Ilir Ferra banon në Vjenë. Ai ishte 16 vjeç kur në vitin 1991 u largua nga Shqipëria, por vazhdon ta përjetojë shqipen “si në ditën e parë që erdha në Vjenë”, thotë 38-vjeçari me origjinë nga Durrësi.

 

Ilir Ferra

Botuesit e parë që morën në dorë vitin e kaluar dorëshkrimin e romanit “Rauchschatten” (Hije tymi) të Ilir Ferrës nuk e patën guximin të nxirrnin në treg një gjuhë që nuk tingëllonte kaq gjermanisht.

“Sa mirë që në sallë depërton dritë natyrore, mendon Lundrimi dhe sakaq ndjen në kyçet e duarve mbërthimin e hekurt të prangave. E zbehur nga perdet e rënda ngjyrë qielli drita vezullon mbi bojën e kuqërremtë të rimesos mbi mur, ndërsa aparatet përgjuese më të ndjeshmet në botë regjistrojnë çdo detaj të perëndimit të tij. Gjithçka solemne. Ç'm'u desh? Pyet teksa emri i tij hidhet tutje e tëhu nëpër radhët e karrigeve si një top i gungët pingpongu”. 
 

Gjermanisht me ritmin e shqipes - Eksperiment gjuhësor apo libër?

Ky ishte njëri nga pasazhet e romanit “Rauchschatten” (Hije tymi) të autorit shqiptar Ilir Ferra, përzgjedhur nga kritikja e njohur gjermane Ina Hartwig në fjalën lëvduese të enjten (1.3.) në Mynih në ceremoninë e shpërndarjes së çmimit Chamisso. Hartwig do ta quante Ferrën një “talent poetik natyror, në se ka të tillë”.

Ky çmim që mban emrin e poetit Adelbert von Chamisso (1781-1838), i cili ndonëse ishte francez shkruante në gjermanisht, është i vetmi i këtij lloji në hapësirën gjermanofone dhe qysh nga viti 1985 jepet nga Fondacioni Robert Bosch pikërisht për ata shkrimtarë të gjuhës gjermane, të cilët nuk e kanë gjermanishten gjuhë amtare. Ilir Ferra është i pari shqiptar, që hyn në këtë listë, duke qenë njëri nga dy fituesit e çmimit inkurajues.

Çmimi kryesor "Adalbert-von-Chamisso"për Michael Stavaric, autor çek, (në qendër), çmimet inkurajuese për Akos Domën, autor hungarez (djathtas) dhe Ilir Ferrën me romanin "Hije tymi"

 

Shqiptari i parë në listën Chamisso

Çmim inkurajues? “Janë nga ato çmime kur njerëzit mërziteshin kur i merrnin...” , kujton ai me humor kohërat e vjetra në Shqipërinë komuniste dhe nxiton të shtojë se në rastin e tij është ndryshe. “Ky është një çmim shumë rëndësishëm për mua dhe vërtet që më inkurajon të vazhdoj të shkruaj në këtë formë”.

Ilir Ferra i ka të gjitha arsyet për të qenë i lumtur me këtë çmim: Në vitin 2008 nderohet tregimi i tij i parë “Halber Atem” me çmimin “Shkrime ndërmjet kulturave”, tre vjet më vonë del romani i tij i parë, që këtë radhë tërheq vëmendjen e jurisë së përzgjedhur të Chamissos. Sa për krahasim, kolegu i tij hungarez, Akos Doma, të cilit iu dha i njëjti çmim, priti mbi 11 vjet që nga debutimi në prozë të gjatë. Edhe shuma prej 7000 euro që i takon çdo fituesi të çmimit inkurajues nuk është edhe aq modeste në krahasim me 15.000 eurot që merr me vete fituesi kryesor: Këtë vit ai ishte Michael Stavaric - shkrimtari, eseisti dhe përkthyesi çek me banim në Vjenë është një nga figurat më të shquara të letërsisë së sotme bashkëkohore.

Stil i guximshëm

Edhe Ilir Ferra banon në Vjenë. Ai ishte 16 vjeç kur në vitin 1991 u largua nga Shqipëria, por vazhdon ta përjetojë shqipen “si në ditën e parë që erdha në Vjenë”, thotë 38-vjeçari me origjinë nga Durrësi. Ferra ka përfunduar në Vjenë “Studimet e përkthimit” nga anglishtja dhe italishtja, dhe ka zhvilluar një ndjeshmëri të veçantë për ritmet gjuhësore.

