton stinët këtu? Jo mjaft. Teksa baresim në segmentin me borë, dielli lodron ndër maja, por poshtë hirnon. Edhe ai ka dy standarde këtu. Kush vinte vallë këtu? “Vinin vetëm familjarët e afërt, bashkëshortet, në qoftë se nuk kishin bërë ndarjen për arsye politike, fëmijët, nëse nuk i kishin braktisur prindërit, gjë që zakonisht ndodhte me ata që ishin të regjimit dhe i kishin shërbyer atij në instanca të ndryshme, vinin prindërit, vëllezër, motra. Ndodhte dhe ndonjë kushëri a dajë, por duhej të merrnin leje. Takimet lejoheshin një herë në muaj, por ishte e pamundur. Vinin më rrallë, edhe një herë në vit, për arsye ekonomike, vinin dhe nga internimet, nga Jugu e Veriu, edhe dy ditë rrugë u duhej ndonjëherë, tre, me trena, autobus, pastaj merrnin rrugën nacionale që të çonte në Rrëshen, Kukës, ndalnin në mes të rrugës, maleve dhe kthenin për andej nga minierat e burgjeve, rrugë dytësore e pa asfaltuar, mbi humnera, duke shpresuar t’i merrnin kamionët e mineralit, qoftë dhe pas në karroceri nëpër erë, se urdhri ishte të mos merrnin si pasagjerë nga familjet e armiqve. Pra u duhej të ecnin dhe në këmbë, me trasta krahut, për t’i sjellë ndonjë ushqim njeriut të tyre në burg, aq sa lejohej. Keqtrajtoheshin dhe ata, më e pakta indiferenca prapësuese. Takimet nuk lejoheshin natën, prandaj nxitonin t’ia kalonin diellit. Them se ia kemi kaluar diellit, u munduam të ishim njerëz, kur nuk lejohej. Unë kam dy libra voluminozë ku i rrëfej këto, që pyesni, ku secili në titull ka fjalën “ferr”. U ngrit një ferr mbi tokë, më i rëndë se ai për të vdekurit, për të gjallët”, më ka thënë Visari.

Burgu dhe parullat

Pas një orë e gjysmë mbërrijmë në Spaç. Të vetëm në një gropë mes malesh dhe pa asnjë lidhje me këtë realitet. Male kudo, një përrua poshtë, këtej male dhe ngado që të rrotullohesh, pas, anash, në anën tjetër, këtej, andej. Një ngrehinë e madhe, që është poshtë dhe kur shkon poshtë të duket në qiell grihnon. Nga të çon kjo udhë? Ku i vendosnin të burgosurit? Ku është ajo që kemi parë në Tv? Përpara është një gur përkujtimi me dy palë shkallë të shkallmuara nga koha që i rrinë anash ndërtesës. Një si sedilie, që në fillim e marr si krevat, është futur diku në plehra. Dy bulona dhe mbeturina të pakuptimta. Një fund toke, por duhet të ketë dhe një fund, që e shohim kur ngjitemi në disa shkallë, mbetur dhe ato në ajri. Era e shton edhe më shumë këtë ankth të paditurisë tonë. Kemi poshtë ndërtesën gjigande, por ka një fund sërish dhe po sërish... një fund. Duket sikur djalli ka ndërtuar tarraca në ferr, ku poshtë ujërat mblidhen dhe drejtohen për gjithkund në mbretërinë e tij. Rrotullohemi nëpër kamp, që ndodhet pak më tej. Një hapësirë disa qindra metra katrorë, që ka të vijëzuar ende në mure vendet e krevateve disakatësh- tip Birkenau, rroba të mbetura endacakësh apo minatorësh të mëpastajmë. Ku zhvisheshin, si qëndronin, si i kishin rrobat me lëkura të rrjepura mali, ngjyrë dheu me vija si vraga të zeza ku hijezohej përroi i skëterrtë, humbamen, citoj Visarin. Tani nuk përfytyroj dot se ku ka qenë porta e madhe e hekurit, ku të mirëprisnin cerberat në Ferrin e Spaçit. Nuk e lidh dot as ku rrinin ushtarët që ruanin këta ‘djaj’. Platforma e Spaçit është shpërbërë. Ngrehina të stërmëdha dhe një pllakat që kujton të gjithë katrahurën. Bora nuk lë shumë që të shikosh platformat, por Spaçi në një variant ironik i përngjan një Berat-Gjirokastre burgu me ngrehina tullash të ngrëna, vendosur mbi tarraca. Sak në një cep është edhe vendi i të vdekurve, atyre që hynin njerëz në këtë vend dhe ktheheshin fosfor. Një grup të rinjsh ka vendosur një tabelë mbërthyer tejet fortë, e cila kur lëkundet nga era jep piskamën e tmerrit. Kocka të rëna në lum. Të paemër. Të pagjallë. Të vetmet, mbi to, qesëndisin ato parullat, që nxijnë nga larg. Armiqtë dhe keqësia shkruhen me të zeza, socializmi, kuptohet me të kuqe. “Keqbërësit atakojnë (me të zezë) sistemin tonë socialist (me të kuqe)”, “Gjithë pushteti buron nga populli dhe i takon popullit (me të kuqe)”... “Armiku (me të zezë)... Për fat, nëse nuk do të jetë kjo tabelë dhe guri i mirënjohjes për ta, pak më sipër: “Të rinjtë e Dioqezës së Sapës nderojnë...”, atëherë vërtetë do ishte turp. Jo se nuk është tani, ku shenjat e atij muzeut të propozuar nga Berisha duken një nga utopitë e çartura të tij. Epo sa mirë do ishte sikur pushtetarët ta shihnin vetë këtë?! Era nuk na lë, ndërsa mbledhur me kapuçët e gjatë, kujtojmë kur ajo lodronte dhe pret kokat e qethura si rërë, që Visari i krahason aty - mbledhur në tarracën, ku qëndrojmë dhe ne, me një shkretëtirë lëvizëse. Çfarë dhimbje cinike. Humbas në platformë, ndërsa mundohem të përfytyroj jetën e një të burgosuri në këtë vend të ngushtë, që ka gëlltitur pa fund qindra e qindra njerëz.