Me keqardhje ai vëren se si ritmi i shqipes sa vjen e humb në mediet shqiptare. Ai vetë është munduar ta ruajë atë madje edhe në tekstet e tij në gjermanisht: “Kam bërë një lëvizje komplet të kundërt nga ajo që bëjnë mediet shqiptare, që marrin ritme nga gjuhët e tjera dhe i përshtatin në shqip, siç ndodh zakonisht me italishten, dhe ndonjëherë edhe me anglishten. Unë jam munduar që të përshtat ritmin e gjuhës shqipe në gjuhën gjermane”, rrëfen ai në një intervistë për Deutsche Wellen. Një zgjedhje e guximshme, madje për disa shtëpi botuese tepër e guximshme. Shumë syresh nuk donin që ta pubikonin me argumentin se “gjuha nuk është shumë e përshtatshme për publikun gjerman”.

Durrësi - vendlindja e Ferrës. Durrësi - vendlindja e Ferrës. Edhe personazhi kryesor i tij jeton në Durrës

Durrësi - vendlindja e Ferrës. Edhe personazhi kryesor i tij jeton në Durrës

Më në fund libri u botua në edition Atelier në vjeshtën e vitit 2011 dhe për t'i ardhur në ndihmë publikut romani u shoqërua me një pasfjalë të autores dhe përkthyeses austriake nga shqipja në gjermanisht Andrea Grill. Nuk u mbush stina dhe juria e Chamissos do të lëvdonte ndër të tjerash pikërisht atë element që shtëpitë botuese e kishin refuzuar: gjuhën. “Me një diksion të kursyer, shpesh thuajse lirik, shpjegohen përjetimet, të fshehtat, hallet dhe zbulimet e personazhit kryesor”, shkruhet në argumentimin e jurisë.

Komunizmi nga sytë e një fëmije 

Ky personazh kryesor është Erlindi, një fëmijë që jeton në vendlindjen e autorit, në Durrës, në Shqipërinë e viteve 80-të, që ndjek seritë e filmave vizatimorë në televizionin italian - botën e vetme me ngjyra në realitetin gri të komunizmit - dhe lufton për të mposhtur zhgënjimin e dashurisë së parë fëmijërore. Rreth tij të rriturit përpiqen ta ndrydhin presionin e diktaturës me lidhje jashtëmartesore ose ekstaza alkooli. “Kam pasur parasysh veten kur e kam shkruar dhe më duket që është një gjë e rëndësishme për të gjithë ne që të kujtohemi për atë që ka ndodhur në vendin tonë edhe thjesht për të parandaluar përsëritjen e gabimeve të tilla”, thotë Ferra.

Me këtë kthim në të kaluarën diktatoriale, Ferra i bashkëngjitet radhës së autorëve shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë që kanë përdorur si subjekt periudhën e fëmijërisë së tyre në komunizëm. Për nga përmbajtja ky roman përbën ndoshta një mozaik të vogël në zbulimin e gjendjes shpirtërore të asaj kohe, por vlerat e Ferrës qëndrojnë diku tjetër: Tek forca depërtuese e gjuhës së tij poetike. “Nuk e përjashtoj mundësinë që pjesë të këtij romani të dalin së shpejti në shqip”, thotë Ferra. Të shpresojmë që edhe përkthimi do ta arrijë ta transmetojë këtë forcë.
 

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi

 

1 Komente

Me pelqeu artikulli, i permbajtur, elegant. Gezohem gjithmone kur lexoj artikuj te permbajtur dhe elegante ne shqip smiley. Me vjen mire per autorin, i deshiroj sukses (dhe perkthim ne shqip).

Mesova edhe nje gje te re:

 

TAKT II m.1. muz. Një nga njësitë metrike, në të cilat ndahet një pjesë muzikore; shenjë grafike në trajtë të një vije pingule, që vihet në kufijtë e kësaj njësie. Luajti (këndoi) tri taktet e para.
2. gjuh. Pjesa më e shkurtër e kuptimshme e frazës, që veçohet gjatë të folurit me anë të intonacionit dhe të ritmit. Takti i ligjërimit (ligjërimor). 
3. spec. Pjesë e ciklit të plotë, që kryen një mekanizëm gjatë punës së vet. 
Takti i parë. Takti i pistonit të makinës. Fundi i taktit të shtypjes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).