Një ditë të zakonshme burgu: zgjimi, apeli, puna...

“Një ditë e zakonshme burgu është një ditë e pazakonshme jete. I burgosuri i madh, shkrimtari rus Aleksander Sollzhenicin, fitues i çmimit Nobel, ka një novelë të famshme “Një ditë e Ivan Denisoviçit”, që përshkruan ditën e një të dënuari, që, në fakt, është shumë më lehtë se e dita e një të burgosuri shqiptar në Spaç. (Përshkrimi i Visarit)

Në fillim po tregoj vendin: një humnerë mes maleve, rrethuar me tela me gjemba e me roje të armatosur, me pak qiell përsipër e me përrenj të zinj që dalin nga grykët përbindshërore të minierave. Dy oborre të vegjël një tarracë, një mensë, nja dy depo, një berberhane, këpucar, infermieri, banjo, një zyrë teknike me të burgosur në shërbim të komandës, dy ngrehina me dhoma, me dyer të hapura e me dritare të mëdha nga ku shihet nga jashtë gjithçka. Në çdo dhomë tri radhë me dërrasa ku ishin renditur dyshekët me kashtë të të burgosurve, mbi 50 veta në një dhomë, rreshta opingash, nallanesh, gjysma çizmesh, pecesh e çorapesh të grisura, etj, kurse muret jashtë ishin mbushur me parulla politike të kuqe, ku fjala armik shkruhej me bojë të zezë. 

Dita në Spaç çuditërisht kishte tre zgjime, që kryhej me rënie çange a me britmë, merrnin pjesë dhe shkopinjtë e gomës ndonjëherë. Zgjimi I, në orën 5 të mëngjesit, në çdo stinë, për brigadat e turnit të parë. Zgjimi II, në mesditë për turnin të dytë dhe zgjimi III, në orën 8 të mbrëmjes për ata që do të shkonin në turnin e tretë të punës në minierë. Të tre zgjimet me zhurmat që shkaktonin, shqetësonin të gjithë të burgosurit në kamp, pavarësisht nga turni i punës, duke mos krijuar dot asnjëherë qetësinë e duhur që i duhet një punëtori. 

Pas secilit zgjim të burgosurit shkonin te një tub i gjatë uji, i shpuar me vrima si me breshëri automatiku, nga ku dilnin currila të holla për t’u larë. Pastaj qëndrimi në rresht për të hyrë në mensë, rresht për të dalë në punë, kontrollet një për një të çdo të burgosuri se mos ka me vete ndonjë copë thikë për t’u arratisur a ndonjë copëz buke, puna nën tokë në minierë, edhe 3 km. thellë, edhe 5 km, etj., rresht pas pune për t’u futur në kamp dhe kontroll se mos ndonjë i dënuar fuste ndonjë copë hekuri, levë a gozhdë për ndonjë rebelim, rresht prapë për në mensë, rresht për apelin, (2 herë në ditë) d.m.th. për t’u numëruar, 1 200 veta, pastaj lexim një orë, nga librat e Enver Hoxhës për riedukim ose si vazhdim i torturës, të burgosurit ulur në shesh në oborrin e burgut ose në mensë dhe po një i burgosur që lexonte e lexonte. Endje nëpër oborr, rresht prapë para mensës, darka, urdhri për gjumë, numërimi në mesnatë i të burgosurve...  

Ushqimi: para pune gjithmonë një pjatë fasule me një copëz buke, një gotë qumësht si antidot, pas pune një si turli e pangrënshme si e gatuar me copa çizmesh e një pjatë makarona ose oriz të pa pastër, darka - një gotë çaj me një fije djathi ose marmelate.

Puna: e llahtarshme, si në epokën e rendit skllavopronar, me kazma e lopata e leva, me vagonë, martelë e baromina, nën tokë, nën dritë kandilash karbiti, kërrusur nën shkëmbin, që herë pas here binin. Duhej të mbushje vagonë me mineral natë e ditë nën moton “o normën o shpirtin”. I shtynim me krahë dhe ndodhte të dilje nga fronte pune me temperaturë të lartë mbi 40 gradë C. Jashtë në dëborë në – 10, - 15, - 20 gradë C. Norma ishte e lartë, gjithsecilit do t’i duhej të mbushte sa për një Skodë me rimorkio me mineral, pirit të rëndë të përzier me bakër. Thuhej dhe me aliazhe ari. Kurse të burgosurit e minierave ende nuk janë dëm-shpërblyer për punën e tyre të papaguar 

Përshëndetjet mes nesh ishin: hajt, dalçi gjallë! Se pati dhe nga ata që u vranë andej”. 

Ajo, që kujtoj nga libri i Visarit janë 4 rrathët e këtij ferri. I gjithë kampi është ndarë në zona, ku punohet treshe, një minator dhe dy ndihmës të burgosur. Zona e Parë, ku gjendet sikleti; Zona II- zona e Ferrit. Më larg nga zonat e tjera dhe e nxehtë për tortura. Zona III janë politikanë të njohur. Katra me artistë; Pesa me armatorë mekanikët prapavijë. Kudo i shoqërojnë minjtë e mëdhenj që të patrembur bëjnë rrugën e tyre të lirë anas shinave dhe qesëndisin kaviet njerëzore. Sikleti më i madh është fronti i nxehtë, ku temperaturat rrahin plot 40 gradë. Ajri zien i zi dhe lopata digjet.

Tmerri

Tmerrin e Spaçit në dimër, në kohën e sotme, e kupton vetëm, nëse ke qenë në Birkenau. Pra, do shikosh ngrehina “të mira”, por pikërisht në gjeometrinë perverse të tyre, që është pjesë e një klime të tmerrshme, do shikosh tmerrin, mbi të gjitha shtuar me një shtazëri sjelljeje ndaj të burgosurish, që ke në kokë, të arrish përfytyrimin e plotë të Spaçit komunist. Kanë mbetur ende aty-këtu disa bulona, kurse pak më tutje nga kampi janë galeritë e para. Një ajër tejet i nxehtë vjen që andej dhe ndërsa përshkruan një brez bore, që arrin deri 30 centimetra, befas nga një galeri që është e lartë më pak se 1.50 metra vjen duhma e një substance, e cila nuk mundet të perceptohet. Pas 15 metrash mundimi im shkon kot. Është një rrymëz e gjallë që mbush gjithçka dhe sytë të lëbyren nga një tymnajë që se përballon. Disa më të zotë kanë ardhur në ditët tona dhe rroba të lëna aty tregojnë se kanë tentuar të nxjerrin mineral. Vetëm hyrja është e betonuar. Pas pak metrave asgjë. Por, një pjesë e kampit të punës është dhe më sipër dhe platforma drush janë kudo. Cili ishte kategorizimi i tmerrit aty... Nga çfarë kishit më frikë: “Secili duhet të ketë pasur tmerrin e vet. Mua më tmerronte përshtatja me burgun, me kushtet çnjerëzore dhe më e tmerrshmja ishte mospërshtatja. Tmerr kolektiv ishte jeta në turmë, natë e ditë, zgjuar dhe në gjumë, bashkekzistenca e detyruar, vetë përditshmëria atje, e gjitha mashkullore, e ashpër, ishte një tmerr pa fund. Vinte një kohë që s’kishe frikë nga asgjë, as nga vdekja, as... kjo ishte më frikshmja. Thuhej se në rast lufte do të na pushkatonin, masakër, plojë kolektive. Por thuhej se mund të na çonin në frontin e parë të luftës, përballë plumbat e armikut të huaj dhe nga pas plumbat e tanëve, njëlloj si të armikut. E ëndërronim me frikë luftën që do të sillte përmbysjen...”. Nuk rri dot më. Dua të iki një orë e më parë. Të paktën për një orë e gjejmë sërish makinën, që pret pas një kthese. Si do të ketë qenë vallë kalvari i një plake që kërkonte të birin, i një gruaje të shoqin, i një biri prindërit? Si ka qenë e nesërmja, po e nesërmja e të nesërmes dhe...  Mjaft. Është e paimagjinatë. Dimër. 

*Citatet në kursiv janë përgjigje të pyetjeve bëra shkrimtarit Visar Zhiti nga ‘Java’. Spaç-27 shkurt 2012

6 Komente

Ke vajt kot ne spac o ben se nuk i rruhet me njeriu

Po ç'ne tani ne dimer, nuk priste pranveren, ne prill-maj, ku mund te na sillte me shume te dhena. Vajti tani ne dimer, dhe si perfundim, takoi vetem 2 veta. Me shpejt u kthye se vajti smiley

 keto tmerre reale(jo te pa degjuara per mua) per ne qe i lexojme jane si llokume,por,qe te lene nje shije  mjaft te hidhur ne goje,ndjej ftoht,neveri dhimbje,zhgenjimsmiley

Ne fakt kot shkoi ne dimer, se ato qe u futshin aty, vetem pranveren dhe veren kalojshin, si n bed & breakfast. Kur fillojte era e forte ne vjeshte, coheshin per ne shpiat e veta...

Udhetimi per ne Burgun e Spacit (nuk e di përse fjala burg, sikur e zbut tmerrin që fshihet pas këtij emri, ndoshta do të meritonte më mirë kamp) nuk është një eskapadë dimërore, e as verore. Në përgjithësi, nuk mund të jetë një eskapadë e tillë. Mendoj, se duhet pasur shumë kujdes në përdorimin e fjalëve që përshkruajnë këtë vend. Kam përshtypjen që një përshkrim i thelluar në natyrë sikur zhbën karakterin panatyrshëm (të denatyruar) të këtij vendi. Mendoj, se Spaci, para se të jetë vepër e natyrës, është vepër e njeriut. Këtu mendoj se duhet të përqendrohet më shumë, cdo ndërmarrje e përshkrimit të këtij vendi. Natyra, sidoqë të jetë, ka xhepa që e zbusin ashpërsinë e zemrës së njeriut. 

Per Spaçin djema, ka qene nje artikull ketu, para shum muajve , ku tregonte ter jeten e veshtire te banorve aty, biles disa dhe ish te burgosur, se s'kishin ku te venin, nje artikull real dhe aktual, keshtu qe kritikeza ime aty ishte per varferine e artikullit se per te thene diçka kundra.

Mirpo gjithmon gjinden njerez qe i japin dramacitet nje gjeje/fjale/komenti te tjetrit, vetem e vetem se keshtu ndihen te plote ne jeten e tyre bosh, prandaj s'po jua ve re llafollogjise tuaj.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).